Shkruan Qamil Gjyrezi
Para disa ditësh u zhvillua në sallën ‘Prenk Jakova’ të shkollës artistike ‘Prenkë Jakova’ Shkodër, koncert koral i realizuar në kuadër të bashkëpunimit në mes të dy shkollave të të njëjtit drejtim artistik, si dhe me të njëjtin emër “Prenkë Jakova”. Kori i shkollës së muzikës ‘Prenk Jakova’ Gjakovë nën dirigjimin e Maestro Kastriot Sada me koncertmaestër Gent Kumnova interpretoi me shumë profesionalizëm e pasion pjesë nga kompozitorë të njohur nga Shqipëria dhe Kosova, si: Lec Kurti, Tonin Harapi, Feim Ibrahimi, Esat Rizvanolli, Rexho Mulliqi, dhe kompozitorë të huaj, si: Beethoven, Debussy, Caccini, Johnson, Andersen, Lojeski. Në këtë koncert interpretuan edhe nxënësit instrumentistë nga Kosova, Diell Ballata në Flaut dhe Lian Juniku në Piano.
Muzikantët e rinj nga Gjakova prezantuan para nxënësve dhe mësuesve të Shkollës artistike ‘Prenkë Jakova’ Shkodër dhe publikut pjesmarrës nivel të lartë artistik, pasion për artin, kulturë muzikore dhe disiplinë të lartë artistike.
Muzika në Kosovë po merr një zhvillim të madh, në të gjitha nivelet dhe është shumë e dashur për të rinjtë nga Kosova. Bashkëpunimet e muzikantëve dhe profesorëve nga Kosova me ata nga Shqipëria janë organizuar edhe para viteve 90-të. Shumë profesorë dhe kompozitorë nga Tirana kanë dhënë mësim në Universitetin e Prishtinës. Por sidomos mbas çlirimit të Kosovës shumë të rinj nga Kosova kanë studiuar në Universitetin e arteve në Tiranë.
Në këtë kontekst janë organizuar shumë evenimente artistike në Kosovë dhe Shqipëri që duhet të organizohen në nivel lokal dhe kombëtar. Është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi në fushën e organizimit dhe studimit të muzikës në të gjitha nivelet me parametra modern dhe bashkëpunimet e nxënësve dhe mësuseve janë të domosdoshme. Kompozitorët shqiptarë duhet të luhen dhe studjohen në të gjitha nivelet në Kosovë, gjithashtu kompozitorët nga Kosova duhet të luhen dhe studiohen në shkollat artistike në Shqipëri.
Shkollat artistike nga Kosova zhvillojnë gjithashtu bashkëpunime me shumë shkolla nga rajoni i Ballkanit, ata europiane e amerikane.
E ndoqa koncertin koral me shumë vemëndje e përkushtim artistik dhe intelektual. Duhet shkruar se dirigjenti Kastriot Sada kishte punuar me shumë profesionalizëm e përkushtim me korin vokalisht dhe muzikalisht.
Dirigjenti Sada e kishte vlerësuar shumë koncertin në Shkodër dhe ishte shumë i emocionuar gjatë lojës në koncert. Pjesët ishin përzgjedhur me shumë dashuri për nivelin, aftësitë vokale dhe muzikale të muzikantëve të rinj. Kori këndoi me shumë kulturë dhe muzikalisht shumë të mirë, duke i performuar me nivel pjesët teknikisht dhe muzikalisht. Edhe instrumentistët e rinj nga Gjakova luajtën shumë mirë, duke transmetuar emocione të veçanta tek publiku pjesmarrës në koncert. Diell Ballata luajti shumë mirë teknikisht një pjesë nga kompozitori impresionist francez Debussy për flaut. Pianisti Lian Juniku u shqua për teknikë dhe muzikalitet shumë të mirë për një nxënës në shkollën artistike 9 vjeçare.
Kori nga Gjakova këndoi shumë mirë të gjitha pjesët në koncert, me intonacion, stil dhe vokal shumë të mirë. Por pjesa që më bëri shumë përshtypje dhe më emocionoi ishte ‘Porsi fleta e Ejllit të Zotit’ e kompozitorit Lec Kurti me poezi të Atë Gjergj Fishta. Marshi, hymn është një korale shumë e njohur. Kori nga Gjakova drejtuar nga Maestro Kastriot Sada e këndoi me një pasion dhe vëmendje të veçantë këtë marsh shumë të njohur. Kori këndoi në përfundim të koncertit edhe një pjesë, ‘Les Miserable’ të kompozitorit amerikan, orkestruar nga Ed Lojeski me shumë profesionalizëm. Ed Lojeski u njoh si një nga aranzhuesit më të mirë koral. Aranzhimet e tij kanë një domethënie të veçantë për grupet vokale dhe drejtuesit koralë që kërkojnë materiale përtej standardit dhe të zakonshëm. Pjesa më e madhe e suksesit të tij në shkrim rrjedh nga përvoja e tij e gjerë si një interpretues dhe producent i njohur në nivel kombëtar.
Programi ishte përzgjedhur me shumë kujdes për këtë koncert. Në koncert u luajtën:
1. Claude Debussy: ‘Syrinx’ luajti Diell Ballata në Flaut
2. Gulio Caccini: ‘Ave Maria’
3. ‘Turtle Dove’, orkestëruar nga Victor Johnson
4. Feim Ibrahimi: ‘Unë biri yt Koosvë’, orkestruar nga Hajrullah Syla
5. Johaim Andersen: ‘Scherzino’, luajti në Flaut Dielli Ballata, Koncert maestër Lian Juniku
6. Esat Rizvanolli: ‘Mjedis t’ballit’.
7. ‘Pranvera filloi me ardhë’harmonizuar për kor nag Tonin Harapi
8. Rexho Mulliqi: ‘Baresha’-Rexho orkestruar nga Selami Kolonja
9. Lec Kurti: ‘Porsi fleta e Ejllit të Zotit’, këndoi Kori dirigjent: Kastriot Sada.
10. Beethoven: ‘Moonlight’ Sonata Koha e III-të luajti: Lian Juniku në piano
11. Ed Lojeski: ‘Les miserable’.
Në këtë koncert mori pjesë edhe Nën-kryetarja e Bashkisë Shkodër Zonja Teuta Shala dhe Drejtoresha e D.A.R. Shkodër, Zonja Brisela Truma Kadija, Adea Roka, drejtoreshë e D.K.R.S., Gjakovë dhe drejtoreshë e Arsimit në Gjakovë Eranda Kumnova Baçi.
Duhet falenderuar për bashkëpunimin dhe pritjen e ngrohtë të artistëve nga Kosova, Drejtori i shkollës artistike ‘Prenkë Jakova’ Anton Kaftalli.
Koncerti i shkollës së mesme të lartë të muzikës ‘Prenkë Jakova’ Gjakovë do te vazhdojë me koncertet e ardhshme në Turqi në muajin Maj dhe në Maqedoninë e Veriut në muajin Qershor.