Numri 2 i gazetës në print, botuar më 14 qershor 2001

0
Kokaweb
  Konflikti në Maqedoni nuk ka për origjinë Kosovën

Qeveria maqedonase duhet t’u afrojë më shumë të drejta shqiptarëve në Maqedoni në të gjitha fushat e jetës publike dhe se ndryshimet kushtetuese do të ishin të nevojshme për të shmangur rëndimin e mëtejshëm të situatës.

Collin Power,

Sekretar i shtetit Amerikan

Diskutimi për ndryshimin e Kushtetutës në statusin e shqiptarëve në Maqedoni duhet të fillojë pa asnjë vonesë në Parlamentin maqedon. Këtë vit, gjithashtu, duhet të mbahet një regjistrim i ri i popullsisë, i cili ka qenë dhe mbetet shumë i debatuar.

Gjenerali Klark

Ushtria çlirimtare kombëtare në Maqedoni është shfaqur as për të ndarë Maqedoninë në dy apo tri pjesë dhe as për të vrarë maqedonët. UÇK në Maqedoni është si një kambanë alarmi që synon jetëgjatësinë e saj, duke e shëndrruar atë në një shtet të barabartë si për maqedonët ashtu edhe për shqiptarët që ti gëzojnë të drejtat e tyre.

Janusz Bugajski,

Analist politik amerikan

E vërteta është se shqiptarët në Maqedoni nuk i gëzojnë të drejtat e barabarta kombëtare. Dhe pikërisht kjo gjendje e palakmueshme e shqiptarëve ka sjellë si rezultat krijimin e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Ashtu ka qenë situata edhe në Kosovë që Millosheviçi, duke ua mohuar të drejtat shqiptarëve si rezultat doli UÇK.

Kristofor Heghes,

Analist i “New – York times”

Ushtria maqedonase nuk ka të drejtë të ndërsej ushtrinë kundër qytetarëve të vet. Ajo duhet të bisedojë sa më parë me luftëtarët shqiptarë në rajon, të drejtat e të cilëve janë privuar dukshëm.

Gjenerali Klaus Rehinhard

Shefi i trupave të NATO – s në Evropë

Gabimet e njëpasnjëshme të qeverisë maqedonase janë të pafalshme edhe se granadimi i Kosovës nga ana e saj është një agresion.

Dr.Ymer Ymeri

Sulltanët e politikës shqiptare

      – Nano Metës: Unë ia futa Vlorës, ti futja Shkodrës –

– 2 000 000 shqiptarë bukë thatë, 200 000 dollarë paguan një kandidat.

– Zef Bushatit i ngeli pa fejuar kunati i shokut Xhemal, shqip nipi i L. Gurakuqit

Fushata elektorale ka marrë “zjarr”. Premtimet, nga goja e atyre që vodhën haptas, u ngjajnë rrufeve para shiut të madh. Fatos Nano ka ndërruar strategji. Ai, në pranverën e 97 – ës ishte thjesht një i posadalë nga burgu, një hajdut, një fukara.

Kthimi qind për qind i parave të ish – fondacioneve rentiere në sheshin e Flamurit, u muar nga vlonjatët e mëpastaj nga tërë shqiptarët, përjashto Shkodrën si i mirëqenë. Por e vërteta shihet. Nano ia futi Vlorës surratit me një gënjeshtër të madhe. Tani është bos.

Në tradhëtinë tjetër në lojë ka futur Ilir Metën. Ai po bën demarshe në veri, pasi atje në Jug hajdutët socialistë janë të pabesë, siç është i pabesë Zef Bushati në Shkodër, të cilit i dështoi strategjia e “Kunatit të Shokut Xhemal”, pasi një gurakuq, sipas pemës gjenekologjike nuk na u lidhka fare me njeriun e madh të kombit shqiptar Luigj Gurakuqin. Ilir meta, me premtimet e përmes Esmeralda Uruçit, po bën pelivanllëqe si Nano për kthimin e parave. Po natyrisht, dy herë në një vend nuk mund të gënjejë tjetri. Gjithsesi realiteti shihet. Sot janë mbi 2 000 000 shqiptarë që nuk kanë të ardhura më shumë se për bukën thatë. Shandani i lotëve të nënave e grave shqiptare është aq i madh saqë qeveritarët duhet të mbyten aty. Duhet të mbyten aty, pasi janë lot shpirti, lot mallkimi. Dhe në këtë mynxyrë, ku bota çuditet për limitin e fundit të mbijetesës njerëzore, kandidatët për deputetë të PS – së në tërë Shqipërinë kanë afruar mesatarisht mbi nga 200 000 dollarë amerikanë. Në qoftë kështu, ti votues, a ke aq mend sa të pyesësh të paktën veten tënde, pasi për këtë nuk të fut kush në burg, nuk të bjen kush levë në rrugë, nuk të rrah policia, të kujat mund të jenë ato para. Prapë, ti votues, a e ke aq kulturë që meqenëse je keq ti marrësh ato para dhe kushdo që të ofrojë oferta të tilla të mos ia japësh votën.

Meqë llafi erdhi tek deputetët hajdutë e të pabesë, që bënë qejf e u tallën për katër vjet, ne e shohim obligim të futemi në detaje të këtyre karagjozëve e bastardëve, që na sillen si gra të këqia në për këmbë sa herë vijnë votimet.

16 muaj më parë, me një deputet, po zbrisnim shkallët e Prefekturës së Shkodrës. Një fshatar rreth të 65 vjetëve, pasi përshëndeti deputetin, pasi e pyeti për familjen dhe hallet e tij. I kërkoi një thes miell dhe 5 kilogram vaj. Një kërkesë e tillë u shtrua përmes disa pika loti nga ajo zemër burri. Ftohtësia e deputetit e detyroi hallexhinë t’i kujtojë se e kish pritur në shtëpi, i kish dhënë votën ai dhe tërë farefisi në zgjedhjet e ‘97 – ës.

Deputeti qeshi me ironi dhe i tha shprehimisht: “Mos ma jep më votën”! Unë sot nuk e njoh atë burrë, por u ndava me marifet nga deputeti, e zura në shkallë dhe i fala 10 000 lekë të vjetra. E adresova për tek zyra e nënkryetarit të Këshillit të Rrethit zotit Shyqyri Selhani, i cili e kish ndihmuar duke i dhënë një pusullë për të tërhequr ca ndihma ekonomike në fshat. Kjo nuk përbën ndonjë paradoks, por ajo që sot kërkon maturi e gjykim, madje ndëshkim është fakti se ai deputet që 16 muaj më parë i tha votuesit “Mos ma jep më votën”, sot është sërish në kërkim të asaj vote. Kështu pra, deputetët bëhen të “mirë”, të “dashur”, “njerëzor”, një muaj e ca në katër vjet, pra në kohë fushatash. Sa rrasin mandatin në xhep kthehen në Sulltanë dhe punojnë si Sheikë për të fryrë kuletat.

Një miku im, një demokrat i vërtetë nga Laçi, më tregonte një ditë se si një tropojan, R. Geci, kish festuar 1 000 000 dollarëshin, megjithëse është një injorant analfabet. Ai më tregoi me fakte për shumë tropojanë të tillë, saqë ti thua se kubatura e Heroit Kombëtar Bajram Curri kundër pushtuesve dikur, është vërtetë e vockël përballë qindra “trimave” tropojanë që kanë pushtuar tërë Shqipërinë. Njëri ndër ta është padyshim edhe vrasësi i deputetit Azem Hajdari, Jaho Salihi. Po kundër kujt janë ngritur këta “trimoshë”?! Kush ua krijon dhe ua ligjëron një terren të tillë?!

Edhe një fakt:

Një miliarderi në Malësi të Madhe, i dërgova personalisht një libër të publicistit, analistit, diplomatit, drejtorit të gazetës “55”, z. Fahri Balliu. Miliarderi, pasi e vështroi nga kapakët, pasi kaloi nëpër duar tre – katër fletë në mënyrë triumfatore, më pyeti se kush thatë se është autori dhe si e paska titulluar librin?!

Edhe kjo na duket “sekuencë” e hidhur jete, një sekuencë e një kohe të zezë. Pra, ata që trumbetojnë për demokraci të kulluar, ish – spiunë e komunistë, diktatorë e persekutorë, njerëz me dosje e prapësira, në këtë Shqipëri të vockël e të varfër, janë paisur me pushtetin e Sulltanëve dhe paratë e Sheikëve. Miliarderët këtu i kemi ndër më të fuqishmit në Botë apo jo?

Në këtë kuadër, zgjedhjet parlamentare të 24 Qershorit, nëse votuesi nuk do të tregohet i pjekur e kurajoz, i guximshëm e trim, do të jenë një ogur akoma më i zi në jetën dhe perspektivën shqiptare. Shumë ministra, shumë ustallarë të hajdutërisë thuhet se kanë vënë në lojë nga qindra në mijra dollarë në lojën e pandershme elektorale për të uzurpuar karriget në parlamentin e ri shqiptar.

Opozita, e cila po zhvillon vërtet një fushatë të qetë dhe të ndershme, mendojmë se duhet t’i ketë sytë çelur, pasi Evropa dhe Amerika nuk do të jenë aspak të interesuara që mandatin e ardhshëm ta presë në mes. Kjo edhe për faktin e thjeshtë se këto zgjedhje po i kushtojnë Shqipërisë qindra milion dollarë.

Gjithkush e sheh se politika e këtyre viteve ka krijuar Sulltanët dhe Sheikët e vet. Fiktiviteti dhe akrobacirat spektakolare të politikanëve shqiptarë duken sheshit, edhe në premtimet e shesheve, ndërkohë që qeverisja në të vërtetë nxorri lakuriq pafytyrësinë dhe padrejtësirat.

Nëse komunistët nuk po arrijnë të mbulojnë prapësitë para botës perëndimore, do të jetë e pafalshme në arrifshin të mbulojnë para elektoratit episodet kaq të dala boje.

Mbështetja tek vëllezërit Kinezë, ku deri tash u fol me të madhe për investimin e 1000 000 000 Dollarëve për fillimin e punimeve të hidrocentralit të Bushatit, lidhjet me Serbinë e Greqinë, takimet e “suksesshme” me çallmaxhinj, nuk janë premisa të besueshme për ta futur Shqipërinë në rrjedhën e botës së përparuar perëndimore, pasi kurrë ndonjëherë, as minimalisht nuk kanë qenë “motorrë” zhvillimi aq më tepër kulturash. Themi kështu, pasi ne nuk dimë as edhe një shtet perëndimor që përfitoi sadopak nga një politikë e tillë. Në pastë ndonjë të “mençur” që argumenton ndryshe ne jemi gazetë e hapur dhe i themi Mirëse të Vijë në Fokusin Tonë. Koha e militantëve të rrugës, e militantëve po të rrugës, e hajdutëve, kriminelëve dhe atyre që megjithëse nuk dinë shkrim e këndim dhe kanë vënë miliardat, nuk mund të jetë kurrsesi në katër vjetët e ardhshëm.

Nëse Shqipëria ka vërtet probleme sot, sa as me ujë e drita nuk po ngihet, kjo s’do të thotë që ka një popull budalla që gënjehet  sa herë u teket Nanos a Metës.

Kështu pra, 24 qershori është më i komplikuar se mendohet dhe sulmi i pozitës përgjatë fushatës është sulm për të mbrojtur karriget e krimit. Ndryshe si do të paguheshin qindra mijra dollarë nga një kandidat për të marrë një rrogë katër vjeçare dhe për të punuar veç në interes të votuesit?!

Editorial nga: Sokol Pepushaj

Nga Gjokë Vata

Antena Nord, e. Hoxha dhe shteti barbar

      Antena Nord, duke u lënë hapsirë të mjaftueshme opinjoneve publike për politikën e sotme shqiptare, vën në jetë njërin nga parimet themelore të demokracisë. Sa bukur. Por televizioni është publik, i hapur për të tërë dhe duke krijuar hapsira realiteti duhet diskutuar. Dikush thotë se parlamenti e qeveria duhen lëshuar në duart e rinisë. Është krejtë e pranueshme se ne kemi një rini mjaft të talentuar, por se niveli i arsimit të saj, ashtu edhe përvoja lënë shumë për të dëshiruar. Mbasi shkollën e filluan të politizuar prej diktaturës dhe vazhdojnë kur arsimi ynë po vuan gjithnjë pasojat e kuqe e nga ana tjetër, as përvoja e duhur nuk ka nisë ende të piqet… Po edhe sikur talenti rinor t’i kishte të gjitha bazat e shëndoshta drejtimi i fillon provat nga përgjegjësitë e vogla e ngrihet sipas aftësisë shkallë – shkallë e  jo me ashensorin e hatrit. Ky do të ishte ai mentalitet për të cilin ka shumë nevojë demokracia. Një tjetër opinion i gabuar lidhur me të kaluarën tonë është edhe ky: Dikush thotë: “Lëreni tash Enverin, mbaroi puna e tij”. Enverin e enverizmin e shohim në gjithçka u ndërtua në kohën e tyre e mbi të gjitha tek “Njeriu ynë i ri, vepra ma e shkëlqyeshme e P. P. Sh.” vepra që po len nam kudo po i shklet këmba. Krahasoni diktaturat e ish – vendeve komuniste e do të shihni qartë se viktimat mjerane janë të shtypjes ma të egër. Në  gjirin e këtyre viktimave ka edhe vepra “të shkëlqyera të P. P. Sh.” që janë pengesa serioze në rrugën e progresit… Kto pengesa të gjalla përdoren me shumë efikasitet nga militantat e regresit. Kjo tregon se përpjekjet tona për eleminimin e së kaluarës duhet të jenë shumë ma të gjata e të mëdhaja se të popujve me fat  të përafërt me ne. Nostalgjikët e diktaturës mundohen të fitojnë kapital politik me gjoja qetësinë e kohës së tyre. A nuk ishte ajo një sipërfaqe e qetësisë ma të rreme në botë? Atëhere Shqipëria kishte qetësinë e një burgu sepse ishte një burg me shumë super burgje, ku burgoseshin e ekzekutoheshin të gjithë ata që guxonin të aspirojnë lirinë e fjalës, të besimit e të udhëtimit edhe në zonat kufitare të Shqipërisë, pa le jashtë shtetit, vërtetë është fat i keq për çdo popull individi barbar, por ç’fatkeqsi e pa përshkrueshme është për një popull shteti barbar. Mohimi i të mirave që sollën ndryshimet pas komuniste përbën të njëjtin faj si mohimi i të këqijave të diktaturës, e nuk është faj ma i vogël as përpjekja për t’ia atribuar kohës në vend të njerëzve shndërrimet epokale të viteve 90 – 96 në Shqipëri. Ashtu si kohët e zeza janë vepra të tiranëve, kohët e bardha janë vepra të herojve… Koha kalendarike është një fenomen ritmik. Ne jetuam në të njëjtën kohë me botën e ishim ekstremi i saj e na grahnin me dajak në rrugën e regresit. Është bërë zakon që emri popull të lakohet gjithmonë për mirë, por nuk është e drejtë të mos i atribuohet pjesa e fajit kur i përket. Historia tregon se populli shqiptar ndonjë herë me vendimet e veta ka dënuar fatet e së ardhmes së tij. Le të marrim si shembull rastin e vitit 97. Kreditorët e firmave piramidale duhej ta dinin se pasurimi pa djersë është dhuratë e djallit, e djalli i këmben dhuratat me virtyte e se pjesmarrja në fajde është një vepër ateiste. Kur populli e pau vehten në zgrip të pjerrtirës që do ta plandoste në greminë, në vend ta korrigjonte shtetin në mënyrë të qytetëruar e ta zvogëlonte atë fatkeqësi në minimum, e shndërroi në mjerimin kombtar. Ai duhej të luftonte vandalizmin që i prishi imazhin e i rrënoi Atdheun e i përllosi historinë. Populli iu nakua shtetit, thua se mendjen e jep shteti, jo Zoti. Tani vetëm pendimi e nxjerrja e mësimit nga pësimi mund mund ta bëjnë Zotin të vërë dorën në zemër edhe një herë për ne.

 

Nga Basi Bekteshi

Alfa në Maqedoni: Multietni dhe barazi etnike fetare

      – “Nacionalizmat e nënës Dhe ata të njerkës” –

      Me termin “nacionalist” nuk kuptojmë domosdoshmërisht armikun e një kombi tjetër. Kjo frazë është thënie e çmimit Nobel Alexis Karrel i cili duke trajtuar kët problem shtron idenë se për nacionalizmin në përgjithësi nuk duhet të ketë dy pesha dhe dy masa sepse do të shkaktoheshin mosmarrveshje të tejskajshme me vështirësi zgjidhjeje. Ka ardhur një moment për kombin tonë që për fat të keq po kuptohet dikur të jesh kombëtar është gabi sepse të huajt nuk na duan kështu ose dikur sa më kozmopolitë të jemi aq më mirë do të jetë për ne dhe për fëmijët tonë. Në të vërtetë po punohet me një farë intensiteti që pikërisht kjo “teori” të zërë një hapësirë sa më të madhe veprimi në fillim në sferat e larta të politikës, pastaj dalëngadalë dhe më poshtë aty ku është më i thellë.Duke qenë vendi pa asnjë peshë politike në ballkan me një sovranitet vetëm për të marrë tenderat dhe komanduar skafet është e natyrshme se nuk kemi as një lloj të drejte për të dhënë mendim ose për të mbajtur ide kombëtare. Pastaj klasa politike që drejton aktualisht (do Zoti dhe me 25 qershor s’janë më) nuk e ka ndërmend që së paku të mbrojë shqiptarët brenda kufijve e jo më ato që janë jashtë tyre. Kështu pra në rrafshin kombëtar shteti ama ose shpresa e shqiotarëve që jetojnë jasht kufijve shtetërorë në mos qoftë kundër, është inert në çdo problem madhor që del herë mbas here në rajon. Kjo e keqe e politikës jep reaksione të rënda në momente zgjidhjeje, sepse nuk ka një qëndrim korrekt dhe të saktë mbi çdo element kombëtar. Rast flagrant ka qenë kur zonja e nderuar Ollbrajt në parlamentin e shtetit shqiptar, barazon  nacionalizmin Serb dhe Kroat me atë Shqiptar dhe ku asnjë deputet apo qeveritar, gazetë, TV etj., nuk arrin t’i thotë zonjës se këtë gjë e ka gabim sepse historia është ndryshe dhe se po i barazove kështu pa ndonjë ide të qartë por vetëm për t’i bërë joveprues ato pikërisht do të bëhen njëri i njerkës dhe tjetri i nënës. E keqja e madhe është se i vetmi komb me vokacion perëndimor në këtë pjesë të Ballkanit është vetëm ai shqiptar. Shqiptarët nuk i ndan dot nga perëndimi as feja, as etnia apo faktor tjetër si përkundër nuk i bashkon të tjerët përreth. Tani për hatër se perëndimi sheh të vetmin komb i cili është më i sigurtë në realizimin e qëllimeve të tij nuk është e domosdoshme që ai të mos ketë asnjë lloj nacionalizmi. Po të marrim tre vendet direkte që kanë shqiptarë Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë, në të tre këto vende pothuaj është e njëjta situatë delikate e cila ka të bëjë me status, ose gjendjen politiko – administrative të shqiptarëve. Po dhe perëndimi nuk ka një zgjidhje racionale dhe afatgjatë sepse pikërisht bën gabimin në fillim të bashkimit të pakuptimtë të nacionalizmave, dhe pastaj të ndarjes së tyre në të nanës dhe të njerkës, d.m.th. sot sillesh ti mirë nesër ti tjetri dhe e kundërta. I njëjti gabim po bëhet dhe me shqiptarët në Maqedoni dhe me vetë shtetin multietnik maqedonas. Këtë gjë e theksojnë dhe zotërinjtë James Hoper dhe Gernot Erlier drejtues organizmash ndërkombëtarë dhe shoqatash për Europën Juglindore që shprehen të shqetësuar për gjendjen në Maqedoni dhe kryesorja duke vërejtur se mospasja e një strategjie, ose e një koncepti të saktë përmbi atë që po ndodh atje, është e pamundur të ketë zgjidhje të saktë ose adeguate di parapëlqehet të thuhet. Është e qartë për të gjithë në perëndim se shteti fantazëm maqedon është i humbur në qoftë se nuk arrin të fusë në kushtetutën e tij, idenë e multietnisë dhe atë të barazisë etnike fetare. Gjithashtu është e qartë se këto të drejta janë shkelur dhe vazhdojnë të shkelen me ashpërsi. Nga ana tjetër bëjnë gati të fusin në BE (një lloj tuli buke me vaj) Maqedoninë një shtet  që s’ka demokraci të brendshme, nuk ka respekt për shtetasit e vet me kombësi tjetër dhe fe tjetër biles nuk ka as shtyp tërësisht të lirë dhe media të lirë. Nuk krahasohet në këtë drejtim jo vetëm me shtete europiane, por s’ka krahasim as me Shqipërinë që është përpara në këtë drejtim 10 – 15 – të vjet. Ka shumë të drejtë zoti Kim një nga analistët më të mirë shqiptarë që thotë se shteti maqedon është çmendur. Si mundet të pranohet që shqiptarët që luftojnë me armë janë “terroristë” tëcilët nuk vrasin maqedonas civilë, nuk përzënë nga shtëpia e tyre njerëz të shtetit maqedonas dhe janë “burra të mirë” ushtria maqedone dhe ato që i urdhërojnë, kur vrasin civilë dhe shkatërrojnë fshatra të tërë shqiptarë. Pra ku është ajo fjalë që të gjitha “nacionalizmat janë të rrezikshëm”? Nga ana tjetër po kështu në Kosovë përpjekjet bëhen që të barazohen nacionalizmi serb me atë shqiptar, duke bërë të mundur që dje të ishte qi agresor sot je ti për të cilin luftova, me mënyra të ndërrimit të nacionalizmit sipas oreksit politik të momentit rajonal. Duke lënë probleme pezull, duke bërë zgjidhje gjysmake si me Kosovën, po ashtu me Maqedoninë dhe nesër me Malin e Zi asjgë nuk mundet të shkojë shpejt dhe mirë pikërisht në drejtimin që don një Evropë pa nacionalizma të rrezikshëm dhe me kufij të hapur. Historia e shqiptarëve nuk tregon se i kanë rënë në qafë kujt tjetër rreth e përqark, është e kundërta dhe janë gabime pikërisht të vendeve perëndimore të cilat ky i fundit po përpiqet t’i ndreqë tani mbas shumë vitesh. Megjithatë shqiptarët e dinë se vetëm perëndimi është ai të cilin mund të ketë aleatë dhe me anë të tij në njëfarë mënyre do ti zgjidhin problemet madhore të tytre. E rëndësishme është që pa u bërë “shovinistë” në sy të botës të ruajmë qenësinë kombëtare duke qenë patriotë të vendit tonë po aq sa janë amerikanët dhe francezët. Por për të bërë këtë duhet një strategji e përbashkët e të gjithë shqiptarëve dhe aftësi për të dialoguar me amerikanët dhe eruopianët për t’i padur dhe bashkëbisedues jo vetëm urdhërdhënës.

 

Nga: Agron Luka

Etimologjia dhe evolucioni i emërtimit Shkodra

      Shkodra në vështrimin multidisiplinor

      Fakti që edhe vetë autoritetet e gjuhësisë sonë, konkretisht për etimologjinë e toponimit Scodra, nuk janë shtypur më shumë se disa rreshta apo edhe faqe me numërim, tregon qartë se aty janë ndeshur vështirësi të konsiderueshme.

Sidoqoftë, nuk është e justifikueshme deri në atë masë, sa që të mos ishin dhënë edhe disa hipoteza të ndryshme në procesin e kërkimit, sipas “cilësisë” të gjuhës sonë, e mbase edhe me ndonjë përzierje apo deformim të greqishtes, siç ka pasur e ka p.sh. për Epidamn / Dyrrahionin etj.

Edhe vetë kryeautoriteti E. Çabej gjatë të gjithë karrierës, për etimologjinë e emrit Scodra ka shkruar vetëm një herë (bashkë me Xhuvanin), madje edhe aty jo tërësisht me mendimin e tij, por më shumë si një “inventarizim hipoteze”, siç ka qenë rasti i një hipoteze të hedhur nga Hani, qysh me 1853, ku shënohej: “Scodra: Kodra / Shkodër: Kodër (?); ku “S: Sh, paraqet një parashtesë të ilirishtes – shqipes me funksion të paqartë, sidomos në formime të lashta.” 1

Nga kjo hipotezë dhe nga mënyra e formimit të saj, dilte se kishim një zgjidhje S – Kodra dhe se ishte e hapur mundësia për të operuar me kompozita edhe në varjante të tjera të mundshme.

Siç më kumton studjuesi i njohur i qytetit tonë W. Kamsi, andej nga mesi i viteve 70, prof. Çabej i kishte komunikuar, se në skedën Shkodra kishte shënime të pabotuara, ku e shihte si me mëdyshje prezencën e kodra në përbërjen etimologjike.

Ndërkaq, Çabej nuk është marrë as me vetë etimologjinë Kodra.

Që ka ëasur me shumicë: inventarizime; vënie në gjendje dyshimi e hipoteze; luhatje; plotësime me të dhëna të reja; përfundime si të sigurta; pastaj edhe mbrapa – kthehu përsëri në gjëndje hipoteze a enigme etj, të gjitha këto evidentohen shpeshherë, përgjatë tërë atij volumi kolosal pune që ka kryer prof. Çabej.

Si një diferencë luhatje, mbase mund ta konsiderojmë edhe dukurinë në analizën e prashtesës S, ku një herë në fillim analizohej S: Sh me funksione të pa qarta në formime të lashta, ndërsa më vonë u fut si “S – ja indoevropiane, në grupet e formuara SK: ShK”. 2

Sidoqoftë, deri më sot gjë të shkruar të botuar nga Çabej, konkretisht për etimologjinë dhe prejardhjen e Scodra, nuk kemi.

Kështu pra, në tërësi sa qe gjallë Çabej e deri aty afër fundit të shek. XX, etimologjia paraqitet: me një hipotezë S – Kodra e hedhur nga autoriteti evropian i shek. XIX, Hani; një hipotezë e natyrës popullore dhe e përfolur edhe nëpër ndonjë autor shkodran, po me Kodër / Kodra; ndonjë hipotezë me këndvështrim më të ndryshëm, e ngulur e pa vënë në evidencë për motive të ndryshme; pa shprehur asnjë mendim, nga autoritetet profesioniste me rrogë shteti, të gjysmës së dytë të shek. XX.

Mbetet me pikëpyetje, përse vetëm Çabej, nuk provoi tek zëri Shkodra të ndërtonte një gjendje hipotezash. (?!)

Te qyteza Drisht, fare afër e brenda rrethit të Shkodrës, prof. Çabej e kishte bër një gjë të tillë, madje ishte prononcuar edhe më shumë se sa një hipotezë: “Drivastum: *Drivësht: Driësht: Drisht. Emri i këtij qyteti lidhet me Drinin, prandaj Bogdanin e ka Drinsht”. 3

Më vonë, vetë Çabej duke reflektuar më imtësisht u kthye edhe një herë në gjendjen e hipotezës, ku shkruante: “… emri në shqiptimin vendas të zonës, përdoret me i hundore Drisht… n.q.s. nazalizmi aty është i kahershëm, mendimi shpie te Drini, pra Drisht nga një *Drinsht. Kjo ndërkaq i bie ndesh formës Drivastum; e me anë tjetër Drishti bie bukur larg Drinit. Për Kirin, i cili rrjedh pranë Drishtit, dokumentohet nga Sufflay edhe emri Drimac. A ka të bëjë emri i Drishtit me këtë hidronim, mbetet një çështje e hapur, ashtu siç gjithsesi puna e emrit të Drishtit.”

Ndonëse në mënyrë amatore autodidakte, ne qysh me 1983, kishim shtruar pyetje – çështjen: “Në regjistrimin e formës Skodrinon dhe të tjerave që na rezultojnë me shkrim grek tek monedhat shkodrane të shek. II – III p.e.r. (më të hershme se forma Scodra ekohës së pushtimit romak), a nuk mundemi të shohi ndonjë hipotezë për një tip kompozite si S – Kodra + Dri – Non, m.q.s. e kemi Drin / Drinaz – en (edhe Drinase) fare afër grumbull Kodrave, rrëzë Kodër – kështjellës dhe madje “që i binte përmes pjesës së poshtme të qytetit”, siç e shkruante Barleti?

(Ky shkrim “Shënime për Komunën Qytetare Shkodrane” megjithëse më tërritën tre herë për diskutime e plotësime në red. e Rev. Studime Historike, ngeli aty dhe mua më nxorën jashtë si i prekur politikisht… vetkuptohet se as e futi njeri as në inventar. Falenderoj gazetën “Shqipëria Etnike”.

Në shënimet lakonike që iksihte shkruar me dorën e tij prof. Z. Shkodra në anë të fletës shkruhej: “ Mund të supozohet edhe një Shko + Drin, Vendi te shko Drini (?).

Gojarisht më pati thënë se ideja që në një kompozitë, Dra e Kodra – s bie në një bashkim me Drin, ndoshta mund të qëndrojë. Kjo kërkon një mendim linguisti kompetent, pastaj mbetet përsëri enigmatike S – ja në ballë.

Kodra – n, nuk e kisha nxjerrë direkt nga Barleti, kuptohet nga përkthimi i tij, i cili e quante konkretisht Kodra kështjellën, si Kodra ose si Kodra shkëmbi. (Rr – Sh – f 39, 40 etj.)

Këtë Kodra e krahasoja me një qytezë Kodrion, në jug në Epir i regjistruar i dokumentuar në ekzistencën e tij qysh nga shek II – III p.e.r., ndonëse i paidentifikuar akoma. 5

Mua më kishte rënë në sy një fakt mjaft evident.

Vetë Çabej kishte shkruar se “do të merren si primare në analizë emra që dokumentohen më përpara në kronologji etj”.

Ndërkaq ai vetë për rastin, kishte zgjedhur Scodra, që ishte një regjistrim i kohës romake të pushtimit (ose edhe i autorëve greko – romakë) dhe i kishte lënë jashtë regjistrimet e tjera më të hershme, që rezultonin nga regjistrimet numizmatike si: Skodrinon, Skodreinon, Kodrinon, Kodreinon, Drinon, Dreinon etj. 6

E pra këtu bëhej fjalë edh epër një distancë kohore, që shkonte nga shek. III p.e.r. e deri te një ditë distancë deri te kufiri i pushtimit romak, pra në një farë kuptimi takoheshin edhe si bashkëkohorë.

Por, Çabej e kishte neglizhuar këtë fakt – realitet, ai kishte marrë atë formë ose trajtë siç i quante ai, që i kishte leverdisur në atë qëllimin e tij, se forma Scodra kishte kaluar nëpër gojën e vendeve etj.

Por, këtu m.q.s. starti i analizës historike gjuhësore, nuk ishte në rregull si fillesë, domosdo ndoshta jepte edhe pasoja të tjera.

Kishim tek emri një evolucion praprirës ilir, nën atë korracën regjistruese të natyrës greke, apo një arsye të menjëhershme imponuese e pasojë a pushtimit romak, si p.sh. heqjen e menjëhershme të sufiksit grek Non dhe transformimit nga Dri në Dra?

Kishim me këtë rast edhe ndonjë ndërrim gjinie nga mashkullore në femërore?! Apo, apo, me pushtimin e djegien romake vetë qyteti i poshtëm largohej nga Drini e mbetej në pjesën në S – Kodra?

Ç’është e vërteta, te trajta Scodra, Çabej u mor vetëm me pjesën e përparme Sk: Shk, si një dukrui fonetike për disa raste specifike në rrugën historike të fonetikës albanishte – shqipe; dhe me pjesën Dra: Der, madje ai këtë diskutim e gjeti të hapur nga albanologët evropianë. Kështu te forma Scodra, ai u mor vetëm me “anët” duke lënë jashtë “midisin” – rrënjën / ose rrënjët e një kompozite, prejardhjeve dhe evolucionin historik, me ose pa ndërhyrjet deformuese të huaja etj.

Domosdo të bënte përshtypje, se te forma grafite: Skodrinon, Skodreinon, Kodrinon, Kodreinon, Drinon etj, që rezultojnë nga monedha shkodrane, bënte mu edhe me sy të lirë, identiteti i pjesës Dri / Drei në trup të emërtimit qytet, me vetë grafitë e regjistruara për lumin Dri, në autorët antikë si Drinon etj, për më tepër edhe se nga ana reale Skodrinon ishte qyteti me Dri, me Drin origjinalin e famshëm.

Dr. prof. Çabejt nuk i ra në sy ky fakt?!!

E pra te Drishti ai bën çmos që ta bëjë me Dri, i afron edhe Drimac / Kirin (ish Klausali – Qafë Shali) si një degë të Drinit, madje te zëri Drin, ka hedhur edhe idenë se vetë fjala Dri në ilirishten e lashtë përdorej në kuptimin (rrjedhë – lum), pra më përpara se të zëvendësohej nga lumi me bazë latinishten flumen.

Edhe për sa i përket shqiptimit, edhe aso kohe edhe sot e gjithë ditën mund të konstatohej fare lehtë se edhe zona e qytetit e ajo përreth e shqiptonin Dri me i hundore e paksa të zgjatur, por më tepër populli megjithëse e njeh Drinaz / Drinas – en, vazhdimisht preferon formën e parë. Diçka e tillë mbase ka qenë në traditë sa duket, edhe pse Drini mund të jetë alternuar disa herë në nivelin e ujrave në dy degët e tij. 8 Këndej, shtrohet pyetja: a i ka njohur me hollësi prof. Çabej ato regjistrimet e monedhave shkodrane?

Si mendim i parë, na vjen se ka të ngjarë që këtë temë, ai ndoshta ia linte vetë dijetarëve shkodranë e pastaj të bënte vlerësimet e përmbledhjet; si një mendim i dytë, duket seprej një kohe të gjatë ai ka pritur një raportim më të bindshëm të rezultateve të gërmimeve arkeologjike, si dhe të vetë literaturës numizmatike.

Në lidhje me rastet me vështirësi, aty nga viti 1963 ai shkruante: “.. vetë trualli i Shqipërisë, ndërkaq mundet që ruan fshehtësinë e burimit të gjuhës së saj. Shati i arkeologut mbase edhe këtu do ta vërë gjuhëtarin përpara një gjëje të papritur.” 9

Me 1966, S. Islami paraqiti një përmbledhje mjaft të vlerësueshme, të monedhave shkodrane me shkrimin grek, shoqëruar edhe me një Katalog. 10 Topi ishte tashti, si të thuash në fushën e gjuhëtarëve, por nuk dihet se përse me këtë zë konkretisht, Çabej nuk u mor më. (?!)

Madje nuk ishte marrë as me vetë fshehtësinë e kuptimit, shkaqet e ndërrimit etj, të emërtimeve: gjuhë shqipe, shqipëtar, Shqipëri, që ishin një detyrim madhor i tij, përderisa të gjitha punët vinin e grumbulloheshin rreth monopolit e kultit tëtij, siç ishte edhe metoda enveriane e asaj kohe…

Tashti, për sa i përket kërkimeve arkeologjike në Shkodra, mund të thuhet pa frikë e pa pikë hezitimi apo nënkuptimi, se përgjatë “të gjithë kohës së Enverit”, nuk u akorduan asnjëherë fonde serioze për gërmime masive e të mirëfillta arkeologjike. Arsyeja duhet kërkuar jo kund tjetër, por veç ta themi si më butë: në predispozicionin antishkodran.

 

Jugu enverian

      … Më në fund “jugu enverian”, me dëshirën e tij ia dorëzoi stafetën “veriut ramizian”, ose siç ia gjeti vetë populli sintezën: Hoxha Alija, Ali Hoxha”…

Aty nga mesi i viteve 80, në kuadrin e të ashtuquajturve “Novatorizma” u bënë edhe disa transferime të studimeve nëpër “Qendrëzat” poshtë. Për Shkodrën u caktuan ca fonde për nja dy a tre sezone verore gërmimesh. Për fat të keq, këto gërmime arkeologjike iu lanë nëdorë vetëm Bërthamës lokale të Muzeut, ose më saktë nja katër arkeologëve pa shumë përvojë e pa emër. Të mbetura pa asnjë orjentim, pa mbikqyrjen e pa ndihmën e kompetentëve të Tiranës, këto u transformuan shpejt nëgërmime sondazhi mbarë e mbrapsht. Si “suksesi më i madh” u trumbetua një prerje / ngushtim muresh, në vijën e trekëndëshit Drin – Bunë, një lloj muri mesjetar ,e lidhje llaçi. Ekzistenca e tij bënte mu, nga një trakt e kthesë që vetë gërryerja e ujit e kishte nxjerrë në evidencë, ndërkaq arkeologu, në stilin e asaj kohe mburrej se e kishte zbuluar me ndihmën e “mençurisë popullore”, sipas thënies së një plaku baçallekas se “nuk i bahej janxheja në atë vend”…

Po kështu edhe ekzistenca e një trakt muri me sisteme kullash, që dukeshin edhe me sy të lirë në mes të ferrave, u reklamuan si “zbulime të reja”. Një sinjalizim i yni për një trakt muri me gurë kuadratikë të punuar brenda në Drin i ngelur në nivelin e tabanit të zhavorit, pastaj edhe të ndonjë objekti mermeri në një vend ku duhej të kishte qenë ajo Gëlqerorja e shek. XIV, u “lanë” nga arkeologu Lahi, “për një radhë tjetër”…

Objektet që u gjetën iu nënshtruan më pas një shtegtimi magazinash… Shumë kohë më vonë u bë një raportim i thatë, me përshkrime tip inventarizimi, u shfaq ndonjë ide për kohën e Prevalitanit, e  kaq! Gjithë ato shpresa të mëdha që ishin vënë në këto kërkime, rezultuan një tullumbac i fryrë, gjithsesi si tërë përfundimet eatyre “novatorizmave”, arëzave, tufëzave, të imtave të konsumit të gjerë, përgjithësisht gjëra të vogla që, futeshin edhe në xhep kollaj…

Deri atëhere edhe kontributi i disiplinave të tjera në kuadrin e një studimi multidisiplinor, ishte gati i papërfillshëm, veçanërisht i hartografisë, hidrologjisë, gjeologjisë etj.

Në dekadën e Demokracisë pluraliste, u bënë disa punë të mira, sidomos me lirinë e pjesmarrjes në punë studimore, duke ia lënë vetë punës ta tregonte vlerën e saj.

Ndërkaq në punët e këqija, lidhur me çështjen që kemi në diskutim, është shkatërrimi dhe rrafshimi i Zonës arkeologjike, nga disa “autoktonë” të rinj. Është e vërtetë se të gjithë e kemi provuar dhe e provojmë shijen e hidhur të rrënimeve, që u bënë në kohën e pushtetit lokal të PPSH, por që të vazhdojë ky rrënim edhe nën pushtetin lokal demokrat, kjo është e papranueshme!

Studimi i i dr. R. Gurakuqit (ose më drejtë një Kumtesë me 5 copë faqe) ka pretendimin të japë një vështrim të përgjithshëm mbi prehistorinë, antikitetin, zhvillimin e qytetit në pellgun e Shkodrës, kronologjizmin, periodizmin etj, punë që në realitet, përveç thënieve sporadike, nuk ishte kryer më parë në një botim të veçantë. (v. 1995)

Mendojmë se ka disa pika të diskutueshme.

Autori e ka titulluar studimin: “Lidnja dhe zhvillimi i qytetit në krahinën ilire të Labiatisë”, duke e datuar këtë lindje nga shek. IV p.e.r. 11 Por, a kishte ekzistuar kjo krahinë e Labiatisë, në shek. IV p.e.r. dhe a ishte edhe vetë qyteti nën vartësinë e saj?!

Sa dimë deri më sot vetëm në regjistrimet romake të pas vitit 168 p.e.r., kemi regjistrim vetëm për liqenin Labeatus, sigurisht nën një trajtë të romanizuar. Në vitin 1969, në gërmimet në varrezën e Çinamakut, Kukës u gjetën edhe 3 copë monedha të Lisit, 1 copë e Skodrinon, Bazileos Genthios dhe 4 copë me një etnikon të ri Labiatan. 12

Autori i zbulimit, arkeologu B. Jubani, me të drejtë këtë monedhë e lidhi me territorin e fisit të Labeatëve / Labiatan, në rrethet e liqenit të Shkodrës. Fillimisht u pat menduar si një lloj datimi i shek. IV – V p.e.r., mirëpo më vonë u ndryshua mendimi aty te shek. II p.e.r., para vitit 168 p.e.r. etj. Edhe vetë fakti i dukshëm që deri atje kishin shtegtuar monedha të tjera të Skodrinonit, Lisit, gjithsesi fliste për interpretimin e rregullt që kishte bërë Jubani.

Dr. Gurakuqi na siguron se periodizimin, për “krahinën e Labiatisë”, ku fut edhe Shkodrën e një varg qytetesh të tjera, e ka bërë i bazuar në punimet tip të dr. prof. N. Ceka.

Ndërkaq Ceka e ka degdisur këtë Labiatan, si një “koinon” në rrethin e Kukësit, duke ia “internuar” jo vetëm origjinën, por duke i shtrembëruar edhe emrin si Labian, për më tepër “monedha e malokëve” ishte ehde me anijen e tipit liburn… nga sa duket orakulli ia kishte parathënë ndërtimin e liqenit të Fierzës, Cekës… !!! 13

Sa duket dr. prof. Ceka, atje ku të gjendet monedha, themelon edhe nga një koinon të ri, siç ka gjetur edhe një monedhë tjetër me etnikonin Ardianon në Elbasan… 14

Siç po shihet, këto ndërrime – hamendësitë e analizat e Cekës, nuk duken si shumë të sigurta.

Vijmë te një pikë tjetër. Dr. Gurakuqi shkruan: “Shkodra ka më se dymijë vjet që nuk ka ndryshuar emrin. Romakët e kanë thirrur qytetin Scodra: po ashtu edhe grekët… Han ka menduar se emri vjen nga fjala shqipe Kodra, Tezë kjo tashmë e kapërcyer nga studiuesit”.

Sigurisht, Gurakuqi tashmë duhet ta ketë të qartë, se është fjala për autorët grekë në shërbim të romakëve e jo për grekët e kohës së shkrimeve në monedhat e Skodrinonit të shek. II – III p.e.r.

N.q.s., Gurakuqi e ka fjalën vetëm për regjistrimin romak Scodra, vërtet ai me ca ndryshime të vogla, nuk ka ndryshuar edhe aq, në trashëgiminë gojore të ilir – alban – shqiptarëve, ndërkaq në burimet e shkruara të huaja ka ndryshime. Për sa i përket etimologjisë, vërtetë se ka mundësi që Hani u bazua në traditën gojore me fjalën shqipe Kodra, por ai e bazoi hipotezën (e jo Tezën) te një regjistrim i venetishtes, në Friuli në formën Codriopo (qytet i Kodrës).

Dhe e fundit: për thënien “Tezë e kapërcyer tashmë nga studiuesit”, na duket se Gurakuqi eka fjalën për një studim të vetëm të dr. prof. D. Luka, ku vetë ai hedh një hipotezë të re, por pa luajtur asgjë të mëparshme nga gjendja e hipotezës. Nuk do të ishim zgjatur edhe kaq shumë me këtë Kumtesë, po qe se ajo nuk do të ishte kryesorja në Simp. II, “Shkodra në Shekuj”.

Dr. prof. D. Luka me shumë meritë, ka demostruar një hipotezë të re me: “… kompozitën Shko + Drin, me kuptimin (qytet i ndërtuar) aty ku shkon Drini, formim i përligjur edhe nga konfiguracioni i vendit.” 15

Autori konkretisht tashti bazohet tek monedha shkodrane, duke futur si bazë elementin lum, Drinin, për të cilin mbron mendimin se edhe në shek. III – II p.e.r. ishte afërsisht aty pranë Shkodrës.

Ç’është e vërteta, dr. Gurakuqi ka tentuar ta largojë disi me hamendje Drinin nga Skodrinoni, për atë kohë, mirëpo harron se pavarësisht nga shmangiet majtas – djathtas të Drinit në atë shtratin e gjerë të zallishtes, gryka ku do të futet në fund të fundit, Kodër – shkëmb / Kështjellë – Harku i Berdicës nuk shkon më shumë se as 400 m!

Pasi ka përmendur atë trashëgimi të paraardhësve në temën e etimologjisë, d.m.th. atë që dinte edhe zyrtarisht, D. Luka ka demostruar edhe mundësitë nga ana teoriko – gjuhësore etj, dhe siç e thamë deri në fund e ka ruajtur relativitetin e hipotezës.

Diku midis rreshtave, D. Luka shkruan edhe për: “një veprim analogjie, ndikimi i emrave të ngjajshëm nga forma si Kodër – Kodra”, edhe këtë e ka futur si një mundësi të dytë për të justifikuar paraqitjen e asaj formës Skodra / Shkodra, e cila normalisht duhej pritur të shkonte si Skodri ose të paktën si Skodri – a, m.q.s. te vetë Drin / Drini është ruajtur mbaresa dhe gjinia mashkullore.

Kështu, ndonëse indirekt, D. Luka ka pranuar edhe ekzistencën e vetë fjalës Kodra në kronologjinë e shek. II – III p.e.r., d.m.th. përpara kohës romake.

Ndërkaq, në analizën e regjistrimeve numizmatike, na duket se ka vend për të diskutuar, qoftë për vetë formë grafitë e regjistruara, të paraqitura edhe në Katalog, e qoftë edhe për vetë metodën e përzgjedhjes së tyre nga D. Luka.

Së pari: D. Luka ka bërë një përzgjedhje me preferencë për trajtat e regjistruara në ndarjen Sko – Drinon, Sko – Dri – Non, m.q.s. i shkojnë për shtat idesë së tij të hipotezës etimologjike.

Duhet të vërejmë se po të jetë se këto ndarje shprehin kuptime sipas ndarjes, atëhere duhet të vëmë në dukje se ka edhe ndarje të tjera si: S – Ko – Dri – Non, Ko – Drinon, Dri – Non etj, çka do të thotë se kemi të drejtë të vendosim edhe hipoteza për ndonjë lidhje kompozite më të ndryshme. Por, përderisa jemi në relativitet, na duhet të mendojmë edhe mundësinë e një vendosje – ndarje sipas estetikës, mundësisë së vendit në monedhë. (?)

Së dyti: Nuk ka llogjikë që përparësija e përzgjedhjes së formë – ndarjes Sko – Dri – Non, Sko – Drinon, Sko – Dreinon, të justifikohet si trajtë më e saktë, sepse në atë fondin e Katalogut të 1966, na paska pasur numrin më të madh të prerjeve numizmatike. Sasinë reale të prerjeve numizmatike dhe raportet në numërimin total të tyre, absolutisht nuk e përcaktojmë dot sot etj, madje as sasinë totale që ka Muzeu dhe koleksionistët. Gjithsesi ky këndvështrim nuk përbën ndonjë argument për atë qëllim që përdoret, është një vendosje arbitrare.

Së treti: Siç e kemi thënë disa herë tashmë, ka edhe regjistrime të tjera të shrkuara: Kodrinon, KO – Dreinon, Drinon etj (në pjesën vijuese do të japim një pasqyrë të kompletuar, sipas Katalogut).

Në mendimet që ka shfaqur vetë prof. Islami, i konsideron këto grafi të shkurtuara, të një forme themelore që ai e merr si Skodrinon / Skodri’non / Skodreinon. Me këtë ide, ai për të gjitha monedhat e ndryshme ka një plotësim në kllapa me pjesën e munguar të grafisë si shkurtim. Madje, me shumë mendjelehtësi, prof. Islami në ndonjë rast prononcohet edhe “për gabime ortografike të numizmatit antik” (!?), çka është si fort e zorshme, n.q.s. nuk ka ndonjë lloj arsye tjetër.

(shih p.sh.: Skordi – Non, Skodrh – Non, Skodri)

Mendojmë, se në konditat e një çështje të hapur, në mundësitë e punës duhet parë se kemi ndoshta të bëjmë edhe me ish emërtime qëi kanë paraprirë, formës Skodrinon, pra shprehin në një fraë mënyre edhe një fazë më të hershme drejt zhvillimit si qytet. Por, ato mund edhe të jenë edhe si një përkatësi e një krahine me Drin – Anë ose e një lagje – pjesë më të veçantë të qytetit, së fundi mbase ngrejnë krye ish emërtime që ruheshin ende, përdoreshin sipas ndonjë preference etj.

Këtu, sigurisht duhet riparë edhe saktësia e kronologjisë, analizat kimike etj.

– vijon –

 

Referencat:

1. J. G. Hahn, “Albanesische Studien”, 1853, I, f. 238: A. Xhuvani, E. Çabej, “Parashtesat e gjuhës shqipe”, bot. në vëll. “A. Xhuvani”, I, 1980, f. 406.

2. Shih më sipër, “Parashtesat…”, cit; E. Çabej, “Spirantet, S – ja indoevropiane dhe grupet e formuara me të”, në Skicë e Fonetikës historike të shqipes, libri “St. për Fonetikën historike të Gj. shqipe”, 1988, f. 62.

3. E. Çabej, “St. për Fonetikën historike…” cit. në 2, f. 27.

4. E. Çabej, “St. Etim. në fushë të shqipes”, III, f. 321 Drisht.

5. “Ilirët dhe Iliria në autorët antikë”, T, 1965, Harte, Iliria Mijv I p.e.r. Kodrinon? i paidentifikuar.

6. S. Islami, “Le Monnayage de Skodra, Lissos et Genthios” me Katalog, në rev “Studia Albanica”, nr 11966 f. 225 – 253.

7. E. Çabej, “St. Etim. III, cit. F. 319, Drin.

8. K. Luka, “Gjeografia toponomastike në dy Kadastrat e Shkodrës të shek. XV”, Rev. Stud. Fil. Nr. 1, 1976, f. 136 – 188, zëri Drinazë – a.

9. E. Çabej, “Rreth Historisë së Gjuhës Shqipe”, 1973, f. 86.

10. cit. në shën. 6.

11. R. Gurakuqi, “Lindja dhe zhvillimi i qytetit në krahinën ilire të Labiatisë”, Sem. II, “Shkodra në Shekuj”, I, 1998, f. 15 – 19.

12. B. Jubani, “Varreza tumulare e Çinamakut, Kukës”, në “Përmb. art. ark. për Hist. e lashtë të Shqip.” I, Disp. I, nga S. Anamali, 1971, f. 198 – 200.

13. N. Ceka, “Ilirët”, 2001, 122, 135 etj.

14. Shih shën. 12, f. 200, kumtim gojor i N. Ceka.

15. D. Luka, “Rreth prejardhjes së emrit Shkodër”, në Sem. I, Shkodra në Shekuj, 1994, f. 223 – 228; “Rreth prejardhjes së emrit Drisht”. Sem. II, Shk. në She. f. 21 – 23.

 

Parlament 2001

      Vargje satirike për 100 zonat elektorale

O Ruzhdi or tungjatë jeta

Dëgjo çfarë të thotë malsia:

Këtu fiton demokracia,

Ndaj fiton Gjovalin Bzheta.

Der sa t’jeni komunista

Nuk u ecë kungulli mbi uj,

Kur të bëheni socialista,

Mund të votojm për partinë tuaj.

 

Lek o kandidat i kuq,

Bjeri drejtë, mos ia fut buq

S’han ma populli makllada,

Që ka hanger pesë dekada.

 

Xhevat, kandidat pa fat

Pjetri ty të xen fillë mat,

Të xen mat e shtremta jote,

Pjetri është një figurë bote.

 

O Ndrekë Ruka a e di

për ktë humbje s’ke faj,

Ba me rrejtë Vali si ti,

Ti me thanë t’drejtën si ai

Gara do t’buzqeshte ty,

Por ti dreqin ke në kry

E të mson veç me gënjy.

 

Esmeralda moj e aftë

je në grackë t’idesë së ngathtë

E astriti ësht në t’djathtë,

Nga marshon ideja e shkathtë.

 

Ferit Hoti nuk ka hall,

Biles them i prini fati

Sadetinin ka rival,

N’kohë t’Enverit n’komitet,

N’kohë t’Fatosit ndrroi demek,

Ndaj i thotë elektorati,

Ulu beg se ka hendek.

 

Gjergj unë them punë ma kotë

E ke ba në këtë maj

Se kandidatura jote

Ësht tamam mbi emni i sajë,

prandej garës silli shpinden,

Nuk e han me Jozefinen.

 

Mark Nikolli demokrat,

Viktor Dodës i ka thanë:

Për ktë besë ky elektorat

Voten s’ka si me ta dhanë

Se me shokt tu u pa puna,

Ju ia prutë shpirtin te huna.

 

More Kolë ti pasah fenë

them pa tru ia hyne lojës

Si mund t’matesh të me Azganin,

Që gjithë bota ia ndeju zanin

Ai është zemra e Tropojës

E si emnin ka edhe idenë.

 

Gzim dëgjoj fjalt e Muhametit:

Ju autorët e tërmetit

të vitit nantdhet e shtatë

Ba me pasë pak edukatë

N’ket fushatë do t’kishit dalur

Jo t’kërkoni votë, por t’falur.

 

Vallë çka thanë ky Jemin Gjana

Që ma t0drejtë nuk e ban nana

More Shqyqyri Duraku,

A s’sheh ku i mbrrini laku

Që ia hullt popullit n’fyt?

A nuk është populli yt,

Që don prap me ia lidhë ny,

A nuk ësht ky turp për ty?!

 

Ky Zef Gjoka foli kshtu:

Dëgjo Ramadan Hasani:

Pesdhet vjet na thau tirani,

Katër vjet na shtypët ju,

Boll ky popull me ju u dogj,

Shkoni ku çilë dreqi zogj

Ku ësht gjallë e juaja ide,

N’daçi n’Kinë a në Kore,

Mos t’u shohim ma ndër ne.

 

Dëgjo mirë ti Nikoll Lesi,

këto fjalë që t’i thotë Lleshi:

Qyshë se hipe n’atë karrikë,

S’ta pau hajrin kush nji pikë,

Veç botove “Koha jonë”,

Që e turpnoi krejt kohën tonë,

Me ato gjepura hini,

Që kah rrjedh Vjosa e Drini

Lana, Erzeni e Shkumbini,

Thonë Gazeta Nostradini.

 

Kjo Mirdita ka ba be,

Pasha qiel e pasha dhe,

More Ndre kot vjen ndër ne,

Na nuk e korisim doken,

Do t’votojm për Kolin Gjoken.

 

Çka po i thotë ky Luigj Gjoka,

Mark Nikollit komunist,

Populli nuk don ma hoka,

S’t’beson kush për socialist.

Socialist nder ju ka nji

E ai quhet Pandeli.

 

Thotë Kurbini more Preng,

Ti nuk ke se si na rrenë

kur s’na rrejte as nji herë,

Ju Gjon Gjonejn keni therë

E nuk keni turp me thanë

Duam votën me na dhanë.

O Halil t’piftë lala mendt

Dibra jonë e ka dhanë fjalën

Nuk çojmë në parlament

Kurr se si na Halil Lalen

Nuk e ndrrojmë grunin për klloxhen,

Do t’votojmë për Gani Hoxhen.

 

Ndi Luan çka t’thotë Avnija:

Venu vesh mirë fjalve t’mija,

Besnik Çera po na thotë:

Luan Ramës asnji votë.

Kush voton për Luan Ramen,

Dibrës tonë ia ven kamben.

Po ai e turpnon shqiptarin

Se Luani zemrën ka

Me ata që na kanë vra

Mua e Azem Hajdarin.

 

Gafurr Muka kështu tha:

Ismail Lleshi pat xhaxha

Haxhi Lleshin që i la

Komunizmin trashigim,

Ndaj s’mund t’jetë rivali im

Ky thotë s’jam si qeshë dikur

Se janë msue me ndrrue flamur

Dibra ja ku ta them unë:

S’e han djathin për sapun.

Se kush je e çfarë dëshron,

E tregon çfarë përfaqson.

 

Thotë Mentori mos e nga,

Ësht Iliri me daha

Kti për keq i ka dalë zani,

Aq sa krejtë i doli boja

Për Ilirin t’flet Tropoja

E gjon gjnaj e Azgani

Për terrorin që po mbjell

Brend e jashtë flitet me hak

Emnisti i internejshënëll,

Por ky s’don t’ia dij aspak,

Se do tìbëjë si e ka në gjak.

S’ke pse me na u la e ly,

S’t’pranon Dibra për kandil

Si duroi babën Xhemil,

Me t’durue tash edhe ty?!

 

Aliu thotë: O Petrit Bare,

Do ta kisha pasë për marre

Me qenë kandidati i atyre

Që na janë burim mënxyre

Mos u ban përkrahs i t’keqit,

Mos u ban ithtar i dreqit

N’daç me qenë dibran i dejë,

Popullin kurrë mos e rrejë

Mos i mbro gjërat e pista

T’socialistve komunista.

 

Besa more Pllum Shullazi

Dilaveri të kshillon

S’duhet me t’u lodhë germazi

Me çka as ti nuk e beson

Ndaj për hirë të Shqipërisë,

Jepi shqelmin leverdisë

Gja ma mkat nuk mund të njehet

Se t’gënjesh ke mund t’gënjehet.

Cilido shqelmon t’vërtetën,

Me së shumti shqelmon vehten.

 

Dëgjo Xhevahir Karaj

Çfarë të thotë ty Shkëlqim vllaj

Nuk ka gjë ma t’mirë në jetë,

Se të kesh rival t’vërtetë

Të punosh përpërparimin

E atij që t’jep votbesimin,

Por na thuaj një rast këtu,

Komunistat kur bënë kshtu?

 

Tha Mehdi Ali Mehmeti,

Ta dinë toka qielli e deti

Po ua them unë me gjithë zemër

Spartak Braho e Spartak Ngjela

Asht gjynah me pasë një emër,

Spartak Poç Braho Spartak,

Ësht e drejtë se kanë një gjak.

 

Taravol Osman Metalla

Që po i kishte fjalë të rralla,

Fjalë të sakta e jo prralla

I ka thanë elektoratit,

E ma gjërë nëpër atdhe

Bini mbrapa këtij fatit,

Që kto zgjedhje kanë për ne.

N’fitoftë krahi i Agron Dukës,

Shqipëria ka për t’ngelë

Shkolla e Ethem Rukës,

Përmasat e korrupsionit,

Si në kohë të Ilir Gjonit

E n’kohë të shokut kryeminister

E të tjerëve varg e vister,

Që Shqiprinë dinë veç me e mjelë,

Me ia lanë mafjes me e shkelë.

 

Mero Baze publicist,

N’gojë e n’shtyp gjithmonë realist

S’e çon vehten për ktë jetë

Me i thanë kush rrejte n’gazetë

Po na i thotë rivales tij,

Shihi femrat në Shqipri

Prostituta tridhjet mij,

Ca s’kanë pse me lindë fëmij,

Disa i kanë e vetë i çojnë,

Larg nga vehtja të jetojnë,

Se ktu nuk mund të rrojnë.

Prandaj them Zonja Natashe

Mos të solidarizohet

Me ty asnji grua a vashë,

Do ta shohin sherrin trashë.

Krahu yt të mos të votohet.

 

Bëjnë debat Pllumbi e Ziniu

Se si mund të ecë njeriu

Në Shqipëri ku s’ka ç’han miu,

Se pothuaj mafja e përpiu

Pllumbi thotë si ecë me ju

Tash gjithkush e ka kuptu,

Ndërsa ai që don me dashtë

Si u ecë në tonën kohë,

Le t’urdhrojë e vetë të shohë,

Nëntëdhjetë e dy nëntëdhjetë e gjashtë.

 

Tash më thuaj Hajdar Kovaçi

Çfarë mendon ti për Gjergj Kojen –

Ne të ndryshme e duam lojën,

Unë dëshroj t’fitojë kulaçi,

Ai dëshron të fitojë kërbaçi

Këtë nuk e deklaron,

Si çdokush që militon,

Ku çdonjeri e ka zakon,

Ndryshe flet, ndryshe mendon.

 

Liri Dibra nji burrneshë,

Thotë për cilindo ka veshë

E marrëzia trutë s’ia trashi,

Si disave ua trashë krejtë,

E dinë mirë kush ka të drejtë,

Unë, apo Bardhyl Agashi.

 

Ja tash Njazi Koçovrashti,

Që kurr mos iu kalbet ashti

Ven Zedinë me shpatull n’mur,

Jo pse ai nuk ka kulturë,

Por se n’politikë kultura

Mvaret nga kandidatura.

 

Fjalën ka Nezir Selimi,

Por nuk ka si t’i mbrojë trimi

Ata shokë që e kanë vu,

Se pse mbrojtja e tij ban muuu,

Prandaj fillë i thotë Tasimi,

Pasha ty e pasha mu

Ma poshtë s’keni ku me e çue

Shqipërinë që u kanë dorzue

“Grupet rrevolucionare”

Kallamardja shqipëtare,

Ata llumi i Shqiprisë,

“Vepra e ndritur e partisë”.

 

Seç po dridhte Visar Zhiti,

Për rrival që shorti i qiti

Spartak Poçin prozator

E poet e orator,

Ndaj Visarit i bën zbor.

 

Ti Bamir e ti Zamir

Në një rrokje nji soj jeni,

Por nji punë është e vështirë

Se idetë ndryshe i keni.

Ti kështu, ajo ashtu,

Ajo kuq e ti don blu

Por të kuqen tonë bëmat

Na e kanë ba me e dashtë si demat

 

Tash po e pyes Edi Paloken

Ç’thotë për Luan Hajdaragën

– Puna e tij nuk ma lodh kokën

Atij letrat krejt iu lagën,

Si u lagën t’gjith atyre

Me ide të asaj ngjyre.

 

Tash Besniku e ka fjalën

Të na flasë pak për rivalen

– Unë e respektoj shumë femrën,

Prandaj them do t’ishte e mirë

Që Edlira.

Si ka emrin, t’kishte zemrën.

 

Spartak Ngjela çfarë na thua,

Edhe ti sfidon nji grua

Po edhe unë them për Sajmirën,

Si Besniku për Edlirën.

 

E ty Vili Minerolli,

Thuaj rivali si të ndodhi?

– Edhe mua m’ka ndodhë Luan,

Por ideja e vet e ban,

Luan letrash, jo taman.

 

Fol Arjan për Ethem Rukën,

– Pasha bukën, pak do t’them,

Shoku Ethem,

Thonë ka qenë shumë fukara,

Tendrat t’pasur e kanë ba,

N’fusha tjera s’pat sukses,

Por s’e vret hiç ky kujdes.

Nji kujdes vetëm e vret,

Ky ka vetëm nji lakmi

T’ia kalojë klanit të vet,

Sa ma shumë në pasuri.

 

Engjull, si t’duket Musaja

– Musaja ka fjalë tëmdhaja

Si t’gjithë krahi i tij i majtë,

Që kurrë fjalën s’e kanë mbajtë.

Fjalën ka Zonja Mimozë,

Që shkruan vargje e herë prozë,

Me na falë për selinë rozë,

Me na thanë si e ka hallin,

Me atë Monika Kryemadhin.

– Veç nji hall unë kam me të,

Ajo e don t’sotmen si dje,

Don të nesërmen si sot,

Ndaj me të nuk puqem dot.

Unë e ftoj rivalen time

T’bëjmë nji Shqipëri pa krime.

Prostitutat shqipëtare

T’i shëndrrojmë në familjare

Ftyr’s Atdheut t’heqim ktë baltë

E ta bëjmë Shqiprinë krye naltë

Ktë ëndrruan t’parët tanë që moti,

Në ktë rrugë na ndihmoftë Zoti.

 

Ky Shabani nuk flet shumë,

Veç i thotë rivalit, Pllum

Nji dëshirë unë do të kisha,

T’flisje ti si plumm Beirsha.

 

Fjalën mori Meslim Ndroqi

– Hasan Hoxha due me t’pyet

Kjo parti që e udhhoqi

Shqipërinë tash katër vjet,

A e sheh se ku e ka zhytë?

Meriton me qenë n’pushtet?

S’dua përgjigje që ban lak,

Por dua fjalë që i ven kapak

 

Tash Astriti gazetar,

Që i ven fjalët mbarë e mbarë

Në RD tash e parë

E me to i erdhi hakut

Sidomos asaj Kyemadhit

Don me i fol Ejup Tabakut,

Që e ka nji farë rivalit

– E çka kam me i thanë Ejupit?

Ka parimet e Frrok Çupit,

janë si thonë do shkodran,

“Si dy teha n’nji gërshanë”.

 

Tash na flet ai Kardjolog,

Që me Azemin doli n’log

Në duel me diktaturën

E me shpatë ia rjepi lkurën,

Por medet kjo diktaturë,

Paska pasë disa lëkura

– Shiko, unë të them diçka,

Në t’vërtetë të gjithë i dua

Por nuk flas dot për ata,

Që s’kanë si me u marrë me mua.

S’dua të flas për gjëra t’vogla,

Nuk jam fmij me luajtë me gogla.

Ai m’rivalizon n’Kavajë

E d’e njeh Idenë e sajë.

Mirë ka thanë nji burrë nga Gruda,

Çdo kavajas, Josif Buda.

 

Foli Hysen Arkaxhiu

Fjalë t’nji burri nga Elbasani

Në sfidim shihet njeriu,

Del pra ktu Musafa Xhani

Me alternativën tuaj,

Shkrue me shkums e la  uj

 

Urdhno Tash Halit Shamata,

Se tek ti unë e kam veshin

– Unë e mund Shpëtim Kateshin

Se atë e mund lëngata

E atyre që e përzgjodhën

Me i mbrojtë për çka e sa vodhën

E për t’zezat Që Ata Mbodhën

Në ktë vënd që e ban ferr

E kërkojnë ta bëjnë ma sterrë.

 

Omer Stringa ligjëron

– Unë do t’them çka e din gjithkushi

Se në cilën gjendje jemi

E nga kush dhuratë e kemi,

Çdo shqiptar mirë e kupton,

Pra edhe zotni Durim Hushi

Tjetër gjë se e shtrembron,

Se ashtu i intereson

Se ky ka ate ide,

Që mban xhepin mbi Atdhe.

 

Mbas Omerit tha Kozmai,

– Z. Vilma ka nji faj,

Që ende nukpo e shlyen dot

Kjo të shtremtës i del zot

E unë them burri, as gruaja

S’duhet t’flasë me mend të huaja.

 

Ma pastaj fjalën e mori

Lublin Dilja, ambasadori

Fjala e tij të gjithë i joshi

– Unë mendoj Shpëtim Palloshi,

Ësht gabim por si disa,

që shohin e s’duan me pa,

Që dëgjojnë e s’duan me ndi,

Çfarë po ndodh në Shqipëri

E pra zonja e zotëri

Ju e dini se gjithmonë

Elbasani jonë,

Dëshëron demokraci.

N’mos u ktheftë nëntdhjet e gjashta

Shqiptart do t’vërshojnë përjashta,

S’rrinë me Ilir, Fatos, Gramoza,

Që kanë punë veç me mafjoza.

 

Çfarë po thua o koalicion,

Për rival shokun Agron

– Koalicioni i progresit

Shoku Agron ësht i regresit.

 

Ja çfarë thotë Eduard Kile

– Moj Elidë partia jote,

Nuk mund të jetë nji parti bote,

Kjo është e stilit t’vjetër

Fitoren e don patjetër

O me zort, ose me hile.

 

Po tha Adhurim Mileta

Ti ke folë fjalë të vërteta,

Sepse social komunista,

Do t’thotë njerëz të punve t’pista,

Hileqat në arka e n’lista.

Ktë e din mirë zoti Ndriçim,

Që ka dalë rivali im,

Po i ban t’keqes aferim.

 

Tash po flet Fahri Balliu,

Që të kuqët krejt i griu

Me ato shkrime që u vret shpresën

Çdo ditë në pasdhjet e pesën

– Dua të pyes more Namik,

Pse me t’keqen je aq mik

E me t’mirën kaq armik?!

Uluni tash nga ai fik,

Jo veç kokrrat ju rrëmbyet,

Por edhe degët ia shkyet

 

Koalicioni thotë, Elmaz

Mos u ças se ka tallaz,

Mos e lodh kot atë germaz,

Fjala jote shkakton gaz.

Nuk t’i merr kush përnjimend

Se çdo fjalë e ka pa vend.

 

Ktu ndërhyri Skender Qota

– Pa dëgjo mor Maksut Balla

Fjalët tua janë veç prralla,

Punët tua i njeh bota

 

Bashkim Vaska Ilir Zelës:

– E dinë edhe trutë e pelës

Se kush ishi e kush jeni

Çfarë premtoni e çfarë bëni

 

Por çfarë tha Meslim Murrizi

– Fol ç’të duash Hasllan Haxhiu

S’ia ndrron mendjen asnjeriu,

Për ç’ka heqë ia din kurrizi.

 

Ilir Bano kshtu ia mveshi,

Rivalit të vet Vath Koreshi

Dëgjo Vath këtë t’vërtetë

Bëje vath vare tek veshi.

S’ka ma marre në ktë jetë,

Nji shkrimtar si ti t’gënjejë

Shpresoj ky mendim të vlejë.

 

– Vladimir të thotë Marjeta,

Shumë pak fjalë veç të vërteta

Ësht përvoja e njerzimit,

Forca juaj me tonën s’matet

Ti ta dish pra demokratët

Janë atlet të përparimit.

 

Agim Rrelli, zonjës Arta,

– Ju keni premtime “t’arta”,

Sot të ëmbla, nesër t’tharbta.

 

– More Petro, tha Agroni

Dekorata meritoni

Për mjeshtrinë që ju zotroni,

Me trillime të paqena,

Që të mos u themi rrena.

 

Vërtet tha Fatmir Mediu

Çfarë s’i shkon mendja njeriu

Kta e thonë edhe e bajnë.

Rrejn e thejnë e rrejnë e thejnë

E nga t’gjitha kto gënjeshtra,

Pa diçka nuk i len vreshta.

Ja rivali im Alberti,

Rren e nuk ka kurrfarë derti.

 

Ja ç’thotë Ramadan Krasniqi

Socializmit i dual içi

Nëpër botë e jo ma ktu,

Apo s’është Fatmir kështu,

Që kta s’ngjasin me prendimin

Nësa vuajtja me gëzimin.

Fjalët boshe janë të ngurta.

Populli ka fjalë të urta,

“Rrena i këmbët e shkruta”.

 

More Agron Agalliu

Qyshë ma ke rivalin ti?

Ësht i ëmbël si gjithnji,

Ësht i butë si t’ishte dyllë,

Pothuaj gojën e mban mbyllë,

Kur flet fjalën mirë e shtryllë

Ësht i drejtë pr “Emrin yll”

 

Ja çka thanë Hasan Halili

– Dëgjo ktu Nazmi Bilani

Ju u ka mbaru fitili,

As vaj ma s’u ka kandili,

Rezistencën kot e bani

Puna juaj aq keq ka shku,

Vehten tuaj mos me e votu.

 

– Mirë po thua tha Agron Mile

S’fitohet gjithmonë me hile

E prandaj more Dritan,

Me ta thanë taman, taman

Ju tash kot po mihni n’uj

Në qershor e fundit dile

Do t’jetë dita e fundit tuaj,

Më tha Tishi,

Që e ndigjoi duke thanë gjyshin

Dymijë e njishi,

Do t’përsrisë nëntdhjet e dyshin

 

Artur Shehu flet nji fjalë

– Kastriot tash ma ngadalë,

Ulu tash prej atij kal,

Mjaft ke ndej mbi atë kalë me shalë.

Haram t’qofshin ato vjet

Që qëndrove deputet,

Deputet zgjedhë nga ata,

Që s’dinë tjetër veç “urraa”

Që kanë shkruar n’zemra t’veta,

“Enver Hoxha tungjatë jeta”.

 

Mihail Mita Flamur Rrogut

– Ju nuk jeni njerëz dialogut,

Jeni vetëm t’monologut

Prandaj qyshë n’nëntdhjetë e shtatën

Pushkatuat demokratët

Vitet tua shumë u zjgatën,

Tash s’ka ma për ju çfarë zgjatet.

Qershori me votë ju mori,

Do t’u kthejë prapë n’qeveri

Kur t’ketë ditë tridhjet e nji

 

Shpejt ia pret Naim Durdija

– Jam dakord me fjlë të tija

E din vetë Mustafa Muqi,

Se ktu s’ka ma vend kuqi…

 

Tash po flet Gani Fratari

– Ta dishë mirë Luan Memushi

E si ti ka dij gjithkushi,

Ndër ne t’dy unë dal i pari,

Ndër ne t’dy del i dyti

Se je i zhytur deri tek fyti

Në parimet komuniste,

Që i pagzuat “Socialiste”

 

Fatmir Qamo foli pak

Veç janë fjalë bash per marak

– Kam rivalnji Erjon BRAçe,

Që me rrena mbushë shumë faqe

T’Zërit t’popullit çdo ditë.

Për gënjeshtra është fabrikë

Me seri rrin duke i qitë

E s’po din kurrë me i vu pikë.

 

Mehmet Rrapo flet me vend

– Kush i ka dy pare mend

S’nevojitë agjitacion

E din vetë për ke voton

Unë e Marko jemi ktu

Marko kuq e unë jam blu

 

Eti Bujar Nepravishta,

Çfarë na thua për socialista

– Kta janë ata komunista,

Që kanë çue në Vlorë tre gishta,

Kanë pasë katër kryeministra,

N’katër vitet ma të pista

Për Bashkimin pse po hesht?

– Se e dinë të gjithë kush ësht

 

 

Tash Fatos fol sa të duash

SE ktij kryeministrit tonë

Ke sa t’duash çfarë mund t’thuash

Edhe n’ndejsh tue folë gjithmonë.

– Fjala jote ësht shumë e saktë,

Por ktu ka shumë komunizëm,

Ai që ësht i kuq i flakët

S’ka arsye, ka fanatizëm.

 

Thoma Nini u thotë korçarve

Trashigimi i të parëve,

Që ne patëm në kulturë,

Në ide e në flamur

U bë drita e t’gjith shqiptarëve

Prandaj neve sot o kurrë

Të tregojmë me votën tonë,

Ku qëndron qyteti jonë

T’jemni blu mos t’jemi kuq

Që Ben Blushat  të bien tuç

 

Bardhyl Londo nji fjalë thotë

Blu do t’jetë në Korçë çdo votë

Do t’tregojë po Korça plakë,

N’politikë kush janë dështakë.

Ka dalë Korça prej opiumit,

Që i dhanë shokt e Servet Pllumbit.

Sot Serveti n’parlament

Tingllon keq si instrument

Telash ndryshkur prej doktrinës,

Që s’e don as fundi i shpinës.

 

Alfred çako flet nji fjalë,

Ashtu shtruar me ngadalë

Dëgjo mua more Isuf

Sot në Korçë nuk ka matuf,

Nëse ngeli ndonjë gjallë,

Ta them unë janë tepër rrallë,

Që s’e dinë ku qe Shqipria,

Ku e çoi demokracia,

Kush ia solli prapë mandatin

Shqipërisë në nëntdhjetë e shtatën

E kush duhet n’qeveri,

N’ktë shekullin e ri.

 

Alfred Ollo bir korçarit,

Mbi të gjitha zog shqiptarit,

Demkrat qyshë se ka le,

Flamurtar i kohës së re,

Kshtu i thashka Mehmetllarit:

Korça do votojë për ne,

Se me ne e ndan suksesin

E me ne arrin progresin.

Si çdo vend në Shqipëri,

Korça n’jug, Shkodra n’veri

Ta them unë do t’jetë o mik

Një binom demokratik.

 

Rexhep Bregu doli shtruar.

– Pandeli more i uruar

Që të jemë unë realist

Ti je sade socialist,

Por s’t’ka vlerë ai socializëm,

Kur garon për komunizëm.

Ne e dimë se kjo parti,

Ty të don si krypën n’sy,

Por ende kta dredharakë,

Nuk i kanë kushtet me t’flakë.

E këtë e kanë treguar,

Kur qe puna për t’votuar…

Kjo parti ku je strehuar

Mos të ishte komuniste

Do të kishte aderuar

N’ndërkombtarë socialistë

Unë të keqen nuk ta dua,

Dil nga kta garo me mua.

 

Edhe Zihni Pollozina

Fatmir Xhafës i ka thënë:

Hiqi ato meturina

Që të kuqët t’i kanë lënë.

Mos mendo mbrapsht, por mbarë,

Si shqiptar e si korçar

Që e meriton ktë emër,

Nga se e don atdhenë me zemër.

 

Thotë Irsaku o Banush,

Kupa juaj ka kohë që u mbush

E këtë e sheh gjithkush.

Prandaj kjo fushatë formale

Tingëllon tepër anormale,

Për një çështje kaq banale.

Maqos i ka thënë Ritvani

– Dëgjo ktu Maqo Lakrori

U ka rënë mbi kokë tavani,

Tani lumi ju u mori

Në teposhte e keni punën,

Kush mbjell re do t’korrë furtunën.

 

Kolaicioni, o Sotir

Lëre fare e mos u shtir

Sikur s’i kupton kto gjëra,

Ju i keni humbë të tëra

 

Mihallaqi thotë o burra

Ti e ke emrin Flamur,

Duhet t’meritosh ktë emër

Si me gojë edhe me zemër.

Po ta thotë ty Mihallaqi,

Daçi ju apo nuk daçi

Deri n’flok u mbuloi llaçi.

Po ta them unë sinqerisht,

Po ta them me fjalë prej burrit

S’i ka hije hiç flamurit,

Me u zhytë n’llumin komunist.

 

Moj Makbule i thotë sfidanti

Po ta thotë nji fjalë Rolandi

Në ktë duel ti nuk ke shpatë

Ndaj lufton me duar thatë

 

Florjani o Vangjel Tavo

A  di kush të thotë ty bravo,

Ai që s’ka mendjen në kry,

Ose don me u tallë me ty,

O ka ndonjë interes,

Që për të i bahesh shpresë.

 

Miu përvesh tash Esheref

Fatos Nanos dalë ngadalë

– Po ku je o shoku shef,

Që sfidant ti më ke dalë!

Unë ty ktu do t’zë mat

He kur po na i kthen parat,

Që zëtrote e ka zanatë

Ti premtoje në çdo fushatë

E ato paratë e ngrira

Ku i çuat, pytje të vshtira?

M’je mësuar t’u bësh lak

Përgjigjeve o binak,

Por këtu unë të kam kapë.

Tani të ka ardhë sahati

T’i dij t’gjitha elektorati,

Vende pune sa ke hapë?

E sa demokratë ke zhdukë

E thesarin ku e ke futë,

Kush i nxiti terroristët,

Në vitin nëntdhjetë e shtatë

Kush i nxiti vandalistët

me djegë vendin ditë e natë.

Kush ia mbathi prej Shqipërie

N’ditë të katërmbdhjetë shtatorit?

Kush e bëri at çorbë listat

Në votimet e tetorit?

Dua përgjigje një për një,

As një shkronjë mos më gënje.

Ndonse je kaq i mbërthyer,

Nuk rri dot ti pa gënjyer.

S’i ike dot ti darës time,

Mirë ka thënë ai Ilir Bano

Gënjeshtra e Fatos Nano,

Me t’përngjashmet sinonime.

Engjëll Damaj, Arben Mala

Mos kujto se i han ma lala

Ato gjepurat e tua,

Djalë e vajzë e burrë e grua

T’njohin mirë se cili je.

 

E çke bër qyshë se ke le,

Prandaj bën autokritikë,

Mos u merr me politikë,

Ha ato para që vodhe,

Ma përpara e kur u zgjodhe.

 

Fatos Beja i thotë Nezanit

– nuk fitoni ma n’sajë t’Xanit,

Nuk fitoni dot me hora,

Se tani u kuptoi Vlora

Tani shkohet n’parlament

Me zotsi e argument

 

Flet Remziu rëndë e rënd

Moj Fatbardhë një t’mirë e ke

Vlorës i japim Emrin tënd

E ti rri aty ku je.

 

Tash u flet Mexhit Haxhiu,

E di Vlora çfarë njeriu,

E di mirë edhe gjetiu.

Edhe e di rival Ardiani,

Sa për mirë i doli zani

– Eh sa shumë ktë ditë e prita

Se në kohë të Enverizmit,

Si t’përndjekur më kanë shkelë,

Shumë marak më pati ngelë,

Tash shyqyr më erdhi dita

T’ia bëj golin komunizmit.

 

Thot tajari Eduard

Tani duart ngriti lart,

Se të ngecur e ke orën,

S’të lëmë ma ta djegësh Vlorën.

Boll e dogje, boll e poqe,

Boll për s’mbrapshti e udhhoqe

Tani i ke vu kapak,

Leri zyret, dil n’sakak

 

E çuditshme ësht kjo botë,

Tha i habitur Luter Nuri,

Nuk ka turp të kërkojë votë

Sabit Brokej zemër guri?!

Të jetë prap parlamentar,

Ai që Vlorën e ka zvarë?!

Ai që shpresën na ka varë,

Buuu, sa turp more shqiptar!

 

Dëgjo ktu Leonard Demi

Rivalit Fedhori Bei

Gjak shqiptari n’paç ndër dej

Duaja t’mirën këtij vendi.

Komunizmi ësht lëngata,

Që na mbajti pes dekada,

Ësht përbindsh me kthetra t’gjata,

Si e tregoi nëntdhjet e shtata.

Unë them ësht ma i madhi mkat,

T’jeshë i djallit avokat.

 

Blerim Çela që flet hak

e i thotë gjërat rrumbullak,

Rrumbullak pa qoshe aspak

Gramoz Ruçit po na i thotë:

Komunist si ty s’ka n’botë.

Me pasë n’dorë bën si askushi,

Ban si eduard Alushi

E si Myrteza Çaushi,

Bën si t’gjith shokët e tu,

që veç djallin kanë në tru

S’ka çudi ma t’madhe n’botë,

SE me marrë ti ndonjë votë

 

Me t’u dukur Filip Çakulli

Në çdo zemër u shkri akulli,

Që të kuqet e kanë ngrij

Me ngrij gjakun ksajë Shqipri

E t’u kthye sërish humori

E Filipi fjalën mori:

– Pa dëgjo or Stefan Çipa

Po i kujtoj unë zotris tande

Një nga këngët parizane

“Ato maja rripa rripa

herë ma hipe e herë ta hipa.”

Por ju hipët e nuk zdripët,

Deri sa u zbritëm ne

Prap na hipt n’nëndhjet e shtaten,

katër vite tepër zgjatën,

Tash kemi një hipje t’re

S’e bën populli at gafë

Me ju mbajtë ma kaliqafë

Se ju nguleni si gozhdë

E s’ka dreq që ju ulë poshtë.

 

Ky rivali i robert Çekut,

Deri tash gjahtar i lekut

deri tash gjahtar valutet

S’ka arsye për vota t’lutet

Ky në garë plot xhepin futet,

Zbrazë një xhep ky kësaj here,

Si çdo deputet i majtë,

Me ia dalë postin me e mbajtë,

Që u mbushë shumë xhepa tjerë,

Veç kush do që votën shet,

Ai fiton t’zezën e vet.

Ai shikon sa para merr,

Pa mendue se para bjerr,

Nji ditë drite, nji shekull n’terr

 

Uran Butka kështu i flet

Flakë për flakë rivalit t’vet:

More vlla opozitar

Neve u pamë ju katër vjet

Vazhdimsia për shqiptar

Do t’thotë nesër me ngranë bar,

Biles n’qoftë se ka me pasë

Se nji fjalë ka thënë shqiptari:

Komunizmi ku të shklasë,

Aty ma nuk mbinë bari.

 

Zonja Meksi tha Bujari

E kupton tashma Shqiptari

Vesin tuaj të trashiguar,

Nga ata që u kanë kuqluar

Çdo të keqe që ju bëni,

Opozitës do t’ua leni,

Por tani ndryshon krejt loja,

Renave u doli boja,

Mjaft me gjepura t’ksajë dore,

Duan Bashkim për Fitore

Nga: Valbona Cemi

 

Serbi liron 143 të burgosur gjakovarë, por shumë janë vrarë e zhdukur

      Pas dy vjet të vuajtjeve më çnjerëzore nëpër burgjet serbe u lëshuan këto ditë 143 qytetarë nga Gjakova, të cilët mbaheshin padrejtësisht nëpër këto kazamate.

Në ato momente të super – gëzimit të nënave shqiptare të Gjakovës dhe të afërmëve të tjerë të familjeve, që kishin dalur për t’i pritur bijtë, prindërit, vëllezërit dhe burrat e tyre, me zemra të djegura nga malli dëgjoheshin zërat: “Ku është biri im”, “O, ku je o loçka e nënës”, e sa e sa ofshama të tjera.

Ishin ato përqafime tepër prekse nga ankthi dhe malli i gjatë i akumuluar për më të dashurit e tyre, ishin ato momente gëzimi, plotë lotë, dhimbje e dashurie.

Ishin prekëse edhe fjalët e Kryetarit të Komunës të Gjakovës, Aqif Shehut që kishte dalë për të pritur djemtë trima të Gjakovës, këta pëllumba të bardhë e të shumëvuajtur të Lirisë, i cili potencoi me atë rast se: “Sot është festë e madhe për Gjakovën dhe këto familje të saj, e cila u shkatërrua pa masë në luftën barbaro – serbo – okupatore.

Në ato ditë gëzimi të papërshkrueshëm kishin ardhur edhe shumë qytetarë nga qytete të tjera të Kosovës, ata edhe pse nuk prisnin të afërmit e tyre, me dhimbje e dashuri përjetuan bashkërisht këtë ngjarje të rëndësishme kombëtare.

Sëkëndejmi, edhe shumë nëna, motra dhe bashkëshorte të tjera në Kosovë presin ende me padurim ndonjë sihariq për njerëzit e tyre familjarë të zhdukur dhe të burgosur në burgjet serbe. Me ardhjen e tyre, Kosova frymon më lirshëm për bijtë e saj.

 

Na shkruan Pal Delia nga New – Yorku

Enver Hoxha ka vra atdhetarin Ndue Marku në zyrë

      Enver Hoxha edhe Mehmet Shehi, po udhtoshin me Trenin e parë Rrogozhinë Fier; Dhe Herojtë e Komit Shqiptarë e kishin minosë Urën Hekurudhore, mbi Lumin Seman që është afër Fierit; por Herojt prapë dështuen!

Pse dështuen Herojt? se Komiteti Qëndror kishte dërgue roje të mshefta në pika delikate të Rrugës; dhe herojtë nuk dishin ose nuk kishin besim në minutin e saktë të kalimit të Trenit mbi Uren e minosun, dhe sahati për shpërthimin e minave nuk ishte vëndosë, dersa Treni të kalonte Stacjonin e parafundit Libofsh.

Kur Treni kaloj Libofshin, specialisti vendosi sahatin, por roja sekrete e Hoxha – Shehit e pa dhe e njofti se cilli ishte; Specjalisti u largue me shpejtsi dhe bashkë me Shoktë po priste vdekjen e tradhtarvet dhe të kriminelvet Hoxha – Shehi; Roja e Kriminelvet, hoqi sahatin dhe shpia e Herojvet u rrethue nga Policia! U arrestuen dymdhet Heroj dhe Heroina!

Enver Hoxha, duel vetëm sa për sy e faqe në Tribunën e Fierit për të pre sheritin e inagurimit të Rrugës Hekurudhore, Rrogozhinë Fier; dhe e majti kryet poshtë pa thanë as një fjalë. Mehmet Shehi, shau dhe shau sa nuk diti ma zi, dhe nga friga hiken me Helikopter!

Pra dine disa ju… Se Hoxha – Shehin nuk i ka dashtë kurrë Populli Shqiptarë; as nuk ka me i dashtë ata që të njekun Rrugën e Hoxha – Shehit, por ka për ti vra mos sod nesër, këta lloj njerëzish që na vranë, na turturuen, na mohuen të drejtën e Lirisë, të pasunisë, dhe na shkelën Gjakun e Lirisë.

Ndue Marku nga Dukagjini, ish Kryetar i Komitetit Egzekutiv në Tiranë; dhe një ditë Kryetari i Tiranës shkon për një gjoja ankesë, në Zyrën Enver, por sapo hapi derën e Hoxhës, roja e Tradhtarit, e vrau Ndue Markun!

Vërtetë, Ndue Marku kishte shkue për ta vra Enver Hoxhën, se roja e Hoxhës e diktoj se në qizmen e Kryetarit kishte revolver. Gjysa e trupit Ndue Markut ra mrenda zyrës Enver; dhe atditë e derisa Hoxha shkoj në Botën e meritueme meti psikopat; nga trandëditja, se shumë raste gjatë fjalimit i ikte mendja.

Së shpejti kan me u vërtetue me Fakte, se Ndue Marku nuk ka pasë kurrë lidhje me Shehin, dhe se Ndue Marku nuk ka kenë vetëm, por Shoktë e Kryetarit, kan me dalë në skenë atëhere kurë Enver Hoxha të deklarohet Tradhtarë pasi PS – ja e mbron dhe ka vën protretin në Ministrin e Jashtme.

Në Hotelin turistik të ujit të ftoftë Vlorë ku hoxha kishte shkue për pushim; Topshënuesi i Shashicës, që për pak minuta do të shemte Hotelin, u arrestua bashkë me Kapitenin e Anijes Breg – Detare edhe shumë Oficera të tjerë; mbasi Valtë e shfrimit laimrues të Anijes me Atentatorin, u kapën!

Universiteti Shqiptar, është krijue disa vjet mbas ardhjes të Komunistëve në fuqi, por Doktorë Fillozofie ende nuk kan dalë prej derës tijë, se Studentat nuk munden me msue të vërtetën, mbasi Marksizmi i Hoxhës del fallco.

Hoxha – Shehi vdiqën, por lanë statutin laraman të partisë dhe Kushtetutën e tyne; plus që Popullin Shqiptarë e lanë në ngatrresa Vllavrasje, mbasi shoktë e Hoxhës siç duket nuk e kan ndërmend me u pajtue me Popullin e vet! Dhe me i riabilitue s’pakti Shoktë e vet që Hoxha – Shehi i vranë pa faj!

Shoktë e Hoxhës e dinë mirë se kush u vra pa faj, dhe se kuj i shërbeu Enver Hoxha për një gjysë Shekulli; Populli Shqiptar i ka shrkue me Gjak, ato që banë Hoxha dhe Shehi; pra nëse Udhëheqja e sodit Shqiptare, nuk ja thotë Popullit vet të vërtetën; nga fundi i kti shekulli, Populli Shqiptar jo vetëm që nuk mundet me u bashkue, por ka rrezik që të përgjysmohet. Pra Udhëheqja e re duhet ti mendojnë të gjitha, ose:

Vaj Shqiptarë ç’i gjeti;

Me Udhëheqsa krye lepuri.

Populli Shqiptarë dhe ata që e drejtoinë, e dinë mirë se shumë gabim bani Enver Hoxha që u prish me krejt Boten! Sidomos me Kineztë, se nuk kish as një arsye.

Prishja e mardhanjevet, Shqiptaro Sovjetike, Shqiptaro Kineze, u festue në Beograd dhe në Athinë, muej dhe vjet. Mos – sod – nesër; Enver Hoxha ka me u denoncue nga Populli Shqiptarë, se cilli ishte.

Atëher lindë pyetja; si mundet Qeveria e Shteti Shqiptarë, me vazhdue Rrugën e atij që vrau atdhetarët, që shiti interesat kombëtare?

 

Nga Lulzim Lekaj, asistent i projektit për të Drejtat e Njeriut

      Pse në Shqipëri Kanuni mund ligjin?!

      Një ndër çështjet më delikate është roli i kanunit  dhe të drejtës zakonore në përgjithësi në realitetin e konflikteve në tranzicion. Për të evidentuar faktin nëse kanuni ndikon në konfliktet e sotme është e domosdoshme në radhë të parë t’u jepet përgjigje dis pyetjeve:

1 – A jeton akoma kanuni në ndërgjegjen individuale dhe kolektive?

2 – Nëse ky jeton deri në çafrë mase është konservuar dhe ruajtur nga kjo ndërgjegje?

3 – Sa njihen dhe zbatohen normat kanunore në rregullimin e marrëdhënieve ose në zgjidhjen e konflikteve në mes individëve apo grupeve të individëve?

4 – Çfarë vendi zë kanuni në raport me ligjin?

T’u japësh përgjigje këtyre pyetjeve nuk është e lehtë, por gjithsesi sqarimi i këtyre dhe të tjera pyetjeve, është më tepër se një domosdoshmëri. Sipas opinionit tim Kanuni jeton akoma në ndërgjegjen individuale dhe kolektive të një mase të madhe njerëzish. Kanuni është ruajtur në një masë të konsiderueshme vetëm nga një numër i vogël individësh dhe në një trajtë tepër të cunguar nga pjesa tjetër. Megjithatë vihet re një rendje e përgjithshme drejt rikrijimit apo ripërtëritjes të normave kanunore si një rregulues i marrëdhënieve midis individëve apo grupeve ose edhe si një instrument për zgjidhjen e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve.

Për shkaqe objektive, Kanuni njihet shumë pak. Jo vetëm masa e gjerë e njerëzve, por edhe ata që pretendojnë se e njohin atë, e kanë të vështirë të realizojnë një interpretim dhe zbatim korrekt të normave kanunore në rastet e zgjidhjes së konflikteve konkrete. Pavarësisht nga kjo situatë kanuni po përdoret si një instrument për zgjidhjen e konflikteve duke baktisur ligjin, institucionet dhe vetë shtetin. Pa dashur të mohoj kontributin e ndërmjetësve kanunorë, rezultatet janë modeste, sepse nuk po sjellin uljen e numrit të rasteve të gjakmarrjes.

Marrja e një roli të tillë nga kanuni është evident, nëse i referohemi asaj që thamë më lart që institucionet e shtetit janë jovepruese, në më të shumtën e rasteve ligji nuk funksionon. Pra, thënia e studiuesve që “kanuni ngre krye sa herë që nuk vepron ligji” është më se e vërtetë. Nga të gjitha vëzhgimet tona u vërejt një fakt interesant. Nga njëra anë të gjithë të anketuarit apo dhe pjesmarrësit në takime pranonin ekzistencën dhe veprimin e kanunit në ditët e sotme, por në të njëjtën kohë theksonin se kanuni është një instrument juridik që i ka kaluar koha dhe se nuk mund të zbatohet në ditët tona. Ata bashkoheshin me idenë se roli i kanunit në zgjidhjen e konflikteve ka qenë tepër pozitiv.

Është fakt se kanuni njihet më tepër si një mit i shqiptarëve, se sa si një realitet i njohur prej tyre. Kanuni njihet fare pak nga një pjesë e kufizuar individësh. Në zonat në të cilat u organizuan takimet dhe anketimet u vërejt se shkalla e njohjes së kanunit është shumë e vogël. Një gjë e tillë është krejtë normale, nëse marrim në konsideratë faktin e vështirësisë në absorbimin e përmbajtjes së normave kanunore nga masa e njerëzve dhe përpjekjet e mëdha që ka bërë shteti komunist për çrrënjosjen e tij nga ndrëgjegja kolektive dhe individuale e shqiptarëve.

Një fakt interesant u vërejt nga të gjitha kontaktet, bisedat dhe vëzhgimet e tjera. Rrethi i personave që kishin njohuri për kanunin ishte mjaft i vogël dhe kjo kategori i përkiste disa personave të moshuar me një farë eksperience në drejtim të njohjes dhe interpretimit kanunor. Pjesa tjetër, pavarësisht se fliste për kanunin apo përipqej të demonstronte njohuritë e saj për të, nuk kishte njohje qoftë edhe relative, të normave kanunore përjashto këto ndonjë ide apo informacion i natyrës sporadike. Në kushtet e mosnjohjes së tij është e vështirë të pranohet fakti i përdorimit të kanunit si një instrument për zgjidhjen e konflikteve apo për regullimin e marrëdhënieve në mes individëve. Përpjekja për ringjalljen e kanunit më tepër interpretohet si një reaksion ndaj moszbatimit të ligjit. Në pjesën më të madhe të këtyre zonave ekzistonin grupe që merreshin me zgjidhjen e konflikteve duke marrë si bazë kanunin. Megjithatë ata shpreheshin se puna e tyre është një përpjekje për zgjidhjen e konflikteve në mungesë të funksionimit normal të shtetit dhe ligjit, pasi ata pranonin pamundësinë që kanuni të zgjidhë konfliktet e ditëve të sotme.

Gjendjen e rëndë të konflikteve të gjakmarrjes shumë individë janë përpjekur t akomentojnë si një pasojë e rilindjes të kanunit. Një tezë e tillë është përkrahur nga të ashtuquajtur “studiues” vendas dhe të huaj. Një përfundim i tillë mbështetet në një njohje të përciptë ose më saktë në një mosnjohje të plotë të frymës dhe përmbajtjes së kanunit.

Në të gjitha takimet dhe anketimet që u realizuan me individë të ndryshëm iu drejtuan pyejtet e mëposhtme duke u kërkuar njëkohësisht edhe argumentimin e përgjigjeve të tyre.

A është kanuni një shkak për lindjen e konflikteve në përgjithësi?

A është kanuni shkaku kryesor i fenomenit të sotëm të gjakmarrjes?

Të gjithë të pyeturit pranuan faktin se kanuni është nxitës i konflikteve në përgjithësi dhe atij  të gjakmarjes në veçanti.  Përkundrazi ai mund të përdoret si instrument efikas për zgjidhjen e këtyre konflikteve, në mungesë të funksionimit normal të shtetit dhe ligjit. Në rastet ku shteti do të ketë vendosur përfundimisht rendin e ligjit, kanuni do ta humbasë edhe këtë rol për t’u kthyer vetëm në një relike të trashëgimisë juridike të shqiptarëve.

Forca dhe pushteti i sotëm që ka marrë kanuni e ka burimin jo në nostalgjinë e individëve ndaj kanunit apo në mosbindjen ndaj ligjit, por në mosfunksionimin e këtij të fundit.

Mnbështetur mbi vëzhgimin e realitetit të konflikteve në Shqipëri, dhe sidomos në pjesën veriore, në të cilën bëjmë pjesë, fitohet përshtypja se kanuni nuk është shkaku kresor i lindjes apo vazhdimit të zingjirit të konflikteve në përgjithësi dhe gjakmarrjes në veçanti. Një opinion i tillë mbështetet në disa argumente si më poshtë:

1 – Shumica e personave që kryejnë veprime hakmarrëse apo gjakmarrëse nuk e njohin dhe respektojnë kanunin, por veprojnë mënyrë individuale duke i rënë ndesh, jo vetëm ligjit por edhe normave kanunore që parashikojnë një rregullim dhe zgjidhje të konfliktit konkret. Një gjë e tillë evidentohet nëse vërejmë tendencën e shumë individëve për t’u hakmarrë pavarësisht se një gjë e tillë bie ndesh me normat ligjore, morale apo kanunore.

2 – Palët që ndodhen në një konflikt shpesh nuk respektojnë normat kanunore, të cilat parashikojnë një pajtim të tyre. Kështu, ato shpesh nuk i binden vendimit të pleqësisë si një institucion që kanuni e ngarkon për zgjidhjen e një konflikti. Realiteti i sotëm dëshmon se fuqia e pleqësisë nuk është detyruese për palët, por vendimet e saj kanë një lloj fuqie vetëm nëse pranohen në mënyrë vullnetare nga të gjitha palët në konflikt. Mungesa e fuqisë detyruese dhe mekanizmave garantues për respektimin dhe ekzekutimin e vendimeve të pleqësisë na bind se kanuni nuk ka një pushtet real në ditët tona.

3 – Në normat kanunore nuk stimulohet fenomeni i gjakmarrjes. Përkundrazi, në një fakt të caktuar të zhvillimit të konfliktit, autoriteti i kanunit dhe i zbatuesve të tij i detyron palët të pajtohen. Një gjë e tillë nuk vërehet në ditët e sotme. Në shumë raste individë të caktuar janë përpjekur të vendosin në një kuadër kanunor edhe veprime që bien ndesh haptazi me përmbajtjen e normave kanunore.

4 – Ngujimi që i bëhet të gjithë pjestarëve meshkuj të familjeve apo fiseve pa dallim moshe, duke mosrespektuar normat kanunore, tregon se kanuni nuk zbatohet. Rast flagrant është sidomos ngujimi i më të miturve (fëmijëve). Fatkeqësisht nuk respektohet përmbajtja e normave kanunore në lidhje me personat mbi të cilët rëndon gjakmarrja. Nëse kanuni do të ishte fuqiplotë, kurrsesi nuk do të kishim ngujime masive edhe të personave me lishje të largët me vrasësin apo familjen e tij. Kanuni e përcakton në mënyrë të shprehur se gjaku merret vetëm mbi personat që ndodhen në një familje “… sa merr tymi i shpisë…”. Raste flagrante janë ngujimi edhe i fëmijëve të mitur, ndonëse një gjë e tillë ka qenë kategorikisht e ndaluar nga normat kanunore.

5 – Në fund të fundit një individ hakmerret duke vrarë gjaksin jo nga pushteti i kanunit, por nga shtytje të brendshme psikologjike dhe shpirtërore, të shkaktuara vetëm  nga dhimbja e humbjes të të afërmit të tij dhe dështimi i institucioneve të shtetit në zbatimin e ligjit dhe veçanërisht në dënimin e fajtorëve.

Edhe rezultatet e anketimit konfirmojnë rolin jo nxitës të kanunit në lindjen e konflikteve. Vetëm një përqindje mjaft e vogël e të anketuarve mendojnë se kanuni është nzitësi kryesor i konlfikteve (rreth 2.2 % e të anketuarve). Për më tepër që shumica e të anketuarve e shohin me skeptcizëm të thellë autoritetin e kanunit në lidhje me zgjidhjen e konflikteve (Shih rezultatet e anketimit).

Këto argumenta dhe të tjera mendoj se përforcojnë idenë se kanuni më shumë se një shkak për lindjen dhe shtrirjen e fenomenit të gjakmarrjes, përdoret prej individëve si një pretekst për të justifikuar veprimet e tyre hakmarrëse.

 

      Nga: Mid’hat Frashëri

      Shqipëria është Iliria e vjetër dhe Epiri i Greqisë

      Qysh nga ardhja e turqve në Europë, Epirika qenë konsideruar si një pjesë e Greqisë aop e Shqipërisë?

Tek një autor me origjinë greke Teodore Spandugino Cantacuscuino, në një histori mbi origjinën e Turqisë, ne lexojmë pjesët e mëposhtme:

“Perandori Cantasuzene zgjodhi në Janinë një njeri nga shtëpia Spata dhe e bëri nën – dhespot dhe guvernator so bashku me një Musak Topia nga tëcilët njëri qëndroi në Janinë që ishte kryeqyteti i mbretërisë së Shqipërisë.”

“Janina, e cila ishte një vend i fortë, ka qenë kryeqyteti i gjithë Shqipërisë.”

“Amurati, që ishte në gatishmëri, pa pritur më gjatë, hyri në Shqipëri dhe pushtoi Artën.”

Pra, jo vetëm Janina por edhe Arta konsiderohej si territor shqiptar. Për më tepër Sansovino në faqen 302 na tregon se në kohën e ardhjes së turqve e gjithë Maqedonia quhej Shqipëri sepse banorët e saj flisnin shqip duke u shtrirë nga Thesalia deri në Dalmaci, kufizuar në Lindje nga lumi Strimon dhe shtatë liqenet e tij të mrekullueshëm.

Domethënë qysh nga koha e ardhjes së turqve, Epiri shqiptar nuk ishte aspak grek përkundrazi mund të thuash se një pjesë e madhe e Greqisë ishte shqiptare dhe se turqve iu desh të luftonin në Greqi jo vetëm kundër princëve vendas por kundër princëve shqiptarë.

Mbas pushtimit turk dhe gjatë shekujve modernë a ka pësuar ndryshime fizionomia etnografike e Epirit? Nuk e besojmë. Turqit e kanë konsideruar Epirin si një tokë shqiptare dhe historianët e tyre e përshkruajnë këtë rajon meemrin arnautllëk (Shqipëri) kurdoherë kur flitet për Himarën, Delvinën, Pargën, Janinën ose Prevezën.

E tillë është konsideruar ajo edhe nga misionarët katolikë të Romës, për të cilët Epiri formonte vazhdimësinë jugore të Shqipërisë.

Një dokument interesant i ruajtur në arkivat “Propaganda Fide” të Romës, që daton më 1703 dhe është dërguar nga peshkopi i Antivarit Mgr Vincenzo Zmaviewich, një slloven i lindur në Perasto, përcakton kufijtë e Shqiprisë që shtrihet nga Antiveri dhe Dulcigno deri në gjirin e Artës në jug (Italisht në tekst).

“Shqipria.. e vënë nën zgjedhë nga turqit, e kufizuar me Maqedoninë dheEpirin si dhe me një pjesë të mirë të skajit të Dalmacisë, zë sot gjtihë atë pjesë bregdetare që ndodhet ndërmjet Postroviçit, kufiri i fundit i republikës Venete dhe gjirit Ambarkisë, i quajtur liqeni Arta duke përfshirë me emrin Shqipëri jo vetëm qytetin Tivari dhe Ulqini, pranë Dalmacisë, por edhe gjtihë Epirin qështrihet nga Vlora deri në Arta si dhe pjesa më e madhe e Maqedonisë.

Pra, Epiri përshkruhet vetëm si pjesë, si një provincë e Shqipërisë, si Toscana në Puglia në Itali, si Gaskonje ose Provence në Francë.

Për dijetarët modernë kjo çështje qëndron vetëm kështu dhe jo ndryshe. Në botimin e tretë të vitit 1778 në Gjenevë të Enciklopedisë nga Didero dhe Dalembert, në artikullin “Shqipëria”, ky vend përshkruhet i kufizuar:

“… në perëndim nga gjiri i Venecias, në veri nga Dalmacia dhe Bosnja, në lindje nga Maqedonia dhe një pjesë e Thesalisë, ndërsa në Jug nga Achaie ose Livadie. Me emrin Shqipëri kuptohet Iliria e vjetër dhe Epiri i Greqisë…”

Gjatë gjysmë – pavarësisë së Ali Pashës, Epiri ka qenë konsideruar vetëm si një pjesë integrale e Shqipërisë dhe francezi Mark Bruere des Rivaux s’ka bërë gjë tjetër veçse ka thënë një të vërtetë të thjeshtë kur i spjegonte Ali Pashës së Janinës se “me Epir kuptohet e gjithë hapësira e banur prej arnautëve ose shqiptarëve me përjashtim të Maqedonisë ku ishte vendosur pashallëku i Shkodrës.”

Mbas luftës ruso – turke të vitit 1877, atëhere kur projektohej copëtimi i Turqisë, në një seancë të kongresit të Berlinit u propozua me shumë “bujari” nga Franca që t’i jepej Greqisë një pjesë e Shqipërisë së Jugut që shkonte nga Preveza deri në luginën e lumit Kalamas.

Ky ishte një territor shqiptar por në atë kohë mendohej vetëm për shtete tashmë të pavarur dhe ishte e natyrshme që të mohohej egzistenca e një kombësie tjetër aty. Shqiptarët u revoltuan kundër një dhunimi të tillë të të drejtave të tyre kombëtare. Ata protestuan kundër kësaj padrejtësie dhe e famshmja Lidhja e Prizrenit, që shtrihej nga Shkodra deri në Prevezë, mori pjesë aktive në këtë çështje duke dërguar një mision në kancelaritë e Fuqive të Mëdha. Përkundrejt këtij manifestimi krejt të ligjshëm dhe me gjithë demostrimet dhe qëndrimet qesharake të Greqisë, gjyqi evropian e dha verdiktin e vet dhe nuk pranoi t’i jepej Greqisë një pjesë e Shqipërisë.

 

Pse e braktisin Albanezët atdheut?

      Shqiptari e lë atdheun pa të keq jo për të emigruar, por për të kërkuar fatin gjetiu dhe ndoshta është ky eksod që e pengon vendin e tij të lindjes të begatohet sa më lart. Është gabim të besohet se shqiptari jashtë vendit të tij kërkon punë për të cilën ai nuk mundohet shumë.

Bullgarët janë të shëmtuar dhe me fytyra të trishtuara. Kostumet e tyre pa shije e pa ngjyra të gjalla, janë tëqendisura me ngjyrë jeshile të errët dhe të zezë. Pranë trye shqiptari duket i bukur me atë veshje të kuqe, që shfaqet përpara nesh i hipur në kalë, me pushkën në shalë, me një pamje madhështore, ngadhnjimtare dhe hijerëndë prej zotnie. Ai vjen nga Korça dhe, i paisur me pushkën dhe zotësinë e tij, shkon të kërkojë fatin në Stamboll. Ai do të bëhet ZAPTIE, prefekt ambasador, ndoshta vezir i madh dhe kudo ai do të mbajë sërën e tij.

Ndër kaq të gjithë ata që largohen nga fshatrat e vilajeteve të Janinës, Manastirit, Shkupit dhe Shkodrës nuk shkojnë veçse për t’u bërë nënpunës, funksionarë dhe KAVASS të thjeshtë. Një numër akoma më i madh, marrin rrugën e egzilit me qëllimin jo për të shkëlqyer e për t’u dukur por për të fituar bukën e gojës me djersën e ballit.

Kostandinopoja numëron ndoshta më se 60. 000 shqiptarë të ardhur prej katër vilajeteve të Shqipërisë. Disa mjeshtëri janë tërësisht në duart e tyre dhe kryeqyteti i perandorisë nuk do të mund të bënte dot  pa to.

Viktor Berard

Mustafë Lici sfidon Fatos Nanon

      Kur gjithçka është e shëmtuar sot në politikën shqiptare, gjërat e mira dallohen qartë. Kështu, bie në sy një ndryshim rrënjësor në politikën e liderit demokrat Sali Berisha. Ai dhe “Bashkimi për Fitore” po zhvillojnë një fushatë fare të qetë, ndërsa kampi rozë me shumë nervozitet. Në këtë vështrim politik, shprehja e Mustafë Licit, kryetarit të partisë Mendimi i Djathtë Liberal – Demokrat, se “ne prodhojmë Politikë, Komunistët Vjedhin Politikë”, i ka të tëra brenda. Ka brenda varfërinë ku Shqipëria renditet në pesëshen më të varfër të Globit krah Mozambikut, Ugandën, Tanzaninë dhe Sao Tomen e Afrikës. Ajo shprehje ka brenda hesthjen prej varri të vjedhjes së thesarit të shtetit nga komunistët, diferencimet e theksuara politike ndaj kundërshtarëve, “bombën” që mund t’u plasë në duar shqiptarëve nëse duart e tyre hedhin votën për komunistët.

Mustafë Lici, kryetari i Mendimit të Djathtë Liberal Demokrat me seli në qytetin bastion të demokracisë, në Shkodër, si i vetmi kryetar partie disident, pra i burgosur politik, arriti të akumulojë një besueshmëri tek votuesit shqiptarë falë çiltërsisë dhe trimërisë së apelimit të punëve të zeza të komunistëve. Ai, shumë shpejt, vetëm në Shkodër arriti të anëtarësojë 9803 anëtarë me triska të rregullta. Këtyre njerëzve u qëndroi pranë, i ndihmoi, jo nga vetja, por nga politika progresive dhe lidhjet me kontratë me botën perëndimore. Vetëm nga janari e deri tash, ka ndarë ndihma ushqimore dhe medikamente mjeksore në një vlerë prej 280 000 000 lekësh, çka tërë Shkodra e di, pasi shifrat janë të gjalla që qeveria e Fatos Nanos nuk i afrohet askërkund kësaj pune. Kështu, ai arriti ta sfidojë mafiozin Fatos Nano. Dhe kontratat me perëndimin janë afatgjata, deri në vitin 2006.

Nëse forcimi i partive sot shihet si dobësim i Shqipërisë, pasi interesat klanore tashmë janë bërë peng të jetës shqiptare, ndryshe ndodhi në këtë rast. Partia Mendimi i Djathtë Liberal, si një ortek i fuqishëm kundër komunizmit, iu bashkua alternativës së “Bashkimit për Fitore” për të shënuar një fitore bindëse më 24 qershor.

Nëse komunistët po japin para tek njerëzit e hurit e të litarit nga xhepi, pra nga hajdutëritë e katër viteve qeverisje, zoti Lici vetëm duke shpërndarë vërtetë me zemër në dorë ndihmat që arriti të sigurojë nga Perëndimi, arriti të bëjë për vete, pra në krah të “Bashkimit për Fitore” shtresën më të varfër të Veriut Shqiptar. Në lagjen Liria, në Bardhaj, Postrribë, Grudë, Shtoj, në lagjen “Mar Lula” vëta është në krah të të djathtëve.

Një popull kaq i vuajtur, hajdutëve si Fatos Nano din t’u marrë edhe paratë, edhe t’i lënë të turpëruar. Ata kësaj here duhet të marrin nga shqiptarët vetëm përbuzje.

Nga: Sokol Pepushaj

Demokratët nën dhunë e terror

      Në Shqipëri jo vetëm nuk njihen të drejtat e liritë njrëzore, jo vetëm që nuk respektohet Kushtetuta, por dhuna dhe represioni komunist mbi kundërshtarët politikë është i dukshëm. Kështu, pas ardhjes në pushtet të socialkomunistëve në pranverën e ‘97 – ës me kallashnikov e tritol, janë shumë demokratë që janë bërë viktima të bindjeve politike. Ja demokrati Ded Marvukaj, i datëlidnjes 16. 02. 1974 nga Zagora e rrethit Malësi e Madhe, megjithëse ish – drejtor i shtëpisë së Kulturës atje, pra artist, mbrëmjen e gjashtë shtatorit 2000 është gjetur nën goditjet kafshërore të një bande. Dhe banda jo vetëm që nuk është ndjekur nga organet e policisë, por ka versione se ata mafiozë atë ditë janë takuar kokë më kokë me kryesocialistin Ruzhdi Duli, i cili sot po bën fushatë për deputet në parlamentin e ardhshëm shqiptar.  Anëtrai dhe veprimtari i partisë demokratike Ded Marvukaj është qëlluar me armë me 03. 04. 2001 dhe falë shansit ka shpëtuar.  Por janë me qindra raste të tjera që demokratët janë pushkatuar, siç ka qenë fjala vjen rasti i anëtarit të Unionit Antikomunist Shqiptar Senahi Gjekës. Demokratit Ded Marvukaj bandat komuniste i kanë grabitur edhe gruan Klotilde Marvukaj, për të cilën nuk dihet, është e gjallë, e vdekur apo është shitur nga mafiozët për qëllime prostitucioni. Dhe veprime të tilla po dirigjohen nga pushtetarët socialistë. Skafet e kryeparlamentarit shqiptar Skënder Gjinushi, të ministrit Et’hem Ruka apo Arben Imami tashmë janë bërë tmerr i shqiptarëve në qytetin bregdetar të Vlorës.

Në kushte të tilla demokratët në Shqipëri janë nën trysninë e dhunës dhe represionit. Atyre nuk u mbetet rrugë tjetër veçse të luftojnë kundër diktaturës, ose të braktisin vendin për të gjetur qetësinë e jetës. Demokrati Ded Marvukaj zgjodhi si rrugë shpëtimi braktisjen e Shqipërisë. Por dita e votimeve të 24 qershorit për deputetët e parlamentit shqiptar duhet të jetë patjetër dita e zbuarjes së diktatorëve të kuq që e rreshtuan Shqipërinë në katërshen më të varfër të Botës, që e banë Shqipërinë vendin e padrejtësirave dhe të kriminalitetit, tashmë shqetësim për tërë vendet perëndimore.

Denada Kraja

Artur Pepaj, model i persekutimit komunist

      Është vetëm nëntëmbëdhjetë vjeç e pak, por mbi shpinë provoi një dhimbje, një persekutim ekstrem Artur Lulash Pepaj; Ai pra, megjithëse i përket datëlindjes 07. 03. 1982; si shumë të rinj demokratë shqiptarë është vënë në shënjestër të sigurimit të shtetit mafioz komunist. Jeta e këtij djaloshi, derisa u detyrua të braktisë atdheun, ishte një model persekutimi. Meqenëse gjyshi i tij Gjon Marashi rreth viteve 1950 është burgosur nga regjimi i Enver Hoxhës për bindje politike, meqenëse të parët e tij u kolektivizuan në kooperativë  jo me dëshirë, por me dhunë dhe iu rrëmbyen pronat në fshatin Shakotë, meqenëse e ëma Rozina dënohet të punojë nga ish komunistët në ndërmarrjen e vështirë të konservave dhe i mohohet kategorikisht e drejta e shkollimit, Artur Pepaj detyrohet të punojë në kishë si Xhakua. Kështu në moshën 12 – 13 vjeç regjistrohet në Oratorinë e Don Boskos. Me përfundimin e shkollës 8 – vjeçare fiton konkursin për vazhdimin e shkollës At Pjetër Meshkalla.

Djaloshi Artur Pepaj në ngjarjet e pranverës së vitit 1997, kur komunistët e Fatos Nanos uzurpuan pushtetin me dhunë e tmerre, u bë objekt i kërcënimeve edhe me eleminim fizik. Madje aso kohe i vdes edhe babai, Lulashi dhe i bie mbi shpinë pesha e kryefamiljarit. Për t’u kujdesur për nënën dhe motrën dhe për të shpëtuar kokën detyrohet të ndërpresë jetën e seminaristit. Megjithatë një shpresë agoi për të kur në Gusht 2000 u takua me Atin e Shenjtë Papa gjon Palin në një takim rinor. Edhe e drejta për studimet universitare në degën Ekonomi biznes në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, ishte një tjetër hapësirë në jetën e tij. Por këmunistët nuk e lanë të shkollohet. Presionet politike të diktatorëve, ishin aq të fuqishme, sa Artur Pepaj nuk kishte rrugë tjetër veçse të marrë rrugën e mërgimit për Amerikë.

Kështu, Shqipëria e vogël e kriminelëve të mëdhenj, është vendi më problematik, ku demokratët e kundërshtarët politikë ose i vret, ose i detyron të largohen.

Bukurie Hyseni

Zef Bushati, ky Enver i vogël i Komitetit Qendror të Partisë Demokristiane

      Partia Demokristiane e Shqipërisë është ajo forcë reale ku në radhët e saja që nga dita e krijimit deri më sot janë radhitur intelektual të fuhsave të ndryshme, Partia Demokristiane është krijuar që në vitin 1945 ku kryetari i parë i saj ka qenë pater Gjon Shllaku i cili u pushkatue nga regjimi komunist, kjo Parti doli në skenën politike më 11 Nandor 1991 ku në drejtimin e kësaj Partie kanë kaluar disa kryetarë të nderuar dhe të respektuar në vitin 1994 në drejtimin e kësaj Partie vjen aktori i shquar i filmave shqiptarë Zef Bushati i cili pasi përjashtohet nga radhët e Partisë Republikane ai vjen në radhët e Partisë Demokristiane.

Ashtu si dikur Enver Hoxha i cili burgosi e pushkatoi kundërshtarët e tij, të njëjtën metodë ka ndjekur dhe Zef Bushati duke larguar dhe përjashtuar nga Partia Intelektualë të shquar di Profesor Kol Nukun, e Fran Lulin, Halit Teodorin, Gaspër Manin, Emanuel Dungun, Nikolin Kurtin, Nikolin Shoshin, Gjelosh Nikollën etj, ku Zef Bushati ka për rreth vetes njerëz që nuk kanë as një lidhje me Partinë Demokristiane.

Zef Bushati kërkon të përjashtojë nga radhët dhe drejtimi i Partisë në Shkodër shumë intelektualë, siç janë Kanto Zagorjanin, Fran Dashin, Zef Nikën, Sokol Pepushaj, Selami Jenisherin, Ndue Gjekën, Luigj Lekën e shumë e shumë intelektual. Ne jemi ata që në Tetorin e vitit 2000 morëm 8000 vota ne jemi ata që do ti mbrojmë, nëpërmjet faqeve të kësaj gazete ne gjejmë rastin t’i bëjmë thirrje të gjithë elektoratit demokristian në Shkodër dhe në mbarë Shqipërinë që të votojnë për kandidatët e “Bashkimit për Fitore” si i vetmi bashkim për të rrëzuar dhe larguar klikën e kuqe që po mban peng jetën e shqiptarëve.

Zotit Zef Bushati me 24 Qershor 2001 i urojmë humbjen e tij si person dhe fitoren e Partisë Demokristiane Shqiptare.

Selami Jenisheri

Nënkryetar i komisionit kombëtar të Disiplinës i P. D. K. Sh.

Demokratët të dhunuar detyrohen të ikin

      Pas vitit 1997, kur komunistët kryen Revolucionin Komunist Bolshevik dhe u kthyen dhunshëm në pushtet, në Shqipëri largimet nga vendi janë bërë një çështje e ditës e veçanërisht këtë fat të keq për të gjetur mbijetesën e kanë Anëtarët, Aktivistët dhe Simpatizantët e Partisë Demokratike, e posaçërisht në ato vende ku edhe janë Bastionë të Demokracisë, i tillë ka qenë edhe rasti që i ka ndodhur Zotit Lulzim Nikoll Smajlaj, nga fshati Brigjë – Hot, në malësinë e Madhe. Lulëzimi i njohur si aktivist dhe anëtar i P. Demokratike prej vitesh që me ardhjen e pluralizmit në Shqipëri, ku është shqur për shpirtin e tij demokrat e liri dashës, të dënuar nga socialistët e rinj ose komunistët e vjetër, disa herë është rrahur dhe keqtrajtuar nga policia, por më e rrezikshmja ka qenë ajo që i ka ndodhur më 15 shtator të vitit 2000 kur po kthehej nga një mbledhje e Partisë Demokratike, kur është rrahur barbarisht, dhe kjo i ndodh Lulzimit pasi më parë edhe i ishte vendosur tritol në shtëpi dhe e gjithë kjo bëhej për ta eleminuar që të mos jetë anëtar i komisionit në zgjehdjet lokale të Tetorit 2000. Por me gjithë presionet e shumta për ta eleminuar fizikisht Lulzim Smajlaj mori pjesë në komisionin dhe pas vendosmërisë së tij dhe fitores së komunistëve sërish kërcënohet deri me vrasje për aktivitetin e tij, sepse kjo familje kishte vite që Sigurimi e survejote mbasi edhe vëllai i tij, Iliri, në Gusht të vitit 1990 qe larguar nga Shqipëria për në vendet e tjera. Kështu që demokratët të kërcënuar e të dhunuar detyrohen të kërkojnë mbijetesën.

Vasel Gilaj

 

Jeta e shërbëtorëve të komunizmit në rrezik nga Shoqata e të Persekutuarve Politikë

Është e qartë se një pjesë e komunistëve shqiptarë i shërbyen diktaturës komuniste me zell dhe devocion. As ata nuk e mohojnë një gjë të tillë. Biles ata e pranojnë se ishin komunistë të betuar dhe se gjatë kursit të punës së tyre kanë ndaluar, arrestuar, dënuar, persekutuar, internuar dhe dëmtuar individë dhe familje të ndryshme. Këta individë dhe familjet që iu nënshtruan një trajtimi të tillë nga komunistët, tani gëzojnë statusin e të persekutuarve politikë dhe kanë formuar organizatën e tyre kombëtare të njohur si Organizata e të Persekutuarve Politikë.

Pyetja bëhet nëse kjo Organizatë e të Persekutuarve Politikë po organizon vrasje dhe atentate kundër atyre që i persekutuan për vite me radhë dhe familjeve të tyre. Kjo pyetje i është bërë edhe kryetarit të kësaj organizate, Kurt Kolës, por ai nuk bëri koment. Nga viti 1990 deri tani, mbi 20 persona nga Shkodra dhe Kopliku, të gjithë të njohur për punën e tyre gjatë komunizmit, janë vrarë. Ndër ata ishin Arben Zylyftari, ish-shefi i policisë; Ilir Dashi, zv/shef policie; Gjergj Merga, operativ; Cel Rrustemi, polic; Edmond Cela, inspektor policie; Valentin Rama, polic, Lazer Livadhi, hetues; dhe Gëzim Karani, hetues. Policia e Shkodrës njofton se familjet e ish-komunistëve kanë raportuar mbi 100 incidente, ku persona të organizuar u kanë hyrë në shtëpitë e tyre duke i terrorizuar ata sepse anëtarët e këtyre familjeve kishin punuar për komunizmin. Viktimat e këtyre akteve njoftojnë se individët që po i kryejnë këto akte kriminale kundër tyre e identifikojnë veten si të persekutuar politikë gjatë regjimit komunist, që kërkojnë të vrasin dhe të zhdukin ata punonjës të komunizmit dhe familjet e tyre për aktet kriminale dhe persekutimet që ata kryen gjatë regjimit komunist. Këtë e shprehu bashkëshortja e Ded Durgaj, nga Kopliku, shtëpia e të cilëve u sulmua në orët e vona të natës, më datën 5 prill 2001, kur tre individë hynë forcërisht në shtëpinë e tyre dhe kërkuan Dedën ose djalin e tij, Endri, por asnjëri nga ata nuk ishte në shtëpi në atë kohë. Endri jetonte në Nju Jork, kurse Deda gjendej tek një mik në Shkodër. Ata i thanë zonjës Durgaj se një ditë do ta kapin Dedën ose djalin dhe do ti vrasin për ato që Deda kishte bërë gjatë komunizmit. Megjithëse zonja Durgaj e njoftoi policinë e Koplikut, asnjeri nuk është arrestuar deri tani. Të njëjtën gjë raportoi zonja Evgjeni Zelko, nga Shkodra, më datën 10 qershor 2001, kur shtëpia e saj u pushtua nga disa individë që e identifikuan veten si të persekutuar politikisht nga burri i saj, Ferhat Zelko, i cili gjatë komunizmit kishte punuar në Ministrinë e Rendit Publik. Ata kërkonin zotin Zelko ose djemtë e tij. Po kështu, njoftuan familjet Kapaj, Islamaj, Cecaj, Melloja, Zeka dhe familja Neziri nga Durrësi.

Policia nuk ka arrestuar asnjë njeri në lidhje me këto krime akoma. Kurt Kola nuk iu përgjigj pyetjeve tona, ndërsa shefi i policisë së Shkodrës nuk kishte asnjë koment. Kështu situata e këtyre familjeve mbetet enigmatike.                          Albert Vataj

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu