Arbnori dhe Topalli, politikanët e sfidave
Politikanët përgjithësisht nguliten në mendjen e gjithkujt kur i shoqëron e pazakonshmja. Fjala vjen, ministrat, shtetarët dhe shumicën e deputetëve komunistë i kujton gjithkush edhe në mes të natës për marifetet antishqiptare, për vjedhjet, abuzimin me besimin, për kontrabandën dhe mashtrimet. Kjo është e pazakonta e tyre, pra ajo që s’duhej të ndodhte. Po e “Pazakonshmja” e Pjetër Arbnorit apo e Jozefina Topallit kush është?
Pjetër Arbnori, ky politikan i sfidave të mëdha që prej gjysëm shekulli, nuk u përfol qoftë edhe një herë nga shtypi apo kundërshtarët politikë as për vjedhje, as për paaftësi. Një shembull që do e kishte zili edhe Amerika. Nëse me shumë deputetë të tjerë ndodhi një “ftohtësi” pas marrjes së mandatit, me Arbnorin kurrsesi. Ai ka reflektuar kulturë të gjerë, ai ka mbrojtur dhe lartësuar emrin e Shqipërisë kudo e kurdoherë. Arbnori, modeli shqiptar i përballimit të vuajtjeve në burgje, arbnori, modeli i shpirtit të gjerë e kurajoz, Arbnori, autori i shumë veprave potenciale në fushën e letrave shqiptare, Arbnori sotërues i shumë gjuhëve të huaja dhe shembull impulsiv në përmbysjen e raporteve politike të padrejtësirave njerëzore, armik i servilizmit, i euforisë, i bizneseve private i fushatave spektakolare, është në kohën më të mirë për të risjellë tek votuesit e tij timonin për një jetë më të mirë, se të jemi të ndërgjegjshëm, këto katër vite, duke qenë se komunistët vetë vendosën e vetë vulosën, bënë gjëra që jo vetëm nuk përshëndeten, por apelohen.
Një kalibër i tillë, një “kubaturë” me përmasa e vizion të qartë politik, është edhe kadidatja tjetër për deputete, Jozefina Topalli. 34 vjeçarja Topalli, zotëruese e katër gjuhëve të huaja, e afirmuar në lëmin e shkencave ekzakte, e diplomuar shkëlqyeshëm si juriste dhe fizikane, e kualifikuar në Universitetin e Padovës për të Drejtën Ndërkombëtare, e pagabueshme në politikë, një zonjë që nderoi jo vetëm Shkodrën, por edhe Shqipërinë me mençurinë dhe ndershmërinë, shpalosi edhe kjo një “Pazakonshmëri” duke u futur në historinë brilante të Shkodrës si njëra ndër zonjat më të nderuara. Ajo arriti të bëjë shenjë ndër gratë shqiptare dhe është shans që Shkodra ka nderin ta dërgojë në parlamentin shqiptar. Pra, me pak fjalë dhe pa moralizime, Pjetër Arbnori dhe Jozefina Topalli janë padyshim dy politikanët e sfidave të mëdha dhe dy figurat më të goditura e të pastra. Ato nuk kanë nevojë që shtypi t’u mbulojë episode të pahijshme, sikundër kundërshtarëve të tyre politikë. Ata reflektojnë paqe, mirësi, progres, obligim njerëzor e kapacitet intelektual.
Sokol Pepushaj
Arben Malaj Kryeministër, Fatos Nano President, Shqipëria Piramidë
Partia socialiste ka hartuar emrat e atyre që do të jenë në krye të qeverisë dhe shtetit socialist, nëse këta të fundit do arrijnë të qëndrojnë në pushtet. Sipas burimeve të rezervuara brenda selisë së kuqe, rezulton se deri tashti janë hartuar më shumë se dy lista, me emra kandidatësh për ministra, ku detyrimisht edhe kandidatët për kryeministër do të jenë më shumë se dy. Ndërsa për postin e presidentit mendohet të jetë i vetëm Nano i Parë. Për postin e kryeministrit synojnë Edi Rama, themeluesi i piramidave shqiptare Arben Malaj, sekretarja e rinisë Monika Kryemadhi dhe burri i saj Ilir Meta. Megjithatë, rrjedha e zhvillimeve brenda partisë socialiste, ka treguar se vazhdimisht aty ka patur klane që në shumë raste kanë qenë prita të forta për njëri – tjetrin.
Fatos Nano, Pandeli Majko dhe Ilir Meta kanë kryesuar klanet me nga një mori emrash pas, gjë që ka bërë edhe vetë socialistët të shohin njëri – tjetrin si kundërshtarë. Për sa i përket kryeministrit aktual, ata nëse arrijnë të vjedhin votat, ai është shumë i vendosur të qëndrojë në krye të qeverisë së re ose në fund të fundit, vendin t’ia lëshojë gruas, Monika Kryemadhit.
Kurse Fatos Nano, realisht karta më e fortë brenda PS – së dhe mjaft e përbuzur nga Perëndimi, është i detyruar të bëjë përzgjedhjen e vështirë, për t’i paraprirë kështu fazës përfundimtare të planit afatgjatë për të shkatërruar përfundimisht interesat e shqiptarëve dhe kombit të tyre. Natyrisht, sikur Nano të provojë njëherë edhe postin e Presidentit, i duhet përkrah një njeri besnik dhe që ka dhënë prova në këtë drejtim. Dhe ky është Arben Malaj. Megjithëse Malaj është një figurë e konsumuar politikisht në tre momente të rëndësishme, ai do të ngelet i përzgjedhuri i Nanos për kryeministër. Malaj ka realizuar me sukses konsumimin e tij politik në tre ngjarje:
1- Tashmë edhe opinioni e ka të qartë se Arben Malaj është një ndër zjarrvënësit e institucioneve të Vlorës, so bashki, bankë etj., në 1997 – ën.
2- Po kështu, ai njihet si themelues dhe këshilltar mjaft profesionist i piramidave në Shqipëri, nga të cilat ai ka përfituar shuma marramendëse që sot i gjen në bankën e Zvicrës dhe vetëm nga kompania “Cenaj” ka vjedhur fiks 720 000 dollarë amerikanë.
3- Në këtë kuadër, në cilësinë e ministrit të financave, ai kurrsesi nuk mund të bënte transparencën e fajdeve.
Në mënyrë përmbledhëse, Arben Malaj, apo i preferuari i Nanos për kryeministër, i një qeverie ende fantazëm, është personazhi kryesor në dramën e shqiptarëve 1997 – 2001. Dhe mesa duket është pikërisht ky fakt tragjik që e ka shtyrë Nanon të luftojë për postin e Presidentit dhe të tentojë të sjellë Malajn në postin e kryeministrit.
Nga Bukurie Hysenukaj
Kudo policë, makina sirena…
Nga Albert Vataj
Në këto ditë të tensionuara të pragzgjedhjeve, kudo syri të rrokë pocë dhe vetëm policë. Kudo syri të rrok makina, dhe vetëm sirena alarmi të makinave të policisë.
As edhe një herë shteti në Shqipëri nuk ka qenë më i sertë, më i harbuar, më i pacipë dhe më tmerrndjedhës. Kjo, kur pas mizërisë së policëve, ne mund të shohim vetë shtetin, i cili po vete në zgjedhjet parlamentare të 24 Qershorit me shpirt nëpër dhëmbë e hajdutëri e mashtrime nëpër këmbë. Jo vetëm pranë institucioneve shtetërore, por ngado nëpër Shqipëri, ajo që të bie në sy është ngjyra blu e uniformave të policisë. Tirana duket se i ngjet më shumë një qyteti në shtetrrethim. Po kur ngjan kështu Tirana, ç’bëhet me Shkodrën, martiren e demokracisë shqiptare, ç’bëhet me Kavajën, Vlorën, Korçën, Tropojën… ?!
Ngado në Shqipëri, përjetimi i një dite nis dhe mbaron me rriskun e frikës. Kudo dhe në çdo kohë shteti i bandave shprehet. Nëse deri dje rreziku i rikthimit të diktaturës së kuqe komuniste lexohej vetëm në organet e shtypit opozitar, sot atë e sheh edhe i verbri, sakati, fëmija, plaku. Realiteti që shfaqet para syve tanë është ai që ndoshta kurrë nuk e kemi parë, dhe nuk do ta besonim nëse nuk do të ishim vetë protagonistë të asaj që pa frikë mund ta pagëzojmë me “shteti i juntës policore”.
Nëse ne pas policëve me skafandra kërkojmë të shohim shtetin, domosdo që ai nuk do të na paraqitet, ai, shteti, të cilin ne e njohim, të cilin të tjerët janë munduar të na e paraqesin sekush në mënyrën e vet. Caku në të cilin janë degdisur zhvillimet për të shkuar tek ky shtet policor, është finishi i shtetit të ligjit, shtetit të tolerancës, shtetit të arsyes. E tërë kjo maskaradë e turpshme e një shteti që pretendon jo vetëm se përfaqëson demokracinë, por edhe një mandat tjetër, është veçse një falsitet. Shqiptarët duhet të kuptojnë tashmë se përtej shtetit të dhunës nuk është shteti demokratik, por pushteti diktatorial. Këtë e shprehin policët me skafandra, makinat, sirenat e policisë, gjithçka që shquhet përtej këtyre komponentëve.
Shteti mbi dhunë nuk mund të jetë shtet se ashtu e kishim për 50 vjet. Ai është kazan që zien, ushtri që lufton. Pas këtij shteti fshihen banditë, kryebanditë, policë, kryepolicë, kriminelë, kryekriminelë, hajdutë, kryehajdutë. Ky shtet diktatorial që e çoi Shqipërinë në katërshen më të varfër të Botës, nuk është në gjendje të çelë asnjë perspektivë për nesër. Ky shtet është episod i një tragjedie që pasohet si testamenti i krimit. Popull, mohoje këtë të ashtuquajtur shtet me 24 Qershor, se vetëm atëhere mund të futesh drejt zhvillimeve, se vetëm atëhere ke kuptuar se çfarë po ngjet rreth teje.
Ne jemi të marrët e shekullit
Ngjarjet nuk ndryshuan qëllimin skëterrë. E njerëzit s’po dinë të ambjentohen me gjërat. Magjikja ose e mrekullueshmja mungon në zërat tanë… Pse asnjeri nuk do që ta kuptojë, ta pranojë që neve na mungon guximi i dashurive të “marra” për të përballuar (sfiduar) natën idiote, e pse, sepse…, sepse ne jemi të marrët e shekullit, ku nata është zonja jonë. Zgjoni njerëzit, i zgjoni nga gjumi i harresës së gjithçkaje dhe kërkoni diçka të bukur. Ej, unë dua të shikoj, të dëgjoj, të bëj dashuri me ditën, me ty dhe me të tjerët. E marrë…? Jo, jetësore!
Ju lutem, xhvishuni!
Njerëz qyteti. Jo qytetarë
Dikur ishte një qytet as i vogël e as i madh, as në tokë e as në qiell. Aty banonin shumë njerëz. E keqja më e madhe e këtij qyteti ishte se njerëzve u vinte era e këmbëve…
Duhej të mbyllje hundët kur shkoje atje, ose të mos shkoje… E ç’prisje prej njerëzve që nuk ishin të zotët të lanin këmbët e veta? E lanë të zhytur në qelbësirën e tij për vite me radhë. Ky ishte mallkimi i tyre. Kur u kujtuan, u afruan të shihnin se çfarë bënin pisat (Nuk përmendëm gjë deputetë, ministra, diplomatë, shtetarë, apo jo?). hundët nuk i mbyllën më, por në fytyrë vunë maska, ata që shkuan ecnin duke shkapërcyer hap pas hapi, njerëzit e atij qyetit i kishte mbytur era e këmbëve dhe nuk kishin ndërmend të ngriheshin.
Kjo kishte ndodhur në qytetin as të madh e as të vogël, as në qiell e as në tokë, i cili kishte shumë njerëz të dekompozuar.
Triumf…
Qesh me ditët gjak, mallkoj viktimat, pështyj invalidët. Kështu ndërtova jetën e varrosur mbi tokë. Fëmijë nuk kam situr të jem, të tjerët qeshnin me poshtërtinë e tyre dhe më flijonin si aktori recitues. Dashuritë e saponjohura i shqyeja me dhëmbë të mësuar tashmë me gjak, ua lëpija b… sa e sa burrave që qelbeshin nga homoseksualizmi.
Kur nuk mund të lëvizja më, pasi neveria e dëshiruar më kishte paralizuar këmbët e trurin, ulërija nëpër shtëpi, imitoja koleksione kafshësh që kisha përreth. Vizatova Kryevepra me m… tim dhe të gjarpërinjve, detyrova merimangat të bllokonin ajrin me rrjeta, e urrejta frymëmarrjen e lehtë prej njeriu. Pastaj i thirra të gjitha ligësitë, i futa në vrimat e murit më të mira dhe plasa nga kënaqësia që krijova botën time.
Gilmana Bushati
Pse ka frikë nga jeta bukuroshja?
Ka kohë që Shkodra më ngjet me një bukuroshe të fjetur, që ka frikë të zgjohet në këtë realitet të shëmtuar!…
Dhe unë kam kaq kohë që rri pranë saj i heshtur dhe i kërrusur si statuja e “Mendimtarit” duke kafshuar grushtin, nga që nuk dua të godas në portën e saj prej tunxhi, dhe kam besuar se ndofta është më mirë të flejë se sa të zgjohet e llahtarisur. Ju e kuptoni këtu nuk është fjala për një gjumë Letargjik, por për një amulli shoqërore që ka ardhur si rezultat i zhgënjimeve të mëdha.
Këtu është fjala për ditë rutinë, për muajt, për një dekadë që kaloi pa asnjë eveniment të rëndësishëm në drejtim të progresit.
Shkodra e pagoi shtrenjtë Prometeizmin e saj. Shkodra ishte vërtetë një “Qytet Promethe” që i fali popullit shqiptar zjarrin e lirisë!
Ishte i vetmi qytet me dimensione dhe ngjarje Homerike. Ishin banorët e saj që guxuan të parët të thyenin prangat, të rrëzonin statujat e “Perëndive” dhe simbolet e tyre.
Natyrisht dikush do të sakrifikohej, në Pantheonin e Perëndive të kuq, nuk kishte qetësi, Prometheu duhet të dënohet! Dhe popullit të tij të të dënohet me një mijë e një të zezat, dhe hakmarrja të mos ketë kufi. Dhe ndodhi vërtetë, ashtu siç i kishte ndodhur Prometeut dhe për këtë ka një Legjendë: Zeusi me një herë urdhëroi Hefestin që të krijonte një grua e cila me bukurinë e saj të çonte mjerimin në tokë ku jetonin njerëzit e Prometeut. Pasi u krijua kjo grua e bukur: Atena i fali mençurinë, Hermesi i fali gojtarinë, Apolloni i dhuroi talentin për muzikë.
Nga të gjitha këto dhunti u formua dhe emri i saj: Pandora. Hermesi e dërgoi si dhuratë tek Epimeteu, (vëllau i prometeut) ai me gjithë porositë e të vëllait që të mos pranonte asnjë dhuratë nga Zeusi, u thye nga magjia e bukurisë të kësaj gruaje, dhe u martua me të ndërsa Prometheu vuante dënimin atje në Skythi, në malet e Kaukazit.
Në shtëpinë e Epimeteut, ishte një arkë e mbyllur, të cilën ajo, për asnjë arsye nuk duhet ta hapte. Por pandora u bë shumë kurioze dhe e hapi, përnjëherësh nga kjo arkë dolën të gjitha të këqijat e mjerimet, sëmundjet, uria, luftrat, me të gjitha pasojat katastrofike dhe pushtuan njerzimin në të gjithë botën. I tmerruar nga kjo, Epimeteu e mbylli kutinë, por ishte tepër vonë.
Në kuti kishte mbetur vetëm shpresa!
Kështu e pësoi dhe Shkodra ky “Qytet Promethe” por le të shpresojmë dhe të mos gënjehemi nga premtimet, që na servirin si gra të bukura, marramendëse, gra që kërkojnë të na venë në gjumë duke na treguar përrallën e “Lugës së florinjtë” nëpër sheshet dhe podiumet e fushatës elektorale. Tani erdhi koha të zgjohesh bukuroshja ime e fjetur. Dhe jam i sigurtë se do të dijsh të zbresësh shkallët e tragjedisë duke flakur nga supet tonikën e përgjakur të Eskilit!
Fejzi Gushta
Pse iku nga Shqipëria Agim Hysi
Pavarësisht se në Shqipëri flitet për një divorc me diktaturën tash 10 vjet, qytetarët shqiptarë e veçanërisht demokratët janë viktima të dhunës me prapavijë politike. Dëshmi e gjallë e hakmarrjes komuniste është edhe demokrati Agim Hysi. Ai është përfshirë në lëvizjen demokratike dhe është anëtarësuar në këtë parti që nga krijimi i saj. Për bindje, për veprimtari antikomuniste, ku në tërë protestat paqësore, në tërë demonstratat ka qenë krah i liderve demokratë dhe është dhunuar disa herë nga forca të errëta të segmenteve të policisë së këtij shteti bandit, ku vetëm tash katër vjet janë vrarë mbi katër mijë shqiptarë të pafajshëm. Agim Hysi ka provuar shqelma, kërcënime, ka provuar presione për t’i ndrydhur shpirtin demokrat dhe ndjenjën e lirisë. Dhe socialistët, bijtë e etërve komunistë kanë bërë aq masakra mbi demokratët në Shqipëri sa këtë vend në zemër të Evropës e kanë renditur në krye të shteteve me kriminalitet, varfëri, korrupsion që është një shqetësim evident për tërë Perëdnimin dhe botën e qytetëruar.
Vrasjet kryhen në mes të ditës. Ja kështu ndodhi pak ditë më parë në qendër të qytetit të Shkodrës, ku polici jo vetëm nuk ndërhyri, por iku me vrap duke lënë në mes të rrugës tre të plagosur dhe kriminelët të ikin në drejtim të paditur. Pra, demokratëve nuk po u hapen hapësira për të paraqitur alternativat dimensionale, por po u tregohet burgu, shkopi i gomës, dhunimi, madje edhe djegia e banesave. Në këtë kuadër, demokratit Agim Hysi, rreth orës 23 të datës 06. 12. 2000, në lagjen “Ahmet Haxhija” rruga “Mujo Ulqinaku”, Nr. 1202 iu hodh në erë shtëpia nga një sasi eksplozivi. Shtëpia e vjetër, një katëshe ka rënë përdhe dhe vetëm falë shansit nuk ka patur viktima. E sollëm këtë shembull, pasi megjithëse kanë kaluar tërë këto kohë, jo vetëm që nuk janë zbuluar autorët, por komunistët nga dita në ditë po shtojnë kurbën e krimeve dhe hakmarrjeve. Po në këtë kuadër, demokrati Agim Hysi, është detyruar ta braktisë Shqipërinë. Dhe Shqipërinë po e braktisin shumë demokratë. Ata që vriten, vriten. Ata që shpëtojnë kokën largohen.
E pra, në këtë 24 qershor ku populli shqiptar do të votojë për deputetët e parlamentit të ri, është mirë të votojë jo për dhunën e diktaturën, por për të ardhmen, progresin, për të drejtat e liritë njerëzore.
Denada Kraja
Mjafton që Tirana të mos hapë sherre me Kosovën
Skënder BLAKAJ
Në ditën kur shqiptarët e Kosovës po pritnin me ethe se çka do të njoftonte Grupi i punës për Kushtetutën, a si do të quheshin ato nene ligjore, që priteshin si parakusht për zgjedhjet qendrore e për zgjidhje të reja drejt pava-rësimit më të shpejtë të Kosovës, në Tiranë eksplodoi kërkesa publike e një ministri për bash-kimin e Kosovës me Shqipërinë. Thuaja të gjithë e kishin të qartë se kjo minë politike ishte kurdisur të plaste në duart e kosovarëve. Pavarësisht se ishte bërë nga protagonistë të shquar të zhba-shkimit, ata, të cilëve ky argu-ment u duhet kundër Kosovës, mund ta nxirnin rishtas në shesh gogolin e Shqipërisë së Madhe. Megjithatë, le të pyesim, -cila është dhe ku, në projektet e në kokat e kujt është Shqipëria e Madhe! Territori i sotëm i shqi-pëtarëve, kudo që janë, është rrjedhojë e tkurrjeve dhe e rrudhjeve të vazhdueshme e jo e shtrirjeve. Ata që i bëjnë ushtimë kësaj, si teneqja në bishtin e qenit, janë së pari fqinjët që kanë rrë-mbyer tokat shqiptare, si hajdutët që thërrasin kapeni hajnin.
Dihet që në Ballkan në dëm tonin u formuan shtete më të mëdha se etnike. Në marsin e 1913 – ës, kur u mbyll Konferenca e Ambasadorëve në Londër, dhe kur, me pak gëzim e shumë fatkeqësi për ne, u krijua Shqi-përia e vogël, nga më se 90 mijë km katrorë të trojeve që llo-gariteshin shqiptare, asaj iu lanë vetëm 28 mijë km katrorë. Në kohën e Lidhjes së Prizrenit kjo hapësirë ishte fort më e madhe, po askush nga shqiptarët nuk kërkon të kthehet ku ishin të parët e dëbuar dhunshëm, pos të jenë aty ku janë. Por jo sa e si duan shtetet fqinje që i kanë futur në kthetrat e veta, po zotër të vetvetes. Ç’është e vërteta, shqiptarët e dinë cila është, sa ëshët, ku është e pse është Shqipëria e vogël, po asnjë ide nuk e kanë se ç’është Shqipëria e Madhe. Të partë e tyre e kishin gati krejt Gadishullin e këndej-shëm dhe gjysmën e atij Apenin, po marrëzi të tilla nuk bluajnë në kokë. Me këtë gogol, të tjerët duan t’i trembin shqiptarët që të mos heqin dorë nga skllavëria e vet “e lumtur”. Ata që i shohin këto shpërputhje me parimet civilizuese, është e habitshme se si donë t’ua mbyllin gojën shqi-ptarëve me etiketa të zeza edhe kur këlthasin nën tanket e ushtrive dhunuese.
Thuhet që Amerika e shpëtoi Shqipërinë e vogël në Versajën e fillimshekullit, kurse po ajo e NATO i shpëtuan shqiptarët në këtë fundshekull. Mirënjohja më fatlume do t’ishte mëkëmbja jonë e shpejtë, sidoqoftë, shqiptarët kudo që janë, ruajtën respektin e dashurinë për Shqipërinë, pos tjerash, se ajo mbeti pjesa që ruajti emrin e shenjtë atdheut.
Megjithëse atdheu a mëmëdheu nuk është vetëm ajo pjesë. Çdo gjë e përbashkët, nga plisi, dheu e deti, nga gjuha e shkrimi, nga abetarja e teksti shkollor janë ato që e përbëjnë atë përpjekjen e domosdoshme që ajo e vogla të duket se po rritet. Por kurrë nuk mund të bëhet ajo e Madhja që i frikësohen qëllimkëqinjtë. Sepse edhe në mes vetë Shqipërisë së vogël dhe asaj normale është krijuar humnerë aq e thellë, sa që na duhet mjeshtëri jona e jashtëzakonshme dhe ndihmë e posaçme e miqve që të mos fun-dosemi në të, po ta mbushim e ta kalojmë me kreativitet e përgje-gjësi. Ky është borxh i kësaj gjenerate. H.Koli e paraprijësit, me gjithë atë ngarkesë historike që i rëndonte gjermanët, po ta kishin shtetin të shkallmuar, mos do të bënin gjë për lindorët e vet?! Në mos më shumë, ministrat e Tiranës që deklarojnë bashkim, le t’i heqin bandat nga rrugët që lidhin pikat e atdheut.
Fqinjët që copëtuan e rrëm-byen troje shqiptre, me kriteret që përfill e drejta ndërkombëtare, jo Shqipëria e Madhe, po le t’ia për-kujtojnë vetvetes ku duhej të ishte a ku do të ishte Shqipëria nor-male. Një pjesë e opinionit dhe e instancave ndërkombëtare ledha-tojnë serbët që tmerruan botën me Srebrenicën e që shqiptarët për së gjalli i prenë me edhe sharra motorike, kurse shqiptarët i nxin e i fajëson me cilësime të rënda, pse shtrojnë kërkesa për të drejtat e veta më elementare, nga mos-durimi i dhunës e jo nga trani-llëku, as pse janë lazdruar nga përkrahja e jashtme eventuale. Anise ndonjëherë nuk janë aq të zëshme e të dukshme sa kemi dëshirë, normalisht që ka edhe qasje së duken të favorshme për ne. Pikat e krizave dhe kërkesat që u shtrohen palëve janë argu-ment për këtë dhe për shansin që, brenda strategjive afatgjata, mund t’i jepet kësaj zone për jetë më normale.
Drejtori i Institutit Amerikan për Studime Strategjike Ndërkom-bëtare, Janush Bugajski, këto ditë në një takim të rëndësishëm në Tiranë, tha:
“Ka tri lloje lëvizjesh jashtë Shqipërisë, të cilat kurrsesi nuk mund të quhen irredentiste. Këto janë Lëvizja për Pavarësi të Ko-sovës, tendenca për autonomi në Maqedoni dhe një lloj tendence për ringjallje në Mal të Zi… Objektivi i shqiptarëve dihet të jetë një Shqipëri më e mirë dhe jo Shqipëria e Madhe”.
Cila dhe çfarë është Shqipëri e mirë, së bashku me miqtë, duhet t’ia qëllojnë shqiptarët, gjegjë-sisht prijësit e tyre.
Xhavit REXHAJ
Vërejtje paraprake
Komunikimi në mes të ndër-kombëtarëve dhe kosovarëve vuan jo vetëm nga moskuptimet kulturore e nga mungesa e dyanshme e infor-matave mbi palën tjetër, por edhe për shkak të zanatit shumë fitimprurës e në të njëjtën kohë edhe deficitar të përkthyesit. Tekstet e gjora e doku-mentet e ndryshme, të cilat zakonisht janë në gjuhën angleze, shkruhen shpesh edhe nga ndërkombëtarë, të cilët anglishten nuk e kanë gjuhën amtare e rrjedhimisht ato njëherë janë të përkthyera nga gjuha amtare në anglishte qysh në kokën e autorit e, pas kësaj, ato të mjera duhet të kalojnë edhe nëpër filtrin e përkthi-mit në gjuhën shqipe. Mirëpo, kjo nuk është as fundi i tregimit e as e keqja më e madhe: problemi rritet për shkak të informimit e përvojës tonë fare të pakët të mirëfilltë për botën moderne. Ne ende manipulojmë me kategori e nocione të vjetra mbi je-tën, shkencën, shoqërinë, teknolo-gjinë e raportet ndërnjerëzore. Shpesh nuk bën të fajësohet përkthyesi për improvizimet e tij apo të saj: ata në punët e veta shpesh e pasqyrojnë edhe raportin ndërmjet shoqërisë e shkencës sonë me simotrat e veta evropiane e më gjerë.
Si duket, nëpër të njëjtat krajata kanë kaluar edhe përkthyesi po edhe teksti i përkthyer shqip i zotit Danxer mbi politikën arsimore në Kosovë në vitin 2001.
Megjithatë në këtë shkrim nuk do të flasim për temën shumë aktuale të komunikimit të cunguar në vijën kosovarë – ndërkombëtarë, e as për reformën e të gjitha niveleve të arsimit, por do të përqendrohemi në ato aspekte të dokumentit, që kanë të bëjnë me reformën e arsimit të lartë. Më poshtë do t’i tregojmë të metat, po edhe anët e mira të këtij dokumenti, i pari i këtij lloji qysh se z.Danxer erdhi në postet kyçe të arsimit kosovar në fillim të vitit të kaluar.
Përkrahja apo kritika e reformës të ngjashme me betejën e Don Kishotit
Ky dokument është shumë i rën-dësishëm për shumë arsye: një, se para këtij kishte shumë pak doku-mente me shkrim nga z. Daksner mbi politikën arsimore në Kosovë, kështu që përkrahja apo kritika e reformës i ngjante kundërshtimit apo përkrahjes të mullinjve të Don Kishotit; dy, sepse në këtë dokument, për herë të parë, vijëzohen, relativisht qartë, kahet kryesore e synimet e reformës në arsim nga pikëvështrimi i Daks-nerit, dhe së fundi, sepse ky doku-ment tregon për vazhdimin, në këtë fazë përmes përligjjes, e tendencës për margjinalizimin e faktorit vendor në procesin e reformimit të sistemit arsimor.
Kjo e fundit shihet qartë që në fillim të dokumentit kur thuhet se Bashkëkryesuesi kosovar ‘pajtohet në parim’ me këtë dokument. Nëse është kështu, atëhere lind pyetja, si bën që njeriu në të njëjtën kohë të ‘pajtohet në parim’ me pragrafet e politikës arsimore për këtë vit, ashtu siç janë të parashtruara në këtë dokument dhe prapë të vazhdojë të kuajë rolin e ministrit në DASH. Pa qëllim të personalizimit të kësaj situ-ate, mendojmë se analiza e mëtejme do ta vërtetojë se ky dokument e bën defaktorizimin e subjektit politik shqiptar në lëmin e arsimit dhe margjinalizimin e mësimdhënësve nga procesi i reformave.
I gjithë dokumenti dhe politika arsimore gjatë vitit 2001 sipas z. Daksner janë të preokupuara me:
1. sigurimin e vazhdimësisë dhe qëndrueshmërisë së reformave sipas konceptit të tashëm
2. sigurimin e prerogativave vandim-marrëse për ndërkombëtarët edhe pas konstituimit të parlamentit kosovar përmes përligjjes para-prake të agjensive udhëheqëse dhe luftimit të burokratizimit të refor-mës dhe të sistemit arsimor
3. sigurimin e zbatimit të Deklaratës së Bolonjës si ‘model’ bazë për reformën AL në Kosovë
4. Mbrojtjen e të drejtave në lëmin e arsimit të pakicave kombëtare
5. Sigurimin e një lirie të tillë aka-demike, e cila nuk do të lejonte përzierjen e politikës në arsim dhe kjo vetëm në funksion të defak-torizimit të subjektit politik shqip-tar në lëmin e arsimit, e jo si një liri e mirëfilltë akademike.
Fakulteti Juridik i reformuar dhe Fakulteti Ekonomik i pareformuar.
Këtë strategji dhe politikë arsi-more mund ta lexojmë si një orvatje për të siguruar vazhdimin e politikës së deritashme në bazë të disa pragrafëve të paraqitura aty. Është krejtësisht normale që z.Daksner do të donte që reforma e tij të vazhdonte ashtu siç e ka trasuar ai, por nuk mund ta kuptojmë si bën që të kërkohet vazhdimësi edhe për kohën pas tij. Kush do ta bëjë këtë. Me siguri se këtë nuk do të jenë në gjendje ta bëjnë zyrtarët e lartë të zgjedhur nga ai në zgjedhjet e fundit në Universitet. Edhe sikur të donin ta bënin një gjë të tillë, ata nuk kanë qenë të kyçur as në fazën e deritashme; këta, pos dëshirës për t’i përkrahur reformat, nuk i kanë as energjitë e as informatat e duhura si për reformën në UP, ashtu edhe për sistemet evropiane të arsimit të lartë. Në anën tjetër, në se synohet të arrihet vazhdimësia përmes agjen-sive udhëheqëse, atëhere lind pyetja, me kend do të punojnë këto agjensi? Do të sjellin arsimtarë të huaj? Ndoshta, por ai institucion më nuk do të jetë UP – ja. Mbase mund të shkohet në reformimin ose theme-limin e segmenteve të reja të caktuara në kuadër të UP-së. Njëra nga pasojat e një qasjeje të tillë do të ishte ndarja e UP-së në pjesën e reformuar e të re dhe në pjesën e vjetër, konservative. Konturat e një situate të tillë mund të shihen tashti në relacionin Fakulteti Juridik (i reformuar) dhe Fakulteti ekonomik (që nuk ka lëvizur ende nga vendi); në kuadër të Filozofikut (degët e reja të shkencave përballë degës së historisë së paprekur), po edhe në vijën Fakul-tet Filozofik i reformuar pjesërisht me filologjikun e ‘vjetër’. Mendojmë se alternativë më e mirë për sigurimin e vazhdimë-sisë së reformave do të ishte kyçja sa më aktive e mësimdhënësve dhe e ‘buro-kratëve’ kosovarë në këtë reformë. Dhe, kjo kyçje të ishte jo vetëm angazhim i tyre në imple-mentimin e dokumenteve e reformave të gatshme, të sjella nga jashtë, por edhe duke kërkuar kontributin e tyre në fazën e planifikimit. Në kët kuptim është i rëndësishëm edhe veprimi më aktiv dhe imponimi përmes anga-zhimit të vetë palës kosovare. Një qasje e tillë mund të hasë në refuzim, siç ishte rasti me komisionin për reformat, por, megjithatë, kjo nismë, dhe të tjera të ngjashme, gjithsesi do të kenë ndikim në rrjedhën e procesit të reformave, duke e bërë atë më të pasur e më të kuptimshme.
Sigurimi i zbatimit të Deklaratës së Bolonjës si ‘modes’ bazë për reformë
Është për t’u çuditur se si bën që njeriu që haptas e me të drejtë e mbron Deklaratën e Bolonjës dhe i cili me siguri e njeh shumë mirë të gjithë procesin e krijimit të hapësirës së përbashkët evropiane për arsim të lartë, ta servojë atë si model të gat-shëm, që duhet zbatuar pa bërë pyetje. Bolonja është një proces (shumë i mbarë) që sapo ka filluar, i cili mund të marrë trajtë krejtësisht tjetër pas një kohe. Një rast i mirë për zhvillimin e mëtejmë të këtij procesi është edhe Konferenca e Pragës, vazhdim i Bolonjës, që pritet të mbahet këtë vit në Pragë. Procesi i nisur në Bolonjë duhet përkrahur pa hamendje, por ai kurrsesi nuk bën të merret si diçka e gatshme, për arsyen e vetme se ai nuk është e tillë. Edhe vetë Deklarata e Bolonjës është një dokument, pra edhe kompromis gjuhësor, politik i ministrave dhe përfaqësuesve të tjerë të 29 vendeve. Do të ishte mrekulli sikur të gjitha këto vende të kuptonin të njëjtën gjë nga ky dokument. Aty parashihet që ky proces t’i marrë konturat e veta më të qarta dhe të miratohet nga par-lamentet e qeveritë evropiane deri në vitin 2010. Do të ishte shumë mirë që Kosova të printe në këtë proces, mirëpo, është poashtu e rëndësishme që kosovarët të dinë se çfarë po përkrahin e zbatojnë e pse jo edhe të kontribojnë edhe vetë në këtë proces evropian. Mendojmë se nuk është bërë sa duhet për informimin e opinionit publik dhe të komunitetit akademik lidhur me këtë Deklaratë.
Ta marrim për shembull formulën 3-2-3 që shihet me rezerva nga një pjesë e madhe e stafit të UP – së. Në Deklaratë askund nuk thuhet se studimet universitare duhet të jenë vetëm 3-2-3. Përkundrazi, aty thuhet se studimet prë shkallën Beçëllër duhet të zgjasin “së paku” tre vjet. E lidhur ngushtë me këtë, në Dek-laratën e Bolonjës kërkohet me ngulm nga institucionet e arsimit të lartë që të japin kontributin e vet lidhur me atë se çfarë arsimi të lartë duan. Ndërkaq, këtu në Kosovë, përmes dokumentit tonë thuhet se të ‘zgjedhurit’ (në rend të parë ndër-kombëtarët dhe ata që vetëm mira-tojnë) do të jenë në gjendje ta zba-tojnë një model evropian, i cili ende nuk i ka marrë konturat e veta përfundimtare e as është miratuar nga vetë vendet nënshkruese të Dekla-ratës. Kur jemi te Deklarata e Bolonjës dhe te fromula 3+2+3, duhet theksuar se moskuptimi më i madh rrjedh edhe nga mosinformimi ynë për proceset mësimore (tashmë jo edhe aq moder-ne) në botën e përparuar. Derisa Bolonja synon dinamizimin e stu-dimeve të larta në Evropë përmes formulës 3+2+3 për arsye se stu-dimet e gjata pos që zgjaten vetvetiu edhe më, nuk janë as atraktive dhe e rëndojnë buxhetin publik e familjar. Kjo poashtu bëhet edhe për t’iu përshtatur kohës së re që rrjedh shumë më shpejt dhe konkurrencës shumë agresive nga universitetet amerikane. Lidhur me këtë te ne dëgjohen mendime që thonë se është e pamundur të mbarohen studimet për tre vjet ( në të vërtetë nuk janë tre po pesë), sepse koha e re dhe teknologjia kanë shtuar vëllimin e informatave që duhen përcjellë tek studentët. Me të thënë këtë, ne pranojmë se nuk i njohim rrjedhat tashmë jo edhe aq moderne në komunitetet akademike të vendeve të zhvilluara. Qëllimi i studimeve nuk është përcjellja e memorizimi i sasisë gjithnjë më voluminoze të infor-matave e të dijes në disiplina të caktuara, por dhënia e shkathtësive për lexim e të menduar kritik, për hulumtim e studim të dukurive të ndryshme, për krahasimin e rezul-tateve të hulumtimeve si dhe për prezantimin e atyre rezultateve dhe të konkluzioneve të arritura. Sikur të insistonim në përcjelljen e infor-matave e të dijes, për shembull, nuk do të na mjaftonin as 3 as 5 e as 7 vjet as për t’i lexuar vetëm pjesë të të dhënave që ofron sot interneti për shembull për shembull për roman-tizmin si vetëm një nga periudhat e zhvillimit të letërsisë angleze ose për lëndën e fiziologjisë në mjekësi.
Prandaj mendojmë se duhet kyçur aktivisht në procesin e Bolonjës, për t’u bërë pjesë e një debati të madh, i cili sapo ka filluar në Evropë, për krijimin e një hapësire të përbashkët evropiane të arsimit të lartë. Pas kaq vitesh në izolim, Bolonja është një rast unik që na ofrohet për t’u integruar në këto rrjedha.
Nano, Mejdani dhe Milo janë shqiptarë apo grekë?!
Gazta “Shqipëria Etnike” duke patur sinqerisht qëllimin e mirë për të mbrojtur interesat kombëtare, të këtij kombi ndër më të lashtët dhe historindriturit, këtij kombi që mbajti kaq gjatë mbi shpinë Gurin e Sizifit, herë tjetër do i trajtojë më me kompetencë problemet e Çamërisë, pasi janë mirëpritur studiues të kësaj fushe. Por si prolog, padrejtësitë historike vërejmë që nuk po tentohet të ndreqen sadopak nga politikanët tanë. Sot vetëm në Tiranë ka mbi 200 firma e institucione greke. Bankat dhe shumica e tregut kontrollohet nga Greqia. Tenderat me peshë po i fitoj-në “Biznesmenët” grekë. Grekërit, ata që bënë shumë masakra mbi shqiptarët, ata që vranë e prenë, që therën nëna shtatzëna e zhdukën edhe fshatra të tëra, grekërit që ende nuk kanë hequr ligjin e luftës me Shqi-përinë, na duket se ende po luajnë me fatet e shqiptarëve.
Fatos Nano, Rexhep Mejdani dhe ministri i jashtëm grek për Shqi-përinë Paskal Milo, të lëmuar nga dhrahmija dhe interesa të tjera si droga, kontrabanda, korrupsioni etj., kur i bien fyellit në këtë vrimë që i kanë rënë tash katër vjet, të ngjajnë si “Valixhe” e diplomacisë Helene, valixhe e cila është mirë të çelet pas votimeve të 24 Qershorit. Si djallin ata janë shumë larg qëndrimeve të thuajse para një shekulli. Ja, mesazhi që shqiptarët e Bostonit më 17 Nëntor 1912 i drejtonin:
Shenjtërisë së tij, Papës së Vatikanit, Romë
At i Shenjtë! Shqiptarët e Ame-rikës, që u përkasin besimeve të ndryshme, mbajtën në Boston një Kuvend ku u vendos t’ju lutemi Shenjtërisë Suaj si autoriteti më i lartë në Botë, që të përdorni influ-encën Tuaj për të parandaluar pla-çkitjen dhe copëtimin e Shqipërisë. Një vend si ky yni i ka dhënë kishës: Shën Xheromin, Papa Klementin e XI (nga Kelmendi) si dhe Kampionin e Famshëm të Krishtërimit Gjergj Kastrioti Skënderbegun.
Serbët dhe grekët, të cilët tani duan të ndajnë Shqipërinë, janë pinjollët e atyre që e detyruan pjesën më të madhe të popullit shqiptar të braktisë Kishën e Shenjtë të Romës. Nisur nga bekimi Juaj për Shqipë-rinë, ne thërrasim: Rroftë Shenjtëria Juaj!
Shqiptarët e Bostonit.
17 Nëntor 1912.
Shokë komunistë të këtij shteti komunist, sa për kalim radhe edhe Abdi Baletë Bajlozit, ja edhe një zë që përpiqej ta nxjerrë Shqipërinë nga trysnia greke. Faktet janë paksi kokfortë apo jo?
Zotit Eduard Grej, President i Konferencës së Ambasadorëve të Londrës.
Ne, përfaqësuesit nënshkrues të kolonisë së shqiptarëve në Bullgari protestojmë shumë rreptësisht kun-dër takimeve të mbajtura në Shqi-përinë e Jugut në të cilat është de-tyruar që një pjesë e Shqipërisë të mbetet nën kontrollin grek. Mitingu i përmendur është bërë nën presionin e autoriteteve greke dhe nuk shpreh vullnetin e popullatës shqiptare. Dëshira e popullit tonë është që tërë Vilajeti i Janinës të përfshihet në Shqipërinë e ardhshme, gjë e cila, nëse nuk pranohet, Paqja në Ballkan nuk do të jetë e sigurtë.
Th.Sotiri, D.Molla, Ibrahim Leskoviku, Ath.Nikolla, Kristo Luarasi, Pando Devolli, H.Prosi, Jani Gjirokastra, Veli Kolonja, Jani Korça
23 Prill 1913.
Ja pra, shqetësimi i atdhetarëve shqiptarë me përmasa që atëhere ishte presioni dhe padrejtësitë e Greqisë mbi shqiptarët. Sot, shteti aktual është “krenar” se “usta” Nano bën pazare në dëm të shqiptarëve në Krans Montana me ish presidentin Jugosllav, sot kriminel i kërkuar me aq ngulm nga Karla Del Ponte, se shtron tryeza të fshehta me Koshtunicën po në tokën Helene, se përmes mendjes greke krijon vatra të nxehta tek shqiptarët e Maqedonisë dhe laton të tjera prapësira për trazira në Ballkan, gjithnjë në dëm të shqiptarëve.
SOKOL PEPUSHAJ
Rrezikohet stabiliteti i Maqedonisë
Përderisa nga maqedonasit zyrtarë dhe ata civilë, kryengritësit shqiptarë emërtohen me fjalorin më diskualifikues si “terroristë, ekstremistë, agresorë, kontrabandistë”, në anën tjetër, tek shqiptarët civilë, aksionet militare maqedonase ndaj kryengritësve shqiptarë, kryesisht, interpretohen si agresion shtetëror ndaj popullsisë civile dhe vendbanimeve shqiptare dhe, njëkohësisht, sipmatia për UÇK – në shënon progres të dukshëm, përkundër zyrtarëve shqiptarë në Maqedoni të cilët kopjuan pozicionet e zyrtarëve maqedonas duke ndryshuar vetëm terminologjinë e të shprehurit publik. Këto polarizime të skajshme dëshmojnë më së miri se procesi i integrimit të shqiptarëve në sistemin ekzistues shtetëror maqedonas, i bazuar kryesisht në identitetin sllavomaqedonas, definitivisht dështoi. Çintegrimi funksional në sistemin aktual në mënyrë mjaft eksplicite manifestohet në veçanti në funksionimin e koalicionit qeveritar VMRO – PDSH. Përderisa VMRO tek maqedonasit arrit koncensusin nacional në rrafshin intelektual, politik, ushtarak, diplomatik dhe propagandistik, kryesisht mbi platformë antikosovare dhe antishqiptare, PDSH – ja si përfaqësuese e shqiptarëve në qeveri, në anën tjetër, i mbeti besnike unitetit qeveritar dhe sakrifikoi unitetin kombëtar dhe në tërësi dështoi në menaxhimin qeveritar në luftë duke iu nënshtruar agresivitetit maqedonas të VMRO – së të identifikuar me qeverinë aktuale. Përderisa premieri Gerogievski, në emër të koalicionit qeveritar VMRO – PDSH, barti kompetencat e menaxhimit të luftës nga dimensioni politik në komandën ushtarake, tërësisht maqedonase, duke përjashtuar ndikimin e PDSH – së, në tërësi, në udhëheqjen e operacioneve luftarake që pati si pasojë mbajtjen peng të tërë Tetovës me shkatërrimet masive të vendbanimeve shqiptare të malësisë së Tetovës dhe Kumanovës, në anën tjetër, PDSH – ja krijoi si pandan shtabet e mbrojtjes civile nën kompetencat e pushtetit lokal të saj, në mision të ofrimit të shërbimeve të “ruajtjes së gjakftohtësisë, dinjitetit, mosmërzitjes dhe dëgjimit të lajmeve zyrtare dhe muzikës së Radio Tetovës”. Përderisa përfaqësuesit e pushtetit vendor apelonin për ndihmë humanitare për dhjetëra mijëra shqiptarë të malësisë së Tetovës, që mbaheshin peng dhe nuk u lejohej evakuimi nga forcat militare maqedonase, qeveria e Maqedonisë dhe, në veçanti, resori për punë dhe politikë sociale me ministrin shqiptar në të, nuk lejonte organizatat humanitare vendore dhe të huaja të depërtojnë tek popullsia civile e zhvendosur.
Rufi OSMANI
20 000 UFO kanë zbritur në Tokë
Dr.Candida Mammoliti
Ufologjia është një realitet dhe një fushë kërkimesh e mbushur plot me informa-cione, hamednje dhe, sigurisht, me keq-kuptime. Kjo ndodh para së gjithash nga keqin-fromimi dhe nga një coverup (mje-gullnajë), sepse ka 50 vjet që informacioni ufologjik ndikon në opinionin publik përmes mass-mediave, si dhe nga fakti që ufologjia që në hapat e para të saja u fut në kurthin e makinacioneve politiko – ushtarake.
Ufologjia moderne zë fill nga qershori i vitit 1947, në ShBA, mbas përshquarjes tashmë historike të pilotit amerikan Keneth Arnold. Ai ishte duke fluturuar mbi malet Rainer në shtetin e Uashingtonit, kur befas dalloi 9 objekte të ndritshme në formë të shtypurpetëzake, diskoidale, që fluturonin në formacion, të vendosur në shkallëzim afër tij dhe pa shkaktuar asnjë zhurmë. Keneth pati mundësinë që t’i vëzhgonte për disa sekonda, e më pas ato objekte, “sapo e didktuan”, u larguan me një shpejtësi tepër të madhe.
Aviacioni amerikan prej vitit 1947 u mor seriozisht me këtë problem duke e quajtur madje “Project Sign” dhe “Project Grudge”, për t’i përmbledhur më vonë në “Project Blue Book” që e përballoi prob-lemin e ufo-ve në përcaktime konkrete. Sipas proces-verbaleve, fillimisht sekrete, të Komisionit Robertson, i cili grumbullonte sinjalet e panumërta që vinin nga hapësira qiellore, merrte dhe analizonte sinjalet e UFO-ve që regjistroheshin në atë kohë, në kapërcyell të vitit 1953 u fut në veprim edhe CIA (Central Intelligence Agency). Kjo u angazhua jo vetëm si shërbim sekret i vendit, por edhe si e interesuar direkt në përdorimin e lajmeve sipas interesit të saj. Megjithatë, problemi i ufo-ve nuk u quajt i tillë për sigurimin kombëtar, ndonëse ishin 10.000 raste, nga të cilat më tepër se 700 shkencërisht të pashpjegueshme, të regjistruara në “Project Blue Book”, të cilat u lanë më-njanë, por edhe vetë “Project Blue Book” u pezullua.
Astrofizika moderne vlerëson rreth 400 miliardë trupa qiellorë në Galaktikën tonë, dhe si tek e kona ka me miliarda trupa të tjerë në galaktikat e tjera të panumërta, pra, nuk jemi i vetmi dimension fizik i gjithësisë që ka veç të tjerave edhe energjinë jomateriale të Krijuesit. Në fund të fundit çdo popullatë ka të drejtë të informohet për realitetin që na rrethon, evolucionet që ndodhin dhe që janë argumente studimi.
Babai i ufologjisë moderne është astrofizikani i shquar amerikan me origjinë polake Joseph Allen Hynek, i cili fillimisht drejtonte “Project Blue Book”, por më vonë u shkëput nga ky dhe themeloi në vitet gjashtëdhjetë Qendrën UFO Studiuese të tij së bashku me kolegë të tjerë. Punoi me pasion deri në fund të vitit 1986, kur vdiq.
Në zvicrën italiane ekziston prej vitit 1995 CUSI (Centro Ufologico della Zvizera Italiana) edhe ky ent privat që ka president znj. Kandida Mamoliti, docente gjuhe me angazhim të vazhdueshëm shkencor.
Simpoziumi i 9 – të Botëror mbi UFO – t u mbajt në mars të vitit 2001, në Republikën e San Marinos, e cila prej vitit 1998 i ka paraqitur zyrtarisht një apel OKB – së. E ashtuquajtura “Kartë e San Marinos” i kërkon shtetit të kësaj Republike të Titanit, që t’ia paraqesë OKB – së themelimin e një Agjensie ose dikasteri të Kombeve të Bashkuara për të përballuar, bashkërenditur dhe popullarizuar e botuar rezultatet e kërkimeve lidhur me objektet fluturuese të paidentifikuara dhe me dukuritë e përafërta, ashtu siç ka këshilluar edhe Vendimi 33/426 i marrë gjatë Mbledhjes Plenare të Sesionit të 87 – të të OKB – së më 17 dhjetor 1978, me propozim të delegacionit të Grenadës. Por ai u bllokua 20 vjet më parë, sepse pikërisht sapo OKB – ja do ta zyrtarizonte, në Grenadë ndodhi një grusht shtetit (!), që përfshiu edhe Karaibet. Inisiativa sot mund të merret dhe tëzbatohet në Republikën e San Marinos dhe kërkuesit kanë rënë dakord për:
a) mundësinë e natyrës teknologjike jotokësore të UFO – ve në gjysmën e fundit të shekullit që sapo shkoi;
b) rritjen e interesimit të publikut në të gjithë botën për këtë çështje;
c) nevojën e një studimi shkencor ndërdisiplinor të hapur ndaj kërkesave civile ndërkombëtare
Për OKB – në është parashikuar Qendra Ndërkombëtare e Përhershme e Dokumentimit mbi UFO – t e San Marinos me mbështetjen e një Komiteti Ndërkombëtar me pjesmarrjen e personaliteteve të shquara botërore. Mbledhja e San Marinos, që zgjati prej 16 deri me 18 mars 2001 dhe ku vërshuan studiues dhe akademikë nga 15 vendet më të civilizuara në botë, ishte ngjarje e rëndësishme për të gjithë ufologët.
Dita e parë e simpoziumit iu kushtua Projektit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës SETI (Search for Extraterestrial Intelligence) për kërkimin e jetës inteligjente në hapësirë, pioner i së cilës ka qenë astronomi Frank Drake. Me këtë rast përmendim radioteleskopët gjigantë e shumë të kushtueshëm të ARECIBO – s, me të cilët që prej disa vjetësh po përpiqen të kapin radiovalë që vijnë nga hapësira e gjerë, të cilët do të dëshmonin për ekzistencën e jetës inteligjente. Ky projekt padyshim është ambicioz dhe i vështirë, sepse nëse qytetërimet e tjera të gjithësisë do transmetonin radiovalë, do të ishte i vështirë komunikimi me ta me sistemin metodologjik të sotshëm. Për shembull, po të ekzistonte një qytetërim 100 vjet dritë larg tokës, dhe t’i duhej të transmetonte gjithandej sinjale me radio, do të nevojitej një fuqi prej 66.000.000.000 vatësh për të mundësuar marrjen e sinjalit në tokë nga një antenë me diametër 300 metra (!)
Gjurmë të shumta e të pashpjegueshme dallohen në zona të ndryshme të globit të cilat të habisin me simetrinë e tyre. Ndonëse na vijnë kumte nga lashtësia si dhe nga tekstet antike të popujve të Mesopotamisë, duke filluar nga shumerët, keltët, asiro – babilonasit, egjiptianët, nga esenët e Lindjes së Mesme, nga popujt e Amerikës Qendrore, si: inkasit, maja – t, astekët, nga tribuja Hopi etj, përsëri USAF me gjakftohtësi i quan UFO, pikërisht ata vizitorë që dikur i quanin krijesa të ardhura nga qielli. Fizikani holandez Altjo Haselhoff ka shpjeguar rezultatet e kërkimeve të veta duke u nisur nga crop – circles ose ato që quhen piktograme të shtypura në grurë. Që prej 20 vjetësh numri i zbulimit të tyre po rritet gjithnjë e më shumë, duke arritur kështu, në mbi 20 mijë raste në 20 vende të botës. Të shpeshta janë në Anglinë e Jugut, pikërisht ku shtrihej dikur mbretëria e mbretit legjendar Artur dhe e kalorësve të tij, pra aty ku dikur ndodhej Graali i Shenjtë. Këto vizatime kanë të bëjnë me simbolizmin universal me fenë që i thonë “religio”, pra lidhje me origjinën. Shkencëtari Haselhoff ka shpjeguar se këto nuk mund të relizohen me mjetet tona, por kanë të bëjnë me vibracionet e shkaktuara nga sferat energjetike që çlirojnë UFO – t, që lëkunden mbi grurë duke u lakuar sipas një programi të caktuar. Nuk dëmtojnë asgjë, por ndryshojnë strukturën e kokrrave në ridimensionimin e tyre. Pra nuk kanë qenë dy pensionistë britanikë Dave Chorley dhe Doug Bower që me kosë (!) i kanë krijuar këto figura gjeometrike me një përsosmëri të lartë vizatimore, siç dezin-formohej nga ata që nuk besojnë në asgjë!
Surpriza e simpoziumit është fotografi meksikan Carlos Diaz, i cili arriti të shpjegojë me fakt të fotografuar me një hark kohor prej 20 vjetësh në Tepoztlan të Meksikës rastet të kontakteve të tij me qeniet e dritës që udhëtojnë nëpër hapësira kozmike shumëdimensionale dhe që prej 500 vjetësh zbresin në luginën e Tepoztlan – it. Kontakti i tij i parë ka qenë në 1981, kur në afërsi të pyllit Ajusko fotografonte natyrën i ngarkuar nga firma ku punonte si fotograf. Buzë rrugës, ku po bënte gati aparatin fotografik, ai dalloi një dritë të fuqishme ngjyrë portokalli që i krijoi dyshimin se kishte rënë zjarr. Më pas konstatoi se drita kishte formë disku. Drita reflektohej mbi Guard – rail dhe mbi mbulesën e makinës së tij. Carlos bëri edhe fotografi të tjera dhe më vonë u kthye shpejt tek ai vend deri sa arriti të ketë një kontakt të plotë e të vërtetë, ose siç përshkruhet në ufologji, një kontakt të përafruar të tipi 4. Brenda 20 vjetësh vazhduan shumë kontakte të tjera, përmes të cilave Carlos pati mundësinë të fliste me të mistershmet krijesa të dritës, që ishin ulur gjatë shumë shekuj udhëtimesh për eksplorimin e planetit tonë, dhe zbuloi bukurinë e jashtëzakonshme dhe dallimin biologjik të tyre. Në fakt ata e duan shumë planetin tonë, nuk janë agresivë dhe na këshillojnë që ta respektojmë dhe ta riekuilibrojmë natyrën tonë, florën dhe faunën së cilës i kemi shkaktuar dëme të jashtëzakonshme. Ata na këshillojnë që të mos humbasim kohë, sepse nga ndotjet që bëhen çdo ditë do vijë një kohë që planeti ynë të bëhet i pabanueshëm. I gjithë materiali fotografik dhe filmik i Carlos Diaz u analizua në detajet më të vogla nga ana e prof. Viktor Quezada dhe grupi i tij kërkimor pranë Universitetit Meksikan, si dhe nga shumë shkencëtarë të nivelit botëror, të cilët nuk gjetën as më të voglin manipulim. Më shumë se 60 % e popullsisë së Tepoztlanit i ka parë ato objekte misterioze dhe i ka përshëndetur përzemërsisht e me respekt këta fqinj të largët që vijnë nga hapësirat shumëdimensionale. Carlos u ftua në anijen kozmike dhe pranoi të shndërrohej në dritë, në energji drite. Në rrëfimin e tij ai tregoi se gjatë kohës së shndërrimit të tij në dritë, ai pati ndijimin e një dashurie të pafund që e bëri më të ndjeshëm pas kontaktit. Qeniet e dritës i thanë që edhe ata vetë e kishin kaluar atë shndërrim duke kaluar një evolucion transformimi nga materia solide e atomit në pjesëza drite. Kjo ka rëndësi të jashtëzakonshme për njerëzit, sepse një ditë njerëzimi mund të tejkalojë kufinjtë e jetës duke e kaluar pragun e vdekshmërisë aktuale, e cila shkaktohet nga shkalla jo plotësisht e zhvilluar e ndërgjegjes.