Shkruan Belind Këlliçi
Angazhimi i Edi Ramës për të asgjesuar publikisht një personazh që lexoi 5 kërkesat e protestuesve, tregoi për këdo edhe për ndokënd ende të pabindur se sa emergjente është largimi i tij nga pushteti.
Monstruoziteti që ai përdori me përfshirjen e shumë aktorëve e instrumentave, levave dhe pozitave të errëta, shërbimeve e njerëzve, në Shqipëri e në Kosovë duke mos kursyer asgjë, thjesht e vetëm për të ruajtur karrigen e tij, është një dëshmi tronditëse për pushtetin kriminal që ai ka krijuar e që kërkon të mbrojë me çdo kusht.
Për postin e privilegjet e Edi Ramës u hodh baltë mbi luftën e UÇK, u përdhosën emra e beteja.
Për frikën e Edi Ramës nga drejtësia, është ngritur trekëndëshi për këdo që guxon të dalë kundër tij.
Mjafton vetëm operacioni i turpshëm ndaj Dritan Goxhajt për të vërtetuar se sa malinj, i korruptuar dhe despotik është pushteti i Edi Ramës.
Sulmi i tij brutal, i pamëshirshëm ndaj një njeriu e bën edhe më të besueshme kauzën e qytetarëve që kanë mbushur sheshet, i bën edhe më legjitime 5 kërkesat e shpallura poshtë zyrës së tij.
Me këtë reagim kriminal, Edi Rama tregoi se është gati të eleminojë këdo që përbën rrezik për pushtetin e tij. Mirëpo qytetarët po tregojnë çdo ditë se nuk kanë më frikë.







