Lajme që lëshohen si “bomba” e ndezin si “tymçe”

0

Shkruan Zef Bushati

Betejë sundimtaresh e ish sundimtaresh 33 vjeçarë. Akuza të ndërsjellta. Skenarë e intriga skutave e vrimave të errëta për ti “ngrënë kokën njëri tjetrit”. Individë publikë të njohur të ekraneve dhe gazetave që plasin lajme “bomba”, tymuese, për arrestime, burgosje, krime, vrasje, vjedhje, korrupsion, ( por jo per prostitucion politik e moral ).

Lajme që nuk zgjasin 3 ore, që nuk zgjasin 3 ditë, 3 muaj, por që zgjasin 3 vjet, 33 vjet. Lajme që qytetarëve ja kanë sjellur shpirtin në maj të hundës, lajme si përralla ” ujku-ujku ” por që ujku ka 3-4 vite që nuk vjen, histori si ajo e Godose – qe kanë 10 vite që e presin të vijë por që nuk vjen. Historia vazhdon me të huaj, që vijnë në Shqipëri me mision, “të derguar të posacem”, dhe bien viktimë e rrjetave të mashtruesve specialistë të veshur me pushtet politik a shtetëror e të krimbur me para.

Te gjitha këto ndodhin para qytetarëve, që shohin, dëgjojnë, analizojnë dhe nxjerrin konkluzione të dhimshme duke u larguar nga Shqipëria. E gjitha kjo ndodh kur qytetarët shqiptarë kanë një mijë probleme, kur pensionistët rënkojnë nga pensionet e ulta, kur minatorët, naftëtarët, bujqit, studentët e mjeksisë protestojnë, kur ka shtresa të shoqërisë që nuk flasin per rritje të mirëqenies por për mbijetesë, etj.

Kur Kosova është në momente të vështira, kur veriun e Kosovës e sulmojnë banditë të armatosur, kur Kosovën e urdhërojnë të miratoje asocacionin ( bashkësinë) e Komunave Serbe ne Republikën e Kosovës, e thene shqip: të miratojë “zjarrin që i ve flakën” Kosovës. Eh…sa probleme shumë të rëndësishme kanë shqiptarët dhe Shqipëria. Por të gjitha anashkalohen dhe cdo ditë diskutohen si prioritare “bombat tymuese” të hedhura nga individë me të kaluar aspak të këndshme. Injorantët janë në ditët e tyre më të mira. U ka ardhur dita. Qesh, qesh me lot dhe nuk arrij dot ta kuptoj: lotët më dalin nga dhimbja apo nga e qeshura.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu