Shkruan Zef Ndreka
Analizë Kushtetuese dhe krahasimi me raste europiane mbi pezullimin e Ballukut.
Në mënyrë që tabloja e vendimit të gjykatës për rastin e pezullimit të zv/kryeministrës Balluku të jetë juridikisht e plotë, po e plotësoj analizën kushtetuese dhe do përpiqëm të bëj krahasimin me praktikat europiane.
Në kompetencat e Kryeministrit, Neni 102 i Kushtetutës thuhet:
“Kryeministri drejton dhe përfaqëson Këshillin e Ministrave.
Ai propozon emërimin dhe shkarkimin e ministrave.
Vetëm Kryeministri ia paraqet Presidentit kërkesën për dekret shkarkimi”.
Nga kjo del se shkarkimi i një ministri, në rastin e Ballukut, është kompetencë ekskluzive, e paprekshme nga gjyqësori.
Por çfarë bën gjykata?
GJKKO nuk e shkarkon ministrin, por vendos një masë sigurie të quajtur “Pezullim nga ushtrimi i detyrës”.
Referuar Kodit të Procedurës Penale (neni 242/243):
Ky është një mjet juridik që ndalon zyrtarin të ushtrojë funksionin vetëm përkohësisht, kur ekziston rreziku që të ndikojë te provat, të ndikojë te vartësit, të përsëritë të njëjtën shkelje.
Pra ky është mjet procedural, jo marrje kompetencash.
Pyetja thelbësore është:
A ka konflikt kushtetues?
Në sensin formal, nuk ka konflikt.
Por ekziston një tension institucional, i cili në jurisprudencë njihet si “tension i natyrshëm i pushteteve në rastet e zyrtarëve të lartë politikë”, sepse ekzekutivi ruan të drejtën për shkarkim.
Por gjyqësori, për hir të procesit penal, ka të drejtën të ndalojë përkohësisht ushtrimin e detyrës.
Ky raport është parashikuar qëllimisht nga Reforma në Drejtësi për një arsye, sepse përvoja shqiptare ka treguar se ekzekutivi nuk shkarkon dot lehtë njerëzit e vet, siç po ndodh me zv/kryeministrën Balluku.
Prandaj ligji i ka dhënë gjykatës instrumentin neutral për ti hequr përkohësisht nga funksioni.
Për ta konkretizuar me shembuj nga vendet e BE-së, a ndodh edhe atje?
Sigurisht, gjykatat e Europës mund të pezullojnë dhe kanë pezulluar zyrtarë ekzekutivë, sidomos për çështje korrupsioni.
– Në Itali ekziston “sospensione cautelare”, identike me masën shqiptare.
Gjykatat kanë pezulluar kryetarë bashkish, ministra lokalë, drejtues të agjencive publike.
Madje në 2015, Gjykata ka pezulluar kryetarin e Venecias Luigi Brugnaro, ndërkohë që qeveria nuk ndërhynte dot.
– Në Spanjë gjykata ka pezulluar zyrtarë të katalanas për shkelje tenderësh, pavarësisht vullnetit të qeverisë.
– Në Francë prokuroria speciale financiare (PNF) dhe gjykatat kanë ndaluar përkohësisht ministrin e financave nga ushtrimi i detyrës kur ka patur dyshime për abuzim.
Kështu, Shqipëria nuk mund të bëje përjashtim.
Dallimi është se në shtetet e konsoliduara demokratike, ministrat japin dorëheqje vetë dhe nuk çojnë gjykatën në këtë pikë.
A është ky hap drejt “republikës së prokurorëve”?
Juridikisht nuk është, por është politika që po e ushqen këtë perceptim, sepse masa e pezullimit vendoset nga gjykata, jo nga prokuroria dhe vendimi kontrollohet nga Apeli, nga ku kontrolli i balancave bëhet i plotë.
Perceptimi i republikës së prokurorëve ekziston sepse politika nuk po merr përgjegjësinë politike, sepse Balluku duhej të largohej vetë ose të largohej nga Kryeministri sapo u hapen hetime të tilla.
Kur kjo nuk ndodh, gjykata detyrohet të bëjë atë që politika nuk guxon ta bëjë, të largojë përkohësisht një zyrtar nga funksioni.
Kjo krijon ide sikur po sundojnë prokurorët, kur në fakt është thjesht mungesë standardi politik.
Në përmbledhje mund të themi se GJKKO nuk ka marrë kompetenca ekzekutive, por ka përdorur një mjet procedural që ligji ia jep shprehimisht.
Nuk ka shkelje kushtetuese, por ka tension institucionale, të natyrshëm në raste korrupsioni të nivelit të lartë.
Situata nuk është “republikë prokurorësh”, por republikë pa standarde politike të përgjegjësisë, ku drejtësia detyrohet të bëjë punën që duhet ta bëjë politika.








