Kreu Politikë Ku po shkon PD-ja? Ta lërë Shqipërinë pa opozitë?

Ku po shkon PD-ja? Ta lërë Shqipërinë pa opozitë?

0
25

Shkruan Zef Ndreka

Lëvizjet e fundit politike kanë vërtetuar se Partia Demokratike, në pamundësi për të ndërtuar një aksion të vetin opozitar, po përpiqet të hipë mbi protestën e studentëve dhe të qytetarëve, duke e marrë gradualisht nën kontroll atë dhe duke e përdorur si instrument të betejës së saj politike.
Kjo, nqs është strategjia e re e PD-së, atëherë kemi të bëjmë me një gabim serioz për të.ardhmën e saj..
Sepse dihet, protesta qytetare ka vlerë pikërisht kur ruan pavarësinë e saj. Studentët mund të kenë një mijë arsye për të protestuar, qytetarët po ashtu. Shqipëria i ka problemet reale me qeverisjen, me korrupsionin, me funksionimin e institucioneve, me ekonominë, me drejtësinë dhe me besimin tek politika.
Por është tjerër gjë protesta qytetare dhe krejt tjetër gjë përpjekja e një partie për tu fshehur pas saj.
Edhe më shqetësuese bëhet situata kur në emër të studentëve dhe qytetarëve shfaqet dhuna. Thyerja, djegia, përplasja fizike apo intimidimi nuk mund të justifikohen si opozitarizëm. Ato përkundrazi, i japin qeverisë argumentin më të mirë për ta zhvendosur problemin nga përgjegjësia politike tek rendi publik.
Kush humbet në këtë rast?
Shkurt, humbet protesta dhe fiton pushteti.
Po aq problematik është përdorimi politik i nxënësve të shkollave të mesme. Të rinjtë kanë të drejtë të formojnë bindjet e tyre, të protestojnë dhe të jenë qytetarë aktivë. Por mobilizimi i të miturve nga strukturat politike është vija që asnjë parti demokratike nuk duhet ta kalojë.
Edhe bllokimi i Parlamentit duhet parë me të njëjtën masë. Opozita mund të protestojë brenda Kuvendit, mund të përdorë çdo instrument parlamentar dhe mund ta vërë shumicën përballë përgjegjësisë. Por kur zëvendëson debatin me bllokimin permanent të institucionit, ajo rrezikon të heqë dorë pikërisht nga fusha ku duhet të bëjë opozitë.
Shtrojmë.pyetjen:
A po përpiqet PD-ja të rrëzojë qeverinë, apo po rrënon edhe më shumë vetveten si alternativë qeverisëse?
Këtu ka edhe një element tjetër që meriton ta analizojmë me kujdes. Në Europë dhe më gjerë po shfaqen forma gjithnjë e më radikale të protestave politike, nga grupime të ekstremit të majtë deri tek lëvizjet me frymëzim fetar-politik apo antisistem. Ngjashmëritë në sjellje, mënyrat e mobilizimeve apo format e përplasjeve mund të analizohen nqs ekziston një koordinim mes tyre dhe zhvillimeve shqiptare.
Pikërisht këtu PD-ja duhet të ishte jashtëzakonisht e kujdesshme.
Si parti që pretendon të jetë alternativa kryesore europiane e qeverisjes nuk mund të ndërtojë strategjinë e saj mbi kaosin, mbi zemërimin e pakontrolluar apo mbi radikalizmin e rrugës. Aq më pak mund të presë që një protestë studentore ti zgjidhë krizën e saj të brendshme.
Problemi themelor i PD-së mbetet politik.
Ajo duhet të bindë shqiptarët se është alternativë më e mirë se qeveria. Për këtë i duhet program, i duhet ekip, i duhet hapje, I duhet pluralizëm i brendshëm, i duhen figura të reja dhe besueshmëri. Asaj i duhet të fitojë qytetarin që sot është i pakënaqur me qeverinë, por që përsëri nuk e sheh PD-në si alternativën e vet.
Por këtë nuk po e arrinë dhe asnjë protestë nuk mund ta shpëtojë. Madje, tentativa për t’ua marrë protestën studentëve mund të prodhojë efektin e kundërt, ku studentët humbin protestën e tyre, qytetarët distancohen, ndërsa PD-ja mbetet përsëri vetëm me elektoratin e vet tradicional.
Në këtë rast qeveria përfiton.
Prandaj pyetjet tjera vijnë natyrshëm:
Ku po shkon PD-ja?
A po shkon PD-ja drejt një opozite moderne që synon të marrë pushtetin me votë, apo drejt një force proteste permanente që nuk arrin më të prodhojë alternativë?
Sot Shqipëria ka nevojë për opozitë të fortë. Madje një qeveri e gjatë ka edhe më shumë nevojë për një opozitë të fortë, sepse mungesa e konkurrencës politike dobëson kontrollin demokratik mbi pushtetin.
Por opozita e fortë nuk është ajo që djeg më shumë, që bllokon më shumë apo që bërtet më fort. Opozitë e fortë është ajo që bind më shumë.
Mqs PD-ja ka zgjedhur për të marrë peng çdo pakënaqësi qytetare, në vend që të ndryshojë vetveten dhe të krijojë një alternativë të besueshme, po rrezikon të bëjë paradoksin më të madh të opozitarizmit shqiptar, që duke luftuar për të rrëzuar qeverinë, do të lërë vendin pa opozitë.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu