Deputeti demokrat, Edmond Spaho, i rreshtuar në grupimin e ish-Kryeministrit Sali Berisha, tha se tryeza e 43 ligjvënësve të opozitës ishte reflektim i dëshirave të demokratëve në bazë, për tu bashkuar përballë Qeverisë Rama.
Spaho tha se deputetët e opozitës u mblodhën në tryezë për një çështje më të madhe se sa problemet personale.
“Ne kemi një çështje më të rëndësishme, se si do të përballemi me qeverinë e Edi Ramës. Takimi i djeshëm nuk ishte reflektim i qëndrimeve personale, ishte reflektim i dëshirave të anëtarësisë së Partisë demokratike në Bazë dhe i atyre që votojnë Partinë Demokratike”, u shpreh Spaho në studion e Euronews Albania.
I pyetur se përse nuk zgjodhën të reflektojnë edhe me grupin e Bashës, Spaho tha se Lulzim Basha po punon me Edi Ramën, ka hyrë në një aleancë me Edi Ramën.
“Të gjitha veprimet që bën janë për të ruajtur sherrin dhe grindjen në Partinë Demokratike, e cila në fund të fundit i shërben Edi Ramës. Ne jemi shprehur publikisht se çdo njëri prej deputetëve të Partisë Demokratike që ka dalë nga zgjedhjet e 25 prillit të 2021 është i mirëpritur. Kemi përjashtuar Lulzim Bashën dhe Enekelejd Alibeaj, pse për shkak të veprimeve të tyre në dëm të interesave të Partisë Demokratike”, tha Edmond Spaho.