Javën e kaluar, ai dëshmoi para Komiteteve të Mbikëqyrjes dhe Gjyqësorit në Kongresin Amerikan, duke rikonfirmuan se si familja Biden e ka shitur ndikimin e saj politik dhe mënyrën sesi u promovua “marka” e familjes. Një biznesmen me një përvojë ndërkombëtare, Bobulinski u rekrutua për të punuar me Hunter Biden, Rob Walker dhe James Gilliar në një sipërmarrje biznesi me CEFC, një kompani energjetike kineze me lidhje të ngushta me Partinë Komuniste të Kinës.
Më vonë Hunter e shkarkoi nga detyra Bobulinskin, por jo përpara se ky i fundit të shihte në detaje se si funksiononte biznesi i familjes Biden. Për të mbështetur pretendimet e bujshme në dëshminë e tij, ai i ka ofruar organeve të drejtësisë dhjetëra e-maile, mesazhe me tekst dhe dokumente biznesi dhe financiare.
Gilliar e rekrutoi Bobulinski-n në vitin 2017, për të takuar partnerin e tij në biznes dhe për të qenë pjesë e asaj që Bobulinskit iu tha se do të ishte një marrëveshje “e madhe” me CEFC. Partneri në biznes ishte Hunter Biden. Zoti Bobulinski thotë se iu bë e qartë se kontributi i Hunter në arritjen e kësaj marrëveshjeje ishte “garancia e emrit dhe e fuqisë së familjes së tij, por edhe asaj që ajo ka bërë gjatë 50 viteve të fundit”.
Ai pretendon se ne qendër të marrëveshjes ishte edhe Joe Biden. Bobulinski kujton se u takua me ish-zëvendës presidentin e atëhershëm të SHBA-së në fillim të majit 2017 në Los Anxhelos në kontekstin e negociatave me kinezët e CEFC.
Hunter organizoi një takim me babanë e tij, edhe pse Bobulinski thotë se i ishte thënë nga partnerët e tij se “ky do të jetë një takim i nivelit të lartë, dhe ne nuk do të hyjmë në shumë detaje” në lidhje me paktin që do të lidhej me CEFC.
Ai takim ishte preludi i një zinxhiri komunikimesh me e-mail në mes të majit 2017, ku u diskutua mbi pjesën e aksioneve në sipërmarrjen e re të biznesit, duke përfshirë “10% që do të mbaheshin nga Hunter për Djalin e Madh”. Bobulinski thotë se “Djali i Madh është me 100% Joe Biden”.
Ai deklaroi para 2 komiteteve të Kongresit se “askush tjetër që ishte pjesë e atij zinxhiri komunikimesh me e-mail” nuk e vuri në dyshim këtë frazë, pasi të gjithë e dinin se “për kë po flisnin”. Bobulinksi u dorëzoi kongresmenëve tekste telefonike dhe e-maile, në të cilat Hunter dhe Gilliar i referohen përfshirjes së Joe Biden në marrëveshje.
Në fund të majit 2017, Gilliar e paralajmëron Bobulinskin me një mesazh: “Mos e përmend përfshirjen e Joe në komunikimet dixhitale, por vetëm kur të jesh ballë për ballë. E di që e di këtë, por ata janë shumë paranojakë.
Bobulinski rrëfen se një mosmarrëveshje tjetër kishte të bënte me një kërkesë të papritur që James Biden, vëllai i Joe, të merrte një pjesë të aksioneve. Gilliar shpjegoi në një mesazh me tekst se kjo ishte e nevojshme sepse “Hunter mund të ishte jo i besueshëm, ndaj nxita të përfshihet edhe një anëtar tjetër i familjes”.
Bobulinski tregon se një herë e pyeti James Biden mbi pasojat e mundshme politike të marrëveshjes: “A nuk jeni të shqetësuar që nëse Joe do të kandidojë në të ardhmen për president të Shteteve të Bashkuara, do të zbulohet që ju bëni biznes drejtpërdrejt me kinezët? James Biden qeshi dhe u përgjigj: Ne do ta mohonim dhe kjo do të besohej!”.
Bobulinski kritikoi ashpër edhe dëshminë e fundit të Walker, që pretendoi se nuk ishte në dijeni të përfshirjes së Joe Biden në atë pakt. “Që secili prej tyre të hiqet tani sikur vuan nga amnezia apo të thotë se ‘Hunter nuk ka folur vërtet për babanë e tij’ është thjesht absurde”- deklaroi para 2 komiteteve të Kongresit.
Ai tregon për “morinë e provave që kur Joe Biden u shfaq në takime, shtrëngoi duart me të tjerët, mori pjesë në bisedat telefonike”, përfshirë pretendimet se ai ka qenë i pranishëm në të paktën 20 telefonata biznesi të djalit të tij Hunter.
“Joe Biden merrte pjesë në ato biseda për t’i treguar markën ‘Biden’ kujtdo që ishte në atë takim, qofshin ukrainas, rumunë, rusë, kolumbianë, kinezë, kushdo qoftë. Vetëm kaq duhej të bënte. Vetëm të dëgjuarit e zërit të tij në telefon është dëshmi e përfshirjes dhe mundësimit të transaksionit”- theksoi Bobulinski.
Në fillim, Bobulinski u përpoq ta rrëfente historinë e tij para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, por mediat kryesore u rreshtuan në krah të familjes Biden. Ai deklaroi javën e kaluar në Kongres, se në tetor të atij vitit u paraqit vullnetarisht në zyrat e FBI-së për të dhënë dëshminë e tij, por byroja nuk e thirri asnjëherë më vonë.
Po ashtu, ai nuk u kontaktua asnjëherë nga Prokurori i SHBA, David Weiss, i cili po heton akuzat ndaj Hunter Biden. Po ashtu, Bobulinski thotë se ishte paralajmëruar nga Walker në tetor 2020 që të mos fliste më sepse pretendimet e tij “do të na varrosnin”.
Votuesit mund të vendosin nëse kjo çështje ka rëndësi për zgjedhjen që do të bëjnë ditën e votimit. Megjithatë është fakt që ajo është shumë larg përbetimeve të Joe Biden gjatë vitit 2020, se ai nuk kishte asnjë lidhje me biznesin e të birit.
Siç u shpreh Bobulinski para komitetit të Kongresit: “Arsyeja e vetme pse ndodhi ndonjë
nga këto transaksione ndërkombëtare, me shuma dhjetëra miliona dollarë që kalonin drejtpërdrejt në llogaritë bankare të familjen Biden, ishte sepse Joe Biden mbante një
post të lartë. Biznesi i familjes Biden ishte edhe i Joe Biden, pikë”.
Komiteti i Mbikëqyrjes, thotë se ka zbuluar më shumë se 20 milionë dollarë në pagesa nga burime të huaja që kanë shkuar për anëtarët e familjes Biden dhe bashkëpunëtorët e tyre në biznes. Realiteti politik është se Donald Trump do t’i përdorë të gjitha këto për të kompensuar shqetësimin e votuesve për gjyqet ndaj tij. Kjo është një arsye më shumë që demokratët të rishqyrtojnë rreziqet që sjell Joe Biden si kandidati i tyre në presidencialet e nëntorit./“Wall Street Journal”