Të paktën 12 pjesëtarë të forcave amerikane janë plagosur pas një sulmi iranian ndaj Bazës Ajrore”Prince Sultan” në Arabinë Saudite, sipas një zyrtari amerikan për CNN.
Fatmirësisht, nuk raportohet për viktima.
Dy prej të plagosurve kanë marrë lëndime nga copëza shpërthyese, të cilat konsiderohen jo kërcënuese për jetën.
Ndërkohë, disa ushtarë të tjerë janë prekur nga sulmi, por ende nuk dihen detaje të qarta mbi gjendjen e tyre. Ushtarët e plagosur thuhet se ishin brenda një ndërtese në bazë që u godit gjatë sulmit.
Gjithashtu, gjatë sulmit është dëmtuar edhe një avion cisternë për furnizim me karburant.
Ndërsa Uashingtoni lë të kuptohet se operacioni i tij kundër Iranit mund të përfundojë brenda “javëve, jo muajve”, edhe pse Izraeli ka kërcënuar të “përshkallëzojë dhe zgjerojë” sulmet e tij kundër republikës islamike, viktimat vazhdojnë të rriten.
Nëntëmbëdhjetë persona kanë vdekur në Izrael dhe katër ushtarë izraelitë janë vrarë në Liban. Trembëdhjetë anëtarë të ushtrisë amerikane kanë vdekur, si dhe civilë në tokë dhe det në rajonin e Gjirit.
Në Iran, më shumë se 1,900 persona janë vrarë dhe të paktën 20,000 janë plagosur, tha Maria Martinez e Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. Të tjerë vlerësojnë shifra më të ulëta.
Në Liban, operacioni ushtarak izraelit në jug ka zhvendosur një të pestën e popullsisë së Libanit, duke shkaktuar një krizë humanitare. Gati 1,100 persona në Liban janë vrarë në ofensivën izraelite. Kjo vjen pas sulmeve ndaj Izraelit nga Hezbollahu, lëvizja militante islamike e mbështetur nga Irani.








