Çfarë ndodhi në të vërtetë me Vis Martinajn?

0

Kryefjalë e vitit që u mbyll në kronikën e zezë ishte zhdukja e Ervis Martinajt dhe vrasjet brenda grupit të tij, shokë dhe kushërinj, por edhe të zhdukur. Por kush janë tre ngjarjet që u lidhën me mbretin e basteve? Historia pritet të vazhdojë me mister edhe këtë vit.

Zhdukja e Ulvi Skanës

Prej datës 17 maj 2022, i riu Ulvi Skana, 29 vjeç ka humbur gjurmët. Familjarët kanë bërë denoncimin në polici dhe ka nisur hetimi për rrëmbim. Në media është aluduar se ai ishte mik i ngushtë i Can Kariçit dhe i njohur i Martinajt, po nëna e tij, Thëllëza Skana ka mohuar në daljet mediatike që djali i saj të jetë pjesë e njerëzve të bosit të lojërave të fatit.

Vrasja e Brilant Martinajt

Më 17 korrik, tre persona u vranë në një atentat në mbikalimin e Fushë-Krujës. Autorët qëlluan me breshëri kallashnikovi drejt makinës me të cilën po udhëtonte Brilant Martinaj, Diklon Vata dhe Besmir Hoxha.

Vata doli jashtë mjetit, por u ekzekutua nga plumbat, ndërsa dy të tjerët u dogjën brenda mjetit. Brilant Martinaj është kushëriri i parë i Ervis Martinajt, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për porositjen e vrasjes së Endrit Dokles pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani.

Po ashtu Brilanti rezulton në kërkim për vrasjen e efektivit të FNSH-ve Xhulio Prela në 5 nëntor të 2020-ës, por edhe një tjetër ish-efektivi të uniformave blu, 60-vjeçarit Xhelal Reçi.

Tentativa e vrasjes ndaj Ylli (Brahja) Brahimit

Më 22 korrik, një breshëri armësh u zbraz drejt makinës së biznesmenit Ylli Brahimi, në oborrin e banesës së këtij të fundit. Nga kjo ngjarje mbeti i vrarë Klisman Preçi dhe u plagos rëndë Ylli Brahimi, por ky i fundit i mbijetoi atentatit.

Kjo nuk ishte tentativa e vetme e vrasjes për Brahimin, pasi edhe në janar të 2021-shit, teksa ka qenë duke ecur i qetë me dy persona të tjerë në rrugë, është qëlluar me armë, por edhe në këtë rast vetëm mbeti i plagosur.

Atentati me shënjestër Brahimin mendohet të jetë për llogari personale, por nuk lihet mënjanë as pista se ishte përpjekja e radhës e kundërshtarëve të Ervis Martinajt, pas vrasjeve të njëpasnjëshme të miqve të këtij të fundit.

Kjo pasi Brahimi është konsideruar si krahu i djathtë i Ervis Martinajt, ‘bosit’ të lojërave të fatit që u shpall i zhdukur në gusht të këtij viti. Shumë nga këto ngjarje nuk janë zbardhur ende, por eliminimi i të afërmve të Ervis Martinajt nga grupet rivale dyshohet se ka pasur si qëllim dobësimin e “mbretit” të lojërave të fatit.

Vrasjet e shumta të shokëve dhe së fundmi të kushëririt të tij, kanë sjellë në skenë edhe tezën e zhdukjes dhe eliminimit të Martinajt, fati i të cilit është ende enigmë.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu