Shkruan Zef Ndreka
Mbase ka qënë rastësi apo jo, por gjithnjë zgjedhjet në këtë qark kanë qënë treguesi më i qartë se si shkojnë zgjedhjet në Shqipëri.
Ky qark ka 7 deputetë që dalin nga tre rrethe, konkretisht nga Mirdita, nga Kurbini dhe nga Lezha.
Sigurisht, që numri i votuesve në këto tre rrethe është i ndryshëm dhe me diferenca të mëdha. Lezha si Bashki zë vendin e parë, i ndjekur nga Kurbini.
Edhe popullata është heterogjene. Në këtë qark, numrin më të madh e zë komuniteti katolik mirditor, mbase mbi 65% të votuesve. Ndiqet nga komuniteti malsor të ardhur shumë vite më parë, kryesisht në Lezhë dhe Kurbin, që mund të shkojë deri në 20% pjesa tjetër janë të ardhur nga rrethet e tjera të vendit kur filloi zhvillimi i industrise.
Nisur nga këto tregues, në këtë qark, dominojnë votat e mirditorëve, dhe kjo nuk duhet neglizhuar.
Por çfarë vërejmë nga listat e kandidatëve që ofrojnë partitë konkuruese në zgjedhjet e 11-Majit?
Nga PD-ja, në listat e mbyllura kemi dy malsorë, konkretisht Gjekmarkaj dhe Hoti.
Kemi më tej në listat e hapura një malsore, Metaliaj, një lezhjan me origjinë mirditore nga zona e Pukës, Gjin Gjoni, një mirditor nga Oroshi, Aleksandër Lala dhe kurbinasin Piroli.
Janë gjithashtu Edison Doçi nga PAA, Viktor Tusha nga PL dhe Melisa Vuthaj nga PR.
Kalkulimet për të fituar 4 apo 5 deputet nga opozita në këtë qark, nuk mendoj se janë bërë mirë.
Përjashto listën e mbyllur, të tjerët do të luftojnë për një votë më shumë, për të arritur numrin tre. Beteja për fitorën e një deputeti do të jetë ndërmjet Gjin Gjonit, Aleksandër Lalës, Viktor Tushës dhe Metaliajt. Për mendimin tim, kjo betejë do të vij e tkurret ndërmjet Gjin Gjonit dhe Sandër Lalës, për arësyet që thashë më lart.
Nga PS-ja do kemi 9 kandidatë, nga të cilët 2 kandidat në lista të mbyllura, konkretisht Ulsi Manja dhe Ermal Paci dhe 7 kandidatë ne lista të hapura.
Armir Kadeli, Anton Gjoni, Klotilda Ndreca, Aurora Reçi Gjeloshi janë 4 kandidatë që do punojnë më shumë në Lezhë dhe që do përfaqësojnë atë.
Ndëkohë Marjeta Nela, Erion Markaj do jenë kandidatët përfaqësues të Kurbinit, dhe Pranvera Skana kandidate në Mirditë.
Kështu, me kandidaturat që shikojmë, rezultati për të qënë me këmbë në tokë, mund të shkojë 4 me 3 në favor të PS-së.
Por duke marrë parasysh edhe partitë e tjera që garojnë dhe që marrin vota majtas dhe kryesisht djathtas, ekziston mundësia praktike që një deputet ta marrë Gjenerali i koalicionit të Llapaj.
Kështu, nqs do arrihej ky parashikim, do kemi rezultatin e mëposhtëm:
3 deputet PS-ja
Ulsi Manja
Ermal Paci
Armi Kadeli
3 deputet nga PD-ja
Agron Gjekmarkaj
Elda Hoti
Aleksandër Lala
1 deputet koalicioni Shqipëria bëhet
Ded Prenga
Gjithsesi, nuk do të ishte çudi, që rezultati të kalojë 5 me 2 në favor të PS-së dhe nisur nga ajo që theksova në fillim, ky do jetë trendi i fitores në gjithë vendin.