Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka artikuluar ditën e sotme një akuzë të fortë, të bërë për herë të parë publikisht se pas aferës së Inceneratorëve fshihet edhe ish-zyrtari i lartë i FBI-së, Charles McGonigal. Në një deklaratë nga selia e re e demokratëve, Basha tha se edhe McGonigal është i përfshirë në atë që quajti afera e shekullit, por tha se do të japë detaje në vijim.
Basha u mjaftua që të thoshte se për këtë do depozitojnë një kallëzim në SPAK, duke theksuar se “përgjegjësisë nuk do i shpëtojë askush”.
“Aferës McGonigal me aferën e inceneratorëve, do i depozitojmë në SPAK krahas kallëzimit të përfshirjes personalisht të Ramës, dje drejtësia amerikane foli, McGonigal pranoi operacionin e pisët kundër Bashës dhe PD dhe u dënua. Dikush shpreson që ky të jetë kapaku i korrupsionit, por i them “mos gënje veten”, ky është vetëm fillim. Përgjegjësisë nuk do i shpëtojë askush”, tha Basha.
Ky reagim vjen pasi një ditë më parë, Gjykata federale e Uashingtonit dënoi me 28 muaj burgim ish-zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal, “për shkelje të rëndë të besimit të publikut”, lidhur me 225 mijë dollarët që mori nga shqiptaro-amerikani Agron Nezaj dhe mosdeklarimin e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë, përfshirë me kryeministrin Edi Rama.
Sipas prokurorëve të çështjes, McGonigal jo vetëm nuk kishte deklaruar marrjen e parave, por kishte avancuar interesat e biznesit të Nezajt dhe gënjeu FBI-në për aktivitetet e tyre të përbashkëta, duke fshehur kështu faktin që ai kishte konflikt interesi dhe interesa financiare private.