Nr. 26 i gazetës në print

0
Kokaweb

Gjykata e Korçës dënon të pafajshmit, mbron kriminelët

Në traditën e shqiptarëve, pushka është mbajtur për të mbrojtur Nderin dhe Atdheun dhe pronën. Kush ka qitë pushkë për të mbrojtur këto vlera, të gjithë i kanë thënë: të lumtë pushka.

Duke shfletuar gazetën ditore “Koha Jonë” të dt. 14 qershor 2002, në faqen 14 të saj ballafaqohemi me shkrimin (vërtetë sensacional) të titulluar: “Lironi babanë që vrau rrëmbyesit e vajzës”. Autori që kishte kryer vrasjen ishte dënuar me 15 vjet heqje lirie nga Gjykata e Korçës. Po si ishte zhvilluar ngjarja, sa tronditëse aq edhe tragjike? Në fshatin Qartan të Korçës, tre trafikantë të “mishit të bardhë”, të armatosur dhe të maskuar sipas “modës”, ishin nisur për në shtëpinë e Dilaver Kodrës për një “gjueti” të turpshme. Por populli ka një fjalë të urtë, ku thotë: Shpesh herë kur shkon për gjuajtur lepurin, zgjon arushën…

Me sa duket, Zoti i Madh, na i paskësh dhënë Dilaverit zemrën e ariut. Dilaver Kodra, mbasi u përlesh me kriminelët, (në mbrojtje të vajzës së tij) të cilën deshën t’ia rrëmbenin nga duart, mori pushkën dhe qëlloi mbi ta duke vrarë njërin dhe duke plagosur dy të tjerët.

Nuk besoj se mund të ketë ndonjë shqiptar të vërtetë që të mos i thotë Dilaverit: të lumtë pushka. Dihet nga të gjithë se, në situatat tepër të vështira që po kalojmë, edhe organet e ruajtjes së rendit e kanë mjaft të vështirë të mbrojnë jetën e qytetarëve (madje e kanë të vështirë të mbrojnë edhe jetën e tyre). Vrasja e mbi 200 policëve gjatë këtyre viteve të turbullta është vërtetë dhimbje dhe trishtim.

Duke e parë në kompleks këtë situatë, kam mendimin se organet tona të drejtësisë, duhet të gjykojnë me gjakftohtësi, sepse duke mbrojtur kriminelët, inkurajojnë krimin dhe bëhen “ortakë” me kriminelët. Duke dënuar antikriminelët, zbehin në mënyrë drastike fytyrën e shtetit dhe e bëjnë atë të pa besueshëm dhe të pafuqishëm ndaj krimit.

Unë si qytetar i këtij vendi do të shtroja pyetjen: cili do të kishte qenë qëndrimi i gjyqtarëve të Korçës, nëse kjo ngjarje do të ishte zhvilluar në familjen e ndonjërit prej tyre? Në rast se ai trup gjykues është me të vërtetë me kombësi dhe nënshtetësi shqipare, cilido prej tyre do të kishte kryer aktin e Dilaverit, të këtij prindi dijnitoz dhe shqiptari të vërtetë. Për mendimin tim dhe të shumë bashkëqytetarëve shkodranë, autori i veprës së lartpërmendur ka kryer një akt shembullor, (për vetmbrojtje) dhe është krejtësisht i pafajshëm. Një vepër kurajoze dhe dinjitoze, e cila ndihmon në maksimum dhe mbështet fuqimisht organet e ruajtjes së rendit dhe në të njëjtën kohë, një goditje ndaj kriminelëve dhe trafikantëve të cilët po ulin në maksimum vlerat morale të shqiptarëve. Çdo shqiptar dhe shqiptare, çdo prind, duhet të përulet me respekt para veprës së Dilaver Kodrës dhe pushka e tij duhet konsideruar si “medaljon” i shenjtë në mbrojtjen e nderit dhe dinjitetit të grave dhe vajzave shqiptare. Ai duhet të lirohet menjëherë nga burgu dhe t’i jepet leje speciale për mbajtjen e armës. Të plagosurit, me t’u shëruar, duhet të ballafaqohen me ligjin: për tentativë grabitje dhe armëmbajtje pa leje. Vetëm kështu do të minimizojmë krimin.

Peticionin e 120 fshatarëve të Qartanit të Korçës e mbështet e gjithë Shqipëria. Dilaver Kodra meriton “Medaljen e trimërisë”.

Dhe së fundi, paradoksi më i madh, dhe që vë në dyshim trupin gjykues të çështjes, është zhvillimi i 12 seancave gjyqësore dhe qëndrimi i Dilaver Kodrës 12 muaj në dhomat e paraburgimit, sepse sipas autorit të shkrimit të lartpërmendur, Gëzim Ashimi, Dilaveri ndodhet në paraburgim që në qershorin e vitit të kaluar. Edhe ky fakt të shtyn të mendosh se kohëzgjatja në qelitë e burgut dhe shtyrjet e njëpasnjëshme të senacave gjyqësore, flasin për një bashkëpunim mes organeve të hetuesisë, rendit dhe gjyqësorit, dhe për fat të keq, bashkëpunim antiligjor, që fajëson këto hallka për një “ortakëri” me krimin dhe kriminelët.

Duhet patur parasysh se jemi në periudhën më të “nxehtë” të dorëzimit të armëve, ndaj papërgjegjshmëria e shtetit në mbrojtjen e qytetarëve, do ta vështirësojë dhe të komplikojë më shumë suksesin e këtij proçesi. Përfitoj nga dhimbja e kësaj ngjarjeje, t’i bëj thirrje opinionit mbarëshqiptar, që të mbështesin peticionin e 120 bashkëfshatarëve të Dilaver Kodrës, për lirimin e tij të menjëhershëm, dhe dëmshpërblimin e tij për kohën e qëndrimit të tij në paraburgim.

I propozoj Presidentit të Republikës që Dilaver Kodrës t’i akordojë “Urdhërin e Trimërisë”, sepse (sipas mendimit tim), kush mbron Nderin e familjes së tij, mbron dhe nderin e shtetit dhe të Atdheut.

Mark Bregu

Prapaskena që fëlliqin skenën. Në festivalet shqiptare, çmimet shiten

-Intervistë me muzikantin, krijuesin, këngëtarin e njohur shqiptar, Gjokë Vata-

Pyetje: Ç’përshtypje ju bën titulli “Krenaria e qytetit Shkodër”, djepi i shumë figurave madhore?

Përgjigje: Më duket sikur ky titull na thotë, “Ju lutem shumë ma mbani vlerën e domethënies time në lartësinë e duhur, ndryshe bëhet i zakonshëm si një patentë makine”. Siç e shohim në vendet e botës së qytetëruar, mbartësat e titujve numërohen me gishta ndërsa në bazë të titujve, pjesa tjetër e kontinentit tonë qëndron shumë poshtë nivelit tonë.

Pyetje: Sipas jush, cili është shkaku i bujarisë kaq të bollekshme i dhënies së këtyre titujve?

Përgjigje: Akorduesit e këtyre titujve na kujtojnë moton e Polikronit, të të ndjerit Tano Banushi, “Më jep, të jap”. Në këtë armatë titullarësh sigurisht ka edhe asish që e nderojnë çdo titull, por titullin e japin më parë veprat, pastaj komisionet serioze e jo komisione të improvizuara me Polikrona. Unë mendoj se sedra e të marrurit të një titulli pa meritë do të duhej ta refuzonte si çdo gjë që nuk i përket, ndryshe nxjerr në pah maninë e të dukurit çfarë nuk je e kush nuk ka maninë të duket çfarë nuk është  nuk arrin kurrë të jetë ashtu si duket. Vula që i siguron prestigjin diplomës është bagazhi, sepse diploma pi ujë në Shqipëri, bagazhinë të gjithë botën.

Pyetje: Meqenëse po flasim për titujt tonë, a keni ndonjë vërejtje për emërtimet e tyre?

Përgjigje: Të gjithë titujt që jepen tash kanë emërtime serioze, me përjashtim të atij të “Naim Frashërit”, trashëguar nga komunizmi që tregoi injorancën e vet edhe në emërtimin e titujve. Seriozitetin e titullit që po sa e përmenda e humb ndarja e tij në metale e klasa. Mendoj se emërtimi i këtij titulli do të ishte i mjaftueshëm vetëm “Naim Frashëri” dhe i përshtatshëm për të nderuar me të vetëm poetët. Për krijuesit e satirës duhej të ishte titulli “At Gjergj Fishta”, si mbret i satirës shqiptare, për interpretuesit e humorit, titulli “Tano Banushi”, për artistët e artit dramatik titulli “Aleksandër Moisiu”, me që i duam titujt se bota i quan yje të mëdhenj të artit. Ndërsa emërtimin e titullit “Nderi i kombit” do ta zëvendësoja me “Njeriu i kombit”, ose kriteret e akordimit të tij do të ishin të përafërta me ato të shpalljes së një shenjtori.

Pyetje: Në intervistat e tua të mëparshme në televizione, në radio e në shtyp, ju keni denoncuar disa herë trajtimin që u bëjnë drejtuesit e artit, e sidomos të muzikës, a ka ndikuar ky denoncim pozitivisht?

Përgjigje: E vetmja ftesë që më vjen rregullisht është ajo e shtimit të numrit në sallat ku jepet ndonjë koncert me muzikë klasike, se për pjesmarrje në veprimtari artistike as që bëhet fjalë. Siç mund ta dini, nuk u ftova në 40-vjetorin e festivalit të parë të fëmijëve si i nderuar me çmim të dytë e të tretë të këngëve “Pema e fëmija”, “Mirë se vjen dallëndyshe”, “Kutia e lapsave”, së paku as emri nuk m’u përmend fare, a nuk është kjo sjellje pasqyra ku mund ta shohin atë pikë ndërgjegje, nëse u ka mbetur?

Pyetje: A ka ndonjë shkaktar të këtij izolimi që mund të veçohet, dhe kur u ka filluar izolimi postkomunist?

Përgjigje: Nismëtari e njëkohësisht persekutori më agresiv i të gjithë jetës time artistike është z. Zhani Ciko.

Pyetje: A tingëllon disi e pamundur që ndjenjat e holla të një artisti të vihen në dispozicion të agesivitetit?

Përgjigje: Në zemrën e të talentuarit pa virtyt, në vend të dashurisë, gjen urrejtjen më zhuritëse.

Pyetje: A ka ndojnë shkak nxitës ky qëndrim i z. Zhani Ciko?

Përgjigje: Shkaku është zemërimi që u ndez armiqve të saj vërejtja konstruktive, guri më i domosdoshëm për ndërtimin e kështjellës së demokracisë. Historia e izolimit të dytë zu fill në festivalin e 31 të këngës në RTSH. Zhani Ciko, që i kishte paracaktuar fituesit e çmimeve duke iu frikësuar suksesit të këngës sime, se mund t’i prishte punë në dhënien e çmimeve, tentoi të ma skualifikonte këngën që në natën e parë të festivalit e kur këmbëngulja ime në të drejtën ia dështoi përpjekjen e parë, boshllëkun e atij dështimi e mbushi me hakmarrje dhelpërake, sa gjakftohë aq e pamëshirshme. Në pasdreken e koncertit të mbrëmjes finale, unë kundërshtova lidhjen e fshehtë me zhuritë nëpër rrethe e dhënien e vlerësimit të këngëve që në 12 të drekës, për t’u shpallur pas koncertit. I zënë ngushtë u detyrua ta pranonte, duke u justifikuar me mundësinë e mungesës së korrentit, që do të pengonte lidhjen. Kënga m’u prit nga publiku ashtu siç do të mund të shihej po të ritransmetohej ai koncert. Në fund të atij koncerti u shfaqën çfarë qe realizuar para 10 orëve. Unë duke menduar se fjalës së lirë i kishte ardhur koha aq shumë e pritur për këto e padrejtësitë e tjera të festivalit, shkrova një artikull me titullin: “Prapaskena që fëlliqin skenën”. Botimin e këtij shkrimi e refuzuan të gjitha gazetat njëra pas tjetrës. Zoti Zhani Ciko u informua për këtë e ia shtoi dozën e vrerit të hakmarrjes ndaj meje dhe e maskoi aq mjeshtërisht sa pas 6 muajve më pranoi këngë për të konkuruar në koncertin e këngëve të stinës, e në vjeshtë këngën tjetër për festival. Kur u sigurua se padrejtësia e kishte të paralizuar krejtësisht drejtësinë, këngëve të mia ua mbylli shtegun e konkurimit. Kohëzgjatja e kësaj hakmarrjeje vazhdon gjithnjë, sepse unë e kam matur dërgimin e këngëve të mia në çdo veprimtari të këngës në RTSH, ndërsa cilësinë e këtyre këngëve e mat albumi im “Zani i jetës time”. Duke denoncuar këtë qëndrim në dikasteret përkatëse, u binda sa e pamundur është vënia e së drejtës në vend. Kam ndeshur në atë hipokrizinë aq të neveritshme që me fjalë e lufton diskriminimin e me veprime e mbron me mënyrat më anti-njerëzore. Për fat të mirë, si çdo besimtar, jam i bindur se drejtësinë e vë në vend Ai që e ka krijuar. Duke shpresuar se evidentimi i kësaj sjelljeje do të mund t’i shërbejë qoftë edhe sado pak moralit e ndërgjegjes së brezave të ardhshëm, jam përpjekur ta përshkruaj sa më besnikërisht në librin tim “Ditari i kujtimeve të mia”.

Pyetje: Z. Gjokë, edhe unë e kam fare të freskët përshtypjen që më ka bërë pikacioni i vlerësimit më të pakët se i çdo jurije tjetër nga Shkodra në atë festival. Si e shpjegoni këtë vlerësim kaq turpërues edhe për vetë jurinë?

Përgjigje: Ky vlerësim do të thotë, “Ja si dimë ne shkodranët të luftojmë njëri-tjetrin, biles edhe ata më të palejueshmit nga ndërgjegja”. Meqenëse organizuesit e jurive në për rrethe janë radiot shtetërore lokale të sovencionuara nga RTSH, janë juri të telekomanduara, ato veçse kanë firmosur vlerësimet e Zhani Cikos e kompani, ashtu si firmosin borderotë. Ata që e njohin mirë organizimin e konkurseve nuk pyesin kurrë kush po e merr çmimin, por kujt po ia japin çmimin.

Pyetje: Ju thatë, jeni viktimë e 2 izolimeve, ndrydhja e cilit ju mundon më shumë?

Përgjigje: Në izolimin e parë kamë hyrë unë vetë për hir të kohës që më solli izolimin e dytë. Komentin e mëtejshëm di ta bëjë vetëm dhimbja e zhgënjimit se ç’therje ka kjo dhimbje e dinë vetëm të zhgënjyerit.

Pyetje: Sa e ka dëmtuar  krijimtarinë tuaj izolimi i tashëm?

Përgjigje: Shumë, kur ke hapësirë ajo ta nxit frymëzimin ta mbushësh, kështu në vend të kisha disa albume këngësh, kam vetëm një, disa libra të botuar, kam vetëm një, disa koncerte të realizuara, kam vetëm një në vitin 91, që pas kaq heshtjeje ngjan si të ishte bërë në vitin 91 para Krishtit.

Pyetje: A nuk është mungesa e sponsorizimit pengesa kryesore e zhvillimit të aktivitetit tuaj?

Përgjigje: Mundësitë e gjetjes së sponsorëve unë i kam jashtëzakonisht të pakta. Nuk kam shoqëri me asnjë prej atyre që mund të më sponsorizojnë, as nuk pranoj të më lidh ky interes me ta. Interesi i artit ata nuk i lidh dot me mua, është përkujdesja e drejtuesve të muzikës e afrimi i medias elektronike ua kujton sponsorëve detyrën e tyre ndaj artit.

Pyetje: Megjithë këto, a e kujdesni zërin tuaj që nuk po i bindet kurrsesi moshës?

Përgjigje: Shumë, në mos për tjetër për kënaqësinë time e të atyre që u jep kënaqësi zëri im. Sepse kënaqësia e të kënduarit këngëtarin e mban gjallë si shëndeti trupin e ndërgjegja shpirtin.

Pyetje: Me sa kuptojmë do ta prisnit si një dhuratë ftesën për t’i kënduar sërish publikut.

Përgjigje: Po, jehona që e mbush më me shumë kënaqësi shpirtin e artistit është muzika e duartrokitjeve të suksesit, vetëm në ato çaste të duket sikur lumturia të pyet: A mund të jesh më i lumtur?, e ti përgjigjesh, jo.

Pyetje: Ju keni fatin të shijoni shpërblimin e kënaqësisë që u jepni lexuesve me poezitë tuaja e përkthimet e poetëve të famshëm e me publiçistikën e lavdërueshme, madje nganjëherë edhe me kritikën në muzikë e letrësi. Cilat nga këto degë plot fruta të “pemës” art, është më e nevojshme t’u afrohet shqiptarëve të sotëm?

Përgjigje: Sikur ta pyesnim artin, cila është fjala më e dashur për ty, ai me siguri do të përgjigjej, kritika. Sepse kritika për artin është si laboratori për kiminë. Arti pa kritikën është si sasia pa cilësinë. Në asnjë vend tjetër të botës nuk i jepet kaq pak rëndësi kësaj domosdoshmërie të artit. Në përgjithësi ne dimë të bëjmë kritikë kundër kritikës e këtë e bëjmë aq të ashpër, sa kritikun që na ndihmon të mos gabojmë e quajmë armik e kjo konsideratë është e atyre pseudo artisëve që në Shqipëri të gjithë sa janë cilësohen “artista”. Këtë vërtetë e shohim në tregun e librave e të kasetave në transmetime e në organizimin e veprimtarive artistike.

Pyetje: Meqë ra fjala e veprimtarive artistike, ç’pështypje keni për festivalin e 40-të kombëtar të fëmijëve?

Përgjigje: Me përjashtim të fare pak këngëve, si ajo e Shpëtim Saraçit dhe e ndonjë tjetri, ky festival ishte konkursi i këngëve të padenja për emrin këngë ngaqë shumica e tyre nuk u përgjigjen kërkesave të moshës duke mos dashur të hyj në shqyrtim të hollësishëm, me të cilën do të ishte më me vend të merrej juria. Po evidentoj vetëm dy shembuj muzikorë: Kënga “Në ritmin e prindërve” është titulluar gabim, mbasi prindërit e fëmijëve pjesmarrës në këtë veprimtari, ata më të moshuarit mund të jenë 50 vjeçarë e ritment tango e rumba kanë më se një gjysëm shekulli jashtë modës së vallëzimeve të zakonshme. Nga ana tjetër ndërtimi i kësaj kënge, si edhe i shumë këngëve të tjera në këtë aktivitet mund të mësohen vështirë nga një këngëtar profesionist pa le pastaj nga masa e fëmijëve. Kjo vështirësi bën që fëmijët, në vend që të merren me këngët e përshtatshme për moshën e tyre, të merren me këngët për të rritur, siç po ndodh gjithnjë e më dendur. Kur fëmijëve u imponohet të interpretojnë këngë mbi moshën e tyre detyrimisht do t’i ikin fëmijërisë për të imituar të rriturit. Një tjetër këngë që tregon inkompetencën e komisionit të vlerësimit, ose nënshtrimin ndaj pushtetit të hatrit është pranimi i këngës “Pula e gjeli”, këngë e gërshetuar me dy këngë e një melodi lidhëse kënge në një fe të pa fe që s’është ndie shoqja e saj kurrë mbi dhe. Si kjo këngë, ashtu edhe interpretimi i saj i thejnë të gjitha normat e këngës fëminore.

Pyetje: Me gjithë të metat e kësaj veprimtarie, a ju gëzon fakti që ky festival është bërë një traditë shkodrane?

Përgjigje: Sigurisht më vjen mirë, por kaq veprimtari artistike është tepër pak për një qytet si Shkodra. Shkodra do të duhej të bënte traditë disa nisma të saja artistike, sepse Shkodra në vitet 60, ka qenë qyteti i parë i festivaleve të para. Nuk është mungesa e forcave artistike justifikimi i kësaj heshtjeje, është mospërfillja e tyre. A s’mund të gjenden fondet për festivalin e të rriturve, ashtu si gjenden për atë të fëmijëve? A nuk mund të botohet një revistë e ngjashme me Almanakun e dikurshëm?! A nuk mund të sponsorizohen konkurse letrare?! Përse të gjitha veprimtaritë e kësaj natyre të zhvillohen vetëm në Tiranë, thua se pjesa tjetër e Shqipërisë i shërben vetëm statistikës. Në fund të fundit edhe vetë kryeqyteti duhet të tregojë se Shqipëria nuk quhet vetëm Tirana. Tirana e deri stome është bërë e ngjashme me liqenin e një hidrocentrali që e mbushin burimet e të gjithë vendit për të vënë në punë turbinat me të cilat ajo i jep dritë vetvetes. Atë shkak krenarie që duhet të ketë i gjithë vendi për kryeqytetin, duhet ta ketë kryeqyteti për pjesën tjetër të vendit. Për t’ia arritur kësaj ka punuar e punon mbarë bota e qytetëruar. Ja me ç’shembuj mund ta ilustrojmë këtë të vërtetë: Festivali i këngës italiane zhvillohet në Sanremo, i kinematografisë në Kanë, çmimi Oskar jepet në Losanxhelos e numri i këtyre shembujve është i madh. Shkodra duhet ta fitojë sërish krenarinë e përkulur e t mbajë kokën lart si kalaja e saj. Veprimtarive kulturore nuk u hyn në punë sasia, për ashtu është më mirë të mos bëhen fare, sikoncerti i para do vjetëve i organizuar nga shoqata e këngës popullore shkodrane.

Pyetje: Sot numërohen dhjetëra shoqata, që nga moszhvillimi i asnjë aktiviteti, mund të kenë harruar edhe emërtimet e tyre, e nuk ka asnjë shoqatë që të merret me veprimtaritë artistike, që do t’i kthenin Shkodrës gjallërinë e lënë kaq pas dore. Kohët e fundit janë dhënë disa koncerte të sponsorizuara nga të huajt. Kush mund ta besojë se është e pamundur të mos sponsorizohen nga të tonët?

Përgjigje: Shkodra ka disa auditore të institucioneve të ndryshme, që këto institucione mund dhe duhet të favorizojnë zhvillmin e veprimtarive artistike duke shikuar në vend të fitimit, anën humane. Këto lehtësira do t’i jepnin një zhdërvjelltësi të dobishme veprimtarive të çdo gjinie arti e kulture.

Pyetje: Z. Gjokë, cilën e mendoni ju armën më efikase për të luftuar ato të ashtuquajtura këngë që po na shëmtojnë shijen e të gjitha moshave, e megjithëkëtë zotëron tregun e kasetave?

Përgjigje: Këtu unë po përsëris atë që kam thënë deri tash e do ta them deri sa të zhduket kjo paçavure tingujsh e fjalësh që turpërojnë tingujt e fjalët. Burimet e kësaj të keqeje janë instrumentistët që pranojnë të paguhen për ta shëmtuar shijen dhe ato media elektronike që pranojnë t’i transmetojnë. Nëse këta do ta ndërpritnin propagandimin e atyre shijeve sot do të çliroheshin prej këtij infektimi dhe dalëngadalë vlerat do të zëvendësonin antivlerat. Atëherë do të mund t’i përgjigjeshim pyetjes: Më thuaj çfarë muzike shijon, të them nivelin e zhvillimit që ke.

Pyetje: Si e konsideroni punën e radios “Top Albania” në formimin e shijes së të rinjve?

Përgjigje: Sado e bukur të jetë muzika e huaj, asnjë popull nuk ujdiset me ata që e transmetojnë me tepri. Hartimi sidomos i programeve muzikore, kërkon një kujdes sa të veçantë, aq të kualifikuar, secilës gjini muzikore i duhet lënë hapësira e nevojshme. Këtë kujdes më ka rastisur ta shoh në të gjithë vendet që kam vizituar. Për fat të mirë ne kemi një numër të mjaftueshëm këngësh të denja të transmetohen edhe në radiot më prestigjioze të botës. Në disa prej tyre ka nevojë të freskohen me orkestrime të reja, përse të mos e bëjmë e të këndohen nga këngëtarët e tashëm? Këtë praktikë e shohim në të gjitha mediat elektronike të botës. Biles shumë këngë të së kaluarës transmetohen me orkestrimet e atëhershme për të qenë dëshmi e kohës së lindjes së tyre.

Pyetje: E ç’mund t’u bëjmë teksteve të papërshtatshme për këtë kohë që bëhen pengesë transmetimi për shumë këngë të bukura të atëhershme?

Përgjigje: Në përgjithësi këngët e kohës së realizmit socialist nuk janë frymëzuar nga tekstet, ato janë melodi të përshtatshme për tekstet e tashme. Asnjë këngë e bukur nuk duhet lënë në asnjë mënyrë të humbasë. Brezat e ardhshëm duhet ta njohin krijimtarinë e paraardhësve, që janë shtresa e parë e çimentimit të tabanit tonë kombëtar, mbi të cilin mbollën ato pemë që i lypset vazhduar kujdesi si i paraardhësve që ajo pemë të japë fryte gjithnjë e më të shijshme.

Pyetje: Tani një pyetje që i përket më shumë kureshtjes. Këngët tua dallohen për tekstet e tyre poetike. A keni kompozuar ndonjë këngë me tekst të ndokujt tjetër?

Përgjigje: Kënga ime për fëmijë “Kutia e lapsave” është me tekstin e të ndjerit Muharrem Nurja.

Pyetje: Po të ishte puna për të veçuar vetëm një tekst të këngës tuaj, cilit do t’ia vini gishtin?

Përgjigje: Tekstin e këngës së paraqitur në festivalin e parë të këngës për fëmijë, “Pema e fëmija”.

Nëse u kujtohen disa vargje të kësaj kënge, besoj se lezuesi i “Shqipërisë Etnike” do t’i shijonte me kënaqësi:

“Unë jam pema që ndër gema,

Zogjt më qasen pa pikë droje,

Jam e hijshme dhe e shijshme,

Për çdo sy e për çdo gojë.

Mua pranvera për çdo hera

Gjethe t’blerta më dhuron

Se baj hije e knaqi shije

E prandej gjithkush m’uron.”

Edhe unë uroj t’i ngjasojë gjithkush sa më shumë kësaj peme e në mënyrë të veçantë fëmijët, të cilëve u kushtohet kjo këngë. Uroj gjithashtu që të bëhet e mundur sa më parë shijimi i të gjitha fryteve të larmishme të pemës së artit tuaj, edhe unë uroj që kopshti i artit tonë të pasurohet me sa më shumë pemë secila më e frytshme se shoqja.

Intervistoi: Sokol Pepushaj

Të mbrojmë vlerat e epikës së trashëguar nshekuj.

(Përse nuk këndohen këngët epike?!…)

Bota na njohu, jo për vjetërsinë e universiteteve, apo të institucioneve të tjera të artit dhe kulturës. Ne u bëmë të njohur për “institucionin” e besës, trimërisë dhe bujarisë. Që nga “Eposi i kreshnikëve”, koha e “Artë” e Gjergj Kastriotit, nga Gjergj Elez Alia, e në vazhdim, populli i  ka kënduar me patos trimërisë dhe autorëve të veprave trimërore. Çuditërisht, ka kohë që nuk dëgjojmë këngët e Dasho Shkrelit, Dedë Gjon Lulit, Bajram Currit, Shote Galicës, Selam Musait, Mujo Ulqinakut, këngët madhore (të cilat tashmë e kanë fituar pavdekësinë): “Gryka e Kaçanikut” e “Për ty Atdhe”.

Në qoftë se do t’i paragjykojmë apo t’i politizojmë në “përshtatje” me konjukturat e kohës, atëherë nuk bëjmë asgjë tjetër veçse reduktojmë deri në asgjësim vlerat nacionale në përgjithësi dhe në veçanti vlerat e Trevës së Veriut, ku gjithmonë ka mbizotëruar kodi i besës, trimërisë dhe bujarisë. Po e fillojmë me Dasho Shkrelin: Tepër domethënës është vargu të cilin Populli e ka thurur me ndjenjën e shpirtit, duke shpalosur velrat e tij morale dhe epiko-patriotike, ku vargu citon: “hidhet Dashja, nji djalë shkodran/se ç’po pret dyzet nizamë”. Mardhëniet shumë të mira që kemi ndërtuar me shtetin turk, nuk besoj se i “cënon” kënga e Dasho Shkrelit, kur dihet mirëfilli se në atë kohë dhe vetë Turqia ishte e “pushtuar” nga “Sulltanati Osman”.

Tentativa “dështake”, e disa pseudo intelektualëve për të zbritur nga “Piedestali” Heroin Nacional – Gjergj Kastriotin, padyshim duhet të jetë pjesë e kësaj strategjie pr të mbyllur në “sirtaret” e harresës pikërisht ata që duhet të jenë në qendër të kujtesës. Të mohosh ata burra të mëdhenj (të cilët “vaditën” me gjakun e tyre çdo pëllëmbë të tokës Arbërore), është akti më i pamoralshëm. Për hir të mardhënieve shumë të mira që kemi dhe që duhet të kemi me Italinë fqinje, në asnë mënyrë nuk duhet të baltojmë figurën e ndritur të Luanit të Labërisë – Selam Musa (Salarisë). Akti patriotik i Mujo Ulqinakut dhe Dalip Tabakut në mbrojtjen e kufinjve të shenjtë të bregdetit tonë ndaj hordhive fashiste është i shkruar me germa të “Arta” në memorien e Kombit. Ndaj kënga e Mujos duhet të buçasë pa u “frikësuar” aspak se na u mbetet qejfi italianëve. Kryefashistin italian Duçen e varën vetë italianët, ashtu siç e përmbysi sulltanatin (arkaik dhe despotik) i Madhi – Ataturk.

Shteti dhe politika shqiptare nuk duhet të bëhen “pre” e së kaluarës duke aplikuar ato politika “servile”, duke ngritur dhe zbritur nga piedestalet, heër jugosllavët, herë sovjetikët dhe më në fund kinezët… Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Aleancën Euro-Atlantike duhet t’i shohim si aleatë dhe partnerë, por asnjëherë nuk duhet të harrojmë veçoritë specifike që na karakterizojnë si Nacionalitet. Ndaj, kudo që të shkojmë, duhet të paraqitemi me “Pasaportën” tonë, me Përkrenaren e Gjergj Kastriotit. Në Parlamentin e vitit 1923, është propozuar që të ngrihet monument “Legjendës” së Maleve – Dedë Gjon Lulit, por çuditërisht, megjithëse kanë kaluar 79 vjet, askush nuk është kujtuar për ngritjen e këtij monumenti!…

Ngjarjet tragjike dhe lufta që bënë vëllezërit tonë kosovarë kundër kriminelëve të Mollosheviçit, e zgjeruan “gamën” e epikës, duke na dhuruar heronj të rinj, ku mund të shquajmë – Adem Jasharin, por kjo nuk i zbeh aspak figurat e Mic Sokolit, Idriz Seferit dhe Shote e Azem Galicës, (shqiponjave të Drenicës), përkundrazi i lartëson ato, duke dëshmuar se “kostumi” epik kurrë nuk vjetërohet.

Ndaj dhe “Gryka e Kaçanikut” duhet të këndohet dhe të “buçasë” për t’i treguar botës se “gurra” epike kurrë nuk do të shterrojë dhe se ne shqiptarët jemi vetë “Epika” dhe “Legjenda” e trimërisë, (vlera të cilat duhen kultivuar me çdo kusht dhe në çdo kohë).

Këonga madhore “Për ty Atdhe”, me tekst dhe muzikë të kompozitorit të madh (të ndjerit) Pjetër Gaci, është një “Perlë” e vërtetë (në variantin muzikor të këngës), dhenjë “Himn” i shkruar dhe kompozuar me një frymëzim dhe përkushtim, ku autori shfaq me të gjithë madhështinë, dashurinë për Atdheun duke himnizuar (me forcën e vargut dhe të tingullit), bukurinë e natyrës shqiptare dhe duke e veshur aq bukur me “kostumin” epik Arbëror. Të tilla këngë – “perla”, janë dhe mbeten të pavdekshme dhe të “arshivuara” përjetësisht në kujtesën memoriale të çdo shqiptari. Është dhe do të jetë i pafalshëm “mjegullimi” i qiellit të kultuës shqiptare. Shqipëria nga nxjerrë nga gjiri i saj figura që shquara të pushkës e të pendës. Dhe padyshim jo më pak të shquar janë ata artistë të cilët përmes artit të tyre të madh, dijtën ti “gdhendin” këto figura dhe ti vendosin denjësisht në “Panteon”.

Duhet të largohemi nga skemat e vjetra të politizimit të figurave, sepse në se do të gjykojmë me mentalitetin e së kaluarës, nuk bëjmë asgjë tjetër veçse pësërisim “skemën” absurde të “luftës së klasave”. Këtë mendim do ta ilustroj me një shembull mjaft sinjifikativ: Para 20 apo 25 vjetësh, kompozitori i mirënjohur Gjon Kapidani do të drejtonte Koncertin që do të shfaqej me rastin e 29 Nëntorit (në mos gabohem). Kishte bërë edhe një operetë. Mbasi ishin vendosur afishet, një komunist fanatik kishte shkuar të paraqitej, (si vigjilent) tek Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë, dhe (duke pretenduar se ka zbuluar “armikun”) i sugjeron atij: More shoku seretar, deri kur do t’i drejtojnë koncertet reaksionarët dhe të deklasuarit?! Atëherë sekretari (me ironi therëse) i drejtohet “ankuesit”: A dini ju, si komunist të drejtoni koncerte? Jo, ishte përgjigjur “ankuesi”. As unë nuk dij, i thotë Sekretari i Parë, por koncerti duhet të bëhet se kemi urdhër nga lart…

Nuk jam për t’i kënduar “Partisë” apo “Socializmit”, por në të njëjtën kohë nuk jam aspak dakord me ata që duan të mohojnë heronjtë, as për mohimin e veprave artistike që u shkruan për këta heronj. Këngët “Gryka e Kaçanikut” e “Për ty Atdhe” janë “Prelude” të lavdisë së heroizmit të populli tonë dhe njëkohësisht “Olimp” i arritur nga artistët tanë të pavdekshëm.

Mark Bregu

Kryevezirët shqiptarë që “bënë” Historinë, për Perandorinë Turke e jo për Shqipërinë…

Mbas invazioneve të para të Perandorisë Otomane në Ballkanin e “lulëzuar” për kohën, por edhe të trazuar shpesh nga “kërkesat” për hapësirë të ardhacakëve sllavë, filloi të duket qartë mjerimi që s’do të vononte të pllakoste për shekuj me radhë këtë pjesë të bukur të kontinentit Plak. E ky mjerim do të ishte material e moral, pasi pushtuesi që po vinte nga kontinenti i verdhë (Azia) donte të “ndërtonte” një qytetërim e besim krejt tjetër nga ai që kishte shumë shekuj që “kultivonte” Europa.

“Instalimi” i pushtetit të Perandorisë Otomane kaloi në dy faza, e para pas betejës së Fushë-Kosovës (v. 1389) e deri në një farë pushtimi i mëvonshëm që zgjati deri në vitin 1443 kur biri i lavdishëm i Racës Arbërore (Shqiptare) Gjergj Kastrioti do të rikthehej triumfator në tokat e të parëve të tij, duke dëbuar hordhitë turkoshake dhe për 25 vjet rresht do të shkruante faqen më të lavdishme të historisë, jo vetëm të shqiptarëve e qytetërimit të tyre, por të krejt Europës e qytetërimit të saj, që padyshim ishte i njëjtë me tonin. Faza e dytë e pushtimit, që është edhe periudha më e tmerrshme e mjerimit, fillon pas vdekjes së Gjergj Kastriotit (1468) e që zgjati jo pak por plot katë shekuj e gjysëm, ku këtë pushtim e përshkruan mjaft qartë e me nota trishtimi të pafundme historiani shqiptar Tajar Zavalani në librin e tij “Historia e Shqipërisë”, ku në faqen 143 shkruan: “Mbas pushtimit Otoman, Shqipëria umbush me gërmadha dhe ra në gjumë. Vala e shkatërrimeve që kishin filluar me invazionet Sllave arriti kulmin dhe nuk mbeti gjë e çmueshme. Qytete të lashtë e të lulëzuara, me Kështjellat, Tempujt, Kishat, Kuvendet dhe shumë monumente të tjerë të kulturës dhe fesë, u rrafshuan për tokë, ose u lanë të shemben vetvetiu. Shkurt vendi u kthye përsëri në errësirën e mesjetës…” Natyrisht për të gjitha këto rrënime e shkatërrime, të parët tanë paguan lumenj të tërë gjaku, por edhe “lumenj” të tërë emigrimi për në Itali e gjetkë, aq sa sipas shumë autorëve të kohës e më vonë popullsia autoktone shqiptare ra nën nivelet më të ulëta, por gjithsesi ata që mbetën, por të ndihmuar edhe nga “Emigrantët” që shpesh organizoheshin e ktheheshin në trojet e tyre për të luftuar e për t’i dalur zot atdheut të tyre tashmë të robëruar nga taborret e Perandorisë Turke, por që mjerisht u deshën shumsë shekuj që vendi ynë të çlirohet, por edhe të copëtohet si mos më keq, e të gjitha këto kanë si simbol të së keqes të ngritur në super shtet, Perandorinë Otomane e cila, përveç lirisë e pasurisë na mori jo pak nga besimi ynë i hershëm që na bashkonte e jo ndante me Europën. “Natyrisht” kishte familje shqiptare (kristiane) që për të ruajtur pasurinë dhe privilegjet e “trashëguara” pranuan të mohojnë fenë Kristiane, e të përqafojnë besimin Muhamedan. Gjithsesi këto familje ishin të pakta, por që për të nxitur familje të tjera që, ndonëse përdoreshin metodat më çnjerëzore, nuk e mohonin besimin Kristian, dezertorët e kristianizmit u shpërblyen me pasuri, grada e ofiqe e hierarki në pushtetin provincial e perandorak. Ingranimi i shqiptarëve në përgjithësi e familjeve që rrokën shpejt Islamizmin në rendin pushtues të perandorisë, bëri që nga raca jonënë administratën lokale e atë qendrore, të shkëlqejë aftësia, trimëria, mençuria e drejtimit të punëve të Perandorisë, e cila shpëtoi nga gremina ku po rrokullisej pikërisht nga zotësia gjeniale e shqiptarëve që ishin ingranuar në strukturat më të larta të këtij supershteti.

Gjithsesi hierarkia e shqiptarëve në strukturat e perandorisë është tepër e madhe e për t’i shënuar të gjithë do të duheshin mijëra faqe, por që në këtë shkrim siç paralajmërova në titull dua të shënoj vetëm ata që ishin në majën e piramidës së perandorisë dhe drejtonin krejtë jetën e saj të trazuar e shpesh të marruar nga fanatizmi i qytetërimit që kërkonin t’u impononin popujve të tjerë, pra këtu do të njihemi me Kryevezirët ose Vezirët e mëdhenj me origjinë shqiptare, të cilët hynë në histori, si për punë të mira apo të zeza.

Vezirët e mëdhenj me origjinë shqiptare fillojnë të duken të herët mbas fazës së parë të invazioneve otomane, madje mjerisht edhe në kohën kur në Arbërinë legjendare, shqiptarët me në krye “Mesinë” e tyre Gjergj Kastrioti, shkruanin faqe lavdie e heroizmi jo vetëm për vete. Ky vezir i madh është pikërisht Isak Pasha, i cili “qeverisi” perandorinë turke në vitet 1458-1463, kur Sulltan ishin Mehmeti II dhe Bajaziti II. I dyti ishte Daut Pasha nga Ganjolla që qeverisi Perandorinë nga vitet 1471-1486 (koj periudhë koinçidon me invazionet e tmerrshme turke që pushtuan përfundimisht Shqipërinë). I treti Vezir i madh është Ajaz Pasha nga Vlora, që qeverisi perandorinë nga viti 1525 deri në vitin 1529, Sulltan ishte Sulejman Kanuni. I katërti Lutfi Pasha nga Libohova, i cili qeverisi si vezir i madh në vitet 1529-1531. I pesti vezir i madh ishte Ahmet Pasha, që ka si vit të shënuar vetëm vitin 1570, kur Sulltan ka qenë Selimi II. I gjashti vezir i madh ka qenë Sinan Pasha, që ka qeverisur në vitet 1571-1588, kur Sulltan kanë qenë Murati III dhe Mehmeti III. Veziri i madh që në radhë për nga raca shqiptare njihet i shtati ishte Ferhat Pasha, që ka qeverisur në vitet 1582 dhe 1585. i teti vezir i madh është Jemeshçi Jasan Pasha, që ka qeverisur në vitin 1593, kur Sulltan ka qenë Murati III. Veziri i madh i nëntë regjistrohet Hasan Pashë Ohri, që ka qeverisur perandorinë në vitin 1614, kur Sulltan ka qenë Osmani II. I dhjeti vezir i madh shënohet Merre Hysein Pasha, i cili ka qeverisur në vitet 1615-1617, Sulltan ka qenë Ahmeti I dhe Mustafa I. I njëmbëdhjeti vezir i madh me origjinë shqiptare është Mehmet Pasha, që qeverisë perandorinë në vitet 1625 dhe 1633, kur Sulltan ishte Murati IV. Veziri i madh i dymbëdhjetë nga raca shqiptare ishte Kara Mustaf Pasha, që ka qeverisur perandorinë në vitet 1631 dhe mendohet edhe në vitin 1640, kur Sulltan kanë qenë Murati IV dhe Ibrahim. I trembëdhjeti vezir i madh regjistrohet se ka qenë Murat Pasha, i cili ka qeverisur perandorinë në vitet 1634 dhe 1641. Në radhë i katërmbëdhjeti vezir i madh është Ahmet Pasha Turhanxhi, i cili ka qeverisur në vitet 1646-1647, i cili shënohet se është nga Mati, Sulltan ka qenë Ibrahimi. I pesëmbëdhjeti vezir i madh, madje ndër më të suksesshmit përmendet shqiptari nga Rozhniku, Mehmet Pashë Qypriliu (Kypryliu), i cili qeverisë perandorinë në vitet 1656 deri në vitin 1661, kur perandoria ishte buzë greminës e rrezikohej të rrokullisej për të mos u ngjitur më, por ky shqiptar, jashtë çdo parashikimi e ringriti këtë perandori nga shtrati ku lëngonte duke e ringjitur edhe më lart se ishte para “lëngatës”, duke bërë kështu që nga kjo familje të dalin edhe kryevezirë të tjerë që do të vazhdonin veprën në forcimin e supershtetit turk. I gjashtëmbëdhjeti është pra po nga dera e Qyprilive, e ky quhet veziri i madh Fadil Armet Qypriliu, që qeverisi në vitet 1661-1676, kur Sulltan ishte përsëri Mehmeti II. Përsëri edhe i 17-ti vezir ishte po nga kjo derë e fisme e Qyprilive, e ky ishte veziri i madh me emrin Mustaf Pashë Qypriliu, i cili qeverisi perandorinë në vitet 1689 deri në vitin 1691, kur Sulltan ishte Sulejmani II. Veziri i 18-të me origjinë shqiptare ishte Ali Pashë Ohri (nga Ohri), i cili qeverisi vetëm në vitin 1691, kur Sulltan bëhet Ahmeti III. Shqiptari i 19-të që u bë vezir i madh ishte Hysein Pasha, që qeverisi në vitet 1695-1700, kur Sulltan ishte Mustafa II. Ndërsa veziri i madh i 20-të nga raca shqiptare ishte Mustaf Pasha (nga Manastiri) i cili ka të shënuar se qeverisi në vitin 1700, kur Sulltan ishte përsëri Mustafa II. Ndërsa i 21-ti vezir i madh shqiptar është përsëri nga dera e famshme e Qyprilive, dhe ky është Niman Pashë Qypriliu që qerisi perandorinë në vitin 1703, kur Sulltan ishte po Mustafa II. I 22-ti vezir i madh shqiptar ishte Mustaf Pashë Elbasani (nga Elbasani), i cili qeverisi në vitet 1712-1713, kur Sulltan ishte Ahmeti III. Ndërsa veziri i madh i 23-ti nga soji jonë u bë Mustafa Pashë Bajraktari (nga Goskova), i cili hipi në këtë fron në vitin 1784 në një moment tragjik për perandorinë, ku rebelimi i Jeniçerëve bëri që të mbytej Sulltan Selimi III, por vetë Zoti e dora e Mustaf Pashë Bajraktarit bëri që t’i shpëtojë i biri i Sulltanit në moshën 22 vjeç, ku pas kësaj Sulltan u emërua ky djalosh 22-vjeçar me emrin Sulltan Mehmeti II, natyrisht vezir të madh emëroi menjëherë Mustafa Bajraktarin, i cili qeverisi perandorinë në vitet 1784 deri në vitin 1808, i cili pabesisht u burgos nga Sulltani në vitin 1808, madje lejoi jeniçerët kriminelë të “hakmerren” duke e mbytur pabesisht në burgun që e kishin mbyllur. Dhe po në vitin 1808 i vjen radha për vezir të madh të perandorisë, shqiptarit nga Korça Memish Pasha, i cili qeverisi vetëm në vitin 1808, kur ishte përsëri Sulltan Mehmeti II. Pikërisht pas vitit 1808, kur Sulltan i Turqisë u bë Abdyl Hamiti, shënohet si vezir i madh Izet Pasha, i cili është nga radha i 25-ti vezir i madh shqiptar, kur Sulltan vjen Abdyli Hamiti. Në vitin 1903, përsëri kemi vezirin e madh të 26-të nga Vlora me emrin Ferid Pashë Vlora, i cili qeverisi vetëm në vitin 1903, kur Sulltan ishte Abdyl Hamiti II. Veziri i 27-të dhe i fundit nga trojet shqiptare, që qeverisën jo pak perandorinë më të madhe të kohës ishte Seit Halim Pasha, i cili qeverisi në vitin 1914, kur Sulltan ishte Mehmeti V. Pas këtij viti fillon “stuhia” e Luftës së Parë Botërore, në të cilën u përfshi edhe “perandoria” thuajse e shkatërruar, që fuqitë e mëdha të Europës nxitën shtete të tjera e veçanërisht Greqinë, të grabisë çfarë të munden nga perandoria tashmë e shkatërruar pakthim. Ishte viti 1920, kur po nga raca shqiptare del një burrë shteti, i rritur e edukuar në Turqi, i cili arrin të shpëtojë përfundimisht shtetin turk nga lakmitë e “shovenëve”, por edhe lufta cilive që ishte thuajse në prag të derës, duke krijuar në vitin 1923 (tetor) Republikën Turke dhe Mustafa Qemal Ataturkun si president të saj, ku siç kam lexuar diku në një revistë të kohës, e cila shkruan se “nën drejtimin e Mustafa Qemal Ataturkut, Turqia rifitoi vendin e saj në jetën ndërkombëtare, ku ishte pikërisht aftësia e guximi i këtij shqiptari që bëri të shpëtojë, përparojë e lulëzojë ky shtet jo pa peshë tashmë në jetën ndërkombëtare”.

Këto pra janë dhuntitë e padiskutueshme që gëzon raca jonë, e cila fatkeqësisht deri tani në të shumtën e rasteve këto dhunti e aftësi kanë shkuar në favor të popujve të tjerë e jo të vetë shqiptarëve.

Në mbyllje të këtij shkrimi dua të sqaroj lexuesit për dy momente të cilat gjatë shkrimit i trajtova pa sqarime: Së pari, emrat e Sulltanëve i përmenda për të treguar forcën e racës sonë për të qeverisur një perandori të stërmadhe për kohën, ku Sulltanët konsideroheshin si Zotët e Tokës. Së dyti, forca e vezirit të madh ishte edhe kjo kolosale me “Bekimin” e vetë Sulltanit, ku Veziri i Madh kishte në dorë jo pak nga fatet e Perandorisë Otomane, e cila në atë kohë ishte një ndër më të mëdhatë e gjithë shteteve të botës e që përfshinte Turqinë e sotme, Irakun, Arabinë, Jemenin, Palestinën, Sirinë, Egjiptin, Libinë, Tunizinë, Bosnjen-Hercegovinën, Hungarinë, Serbinë, Malin e Zi, Rumaninë, Bullgarinë, Greqinë, Shqipërinë, etj… Ndërsa veziri i madh ishte afërsisht si një kryeministër mjaft i fuqishëm. Gjithsesi shërbimet e shqiptarëve ndaj perandorisë ishin aq të mëdha, sa kjo perandori nuk i meritonte, por vetë koha bënte që këto shërbime shpëtimtare të shqiptarëve ishin të domosdoshme, pasi duke shpëtuar perandorinë shpesh kemi shpëtuar edhe veten, pasi edhe pa dashjen tonë ishim bërë disi pjesë e saj. Natyrisht kjo “bashkjetesë” e shqiptarëve me Perandorinë Otomane shpesh u bë burim smire e sherri i popullit shqiptar me fqinjët e asaj kohe, ku shpesh këto inate kërkohen të shpërthejnë edhe tani në shekullin e shpresës e “bashkjetesës” të popujve, por ama secili me identitetin e tij dhe në trojet e veta që Zoti i fali e historia i njeh, e ku shpesh kanë nevojë të korigjohen…

Ndue Bacaj

Papa Klementi XI, shenjtori shqiptar që ruajti “farën” katolike në Shqipëri

Duke folur me gjuhën e thjeshtë të popullit, mund të thuhet pa drojtje se ekzistenca e shqiptarisë në shekujt 16 – 17-të, ka qenë më në zgrip se kurrë. E kjo pasi pushtimi Otoman jo vetëm ishte instaluar dhunshëm, por mbi të gjitha ishte “betonuar” me një “mur” të pakapërcyeshëm, jo vetëm nga shqiptarët e mbyllur këtu, por edhe nga pjesa tjetër e Europës që u zgjonte “kureshtje” qytetërimi e besimi që po “lulëzonte” pikërisht në zemër të Europës Kristiane që prej shumë shekujsh.

Gjithsesi ato kohë shpesh kishin qenë të ligështa edhe për vetë Europën, e cila për të shpëtuar veten, të paktën heshte para sakrifikimit e martirizimit që i bëhej një prej popujve më të vjetër të saj, shqiptarëve.

Në atë kohë Venediku, si shteti më i interesuar për shqiptarët, për të “shpëtuar” veten në vitin 1573 nënshkruan një “traktat” paqeje me Perandorinë Turke, e ku kjo “paqe” zgjat deri rreth vitit 1642, ku padyshim siç edhe është quajtur kjo periudhë, është edhe periudha e Harresës së Europës Kristiane për këtë pjesë të saj (shqiptarëve). Si rezultat gjatë këtyre viteve Islamizimi i shqiptarëve po arrinte përmasa të frikshme, jo vetëm në zonat urbane, por edhe në ato rurale. E kthimi në besimin e “Ri” nuk ishte vullnetar, por mbi të gjitha i dhunshëm dhe për këtë përdorej “dhuna” psikologjike, ekonomike, morale e mbi të gjitha materiale. Rezultatet e këtyre viteve tregojnë për një Islamizim të vrullshëm në Shqipërinë e Mesme, por edhe të Jugut, ku në Jug në një farë mase besimi Ortodoks ishte disi më i privilegjuar, e pse jo shpesh aleat i pushtuesve shekullorë. Qëndresa stoike, ose më saktë palca e shqiptarisë vazhdonte të ishte në Shqipërinë Veriore e cila jo vetëm që nuk kishte reshtur së kundërshtuari (me pushkë e pendë) pushtuesin si besim e pushtim, por mbi të gjitha Islamizimi në këto treva ishte ose i vogël në krahasim me pjesët e tjera të shqiptarisë, ose deri atëherë shumë formal, pasi një pjesë e atyre që kishin ndërruar besimin, më shumë e konsideronin ndërrim emrash, pasi në Hyqamet vërtet njiheshin me emra musliman, por në shoqëri njiheshin me emrat e vërtetë kristianë, si dhe në jetë zbatonin ritet e tyre kristiane-shqiptare, ndonëse tashmë në Shqipëri mungonin mjaft nga objektet e kultit, si dhe “kuadrot” që duhej të vazhdonin predikimin e këtij besimi jetëdhënës për rreth 16-shekuj. Pse jo në këto kushte tepër të rënduara, rrezikohej tashmë edhe Shqipëria Veriore, që deri në këtë periudhë kishte qëndruar me stoicizëm e heroizëm të pashoq. Pikërisht në këtë zgrip të ekzistencës të komunitetit autokton ishin mbi të gjithë katolikët, të cilët tashmë ndodheshin në mes dy “zjarresh”, ose të konvertoheshin në Muslimanë totalisht duke u kthyer kështu në ushtarë në “mish për top” të perandorisë, ose pranimi i besimit disi më të afërt me katolikët me besimin Ortodoks, që siç tregoi eksperienca e mëvonshme do të thoshte të binin nga shiu në breshër, duke humbur dalëngadalë edhe identitetin kombëtar shqiptar. Në këto momente tragjike me sa duket desh vetë Zoti që në Urbino të Italisë të lindë nga familja shqiptare e mërguar atje (pikërisht në kohën e dyndjeve otomane) Gjon Françesk Albani (lindi më 22 korrik 1649), i cili më vonë siç do të shohim do të bëhej Papë në selinë e Shenjtë me emrin fetar Papa Klementi XI. Gjatë kësaj kohe që po rritje ky Papë i ardhshëm filloi lufta Turko-Austriake e cila uli diçka hovin e raprezaljeve të perandorisë edhe në Shqipërinë e Veriut.

Gjon Françesk Albani, pasi u shkollua me një pasion të pashoq, arriti të të laurohet po në Urbino të Italisë nga ku dhe i hyri karierës Kishtare, ku edhe hyri në shërbim të Rietit, Sabinës dhe Orvietit për rreth shtatë vjet, pas kësaj për aftësitë e tij u bë Sekretar i letrave Papnore, ku qëndroi derisa u zgjodh Papë nga fundi i vitit 1700 dhe filloi zyrtarisht në këtë detyrë në ditët e para të vitit 1701. zgjedhjen e Gjon Françeskut si Papë padyshim e kishte ndihmuar Papa paraardhës Aleksandri VIII, që në fakt këtë besim edhe tek mbarë kristianizmi e shpërbleu me punën e tij doktrinare në shërbim të fesë e njerëzimit. Papa Klementi XI në këtë detyrë që shenjtë qëndroi plot 20 vjet, duke mbetur në histori si një ndër Papët më të suksesshëm të historisë Papale. Froni i Papës kishte një rëndësi të veçantë si dhe sot, pasi ky ishte froni i trashëguar nga Shën Pjetri (një ndër përhapësit e doktrinës Kristiane në Botë). Përveç sukseseve që i ka shkruar historia në zhvillimin e shenjtërimin e doktrinës së Jezu Krishtit në mbarë Botën e veçanërisht në atë Katolike, rëndësi ka se ai që kur hipi në fronin e Shenjtë të Papës, në Selinë e Shenjtë tregoi origjinën e tij shqiptare dhe shprehu interesin e tij për të mbrojtur mbarë shqiptarët e të gjitha besimeve e veçanërisht organizimin e atyre me besimin Katolik kudo në Shqipëri. Papa Klementi XI në vitin 1703 organizoi konçilin (kuvendin) e Peshkopëve të Shqipërisë, ku ky konçil krahas problemeve të “ngushta” fetare, nën kryesinë e Imzot Vinçent Zmajeviku (Zmajevski) që ishte edhe Kryepeshkopi i Tivarit dhe Primat i kishës katolike shqiptare, ndër të tjera vendosi që shënimet në regjistrat shqiptarë të bëhen në gjuhën shqipe, e ky koncil njihet në në histori si “koncili i Arbërit”. Me kujdesin e Papa Klementit XI më 1711 u hap katedra e gjuhës shqipe në shkollën e Montorinos në Romë (Itali). Po nën urdhëresën e këtij Pape me origjinë shqiptare, në vitin 1720 në Voskopojë u themelua shkolla e mesme e quajtur “Akademia e Re”, si u hap edhe një shtypshkronjë, duke e bërë këtë qytet shqiptar qendër të rëndësishme kulturore e fetare për kohën. Gjithashtu nga viti 1703 Papa Klementi XI ndihmoi në përhapjen e letërsisë fetare në gjuhën shqipe. Gjithashtu ky Papë me origjinë shqiptare arriti të ndihmojë e sensibilizojë Europën në luftën e madhe që bënte në këto vite Malësia e Madhe e veçanërisht Fisi i Kemendit kudra Turkut. Por një ndihmë e përkrahje të pakursyer dha ku Papë edhe për Himariotët (që në ato vite ende ruanin besimin Katolik), duke i ndihmuar të hapnin shkolla e Kisha të reja e ruajtur të vjetrat, duke e bërë kështu këtë trevë shqiptare vatër Feje e atdhedashurie. Padyshim autoriteti i Papës ishte mjaft i madh aq sa çoi peshë jo pak në Venedikun, Austrinë e tjerë në mbrojtje të besimit e të drejtave të shqiptarëve që donin t’i merrnin nëpër këmbë pushtuesit Osmanë, ku pushtuesit për të mos hapur fronte të reja lufte e armiqësie dalëngadalë erdhi duke u zbutur e bërë më “tolerant”.

Në këtë kohë me ndihmën e Papës shqiptar nga vendi jonë filluan të “rekrutohen” djelmosha shqiptarë të cilët shkuan të shkollohen në kolegjin e Assisit, duke u bërë kështu misionarë të Shën Françeskut dhe Barinjtë shpirtërorë të Grigjës katolike deri atëherë mjaft të çorganizuar. Gjithashtu po në fillim të shekullit XVIII nën kujdesin e Papa Klementit XI u krijua Kongregacioni i propagandës Fide, ku padyshim edhe shënon kthesën e qëndresës pakthim dhe organizimin më të lartë të komunitetit katolik i cili trashëgonte virtytet më të mira të Shqiptarisë. Gjithsesi tashmë Katolikët në veçanti e shqiptarët në përgjithësi kishin një Engjëll mbrojtës që ishte Papa shqiptar dhe Selia e Shenjtë që ishte i vetmi vend ku shqiptarët mundni të hynin pa “trokitur”.

Natyrisht Papa Klementi XI, nuk ishte thjeshtë një Papë që kishte për mision vetëm kristianizmin e popullit të tij, e për këtë vepra e tij e lënë trashëgim tregon për një aktivitet të jashtëzakonshëm në shërbim të njerëzimit e shenjtërimit të jetës tij jo pak të trazuar.

Dhjetra misione katolike të Papës në Abisini, në Afrikën Veriore, në Persi, në Indi, Japoni, Kinë, në Amerikën Jugore, Meksikë, Kaliforni e tjerë e tjerë plotësojnë punën e palodhshme e të guximshme të këtij Pape me origjinë shqiptare, që vetë gjaku nga rridhte ia shtonte dhuntinë e guximin për të plotësuar misionet e tij kristiane shpesh edhe me rreziqe për jetën…

Në fushën e dokumentave të shkruar për këtë misionar mëkëmbës të Shën Pjetrit shënohen 1412 letra, 28 ligjërata, 130 biseda të shkruara në dy blej (vëllime) që ruhen edhe sot në Selinë e Shenjtë në Vatikan, siç thotë Ludoviku Von Pastor: “Se këto shkrime janë një përmendore e bukur, e zelit Barituer, e trimërisë Apostolike dhe e veprimtarisë së palodhshme të një papës ndër më të mëdhenjtë e Kishës Katolike”.

Vlen të theksohet se Papa Klementi i XI ishte nxitësi dhe financuesi i fillimit të veprës madhore “Ilirikum Sacrum”, për të cilën ka edhe një kontribut jo të vogël edhe si historian.

Gjithashtu nën kujdesin e këtij Pape u ruajtën visaret arkeologjike të Romës, si dhe mbledhja e të tjerave nga vise të ndryshme, ku sot Muzeu i madh i Romës ka në themel kontributin e shqiptarit Papë, që nga historia njihet si nj nga themeluesit e kësaj vepre madhore të kulturës Botërore. Papa Klementi XI njihet edhe si një ndër “kudjestarët” më të mëdhenj të ruajtjes, meremtimit e stolisjes së përmendoreve e objekteve antike të trashëguara, si dhe shkrimeve, kanuneve e dokumentave të tjerë që vërtetonin jetën e kaluar të popujve. Gjithsesi vepra e këtij Papë me origjinë shqiptare është aq e madhe sa për ta përshkruar do të duheshin mijëra faqe, pasi po kaq edhe janë shkruar e vazhdojnë të shkruhen për këtë, por unë dua të riprodhoj vetëm pak nga ato çfarë shkruan Biografi i njohur i këtij Pape, francezi Reboulet në veprën e tij të njohur “Historia e Klementit XI” kun dër të tjera shkruan: “Gjon Françesk Albani lindin në Urbino (Itali) në vitin 1649. Familja fisnike Albani e kishte origjinën në Epirin e Vjetër, domethënë Shqipërinë e sotme. Ai u kujdes posaçërisht për fatin e Kishës në vendin e paraardhësve të tij. Me inisiativën e tij u mblodh kuvendi i Peshkopëve Katolikë të Ballkanit nën kryesinë e Imzot Vincent Zmajevski, Kryepeshkop i Tivarit dhe Primat i Kishës. Kështu filloi “rekrutimi” i djelmoshave shqiptarë që mësuan me u ba priftën në Kolegjin e Assisit. Ata u bënë misionarë të Shën Françeskut. Ky ishte një fitim i madh për Nacionalizmin dhe kulturën shqiptare, basi Kleri Katolik ishte i pari që filloi me shkrue në gjuhën amtare dhe krijoi monumentin e parë të letërsisë shqipe…” Ndërsa Imzot Vincet Zmajeviku (Zmajevski) sapo muar vesh emrimin e këtij Pape me origjinë shqiptare, ndër të tjera ai shkruan: “O Shenjt atë Papë nën hijen tënde dheu i Shqipënisë po gazmohet, se mbas shumë vitesh po hynë të marri frymë e të çeli sytë… nën një Papë shqiptar po del në dritë e mezi ç’pret me fitue emrin e Lumninë. Ndër kaq unë me gjithë Popullin e Shqipërisë i lutemi Zotit që ty, Papë shqiptar të ruaj për gjatë e mot me jetë e shëndet, për të mirën e Kishës e për fatin e mirë t’anin…” Megjithatë duhet theksuar se kjo zgjedhje u prit me gëzim jo vetëm nga Bota Katolike, por edhe nga ajo jo katolike, ku vetë Pashai Kajros e sundimtari i Bitinjes, shkruan G. Moroni, e priti jo pa gëzim për lumninë e Zotsinë që kishin “Shtetasit” e Perandorisë… Natyrisht nga ajo kohë e “Lumnueshme” kan kaluar shekuj bashkë me Baticat e zbaticat që suallën motet, por të gjitha këto janë disi më të “natyrshme”, se vetë Shenjtëria që është Hyjnore e Qiellore e si e tillë nuk shuhet kurrë, ashtu si Drita e këtij Shenjtori shqiptar që shndrit jo pak Botën, por për fat të keq tek ne ende ka “hije” që vazhdojnë ta Zënë disi dritën e shenjtorit shqiptar që nuk do të shuhet kurrë…

Ndue Bacaj

Shitja e Telekomit shqiptar paderkalizëm mesjetar, dëmtim i rëndë i interesave kombëtare

Më 16 maj 2001 ish Ministri i Ekonomisë dhe i Privatizimit, z. Muçi, duke “fluturuar” me shpejtësi rrufe si përfaqësues direkt i qeverisë deklaroi: ne do ta shesim Telekomin Shqiptar”. Siç shihet një fenomen i pazakontë që rrjedh nga një paderkalizëm i pashoq. Gjithashtu një shprehje e rëndomtë e një konservatorizmi të mesjetës së hershme e barabartë sikur Telekomi të ishte pronë personale e tyre.

Ditën e nesërme më 17 maj u vendos përfundimisht nga Parlamenti ynë i kaluar “Përcaktimi i formës dhe strukturës të Privatizimit të Shoqërisë Anonime “Albtelekom” sipas ligjit Nr. 8810 dt. 17. 5. 2001 botuar në Fletore Zyrtare qershor 2001.

Pas disa ditëve Presidenti i Republikës me dekretin Nr. 3051 dt. 5. 6. 2001 miratoi ligjin ose më saktë shitjen e Albtelekomit sh.a. investitorëve të huaj strategjikë.

Sipas këtij ligji, forma dhe formula e privatizimit të aksioneve të Albtelekomit sh.a., është si vijon:

E para, jo më pak se 51%, por jo më shumë se 76% e aksioneve të kapitalit u afrohen, më shqip, ju shiten investitorëve strategjikë (kupto monopoleve të huaja), të cilat janë shoqëri të specializuara në fushën e Telekomunikacioneve.

E dyta 3% e aksioneve të kapitalit të shoqërisë transferohet pa pagesë për llogari të Albapostës sh.a.

Paketa e mbetur e aksioneve destinohet edhe për ish prontarët të truallit të godinave telekom.

Ndërsa aksionet që do mbeten do ju jepen përsëri sipas pikës 5 Investitorëve strategjikë, të cilët kanë të drejtën e parablerjes të aksioneve të mbetura për shitje.

Kurse për punonjësit e Telekomit bëhet një përjashtim substancional dhe thelbësor. Për ata jo aksione të kapitalit por bono të privatizimit që u takon si person dhe pjestarëve të familjes së tyre. Për rrjedhojë me këto letra të pavlerë, të zhvlerësuara mbi 98% iu premtohet që ata të bëhen aksionerë kur ndërmarrja e tyre të shitet tek monopolet e huaja! Natyrisht nuk ka nevojë për koment.

Si përfundim kapitali i madh monopolist i ndërmarrjeve strategjike të Telekomunikacioneve të vendeve të tjera do të blejë në radhë të parë dhe mbi të gjitha për interesat e tij rreth 85-90% të aksioneve të Telekomit Shqiptar. Si rezultat shtetit nuk do t’i mbetet asnjë aksion, kurse personeli i Telos të xha Komit do nanuriset porsi një fëmijë i vogël me disa letra të bukura si të çokollatave pa asnjë vlerë dhe plotësisht fiktive. Kësaj i thonë shoqëri civile e hapur dhe demokraci e vërtetë ku shteti në çdo kohë bën si t’i pëlqejë dhe t’i teket vetë.

Shtrohet një pyetje me rëndësi: “Kush është Albtelekomi sh.a. dhe pse ai duhet detyrimisht të privatizohet veçanërisht ajo që është më fatale, të shitet duke u bërë pronë e monopoleve të huaja. Po ashtu ç’po me shtetin tonë. Ç’është kjo tërheqje dhe tkurrje e plotë e tij ndaj pasurive strategjike që zotëron.

Albtelekomi sh.a. është një shoqëri aksionere me aksionerë të vetëm Shtetin. Një tautologji dhe paradoks i vërtetë. Telekomi përfaqëson një ndërmarrje të fuqishme gjigande me përmasa kolosale si dhe me rentabilitet e fitim të jashtëzakonshëm. Ai gjatë dekadës së fundit është rritur dhe fuqizuar mbi 10 herë duke u bërë një thesar i madh dhe burim i pashtershëm të ardhurash me rëndësi jetike për ekonominë e vendit.

Megjithatë është vendosur që këtë minierë floriri, e cila sot është plotësisht në dorën e shtetit t’ju shitet të huajve, sepse ne Shqiptarët nuk dijmë me drejtue, administrue dhe me e zhvillue atë. Ne në këto vitet e fundit “s’kemi dhënë asnjë provë” në përparimin e Telekomit, “s’kemi pasur asnjë sukses”, por për dreq vetëm “humbje” të vazhdueshme, prandaj të tjerët duhet të na marrin për dore dhe të bëhen zotër të plotfuqishëm të ekonomisë sonë. Jo kështu të nderuar zotërinj. Nuk po veproni drejtë. Më duket se keni marrë mbi vete një barrë tepër të rëndë. Kujdes ulni shpejtësinë, rregulloni drejtimin dhe mos harroni se brezi i ri dhe ata që do vijnë do ju gjykojnë me rreptësi.

Megjithëse ju e keni vendosur dhe ligjëruar Telekomi nuk duhet të shitet. Është më mirë si fazë e parë ta fuqizojmë më shumë dhe më shpejt duke pritur kohën më të përshtatshme si edhe mundësi të tjera më të mëdha. Shteti dhe personeli i Telekomit kanë dhënë prova me sukses për fuqizimin dhe zhvillimin e madh dhe të jashtëzakonshëm të tij.

Gjithsesi për dreq jemi në një situatë të mjegullt ku e gjithë shoqëria shqiptare, opinioni publik, personalitete të shoqërisë civile etj., në përgjithësi po bëjnë “gjumin letargjik”, ata nuk po lëshojnë asnjë zë kundër privatizimit të ndërmarrjeve strategjike sidomos kundër shitjes së tyre kapitalit monopolist euro-amerikan. Duke shfrytëzuar këtë gjendje shteti po vë në ankand interesat kombëtare duke mos siguruar transparencën e duhur për t’u njohur konkretisht me leverdinë ekonomike e sociale të shitjes së Aseteve Strategjike sidomos të Telekomit Shqiptar.

Në këtë vend vështrimi për zublimin e enigmës së krijuar parqiten shumë pyetje së bashku me përgjigjet e tyre, sepse ka shumë çështje, probleme, skenarë e protagonistë që herë duken pas si maja e ajsbergut, herë zhduken për të dalë diku tjetër me përmasat e tyre të plota në dëm të interesave kombëtare.

Sipas llogaritjeve të përafërta e krahasuese, vlera totale e kapitalit të Albtelekomit sh.a. pa futur në “lojë” relativitetin e koefiçientëve në përqindje të normave vjetore të amortizimit të A.Q.T. (Aktiviteteve të Qëndrueshme të Trupëzuara) ose Mjeteve Kryesore të cilat zakonisht mund të përdoren edhe si faktorë “rregullues” në llogaritjen ose më saktë në manipulimin e shpenzimeve dhe të ardhurës neto (Fitimit) në bazë të Bilancit të përgjithshëm ekonomiko-financiar dt. 31 dhjetor 2001 të Drejtorisë së Përgjithshme të Albtelekomit sh.a. duhet të rezultojë nga 1.5 deri 1.8 miliardë dollarë. Ndërsa e ardhura neto e llogaritur nga 70 deri 100 milion dollarë.

Në emisioni shqip të Top Chanel TV, dt. 12. 5. 2002 me Rudina Xhunga, z. Pandeli Majko në një moment të caktuar tha: “Ne nuk do ta shesim lirë ose badiava Telekomin”. Dhe si nëpër dhëmbë përmendi pjesëmarrjen e kapitalit vendas të privatizimit të ndërmarrjeve strategjike. Natyrisht siç kuptohet në qoftë se ai do lejohet për të marrë (blerë) disa thërrime ndoshta ndonjë copë shumë të vogël nga pasuria jonë kombëtare.

Nuk kaloi shumë kohë kur në TV Publik Ministri i Financave Islami deklaroi: “Efekti i mosrealizimit të të ardhurave në Buxhetin e Shtetit nga mosshitja e Telekomit është 10 miliard lekë dhe me kursin e këmbimit 1 dollar me 145 lekë baraz 68.975.517 dollarë.

Lidhur me të njëjtën vlerë, e cila nxori indirekt pazarllëqet e bëra në vlerësimin pr shitje të pasurisë së Telekomit në mënyrë varfanjake e qesharake, u prononcuan edhe disa personalitete të tjera të larta. Nga e gjitha kjo u mbars mali dhe polli një mi, kështu u publikuan indirekt të dhëna konkrete që përcaktojnë të dhëna të shitjes së Telekomit Shqiptar monopoleve të huaja e barabartë afërsisht me fitimin e vitit 2001.

“Privatizimi i ndërmarrjeve strategjike është çështje jetike e gjithë popullit shqiptar. Ai nuk është “pronë” personale dhe private e kurrkujt, por një e drejtë absolute mbarëkombëtare”.

“Telekomunikacionet janë pasuri e madhe kombëtare, pronë e gjithë shtetasve, prandaj kërkohet bindje e fortë dhe argumenta shkencorë, ekonomikë, financiarë për nevojën e tjetërsimit të tyre. Suksesi i privatizimit varet edhe nga ndërgjegjësimi i mbarë opinionit publik se çfarë do të fitojë ai me shitjen e Telekomunikacioneve…”

“Konceptimi i këtij ndryshimi të madh, mekanizmat që do të vihen në veprim, format dhe metodat më të përshtatshme e efikase, pavarësisht nga reklama dhe buja, ende nuk janë kristalizuar plotësisht. Raporti i pronarit shtet me pronarët e tjerë vendas e të huaj, zgjedhja e investitorëve më të fuqishëm e korrektë, leverdia ekonomike e sociale e tjetërsimit të këtyre ndërmarrjeve me rëndësi jetike për ekonominë e vendit, përparsia dhe kostoja e këtij ndryshimi etj., kërkojnë studime të thella shkencore, veprime të shpejta, ndershmëri dhe përgjegjësi të lartë para popullit e atdheut…”

Nga deklarimet e disa personaliteteve shtetërore po paqyrohet gjithnjë e më qartë shkalla e ulët e transparencës për shitjen e ndërmarrjeve strategjike, veçanërisht  e Albtelekomit. Ata e kanë minimizuar vlerën e këtij të fundit në drejtim të përfitimit që ka buxheti i shtetit duke bazuar vlerën totale të shitjes së tij me fitimin e llogaritur të bilancit të vitit 2001.

Mungesa e transparencës totale shihet më mirë sidomos në dy drejtime kryesore: E para, nuk jepen argumente bindëse me të dhëna dhe shifra të plota krahasuese për të vërtetuar jo vetëm teorikisht leverdinë ekonomike e resurset e tjera që do të ketë ekonomia e jonë dhe xhepi i punonjësve nga privatizimi i ndërmarrjeve të ashtuquajtura strategjike. Për këtë kërkohen bilance tepër të sakta, në të cilat të pasqyrohen të gjithë treguesit teknik dhe ekonomiko-financiarë të kuadruar e rakorduar plotësisht, ku ato të krahasohen me disa tregues të tjerë nga ku do të instalohen “kanalet” e ardhshëm të burimeve financiare që do të ketë shteti dhe ekonomia kombëtare nesër nga ndërmarrjet strategjike veçanërisht nga Telekomi.

Pa këtë kërkesë minimale por të domosdoshme kurrë nuk do të ketë transparencë, korrektesë dhe mbarësi në shitjen e Aseteve strategjike. Pa këtë kusht jetik korrupsioni do bëjë kërdinë. Një fenomen i tillë është një SOS për të gjithë shqiptarët dhe një rrezik i madh që u kanoset mbi kokat e tyre.

Ka filluar dhe po shitete pjesë-pjesë Shqipëria. Edhe toka e saj po ashtu. Konkretisht vetëm për pjesën që i takon Filialit Albtelekom sh.a. Shkodër me privatizimin e tij do të shiten edhe 2300 metër katror truall i godinës në mes të qytetit. Kjo sipërfaqe do të jetë një oaz ku monopoli i huaj do të vjelë mbi ndërtesën që ngrihet mbi të, i qetë dhe plot gëzim të ardhura dhe fitime kolosale nga puna, djersa, kontributi dhe xhepat e shqiptarëve.

U vërtetua dhe u ligjërua plotësisht shitja 100% e aksioneve publike, që kanë një amanetqar i cili quhet shtet si edhe heqja dorë përfundimisht nga ana e tij nga pasuritë më të mëdha kombëtare të besuara nga e gjithë shoqëria për t’i menaxhuar dhe fuqizuar ato.

Me sa duket deri tani u mbyll përfundimisht rruga dhe çdo shteg tjetër për tërheqjen e kursimeve të shqiptarëve në proçesin e privatizimit të ndërmarrjeve strategjike.

U përjashtua plotësisht kapitali vendas dhe biznesi shqiptar brenda dhe jashtë vendit në proçesin e privatizimit të Telekomit dhe aseteve të tjera me rëndësi tepër të veçantë.

Në këtë drejtim ekzistojnë zëra që bëjnë thirrje që Albtelekomi sh.a. të shesë 10% të aksioneve të veta kapitalit vendas. Por ama 10% dhe jo më tepër sepse ndryshe nuk bën dhe nuk lejohet. Non stop. Natyrisht ato duken si disa zogj që këndojnë me një tingëllim bardh e zi në mes të një shkretëtire të pafund.

Shteti po shet të gjithë pasurinë kombëtare të krijuar në radhë të parë nga puna dhe kontributi i gjithë shqiptarëve sipas një plani të hartuar dhe hap pas hapi. Kështu po krijohet mundësia konkrete e monopolit të huaj të një ose dy shteteve mbi ekonominë e vendit tonë. Kjo do të jetë fatale për të ardhmen e tij. Kjo do të ishte vepra më e keqe dhe një turp i madh i disa në dëm të breznive të ardhshme. Ekziston rreziku që ata të trashëgojnë një vend pa një pasuri të fuqishme prodhuese të mirëfilltë kombëtare, i cili sido që të zhvillohet dhe sado i pasur që mund të bëhet, do të jetë kurdoherë i lidhur këmbë e duar si vasal ndaj kapitalit të huaj! Jo kështu nuk zhvillohet dhe përparon si duhet Shqipëria. Pa nder dhe dinjitet nuk ka të ardhura.

Ekziston edhe një rrugë tjetër. Për atë duhet të mendojmë dhe të angazhohemi të gjithë. Kush shet me çdo mënyrë dhe pa kriter pasuritë e vendit një ditë të zezë do të shesë edhe tokën dhe bashkatdhetarët e vet.

Që nga viti 1991-1992 dhe deri më sot Shqipëria ka tërhequr miliarda dollarë kredi dhe ndihma të tjera ekonomike. Me fjalët tjera në një kuptim më të ngushtë borxhe. Për Telekomi llogariten qindra e miliona dollarë. Por Gjigandët Financiarë të Botës, duke dhënë kredi të buta pothuajse pa interesa nuk kanë bërë presion për shtitjen me çdo kusht dhe patjetër të pasurive të tyre strategjike me përmasa kombëtare. Ky mund të konsiderohet si një invazion ekonomik i drejtpërdrejtë ku i fuqishmi përdor huatë për të nënshkruar dhe blerë të dobëtin i cili nuk i nderon vetë ata sepse nuk iu shërben qëllimeve e synimeve humane e progresiste mbi të cilat mbështesin veprimtaritë e tyre.

Nga ana tjetër për fat të keq Shqipëria nuk ka mundur të tërheqë në masën e kërkuar ndihmën dhe kontributin ekonomiko-financiar të bashkatdhetarëve të vet jashtë vendit. Investimet e tyre në adresë të shtetit amë, nënës Shqipëri janë tepër të vogla.

Gjithsesi kuptohen vështirësitë. Ato janë të shumta. Lufta e ashpër politike për pushtet, korrupsioni dhe krimi, mugnesa në shkallën e kërkuar të infrastrukturës, problemet e rendit etj., e bëjnë këtë më të rëndë angazhim.

Megjithatë vëllezër shqiptarë në Shqipëri mund të investohet shumë më tepër nga ana e juaj. Në atdheun tonë të përbashkët nuk ka vetëm natë por edhe ditë me Diellin dhe Bujarinë më të mirë dhe më të madhe në Evropë. Edhe shpirti i shqiptarit është i madh sa Korabi dhe Tomori ynë.

Në Shqipëri jetojnë 3.5 milion vëllezër dhe motra tuaja. Ata banojnë, punojnë, mësojnë, edukohen, kanë gëzime, përparime pushojnë dhe dëfrehen por kanë edhe shqetësime, halle e hidhërime, megjithatë kurrë nuk dorëzohen. Shumica nuk janë të pasur por janë milionerë në shpirt dhe zemrat e tyre.

Prandaj mos hezitoni të vini dhe të investoni në vendin tonë të bukur dhe me një perspektivë të shkëlqyeshme. Kërkoni të merrni pjesë në privatizimin e ndërmarrjeve strategjike. Ju keni mundësi financiare të bleni një pjesë të konsiderueshme të tyre, duke ndihmuar për përparimin më të shpejtë të Shqipërisë. Kjo do të jetë edhe në të mirën tuaj. Prandaj mos hezitoni. Pa risk dhe pa fat nuk ka asnjë veprimtari në botë. Ne kemi shumë nevojë për mendjen, dorën, kontributin dhe kapitalin tuaj. Të bashkohemi. Vendi i Shqiponjave ju pret. Shqipërinë duhet ta bëjnë në radhë të parë vetë shqiptarët. Ora e Shqipërisë po troket. Të gjithë ne duhet të bëjmë më shumë. Guximtarët kurdoherë dalin fitimtarë sepse e mposhtin frikën dhe ecin përpara. Ajo është si shtrigë. Vendi i saj është fundi i detit.

Në një intervistë ekskluzive sipas gazetës “Shekulli” dt. 11. 5. 2002, z. Gary Kokalari, në mes të tjerave deklaroi: “Shqipëria duhet të tërheqë investime të huaja, por investimi është diçka, ndërsa monopolizimi është një diçka tjetër. Është tepër negative për çdo qeveri të lejojë kompani të ndryshme të vendosin kontrollin e tyre mbi ekonominë. Shqipëria duhet të ketë një ambient të hapur biznesi për të gjithë.”

…“Banka Botërore përdor të ashtuquajtura kredi të buta pa interesa, por mbi bazën e tyre, në disa raste ato i bëjnë presion qeverisë shqiptare për shitjen e aseteve strategjike si Banka e Kursimeve dhe Albtelekomi. Nuk jam kategorikisht kundër shitjes së aseteve, por nuk është mirë të bëhet për të mbushur Buxhetin…”

Në lidhje sa sipër duhen nënvizuar fjalët e ish kryeministrit z. Aleksandër Meksit në bisedën në Top Chanal TV Shqip me Rudina Xhunga, dt. 12. 5. 2002, ku në mes të tjerave theksoi rrezikun e mungesës së transparencës në privatizimin e ndërmarrjeve strategjike dhe sidomos vendosjes së pozitës monopol të disa shteteve ndaj ekonomisë shqiptare.

Ministri i Financave në fjalën e tij në Parlament dt. 22. 5. 2002, për të mbrojtur vendimin e qeverisë lidhur me miratimin e formulës së privatizimit të INSIG-ut duke lënë të nënkuptohet edhe për asetet e tjera theksoi: “Kjo është pjesë e programit të qeverisë për realizimin e mardhënies së Asocim-Stabilizimit me Bashkimin Europian dhe një detyrim për t’u përmbushur kundrejt Institucioneve Financiare Ndërkombëtare. Kjo e përkthyer më shqip, do të thotë nënshtrim i plotë dhe pa kushte ndaj kapitalit të huaj.

Duke debatuar në këtë seancë, ish Ministri i Financave Angjeli zbuloi petët e lakrorit të bërë kur theksoi: “…Nëse një ministër nuk e mbron dot projektligjin të mos vijë këtu dhe të na thotë se kështu duan organizmat ndërkombëtare ekonomike. Ministri t’i dalë zot punës së tij.”

Larja e duarve si Ponc Pilati, abandonimi dhe braktisja me anë të shitjes nga ana e shtetit të pronave të tij është fatale. Duhet shënuar një fakt me rëndësi, kur flasim për Shtetin nuk është njëlloj si rotacioni dhe qëndrimi i mandatuar i pushtetarëve të ngjyrimeve të ndryshme politike. Pushtetet ose qeveritë e ndryshme kurdoherë janë të përkohshme, ndërsa shteti ka një jetë shumë të gjatë, ai është shekullor. Një shtet pa funksione të mirëfillta ekonomike financiare prodhuese, që janë faktori vendimtar i zhvillimit është i përkohshëm, i dobët dhe i destinuar që të dështojë.

Është domosdoshmëri historike krijimi dhe funksionimi i tregut të kapitaleve ose  i Bursës. Pa atë nuk ka pjesëmarrje të gjerë të kapitalit vendas në privatizimin e ndërmarrjeve strategjike, zhvillimi i një biznesi të madh kombëtar, reduktimi i varfërisë, bum ekonomik dhe rritje të nivelit të jetesës.

Të gjithë premisat dhe mundësitë janë përveç faktorit subjektiv, i cili i zhytur deri në fyt në detin e një pragmatizmi naiv e injorant dëshiron dhe përpiqet të “peshkojë” i hipur në anijen e huaj për të zënë sa më shumë peshk për interesat e momentit e vetiake si edhe padronëve të tij urdhërues.

Ndërmarrjet strategjike veçanërisht Telekomi ka nevojë ende për mjaft kohë për ndihmën dhe kontributin menaxhues të Shtetit. Eksperienca kolosale e fituar nuk mund të tretet pa lënë efekt dhe gjurmë si kripa në rërë. Gjaku nuk bëhet ujë.

E dyta, kur flasim për vlerën, kontributin dhe domosdoshmërinë e shtetit edhe në kapitalizëm në Telekom duhet të kuptojmë mirë se këto cilësi e atribute janë të mishëruara plotësisht në jetën dhe veprimtarinë e vetë personelit të Albtelekomit sh.a.

Është edhe për të mirën e tij që shteti t’i vërë gishtin kokës që të mos skuqet dhe të turpërohet para bashkatdhetarëve të vet si edhe brezave që do vijnë, me synim që të jetë më konkret, më dinjitoz dhe më shqiptar duke i kryer me dinjitet, nivel e cilësi detyrat e tij.

Albtelekomi sh.a. është rezultante e kontributit të gjithë shtetasve, veçanërisht e personelit të tij, të cilët shkrinë jetën e tyre për dekada me radhë duke i shërbyer atij. Ata janë, megjithëse nuk ka bilanc në Botë që i llogarit dhe i përfshin, pjesa më vitale, më e kushtueshme dhe më me vlerë e pasurisë së ndërmarrjes, sepse zotërojnë aftësi të veçanta në shumë fusha intelektuale, teknike, ekonomike e drejtuese, pa të cilën të gjithë makineritë e paisjet e Telekomit, i gjithë mekanizmi i tij gjigand do të ishte pa jetë.

Me fjalë të tjera, zotët e ndërmarrjes, zotëruesit e “kapitalit” intelektual, ata që administrojnë Telekomin tash një shekull duhet të jenë ndër bashkëpronarët kryesorë të tij dhe të mos rrezikohen të kthehen në hysmeqarë ose punëmarrës që do të jenë të detyruar të shesin mendjen dhe krahun e punës së tyre.

Shitja totale e aseteve strategjike nuk është kusht i domosdoshëm për një zhvillim bum ekonomik të vendit. Për argumentimin teorik dhe praktik të kësaj çështjeje jetike lind e nevojshme një “zgjim” dhe angazhim i plotë i mendimit më të kualifikuar ekonomiko-financiar të vendit.

Ndërmarrjet strategjike sidomos Telekomi kanë nevojë për ndihmën dhe kontributin e kapitalit vendas. Ky është imperativ jetik dhe domosdoshmëri e zhvillimit tonë.

Le të bëjmë një llogaritje të thjeshtë. Vetëm në Bankën e Kursimeve Shqiptarët kanë depozituar një pasuri të tyre kolosale prej 2.3 miliard dollarë. Për zhvillimin efektiv të vendit duhet që një pjesë e këtij kapitali të madh të përdoret sipas kritereve të caktuara mbi të cilat mbështetet funksionimi i fondit të investimeve, për blerjen e një sasie të caktuar të aksioneve të Albtelekomit sh.a. Jo vetëm kaq. Ironia më e madhe qëndron në faktin se paratë e kursyera të shqiptarëve do ju “shiten” të huajve për t’i administruar duke u dhënë mundësi atyre që t’i përdorin brenda e jashtë vendit. Ata edhe nga vlera e punës dhe e djersës së kursimeve tona do nxjerrin çdo ditë mbivlerën që kanë projektuar për fitimet e tyre përrallore. Prandaj shitja totale e ndërmarrjeve tona strategjike është një dëmtim i madh i interesave tona kombëtare.

Mendoj që një skemë dhe formulë më e përshtatshme dhe e dobishme për privatizimin e Albtelekomit sh.a. mund të jetë si vijon:

26-31% të aksioneve duhet t’i ketë shteti kapitalist;

20-25% të aksioneve kapital privat shqiptar vendas;

5% të aksioneve personelit të Albtelekomit sh.a. në marrëdhënie pune (financiare) ditën e dekretimit të privatizimit (shitjes të Telekomit) nga Presidenti i Republikës;

30-35% të aksioneve t’u shiten Ndërmarrjeve Strategjike të Specializuara të huaja, të cilat do të fitojnë tenderin ndërkombëtar;

Pjesa e aksioneve që mbeten për ish pronarët e truallit të ndërtesave Telekom, Alba-Postës, etj.

“…Me çlirimin e Kosovës një erë e re e fuqishme e shpresës dhe e përparimit po fryn mbi truallin tonë shqiptar. Por për fat të keq, armiq të tjerë të egër po e rrezikojnë atë. Korrupsioni e krimi po shkatërrojnë vlerat morale e shpirtërore të një populli të tërë. Antivlera çdo ditë si një shtrigë mizore e dalë nga një moçal i ndrysë kafshon me të gjitha forcat çdo pjesë të trupit të shoqërisë sonë. Ajo është e fuqishme sepse kanë dispozicion të saj pasuri, para dhe armë me anën e të cilave godet dhe e kërrus Nanën Shqipni, shpresën, ëndrrat, dëshirat dhe jetën e çdo shqiptari”.

“…Ky popull ka një shtet që e mban në kurriz për të cilin punon, lodhet, paguan dhe investon. Mos ardhtë kurrë ajo ditë që ai të detyrohet të ulë kokën i turpëruar e fajtor sepse nuk e kreu detyrën, obligimin për votën e dhënë dhe nuk e mbajti besën por abuzoi me mundin, djersën, sakrificat dhe me besimin e mbarë shoqërisë…”. Marrë nga libri “Një ditar nga jeta” faqe 98-99 botim i vitit 2000.

Luigj Temali

Fundi fatal i një lufte të çuditshme

Pas kapitullimit tragjik të ushtrisë Jugosllave fushë beteja ngjasonte si kasaphanë e vërtetë, numri i të vrarëve dhe i të rrëzuarve shkamit i kalonte qindra e qindra vetë, rruga ishte mbushur me kufoma, ngado që të hidhje shikimin, shihje trupa pa rrashta,g jak që rridhte si burimi nga arteriet e viktimave fatkeqe, tru të derdhura e të tharbura për dhe, zorrë të dala nga planset e bëra shoshë nga plumbat e pamëshirshëm. Shikoje ushtarë të gjymtuar pa këmbë, pa krahë të plagosur që rënkonin nga plagët, të tjerë të përvëluar nga zjarri i plumbave kërkonin ujë përpara se të mbyllnin sytë përgjithmonë në këtë tokë të mallkuar ku i kishte sjellë fati i zi të linin kockat. Në këtë betejë me mbi 500 të vrarë e 5000 robër lufte, Shoshi shkroi një faqe të ndritur në histori në këtë luftë që me plot të drejtë mund ta quajmë lufta e çuditshme. Siç e kam theksuar edhe më lart në pjesë e ushtrisë u shpërnda në dy-tre drejtime të tjera, ndërsa një pjesë mori arratinë mes stuhisë së plumbave të kryengritësve. Qysh më 21 prill mbeturina të ushtrisë jugosllave dredhin pas kalojnë qafën e Agrit me synim kalimin e kufirit, në Nikaj-Mertur vriten 100 prej tyre ndërsa shumë të tjerë filtrojnë në Tropojë dhe kalojnë kufirin.

Në përbërje të ushtrisë jugosllave kishte shumë shqiptarë nga Kosova, Mali i Zi e Maqedonia të cilët ishin urdhëruar të mos flasin shqip në vendet ku kalonin. Ata si shumë të tjerë ishin mish për top në këtë aventurë ushtarake që edhe sot na duket enigmatike.

Populli i Dukagjinit me robërit e luftës u soll sipas traditës së malësisë. Pjesën më të madhe të ushtarëve të dorëzuar i shoqëroi Major Nokë Gjeloshi vetë dhe i kaloi në Hanin e Hotit, ndërsa ndaj të tjerëve që kërkuan ndihmë duke çuar duart lart, Dukagjini i strehoi, në shumë raste bukën e nisur për të ngujuarit nëpër shpella ua dha atyre, pastaj u ndërronte rrobat dhe me njerëz të armatosur e me nore i shoqëruan deri në qafë të Pejës, Agrit e Valbonës, prej nga ndoqën rrugën për në shtëpitë e tyre. Njihet rasti i fratit të Rajës që shoqëroi deri në kufi shumë bashkëkombas. Kështu ushtria jugosllave e zënë plotësisht robinë u la e lirë dhe nuk u lejua askush t’i keqtrajtonte robërit e luftës, ishte në dinjitetin dhe fisnikërinë e malësorit dukagjinas, që robërit që nga çasti i dorëzimit nuk u trajtuan më si armiq, armiku luftohet ballë për ballë, ndërsa robi as nuk fyhet as dhunohet as poshtërohet dhe çdo kush që mund të bënte një tentativë të tillë dënohej me ashpërsinë më të madhe sipas të drejtës zakonore deri në leçitje e përzënje nga fisi. Malësori ka shpirt të bardhë e bujar, të plagosurit që luftoi me të për vdekje pas betejës i jep ujë të njomë buzët e rreshkura, i lidh plagët, e strehon dhe e ushqen, të vdekurit i varros jo grumbull, por një nga një dhe i vë një kryq varri tek koka. Aq shumë të vrarë pati në Gurin e Kuq atë pranverë të ‘41 sa nuk qe në gjendje gjithë Shoshi t’i varroste, vetë terreni tepër shkëmbor e bënte gati-gati të pamundur varrosjen se mungonte tërësisht dheu. Është e vërtetë e pamohueshme si drita e diellit se atë verë këmbësorët dukagjinas u detyruan të ndryshonin rrugë e të mos kalonin nëpër Gurin e Kuq pasi kishte rrezik të pësoje ndonjë sëmundje nga dekompozimi i kufomave të vrara.

Bilanci i këtij dyluftimi ishte shumë pozitiv për fitimtarët megjithatë në fushën e betejës mbetën të vrarë Kolë Qerimi, Nikë Delia, Pal Kola dhe u plagos rëndë Lulash Deda, të gjithë këta nga Shoshi, ndërsa Vatë Prela nga Kiri u pushkatua në fshatin Urë e Shtrenjtë së bashku me Zenel Shaban Ymerin po nga ky fshat, kur ra dielli te xhamia/ni djalë të ri e griu Serbia/kështu thotë kanga kushtuar Vetë Prelës së Kirit.

Kjo betejë është më e përgjakshmja që zhvilloi Dukagjini në shekullin e kaluar, rast unikal një numër aq i vogël vullnetarësh kryengritës të shpartallojë një ushtri me dy divizione ta vrasin e ta zënë rob dhe mbi 75% ta çarmatosin, ushtarët në ikje e sipër kanë lënë armët, municionet, pajimet luftarake, mushkat që kishin me vete dhe ia mbathën e ikën prej gazepit që përjetuan në Shosh.

Dua të riprodhoj me saktësi thëniet e një gruaje të moshuar nga Pepsumajt, Drane Gjeloshja, kur rrëfente ndodhi nga e kaluara unë isha student i historisë, rrëfimet e saja nuk ishin aspak përrallë nga e kaluara por ngjarje reale të para e të përjetuara nga vetë dëshmitarja okulare. Kemi shku në Gur të Kuq me marrë vesh çka po bahej me trimat tanë që ia kishin nisë luftës, isha unë e shumë shoqe të tjera. O zot çka me pa veç gjak e kufoma rrah për tokë sa nuk kishe nga të kalojshe pa i shkelë me kamë të vdekurit, ishte gazep i madh vetëm me i pa me sy. Jena kthye për në shtëpiat tona ngarkuet me pushkë manxerre jugosllave të gjata të cilat i ngarkuam në shpinë si drutë e zjarrit, s’numëroheshin sa armë e të vdekur kanë mbetur. Pas betejës burrat luftëtarë morën të vrarët në vig dhe i dërguan në Shosh dhe së bashku me të vrarët në fshatin Dardhë të cilët u çvarrosën nga varreza kolektive dhe u varrosën me gjamë të moçme me nderimet më të mëdha të përcjellë nga kortezhi i mijra vetave nga 9 bajrakët e Dukagjinit.

Në këtë sfidë të paparë e ndiej për obligim të nënvizoj se ata që u dalluan mbi të gjithë të tjerët për heroizëm, sakrificë, guxim, talent luftarak e goditje vdekjeprurëse ndaj kundërshtarit, truri dhe shpirti i qëndresës, bërthama rreth së cilës u vërtit i gjithë burrëria e armatosur e Shoshit, pavarësisht nga hierarkia në administratën e Bajrakut, apo nga titujt e nderit, në i kishin apo s’i kishin në skemën e funksionimit të fisit, tituj e ofiqe që në të shumtën e rasteve janë të trashëguara ndërsa në fushën e betejës titujt fitohen me vepra e me gisht, dhe këtë radhë patën fatin të shkëlqejnë mbi të tjerët Ndue Vogli, Kol Gjoni, Binak Prela, Kolë Vata, Gjon Noka, Mëhill Zefi, Sokol Delia, Pjetër Toma, Nosh Lulashi, Marash Palushi, Ndue Caci etj.

Kjo luftë e kaluar në heshtje nga historiografia që shpesh na pëlqen ta quajmë komuniste, ka mbetur pa asnjë studim të mirëfilltë dhe kompleks, ka mbetur pa zënë vendin që i takon në historinë tonë të Luftës së Dytë Botërore, pa u plotësuar menjë dokumentacion të gjerë dhe çka është më e pafalshmja pa mbledhur as sistemuar kujtimet e shumta të bashkëkohësve që morën pjesë direkt në këtë ngjarje. Ndoshta i pari që ka dhënë një vijë të saktë kronologjike të zhvillimit të kësaj ngjarje është studiuesi i muzeut historik Shkodër, Paulin Perja i cili duhet përgëzuar për profesionalizmin shkencor dhe interpretimin e drejtë që i ka bërë kësaj ngjarjeje në raport me zhvillimet politiko luftarake të kohës. Pozitiv është fakti se zoti Perja në kronikën e tij në kompleks nuk lë vend për pasaktësira shkencore, përmend në mënyrë konçize datat, itinerarin e lëvizjeve të trupave dhe vatrat e ndezura ku shpërtheu konflikti.

Një lexues i zakonshëm nuk arrin të kuptojë ku u zhvillua supersfida e këtij dueli ushtarak, kush luajti rolin kryesor e kush sekondar.

Diku, mos qofsha gabuar, sjell këtë citim të një kënge: Luftojnë Shosh, Pult e Kir/3000 vetë janë zanë jezir/apo në një fragment tjetër. Lufta nisi në Gurin e Kuq prej një çete vullnetare të Shoshit, Shalës e Pultit.

Për hir të së vërtetës duhet pranuar se roli i fqinjëve të Shoshit duke futur brenda edhe Kirin, ka qenë sekondar, ndoshta janë kryer ca veprime spektakolare sa për inerci që nuk kanë të bëjnë aspak me aktin final të dyluftimit. E kam thënë se kjo luftë ishte rrjedhojë e konjukturës ushtarake e politike ndërkombëtare të kohës, si pjellë e ndeshjes Italo-Jugosllave, dhe si imponim i detyruar nga raprezaljet që bëri ushtria jugosllave në Shosh. Është fakt i pakontestueshëm se Shoshi nuk u nxit, as nuk bëri aleancë as nuk luftoi për llogari të forcave italiane që ishin në Shqipëri.

Shoshi ishte ai që u dëmtua dhe dergji pasojat e atij intervenimi, Shoshi ishte ai që nisi luftën dhe e përfundoi në favor të tij edhe pse përballë kishte dy divizione të rregullta të armatës jugosllave. Prandaj zoti Perja si Shala si Pulti duhet t’i jenë mirënjohës për bujarinë që ka diftuar ndaj tyre për kontributin që paskan dhënë në këtë ngjarje. Shoshi aleatin më të mirë pati terrenin që i dha sigurinë e fitores se përndryshe është e paimagjinueshme një katastrofë e tillë e kundërshtarit disa mijëra herë më i madh në numër. Bile, bile në qoftë se i bëjm një analizë të hollësishme sintetike zhvillimit të kësaj ngjarjej edhe vetë branda Shoshit, Nicajt, Dardha, Cilikoku, Gurra e Pepajt janë lagjet që mbajtën peshën më të rëndë dhe luajtën rolin kryesor në përcaktimin e fateve të fitores, fat që u përcaktua që në befasinë dhe shpejtësinë e goditjes fillestare, që i dha krah kryengritësve të kalonin në epërsi taktike e morale që në shkrepjen e pushkëve të para.

 

Pse duhet varrosë jehona e kësaj lufte të madhërishme

Kjo luftë shumë e përgjakshme nuk u përmend kërkund, asnjë germë nuk u shkrua në ndonjë tekst historie, bile as në folklor nuk u lejua t’i bëhej asnë farë jehone, pse duhej varrosë jehona e kësaj beteje të madhërishme, është pyetje që lind vetvetiu, nga brenga e ndërgjegjes së vrarë nga mëkati i së kaluarës. Sipas një varianti të arsyetuari, kjo luftë u la në harresë qëllimisht nga propaganda komuniste Enveriane, për hir të ashtuquajturës miqësi shqiptaro-jugosllave që lulëzoi pas Luftës së Dytë Botërore, për të mos krijuar keqkuptime për armiqësitë e vejtra e të reja mes shqiptarëve e serbëve, interpretime që për mua kalojnë nga njëri ideologjizëm në tjetrin pa e thënë plotësisht të vërtetën, pavarësisht se edhe ky arsyetim ka domethënien e vet me doza të theksuara vërtetësie brenda vetes.

Sido që të themi e ngado që të vërtitemi është e pamoheshme se Enver Hoxha ishte një nacional komunist radikal, prandaj historiografia jonë është ushqyer vazhdimisht nga ky supstrat Enverian.

Edhe kryengritje të tilla si ajo e Haxhi Qamilit që nuk kishin asgjë kombëtare, përkundrazi ishte një lëvizje histerike nga nostalgjia për yllin e perënduar të Sulltanëve, dhe ishte pikërisht Enveri që kësaj lëvizjeje rebele i dha karakter të ashtuquajtur anti feudal e anti imperialist, vetëm për të futur minaren në thes. Lufta e Gurit të Kuq indirekt i shkonte për shtat fuqive të boshtit, ndërkohë kur Shqipëria ishte viktima e parë e fashizmit në Evropë, me këtë shpjegohet heshtja memece e historisë sonë në lidhje me këtë ngjarje, heshtje e  pa përligjshme pasi ardhja e kësaj ushtrie ishte me të vërtetë një aventurë ushtarake, realisht e parealizueshme dhe e destinuar të përfundonte pa asnjë sukses në planin ushtarak, ndërsa në planin politik kishte vlerat e veta si një kartë e pa lexueshme e diplomacisë angleze. Mbretëria jugosllave një shtet artificial i kalbëzuar që vërtitej sa andej-këndej mes blloqeve të mëdha, duke anuar hapur ndaj shteteve fashiste, por që u braktis në mënyrë poshtëruese nga vetë shtetet fashiste ishte larg mendësh t’u sillte pasoja fatale fuqive të boshtit jashtë territorit të saj kur kapitulloi pa pikë dinjiteti në vendin e vet. këta ushtarë të nisur si pula pa krye dhe duke pasë në gjak çka është edhe më e keqja genin e vjetër të armatave gjakatare të kësaj krajlie, provuan një konflikt të paparashikuar me popullin e Dukagjinit të cilit akoma nuk i ishin shëruar plagët e dikurshme të knjazëve të dinastisë së Karagjorgjeviçëve. Këta ushtarë u përdorën si mish për top, ndërsa Shqipërinë s’e kishte askush në listë pse të bëhej arenë e këtij konflikti gjakatar. Duhet pranuar se fjala serb në Dukagjin ngjall shumë më tepër reaksion se fjala italian, duhet pranuar se malësorët e Shoshit nuk u ngritën kundër serbëve për hatër të italianëve, por se jugosllavët i vranë, i plaçkitën dhe u dogjën shtëpitë malësorëve. Malësorët nuk kishin kohë të gjenin fillin e ngatërruar të diplomacisë së fuqive të mëdha ndërluftuese, nuk kishin as nuk mund të dini planet e aleatëve të mdhenj që i paskeshin nisur në Shqipëri me bekimin e tyre. Malësorët e dinin se nderin dhe krenarinë e bajrakut do ta mbronin vetë pa ndihmën e kërkujt, dhe se për këtë nuk kishin pse të merrnin leksione trimërie nga italianët, që për vete ishin në panik. As Shoshi as Dukagjini kurrë nuk kanë luftuar symbyllurazi për llogari të të huajve, apo duke u mbështetur tek një invador të luftohej një tjetër. Kjo gjë u vërejt më së miri në LNÇl ku Shoshi ishte qendra e L Antifashiste për krejt rrethin e Dukagjinit, prandaj kjo luftë është një trofe më shumë në morinë e luftërave të zhvilluara në Dukagjin, është një sallon i veçantë muzeal në historinë e Dukagjinit, që nuk ka arsye të rrijë bosh, që nuk ka arsye të mos ekspozohet e vërteta ashtu siç u shkrua me pushkë nga baballarët tanë dje.

 

Kur historia përsëritet

Lufta e Shoshit në Gurin e Kuq e vitit 1941 është një përsëritje në një shkallë më superiore e në lufte tjetër të bërë në pranverën 1917 po në të njëjtin vend, dhe po me të njëjtin invador që kishte intervenuar në veri si pushtues në vitet e Luftës së Parë Botërore. Protagonistë të një eposi të vërtetë legjendar për nga trimëria e sakrificat ishin Ukë Staka, Dedë Ndou e Mark Ndou me një grusht komitësh në shkëmbin e Gurit të Kuq shpartallojnë një kompani serbo-malazeze të drejtuar nga kapiten Gjelosh Toma, një mercenar shqiptar nga Trieshi. Disa eksponentë vendas në shërbim të malazezëve nga egoja dhe ambicja patriarkale për t’u hakmarrë e nxisin kapitenin të rrethonte fshatin Mollë për të asgjësuar Ukë Stakën e Dedë Ndoun nga ky fshat si dy kaçakë të pabindur e shumë të rrezikshëm për misionet malazeze. Këta ishin vërtetë kaçakë të pabindur që kishin luftuar si kapedanë kundër malazezëve në Qafën e Boshit më 1915, ishin trima si zana, të hijshëm si karajfilat, më viganë se lisat e malit, shejtarë si shqipet për hava, të çiltër e të urtë si engjujt, të pabindur e rebelë si shejtanat kur e lypte nevoja. Molla është fshati më i largët në juglindje të Shoshit i ngritur mbi një masiv gjigand shkëmbor, ngjason si akropoli i një kalaje fanastike natyrore, në të majtë të rrjedhës së poshtme të lumit të Shalës përballë masivit malor të Cukalit. Fshati u rrethua pa aguar dita e 17 janarit 1917, u rrethua befasisht me qindra forca malazeze me udhërrëfyes vendsas të marrë me detyrim. Thirrja dorëzohuni, Ukë Stakës e Dedë Ndour u hyri në një vesh dhe u doli në veshin tjetër, pasi as nuk e imagjinonin një gjë të tillë, pavarësisht se e dinin se ishin të rrethuar me prita nga të gjitha drejtimet dhe nuk kishte asnjë shteg të lirë se çdo gjë ishte realizuar me mjeshtëri dhe konspiracion të plotë të ndihmuar nga errësira e plotë e natës. Pas më tepër se dy orë luftimi dhe zjarri të dendur, Staka dhe vëllezërit Dedë e Mark Ndou, çajnë rrethimin e ngurtë të rrethuesve, por nga ky konfrontim i përgjakshëm mbeten të vrarë Prekë Staka, Mëhill Marku, Pjetër Ndou e 2-3 mysafirë që gjendeshin në shtëpinë e Ukë Stakës dhe ishin nga Berisha e Pukës, dhe një grua Drane Noshja. Kuptohet ngjarja ishte shumë e dhimbshme e tragjike njëkohësisht për një fshat të vogël me 12 shtëpi dhe e shumta me 100 banorë. Precipitimi i situatës politiko-ushtarake gjatë Luftës së Parë Botërore, ku Shqipëria ngjante si një han pa derë e pa dritare ku sa hynte njëri ikte tjetri, i detyroi malazezët të largoheshin nga posta vendore e Shoshit. Gjatë largimit komitët e pa nënshtruar Dedë Ndou, Ukë Staka e Mark Ndou, të mbështetur nga një çetë e vogël besnike prej 7-8 vetash kërkojnë shpagim në Gurin e Kuq, në atë vend ku ndoshta perënditë e kishin krijuar vetëm e vetëm për të shfarosë hordhitë sllave sa herë do të kalonin nëpër Dukagjin. U gëzhduan bash në lamin e Gurit të Kuq një kompani malazeze, u vra dhe u zu rob plotësisht, ndërsa kapiteni Toma iku pa pikë dinjiteti burrëror as ushtarak. Një këngë që i bën jehonë kësaj ngjarjeje thotë si më poshtë: Kapedan nuk ke ka m’ikë/Pa ta pi gjakun në fyt/Pa t’i hanger të gjalla mushkënitë/ Shumë kanë vra e kashagitë/A ka ba noj herë vaki/ 5,6 burra me ni ushtri/me ua marrë armët prej krahit/e mej lanë shkulma gjakut. Kjo ngjarje don një pasqyrim të veçantë e shumë më të zgjeruar, por dua të them se shprehja frazollogjike Historia nuk përsëritet dy herë, këtu bie poshtë, pasi në Gurin e Kuq Historia u përsërit, u përsërit në dy periudha të ndryshme dhe fati i pushtuesit qe i njëjtë në të dy rastet, fund pa nder, pa lavdi.

Prelë Milani

Denoncim i krimit, korrupsionit, prostitucionit deri në nivel institucional

Romani “Fantazma e shpirtërave të etur” i shkrimtares Brunilda Zllami nuk shënon thjeshtë një ndër 7 romanet (deri tani) të kësaj autoreje, por me të drejtë do ta quaja në dëshmi të pakontestueshme e një fenomeni letrar në ditët tona. Njëherësh një sukses jo i zakonshëm për romancieren jo thjesht për njomështinë e moshës (romanin në fjalë e shkroi në moshën 16-vjeç), por për pjekurinë e lartë artistike të materialit, për kapacitetin letrar e materialin artistik qëgatuan, për seriozitetin e rrallë krijues që manifeston. Janë ngjarjet e romanit që përmes një rrëfimi artistik interesant shpalosin zhvillime të vrullshme sociale, evidentojnë tipa e karaktere, dukuri të larmishme në kuadrin e radikalizimit të  një sistemi shoqëror e të një tranzicioni të tallazuar nga përplasjet mes vlerave demokratike të inspiruara nga idealet e Dhjetorit Historik të ‘90-ës dhe antivlerave si rudiment të totalitarizmit të dalë jashtë loje apo vlerave komprometuese si lumpeni social, prostitucioni moral, krimi ordiner e ai institucional.

Autorja ka ditur fort të kapet pas momenteve nevralgjike duke finalizuar suksesshëm përmes përgjithësimit artistik, detajeve karakterizuese, shpalosjes së karaktereve e rrethanave me vlera sociale dhe artistike tepër mbresëlënëse.

Duke ngritur probleme akute që shqetësojnë shoqërinë e sotme shqiptare, madje edhe më gjerë (së paku tranzicionin lindor) vlerat e romanit marrin karakter universal në nivelin e një denoncimi kurajoz ndaj krimit, korrupsionin e prostitucionin në nivel indiviti deri në nivel institucional. Autorja me kompetencën artistike përmes mundësive të mëdha që i krijon shfrytëzimi i frymëmarrjes që ofron lloji i gjatë i shkrimit, siç është romani, apelon me ndjenjën e lartë të përgjegjësisë qytetare se vlerat demokratike të idealeve të dhjetorit ’90 mund të kthehen në iluzion, nëse mbrojtjen e konsolidimin e këtyre vlerave, qeverisjen e shoqërisë shqiptare e merrnin në dorë lumpeni social e administrativ, prostitucioni moral apo mbetjet e totalitarizmit që, në sajë të përvojës së grumbulluar për të mbijetuar në situata të ndryshme, duke ndërtuar strategji të reja përmes përshtatjes ndaj rrezatimit vdekjeprurës të reformimit të jetës, rrezikojnë seriozisht të ardhmen. Me një mjeshtëri artistike jo të rëndomtë, autorja tërheq vëmendjen se mbetjet totalitariste, prostitucioni moral e ai politik gjejnë si mbrojtje hijet që krijojnë kthesat e mëdha, frut i ortekut antikomunist që sjell hapësira të pamundura për t’u kontrolluar në çdo hap, duke përfituar nga mosha e brishtë e demokracisë aq më tepër nga një filozofi mjerane e qeverisjes së një kombi si ajo jona, që me slloganin “Mirëqenie për të gjithë”, inkurajoi qytetarinë e të jetuarit të krimit me antikrimin, kur krimi u pa që duartrokitjt për unitet i zëvendësoi me çjerrjet hipokrite deri në grotesk “Liri-Demokraci”, duke përkëdhelur politikanët naivë, aq edhe me bagazhe mentaliteti bajraktarist të shartuar me mentalitetin e gatuar në kuzhinën e totalitarizmit. Mjeshtërisht i gjithë ky mesazh filozofik vjen në vepër përmes personazhesh aq të realizuar, Andrea Lamaj, Besnikut dhe Elvirës, etj. “Sa keq ku shteti bie në kurthin e parasë e të kontrollohet në mënyrë të mistershme”, shprehet autorja. Duke pasqyruar rrjedhojat e këtij momenti historik të mbuluar nga një qeverisje jokompetente e mbërthyer (për vetë kategoritë sociale të afruara) kriminelë, të korruptuar moralë, hajdutë, injorantë eksituar deri në fyt (kujtoni seancën gjyqësore të Artur Mokës, kur gjyqtarja Aneta, shprehet: “Artur, ç’të bëja unë, kur ti je i vetëm. Koka ka fuqinë madhore dhe bën ç’të dojë”) Autorja apelon me guxi qytetar të admirueshëm se krimi po i merr frymën ligjit, nëse ai po tolerohet si deri tani. Paraja shqiptare që u sigurua duke kaluar mbi gjakun e derdhur lumë të shqiptarëve, madje edhe të fqinjëve tanë boshjnakë (kujtojmë kontrabandën gjigande 1994-1996) shpërfytyroi shtetin, shpërfytyroi autorët esaj të paskrupullt duke i kthyer në përbindëshe dykëmbësh, sa krimi arriti nivelin e absurdit (kujtoni pranverën tragjike 1997). Paratë tona-det loti, paratë tona-det gjaku! Njerëzimi u trondit: Ç’bëjnë kështu shqiptarët?! Politikanët gjaksorë bënin betimin në tempullin e demokracisë. Ç’skena makabre makbetiane! Sa mjeshtërisht shprehet kjo esencë morale në fjalët e autores: “Egoizimi kishte pushtuar shpirtërat e njerëzve të mjerë t lumtur në zbarztësi”.

Është tepër sinjifikativ fakti që autorja jeton në skajin verior të Shqipërisë, në Tropojë, kurse ngjarjet e romanit i vendos dhe i përjeton artistikisht në qytetin jugor, Vlorë. Vlora, një qytet me ngarkesën historike emocionale militon për vlera në rritje të veprës jo thjesht në sajë të largpamjes për zhvillimin e fenomenit shqiptar: “Vlora dhe Otrantoja 1997” që do të vinin deri në aventurë si refleks i një konfrontimi uragan popull-pushtet. A s’është një gjeografi e tillë e veprës apel për trutharët politikanë apo prostitutat politike me veladon demokratik? Kredoja: “Jemi një ne shqiptarët, kemi një nerv, një rrahje zemre, një gjuhë, një gjak. Qofshi mallkuar ju, o zuzarë që doni të na ndërseni kundër njëri-tjetrit!”

Ngjarjet e romanit rrëshqasin mbi dy linja kryesore duke u zhvilluar paralelisht në funksion të dhënies së një tablloje më të plotë të zhvillimeve shoqërore. Duke u zhvilluar paralel, çmontojnë në detaje gjithë atë katrahurë shqiptare të metastazave të krimit drejt majës së piramidës, duke evidentuar nevojën e një gjyqi të madh, ku autorja ndjen edhe detyrimin e vet si artiste për t’ia bërë atë gjyq të keqes së madhe, çka bën e duhet të bëjë arti i një populli të qytetëruar si populli ynë. Andrea Lamo e familja e tij, Artur Moka me njerëzit e vet përbëjnë linjën kryesore të romanit. Linja tjetër po kaq e rëndësishme është ajo Klaudia-Oresti dhe grupi i të rinjve maturantë që vinë në roman si fllad i freskët në një fushë të zhuritur me ëndrrat, përpëlitjet, streset e keqkuptimet e moshës, det shpresash njerëzore: Flladi i Dhjetorit ’90 me dhjetoristët shpresë e kombitt. Jo, esenca artistike që do të japë autorja përmes kësaj linje, ja lejtmotivi i saj i nëntekstit brilant. Ngjarjet fillojnë në prag të përpjekjeve të fundit të diktaturës, të cilat mendja dinake e Andreas i kap që larg. Duke përvetësuar fitimet e ndërmarrjes me anë të marionetës së tij, administratorit Besnik, ai si dhelpër dinake tenton të përshtasë strofullën e tij stinës që po vjen. Dueti Andrea-Besnik, përjetim artistik i mekanizmit grotesk ekonomik si lehtësues famëkeq i fundit i mbijetesës totalitariste. “Ky shtet është i humbur dhe, kur të rrëzohet, do të na zërë brenda. Po unë…”, shprehet Andrea. Ai, ndonëse ka mbaruar për inxhinieri, kurrë s’të kujton intelektualin e vërtetë. Ndoshta e tillë qe inteligjenca shqiptare pranë oborrit të piramidës, kur nuhati se diçka e madhe po ndryshon e belbëzoi pluralizmin, por s’qe e zonja ta artikulojë me forcë. Andrea, nëpunësi i paskrupull, për të rrokur një post fitimprurës, martohet me Doloren, vajzën e Stefan Bardhit, sekretarit të parë të rrethit, një krijesë e shëmtuar si femër, që s’të linte fare asnjë mbresë, vetëm një farë mëshire të pështirë, kur e shikoje të ecte si patok – e portretizon autorja. Andrea që në thelbin e vet social shpreh atë kategori nëpunësish të mbërthyer pas privilegjeve të paskrupullta të klaneve aq të urryera gjatë viteve ’80 të degraduara në marioneta të fëlliqta e të përçudnuara në sytë e popullit që jo thjesht paralajmëron kalbëzimin nga brenda të totalitarizmit, por në esencën e tyre sociale e filozofike do të mbeteshin një rrezik potencial për hapin vendimtar, që projektonte inteligjenca  shqiptare e përgatitur në auditortë e Europës Perëndimore drejt hapjes së madhe ndaj botës së qytetëruar me mbështetje të krahut të politikës zyrtare, dënimi i të cilit arriti deri në grotesk me gjyqet e famshme Anti-Anti-anti… të viteve ’70. Me Andrean autorja stigmatizon atë moral komprometues që, si komplikacionet e një mitre gjithsesi paralajmëronin rrezik evident gjatë ecjes në rrugën e emancipimit shpirtëror e sfidave të kohës. Në të njëjtën kohë, Andrea e kompani është edhe simbol i atij lumpeni administrativ, i cili që në hapat e para të pluralizmit politik mbështetur nga spekulantë politikë, dhelpra në krye të piramidës (që njëherësh do të thirrej “shtet demokratik”) do të pushtonte administratën, duke parakaluar “krenar” mbi supet e një pupulizmi banal e politike rrugaçe spekulantë të rrezikshëm, që gjithë kohën, si gjarpërinjtë, mbulimin e këmbëve të tyre do ta kishin thembrën e Akilit. Kujtoni se spekulantë të tillë të pacipë të paarrirë në paskrupulitetin e tyre shekspirian i pamë në ballë të “ansambleve” “Liri-Demokraci” dekadën që shkoi.

Me një realizëm të thellë, menjë sinqeritet artistik të admirueshëm përmes penelatash prej piktori mjeshtër autorja shpreh nderimin, respektin e dashurinë për vlerat kombëtare, pasurinë e krijuar me aq mund e djersë në 50 vjet të dhënë simbolikisht përmes meditimeve interesante të Artur Mokës dashurinë deri në vetëmohim për të mbrojtur të drejtën legjitime mbi pronësinë e “Sirenës së Detit” një ndër anijet më të fuqishme të transportit në Vlorë. Andrea si antipod i Artur Mokës përfaqëson gjithçka regresive, akumulon gjithë antivlerat e një pushteti që gjithçka mund të arrijë, por të ardhme s’mund të ketë.

Demokracia si aspiratë e masave popullore, si bartëse e vlerave morale, si një rrugë prosperiteti e progresi social me punë, djersë, përkushtim e ndershmëri shprehet mjeshtërisht në figurën e Artur Mokës, që plotësohet e motivohet aq bukur edhe nga figura e Sabrinës, gruas së tij, një krijesë e bukur, sa fisnike antipod i familjes së Andrea Lamos, një krijesë pragmatiste pa ndjenjë, pa moral e plotësuar aq bukur me Doloren, gruan e tij të shëmtuar e pa personalitet.

Artur Moka në shkallën e dytë të gjyqit fiton “Sirenën e Detit”, fiton mbi makinacionet sterrë të Andreas, i cili kalon në çmenduri, detaj artistik, deçizim plotësisht i motivuar.

Pa harruar apo nënvleftësuar vlerat e veprës, gjykojmë se ajo nuk u ka shpëtuar gjithnjë në zgjidhjet e dhëna artificeve, skemave të kërkuara apo fundit të diktuar nga autorja jashtë motivimit logjik e historik të personazheve. Nëse fundi i Orestit (vetëvrasja në breg të detit, pasi nuk pranon të bjerë pre e synimeve makbetiane të Andreas për të vrarë Artur Mokën pas vrasjes së Benikut nga Mondi, simboli më adekuat i kriminelit ordiner, ingranazh i verbër i një politike konfuze), është plotësisht imotivuar si shprehje artistike e atij deziluzioni të madh që pësuan të rinjtë e Dhjetorit, intelektualët reformatorë, që u detyruan të mësynin rrugët e botës për t’i shpëtuar dhunës shtetërore, persekucionit politik, kulm i të cilave qe pranvera e vitit 1996, vdekja e Klaudias mbi arkivolin e Orestit nuk na duket bindës, disi e konsumuar. Lotët e saj për Orestin nga malli, nga dashuria, nga Roma në Shqipëri janë lotët e dhimbjes popullore, janë deti i madh i lotëve që do të kulmonte me Otranton, por kurrësesi vdekja, largimi i saj nga jeta s’motivohet logjikisht as artistikisht. Rinia shqiptare, poopulli s’e humbi shpresën, çka do të thoshte që Klaudia të jetonte si mesazh i së ardhmes që s’do të kalojë përmes fushës me lule, pasi vetë jeta është fushëbetejë e pëhershme për të fituar e mira mbi të keqen, shpresa me dëshpërimin, optimizmi mbi zhgënjimin. Përballë një krimi në bllok apo një krimi institucional e ardhmja vihet në rrezik, hesh kushtrimin autorja përmes figurës së Anetës, por portreti i saj moral, fenomeni Anta-një realitet i dhimbshëm shqiptar i korrupsionit galopant del si parafabrikat, sa shpejt thyhet nga ryshfeti. Nuk mund të bindësh artistikisht për vërtetësinë e karakterit me detaje deklarative “Artur, je vetëm, s’kam ç’të bëj” apo “Është urdhër nga lart” i thotë kryetari i gjykatës kryesuese e seancës, Anetës. Këto momente në relacion dhe fitorja e Arturit në kasacion, shënojnë një zgjidhje të lehtë, pa nerv, anemike, disi të errët. Dihet historia e peripecive të kasacionit shqiptar, precedentët groteskë që mbijetoi ai në raport me shtetin e tejpolitizuar.

Mjeshtërisht motivohet fundi i Besnikut, i Andrea Lamos, prostituta të tilla patjetër s’do të kenë të ardhme në administratën shqiptare. Ato do të mbeten si një kujtim i keq i një qeverisjeje makbetiane, e bashkë me të edhe ai i familjes Lamo si përfaqësuese e një morali jashtë kohe, totalisht të konsumuar.

Fundi i Andrea Lamos e kompani sjell një kumt historik sentencë: “Fatkeqësia e popullit herët apo vonë do të marrë me vete edhe autorët e saj”. Një tjetër argument për një zgjidhje plotësisht të motivuar nga ana artistike për figurën e Andrea Lamos. Por në fundin e Klaudias dhe, në një farë mase, të çifit Orest-Klaudia, Brunilda duhej të punonte më tepër në finalizimin logjik e artistik të personazhit, sepse me vdekjen e tyre sidomos të Klaudias këput vazhdimësinë, një detaj artistik i kursyer me pa të drejtë që komprometon vitalitetin e figurës të cilën autorja deri në fund e dashuron me gjithë shpirt, ka një debulesë plotësisht të motivuar për të. Vërtet shoqëria shqiptare u trondit nga një abuzim pa precedent i pushtetit me vullnetin e popullit, por kurrësesi s’e humbi orientimin drejt prosperitetit…

Me gjithë këto, romani ka vlera të mëdha, autorja imponon respekt për kulturën, erudicionin, thjeshtësinë, por edhe nivelin e kënaqshëm artistik. Vepra ka vlera të mëdha njohëse e përgjithësuese, një arritje dinjitoze e autores, një dëshmi tronditëse e një realiteti të përjetuar artistikisht me një kurajo qytetare të jashtëzakonshme. Duke pasur parasysh romanin në shqyrtim, po edhe romanin e parë “Dashuri apo urrejtje”, “Ëndrra e papërfunduar e një gruaje” (romani i tretë), “Puthja e hënës”, i botuar kohët e fundit, por edhe “Dinozaurët e ndërgjegjes” dhe dy të tjerë në proces, autorja na bën të jemi krenarë për të në mënyrë të veçantë edhe Tropojën që e lindi.

Brunilda në një intervistë ka shprehur pakënaqësi ndaj atyre që e quajnë të re, por nuk ka si të mos tërheqë vëmendjen një gjë e tillë. Një vajzë në vitin e parë të fakultetit të mjeksisë ka në proces romanin e shtatë (Vini re!), prandaj Lidhja e Shkrimtarëve dhe organizmat e tjerë janë tepër të vonuar në vëmendjen ndaj këtij (ta themi pa ndrojtje) fenomeni. Mos presim që edhe këtë punë ta bëjë bota?

 

Shumicë s’do të thotë cilësi

Që të shkruaj këtë artikull modest, më nxiti një shkrim i teologut (kupto: teos-Zot dhe logus-fjalë) i cili mendimet e tij: “Në kërkim të një identiteti” i përfundon me fjalët: “Ne përherë ju kemi mëshiruar dhe vazhdojmë…”, (“Shqipëria Etnike”, Shkodër më 02. 05. 2002, në artikullin: “Teologji iblisike në kohën e lirisë”).

Me këtë “Ne”, zoti teolog, keni thënë gjithçka, në qoftë se unë e kam nënkuptuar drejtë atë përemër “Ne”, por s’mora vesh mirë cili jeni “ne” Ju zoti “Sorge”?! Me sa duket keni ndërmend të hidhni gurin dhe të fshihni dorën.

S’jeni as i pari, as i fundit që shpreheni ashtu, pavarësisht se citoni Majkëll Hardin (kupto: Mikel, Mishell, Mihail, Mëhill (Hardin)…)

Ju shkruani sikur të mos jetoni në këtë botë të vockël shqiptare mbushur me intriga e trazime nga më të ndryshmet: politike, sociale e fetare. Kjo politikë, që me të drejtë e quani “intrigë”, s’po na lë të mirëkuptohemi, sepse na ka përçarë në të majtë, të djathtë e qendër, ashtu si Ju z. teolog mundoheni të fshiheni pas gjethes së fikut kur thoni: “Themi drejt përparimit e jo drejt Evropës, pasi i pari është më i madh.” (Po aty, fq. 7, datë 28. 05. 2002).

E kush është “përparimi” sipas jush?!

Përparimi, për ne shqiptarët, sipas meje, është Evropa Perëndimore. Po të doni pranojeni, po të doni kundërshtojeni. S’jeni i vetëm “Trim në luftë”, se po flasim si poliqyqarët (politikanët) çdo ditë pa doreza kundër Perëndimit. Në vitet ’90, kur populli kërkoi ndryshime, doli në demonstrata paqësore me devisën: “E duam Shqipërinë si Evropa”, se për cilën Evropë, dihet. Evropës Lindore ia kemi pirë çorbën për pesë qindvjetsha, ashtu si komunizmit për pesëdhjetë vjet.

Naim Frashëri, megjithëse jetonte në Lindje, në shkrimet e tij kërkonte: “diellin që lind andej nga perëndon”.

Z. teolog, Ju bashkë me mua jetojmë në Evropë, i përkasim asaj, s’kemi nga mbajmë, “duhet ta thërrasim derrin, dajë”. Edhe Galileut i thanë:

-Mohoje se rrotullohet toka!

-Unë po e mohoj, por, megjithatë rrotullohet, – u përgjigj ai.

Z. teolog, pranojeni Evropën ashtu siç është, me të mirat dhe të këqijat e saj. Tregohuni më objektiv.

Dua t’Ju kujtoj një gjë:

Në vitin 1919, kur do të diskutohej çështja jonë kombëtare në Konferencën e Paqes në Paris, Kryeministri i Qeverisë së Durrësit, Turhan Pasha vendosi “vullnetarisht të largohej nga kryesimi i delegacionit në konferencën e njohur si Konferenca e Versajës” dhe u shpreh: “Është më e udhës që para Kencelarive Evropiane të paraqitet një Prelat Katolik se sa një ish-ambasador i Turqisë së vjetër në Shën Petërburg.”

Këtij akti qytetar i thonë: “të njohës vetveten për interesa të atdheut”. Dhe dihet që në atë Konferencë morën pjesë AT Gjergj Fishta, Imzot Bumçi e Berati.

Mendoj se asgjë s’ka nevojë për koment, kur ne s’kishim më shumë se 7 vjet që ishim shkëputur nga “e famshmja” Lindje. Duhej të sillnim fytyrën nga Perëndimi, se ajo ishte e ardhmja jonë, por…, por.

Ne, z. teolog, kërkojmë të futemi në Evropë dhe lut fat që ke edhe atë që Ju e quani “pakicë” në shkrimin tuaj. Për më gjërë lexoni një shkrim të z. Sami Repishti me titull: “Madhështore”, shkruar në Nju Jork me rastin e thënies së një meshe për shpirt të Nënë Terezës se si e vlerëson atë komunitet shqiptar që Ju me dashakeqësi e quani “pakicë”. Jo gjithmonë shumica është cilësi. Ajo “pakicë”, sipas jush, e shokëve tuaj, qenka “mëshiruar” (kupto përdhunuar BS) dhe vazhdoni…”, – përfundoni shkrimin “Me dorën e teologut”, datë 02. 05. 2002.

Unë nuk kam kërçika ta mbroj fenë e krishterë, por shembujt e shumtë tëperiudhës turke e komuniste tregojnë se ç’ideale mbrojtën e u sakrifikuan prelatët e saj me moton brilante “Fe e Atdhe”.

Për t’u futur në Evropë, s’puyetet as elementi katolik, as ai mysliman e ortodoks, për mendimin tim, se Evropa nuk është as Ferr as Parriz, as Xhehnet e as Xhehnem.

Atë pasaportë, për t’u futur në Evropë e kanë qeveritarët tanë, të cilët, siç thotë i madhi Kadare, janë “cipëplasur” që luftojnë për karrige e jo për Shqipëri.

Më duket se po realizohet profecia e F. Konicës, i cili shkruante se shqiptari ka lindur nga idealizma, mbijetoi rastësisht dhe do ta shkatërrojnë politikanët.

Ju, z. teolog, e njihni mirë “Kur’anin” dhe në shkrimin Tuaj citoni pjesë të tij, por disa gjëra duhet t’i kapërceni, se shoqëria e mardhëniet midis kombeve kanë përparuar. Mendoj se nuk është mirë të mbështeteni në këtë thënie të “Kur’anit”:

“51. O ju që besuat. Mos zini miq as jahuditë, as të krishterët. Ata janë miq të njëri-tjetrit. E kush prej jush i miqëson ata, ai është prej tyre. Vërtet Allahu nuk vë në rrugë të drejtë popullin zullumqarë.” (“Kur’ani”, fq. 150/51. Përkthim e komentim në gjuhën shqipe H. Sherif Ahmeti, Prishtinë, më 28 prill 1987.)

Si përfundim, unë mendoj se njerëzit nuk duhet të paragjykohen në “jahudi” e të “krishterë”, se ata nuk janë “miq” vetëm “me njëri-tjetrin”, por me të gjithë që duan të jetojnë në paqë e mirëkuptim.

Broz Simoni

Rrjedhimet e robërisë shqiptare po marrin fund

Me rastin e 700-vjetorit Antonian, një grup besimtarësh katolikë të ardhur nga Arkidioçezi i Shkodrës, Malkocët, Dioçezi i Sapës, Dioçezi i Lezhës, Arkidioçezi i Durrësit, Dioçezi i Mirditës dhe Dioçezi i Pultit bënë një pelegrinazh të përshpirtshëm në Padova të Italisë dhe qytete të tjera.

Në një edicion të veçantë të “Gazeta Shqiptare”, botim i vitit 1932 që shtypej në Itali lexojmë: “Shqyptarët e ndien në shpirt se rrjedhimet e robnisë katër herë shekullore janë kah marrin fund…, thejnë monotoninë e jetës, dalni prej heshtimit të përmotshëm, marrin zemër me e lanë për nji herë strofullin e vet e m’u paraqitë në botën e gjytetnueme.”

Ky grup pelegrinësh prej më shumë se 300 vetësh shoqërohej nga barinjtë e grigjës së Jezu Krishtit, si:

Emzot Lazer Mjedja, Arqipeshkëv titullar i Shkodrës, Emzot Pjetër Gjura, Arqipeshkëv titullar i Durrësit, Emzot Luigj Bumçi, Kryepeshkop titullar i Lezhës, Emzot Bernardin Shllaku, veskov titullar i Pultit, Emzot Zef Gjonali, veskov titullar i Zadrimës, Emzot Frano Gjini, veskov titullar Abat i Mirditës, At Vinçenc Prendushi, Ministër Provincial i Françeskanëve.

Pelegrinëve u ishte lënë në dispozicion nga shteti italian Cav. Vittorio Catellani, i cili pa me sytë e tij se si në atë grup të madh shoqërohej e miqësohej malësori me zadrimorin, intelektuali me të pashkollin, politikani me qytetarin e thjeshtë. Karakteristikë e atij udhëtimi ishte se secili udhëtar ishte veshur me rrobat tradicionale të krahinës dhe të tubuarit dukeshin në një vend Perëndimor të qytetëruar si një mozaik shumëngjyrësh të formuar nga rrobat kombëtare.

Vërtetë grupi i ekskursionistëve ishte përbërë nga një numër i madh peshkopësh, klerikësh të rangjeve të ndryshme e motrash, shërbyes kishash e malësorësh nga fise të ndryshme katolike, por asnjërit prej tyre s’iu kontrollua valixhja apo çanta me rroba nga autoritetet zyrtare italiane, çka flet për një besim të tyre ndaj karakterit burrëror e ndershmëri të të tubuarve, të cilët nuk njihnin veset e përçudnuara të asaj kohe që kishin filluar të përhapeshin në Evropë.

Shtegtarët për disa çaste kanë vizituar Bazilikën e Shën Kollit në Bari i cili është edhe shenjt i Orientit.

Për hir të së vërtetës duhet të shënojmë se shtegtarët shqiptarë me atë rast shkuan edhe në Palazzo Venezia ku u takuan me Musolinin. Aty Duçja u tha: “Unë jam mik besnik, i sinqertë dhe i pandryshueshëm… te Qeveria e tij populli shqiptar do të gjejë ndihmë të qëndrueshme, të përzemërt e vëllazërore.”

Se si rrodhën punët “për këtë ndihmë të qëndrueshme”, dihet. Në fakt Italia “kishte nënshkruar me mbretin Zog Traktatin e Aleancës për besnikëri nga ana e këtij të fundit.”

Për këtë çështje Galeazzo Çiano, ish-Ministër i Jashtëm i Italisë, dhëndërr i Musolinit dhe dëshmitar në martesën e Zogut me Geraldina Appony, në “Ditarin” e tij shkruan: “Ideja e bashkimit personal të Shqipërisë me Italinë po gjen shumë kundërshtime. Kam biseduar me shumë krerë kokfortë prej të cilëve më të ashpër duken ato të Shkodrës të nxitur nga Kleri Katolik që në këtë kundërshti u udhëheq Padër Anton Harapi”. Eveniment tepër i rëndësishëm i asaj vizite ishte edhe takimi me Papën Piu Xi. “Atij nuk iu ngop syri duke vërejtur veshjet e mrekullueshme të shqiptarëve dhe mendja i fluturonte tek Pali III që dikur fliste me të madhin Skëndërbe”, – shkruan kronikani i asaj vizite, A. Atanas Gegaj në reportazhin e tij: “Ngjarje e kujtueshme”.

Udhëtimi, vërtet bëhej në muajin qershor, por pelegrinët nuk ndjenin kurrfarë të nxehtit, se të gjithë vagonat e trenit ishin të pajisur me kondicionerë.

Në Padova ata arritën më 30 maj 1932. Në Bazilikën e Shna Ndoit në orën 700 u tha mesha prej Emzot L. Mjedjes, ku në pretkun e tij panegjirik në mes të tjerave theksoi se “më 30 maj të atij viti mbusheshin 700 vjet nga lindja e Shenjtit”. Kjo datë mund të jetë ndonjë lapsus i kronikanit, sepse në librin: “Shna Ndou, Shenjti i Botës” të studiuesit dom Lush Gjergji kemi: “Ai lindi në Lisbonë (Portugali) më 15 gusht 1195. Dhe më poshtë, po i njëjti autor vazhdon: “Për çdo vit afro 4 milionë (njerëz BS) shtegtojnë në Padovë…”

Një vizitë të paharrueshme ata e bënë edhe në Gjenacan për të parë figurën e mrekullueshme të Zojës së Këshillit të Mirë. Dhe kronikani në formën e një retrospektive kalon në historinë e largimit të asaj figure nga kisha e Zojës tek Kalaja më 25 prill 1465.

Po të vërejmë me kujdes atë figurë të ekspozuar në gazetë, shohim që ajo është zbukuruar me kryqe sermi e relike të tjera të çmueshme veshjesh karakteristike të grave shqiptare që, me siguri, ia kanë “dhuruar” në shenjë nderimi… në ato vite…

Pas 10 ditësh udhëtimi të gjatë e të paharruar, shtegtarët shend e verë nga kënaqësia që u solli ai shtegtim, u kthyen në tokën shqiptare ku disa prej tyre thanë: “Medet ku rrnojmë na!”

Ishte 10 qershor 1932, plot para 70 vitesh.

Po japim emrat e shtegtarëve nga Arkidioçezi i Shkodrës:

Emz. Lazer Mjedja, A. Vinçenc Prendushi, Emz. Gaspër Thaçi, A. Anton Harapi, D. Nikoll Dragusha, D. Zef Shllaku, D. Gjon Gjergji, D. Pashk Zojzi, D. Gjergj Volaj, D. Tomë Laca, D. Aleksandër Sirdani, A. Zef Mesi, A. Çiril Cani, Fr. Ndue Harapi, Mater Konsilja, Moter Modesta, Deputet Kolë Mjedja, Filip Staka, Balto Çoba, Nush Hilaj, Kolë Tom Galani, Kolë Lufi, Tefë Prela, Kolë Dema, Gaspër Doda, Ndoc Sheldija, Zef Gjoka, Gaspër Muzhani, Mark Gabulli, Rrok Gjonej, Ndoc Zezaj, Loro Çelaj, Kolë Krajni, Tefë Çefa, Zefi i Filip Stakës, Baltasar Bushati, Injaci i Mark Lleshit, Pulin Kiri, Tonin Kiri, Kolë Kurti, Zef Gera, Tish Prela, Zef Shantja, Guljem Pistulli, Cuk Bardeli, Vasil Coli, Ton Martini, Pashko Ashiku, Lec Boriçi,    Pashko Gurakuqi, Loro Shkreli, Zef Harapi, Mëhill Stajka, Gjon Cepi, Gjon Ndok Kiri, Pjetër Fishta, Kolë Lufi, Grueja e Kolë Mjedës, Terezina P. Ashiku, Liza Boriçi, Roza Boriçi, Regjina Gurakuqi, Albina L. Shkreli, Age Z. Harapi, Viktorja H. Stajka, Pina Gj. Cepi, Maria Ndok Kiri, Luçia Fishta, Mina K. Lufi, Shaqja e P. Prendushit, Shaqja e Filip Llupit, Dashja e Z. Çurçisë, Prenda e Palucës, Dani i Kolë Demës, Lena e Luc Prelës, Dani i Ndoc Llupit, Karla Rrota, Shaqja e Gjush Rrotës, Nusha e Ndrekë Minit, Tina e Loro Harapit, Kusha e Kin Kolës, Çilja e Cin Pistullit, Ageja e Kel Muzhanit, Cina e Gjokë Dragushës, Drandja e Ndoc Ljarjes, Marija  e Cuk Buflit, Çilja e Simon Pistullit, Drandja e Ejëll Serreqit, Lena e Zef Krajnit, Lula e Kolë Prendushit, Gjuljana e Zef Prendushit,                    Ageja e Ndrek Kaçulinit, Dani i Zef Pogut, Ageja e Lazer Çefës, Marija Kaçulini, Gjizela Tedeskini, Marija Boriçi, Roza e Tefë Prelës, Luigja Mala, Viktorja e Tish Buflit, Beatriçja e Zef Kurtit, Marta e Gjon Marka Gjonit, Gjina e Simon Pistullit, Lezina e Kolë Palit, Marta e Ejëll Ljarjes, Vajza e Kolë Mjedës, Gjystina e Tomë Galanit, Çilja e Gjin Dajçit, Lezina e P. Saraçit, Suora Lujgja Bushati, Lezja e Mati Shllakut, Maruka Pistulli, Age Lukë Simoni, Protogjen Dema, Karlota Dema.

Më poshtë vazhdojnë emrat dhe mbiemrat e pelegrinëve nga:

Malcokët, Dioçezi i Sapës, Dioçezi i Lezhës, Arkidioçezi i Durrësit, Dioçezi i Mirditës, Dioçezi i Pultit.

Në ato vite kur qeverisë së Zoug ti duhej të anullonte kodin e vjetër penal osman, për të futur në fuqi kodin e ri penal shqiptar, femrat e elementit katolik shkodran shkonin si turiste përtej detit Adriatik për të vizituar objekte të kultit fetar e religjioz, kopshte zoologjike, ekspozita me prodhime bujqësore e muzeume arkeologjike t një vendi perëndimor, siç ishte Italia.

“Më 31 mars 1929 Parlamenti abrogoi ligjin… sipas modelit francez e zviceran… që u dha shtetasve të çdo seksi të drejta të barabarta para ligjit”, shkruan Ilir Ushtelenca në “Diplomacia e Mbretit Zogu I”.

Ndërsa regjisori i njohur shkodran Lec Shllaku, në “Kur lindej teatri”, pohon: “Shpesh herë, atyre (aktorëve BS) u takonte me luejtë edhe rolet e grave, të cilat aso here e deri vonë në mjesin e vjetëve ’30 nuk u miratohej dalja në skenë së bashku me burrat”.

Sa thamë më lart në shkrimin tonë, tregon se vajzat dhe gratë e krahut katolik shkodran dhe burrat e tyre që i shoqëruan bashkë me të afërm, ishin “emancipuar tepër herët”, në një kohë që në Shqipëri mbizotëronte perçja e zezë anadollake mbi fytyrat e bukura të femrave shqiptare.

Broz Simoni

Lista e shtegtarëve

Arkidioçezi i Shkodrës

Emz. Lazer Mjedja, A. Vinçenc Prendushi, Emz. Gaspër Thaçi, A. Anton Harapi, D. Nikoll Dragusha, D. Zef Shllaku, D. Gjon Gjergji, D. Pashk Zojzi, D. Gjergj Volaj, D. Tomë Laca, D. Aleksandër Sirdani, A. Zef Mesi, A. Çiril Cani, Fr. Ndue Harapi, Mater Konsilja, Moter Modesta, Deputet Kolë Mjedja, Filip Staka, Balto Çoba, Nush Hilaj, Kolë Tom Galani, Kolë Lufi, Tefë Prela, Kolë Dema, Gaspër Doda, Ndoc Sheldija, Zef Gjoka, Gaspër Muzhani, Mark Gabulli, Rrok Gjonej, Ndoc Zezaj, Loro Çelaj, Kolë Krajni, Tefë Çefa, Zefi i Filip Stakës, Baltasar Bushati, Injaci i Mark Lleshit, Pulin Kiri, Tonin Kiri, Kolë Kurti, Zef Gera, Tish Prela, Zef Shantja, Guljem Pistulli, Cuk Bardeli, Vasil Coli, Ton Martini, Pashko Ashiku, Lec Boriçi, Zef Boriçi, Pashko Gurakuqi, Loro Shkreli, Zef Harapi, Mëhill Stajka, Gjon Cepi, Gjon Ndok Kiri, Pjetër Fishta, Kolë Lufi, Grueja e Kolë Mjedës, Terezina P. Ashiku, Liza Boriçi, Roza Boriçi, Regjina Gurakuqi, Albina L. Shkreli, Age Z. Harapi, Viktorja H. Stajka, Pina Gj. Cepi, Maria Ndok Kiri, Luçia Fishta, Mina K. Lufi, Shaqja e P. Prendushit, Shaqja e Filip Llupit, Dashja e Z. Çurçisë, Prenda e Palucës, Dani i Kolë Demës, Lena e Luc Prelës, Dani i Ndoc Llupit, Karla Rrota, Shaqja e Gjush Rrotës, Nusha e Ndrekë Minit, Tina e Loro Harapit, Kusha e Kin Kolës, Çilja e Cin Pistullit, Ageja e Kel Muzhanit, Cina e Gjokë Dragushës, Drandja e Ndoc Ljarjes, Marija  e Cuk Buflit, Çilja e Simon Pistullit, Drandja e Ejëll Serreqit, Lena e Zef Krajnit, Lula e Kolë Prendushit, Gjuljana e Zef Prendushit, Giusepina e Ndoc Prendushit, Ageja e Ndrek Kaçulinit, Dani i Zef Pogut, Ageja e Lazer Çefës, Marija Kaçulini, Gjizela Tedeskini, Marija Boriçi, Roza e Tefë Prelës, Luigja Mala, Viktorja e Tish Buflit, Beatriçja e Zef Kurtit, Marta e Gjon Marka Gjonit, Gjina e Simon Pistullit, Lezina e Kolë Palit, Marta e Ejëll Ljarjes, Vajza e Kolë Mjedës, Gjystina e Tomë Galanit, Çilja e Gjin Dajçit, Lezina e P. Saraçit, Suora Lujgja Bushati, Lezja e Mati Shllakut, Maruka Pistulli, Age Lukë Simoni, Protogjen Dema, Karlota Dema.

 

Malkocët

Kolë Maçi-Hot, Kolë Luca-Hot, Prekë Gjetja-Hot, Prekë Cali-Selcë,Frano Paliu-Selcë,  Prel Kola-Vukel, Ndue Gjoni-Vukel, Kol Bajraktari-Vukel, Tomë Dushi-Nikç, Ndue Kola-Nikç,Vat Marashi-Shkrel, Kolë Gjoni-Shkrel, Lucë Marash Luca-Shkrel, Lekë Vuksani-Bogë, Ndue Vocërr Ndoja-Shllak, Kad Ndue Lazri-Shllak, Shtjefën Simoni-Juban, Pashuk Paluku-Bushat, Zef Martini-Dajç, Tomë Paloka-Berdicë, Papas Jani-Elbasan, Balto Kola-Shirokë, Gjelosh Gjoka-Kastrat, Dedush Marashi-Kastrat, Gjokë Prela-Kastrat, Ganxhja e Gjon Kurti-Kosovë, Gjustina e Fran Lala-Kosovë.

 

Djoçezi i Sapës

Emz. Zef Gjonali, D. Nikoll Sheldija, D. Gaspër Gurakuqi, D. Zef Naraçi, D. Ndre Lisna, D. Zef Dedi, D. Ndue Suma, P. Nikoll Kolej, Mark Pal Nika-Flet, Mark Doç Alija-Kryezi, Mark Nikë Mashi-Mill, Ded Kolë Bushi-Kçirë, Zef Gjergj Bardhi-Nenshat, Gac Gjo Miloti-Dajç, Kolë Simoni-Hajmel, Lazer Marku-Hajmel, Geg Zefi-Naraç, Pjetër Peci-Kaçë, Zef Frrok Cara-Laç, Ejll Gjeka-Fishtë, Shtjefën Hiluku-Pistull, Prenda e Pal Nikës-Berishë, Lezja e Shyt Lacukut-Kaçë, Tonja e Hil Shytit-Mjet.

 

Dioçezi i Leshit

Emz. Lujgj Bumçi, D. Shtjefën Vjerdha, A. Bonë Gjeçaj, Dedë Gjoçu, Dodë Preçi, Gjokë Nika, Gjokë Luc Marku, Hil Paloka, Mark Biba-Kallmet, Zef Lorenci-Kallmet, Luc Deda-Bregu i Matës, Preç Jaku-Pllanë, Mark Gjini-Bulger, Pal Prendi-Zejmen, Pashko Toma-Lesh, Ndue Zefi-Merqi, Pjetër Preka-Kakariq, Gegë Pergjegja-Kryezez, Ndue Kolë Toma-Vel.

 

Arkidioçezi i Durrësit

Emz. Pjetër Gjura, Emz. J. Bonatti, Berisha Rrok, Belba Beqir, Brozi Elizabeta,Buda Melpomeni, Bumçi Margerita, Cami Halim, Centa M. R. Erestina, A. d. C Daberdaku giovanna, Deda Ndoc, Demiri M. R. Mikelina, Dema M. R. don Pjetër, Derani kapidan Gjon, Derani zoja e kapidan Gjonit, Derani M. R. don Luk, Filipi Zefi i Matis, Gjela Dod, Giadri M. R. P. Pashko, Gjoka Zef, Gjoni Marash, Gjura Nine, Guli Pal, Gurashi Pashko, Gurashi zoja e Pashkos, Hasani Ndue Kol, Herezegh Natalija e Antonit, Jakova Pjetër, Kiri Çilja e Kola, Koka Frano, Koka Marija zoja e Franos, Kola Vlash, Koliqi Gjystina, Krueja Ali, Kurti M. R. don Shtjefën, Leshja M. R. don Mikel, Mhilli Nikollë, Ndoka Nikollë Kol, Pjetri Ndue, Piroli Lok, Ranxha Vangjel, Say Ireneut, Serreqi Agostin, Shenkolli Dani e Kol, Shiroka Kol, Vlashi Lin, Vidulitch R. M. Maria, Zaza Muharren Syleiman, Zogu Gjin, Zogu Ludovik, Zogu Ndue Hil, Zogu Pashk Jakë, Zogu Viktoria zoja e Gjinit, Frano Sopi.

 

Accompagnavano i pellegrini in tutto il psercorso il cav. Vittorio Stellani, Segretario della R. Legazione d’Italia, il cav. Nicola Lorusso Attoma, Capo dei Servizi della “Gazeta Shqiptare” ed il cav. Augusto Piacitelli, rappresentante del Comitato Centrale Antoniano.

 

Djoçezi i Mirditës

Emz. Frano Gjini, D. Zef Skana, D. Ndre Lufi, Ndue Gjon Marku, Çjup Ndoci-Gomsiqe, JakMarku-Gomsiqe, Pal Gjoni-Gomsiqe, Ndrecë Ndue Zefi-Ungrej, Gjaokë Margjoni-Orosh, Gjet Llesh Marku-Orosh, Gjergj Marka Kola-Fregen, Ndue Gjokë Doda-Fand, Frrok Pjetër Mushta-Spaç, Kol Shjugja-Orosh, Gjon Marka Gjoni-orosh, Mara Pjetër Marku-Spaç.

 

Djoçezi i Pultit

Emz. Benardin Shllaku, D. Dedë Plani, Kolë Ndue-Shalë, Binak Vtat-Shalë, Avdi Kola-Shalë, Zef Gjeloshi-Shalë, Can Tahiri-Shalë, Zef Delija-Shalë, Lulash Gjeloshi-Shosh, Vuksan Leka-Shosh, Pjetrush Ndoja-Shosh, Bal Pjetra-Shosh, Ndokë Ndoka-Plan, Vatë Gjoni-Kir, Lush Gjoni-Kir, Nikë Mhillë Nika-dushman, Lekë Mirakaj, Lina e Zef Delisë-Shalë, Prenda e Bal Pjetrës.

 

PS-ja vesh kostum kinez

Kur forcat politike dialogojnë, vendi mbetet pa konflikte të kota, që sjellin veç probleme për popullatën.

Besoj mbas kaq vitesh pësimesh dhe mësimesh në tranzicion mund të ndërtojmë më mirë shtetin demokratik shqiptar.

Por përsëri, mbas shumë udhëtimesh në Perëndim, në zyrat ndërkombëtare etj., nuk po bëhemi të vetdijshëm për realitetin shqiptar.

Shpesh, bëhesh i mërzitshëm duke përmendur të këqijat që solli komunizmi, por më tepër shqetësohesh për këtë komunizëm me veshje të re të PS-së.

Njeriu nuk ka nevojë për të parë modën e politikës, ngjyrat e saj të përbaltura me mashtrime, krime e korrupsion, ai shpreson të ketë një përfaqësim sipas programeve ambicioze ndërtuese që plotësojnë nevojën e një realteti.

Kështu në ekologjinë politike u fut edhe shoqëria “civile” e pasuruar nga donatorët për ndërtimin e vilave dhe sponsorizimin partiak.

Por, si gjithnjë, me shpresë në të ardhmen bisedimet do jenë fryt i punës për mirëmbajtjen e atdheut. Duke menduar që veset e kaluara janë pjesë e një kapitulil të mbyllur. Nuk mund të rrijmë e të bëjmë më rolin e indiferentit, por të lëvizim, të bëhemi më aktivë në perceptimin e faktorëve jetëdhënës.

Besoj se këtyre mendimeve po i vlen lëvizjet e fundit të opozitës, më shumë se kurrë ajo po sjell sot në realitet të ri, në bashkëpunimin me faktorët e jashtëm ndërkombëtarë.

Ky veprim i zgjuar dhe më i ri i opozitës së bashkuar do ndihmojë dhe PS-në me “Katarsistët” e vonuar në emancipimin e reformimin e thellë të tyre. Ne jemi pjesë e një të tëre, nuk kemi të tepërt dhe të mos humbim kohë, në shpëtimin e jetës shqiptare. Me këtë nuk duhet penalizuar njeri për mendimet qoftë edhe të padrejta, por veprimet që kanë shkaktuar dëmtim; njerëzit, pasuria, atdheu duhen të gjykohen. Askush nuk duhet të harrojë sjelljen e komunistëve të rinj të konvertuar në të korruptuar se gabojmë dhe pastaj na lezetohet oreksi.

Mungesa e qetësisë nuk sjellë siguri jete dhe pasurie. Mbreti ynë Ahmet Zogu pat thënë: “Atdheu mbi të gjitha” dhe “me idena bolshevike nuk sigurohet liria dhe pasuria”, kurse trashëgimtari Leka Zogu: “Paqe, bashkim, vllazërim”. Në të vërtetë vendi ynë ka patur nevojë dhe ka më shumë për këto fjalë të ngrohta, për të sotmen dhe të ardhmen, me shqiptarët e bashkuar. Gjithmonë ka një vëmendje për jetën, qetësinë, punën dhe lumturinë që arrihen me mirëkuptime të ndërsjellta, respektim të ligjit që nga ligjvënësi dhe deri tek zbatuesi, që të gjitha të shoqëruara me një moral qytetëryes perëndimor.

Këtë duhet ta bëjmë tëmundur me arsimimin e rinisë në edukimin e brezit që do të nderojë emrin e Shqipërisë në familjen Europiane. Prandaj t’i lëmë meritat politike dhe shoqërore, që me forcën e dialogut të mposhtim të keqen, të largojmë mjerimin, t’i vëmë fre arrogancës, që të mbjellim stabilitet dhe solidaritet.

Leon Çuni

Mons. Don Enea Tamassia, dora e ngrohtë e emigrantit shqiptar në Itali

Rastësisht në postën e qytetit takoj një grup të rinj, emigrantë, të kthyer për disa ditë pushim në shtëpitë e tyre. Midis tyre ishte edhe një djalë simpatik, të cilin e njoha mirë. Nuk më është zhdavaritur nga mendja ish-nxënësi i vitit të dytë në gjimnazin “Jordan Misja”, kur e plagosën rëndë me thikë në koridorin e shkollës. Po, po, nuk gaboj! Ky është Erblin Lata! Djaloshi adoleshent që iu rrezikua seriozisht jeta nga një bashkëmoshatar i tij. Lajmi bëri zhurmë në mediat e qytetit, pasi ndodhi në kultin e dijes. Megjithëse lajme të tilla kobzeza ishin të zakonshëm, pasi ishte koha e çmendurive. Ishim kthyer “luftëtarë” të mesjetës, ku njerëzit “të lumturuar” nga vetarmatosja, vrisnin njëri-tjetrin, sikur luanin kuka-fshehtas. Ishte koha, kur shteti eleminoi ekzistencën e tij si shtet. Dhe krimi triumfoi si “heroi” i ditës. Ku edhe sot shteti është i pafuqishëm para krimit, pasi armët gjenden sërish në duar të qytetarëve. Atëherë ishte 17 marsi i vitit 2000. Dhe sot Erblinin e kam parasysh, më të rritur, me një pamje fizike të mirë, a thua se s’ka ndodhur asgjë dikur…

Edhe pse plagosja ka qenë e rëndë dhe me pasoja, familja e tij pas shumë mundimesh e sorollatjesh burokratike arritën që Erblinin ta çonin privatisht në Itali.

Dhe gazeta “Shqipëria Etnike” e interesuar për jetën e emigrantëve shqiptarë në Itali e kudo, e sjell Erblinin nëpërmjet mirënjohjes së tij për njerëzit që e ndihmuan aq shumë, për ta kthyer në jetën normale.

      -Tash jam shumë mirë. Me ndihmën e hallës sime Shefkie Latës (ish-basketbolliste e ekipit të “Vllaznisë”), si dhe të bashkëshortit të saj, akselit (nënshtetas italian). Gjithashtu edhe të dajës tim, Luan Shpatit, së bashku me bashkëshorten e tij Brikenën. Më shtruan në spitalin më të mirë të Italisë tek “Faks Maria Adeleido” në Torino.

Në këtë spital ndjeva kujdesin dhe përkushtimin e lartë të mjekëve italianë, ku u realizua një operacion mjaft i vështirë, por tepër i suksesshëm në sistemin urinar dhe të veshkave.

Gjatë bisedës me Eblinin, mësova se ai është nën një kujdes të veçantë dhe të vazhdueshëm nga mjekët e mrekullueshëm italianë, dhe se praktikon një proçedurë neuroreabilituese mjaft efikase. Ai na tregoi që tre herë në ditë i nënshtrohet   kësaj proçedure të përcaktuar nga mjekët italianë. Dy herë në ditë në palestra speciale dhe një herë, po në një pishinë speciale. Dhe kjo proçedurë, terapi-fizike kërkon shpenzime të mëdha.

Por, dhe pa ndihmën e kujdesin e madh prindëror që më ka dhënë në Itali, Mons. Don Enea Tamassia, unë s’do të kisha mundur të realizoja me sukses seancat e vazhdueshme për shërim të plotë, prandaj do t’i lutesha shumë gazetës “Shqipëria Etnike” (vazhdon Erblini) të pasqyrojë mirënjohjen time, dorën e ngrohtë të priftit italian, për ndihmën e madhe, të pakursyer që më ka dhënë mua si emigrant shqiptar. E falenderoj publikisht, me që m’u dha rasti, me gjithë shpirt, nëpërmjet gazetës tuaj, që lexohet në internet në gjithë botën. Sepse pa ndihmën e Don Enea Tamassia, unë do të kisha mbetur ashtu siç isha. Edhe juve gazetarëve të kësaj gazete ju falenderoj shumë, që më dhatë mundësinë të shpreh respektin dhe mirënjohjen e njerëzve të Zotit, që meritojnë me të vërtetë respekt.

Dhe pas fjalëve të ngrohta të Erblinit, i cili paska lindur me fat, (siç i thotë populli), sepse jo të gjithë emigrantët kanë fatin të takohen me njerëz kaq të mirë, e shpirtmëdhenj. Por fati i hidhur i emigrantëve shqiptarë hidhëron edhe detin, kur mbyten me skaf, hidhëron edheajrin kur bredhin si endacakë rrugëve të botës për një strehë, për një copë bukë. Dhe shpesh herë bëhen edhe viktima e asnjë njeri s’mban përgjegjësi morale e njerëzore për fatin e tyre.

Por, megjithatë paska edhe njerëz të mirë kjo botë, si prifti Enea, në Itali. Nuk mund të mos marrim edhe opinionin e babait të Erblinit.

Ai është një burrë serioz, rreth të pesëdhjetave, që gjatë gjithë vitit kujdeset për djalin e dytë tëtij, Floridin, i cili në njëfarë mënyre zëvendëson edhe nënën e tij (pasi ajo ka shoqëruar Erblinin). Ai shprehet për gazetën tonë, – se jam mjaft i qetë, që djali im i sëmurë ndodhet në duart e mjekëve duarartë italianë. Zoti e kishte shkruar që Erblini të binte edhe nën kujdesin e një shërbëtori të fesë. Që e falenderoj me gjithë shpirt atë. Mons. Don Enea më është gjetur në pikën më kritike të jetës sonë familjare. E bekoftë i madhi Zot. Kurse për vështirësitë që hasi në rritjen dhe edukimin e djalit të vogël, i kapërcej lehtë, pasi unë kam punuar oficer në ushtrinë popullore, dhe kam pritur e kam përcjellë mijra djem. Edhe ata i kam edukuar si djemtë e mij. Por djalit të vogël, unë si baba, s’mund t’ia zëvendësoj dashurinë e nënës, që atij i mungon shumë. Por Shkurte Lata, nëna e fëmijëve të mij, bëri një sakrificë të madhe prindërore, që çdo prind do ta bënte atë. Por të them të drejtën edhe mua më mungon dashuria dhe respekti i bashkëshortes sime ideale.

Ju faleminderit zoti Skënder dhe ju Ermal për emocionet që përcillni nëpërmjet gazetës. Por unë do të shtoja se gruaja juaj dhe nëna juaj, Shkurta, nuk ju mungon vetëm ju. Ajo i mungon nxënësve të shkollës “Vasil Shanto”, pasi Shkurta është mësuese e gjuhës Frënge, me një stazh të gjatë në arsimimin e fëmijëve. Dhe tani është e detyruar të punojë në Itali, në punët nga më të rëndomta, për të mbajtur veten dhe djalin e saj. Këto janë sakrificat e familjeve shqiptare.

Fatime Kulli

Kelmendi me histori të lavdishme

Kelmend me vendim Nr. 40, dt. 12. 04. 2002 ka vendosur që shkolla juaj të quhet Shkolla e Përgjithshme “Nik Mernaçaj” Tamarë. Ky djalosh është njëri prej bijëve Kelmendas që sakrifikoi jetën e tij të re për lirinë e këtij populli kaq të vuajtur nga diktatura komuniste.

Familja e Marash Mernaçaj është një ndër familjet e para të Kelmendit që nuk ju nënshtrua diktaturës komuniste në Shqipëri. Kjo familje në vitet 1946 e deri në vitin 1959 iu nënshtrua një dhune të egër të shtetit komunist shqiptar. Me burgime, internime, tortura etj., si shumë familje të kësaj zone, të cilët më shumë se kushdo tjetër e vuajtën mbi supe regjimin çnjerëzor diktatorial të komunizmit në Shqipëri.

Nga kjo zonë u pushkatuan 72 burra

Dhe si pasojë e këtij persekutimi Kelmendi sakrifikoi 72 burra të pushkatuar, 132 familje të internuara dhe 87 burgosje politike ku për 46 vjet me radhë populli i Kelmendit jetoi nën çizmen e hekurt të diktaturës.

Historia e Kelmendit është e gjatë dhe e lavdishme dhe unë nuk mund ta përshkruaj me këtë shkrim të shkurtër. Por Kelmendi për 5 shekuj nuk iu nënshtrua sundimit turk. Nuk iu nënshtrua historikish as pushtuesve të tjerë, si nuk iu nënshtrua as diktaturës komuniste. Ky vend kufitar e ka historinë e shkruar me gjakun e bijve të vet në çdo pëllëmbë tokë të kësaj zone dhe siç jemi të renditur në krye të hartës të Shqipërisë, po aq jemi krenar për ruajtjen e vlerave njerëzore tradicionale të Kelmendit dhe të Malësisë së Madhe.

Nxënës dhe mësues të Shkollës së Përgjithshme “Nik Mernaçaj”, Tamarë. Emri që po ju përurojmë sot është një ndër figurat tipike të karakterit të lartë të malësorit shqiptar. Ndonëse që në vegjëli është detyruar të emigrojë rrugëve të botës si rezultat i thënieve të mësipërme familja e tij gjithmonë e ushqeu me ndjenjën e dhimbshme që po kalonte vendi i tij nën sundimin komunist duke u bërë simboli i lëvizjeve dhe i protestave që u bënë në SHBA në vitet 90 për lirinë e të drejtave njerëzore në Shqipëri.

Çdonjëri nga ju do të krenohet me të drejtë që Nik Mernaçaj, djaloshi kelmendas u bë lideri i parë i lëvizjeve dhe i protestave në SHBA, për liri dhe demokraci në vendin e tij të lindjes duke sakrifikuar edhe jetën e tij të re.

Përfitoj nga rasti përpara jush që nëpërmes ngushëllimit që i bëjmë familjes së tij për humbjen e djalit të tyre i falenderojmë në emër tuaj për ndjenjën e lartë të edukatës morale njerëzore që i bënë prindrit Marash e Mri Mernaçaj djalit të tyre pr brumosjen e idealeve demokratike aq të dashura për ne.

Emri dhe vepra e Nik Mernaçajt nuk do të vdesë kurrë, ai është i skalitur në zemrat tona dhe do të pasohet edhe në brezat që do të vinë.

Këto vlera të këtij të riu kelmendas pasqyrohen qartë edhe në vlerësimet që i kanë bërë autoritetet amerikane si Senatori amerikan Alfonso D’amato, Kryetari i Bashkisë Sonkers dhe konti Ekskluziv i Nju Jorkut, duke shpallë dt. 25 Prill 1996 si ditën e lirisë shqiptare Nik Mernaçaj.

Si dhe Medaljen “Martir i Demokracisë” e akorduar nga Presidenti i Republikës më 30. 07. 1993. Shprehim besimin tonë se ky emër që po i vendosim sot shkollës tuaj do të ju shërbejë ju dhe brezave të tjerë që vijnë pas një nxitje e mëtejshme për edukimin dhe përparimin nëpërmes rezultateve tuaja që Kelmendi i historisë dhe i traditave të shquara do të ecë gjithmonë drejt përparimit.

Kelmendi ynë gjithmonë pastë festa e gëzime duke u krenuar me djemtë e tij.

E gëzofshi emrin e shkollës tuaj.

Prelë Gjelaj

Kryetar i Komunës Kelmend

120 ditë në mes të të mirave, miqve dhe suksesit në SHBA

-Intervistë ekskluzive e regjisorit dhe aktorit të humorit shkodran Sandër Ruçi-

“Shqipëria Etnike”: Ju zoti Sandër s’keni pak kohë që bashkë me partneren tuaj të njohurën Z. Miloti, jeni kthyer nga një turne mjaft i suksesshëm nga SHBA. Diçka rreth kësaj vizite të këtij turneu dhe rreth ftesës së bërë.

Sandër Ruçi: Po është e vërtetë ka rreth një muaj që jemi kthyer nga një turne jashtëzakonisht i suksesshëm prej SHBA, ku me ftesë të komunitetit shqiptar të Detroitit, Kishës së Shën Palit dhe Shoqatës Atë Gjergj Fishta, në drejtim të Shoqatës artistike tashmë të konfirmuar Sandri-Kompani, mbërriti ftesa pë një seri shfaqjesh në nderim të viktimave të 11 shtatorit në SHBA.

“Shqipëria Etnike”: Z. Sandër, përpara desha t’ju ndërhyj në lidhje me siglën “Sandri Kompani” pa dashur të bëjmë insinuata për figurën tuaj mjaft  të njohur në fushën e artit e humorit e regjisurës.

Sandër Ruçi: Dy fjalë për këtë shoqatë. E formuar në prag 2000 ku edhe dha shfaqjen e parë të varietesë private në Shqipëri, me një sukses të jashtëzakonshëm, e liçensuar me vendim Gjykate, e miratuar me vendim të Bashkisë në krye të së cilës aktori dhe regjisori që keni përballë ka një bagazh artistik 30-vjeçar me koncerte mjaft të suksesshme në trevat shqiptare shqipfolëse si në Kosovë, në Maqedoni, Ulqin, Zvicër, Itali, në të gjithë territorin shqiptar, dhe tani së fundi për 4 muaj në SHBA si në Nju Jork, Nju Xhersi, Stet Ajlland, Bronks, Çikago, Detroit, Toronto, Uinsdor (Kanada). Pra tetë koncerte me rreth 8 mijë shikues.

“Shqipëria Etnike”: Jo pak do jua kishte zili çdo artist, jo vetëm për kohën në dispozicion por edhe për numrin e koncerteve të dhëna.

Sandër Ruçi: Ç’është e vërteta ne ishim të privilegjuar në këtë drejtim për vetë faktin sepse ishin edhe kushtet mjaft favorizuese, të cilat na u krijuan që në momentin e parë të takimit me personelin e Ambasadës së SHBA, ku na u rezervua një pritje mjaft e ngrohtë dhe vetë viza pra një vjeçare me shumë kalime favorizoi ndejtjen e gjatë dhe numrin e koncerteve, përpara akomodimit ndër miq e dashamir të veçantë ku vendin kryesor e zë padyshim shoku im i vjetër Edmond Zejnuni ku na hapi dyert e shtëpisë dhe unë e Zyli e ndjemë veten si në shtëpinë tonë.

“Shqipëria Etnike”: Përmbajtja, tematika dhe pritja që ju është bërë me dy fjalë në tërë këtë mjedis.

Sandër Ruçi: Tashti përsa i përket përmbajtjes dhe repertorit e sidomos tematikës mund t’ju them pa frikë se të trija u kombinuan në harmoni të plotë me njëra-tjetrën.

Duke patur në krah një partnere me vlera të pakrahasueshme artistike me një bagazh të bollshëm humoristik u krijua një duet mjaft gazmor dhe harmonik me një temë të ditës larg banalitetit me një humor bashkëkohor, sa materiale të tilla siç janë Gomonia, Mini-Minusha, Emigranti, Lahuta, Dialogu në spital, Parodia me shkop për dore apo  Familja CD krijuan në spektatorë nostalgji dhe lotë gëzimi dhe shprese për qytetin e humorit siç është Shkodra, dhe atmosferë festive në të gjitha sallat.

“Shqipëria Etnike”: Planet për të ardhmen e “Sandri-Kompani”.

Sandër Ruçi: Shoqata, kuptohet ka në gjirin e saj një numër mjaft të konsiderueshëm personalitetesh të artit dhe të këngës, po operon simbas vendit dhe ambjentit ose simbas kushteve, specifikës së spektakleve bëhet edhe kuvendi, p.sh. në rastin e Amerikës, nuk mund të shkohej relativisht me një numër të madh trupe. Kështu për të ardhmen kam përshtypjen që në kuptimin e mirë të fjalës do t’i tregojë (dhëmbët) me një koncert recital në Pallatin e Kongreseve dhe mendojmë që edhe tri ditë ta japim për spektatorin e mrekullueshëm shkodran në qytetin tonë për këtë mendojmë të thërrasim emra si Miloti, Preka, Shiroka, Kruja, Deda etj. Me një bashkëpunim dhe skenar të të graduarit në lëmin e humorit P. Selimi dhe me komponentë të ndryshëm këngëtarësh etj., etj., etj., të cilët do ju tregojmë në skenën e këtij pallati.

“Shqipëria Etnike”: A mendoni të ktheheni përsëri në Amerikë?

Sandër Ruçi: Meqë viza e lejon e diaspora e kërkon, meqenëse kushtet për një shfaqje të re po krijohen, meqenëse pritja që na u rezervua ishte më shumë se dashamirëse dhe vëllazërore nuk kemi pse t’ia prishim, meqenëse së shpejti inaugurohet edhe Kisha e re më e madhja në Detroit, është obligim, nder dhe detyrim shpirtëror që ta përmbushim me dinjitet në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për këtë Kishë dhe për z. Pader Anton Kçira që na bëri të mundur këtë vizitë të shkëlqyer në SHBA.

“Shqipëria Etnike”: Faleminderit. Suksese dhe bëfshi gjithmonë punë të bukura.

Sandër Ruçi: Faleminderit juve, gazetës suaj mjaft të lezueshme në diasporë ku gjej rastin të përshëndes me anë të gazetës suaj gjithë diasporën me vargjet e fundit të bukura të prof. Simon Pepës për Shkodrën:

U lëshu mi ty mizori

Sa goja dot s’e thotë

E pat tërbu zilia

Se kje ma e bukra në Botë

Por shpirti s’don t’ligshtohet

Shpreson kjo zemër ngrata

Se Shkodra prep do zgjohet

Me kangë e serenata.

Përshëndetje të gjithëve.

Intervistoi: Zef Nika

 

“M.USA” – nëpërmes shoqatës humanitare-kulturore Koplik, shpërndan ndihma ushqimore për të vafrit

2500 familje që aktualisht kanë të ardhura nën minimumin jetik trajtohen me ndihma ushqimore nga shoqata humanitare-kulturore me qendër në qytetin e Koplikut. Koordinatori i kësaj shoqate humanitare për rrethin e Malësisë së Madhe z. Astrit Cubaj bën të ditur se aktualisht ka nisur faza e tretë e trajtimit të këtyre familjeve me 12.5 kg miell e 5 kg fasule për frymë në muaj të cilat jepen falas nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe i Ministrisë së Bujqësisë nëpërmes shoqatës Mercy-USA For and Development M.USA.

Trajtimi i këtyre familjeve me nivel të ulët ekonomik ka nisur në muajin shkurt të këtij viti dhe deri ditën e sotme janë shpërndarë 344 ton miell e 138 ton fasule.

Kryesisht kanë përfituar familjet me të ardhura të pakta në komunat Koplik, Gruemirë e Kastrat si dhe shoqata e të verbërve, jetimët dhe invalidët e punës. Gjithashtu zoti Cubaj bën të ditur se në vazhdimësi janë trajtuar edhe 60 familje të ngujuara  si pasojë e fenomenit të gjakmarrjes nga të gjitha zonat e rrethit M. Madhe.

Përcaktimi i familjeve me nivel të ulët ekonomik bëhet në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe listat e hartuara afishohen në vendet më të dukshme, ndërkohë që lajmërimi për fillimin e shpërndarjes bëhet nëpërmes mediave lokale në qytetin e Shkodrës.

Trajtimi i këtyre familjeve do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm dhe ka ndikuar mjaft në zbutjen e varfërisë në rrethin e Malësisë së Madhe.

R. Ymeri

Shkolla e mesme Tamarë merr emrin e demokratit “Nikë Marash Mernaçaj”.

Përjetësohet emri i demokratit nga Kelmendi “Nikë Marash Merançaj”. Këshilli i Komunës Kelmend, me propozimin dhe interesimin e të afërmve të familjes Mernaçaj me banim në fshatin Tamarë, unanimisht kanë vendosur që emri i birit të tyre Nikë Marash Mernaçaj të gdhendet përjetësisht në shkollën e mesme të fshatit, si shenjë e respektit dhe vlerësimit për aktivitetin e shtuar politik në favor të fitores së forcave progresiste demokratike në Shqipëri. Me këtë rast në qendër të fshatit ishte organizuar një ceremoni mjaft e bukur me pjesëmarrjen e qindra banorëve të Komunës, krerëve të pushtetit vendor, drejtuesve të Komisariatit të Policisë, të Drejtorisë Arsimore të rrethit dhe pjestarëve të familjes Mernaçaj me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas fjalëve përshëndetëse të kreut të Komunës, Prel Gjelaj, drejtoresha e Shkollës së Mesme, z. Liza Pëllumbi ka lexuar para të pranishmëve të shumtë një historik të zgjeruar rreth persekucionit dhe vuajtjeve të familjes Mernaçaj dhe aktivitetit patriotik e demokratik të djalit të tyre Nikë Mernaçaj gjatë viteve ’90 në favor të forcave progresiste dhe lëvizjeve demokratikenë Shqipëri. Nikë Mernaçaj ka lindur në lagjen Peshtan të Tamarës më 20 mars 1959, në një familje patriotike të persekutuar e burgosur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Kur ishte vetëm 9 muajsh familja e Marash Mernaçaj, nëpërmes një kalvari të madh të vuajtjesh e mundimesh, duke kaluar përmes shpateve të thepisura të maleve në afërsi të Trieshit, ka mundur të kalojë kufirin shtetëror e të vendoset në shtetin Jugosllav. Atje për 7 vjet ka provuar torturat, burgimet e persekutimet e shtetit jugosllav, deri sa ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtu Nikë Mernaçaj i edukuar me zakonet dhe traditat e të parëve, me gjuhën shqipe dhe flamurin e Skënderbeut – simbol të shqiptarëve, në vitet ’90 bëhet protagonist i lëvizjeve demokratike për shembjen e regjimit gjakatar komunist në Shqipëri. Shqiptarët e diasporës, nën drejtimin e patriotëve dhe njerëzve të ditur organizohen në protesta të fuqishme për rrëzimin e diktaturës në Shqipëri.

Pas një proteste të përmasave të tilla më 19 janar 1990, teksa kthehej në shtëpi së bashku me gëzimin e suksesit të mitingut, përplaset në rrethana të dyshimta me një makinë që vinte në drejtim të kundërt me të e për pasojë gjen vdekjen, duke mbetur pishtar i idealeve demokratike. Vepra e tij është vlerësuar nga autoritetet lokale dhe 25 prilli është vendosur të quhet Dita e Lirisë Shqiptare “Nikë Mernaçaj”.

Pas fitores së forcave demokratike në Shqipëri, Presidenti Sali Berisha ka shpallur Nikë Mernaçajn “Martir të Demokracisë”. Më pas gjatë ceremonisë kanë përshëndetur z. Kolë Progni, autor i librit “Malësia e Kelmendit”, Gjon Kaçaj, kryetar i të Persekutuarve Politikë dhe z. Marash Mernaçaj, babai i Martirit, i ardhur posaçërisht për ceremoninë e organizuar, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pllakën ku shkruhej “Shkolla e Mesme Nikë Mernaçaj” e zbuloi kryetari i komunës, z. Prel Gjelaj. Më pas Shkolla e Mesme, nën drejtimin e mësueses Liza Vaçaj dhanjë koncert tepër të larmishëm artistik me këngë, vjersha e recitime që më së shumti i dedikoheshin aktit sublim të Martirit të Mërgatës Shqiptare në Diasporë, Nikë Marash Mernaçaj.

Pashko Mernaçaj

Rifat Ymeri

Karriera e një prostitute

-Romani më i ri i Ramiz Likës-

Në ndërmarrjen e madhe të hidrocentralit vjen të punojë një ditë edhe një vajzë bukuroshe me emrin Valbona Kurti. Me të vënë këmbën në atë kantier, që i ngjante më shumë një kampi përqendrimi, një bukuroshe e tillë nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen, në radhë të parë, të shokëve të Partisë. Sekretarë organizatash, brigadierë, përgjegjës, skuadërkomandantë, duan ta kenë bukuroshen punonjëse të tyren. Më së pari i shtrin dorën Partia-Mëmë dhe e bën anëtare të sajën të denjë. Nuk ka nevojë të bëjë as stazh partie, sepse hidrocentrali vetë ishte kudhra e klasës punëtore. Shokëve të partisë u vjen keq që bukuroshja të punojë në prodhim, prandaj kujdesen ta dërgojnë në një kurs, nga ku del edhe specialiste e zonja, duke plotësuar kriteret për të qenë jo thjeshtë një anëtare partie, po edhe e forumit të byrosë. Komuniste e devotshme dhe bukuroshe, ajo nuk mund të mos bjerë pre e ujqërve të mëdhenj: Drejtorëve të kantiereve, sekretarëve të komitetit të partisë, shefave të Sigurimit, deri edhe shokëve kinezë, të cilët atëhere ishin vëllezër armësh. Shqipëria dhe Kina aso kohë ishin fanarë ndriçues në tërë botën. (Më vonë, siç e dimë, mbeti vetëm Shqipëria fanari ndriçues). Gjithsesi bukuroshja e Partisë provon edhe dashurinë e kinezit Ba Czu Men…

Por si e arrin kulmin e karierës komunistja e re dhe sa të lumtur ishin ata që punonin përreth saj me kazma e lopata, me bukë e sheqer dhe këpucë të lidhura me tela, do ta merrni vesh nga leximi i 367 faqeve të romanit në fjalë. Por një gjë nuk është sekret të thuhet: Heroina del gjithnjë fitimtare ndaj armiqve të partisë dhe të shokut Enver, kundër të cilëve ajo përdor shpatën e mprehur të Partisë. Dhe Partia nuk e la kurrë në baltë. Armiqtë arritën ta quanin deri edhe “Kurva e Partisë”, por ai epitet nuk e njollosi kurrë figurën e saj…

Vasel Gilaj

Janë çfarosë 6 milion hebrenj dhe s’paska të drejtë Izraeli të jetojë në Izrael?!

Pasi ke lexuar shkrimin “Kundër shpifologji” të z. Baleta e ndjen detyrim të pashmangshëm dhënien e përshtypjeve për atë shkrim. Mendojmë se sa është për t’u admiruar rrjedhshmëria e shkrimit në fjalë, aq është për t’u qortuar fjalori i shumë pasazheve të asaj replike. Etiketimet nuk ngjiten pa marrë më parë miratimin e etikës. Vërtetë nuk kam lexuar asgjë nga ato që i sulmuari prej jush lidhur me shkakun e replikës tuaj, por unë e di se luftën kundra fjalori të pa zgjedhur e fiton fjala e zgjedhur, biles shpesh herë edhe heshtja. Replika është njësia matëse e personalitetit. Dinjiteti ia ndalon mllefit në mënyrë të prerë nxjerrjen e prestixhit tonë jashta maturisë, mbasi me anën e fjalëve të pa matura, masim vogëlsinë e njeriut. Vogëlsia i nakatosë fjalët e mira mer të këqija si luga brumin e një mielli të zgjedhur me brumin e krundeve më të padobishme. Mendimet e gatuara me këtë brum, kanë vlerën e tij. Besimi i tepruar në aftësitë tuaja prej eksperti për të analizuar politikën ndërkombëtare si i ka hije një diplomati të sprovuar e meriton atë fjalë proverbiale të Fishtës “Gabove Hilë”. Në mos e paçi për rëndë këtë emër. Ju për çudi anshmëria u duket më e rëndësishme se aftësia. E pra të jesh ushtar i së drejtës është gradë shumë më e lartë se gjeneral i së padrejtës. Ju si njeri i jurisprudencës i njihni shumë më mirë se ne të tjerët ligjet që përcaktojnë të drejtat themelore të shteteve. Prandaj z. Baleta ju pyes, a ka të drejtë izraeliti të jetojë në Izrael, sidomos pas çfarosjes së 6.000.000 hebrenjve? A ka fyerje e kërcënim më të madh se të mos njohësh shtetin e një populli aq të çfarosur si asnjë popull tjetër në historinë e njerëzimit? Çfarë shërbimi i sjell një kauze vrasja edhe e atyre që ende nuk e dinë cilit shtet i përkasin, apo vrasja e atyre që mund të jenë edhe kundërshtar të politikës së shtetit të tyre. A mund të jetë e pranueshme që një shtetas të bëhet viktimë e emrit të shtetit të tij? A është e drejtë të shfrytëzosh për ta indoktrinuar naivitetin e ngjashëm me një letër të bardhë ku mund të shkruash çfarë të duash e t’i bindësh se çdo izraelit, apo përkrahës i tij duhet vrarë qoftë edhe duke flijuar veten. Instruktorëve të kamikazëve as që u shkon mendja ta kërkojnë këtë mish për top nga familjet islamike të zhvilluara që udhëhiqen nga parimet e Kuranit, sepse ata e dënojnë këtë akt. Ju z. Baleta a e dënoni me të njëjtën forcë dhunën nga çdo krah të vijë? Dhuna shton nyje të reja në problemin izraelo-palestinez. Dhënia fund e dhunës aty e kudo është detyrë njerëzore e botërore. Dhuna është sëmundja më infektuese e urrejtjes. Urrejtja nuk duhet lejuar të ngatërrojë individët, jo më shtetet. Ne nuk duhet të harrojmë për asnjë çast angazhimin e SHBA, aq të suksesshëm kundra urrejtjes. Qe kryesisht angazhimi amerikan që e shpëtoi botën nga pushtimi total nazist e nga pushtimi komunist. Pa angazhimin amerikan, bota do të dinte vetëm etimologjinë e fjalës demokraci. Amerika është ajka e botës e bota nuk është ajka e Amerikës. Për ne shqiptarët Amerika është vula e pamvarësisë tonë dhe e çlirimit të Kosovës e shpresa e pamvarësisë së saj të ardhme. Amerika është begatia e emigrantëve të varfër.

Ju z. Balet të mirat e Amerikës i keni përjetuar në vendin e saj gjatë shumë viteve, prandaj i përmenda vetëm si parathënie çudije të konsideratës tuaj për SHBA. Ju që me të drejtë suleni kundra “shpifologjisë”, ves natyrisht i dënueshëm, a nuk u duket shpifologjia më e fryrë në botë ajo që ju zbrazni kundra Amerikës?! Duke e ilustruar me këto fjalë “Bin Laden është sekreti familjar i Amerikës”. Nëse do të ishte kjo, përse Amerika u kërkoi Talebanëve dorëzimin e Bin Ladenit e përse Talebanët pranuan vdekjen e pushtetit të tyre më parë se dorëzimin e tij? Ju thoni se ngjarjet e 11 shtatorit janë një krijim amerikan për të justifikuar sulmin ndaj Afganistanit. Dihet se përmasat e kësaj shpifjeje janë më të mëdha se ato të globit tonë. Ky monstruozitet i një shteti kundra shtetasve të tij është i panjohur në historinë e njerëzimit. Ju e mallkoni ndërhyrjen amerikane në Afganistan për të zëvendësuar qeverinë më antinjerëzore, ndërsa populli afgan e bekoi dhe e përshëndeti me festime si shpëtimin e tij nga vargojtë paramesjetar. Ju gërmoni si një arkeolog në historinë amerikane për të gjetur çfarë i intereson fantazisë tuaj propagandistike dhe i referoheni dhënies fund të luftës së dytë botërore me armë atomike duke e quajtur “fajtore Amerikën”. Ju e dini mirë se jo vetëm bota, por edhe vetë Japonia e justifikoi atë katastrofë që i preu rrugën një katastrofe tjetër kushedi sa herë më të tmerrshme. Pas të gjitha këtyre, thoni: “Unë nuk jam më anti-amerikan se senatorët Diogardi, Trafikant e populli amerikan amerikan! Kur këta zotëri e kanë quajtur shpifologjinë tuaj të vërtetë?! Ju, interesave ruse e amerikane në Ballkan, ku ndodhet edhe Shqipëria, ju vini shenjën e barazimit. Ju e dini mirë se sot popujt janë në sferat e influencës, e si thoni, nga duhet të shkojë Shqipëria? A thoni ta braktisim moton: “E duam Shqipërinë si të gjithë Europën?!” Amerika a nuk është shembull për t’u ndjekur nga kontinenti jonë? Vërtetë metoda greke për ta helenizuar Shqipërinë është një shenjë e tërthortë e të drejtave të njeriut, por ju këtë metodë të Greqisë së sotme a e dënoni si një metodë të re, apo si pjesa e dytë e metodës së ushtruar 5 shekuj?

Sokol Pepushaj

Shqipërinë e ka pushtuar “Oktapodi”

1-Astrit Mërtiri, shoqëruesi i Fatos Nanos është shefi i Portit Detar, Durrës.

2-Ministria e Rendit Publik, pronare e “tenderave” të emërtimeve në “minierat e arit”

Oh vaj! Oh kob! Oh marre e turp për ne!

      Sot shekulli mbarë prir synin prej shqiptarëve,

      ………………………………………………………………..

      E na, haru e si polipa deti

      Veç hapim sytë me shkye ndo’i send për veti!…

(Gjergj Fishta, 1913)

 

Sot jemi në vitin 2002, dhe shqiptarët frymojnë me pilula oksigjeni në pavionin e çmëndurisë… Jo prej hasmit, por nga dehja për pushtetin e parasë. Dhe politika e sëmurë, rrugës plot zigzake ka ndërtuar xhunglën e krimit. Ndershmëria është e dënuar me vdekje klinike. Në Shqipëri po luhet skenari i filmit “Oktapodi” dhe shqiptarët po e rishohin filmin në ekran të drithëruar. Sepse “Oktapodi” tashmë e ka “pushtuar” edhe Shqipërinë hallemadhe, që lëngon…

(Dhe Fishta, sërish ulëret)

“Ehu! Çka do t’bajnë, thue, tash shqiptarët e shkretë?”

Dhe shteti përgjigjet: -Po na helmon “Oktapodi”! “Zgjidhni” ligjet, t’lidhim shpresën e pashpresë! Por ligji i pluhurosur kundërpërgjigjet, n’grusht t’Migjenit:

-“Mali hesht – dhe në heshtje qesh

E unë vuej – dhe në vuejtje vdes.

Po unë, kur? Heu! Kur kam për t’u qesh?

Apo ndoshta duhet ma parë të vdes?”

Dhe shqiptarët nga frika zënë e çirren:

“O, si nuk kam një grusht të fuqishëm!

Malit që hesht, mu në zemër me ia njesh!

Ta shof si dridhet nga grusht i paligjshëm…

E unë të kënaqem, të kënaqem tu u qesh.”

Por shteti i kënaqur me besimin në vetvete, thërret: -Të gjithë në luftë kundër krimit!

Bjeshkë, Lumenj e dete kanë shqyer sytë dhe hapur veshë gjithë habi: -A thue me të vërtetë???

Lufta kundër krimit është një mashtrim që serviret nga shteti. I betonuar mrekullisht në muret e slloganit. Është e pamundur të luftosh krimin, duke shkelur ligjin, pa e zbatuar atë. Këto kritere parimore po i ilustroj me fakte:

1. Në Shqipëri janë 13 drejtori policie, ku 5 drejtori prefekturash janë jashtë çdo kriteri të zbatuar në ligjin kundër krimit.

a) Në drejtorinë e prefekturës Durrës, ku krimi ekonomik ka marrë përmasa galopante. Porti i Durrësit është kryeqendra e trafiqeve të drogës, të mishit të bardhë, të allashverisheve politike për të ruajtur për vetë “minierën e arit”. A nuk përbën një fakt të rëndësishëm Anija “Delon” që u bllokua për klandestinë dhe u gjet në të 25 kg drogë e pastër? Megjithatë për Durrësin s’përbën ndonjë alarm të madh, pasi është pika nevralgjike e shtetit, dhe është “në mbrojtje” të tij duke u kthyer në “kazanostër” për t’u pasuruar të gjithë. Në këtë drejtori policie emërohet drejtor i prefekturës z. Eduart Makashi, pa qenë specialist i policisë. Vjen nga radhët e ushtrisë. Kurse në portin e Durrësit, emërohet shefi i madh i portit, ish-shoqëruesi i Fatos Nanos, Astrit Mërtiri. Nuk çuditemi aspak kur punonjësit e thjeshtë të policisë në port thonë, – s’kemi parë shef më arrogant! Kurse refugjatët kosovarë që vijnë me dokumenta të rregullta për pushime, e akuzojnë se – shefi i portit i kërkon nga 1000 Euro, për t’i lejuar të hypin sërish në traget. Në mosdhënien e “tatimit” të kërkuar i bën presion se do i grisë pasaportën. Dhe shtegtarët e pafat, mallkojnë veten që shkelin tokën amë.

b) Në drejtorinë e policisë Vlorë. Në qytetin më të përfolur të skandalit, klandestin, ka pushtetin e saj të plotfuqishëm PS. Ku drejtor i qendrës kundër trafiqeve në Vlorë, është një oficer ushtrie, i cili është fut në polici për interesa të përbashkëta me partinë në pushtet, pasi është anëtar i Partisë Socialiste.

c) Në drejtorinë e policisë Shkodër. Kolonel Karaj, ish-oficer kufiri, ish-kandidat i PS për deputet në Krujë. Pasi humbi në zgjedhje, emërohet në qyetin e Shkodrës. Dhe për ironi të fatit, largoi menjëherë nga drejtoria e policisë, specialistin e krimit z. Kastriot Ago.

d) Në drejtorinë e policisë Kukës. Caktohet drejtor policie z. Gëzim Goxhi. Ish oficer kufiri, që s’ka punuar asnjë ditë me rendin në policinë kriminale, ish-kandidat i PS.

Me të drejtë lind pyetja – si vihen në krye të policisë kuadro, që nuk njohin problemet e policisë? Apo mjafton të jesh pinjoll i një partie, dhe betejën e ke të fituar?

c) Në drejtorinë e policisë Fier, z. Asllan Dagjani. Ka katër vjet punë në polici, si polic i thjeshtë dhe befas emërohet drejtor policie. Si mund të vihet një kuadro i pa eksperiencë në krye të policisë? Ashtu sikurse edhe në qytetin e Vlorës, në qytetin më të lakmuar të fenomenit krim, drejtori i policisë z. Artan Nallbani, ka hy në polici nga jeta civile (në 1993 ka punuar në Ministrinë e Brendshme, pa eksperiencë policie). Megjithatë këto janë fijet e dukshme të lëmshit të merimangës Parti-Polici, por një fije e padukshme e merimangës helmuese është Ministria e Rendit, së bashku me “urëlidhësit” e pushtetit e atij në parlament, që ndëshkon rëndë imazhin e policisë shqiptare. Duke përdorur “mashat” për “tender” në emërimet e posteve fitimprurëse në “Minierën e arit”.

Për një drejtor policie në porte detare, çmimi është marramendës, 50 milion lekë.

Për një kryekontrollor në doganë 30 milion.

Nga burime të brendëshme kemi mësuar se ka “tender” edhe për drejtor burgu, që varion deri në 15 milion lekë. Edhe në pusin ku zhytet krimi, siç janë burgjet, paska hapësirë, për të fituar, jo vetëm lekët e “tenderit”, por të fitosh edhe për xhepa. Ky është një realitet i hidhur, por i vërtetë. Kërkohen specialistë të mirëfilltë të policisë. Ku t’i gjejmë? Ato që ishin janë vrarë gjatë përpjekjeve në luftë me krimin. Ata që janë sot, kanë mbetur jashtë radhëve të policisë, duke ulur kokën para krimit, se s’kanë para për të zënë vendin që u takon. Dhe nesër me siguri ndonjë artist shqiptar, që do t’i nxijë letrat e bardha me këtë realitet të zi. Dhe ndonjë regjisor ihuaj, do të bëjë kryeveprën e tij, me dhimbjen e popullit shqiptar dhe “Kështjellën” e mafies në politikën shqiptare.

Fatime Kulli

Shteti i bandave komuniste

Qytetari shkodran Kanto Tom Curri, lindur po në Shkodër në vitin 1957, i cili rrjedhi nga një familje mjaft e persekutuar nga regjimi komunist 50-vjeçar në Shqipëri, ku babai i tij Tom Marash Curri si dhe vëllai i tij Luigj Tom Curri, kanë vuajtur përkatësisht 8 dhe 10 vjet burg politik. Përveç vuajtjeve të mëdha gjatë viteve të diktaturës, pasardhësve të kësaj familje i duhet që të vuajë edhe tani siç është rasti i të lartpërmendurit Kanto Curri, i cili edhe ai si gjithë të tjerët antikomunistë u rreshtua përkrah forcave demokratike. Por pas vitit 1990 ai merr pjesë në të gjitha demostratat antikomuniste që u zhvilluan në Shkodër në vitet 1990-1991, duke u bërë edhe anëtar i Partisë Demokratike në vitin 1995. Ish-Presidenti Sali Berisha e dekoron me medaljen e “Trimërisë” gjatë viteve të qeverisjes së Partisë Demokratike 1992-1997. Kanto Curri dha një kontribut shumë të madh për konsolidimin e demokracisë në Shqipëri e veçanërisht në Shkodrën e tij të dashur. Por fatkeqësisht në vitin 1997 çdo gjë rrokulliset pas rikthimit me dhunë në pushtet të ish-komunistëv ku sigurimi i shtetit Kanton e vë në shënjestër për ta eleminuar fizikisht, mbasi pas ‘97 ai nuk e ndalon veprimtarinë e tij antikomuniste duke marrë pjesë përsëri në të gjitha mitingjet protestuese të Partisë Demokratike. Në vitin 1998 Kanto Curri merr pjesë edhe në varrimin e Deputetit Azem Hajdari ku arrestohet dhe keqtrajtohet për disa ditë me radhë, veçanërisht Kanto dallohet për aktivitetin gjatë fushatave elektorale duke qenë edhe komisioner i zgjedhjeve lokale të vitit 2000 dhe atyre të qershorit 2001, ku ka kaluar vërtetë disa kërcënime për ta eleminuar, duke u arrestuar herë pas here, duke u rrahur e keqtrajtuar nga policia dhe sigurimi i shtetit dhe kulmi arrihet më 17. 05. 2002, kur Kanto Curri u qëllua me armë brenda në shtëpinë e tij nga forcat e sigurimit të shtetit e të njëjtin fat e ka patur edhe bashkëshortja e Kantit, Merita Fari Curri, sepse edhe kjo u gjend në përkrahje të burrit të saj gjatë të gjithë aktivitetit të tij antikomunist e për këtë edhe Merita është kërcënuar nga sigurimi famëkeq në gusht të vitit 2001 gjatë një proteste kundër manipulimit të zgjedhjeve parlamentare, biles edhe ka qëndruar tre ditë në spital, ku edhe sot është në gjendje të keqe shëndetësore. E për të gjithë këto e të tjera që është shumë e vështirë të përmblidhen në një shkrim, bashkëshortët Kanto e Merita Curri janë detyruar të largohen nga Shqipëria për të kërkuar fatin në dhe të huaj, për të siguruar mbijetesën mbasi në vendin e tyre janë të kërcënuar dhe në çdo kohë mund të eleminohen fizikisht nga sigurimi i shtetit. Zoti i ndihmoftë çiftin Curri.

Vasel Gilaj

Kosova, paqja e thyer

Astrit Fonda ka lindur më 5 shkurt 1973 në fshatin Brod të Prizrenit. Ai nuk di asgjë për vëllain Lirimin, motrën Lindita. Gjithashtu nuk di asgjë as për prindërit Liman dhe Arife. Astriti nuk di asgjë as për bashkëshorten e tij Muradien dhe vajzën Arjeta.

Historia tragjike e kësaj familje pikënisë në shtator të vitit 1997. Një mëngjes policia serbe vjen në shtëpi, terrorizon të gjithë familjen dhe më pas kontrollojnë disa fletushka shqip. Kjo përdoret prej tyre si arsyeja për të marrë në rajonin e policisë Astritin me vëllanë tjetër dhe babain e tyre. Policia ushtroi një dhunë mbi të gjithë familjen. Në polici përveç dhunës fizike, për dy ditë i lanë pa ujë e pa ushqim. Astriti lihet i lirë pas dy ditësh, ndërkohë që i vëllai kishte dalë disa orë para dhe i jati një ditë më vonë. Një kontroll tjetër në shtëpinë e tyre bëhet në janar të vitit 1998. përsëri policia arreston Astritin, vëllain dhe babanë e tyre, kësaj here policia na pyet se nga vijnë armët dhe kush ka armë në fshat. Përgjigjeve negative policia i përgjigjej me dhunë fizike psikologjike. Në këmbim të lirisë, policia serbe më kërkoi t’i shërbeja atyre, gjë të cilën e pranova por nuk e zbatova. Skaq Kosova përfshihet nga flakët e luftës, policia granatonte pjesën shqiptare të fshatit dhe strehë për banorët ishte pylli. Në mars 1998 Astriti bashkë me vëllain Lirimin dhe babain marrin pjesë në demonstratë në Prizren, kësaj here mundën t’i shpëtonin policisë. Në fillim të majit 1997, shtëpia i shkatërrohet nga granatimet serbe. Sakaq lufta kishte marrë përmasa t mëdha, Astriti megjithëse besonte tek zgjidhja në rrugë demokratike e problemit të Kosovës, ai nuk refuzoi kërkesën për t’u rreshtuar në radhët e UÇK-së.

Rreth 20 majit 1999 u bashkua me brigadën e Pashtrikut me komandant Drinin. Por gjithçka rreth rekrutimit në UÇK të Astritit mbetet në fillesat e saj, kjo pasi bindjet e tij vunë në dyshim drejtuesit, të cilët e provokuan derisa e dëbuan edhe nga Kosova. Astriti pas shumë përpjekjesh mbërriti në Maqedoni ku gjeti strehim në fshatin Radushë tek Shukri Berisha, ku qëndroi në fshehtësi deri në tetor të vitit 1999.

Nuk mund të rikthehet në Kosovë pasi ai paragjykohet si tradhëtar i kombit. Veç kësaj një arsye tjetër është se fshati i tij në jug kufizohet me Dragashin, fshat i cili ka një popullsi me 90% serb. Gjithsesi rrethanat e bëjnë gjithnjë të pamundur kthimin e Astritit në Kosovë, megjithëse ai nuk ka asnjë lidhje dhe nuk di asgjë për familjen e tij.

Drini Gashi

Kërcënohet me vdekje familja e demokratit Fran Rragami

Ish-komunistët e kthyer në pushtet me grykën e armëve kanë kthyer në Shqipëri gjurmët origjinale të krimit e kanibalizmit të kohëve të diktaturës komuniste të Enver Hoxhës. Bijtë e xhelatëve tashmë janë ulur këmbëkryq dhe me metoda shumë më të sofistikuara se ish-baballarët e tyre, kanë rikthyer egërsinë e luftës së klasave me qëllim eleminimin e gjithë atyre që nuk mendojnë e veprojnë sipas oreksit socialisto-komunist të kohëve moderne. Janë tepër xhentilë në sjellje, shumë të arsyeshëm në dukje, por më agresivë e të vendosur kur është fjala për para e prona të pamerituara e veçanërisht kundër gjithë atyre që aspirojnë për një shtet demokratik me parametra të Evropës së qytetëruar. Goditjet inatçore, disa herë me pasoja tepër të rrezikshme për jetën, më së shumti ndihen në trevën antikomuniste të Malësisë së Madhe, e cila përcjell çdo ditë me dhimbje bijtë e saj diku jashtë atdheut, me synimin e vetëm për ti shpëtuar dhunës, represionit e barbarisë së pushtetarëve të rinj socialistë. Ndër emrat e shumtë të malësorëve të kërcënuar me vdekje figuron edhe emri i demokratit nga Petroshani i komunës së Kastratit, Fran Pashko Rragami.

Ka lindur në një familje patriotike, atdhetare e antikomuniste më 23 maj 1954 dhe është rritur me virtytet më të mira të ardhur nga thellësia e shekujve, të cilat kanë karakterizuar në vazhdimësi bijtë e bijat e kësaj krahine. Pjestarët e familjes Rragami në vazhdimësi kanë ndier peshën e dhunimit psikologjik e diskriminimint nga përfaqësuesit e diktaturës komuniste deri në fillimvitet ’90, kur bashkë me fillesën e lëvizjeve për demokraci, lindi dhe një rreze shprese për një të ardhme më të mirë. Vetë Frani dhe të gjithë pjestarët e familjes Rragami me banim në fshatin Petroshan u bashkuan fuqishëm me uraganin demokratik që u kurorëzua me triumfin e Partisë Demokratike dhe krijimin për herë të parë të një shteti pluralist properëndimor në Shqipëri. I inkuadruar në radhët e Partisë Demokratike që në fillimet e saj, Fran Rragami në vitet 94-97 zgjidhet sekretar i kësaj partie për Petroshanin dhe deri në vitin 1997 emërohet nëpunës në ndërmarrjen e Peshkimit me qendër në qytetin e Koplikut. Pikërisht me rikthimin e dhunshëm në pushtet të  ish-kmunistëve të tjetërsuar në socialistë rikthehen kohët e vështira për familjen demokrate të Fran Rragamit. Fillimisht nisin letrat anonime dhe kërcënimet deri me eleminim fizik të tij, që intensifikohen veçanërisht gjatë vitit 1999, të cilat bëhen aq të padurueshme sa detyrojnë Fran Rragamin të largohet nga Shqipëria në rrugë ilegale. Por edhe pas kësaj nuk përfundojnë këtu mundimet për pjestarët e tjerë të familjes. Agjentë të strukturave të sigurimit të shtetit shtojnë presionet ndaj bashkëshortes e pjestarëve të tjerë të familjes me synim detyrimin e kthimit të Franit pranë familjes dhemë pas arrestimin e burgosjen me akuzën e kundërshtimit të pushtetit socialist. Përballë këtij presioni bashkëshortja me fëmijët e franit ikin nga shtëpia dhe strehohen tek familja e prindërve të saj, por edhe këtu nuk është e thënë të arrihej qetësia e dëshiruar. Dy vajzat e rritura nga frika e rrëmbimit ose përdhunimit detyrohen të braktisin shkollën e të qëndrojnë pranë familjes. Të gjendur në trysninë e shtuar dhe kërcënimeve nga njerëz të pushtetarëve të sotëm, familjarët e Franit, përsëri detyrohen të ndërrojnë vendstrehimin e tyre dhe aktualisht konsiderohen të zhdukur. Askush nuk di diçka për vendndodhjen e tyre aktuale. Frika e shtuar nga kërcënimet për jetën dhe rrëmbimin e vajzave ndoshta do t’i detyrojnë edhe këta të marrin rrugën e mundimshme të mërgimit, mënyra e vetme pr t’u shpëtuar kërcënimeve, dhunimit psikologjik e pasigurisë për jetën.

Rifat Ymeri

Mirënjohje Amerikës

Gazetarët e “Shqipërisë Etnike” nën kërcënim të hapur

Megjithëse nuk kemi fare besim në një shtet të tipit diktatorial, ne kemi vënë në dijeni organe kompetente për kërcënime deri me vrasje të gazetarëve të gazetës famoze shqiptare “Shqipëria Etnike”, e cila sot falë përkushtimit të kësaj redaksie me njerëzit më të shquar të letrave shqipe është bërë gazeta më e njohur, më e besuar dhe shtatë herë më e lexuar se gazetat me një jetë mbi dhjetë vjeçare në Internet. Edhe Trupin Diplomatik të akredituar në Shqipëri e kemi njohur me problemet tona përmes internetit. Ditët e fundit pati kërcënime banale deri edhe nga media komuniste, me linjë fondamentaliste, me një ekip që asnjeri nuk është gazetar profesionist të gazetares dhe poeteshës së njohur shqiptare Fatime Kulli. Ishte pikërisht ajo media që kanë arritur deri edhe t’i lënë letra para byrektoreve dhe Shqipëria është nën trysninë e fëlliqësirave të tilla që vetëm po çelin sherre që i paçin për kokë të vet, pasi sot kur shteti mungon nuk po mungon mbrojtja fisnore e shoqërore. Në numrat e ardhshëm do ndalemi shumë më për nge dhe gazeta jonë që botohet me djersën tonë, me guximin tonë, me përkushtimin e paratë tona, mund të jetë jo një letër, por një uragan që bastardët e rrugave, të pamoralshmit e pisanjakët do i godasim me shumë forma njerëzore, deri sa t’i rehatojmë në vendin që duket i pret, në turpin e tyre prej injorantësh e terroristësh. Një ndër rastet e shumta ishte edhe ai i redaktorit tonë të përkushtuar për një Shqipëri të lirë e demokratike, Klajd Kapinova. Shkrimet e tij të guximshme, madje edhe në këtë rubrikë “Dhunë mbi Njerëzit” kohë më parë u bënë shqetësuese fondamentalistët e komunistët. Pas kërcënatave të shumta, deri edhe banale, redaksia jonë u detyrua t’i bëjë një kërkesë Ambasadës Amerikane dhe ne e falenderojmë që e paisi me një vizë, ku sot gazetari ynë po punon për gazetën e zemrës nga New York-u. Klajd Kapinova, ky djalosh që shihni në foto, trajtoi për shumë kohë probleme të mprehta politike e sociale, por fjala e lirë, theksojmë e lirë, është nën trysninë e diktaturës dhe të njerëzve budallenj, siç ishte rasti i ditëve të fundit me Fatime Kullin nga ish-anëtarë të byrosë politike të Komitetit Qëndror të kohës së Ramiz Alisë.

Ne përkohësisht na u largua një gazetar, një shkrimtar, ndër më të aftët në Shqipëri, Klajd Kapinova, por gazeta “Shqipëria Etnike” ka shumë forca që kundërshtarët tanë duhet të kenë nga shumë koka plot me tru t’na futin shkopinj nën rrota. Gjithsesi një fjalë e urtë jona thotë: “Mos e prek grethin me krane…”

Sokol Pepushaj

Genc Tafili, miku i Azem Hajdarit i paguan haraç kohës

Gjatë regjimit të Enver Hoxhës familja e antikomunistit Genc Hysen Tafili përballoi një persekutim të pashoq. Pasi i ati më 1955 u dënua me 10 vjet burg politik, familja u internua deri më 1960. Të afërmit e këtij demokrati janë burgosur dhe riinternuar. Edhe nga gruaja Genc Tafili ka vuajtur. Bashkëshortja e tij, bijë e Kazazëve të respektuar ka kaluar përmes një peripecie me burgime, pushkatime e diferencime njerëzore. Gjyshi i saj është pushkatuar pa gjyq më 1946 si pjesëmarrës në luftën e Postribës që padyshim është lufta e parë në tërë Ballkanin pas Luftës së Dytë Botërore që u përpoq të trondiste themelet e komunizmit. Që në fillim të proceseve demokratike, Genc Tafili u rreshtua përballë forcave demokratike pr mposhtjen e diktaturës që siç po shihet sot ka krijuar anarshi. Është anëtar i shoqatës antikomuniste “13 Dhjetori 1990”, ka marrë pjesë në demostratat antikomuniste më 14 janar 1990, më 16 qershor 1990, më 13 dhjetor 1990, më 2 prill 1991, kunë rastin e fundit ka patur më pranë vdekjen se jetën, pasi anarshistët e paguar më para nga bandat e kuqe kanë patur qëllim ta vrasin, por kanë arritur vetëm ta kërcënojnë dhe ta dhunojnë. Për Genc Tafilin redaksia jonë ka dokumentacionin që vërteton aktivizimine tij në rihapjen e besimit fetar si dhe në krijmin e degës së partisë demokratike në ndërmarrjen Lëkurë-Këpuca. Veç të tjerave axha i tij kish vrarë një bandit që desh i dhunoi familjen dhe ky fis provoi ngujimin.

Ky demokrat kishte mik dhe shok idealesh ish-deputetin Azem Hajdari, të pushkatuar nga komunistët para selisë së PD-së në Tiranë dhe ku fajtorët e kësaj vrasjeje politike ende sot nuk janë dënuar, pasi bandat kanë ekzekutuar jo vetëm vrasësit, por edhe vrasësit e vrasësve. Pra, ditën e varrimit të zgalemit të lirive njerëzore, më 14 shtator 1998 në Tiranë, Genc Tafili është keqtrajtuar për tre orë nga policia e pasi u kthye në shtëpinë e vet në Shkodër, forcat e errëta të sigurimit të shtetit i kanë bastisur tre herë shtëpinë me dhunë. Me datën 13. 04. 2000, teksa po kthehej nga një takim i organizuar antikomunist, Genc Tafili është kërcënuar me armë zjarri, ndërsa nga banditë me maska është grabitur me datën 22 mars 2001. Edhe ditët e fundit ka patur kërcënime dhe si antikomunist, si ish-mik i Azem Hajdarit është bërë person që siç duket mund të figurojë në listat e vdekjes. Po sa demokratë janë pushkatuar këto vitet e fundit? Janë me mijëra siç janë me mijëra edhe ata që për ta shpëtuar jetën janë detyruar të braktisin Shqipërinë.

Albert Vataj

Demokrati Beldar Meti viktimë e sistemit të dhunës

Bandat, shkopinjtë e gomës, dhuna e represioni janë fytyra e vërtetë e shtetit shqiptar. Kjo formë qeverisjeje ka bërë që këto pesë vitet e fundit të pushkatohen 4200 shqiptarë të vriten 123 policë dhe të detyrohen të braktisin Shqipërinë mijëra antikomunistë. Një ndër antikomunistët që u përball me hakmarrjen e egër diktatoriale dhe që para një viti braktisi Shqipërinë për të shpëtuar jetën është edhe antikomunisti i njohur Bledar Meti.

Ky antikomunist ka marrë pjesë në greva e demonstrata, ka provuar dhunë e represion deri me vrasje. Fotografia që redaksia jonë siguroi dhe po e botojmë i përket një greve urie të këtij antikomunisti. Rinia shqiptare në fakt ka ndërmarrë edhe akte sublime kundër këtij shteti anarshist por gjithnjë e më shumë është ndëshkuar.

Edhe familjes së Bledar Metit i janë bërë presione deri me vrasje. Më 17 qershor 2002 grupe me prapavijë politike i kanë vënë lëndë plasëse dyqanit të prindërve të Bledar Metit, duke i dëmtuar të atin Hajrullah Meti. Bluzat e bardha në Shqipëri kanë patur frikë ta mjekojnë dhe të afërmit e kanë dërguar në Tuz të Malit të Zi, ku siç mësojmë ka shpëtuar. Sidoqoftë, Bledar Meti është një akuzë e rëndë kundër këtij shteti ditkatorial.

Flori Slatina

Dhuna fashiste nuk kursen as gratë

E kemi fjalën për një nënë, për një demokrate të njohur shqiptare, për një antikomuniste që investoi shumë që Shqipëria të futet denjësisht në familjen e madhe evropiane. Është Hane Nikollë Bruli, gruaja që shumë herë u kërcënua nga segmente të errëta të sigurimit të shtetit, që dy djemtë ia rrahën disa herë dhe e kërcënuan se do të grabisim vajzën. Dhe Shqipëria është vendi më problemor ku tutorët dhe bandat kanë grabitur e dhunuar shumë vajza shqiptare. Në varrimin e deputetit demokrat Azem Hajdari më 14 shtator 1998, Hane Bruli u keqtrajtua nga policia, e cila atë ditë jo vetëm arrestoi shumë demokratë, por ushtroi dhunë kafshërore edhe mbi femrat. Po kështu demokratja në fjalë edhe në protestën tashmë të njohur botërisht të 2 prillit 1991, ku u pushkatuan katër vetë dhe u plagosën rëndë 163, provoi shqelma policësh, shkopinj gome e grushta barbarësh. Kjo demokrate, si shumë nëna të tjera që aspiruan për një Shqipëri të lirë, duke u dalluar në tërë protestat e demonstratat paqësore antikomuniste duroi sa duroi, përballoi sa përballoi dhe erdhi një ditë që braktisi Shqipërinë. Dhe kjo ka një shpjegim. Shqiptarët janë si hebrenjtë e fillimshekullit që po kërkojnë çdo formë të shpëtojnë jetën. Komunistët që aksidentalisht i kemi në pushtet po aplikojnë metoda fashiste të spastrimit etnik, ku viktima janë demokratët. Ne kemi mendimin, madje edhe shumë fakte të shkeljes flagrante të lirive e të drejtave njerëzore, të aplikimit të krimeve që shumë shpejt do t’ia bëjmë si redaksi gazete prezente Tribunalit të Hagës. Shqipëria post-komuniste është e një modeli me regjimin e Millosheviçit tre vjet më parë.

Sokol Pepushaj

Bij të pafajshëm

Ndodhemi në qytetin e fundit ku ndalohet liria e shkelen të drejtat e njeriut e ku po përjetojmë një krizë të rëndë financiare e diskriminim të natyrës së diktaturës komuniste. Pushtetarë e deputetë, komunarë që ju paraprijnë idiomave të zonave të tyre elektorale po vështirësojnë prametra të qytetëruara human e shpirtëror duke cituar zakone të reja fluide e konstitucionale, për të arritur një dimensionim arkaik në idenë e pluralizmit politik e demokratik, ku po plebeshitet referendumeve opera e paralamentarëve që rendin melodramatik me një mori projektesh të cilat kanë mbetur ekspansion e destinacion fati elektoral…

Pikpamje të rëndësishme kanë marrë forma të pabesueshme e nënshtrimi e tmerrësisht shkatërruese këtu në kampin euro-socialist e në teatrin e dhjetra mijrave të burgosur e të persekutuar politik, e dhjetëra mijëra të shpronësuar të cilëve u grabitën episodin historian e fati i tyre mbeti mitologji e disa vuajtjesh e dhimbjesh e një det me lot për të mposhtur ndarjen me të afërmit, trishtimin e dëshpërimin, mbas aq shpronësimesh, burgosjesh e persekutimesh mbetën refren i humbur parathënie kohësh… duke jetuar tmerret e mohimit e vitet e mallkimit, padrejtësitë e mëdha njerëzore e fatalitetein e klasave shfrytëzuese që e alternonin inkriminimin e mbajnë sekret të frikshëm në tragjedinë e një populli martir.

Është e qartë në kampin euro-socialist në tempujt e vjetër të diktaturës organizojnë hakmarrje të mëtejshme politiko-filozofike filoterroristët e Tiranës, s’ndjejnë pendim, por vendosin hegjemoni të re parlamentare, e më kot flasin për pajtim kombëtar. Krerët e doktrinës socialiste, ato kanë një origjinë që s’e harrojnë e një kohë që s’e falin, ndërsa kërkojnë të shtrijnë influenca e pushtet të ri mbi botën e njerëzve e idealet e tyre të brishta. Të burgosur e të persekutuar politikë, të shpronësuar, ka aq vite që po presim vendim nga Gjykata Kushtetuese për pafajsi juridike e politike, nga presidenca e parlamenti si dhe dëmshpërblim real për dënimet kapitale përgjatë regjimit diktatorial, si dhe për kthimin e kompensimin në vlerë reale të tokave e pronave të grabitura e të vjedhura nga pushtetarët paraardhës të cilët të nxitur nga instinktet e erotizmit partiak e kanë lënë aq edukata të liga në ndërgjegjen e njerëzve e ligjeve të cilat favorizojnë mbrapaskena e zvarrisin probleme kaq thelbësore për të cilat kanë shkuar deputetë pararendës e që janë shndërruar në persekutorë të rinj, e sa her vjen koha e përfundimit të një mandati në parlament nga frika se kanë humbur opinion e reputacion të leverdisshëm intelektual, marrin në analizë faktorë të rëndësishëm propagandistik e kompromentues e për vetë faktin e idiomave të tyre parlamentare kërkojnë president konsensual që t’ia rregullojë imazhin situatës e opinionin parlamentit e për të ndrequr mjaft veprimtari të liga krijojnë paralelizma të vjetra e të meta të theksuara në qeverisje e parlament ku nuk merren vendime serioze për të kompensuar kohën që kanë mëkatuar me ligjin e me popullin, por pozojnë enkas si pashallarët e kuq, duke deklaruar pasuritë e tyre duke dashur të tërheqin vëmendjen e opinioneve e duke revoltuar njerëzit për padrejtësitë e tyre institucionale. Bëhen sarkastikë, fodullë, që luajnë si idhuj e nimfa në amfiteatrin e drejtë ku janë ankoruar në molon e fundit anije e gomone të mbytura me njerëz e bij të pafajshëm që s’dihet se ku përfundojnë karvanet e shekullit të njëzetë, ndoshta në dallgë të lashta që presin flijime e zëra foshnjesh që trishtuan e rrënqethën detin e prindë të tmerruar nga euro-politika euro-socialiste, të cilët nuk integrojnë vetveten në politikë e struktura euro-atlantike për vetë opinionin jo të mirë në vend e në parlamentin (europian) pra të burgosur politik, të shpronësuar, ne po votojmë prej kaq vitesh njerëz të besuar të cilët dimensionojnë aktivitetin e pamfletin e tyre strategjik në organin e luftës politike ku zhvillojnë ideologji konsensuale për vetë imazhin e interesave të tyre partiake e individuale.

Por ne s’duhet të harrojmë e duhet të dijmë se si erdhën në pushtet lakejt e diktaturave, të cilët dimensionojnë e pozicionojnë të varfrit, të mjerët, skllevërit, të burgosurit, të korruptuarit që anë vendosur në planin e dikastereve që lëvizin si mekanizma institucionalë e parlamenti etj. Po kjo është opera e mbas shqiptarëve e ju përket atyre të rivendosin opinionin e tyre elektoral në parlament. Nëse një ditë e shpejt do të jetë shpërndarja në zona e deputetëve të inkriminuar nga idiomat e reja propagandistike, do të ishte në moralin e tyre t’ia bënin gjyqin vetes e mos të rrinin si lum i vdekur ëndrrimtar e paradoksal. Historia e shqiptarëve është një e ata do ta flasin e shkruajnë të gjithë.

Huanito Martini

I dënuar 25 vjet burg politik

Pandeli Majko, Kryeministri më i kompletuar në historinë shqiptare

Z. Kryeministër gjatë gjithë historisë shqiptare jeni Kryeministi më i mirë. Populli shqiptar Ju don dhe ka respektin më të madh për Ju. Ju keni bërë punën më të madhe për ndihmën që Ju i keni dhënë popullit kosovar gjatë luftës tyre me Jugosllavinë. Z. Kryeministër, Juve bashkë me Ministrin Spartak Poçi keni eleminuar grupet e keqbërësve, hajdutëve, shumë grupe të mafies shqiptare. Pra keni punuar me nder gjatë mandatit tuaj me gjithë shpirt për popullin shqiptar dhe figura e Juaj mbetet e pa zëvendësueshme. Populli ju do shumë, por duhet të tregoj diçka. Ndoshta Ju s’e keni jetuar, populli shqiptar ka vuajtur pesëdhjetë vjet mbi shpindën e tyre mbas çlirimit të Shqipërisë. Në Shqipëri kanë disponuar triskat të bukës e të ushqimit. Në vitet 1951 deri në vitin 1967 taksat kanë qenë shumë të rënda, tatime për tokën me lek, mish, lesh, vezë, misër, grurë, fasule, qumësht për fshatarsinë, kurse për punëtorët e ndërmarrjeve shtetërore tatim beqari, tatim mbi të ardhurattë asaj rroge aq të madhe pra populli i ka jetuar mbi kurriz gjatë 50 vjetëve deri në kolektivizimin e bujqësisë dhe atëherë ka hanger bukë me domate dhe qepë pra asht ngopur me vuajtje. Ju zoti Kryeministër jeni student i dhjetorit 1990, jeni socialist europian por populli e di se jetoni edhe punoni me komunistë të E. Hoxhës, ata që kanë qenë në krye të diktaturës. Populli i di, i njeh mirë se ujku e ndërron qimen por jo vesin. Ju kini folur në media se rrugën Durrës-Prishtinë edhe taksa të popullit z. Kryeministër i ka dalë koha rrugëve si në kohën e E. Hoxhës që fliste ju besue rinisë rruga Laç-Rrogozhinë-Vlorë e shumë  e shumë vepra të tjera të gjitha të bëra me punë vullnetare pra populli shqiptar s’ka më fuqi me u taksue pa punë, pa rend. A e dini Ju zoti Kryeministër se sa halle ka ky popull. Pra siç thashë më lart populli s’ka fuqi taksore. Ju lutemi taksoni Ministrat, zv/Ministrat këtu në Shqipëri senë Shqipëri ka disa parti që populli nuk ka aspak as 5% për ta ata duhet të gëzojnë taksa, ato janë parazitë të popullit shqiptarë, prandaj populli të don shumë, por Ju lutem të respektoni këtë popull shumë të vuajtur tash 60 vjet, tani nuk duron taksa ma se taksa ka jetue 50 vjet ky popull ka nevojë për ndihmë, ka nevojë për bukë, rend, për pensione më të rritura dhe më pak dhe shumë pak parti. Taksat popullore për rrugë e ndërtime janë metodë e P. Punës, dhe këto komunistët i përpilojnë këto metoda larg metodave të egra e të vjetra. Ju z. Kryeministër të keni shëndet dhe të jeni udhëheqës i mirë i këtij populli si në kandidaturën e parë.

Shan Sokoli

Demokrat, ish-i dënuar politik

Mbreti po vjen, po Ekrem Spahia po ikën

Viti 1939 largoi mbretin Ahmet Zogun nga Shqipëria. Shumë shqiptarë u mërzitën nga ikja e mbretit. Ai vari në litar shumë burra të pafaj por përsëri populli e ndjeu mungesën e mbretit zog në Shqipëri. Ajo pak pasuri shtetërore që ishte në Shqipëri humbi. Dikush tha se u vodh nga trazirat e ardhjes së shtetit italian në Shqipëri. Burrat shqiptarë që ishin me mbretin shqiptar u burgosën, u pushkatuan nga regjimi i E. Hoxhës, u internuan shumica vdiqën nëpër kampe e burgje. Ata pak burra që mbetën gjallë nga ferri i pamëshirshëm i E. Hoxhës dhe familjet e tyre të sakatuara nga diktatura komuniste pas vitit 1991 u bashkuan me Partinë Lëvizja e Legalitetit për të formuar partinë e mbretit shqiptar duke mos harruar mbretin e tyre. Në fillim të kësaj partie erdhi Guri Durollari. Ky qe në person që as partia, as populli nuk e deshi. Me ardhjen e mbretit Leka I në Shqipëri ai u prit me shumë respekt, bile edhe njerëz dhanë jetën në mitingje për të respektuar mbretin Leka I. Mbas 50 vjetësh pa shkelur tokën shqiptare Partia Lëvizja e Legalitetiti hoqi nga kryesia zotin kryetar Guri Durollari e vuri zotin Ekrem Spahia, duke menduar se partia ka një djalë me shkollë e ndoshta edhe nga një  familje shumë e lartë malësore. Në rëmujat e vitit 1997 që u bënë në Shqipëri, z. Spahia u fut në burg. Populli u mërzit për arrestimin e këtij djaloshi, bile edhe vetë dorëshkruesi i këtij artikulli e shumë shqiptarë kemi qarë me lot për Ekrem Spahinë që komunistët e 1997 e burgosën pa faj. Mirëpo nuk doli ashtu. Me dt. 18. 6. 2002, në orën 1600 të kësaj date z. Spahia te stacioni i televizionit shqiptar që ligji për të përndjekurit politikë  mos të shkojë në parlament për aprovim se sipas Spahisë po u dëmtoka buxheti i shtetit. Z. Ekrem Spahia, a mendoni se çfarë kanë vuajtur populli shqiptar dhe sidomos ata që kanë respektuar mbretin Ahmet Zog, apo mbretin Leka I, nëpër burgje e pushkatuar siç ju thashë më sipër, apo keni hall se nuk kanë komunistat lekë të cilët kanë formuar mbi 50 parti në Shqipëri duke zbatuar katovicën e Ramiz Alisë, pra populli edhe Partia Lëvizja e Legalitetit s’i mbetet gjë tjetër veç zhgënjimi i juaj si kryetar i kësaj force politike e cila paska në krye të partisë një komunist të bindur i futur në këtë parti ofsajd. Juve, z. Spahia u mbetet detyrë që të lini mbi tavolinën e zyrës tuaj çelësat e kësaj zyre që mbreti Lekë I, kur të kthehet në Shqipëri që mos ju gjejë në kryesi as fare në zyrë.

Shan Sokoli

Kujdes

Kjo jetë vrapon drejt fundit t’vet

Se jeta tjetër e thërret

Të rrëfejë bëmat e kësaj jete

Ti që s’le gja pa ba këndej,

Si do të shkosh ti për Andej,

Çfarë do të thuash Atje o i shkretë,

A nuk e di se çfarë të pret?

Ia thotë arsye atij që e ka

Se asnji hak nuk mbetë pa u la.

Ndaj ne at botë kur ti të shkosh

Ma të vërtetës s’i ban lak

N’se krimi yt ka derdhur gjak,

Ti në atë gjak do të notosh.

Për jetë të jetëve shpirti yt,

N’at pellg do t’endet zhyt e mbyt

Nëse këndej ke përdhunuar,

Andej do t’jeshë i torturuar,

Me një torturë që s’ka të mbaruar.

Nëse këndej ti ke grabitë

Andej aq kanë me të sfilitë,

Sado t’dëshrosh me vdekë çdo ditë.

Por Atje vdekje t’dytë nuk ka,

Ndaj do t’sfilitesh pa ia nda.

Vërtet ende s’kam shkue n’at vend,

Por edhe pse s’kam shkue ende,

Asht krejt e thjeshtë me e marrë me mend,

Se çfarë drejtësie ka Atje.

Ty rrezikzi të mendja t’rren,

Se në atë Botë kurrgja nuk t’gjen.

Përveçse dheut që të ban dhe,

Do të pendohesh pse ke le.

Nuk ka logjikë që mund të thotë

Se u krijuam kot në Botë,

Por çdo krijesë, apo krijim,

Asht ma i përsosuni spjegim,

I gjithçka sheh e çka nuk sheh,

I gjithçka njeh e çka nuk njeh.

Prandej logjika ne na thotë:

Gjithmonë të kesh kujdes njeri

Për çdo të keqe në ktë Botë

Ne do të japim llogari,

Krijuesit tonë që na thotë prorë:

Njeri të kam pajisë me shpirt

E me aq mend sa vetë në dorë

E ke ta ruash ktë shpirt të dlirtë

Nëse e ndot, je vetë fajtor.

E nëse ktë dhuratë ma ndot,

Do t’më përgjigjesh në atë Botë.

Ligsitë e kndejshme bani zap

Mendoje kshillin që po t’jap,

Në çdo frymëmarrje e në çdo hap.

 

Këngët e Pukës kurrë nuk shuhen

Këngët e Pukës kurrë nuk fiken

mes popullit ato ndezen.

dalin nga avujt e baltës

Dhe rriten në dritën e Hanës.

 

I frymëzon bjeshka kunorë

i freskon ujët me borë

kumbon zëri n’hije t’ahut

me epikën maje krahut.

 

Kndojnë pleq e të ri,

me lahutë e çifteli.

Pukës i këndoi Prendushi

me frymëzim zemrat na  mbushi.

 

E përhapën malet tona,

nga Kabashi deri te Valbona

Zef Koliqi

 

Unë i kam pa të gjitha

Pranverën tande të hershme

ndërsa frynte një erë e helmuar

e t’i kalbëzonte lulet e njoma mbi degë.

 

Mallkimi i bijve të tu ndaj shkëmbijve-strehë

hapte mbi ty lugina urrejtje në ikjen nëpër natë

duke lënë pas varre të rij.

 

Unë i kam pa kurmet ala të vokta të bijave të tua

që dirgjen brigjeve në anën tjetër të Adriatikut

e bahen fole për peshqit e uritur.

 

Unë e kam pa dorën e huaj si ta hapte zemrën

e kockat e poetëve t’i hidhte në lumë.

 

Unë i kam pa ditët e tua të vrara

t’futura në një zgarë të ndryshkun

e magjypin e kohës që endej rrugëve të botës

pa gjetur blerës.

 

Unë i kam pa të gjitha.

 

Çfarë ke bërë ti o vendi im

Që dashuria nuk ngjitet në ty?

 

Gjakmarrja

Koha e preu me thikë barkun e Jonës

e perdet e kalbuna të teatrit plak

ranë përdhe.

 

Një burrë pastron pushkën e ndryshkun

me vaj të ri.

e një grua numëron frymëmarrjet

e binjakëve të sapolindur

për ta gjetur se cili do jetë vëllavrasësi.

 

Gjatë gjithë natës pregatisin fasho drite

dhe jua mbështjellin sytë me andrra të reja

që kur të vijë mëngjezi

vështrimi i tyre t’mos e ndjekë ma

rrugën e helmit.

 

Veza e çelun në mëngjez

mbron gjakun e pastër në të bardhën e synit.

 

E dashur Europa!

 

Lene popullin tim të vijë!

Gjergj Koliqi – Austri

 

Lavdisë së sportit shqiptar

“Mjeshtrja e merituar” e sportit në atletikë, Vera Dedë Bregu, është nderuar me 4 medalje ari, 3 medalje argjendi dhe 6 bronxi, duke konkuruar në 22 shtete të botës në kontinente të ndryshme.

Si lule bjeshke

U rrite, o Verë,

E shpejtë, e shkathët,

Vraponje si erë

 

U bëre atlete,

Nderove Shqipërinë,

Sportit shqiptar

Ia shtove lavdinë.

 

Gjoksi juaj u mbush

Plot medalje ari,

I treguat botës:

“Ja, ky është shqiptari”.

 

Në flamur kombëtar

Me medalje ari

Të njohu bota

O bijë shqiptari.

 

“Mjeshtre e merituar”

Të gjithë të nderojnë

Bijë e Lotajve të Dukagjinit

Lule Ju dhurojmë.

Diana Rupaj

Klasa VI, Shkolla “Ndoc Mazi” – Shkodër

 

Lekën e do Shqipëria mbret

Gëzou Shqipëri për ditët që do të vinë

E ardhmja brohoret kthimin mbretnisë

Rendit ma të suksesshëm të Shqipërisë

Ardhmëria kërkon njerëzit e vet,

Lekën e don Shqipëria ta ketë mbret.

Dinastia e mbretërisë ngallnjimtare

I ka shumë hije historisë shqiptare

Nanë e nderume me gëzim të presim,

Ardhjen tande në shpirt e përshëndesim.

Gjokë Vata

 

Minierës së humorit shqiptar

Hoqa keq me ta gjetë fillin

se për t’mdhajt me folë asht zorë

fjala vjen për Paulin Selimin

duhet kohë e shkojnë shumë orë.

 

Puna juaj s’matet me metër

dhe ky asht mendimi im

i kam hjedhë do vargje n’letër

me ia thanë t’madhit Paulin.

 

E quaj t’madh por jo me vjetë

humorist, poet, shkrimtar

jetë të gjatë e t’uroj shëndet

o minierë e humorit shqiptar.

 

Shkrove skeçe e dialogje

epigramë e poezi

me humor shumë monologje

luajt ndër skena kundo n’Shqipëri.

 

T’ka lind nana me laps në dorë

herë me drita e herë pa drita

ka botue e shkrue humor

deri tash njëmbëdhjetë libra.

 

Je e mira e gjithkujt

si gjithmonë njeri i kohës

po e them zotnia e jujë

jeni mielli, ti je buka e Estradës Shkodrës.

 

Shkrove shumë e kur s’të kujtun

s’ta dha kush nji dekoratë

u banë artista të meritum

e për ty, ka pas mbajtë thatë.

 

Të njof mirë, u bane shumë vjet

për humor mendja t’punoi

rrugës tuj shkue me biçikletë

kur ti mësues ishe n’Beltojë.

 

Ty menjiherë të asht kujtue

se bie zilja tuj hi n’mësim

n’tavolinë je ulë me shkrue

nxënësve ju ke ba hartim.

 

Rrogë të vogla si përhera

po gjithkund njifesh n’Shqipri

s’pate kurrë detyra t’tjera

kush asht sot ma i madh se ti.

 

Herë me pare e herë pa pare

më folë gjatë fort mirë s’po di

edhe nji detyrë që pate

ta morën pa pa, pa ndi.

 

Në politikë nuk asht perzi

njeri i rrallë e me talent

do ta zgjidhja në Shqipëri

me konsensus President.

 

Ti at punë fort mirë e ban

me ty merret gjithkush vesht

pse nuk je politikan

t’paktën me na ba me qeshë.

 

E gëzofsh titullin e lartë

kan ba mirë që të kanë kujtue

“T’Naim FRAshrit medalje t’artë”

se të artë e ke meritue.

 

Me mundim jetën çe merem

në shi e n’diell e në ballë t’furtunës

tash ishalla ta shtojnë rrogën

ma vonë mjeshtër i madh i punës.

 

Tash po t’tham si miku im

njiqind vjeç u bafsh Paulin.

Smajl Aliaj

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu