Biznesmeni Gjergj Luca ka folur për ndikimin që, sipas tij, kanë pasur komentet negative dhe lajmet e pavërteta të publikuara ndër vite, duke pretenduar se ato i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në aktivitetin e tij.
“Kur u përballa për herë të parë me fenomenin e rrjeteve sociale, hasa në një problem me përmasa globale. Sot dua ta bëj publik dëmin që më është shkaktuar, sepse deri tani nuk kam preferuar të flas. Rreth 5-6 vite më parë, kur nisi ajo valë sulmesh ndaj meje, u shqetësova dhe fillova të reagoj në rrjetet e mia sociale, por kjo nuk mjaftoi”, u shpreh Luca.
Ai tregoi se më pas vendosi t’u drejtohej institucioneve të drejtësisë për të kërkuar verifikimin e pretendimeve të ngritura ndaj tij.
“Më pas i kërkova Dumanit të më bënte një ‘check-up’ për të parë kush jam unë në të vërtetë. I hodha në gjyq dhe procesi vazhdon ende, ndërsa gjatë kësaj kohe është zëvendësuar edhe prokurori, edhe gjyqtarja. Ndërkohë mora dy shkresa, një nga Suedia dhe një nga Japonia, ku më kërkohej të jepja sqarime për titujt ku etiketohesha si vrasës, pjesë e bandave, trafikant e me akuza të tjera”, deklaroi ai.
Sipas Lucas, autoritetet e këtyre vendeve kryen verifikime të plota për shkak të informacionit të publikuar në media.
“Këta njerëz nuk e kuptuan fillimisht atë që po u shpjegoja dhe ngritën tre grupe hetimore, duke kontrolluar çdo aspekt të aktivitetit tim. Unë nuk isha në dijeni të këtij procesi derisa u thirra në ambasadat e Suedisë dhe Japonisë. Aty më kërkuan ndjesë dhe më thanë se ato lajme nuk rezultonin të vërteta. Për shkak të këtyre akuzave humba një sezon të tërë tregtie, vetëm për të provuar se pretendimet ndaj meje ishin të pabaza. Më kanë dëmtuar rëndë portalet, aq sa emrin e tyre ua kam vendosur edhe tualeteve të mia”, përfundoi biznesmeni.
Gjergj Luca: Komentet negative dhe lajmet e rreme më dëmtuan biznesin, Suedia dhe Japonia verifikuan akuzat ndaj meje
Promoted Content







