Prokuroria e Posaçme i ka komunikuar akuzën për dosjen e dytë ish ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj që ka të bëjë me vjedhjen e fondeve të SASPAC.
Ndaj Ilir Beqajt rëndon akuza e korrupsionit, fshehje të pasurisë dhe mashtrimit.
Ilir Beqaj u arrestua në datë 4 korrik të vitit 2024 me urdhër të SPAK, në kuadër të hetimeve që po kryhen nga prokurorja Elida Kacckini, për abuzimet me fondet e SASPAC.
Komunikimi i akuzave ka nisur dhe per personat e tjerë të përfshirë.
Në njoftimin zyrtar të SPAK për arrestimin e Beqajt thuhet se në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC-ut përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se ka kryer procedura prokurimi fiktive në bashkëpunim me Ermal Kurtulaj, i cili është i arrestuar së bashku me Alfred Nikollaj drejtori Administrativ i një kompanie me emrin ‘Landways International’ ndërkohë 2 po hetohen në masë arrest shtëpie dhe 2 detyrim me paraqitje.
Duke zbardhur skemën e abuzimit, SPAK evidenton se për 8 shërbime prokurimi për organizimin e konferencës FESTA (E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri”) si dhe “Konferenca e Energjitikës”, organizuar në vitin 2023 procedura ka qenë tërësisht fiktive dhe fituesi ka qenë i paracaktuar.
Mes 8 prokurimeve fiktive të zbuluara, SPAK evidenton pikërisht një të lidhur me ‘Landways International’. SASPAC i dha 125 mijë € kompanisë së biznesmenit Gazmend Haxhia për organizimin e një konference turizmi “Festa”. Por për të njëjtin event, dhe Ministria e Turizmit pagoi 38.5 mln lekë të reja. Pra gjithsej për të njëjtin aktivitet u paguan nga dy institucioneve shtetërore mbi 500 mijë €, ndërsa në fund i vetmi shpenzim i regjistruar është ai i një darke mundësuar nga “Gzona” me vlerë rreth 41 mijë euro.
Lidhur me këtë dosje GJKKO ka firmosur 7 urdhërarreste. Konkretisht janë arrestuar ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj bashkëpunëtori i tij Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikollaj. Ndërkohë do të hetohen në një masë sigurie më të butë Gazmend Haxhia, Elton Marini, Bledar Leka, Bjona Zijaj.