Shkruan Matilda Kurti
Flakët në ish-vilën e Enver Hoxha, në zonën e njohur si Ish-Blloku, rikthyen jo vetëm kujtesën e një epoke të errët, por edhe zemërimin e një pjese të shoqërisë. Protestues të indinjuar hodhën molotov mbi ndërtesën që për dekada simbolizoi pushtetin absolut. Vila u mbulua nga flakët, ndërsa turma brohoriste: “E rrëzuam pas 35 vitesh!”
Pamja ishte e fortë, emocionale, simbolike. Njësoj si atëherë kur u rrëzua busti dhe shumëkush besoi se parajsa kishte zbritur në tokë. U mendua se vuajtjet morën fund, se një epokë u mbyll përgjithmonë. Por vitet që pasuan treguan një realitet më të hidhur: Shqipëria u zbraz, të rinjtë ikën, toka u shit, shpresa u tret mes premtimeve të pambajtura.
Në këto 35 vite, iku një “Enver” i diktaturës dhe erdhi një “Enver” i demokracisë. Secili shante paraardhësin, secili premtonte ndryshim, e sapo ulej në karrige, bënte të njëjtën gjë — ndoshta edhe më keq. Fjalët ndryshonin, por modeli mbetej. Pushteti ndërrohej, zhgënjimi jo.
Turma vazhdon të brohorasë përpara flakëve. Beson se me zjarr rrëzohet hija e diktaturës. Por a digjet historia? A shlyhet e shkuara duke djegur muret e një vile ku ka jetuar një njeri që ka 40 vite që nuk është më? E nesërmja mbetet e paqartë. Ndoshta mbi ato rrënoja do të ngrihet një kullë tjetër, në pronësi të radhës së ndonjë oligarku me fat. Ndoshta protesta do të shuhet, ndërsa realiteti do të mbetet i njëjtë për qytetarët e zakonshëm — si për banorët e Velipojës që kërkojnë tokën dhe bukën e tyre. Turma brohoret: “E shporrëm diktatorin përfundimisht!” Por historia ka treguar se diktatorët rrëzohen, ndërsa sistemi riciklohet. Flakët shuajnë një ndërtesë. Por e nesërmja? Ajo nuk ndërtohet me molotov. Ajo ndërtohet me vetëdije.








