Dervishaj në ndeshjet e Champions me paratë e Zotos, qëndruan në të njëjtin hotel në Torino

0

Alqi Bllako kishte njohje personale me Klodian Zoton, pronarin e kompanisë koncesionare të tre inceneratorëve të ngritur në Shqipëri.

Ish -deputeti socialist rezulton se ka udhëtuar me paratë e Zotos për në Itali, së bashku me Arben Dervishajn, i arrestuar për mashtrim në çështjen e inceneratorit të Fierit.

Në dosjen e SPAK, rezulton një udhëtim në vitin 2019 i Bllakos, Dervishajt dhe Klodian Zotos për të parë ndeshjen e Champions League mes Juventus dhe Ajax. Biletat e ndeshjes me vlerën e 5040 Eurove, rezulton se janë prerë nga Zoto.

“Më datë 16.04.2019 në qytetin e Torinos, Itali është zhvilluar ndeshja e futbollit ndërmjet ekipit të Juventus dhe ekipit të Ajax. Rezulton se biletat për të ndjekur ndeshjen e futbollit në stadium, për shtetasin Alqi Bilako dhe shtetasin Arben Dervishaj, janë prerë nga shtetasi Klodian Zoto në vlerën prej 1680 Euro secili”.

Tre të akuzuarit kanë qëndruar po ashtu në të njëjtin hotel. Por për shkak se pagesa e qëndrimit është bërë me cash, nuk ka të dhëna se kush e ka bërë atë.

“Nga aktet e marrë nëpërmjet letër-porosisë nga Autoritetet Italiane të Drejtësisë, konkretisht Prokuroria e Torinos, ka rezultuar se shtetasit Alqi Bllako, Klodian Zoto dhe Arben Dervishaj kanë qëndruar tek Hotel Victoria, Torino, nga data 16.04.2019 deri me datë 17.04.2019, pagesat e qëndrimit të tyre, në vlerën prej 357euro secili janë kryer me kartë”.

Si një tifoz fanatik i Juventus, Dervishaj rezulton po ashtu se në Prill të vitit 2017 ka udhëtuar sërish në Torino për të parë ndeshjen Juventus – Barcelona, pasi ishte caktuar mbikqyrës i punimeve të inceneratorit të Fierit. Shpenzimet janë paguar po nga Zoto.

“Bileta për të ndjekur ndeshjen në stadium për shtetasin Arben Dervishaj, në vlerën prej 2250 Euro, është paguar nga shtetasi Klodian Zoto . Keto vlera monetare të tjera, të përfituara në mënyrë të parregullt nga shtetasi Arben Dervishaj, në vlerën 1920 dollare dhe 2250 euro, janë dhënë nga shtetasi Klodian Zoto, në kohën kur shtetasi Arben Dervishaj, ishte caktuar me detyrën “Mbikqyrësi i Punimeve tek Inceneratori i Fierit”, ndërkohë që shtetasi Klodian Zoto ishte një ndër aksionerët e shoqerise koncesionare përfituese të Inceneratorit të Fierit”.

Por udhëtime te paguara nuk përfituan vetëm Bllako e Dervishaj. Në dosjen e siguruar del në pah një tjetër fluturim. Edhe Etleva Kondi, e vënë në akuzë si anëtare e Komisionit për dhënien e Koncesionit dhe Arenc Myrtezani, administrator i shoqërisë koncesionare udhëtuan në Itali me të shpallurin tjetër në kërkim, Mirel Mërtirin.

“Më datë 28.02.2016 shtetasja Etleva Kondi, së bashku me vajzën e saj, është kthyer për në Shqipëri, së bashku me shtetasit Mirel Mërtiri dhe Arenc Myrtezani, ky I fundit më vonë është bërë administrator i shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Ëaste Treatmnet Fier” sh.p.k.

Rezulton se biletat e fluturimit me destinacion për në qytetin e Romës, Itali, për shtetasen Etleva Kondi dhe vajzën e saj, janë paguar nga shtetasi Klodian Zoto, në vlerën totale prej 618 Euro.

Gjithashtu rezulton se anëtarja e Komisionit të dhënies së koncesionit së bashku me vajzën e saj kanë qëndruar në të njëjtin hotel me shtetasit Mirel Mertiri si dhe Arenc Myrtezani. Pagesa e qëndrimit në këtë hotel për të gjithë këta persona, është bërë nga shtetasi Klodian Zoto, në vlerën totale prej 1689 Euro”.

Në dosjen hetimore, Gjykata e Posaçme argumenton se caktimi i masës arrest me burg për 10 nga 11 të akuzuarit për inceneretorin e Fierit është bërë me dyshimin se këta të fundit mund të prishin provat, pengojnë hetimet apo largohen jashtë vendit.

Pesë nga të shpallurit në kërkim u arrestuan dhe 6 janë në kërkim. Një nga të arrestuarit u la në arrest shtëpie. Veç Fierit, ish-deputeti Bllako është nën akuzë edhe për inceneratorin e Elbasanit, për të cilin gjendet në burg ish-shefi i tij, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu