Heqja e mandatit/ Lindita Nikolla përpiqet të mbrojë Arben Ahmetajn, e merr me nge …

0

Këshilli i Mandateve do të mblidhet pasditen e nesërme, në 16:00, për të shqyrtuar kërkesën e SPAK, që kërkon heqjen e imunitetit të Arben Ahmetajt.

Vendimi për mbledhjen është marrë nga drejtuesja e Kuvendit Lindita Nikolla. Nga deputetë të opozitës ndërkohë, u kërkua që mbledhja të zhvillohet ditën e sotme, për të mos vonuar procedurat.

Lindta Nikolla, po ashtu pranon kërkesën e SPAK duke urdhëruar që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura. Në shkresën dërguar Kuvendit më herët, prokuroria e argumentonte këtë procedurë me ruajtjen e sekretit hetimor.

Ndaj Arben Ahmetajt rëndojnë akuza për tre vepra penale: “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, vetëm dhe në bashkëpunim, në formën e deklarimit të rremë, dhe në formën e fshehjes; “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” 6 (gjashtë) herë; “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, më shumë se një herë.
Hetimet ndaj Ahmetajt nisën pas kallëzimeve për paligjshmëri me praktikat për dhënien me koncension të inceneratorit të Elbasanit. Po ashtu, janë hetuar edhe lidhjet e dyshuara të tij me Klodian Zoton një nga tre sipërmarrësit e përfshirë në çështjen e inceneratorëve. Në kompjuterin e Zotos, janë gjetur emaile të disa hoteleve të shtrenjta në qytete të ndryshme të Europës, u konfirmoheshin se në to kishte qëndruar Ahmetaj, pasi pagesa ishte bërë përmes kartës bankare të Zotos. Në kuadër të këtyre hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka vendosur në sekuestro preventive dy vila në bregdet, pas dyshimeve se ato kanë lidhje me ish zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj. Për njërën vilë, e cila ndodhet në zonën e Palasës, prokuroria dyshon se i përket ish bashkëshortes së zoti Ahmetaj, ndërsa tjetra në zonën e Hamallajt është në pronësi të bashkëjetueses së tij. Për këtë fundit, Ahmetaj ka kundërshtor në gjykatë një kontroll që ushtroi BKH në muajin Mars, megjithatë kërkesa është rrëzuar nga Apeli i GJKKO si dhe Gjykata e Lartë. Vetë Ahmetaj ka pretenduar pafajësi ndaj akuzave.

Një mbledhje e grupit parlamentar është zhvilluar më herët gjatë ditës, në të cilën sipas raportimeve mediatike, është dakordësuar që deputetët socialist ti hapin rrugë veprimeve të SPAK.

Një vendim i pritshëm ky nisur nga thyerja e marrëdhënieve mes Ahmetajt dhe kreut të mazhorancës Edi Rama, prej muajsh tashmë.

Sipas procedurave të Parlamentit, pasi Këshilli i Mandateve të shqyrtojë kërksën, “brenda 2 javëve, harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve”.

Shenjat janë që Këshilli i Mandateve të japë dritën jeshile për arrestimin e Ahmetajt dhe të njëjtën gjë të bëjë dhe Kuvendi. Procedura pritet të mbyllet brenda datës 20 Korrik, kur edhe mbyllet ky sesion parlamentar. Ekziston po ashtu mundësia që Arben Ahmetaj të japë dorëheqjen si deputetet dhe prokuroria të veprojë pa pasur nevojë për konsensusin e Kuvendit, siç ndodhi me arrestmin e Alqi Bllakos.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu