Fadil Kraja “restauron bustin e thyer të Migjenit”Mbretëresha e skenës shqiptare Tinka Kurti, pa “kurorën” e mirënjohjes dhe vlerësimit nga institucionet e qytetit të saj. Një shtet që nuk investon për artin dhe kulturën, është i destinuar të vdesë. U desh pikërisht 29 qershori 2002, që teatrit “Migjeni” t’i rikthehet personaliteti i humbur i udhëve të hirosura të harrimit me dashje, apo pa dashje. Dhe është pikërisht zoti Fadil Kraja, që me forcën e tij krijuese, me dinjitet qytetar “restauron bustin e thyer të Migjenit të pavdekshëm”. Falë organizimit dhe mbështetjes së agjensisë së spektakleve Buna 1, z. Arben Mazi, Shkodrës i rikthehet krenaria e nëpërkëmbur, e përgjumur. Skena e teatrit “Migjeni” gjëmoi nga zëri i mbretëreshës së skenës shqiptare, Tinka Kurti, artistit të madh, Ndrek Prelës. Gjithashtu nga aktorët Bruno Shllaku e Paskualina Gruda, të cilët kanë 11 vjet që përjetojnë fatin e emigrantit. Teatri “Migjeni”, shtëpia e artistëve të mëdhenj gjithnjë ka qenë mikpëritëse, ku ka pritur dhe ka përcjellë nga gjiri i saj plot yje të pashuar. Dhe pikërisht më 29 qershor shtroi sofrën e vlerave, njeriu i thjeshtë, fjalëpak, pendërëndë, Fadil Kraja. Faleminderit Fadil, që me biçikletën tënde rrangalle, ku ece nëpër rrugët e Shkodrës të prishura e me pluhur, le gjurmë të arta. Dhe gjurmët e tua ftuan kreun e Shtetit Shqiptar, z. Rexhep Mejdani për të ardhur në sofrën e madhe të artit shiptar, të shijojë ëmbëlsinë e dhimbjes së popullit shqiptar, nëpërmjet vlerave të Krijimtarisë Krajane, e cila ngjason me tragjeditë e Eskilit, Europidit, Sofokliut, e pse jo, edhe me dramaturgun e madh Shekspirian, ku “Makbethi” shuan ethet për pushtet, kurse dramaturgu i madh Krajan, me penën e tij mjeshtërisht “lufton”, ethshëm për identitet. Fadil Kraja gatuan në magjen e emocioneve lotë të pastër njerëzor. Dhe të gjithë lexuesit dhe spektatorët gëlltisin një copë kafshatë në lotin e kristaltë të apelit më njerëzor: – Jemi Arbër, dhe si të tillë duam të jetojmë në paqe. Mjaft me padrejtësi çnjerëzore! Mjaft me racizëm! E duam jetën, ta jetojmë si shqiptarë me identitetin tonë. Dhe aktorët e mëdhenj të skenës shqiptare, interpretojnë në prehër të “Migjenit” vargje nga rilindasit tanë, të përlotur nga këto “qënie” të gjalla, historikisht rrotullimë e fatkeqësive kombëtare. Spektatori i zgjedhur në sallë (që përbën elitën e kulturës shkodrane e shqiptare), duartroket dhimbjen e tij, e derdh lot malli, për pamundësinë e mundësisë për përballimin e (???) të pazhgjidhura. Salla brohoret nga duartrokitjet, që aq shumë i kanë munguar “Migjenit”. Bukurinë këtij spektakli ia shtoi edhe “garnitura” e mexosopranove Rita Ranko, Mimoza Rakaj, violonçelisti Fatos Mataj dhe Irena Mëhilli koncertmaester, që u duartrokitën ngrohtë për mjeshtërinë e interpretimit. Nuk mund të kuptohej i plotë ky eveniment i fenomenit Krajan pa referimin e Artistit të Popullit, Serafin Fankos, i cili pasqyroi udhën e gjatë të krijimtarisë së letrave të Fadil Krajës, që janë si më poshtë:
Krijimtaria letrare e Fadil Krajës Poezi Kanga ime Melodi malësore Jehonë malesh Hije të paska Ndodhitë e Nereidës Bjer topuz
Prozë Kandidatja e fundit Fajin e kishte “Besa” Heshtja që të ther shpirtin L’aquila ferita La gravidanza ferita Britma e një gruaje (roman)
Drama e komedi Fisheku në pajë Shpartallimi Baca i Gjetajve Dashuria e trojeve tona Dy drama Luani i shtëpisë Nata e fundit Jorgani Gjaku i arbërit Sinjalet e natës Çështja e Blertës Djem të mbarë Fundi i një komedie Flamur në dasëm Kur flasin zemrat
Drama për fëmijë, librete operash e operetash, etj. Në udhëtimin plot “luftë” emocionesh, të traditës puro shqiptare, Fadil Kraja vjenë sërish i freskët, krenar me “Gjakun e Arbrit”, ku aktorët Tinka Kurti, Gjon Shllaku, P. Gruda, Agron Dizdari, Gjon Kola, etj., interpretuan pasazhe nga kjo dramë, e cila krijoi ilaritet në sallë, pasi damarët tanë kullojnë gjak shqiptari, dhe fatet tona i kërkojmë udhëve të botës, për një copë bukë. Dhe kur vdesim (edhe të vdekur), kërkojmë një pëllëmbë tokë shqiptare të prehemi të qetë, pa na përçmuar kush si endacakë. Dhe këto emocione të forta na i rikujton pena e Fadil Krajës, me “Gjakun e Arbrit”, i cili është qeliza më e pastër, më e shëndoshë, më e dhimbshme e fateve të kombit shqiptar. Dhe padyshim Fadil Kraja është dramaturgu më i madh shqiptar, sepse pa frymëmarrjen e artit të tij, letërisa dhe arti skenik do të ishte një distrofik i pashëruar. Pa Fadilin, letërisa shqipe do të ishte një zbrazëti, që as shekujt e ardhshëm s’mund ta mbushin. Fadil Kraja, edhe pse mbi supe mbart peshën e 70 viteve, është gjigandi “fantazëm” që na ka dhuruar me veprat e tij identitetin shqiptar. Atë që realisht neve na mungon edhe sot, ku shpesh herë shqiptarët janë refugjatë në shtëpitë e tyre, duke harruar edhe doket, edhe zakonet shqiptare. Dhe kjo besoj se ju kujtohet qindra, mijëra shpektatorë që kanë parë dramat “Baca i Gjetajve”, “Fisheku në pajë”, etj., etj. Të shkruash për veprat e Fadil Krajës duhet të fluturosh në autostradën e pafund të magjisë së fjalës, që askush s’do ta merrte guximin t’i vinte semafor, sepse askush s’i jeton dy jetë. Kurse Fadili është i përjetshëm në veprat e tij. Prandaj F. Kraja do të mbetet strategu më i fuqishëm në letërsinë shqipe, (sidomos në dramaturgji). Dhe gjithmonë do të quhet “fantazma” e kështjellës së njerëzve të mëdhenj, që dinë të bëjnë EPOKË, me mendjen dhe trurin e pazëvendësueshëm për kombin e tij. Dhe për të gjithë këto vlera të z. Kraja u bë ceremonia e nderimit e shkrimtarit dhe dramaturgut Fadil Kraja. Këshilli bashkiak i qytetit të Shkodrës e vlerëson: “Krenaria e Qytetit” E falenderojmë Këshillin bashkiak për vlerësimin që i dha z. Kraja, sepse ai e meritonte kohë më parë, por “radha” ndërrohet sipas “shijeve”, jo sipas vlerave. Por mos harroni zotëri bashkiakë, se mbretëreshës së skenës shqiptare, Tinka Kurtit i mungon “kurora” e respektit dhe mirënjohjes nga institucionet e qytetit të saj, ku ka dhënë gjithçka që mund të japë një gjeni siç është znj. Tinka. E pazëvendësueshme dhe e pa arritshme në të gjitha planet e interpretimit skenik e kinematografik. Do të ishte në nderin e qytetit të Shkodrës që znj. Tinka Kurti të marrë atë çka meriton. Megjithatë po rikthehemi sërish tek z. Kraja, pasi Presidenti i R.SH., z. R. Mejdani, ka vendosur ti mbarojë të gjitha dekoratat (që kanë tepruar qysh në kohë të Partisë së Punës) për t’i vënë në gjoks. Dhe një të tillë ia vuri edhe në gjoksin e imët të Fadil Krajës, ku mendja e ndritur e Fadilit s’e asimilon dot. Megjithatë Presidenti e dekoron me “Mjeshtër i Madh”. Nuk e di çfarë simbolizon ky titull? Fadil Kraja është shkrimtar, dramaturg, nuk është mjeshtër veprash ndërtimi apo hidrocentralesh. Dhe shkrimtarëve mund t’i jepen tituj, me emra shkrimtarësh të mëdhenj që kombit tonë s’i kanë munguar qysh në Rilindje, si Naimi, Fishta, Koliqi, Konica, Noli, Camaj, etj. Ndodh një fenomen i çuditshëm me vlerësimet që bën shteti shqiptar. Këngëtarëve, mjeshtrave të muzikës, i jepet çmimi i madh “Naim Frashëri” i artë, në vend që të respektohen personalitetet e fushës së muzikës, (siç i ka gjithë bota). Kurse shkrimtarët apo shkencëtarët vlerësohen me “Mjeshtër i Madh”. Megjithatë, kështu e mendojnë ata, dhe ne duhet t’i besojmë dhe të “gëzohemi” se shteti kujtohet më në fund për vlerat e mirëfillta të artistëve të tyre. Ky respekt është një sllogan i radhës, një mashtrim flagrant, për t’i mbyllur gojën shkrimtarëve dhe artistëve, këtij kontigjenti më të varfër të shoqërisë shqiptare. dekoratat apo vlerësimet siç i quan shteti ynë, janë objekt pa vlerë, pasi këta artistë s’kanë nevojë për stimuj moralë, se i ka ikur koha “letrave” pa vlerë. Artistët kanë nevojë për stimuj materialë, për investime, sepse vlerësimet më të sinqerta ia jep lexuesi dhe spektatori. Juria më e mirë është KOHA me jetëgjatësinë e saj, duke i bërë të përjetshëm. Ashtu sikurse drama e Fadil Krajës “Gjaku i Arbërit”. Megjithëse këta njerëz mendjendritur, kënaqen me thërrimet që marrin nga pensionet, sa për të mbajtur frymën gjallë. Kjo është fytyra e shtetit shqiptar. Paga vjetore e një shkrimtari si F. Kraja apo e një artisteje të madhe si T. Kurti, është e barabartë me pagën mujore të një ministri të shtetit shqiptar, apo të një deputeti. Ky është një fakt i hidhur, por i vërtetë. Megjithatë, shpirtin e ndjeshëm e të madh të shkrimtarit dhe artistit, nuk e shterr hipokrizia, as fukarallëku i tyre. Dhe shteti një ditë do ta kuptojë, se një shtet që nuk investon për artin dhe kuturën, është idestinuar të vdesë. Kurse artistët thonë: Investoni për artin dhe kulturën, që të keni identitet! Fatime Kulli
“Nuk ka krim më të madh sesa të injorosh përfaqësuesit e artit të popullit tënd” Artisti i madh, i përmasave botërore që ngriti mbi Diellin emrin e popullit dhe të vendit të tij Malësori që natyra e lindi në një cep mes malesh të Malësisë së Madhe dhe ai, pastaj me zërin e tij zaptoi gjithë Shqipërinë, si shumë vise, popuj e shtete anembanë rruzullit, për t’i lënë nam vetes, popullit të vet, gjithë Shqipërisë. Kështu do ta vlerësonte artistin e përmasave botërore, zërin e papërsëritshëm dhe zemërmadhin Lukë Kaçaj, një ndër shokët e tij të parë të fëmijërisë e sa qe gjallë Luka, akademiku dhe Artisti i Popullit, profesor Tish Daija. Edhe pse mbi shpatullat e tij kolosi i belkantos, i pafati Lukë Kaçaj do të mbante për mjaft vite gurin magjik të Sizifit, vigani me zemër fëmije, do të përvëlohej sa herë që shihte e ndjente të vjellat dhe shtirosjet banale mbi thelbin e artit të vërtetë, mbi vlerat reale shpirtërore të kombit dhe mbarë njerëzimit, do të vritej në tërë qenien e tij, por nuk do të jepej. Kur Luka përjetonte monologun e madh të dhimbjes absurde: “Përse, përse gjithë ky helm e vrer ndaj meje”, vetvetiu merrte së brendshmi përgjigjen kuptimplote: “Lisat e mëdhenj i rreh era”. A s’qe vërtetë Luka një lis i tillë? Lis i shpirtit të jashtëzakonshëm artisti dhe lis me praninë e një bukurie mashkullore të llojit të vet. Se si më erdhi në mend ai vlerësim “prej lisi” që Bogdani i madh bënte për malësorët e trevës që lindi Lukën. 28 Maj 1973, arrestimi publik në prani të studentëve dhe pedagogëve, në hollin e Akademisë së Arteve të Bukura-Tiranë më ra si bombë… O Zot, Luka, armik i popullit, ky vigan i artit dhe i skenës lirike shqiptare, ky personalitet shqiptar e botëror, që kaloi prova tundimi ofertash dy herë në Pragë, një herë në Berlin dhe një herë në Varshavë, kume avion që posaçëm, special, do ta dërgonin në Londër, në “Konvergarden Teater”, në Vienë, në “Skala” të Milanos në Itali, apo deri në Metropolitan Teater në Amerikë…!?!? Sot armik i popullit të vet, ai që e ngriti mbi Diellin popullin dhe vendin e vet me talentin e tij të jashtëzakonshëm!?!? Këto kujton pas vdekjes së Lukës muzikologu i shquar shqiptar Loro Sata. Personalisht pata rastin ta intervistoj Lukën më 2. 06. 2000, kur si gazetar televiziv pranë Shkodra TV1 po realizoja kolanën “Me qytetarët e Republikës së letrave”. Në këtë kolanë personalitetesh të fushës së artit, Luka qe një i ftuar totalisht i veçantë, për vetë madhështinë e veprës së tij, tashmë të njohur botërisht. Me kameramanin e televizionit shkuam në apartamentin e tij në lagjen “V. Kushi” të qytetit tonë, Shkodrës. Jetonte në një apartament me qera artisti i përmasave botërore, kur kushedi sa injorantë të lloj-llojeve nga ata anonimë në lagjet e veta deri asish që mbajnë të bllokuara karriget e parlamentarit në botën shqiptare të absurditetit të llojit shqiptar, jetonin në lloj-lloj modele vilash nga skutat më të largëta të vendit tonë deri në rajone, apo riviera turistike jashtë Shqipërisë. Jetonte në këtë apartament fare modest nën kujdesin motëror të Lindës, motrës së Anës së tij të paharruar, kujtimin e së cilës ai na e shmangte, sepse kishte frikë “zhburrnimin” e karakterit të tij vigan përpara asaj humbje të një bashkëshorteje model i vërtetë respekti, përkujdesi dhe përkushtimi, që për së gjalli do të falte gjak nga gjaku i saj aq vite për hir të mbijetesës së artistit të madh. Sapo hymë në apartament Lukës i qeshi gjithë qenia e tij. Nuk e di, tha, po ju jeni të parët që po më gjeni në këtë përvjetor. Ju faleminderit ju si televizion, si dhe atyre të TVSH, që për hir të së vërtetës kishin bërë një emision mjaft serioz dedikuar jetës sime. Linda na solli kafe e raki, kurse Luka u angazhua plot gjallëri nën vëmendjen tonë, edhe pse kish mjaft kohë që lëvizte me mjaft vështirësi. Jetonte në kushte fare të zakonshme, madje deri edhe zhurma e tubave të ujit në atë apartament, apo mungesa e telefonit kabllor në familje, sikur na akuzonte të gjithëve. Sa pak, oh sa pak vëmendje po tregojmë ndaj vlerave tona madhore kulturore në ditët tona! Zëri i artistit të madh, zëri i qytetarit Lukë Kaçaj nuk kishte arritur të impenjonte vëmendjen e burokratëve modernë për t’i normalizuar një kërkesë fare minimale: Telefonin në apartamentin e tij të banimit. Intervista zgjati mbi një orë, por Luka nuk fliste kurrë me dufe, inate, gulshe, apo urrejtje nofkash që janë aq për modë për më të përkëdhelurit e të gjitha regjimeve, apo për mediokritetin qytetar e krijues. Ai nuk pranoi të bashkëbisedonim publikisht rreth faktit të hidhur që në vitet e burgut Ana e tij, shoqja e mrekullueshme e jetës do të investonte me gjakun e saj në jetën e Lukës duke hequr ditë të panumërta nga jeta e saj e dhimbshme dhe e gjallë kjo saqë kur Luka tregonte, shpirti i dridhej dhe të dyve mishi na ngrihej kokërr. Por këto dridhje të shpirtit, këtë dramë në familje Luka kurrë nuk pranonte ta debatonte me gjoksnxjerrje martiri në mediat publike të shkruara, apo elektronike. Jo, jo, bënte me dorë madhështori Luka. Le t’i dijë zemra, shpirti, Zoti vetë. Robi ka për borxh të jetë i fortë. Luka thërriste kështu për qëndresën, qëndresën qytetare, qëndresën civile, i neveritur deri në shpirt ndaj atyre që dërdëllisnin persekucionizma shtirëse të tyre. Luka thërriste për qëndresë jo në emër të heshtjes, apo të injorimit të vuajtjes që lamë pas disadekadëshe, por qëndresë në emër të asaj që presim të ndërtojmë. Unë nuk kam patur kurrë armiqësi me njeri, thoshte Luka. Armiku i tij i vetëm ishte shterpësimi i artit të vërtetë, injorimi, lënie në harresë e qëllimshme e artit të madh, kinezërimi i vlerave reale shpirtërore të kombit nga vitete 60 e këtej, kujtonte ai, lënia në errësirë e dritës që duhet të merrte arti ynë nga gjenitë e mëdhenj të artit botëror. Dhe në klimën persekucioniste të bollshme, si zhurmë tellallësh, apo të disidentalizmave artificialë si kërpudhat pas shiut deri edhe nga ata që qenë zëdhënës, gazetarucë, të organeve e strukturave të nomenklaturës së djeshme, nderimi dhe veneracioni për gjithçka të mrekullueshme të veprës së Kaçajt të madh vjen si mesazhi më kuptimplotë, vjen si një ndriçim dritëmadh në rrugën e vëmendjes dhe të respektit ndaj vlerave reale kulturore e artistike të trashëgimisë sonë të së kaluarës, qoftë edhe ajo më e afërta, si një premisë e suksesshme e konsolidimit në vazhdimësi të qytetërimit tonë europian. Po kaq kjo vjen si sfidë edhe ndaj atyre komplekseve narcistike të skorjeve nordike, në veçanti, që me të cacurit e tyre në mendimin kritik e letrar, si një ulluk i oborrtarizmit modern, të pastakuar ende nga ekstaza e stinës së piramidave sipas filozofisë: a doni më për Belulin, me ciklime autorësh të vetëshpifur, si dolën huq si bashkëpunëtorë të “Albanies”, të “Pavarurës” kombëtare, me tablo sinoptike të llojit “Bisedë në eter e diçka më tepër” kushtuar vehtes, “vazhdon të krapullisë profka të urrnekut” mbi arkazimin e Migjenit, një ndër përfaqësuesit e mëdhenj të poezisë botërore të shekullit të 20-të, me arkaizmin e Koliqit, novelistit të parë modern të letërsisë shqipe,të Fishtës më të madhit poet epik të shekullit 20-të në “letrat” tona, bardi i qëndresës kombëtare, të cilin Luka ynë, jo vetëm e konsideronte si një ndër mësuesit më të mëdhenj, por sipas muzikologut të njohur shqiptar Loro Sata “epizmi dhe lirizmi fishtjan qëndronte njësh me zemrën e tij”. E nëse synimi i këtij shkrimi nuk është të merrem në detaje me banalitete e absurditete nga më absurdet e ditëve tona kur flasim për vlerat kulturore e letrare të kombit, po aq sa nuk mund të mos dënoj me ndërgjegjen time heshtjen e pafalshme të specialistëve të fushave përkatëse, që nuk i mungojnë metropolit verior, dua të konfirmoj me krenari të ligjshme se krahas Fishtës, Mjedës, Migjenit, Gurakuqit, Prenkë Jakovës, Tish Daisë, Tonin Zadejës etj., në panteonin e vlerave të metropolit dhe të kombit tonë zë vend nderi edhe basi shqiptar i papërsëritshëm, Lukë Kaçaj, për të cilin: “Nuk ka krim më të madh sesa të injorosh përfaqësuesit e artit tënd”. Kardi Ujkaj kritik letrar Intervistë televizive pranë Shkodra TV1 me Artistin e Merituar Lukë Kaçaj (Me rastin e 75-vjetorit të lindjes) Kadri Ujkaj: Si lindi dëshira dhe kush janë inspiruesit tuaj të parë që të pajisën me vullnetin për t’u marrë me artin muzikor-muzikën klasike? Lukë Kaçaj: Në moshën 10-vjeçare, d.m.th. fëmijë më prunë në Shkodër në gjimnazin “Ilirikum”. Aty kam filluar të merrem me muzikën në sajë të punës me pasion të kompozitorit të parë shqiptar profesionist At Martin Gjokaj, autor i operës së parë shqiptare “Juda Makabe” në 1926, opera me vlera historike në historinë e muzikës dhe artit shqiptar. Bash për këtë arsye edhe sot kjo opera jepet si mësim në lëndën e historisë së muzikës në Institutin e Lartë të Arteve, në konservator. Qysh 10 vjeç duket se Zoti më ka pasë falë njëfarë talenti, për këtë unë s’kisha nevojë në fakt për asnjë institucion. I kisha të gjitha perfekte. Një zë të mirë, tepër të jashtëzakonshëm, siç e ka cilësuar edhe At Martini, një zë kapte kulminacionet e tingujve më të lartë të fëmijëve të tërë botës. Mua më pëlqente shumë muzika, një cilësi që as unë s’e shpjegoja ndryshe vetëm ia dedikoja instinktit, me po ato ndjesi që ka njeriu natyrshëm ndaj të ushqyerit, pa të cilin nuk jeton dot, kështu unë nuk ndjehesha jashtë këtij instinkti për muzikën. Që fëmijë fillova të shkruaj nota muzikore. Shkruaj-shkruaj-shkruaj sa munda, se sot nuk shkruaj dot më, edhe pse kam mjaft mall të shkruaj. Dhe kush i shihte këto shkrime qoftë edhe pedagogët e Institutit të Lartë të Arteve thonin nuk ka mundësi me i shkrue dora e njeriut. Kush e di se sa të tilla kam lanë jashtë që m’i kanë marrë si dhurata, nga që m’i kërkonin: I duam me shkrimin tënd! Kështu tek unë At Martini dhe të tjerë po shikonin një fëmijë të çuditshëm. Fillova me studjue. Për këtë prirje unë nuk dija gjë fare. Prandaj në mënyrë banale po them këtë ia lë vetëm instinktit. Duket kisha lindur për atë punë. Kështu ndjeja me vetvete se isha i dhënë vetëm për këtë punë, për muzikë. Mandje fillova me i rënë disa instrumenteve mes të cilëve organos, 8 vjet i kam rënë violinës. Më 1947 në Tiranë mar pjesë në orkestrën e Radio Tiranës si violinist. Insprimi i At Martin Gjokajt bëri që unë që fëmijë të këndoj solo me një zë të jashtëzakonshëm siç mund ta dëshmojnë dëshmitarë okularë të tillë si T. Zadeja, Tonin Daija. Çuditeshin si ka mundësi të shkojë deri në rangje kaq të larta të artit. Liceu “Ilirikum”, shkollë e mesme, të cilin e mbarova më 1944, kishte në programin e saj të mësonim tre gjuhë t huaja. Ishte një lice klasik me françeskanët e Shkodrës tepër seriozë, rigorozisht u tmerrshëm, që frymën na e mori duke studjuar latinisht 10 vjet, greqishten e Homerit 6 vjet. Programi kërkonte shkrim, lexim, përkthim dhe koment. Italisht kemi bërë 8 vjet, siç ishte programi i çdo liceu klasik në botë. Greqishtja dhe latinishtja ishin ndër këndet më serioze. Kadri Ujkaj: Z. Lukë, dimensionit Tuaj, si artist i madh padyshim nuk u përgjigjeshit kushtet ekonomike etj., në të cilat jetonin e punonin artistët shqiptarë për vetë gjendjen që dihej. Ju nuk keni ëndërruar ndonjëherë se do ta gjenit veten më mirë po të largoheshin nga Shqipëria. A mund të na spjegoni raste konkrete të ofertave nga të huaj si jugosllavë, anglezë, etj., kur aktiviteti dhe niveli i sukseseve tuaja i kishte kaluar me kohë kufijtë e Shqipërisë? Lukë Kaçaj: Unë dua t’ua faktoj në mënyrën më të sinqertë që mund të ekzistojë. Bazuar kjo në dokumente që si të tilla ato mbeten vetëm dokumente, të cilave u jam referuar edhe gjatë izolimit në burg. Një ditë, pa pritur e pa kujtuar, ditë e diel, vjen në burgun ku vuaja dënimin, hetuesi e më thotë: Bëhu gati, vishu mirë. Unë vesha kostumin, ata më hapën derën, dola. Luka, – më thotë hetuesi im. – Ka ardhur kryetari i hetuesisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme Kapllan Zako. Kërkon të bisedojë me ty. Mirë, – i them, hetuesi kësaj radhe nuk po më drejtohej me i pandehur. Hymë në dhomë. Që atij i kishte lindur një respekt për mua po e tregonte biseda më vonë. Ulur në karrige m’u drejtua: – Tani do të më kallzosh jetën tënde, – vazhdoi folësi i pranishëm, – pa e zgjatur shumë, e do të më tregosh pse kanë ndodhë këto punë, (ishte fjala për arsyen e dënimit të L. Kaçajt për agjitacion e propagandë – shën. ynë). Ia shpjegova të gjitha një për një. Gjithçka ka filluar që më 1965 që u ndaluan veprat muzikore të gjenive të botës, – theksova në atë bisedë. U ndalua gjithçka me ligj, mos të interpretohej, kur e tërë bota artistike frymëzohej nga këta gjeni të muzikës. Tek ne gjithçka u ndalua. Unë tjetër prirje, as të keqe – nënvizimi ynë, nuk ka patur me shtetin. Vetëm këtë dëshirë dhe pasion adhurues pas gjenive të botës muzikore. Dhe kjo më bëri të bie këtu ku jam. Ndoshta edhe kam gabuar duke folur, sepse u dhashë pak edhe pas pijes më tepër. Këto kanë qenë arsyet kryesore, Arti, vetëm Arti. – Tani më kallzo edhe një herë para meje, – më tha. – Këtu nuk je më në hetuesi, Lukë, kam ardhur të bisedoj unë me ty. – Dakord, – i thashë. – Çfarë të di do t’u përgjigjem, por ndoshta mund të ngatërrohem se çfarë kam shkruar dhe të kallëzojë hetuesi se ç’kam shkruar. Ju e dini për çfarë jam brenda, – vazhdova. Të më qesin në vijë për kam shkruar hetuesi. Ky i fundit i tha: e ndihmoj unë. – Tani do të më kallëzosh ofertat ndërkombëtare, – vazhdoi i pranishmi, si mbaroi fjalën e vet hetuesi. Ç’oferta keni patur për t’u blerë nga të huajt? – Më 1947 kam qenë në Pragë, – vazhdova në përgjigje të interesimit të folësit, – një muaj në festivalin e parë botëror të rinisë, që zhvillohej në pijacën e Pragës, ku sot është parlamenti. Në një dyqan aty vinë dy njerëz të panjohur dhe më drejtohen: Ju jeni shqiptari Luka? Më falni, u thashë! Edhe pse anglisht nuk dija, e kapa fjalën e tyre ku synonte. Atëherë ata më folën italisht ku unë i kuptova krejt mirë. Ftesa ishte kjo nga ana e këtyre dy të panjohurve: Brenda dy orësh a dëshironi të niseni për Londër? Kemi evionin dheme të gjithë të tjerët nisemi brenda dy orësh. Unë i kam thënë, ju falenderoj, nuk kam nevojë. Kjo është oferta e parë. E dyta ka qenë në tetor 1955 gjatë një koncerti që dhamë në Berlin para një publiku në formë amfiteatri qëzinte 5000 vetë. Për mua nuk kishte ndonjë vështirësi, aty këndova në 4 gjuhë të huaja. Më duket se atëherë s’ka qenë bërë Muri i Berlinit, ky i fundit i takon vitit 1958. Kur dal nga koncerti të shkoj tek shokët e mi, dy vetë të panjohur ma bënë me dorë: Hajde urdhëro! Ishin të veshur me kapele republike, me pardesy, se ishte fresk tetori në Gjermani. Në koncert unë këndova në gjermanisht. Nuk e dija gjuhën aq fort, por me shqiptue e shqiptoja bukur. Kam kënduar me dhjetëra pjesë në gjermanisht dhe e studjoja për hir të stilistikës. Filluan të panjohurit me më folë në gjermanisht: Unë u përgjigjem: Nichts verstehen (nuk kuptoj asgjë). E panë shpejt se e kanë të kotë me bisedue me mue. Atëherë hapën xhaketën, me nxorën çekun prej 150. 000 markash të vitit 1955. Sot kjo vlerë i kalon 25-30 milion. Mandej thonë, ke të tjera. U kamë thënë të vetmen fjalë: Faleminderit në gjuhën e tyre. Dhe vazhdova, nuk jam unë për këtë punë. Jam nisur të përfaqësoj shtetin tim. Kjo ishte në tetor 1955. Kurse në 1960 kam qenë në turne me Avni Mulën dhe Ibrahim Tukiçin në Poloni. Sapo mbaruam koncertin, do të lutem të më kuptoni se ka gjëra që duhen deshifruar pak se kanë vlerë edhe për kolegët e mi, jo vetëm për mua. Mbas aktit të parë të “Berberit të Seviljes” në Varshavë po pinim një çaj me Avni Mulën, se Avniu mori pjesë me mua në këtë koncert. Ndërkohë më thërret drejtori i Varshavës, drejtori i Teatrit të Operas e Baletit të kryeqytetit polak. Si na priti në një mënyrë të jashtëzakonshme duka na uruar me superlativat më të mëdhenj na thotë: Ju keni lindur për skenë, pormë falni, në seu them një të drejtë: E para herë në jetën time që dëgjoj muzikë are të Don Bazilios. Deri më sot kemi dëgjuar vetëm recitative për arie. Këtë do ta mbaj mend deri sa të vdes. Ju lutem mos e lini me kaq, por të vini e të shfaqni opera të tjera më vonë. Ku e dinim ne mor vëlla se do të prisheshim me ta në tetor, a kur qe ajo punë. Por nuk mund të mos kujtoj se pas atij suksesi të jashtëzakonshëm, asnjë nga artistët polakë që mori pjesë në atë shfaqje me mua, as Avni Mulës nuk na e dhanë dorën për të na uruar. Kjo ndodhi se suksesi ynë qe një përmbysje e plotë e gjithçkaje që deri në atë moment duket atje njihej si sukses i jashtëzakonshëm, në këtë lëm muzikor. Shqiptarët përballuan suksesin e madh, tepër sfidant e të pyetet gjallë është Avni Mula. Asgjë nuk po trilloj, por po them thjeshtë të Vërtetën e madhe. Në 1960, mos harroj 10-11 janar, banoja në katin e 3-të në hotel Briston-Varshavë. Isha vetëm në hotel duke bërë përgatitjet për t’u kthyer në Shqipëri. Ndërkohë troket dera. U përgjigjem rusisht me mendimin se mos janë rusë. Ishin tre vetë. Qetësohuni, shprehen të porsaardhurit pas fjalës sime: Urdhëroni. Nuk lëviza fare nga tavolina ku po rrija. Urdhëroni, po u dëgjoj, vazhdova vetë. Përpara se të fillojmë bisedën, më thanë ata, dëshirojmë të prezantohemi. Me kë kam nderin të flas, ndërhyj unë. Ne jemi jugosllavë, u përgjigjën të tre njëzëri. Unë jam përfaqësues i Minstrisë së Tregtisë së Jashtme dhe përfaqësues i Ministrisë së Arsim e Kulturës së Beogradit, u vet prezantuan të sapoardhurit herë njëri, herë tjetri. Shumë i kënaqur, u përgjigjem. Edhe unë jam artist i popullit shqiptar. Ju, vazhduan ata, ju njohim shumë mirë. Na keni pasur pas jush gjithkund, në tërë shfaqjet. Kemi qenë këmba-këmbës në një sërë koncertesh, madje në 10-12 apo 15 shtete të botës, por interpretime të tilla s’kemi dëgjuar. Ju falenderoj, u thashë. S’ka përse, m’u përgjigjën. Ky është konkluzioni ynë. Dy prej tyre flisnin rusisht, kurse ai i Ministrisë së Arsim-Kulturës nuk dinte. Ne kemi ardhur me propozim konkret, vazhduan ata. Urdhëroni flisni, u them, po ju dëgjoj. Meqenëse keni të tilla veti, vazhduan ata, një kulturë kaq të madhe, një talent kaq të madh, kot e keni që rrini atje. Për t’i rënë shkurt bisedës, zoti Kadri, me ardhë me ne, më thonë të panjohurit deri atëherë. Nuk keni nevojë për asgjë, më thonë. Ju marrim me vete ne. Dëgjoni, shokë, u drejtohem unë rusisht. Veni mendjen mirë. Njëherë në jetën time po të kisha dëshirën për të ardhur tek ju nuk ka patur nevojë me pritë ofertën tuaj. Shtëpinë time e kam në kufi me ju. Ata mbetën shtang dhe kur po dilnin për dere më thanë këto fjalë, të cilat ia kallzova edhe kryetarit të hetuesisë, K. Sakos. Na falni për shqetësimin, me ironi, s’di dhija ç’është tagjia. Ju falenderoj për vizitën, mbylla bisedën me ta. Atëherë më thotë Kapllan Sako, kur ishe në Gjermani me çek në dorë, a ke qenë beqar, apo i martuar. Jo as i fejuar, as i martuar. Pas 6-7 muajsh pasi u ktheva jam partuar. Atëherë me më kallzu të vërtetën, më thotë: Pse nuk ike? Më falni, zoti kryetar, i drejtohem kryehetuesit të Republikës, po kush nuk e do atdheun e vet, nuk i duhet askujt gjë në botë. Së dyti, atë që kam mësuar në shkollë, në Shqipëri e jashtë saj kam dashur t’ia kthej përsëri popullit tim. Se sa vlej e tek vlej as unë s’e di. Së treti, kurrë në jetën time paraja s’më ka korruptuar dhe nuk dua të di gjë për të. Edhe sot nuk kam ndryshuar mendim, ashtu jam. Nuk ia kam ditur vlerën dhe nuk dua t’ia di deri sa të vdes! Së katërti, kam patur nënë, baba, vëllezër e motra, njerëzit e mi më të dashur të shpirtit tim. Nuk kam jetuar me ta, por në zemër i kam patur dhe i kam. Të lumtë! Edhe një herë, të lumtë, më tha kryetari. A ka mundësi, zoti kryetar, i thashë, të bëj një pyetje? Urdhëro, fol, fol çfarë të duash, vazhdoi. Ju a keni njerëz me shërbim në Gjermani, i drejtohem, apo në Francë, Fjala është për punonjës të aparatit shtetëror? Po, më tha ai. A u kanë lënë hijen, i thashë? Po, kjo është e vërtetë, më tha ai. Të lumtë! Kaq më tha kryetari i hetuesisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kadri Ujkaj: Lukë Kaçaj, një emër kaq i madh mbështetur në arritjet tuaja, tashmë të nivelit mbarëkombëtar e mbareuropian refuzoni dekada më parë këto oferta kaq të majme dhe të lakmueshme për një shpirt meskin, por për hir të së vërtetës edhe të pranueshme për kohët moderne, cili do të ishte mesazhi Juaj për artistët tanë në klimën e një braktisjeje thuajse masive të vendit amë nga vetë elita artistike e në përgjithësi nga ai që quhet truri i kombit? Lukë Kaçaj: Këtu hyre pak thellë! Unë nuk dua të hyj në këtë thellësi. Ata që drejtojnë paçin faqen e bardhë, por Romen Rolani thoshte këto fjalë: Kush don të dijë se kush është Franca, le të shkojë në grandopera të Parisit, që njihet si institucioni artistik më i lartë në tërë shtetet e botës. Prandaj nuk kam çfarë flas për këtë punë, dinë ata që i bëjnë. Do t’u lutesha të gjithë atyre që studjojnë për muzikë, kompozitorë, kanto, etj., kujtoni gjenitë e mëdhenj të tërë shekujve. Kujtoni mirë gjeniun e madh të tërë shekujve Volfgang Moxart! Askujt nuk mund t’ia marrë mendja sa jam lodhur për të studjuar J. Sebastian Bah, – thoshte Moxarti. Kur këtë e thotë më i madhi i shekujve, më i madhi i tërë botës muzikore, po ne zylyfave çfarë na mbetet? Prandaj gjithkush të arsyetojë me mendjen e vet. Kadri Ujkaj: Në vitet 50, kur studjonit në konservatorin “Çajkovski” ju keni marrë pjesë rregullisht në të gjitha protokollet jubilare të shtetit shqiptar në Moskë, bile në një moment, aty ku mblidhej gjithë ajka e elitës bolshevike ruse në Tetatrin e Madh, apo Balshoiteatër rus 700-800 vendesh, në prani të Ramiz Alisë, aso kohe student në Moskë, ambasadorit tonë atje Vasil Nathanailit si dhe të poetit Llazar Siliqi, një kundëradmiral i flotës ruse, si kërkon t’ju ketë afër, shprehet: Ju, nëse vazhdoni të studjoni kështu do të jeni në të ardhmen Shaljapini i Shqipërisë. Ju lutem disa nga mbresat tuaja të atij momenti të lavdishëm për kombin tim, të lumtur për mua që ju intervistoj si bashkëmalësori juaj, të patjetërsueshëm në gjithë domethënien e jetës suaj prej një artisti të madh! Lukë Kaçaj: Sapo mbarova diskutimin në prani të tërë ajkës së Moskës, me tërë kompleksin e Balshoit, teatrit të madh rus, unë këndova atë që kisha kënduar në Pragë. Sapo mbarova, afrohem pranë përfaqësuesve të ambasadës shqiptare atje së bashku me Ramiz Alinë, Vasil Nathanailin dhe Llazar Siliqin e Xhaferr Veleshnjen. Vjen aty një kundëradmiral i flotës ruse. Mbi supet e tij dukeshin pllakat sa gazepi, sa shuplaka ime dhe i lutet ambasadorit tonë: A ka mundësi të na e lini vetëm 5 minuta Lukën në tavolinën tonë? Ambasadori dhe aprovimin dhe unë shkova atje. Po habitesha për një vëmendje të tillë ndaj meje, kur tërë jetën e quaja vetennjë çyryk, çyryk që s’dija asgjë. Kundëradmirali kërkoi një letër, të cilën as atë s’e kisha në moment, vetëm një stilolaps. Atëherë, ushtaraku i lartë rus, mbi kapakun e një kutie cigareje shkroi këto fjalë: Nëqoftë se ju do të vazhdoni të studjoni në këtë mënyrë në shkollën tonë, pa diskutim do të jeni Shaljapini i Shqipërisë. Unë nuk e vlerësova fare këtë shënim, por ia dërgova Ramiz Alisë. Ramizi m’u drejtua: Luka, faleminderit. Ti na ke nderuar. Kaq. Kadri Ujkaj: Thuhet se jeni “përjashtuar”, nga solfezhi, historia e muzikës dhe harmonia, pas dy javësh që jeni regjistruar në konservatorin “Çajkovski”! Është shaka, që hijeshonte të mëdhenjtë e artit, apo e vërtetë? Pse jeni përjashtuar nëse qëndron një fakt i tillë? Lukë Kaçaj: Momenti ka qenë kur kam debutuar për të hyrë në konservator, se ishin edhe 6 rusë. Tek i ke gjallë në Institutin e Lartë të Arteve, dëshmitarët e atij momenti. Mbas rusëve nuk doja me ditë ata çfarë dinë. Ishin idiotë në nota të gjithë konkurentët. Nuk dinin ç’janë notat. Mos u bëj merak, i them atij që më shoqëronte në piano. Tek e ke gjallë Llora Lekën. E kam dëshmuar edhe në një film kushtuar veprimtarisë sime muzikore. Llora Leka ishte përkthyese. Çfarë do të këndojë shqiptari, pyeti Llorën, e cila studjonte në rusi dy vjet para nesh. Unë nuk dija askohe rusisht. Do të këndojë arien e Ivan Susani nga opera Ivan Susani, përgjigjet Llora drejtorit të konservatorit Aleksander Shtjevnikov. Po u dëgjojmë, shprehet drejtori. Ja fillova në rusisht, siç e kisha studjuar vetë që në Ansamblin e Ushtrisë. Shikonin me habi pedagogët njëri-tjetrin. Ç’është ky njeri. Unë vazhdoja punën time. Po tani çfarë do të këndojë tjetër, pyet drejtori i konservatorit? Një arie nga Moxarti, prej dramës së Figaros, përkthen Llora Leka. Në çfarë gjuhe, vazhdoi interesimi i drejtuesit të konkursit. Në italisht, i them unë Llorës. Këndova La vendeta-Hakmarrja, deri në fund. Ndërhyn Llora dhe i thotë drejtuesit edhe një pjesë popullore, të cilën edhe pse s’i ka notat do ta shoqëroj vetë në piano. Mirë, tha drejtori. Unë u ula dhe këndova “Kenkan mbushur malet me dëborë”. Rreth 150 vetë, pedagogë, që po dëgjonin mbetën të habitur. A i di notat, më drejtohet drejtori. Thuaj pak, i them unë Llorës, më kërkon solfezh në do-mi-sol. Pastaj vazhdon në do-fa-la, do-fa-si bemol. Pedagogët shikonin të hutuar. Për mua këto ishin elementare, se nota kam ditur edhe 15 vjet përpara. Të lumtë, më thotë drejtori. Dhe kështu u bë pranimi im në koservatorin “Çajkovski”. Pas dy javësh drejtori i konservatorit ka ardhë në orën e solfezhit dhe tha: Shqiptari Luka është i përjashtuar nga programi i solfezhit, teorisë së muzikës dhe harmonisë, sepse këto i di, pa i ka të përvetësuara. Luka, ti i di këto, m’u drejtua. Kadri Ujkaj: Ka një prirje tek disa artistë, shkrimtarë, muzikantë, krijues të prirur dukshëm drejt angazhimit modern si oborrtarë nihilistë të krijesave të tyre, për hir të këtij konformizmi zyrtar si krisje e unitetit të brendshëm. Ju si kolos i muzikës klasike e më gjerë, si e gjykoni? Mund të pranojmë që në afro 50 vjet shqiptarët nuk krijuan vlera me të cilat mund të krenohemi me dinjitet para botës së qytetëruar, qoftë edhe duke rritur e përgatitur artistë të përmasave të Lukë Kaçajt, Çesk Zadesë, Tish Daisë, Luçije Milotit, Bik Ndojës, etj. Mendimi juaj ndaj këtij nihilizmi totalisht i turpshëm për autorët e tij? Lukë Kaçaj: Mendoj që të gjithë artistët që ju përmendët, janë përfaqësues të denjë për ecjen dhe përparimin e artit shqiptar. Kujtoj M. Krajën mes shumë e shumë të tjerëve, kjo ka qenë pedagoge. Gjithashtu edhe unë kam qenë për 15-20 vjet. Kjo tregon që ne ecëm edhe vetë. Nuk po hyjmë në intimitete, por po të flasim për këngën popullore shkodrane e kanë kënduar shumë e shumë e vazhdojnë ta këndojnë. Por ajo që i ka merituar lavëdrimet e të gjithëve, edhe të qeverisë, edhe të kryeministrit e personalisht të vetë Enver Hoxhës në Pallatin e Brigadave asokohe ka qenë Luçije Miloti. Luçije Miloti është bilbili i tërë Shkodrës e ka quajtur E. Hoxha. Kadri Ujkaj: Muzika moderne: Popi, xhazi, roku, repi etj., a nuk duket sikur po e deformojnë, me ndikimet e tyre eksteme, formimin shpirtëror të shqiptarit nën sensin disi agjitativ, apo shpeshherë disi recitativ, të shijes europiane në dëm të muzikës popullore e të muzikës shqiptare në tërësi. Komenti juaj? Lukë Kaçaj: Mendimi im është se të gjithë që merren me ato punë vetëm dëmtojnë ecjen përpara të artit shqiptar në tërësi e të folklorit në veçanti, sepse përjetojmë influencimet shumë të dëmshme të cilat kurrsesi nuk ka nderojnë. Dhe për këto gjëra, unë si artist vuaj. Nuk janë të denja për ne. Ne kemi bazamentin e duhur edhe për folklorin, sepse më 1860 Palokë Kurti në 60 vjetë jetë të tij krijoi vepra me vlera artistike, me nota dhe me të tëra. Për këtë kemi bërë edhe emision të veçantë në Pallatin e Kulturës, kushtuar këtij artisti. Ato që po dëgjojmë, vetëm art nuk i quajmë, po thjeshtë divertiment, diçka thjeshtë zbavitëse. Kadri Ujkaj: A nuk ju duket një lloj majmunërie moderne që shfaqet në emër të modernes në dëm të muzikës sonë popullore? Lukë Kaçaj: Është shumë kollaj me imitue majmunët duke qenë se s’ka kurrfarë vlere artistike dhe nuk shpreh asgjë të brendshme që buron nga shpirti, apo nga zemra. Asgjë tjetër nuk sjell në vëmendjen e dëgjuesit vetëm thjeshtë një mendjeshpërndarje. Asgjë tjetër nuk ka. Ata që kujtojnë se po kapin me këtë majmunëri rokun, duhet t’u kujtojmë se ne e kemi pasë përpara amerikanëve, sepse ne kemi patur shumë të hershëm nocrokun. Besoj më kuptove. Mos të kujtojmë se ecim përpara në kulturë e në art duke cilësuar çdo arritje të së kaluarës regresive, jo progresive. Kadri Ujkaj: Po vazhdojmë me debatin rreth këngës shkodrane. Në vitet 60, Jaret e Shkodrës, me një moshë gati 200-vjeçare, ndezën publikun e gjerë nën interpretimin brilant të Artistit të Merituar Bik Ndoja, apo në repertorin e këngës popullore shkodrane të Luçije Milotit, e cilësuar si “Bukuria më e madhe e këngës” në Gjermani, Çekosllovaki, Hungari, Poloni, Rumani, Bullgari. Të cilësuara këto si thesare, mrekulli të një populli të vogël me shpirt të madh atëherë, kurse sot mjerisht krejt të harruara thuajse, po të kemi parasysh se në ziafetet shkodrane qytet e fshat, po dominojnë orientalizmat e sllavizmat në emër të sensacionit banal me prirje të theksuara komerciale. De Rada i madh do ta quante këtë një shije të vrarë, shije pa jetë, anemike, kur ne kemi aq nevojë të konsolidojmë vlerat tona për një integrim jo si majmunëri, por si qytetarë dinjitozë të komunitetit të madh euroatlantik. Cili do të ishte sugjerimi i Artistit të Merituar Lukë Kaçaj? Lukë Kaçaj: Nderimet më të mëdha muzikës sonë të jashtëzakoshme popullore, që dëfton se ky është folklori ynë, që dëfton troç se ku kemi me mësue, ku kemi me u frymëzue dhe ku kemi me krijue. Ky është sugjerimi im. Duke dëgjuar gjithfarë këngësh, gjithfarë “muzike”, jo vetëm po i harrojmë, por edhe po i nënvleftësojmë vlerat tona. Ky është një krim. Nuk ka krim të më madh se të injorosh përfaqësuesit e artit tënd. Unë di një fakt historik. Kur ka shkuar ansambli rus jashtë Rusisë, vajzat ruse në SHBA kanë luajtur mendsh nga bukuria e këngës ruse, thjeshtë për shpirtin e saj rus. Kadri Ujkaj: Po kthehem përsëri tek jeta juaj studenteske. Në konservatorin “Çajkovski” të Moskës në qershor 1955 Lukë Kaçaj, Nikolla Gisuro (bullgar) dhe Sasha Vixienikov (rus) ishin tre konkurentët si studentët më të zgjedhur të konservatorit ditën e mbrojtjes së diplomës. Pas 45 vjetësh nga ai kulm i një artisti të ri me një të ardhme të madhe tashmë të qartë, ç’mund të kujtoni lidhur me repertorin tuaj prej tetë pjesësh në 4 gjuhë të huaja, që rrokte një hapësirë kohore me mesazhin e saj artistik prej 3 shekujsh? Aq sa mund të kujtoni nga këto kulminacione të një përjetimi në fatin e një artisti kalibërmadh? Lukë Kaçaj: Nuk dua të shtoj as të mohoj asnjë prononcim që është bërë për mua. Kryetari i komisionit të jurisë ishte 80-vjeçari Çesjeviç, bashkëkohës i Shaljapinit të madh. Kur ka ardhur puna e vlerësimit të këngëtarëve në prani të pedagogut dhe të pianistit që morën pjesë, Çesjeviç ngrihet në këmbë: Shokë të jurisë, a mund të më lejoni t’i them dy fjalë për atë shqiptarin, emrin tim s’e kujtonte 80-vjeçari? Po, iu përgjigjën kolegët e jurisë. “Të kenë nderin muret e konservatorit të Moskës që diti të përgatisë e të formojë këngëtarë të përsosur të muzikës klasike, operistike, pianistike e të muzikës së dhomës të tillë. Jeni dakord”. Po, i thanë. Ky ka qenë momenti dhe mendimi që as unë nuk mund ta mohoj dot, as të gjithë ata që qenë të pranishëm, si pjestarë të jurisë. Kadri Ujkaj: Ju, fill një javë pas mbarimit të konservatorit, saktësisht diplomimit, konkuroni mes 170 këngëtarëve nga i gjithë shteti i madh sovjetik, BRSS, siç thirrej deri me rënien e komunizmit për t’u pranuar në Teatrin e Madh rus, apo Balshoi Teatrin, duke arritur të radhiteni dinjitoz ndër katër fituesit e këtij konkurimi madhor për këngëtarë të këtij institucioni gjigand të artit rus. Është interesante kur ngjitje të tilla të bujshme shohim edhe në ditët tona, po të kemi parasysh sukseset e Inva Mulës, Tedi Papavramit, etj. Një vazhdimësi e tillë e kësaj tradite, e sidomos në muzikën operistike, çfarë shpreh në esencë? Komenti juaj? Lukë Kaçaj: Konkurimin për në Balshoi Teatrin e mora vesh pasi kisha mbaruar diplomimin. Më shkoi mendja të merrja edhe unë pjesë. Fitova, s’fitova, punë e madhe. Balshoi kishte emër të madh në tërë Bashkimin Sovjetik. Mora në telefon kryeridigjentin e madh, zor se lindin më të tillë, Pishajev. Ishte me origjinë armene, muzikant i jashtëzakonshëm. A ka mundësi të marr pjesë në konkursin e Balshoit, i them kryedirigjentit? Po, m’u përgjigj menjëherë. Të dielën, ora 7:00, shkoj tek Mihajl Prifti, ish-ambasadori ynë në Moskë. Kisha bindje që nuk do të ma refuzonte njeri mbështetjen. I them ambasadorit: Mundësisht dërgoni një njeri pranë konkursit të sjellë përgjigjen për mua. Po, më tha ambasadori. Shkuam me Albert Papariston, ish-student atje dhe më vonë drejtor i Teatrit të Operas të Institutit e të Lartë të Arteve-Tiranë. Nuk gënjej asnjë gjysëm fjale. Leqet e këmbëve dhe shpirti më dridheshin, mezi merrja frymë prej emocionesh, duke patur 14 vetë juri. Të gjithë ishin dirigjentë e kryedirigjentë. Medet, them, po ç’m’u desh mua. Ndërkohë dëgjoj të thuhe, ku është shqiptari. Ngrihem në këmbë si lypës i shkreti. Shkoj atje. A ka mundësi, më tha, t’ju dëgjojmë? Më sheh pianisti i shkretë se jam i impresionuar, mos ki merak, më jep kurajo, se mua më ke në krah! 100.000 herë i kam lujatur këto pjesë, prandaj si të duash ti. A i di të gjitha përmendësh, se mua më ke pas. Këndova prologun e Mefistofelit, një arie të Fiaskos, etj. Në fund më pyet kryedirigjenti: A ke ndonjë gjë rusisht? Po, i them. Atëherë me thanë të drejtën m’u duk se e mora veten, më kaloi kështu ai turbullim i brendshëm emocional që buron nga kërkesat ndaj artit. Kur mbarova së kënduari një pjesë rusisht, mjaft, – tha. Mendova se e hëngri dreqi këtë punë. Nuk më pranojnë, gjykoja në heshtje. Po ç’t’u desh me marrë pjesë, more hajvan, qortova veten. Ulem e rri aty, ndërkohë po këndonin disa sovjetikë. Si mbaruan edhe këta dëgjova të thirrej me të madhe: Ku është ai shqiptari? Këtu, i përgjigjem plot emocione. A ka mundësi të rrini pak para nesh? Ulem dhe rri si lypës i shkretë. Po ku banoni ju, më thanë? Shpjegoj me qetësi: Para një jave mbarova diplomimin, në konvikt. A keni apartament banimi tuajin, ndërhynë ata. Atëherë po e merrja vesh se më kishin pranuar. Këto, i thashë, i mendon ambasada. Pas një ore vjen Albert Paparisto. Hajde, më thotë, more të marrtë dreqi se fryma po më merret. Më diftoi ç’u bë. Tërë jetën si këtë njeri s’kam dëgjuar tash 50 vjet që merrem me muzikë, tha sovjetiku. Jam detyruar me çdo kusht të ndjek vetëm sytë e tu, që flasin gjithçka dhe i japin publikut gjithë thelbin e tingullit muzikor. Kështu unë u pranova. Kadri Ujkaj: Shkurtimisht, si e ndjen veten aktualisht si qytetar e si artist Lukë Kaçaj. Kam parasysh se ju duhet të përfitoni edhe një trajtim të veçantë me ligj. Lukë Kaçaj: Faleminderit shtetit tim, që në 1994 unë përfitoj një pension të posaçëm, të cilin e gëzoj edhe sot. I falenderoj! Por një pakënaqësi e kam. Kam gjashtë muaj që u kërkoj telefon prefektëve të Shkodrës z. Podgorica, Z. Jaku. Kadri Ujkaj: Me shpresën që edhe përfaqësuesit e prefekturës së Shkodrës do të jenë të vëmendshëm ndaj zërit të një artisti të përmasave të tilla si Lukë Kaçaj. Le ta mbyllim këtë dialogim të hapur këtu në Shkodra TV1, duke ju uruar shëndet dhe pleqëri të mbarë Artistit të Merituar Lukë Kaçaj, që me zërin e shpirtit të tij si një artist i llojit të vet meritoi dhe do të meritojë në jetë të jetëve nderimin, respektin dhe vlerësimin për ato që ai bëri me veprën e tij në dobi të afirmimit kulturor e qytetar të kombit që i takon. Lukë Kaçaj: Edhe nga ana ime ju falenderoj me gjithë zemër ju, që më ftuat në këtë emision me rastin e 75-vjetorit të lindjes sime. (Marrë nga arkivi i Shkodra TV1)
Prof. Antonio Baldaçi Mik i Shqipërisë dhe i natyrës shqiptare Shumë udhëtarë dhe studjues të huaj kanë ardhur në vendin tonë për ta njohur dhe studjuar, siç qenë: Murat Çelebia, Pukevil, I. C. Hahn, F. Nopça, E. Durham, I. Doerfler, Gustav Mayer, Prof. Markgraf, Norbert Jokl, Prof. G. Weigrand etj. Në mes tyre një vend të rëndësishëm zë edhe shkencëtari botanist, Prof. Antonio Baldaçi i Universitetit të Bolonjës, një ndër universitetet të njohura të Europës, njohës i thellë i florës shqiptare. Ky dijetar erdhi në Shqipëri i shtyrë nga dëshira për t’i hequr perden që mbulonte thesarin e bimës shqiptare, për të dhënë ndihmën e tij të vyer për zbulimin dhe studimin e bimëve që gjejnë përdorim të gjerë në industri dhe degë të saj, në mjekësi, ushqim etj. A. Baldaçi bëri gjashtë udhëtime me radhë, në vitet 1890, 1892, 1894, 1895, 1896, 1897. Ai ka ardhur në Shqipëri edhe në vitet 1940, 1941, 1942 e 43, ku ka bashkëpunuar me revistën “Drini”, organ i Turizmit Shqiptar, duke shkruar artikuj shkencorë mbi bimët e vendit tonë, në rubrikat bimnaja shqiptare, artikujt: “Një lëndë gati krejt e panjoftun në Shqipni”, Mbi dy boragjina të dobishme” (nr. 8, 9, 1941), “A nevojitet nji park kombëtar në Shqipni?”. Në viset shqiptare shëtiti Epirin, malet e Shqipërisë jugore, malin e Tomorrit dhe në vitin 1897 malet e Shqipërisë veriore; në këtë udhëtim bëri dy zbulime të rëndësishme nga pikëpamja bimore, një lëndë krejt e panjohur në Shqipëri, nga familja e bimës e quajtur Wulfenia, gjer atëherë njiheshin vetëm tri llojet e para e gjetura në viset e Alpeve të Karintisë, e dyta në malin e Himalajes dhe e treta në Siri. Prof. Baldaçi zbuloi një të katërt e shumë të bukur, për herë të parë në Paru të Rrjollit dhe pikërisht në plasat e shkrepave. Kësaj bime Dr. Von Degen nga Budapesti ia vuri emrin Wulfenia Baldaçi Degen për nder të zbuluesit. Në artikullin mbi dy boragjina të dobishme citojmë: ndërmjet bioragjinave të dobishme shqiptare mund të përmendim Alkamia, Onozoma Polmonaria, Magliarino, Boragjini, etj. Në vitin 1892, gjatë një udhëtimi të parë e të gjatë në Shqipërinë qendrore Porf. Baldaçi mblodhi në malin Sacica mbi Kaninë në malin Kudes një bimë që e përngjasoi me pallidum, ndërsa në bimët e malit Kudes kishte vërejtur të gjitha kalimet nga lloji genuina në erectum. Në vitin 1894 mblodhi në malin Mon në rrethin e Vlorës një Onosma që paraqiste kalime të ndërmjetme nga lloji genuine të botanikut Biossier e llojit anguisti-folium. Gjatë vitit 1892 aimblodhi në malin Tomorr një Onozma e cila kishte një veshje të posaçme e pa asnjë lidhje me të tjerat që njiheshin prej atij aq sa e shtyu të mendojë se bima nuk ishte më një Onozma por një Boragjin. Falë përvojës së tij arriti në përfundim se me të vërtetë ishte fjala për një Onozma, të cilën e emëroi Onozma mattiroloi për nder të Prof. Mattirolo. Duke përmbledhur nga paraqitjet shkencore të Prof. Baldaçit, vazhdojmë në shpjegimin e parimeve industriale që mund të nxirren nga Onozmat që deri atëhere asnjë nuk i ka shpjeguar, duket se jo vetëm rrënja e bimës Rumnija paraqet gjithë atë vlerë që i japin banorët e atyre anëve, por Prof. Baldaçi mban se të gjitha llojet e Onozmave kanë parimet e tyre dhe për këtë Shqipëria e cila është e pasur me Onozma do të mund t’i shfrytëzojë. Ndërsa në artikullin me temë “A na duhet një park kombëtar në Shqipëri”, pasi flet për rëndësinë që kanë parqet kombëtare, origjinën e tyre dhe shtrirjen e tyre gjeografike në botë, vlerën e tyre në shumë drejtime sidomos për ruajtjen dhe mbrojtjen e florës dhe të faunës, tregon se në shtetet që janë krijuar këto parqe, janë mbajtur parasysh kushtet gjeologjike, morfologjike, hydrologjike, fito-gjeografike, etnografike e historike. Parku më i vjetër që është bërë në Amerikë është ai i Hot Springs i Arkansasit, rregulluar më 20 prill 1832 me një sipërfaqe prej 103 km2, ndërsa parku i Abrucos në Itali, një ndër më të mëdhenjtë zë një sipërfaqe prej 300 km2, të cilit i janë shtuar edhe 500 km2, i inauguruar më 9 shtator 1922. sipas Prof. Baldaçit, për të treguar se ku është vendi më i përshtatshëm për të krijuar tek ne një park kombëtar, tani për tani është i pamundur (për kohën kur është shkruar artikulli) kurse për sot është një utopi, vetëm atëherë kur çështja do të merret në studim seriozisht dhe pasi të dëgjohet fjala e kompetentëve. Autori, si vende më të përshtatshme për këtë sugjeron: 1. Malet e Akroceraunit mund të shërbejnë shumë mirë për krijimin e një parku kombëtar shqiptar, është malor dhe njëkohësisht bregdetar dhe është një ndër vendet më klasike nga pikëpamja historike dhe gjeografike; 2. Zona malore e Tomorrit që na sjell në mendje nga panoramat më të bukura të Shqipërisë. Trupi i Tomorrit ka një tokë elementesh gjeologjikë dhe gjeografikë të çuditshëm dhe përmbledh shëmbëlltyra shumë të bukura hidrografike. Në Tomorr gjenden lloje të rralla bimësh dhe kafshësh. Eugjenio Vaina, autor i librit “La Nazione albanese” (shteti shqiptar) botuar në vitin 1917, që në vitin 1911 erdhi në Shqipëri dhe luftoi së bashku me shqiptarët kundër turqve, thotë: “Porf. Baldaçi erdhi në Shqipëri për studime botanike, por pastaj u bë nga çdo pikëpamje një ndër specialistët tanë më të mirë”. Në vitin 1917 botoi veprën e tij “Itinerari Albanesi” (Udhëtime shqiptare), për udhëtimet e bëra nga viti 1892 gjer në vitin 1902, me një shikim të përgjithshëm të Shqipërisë dhe të rrugëve të komunikacionit. Vepra ndahet në 9 kapituj. Në kapitullin e parë “Shqipëria”, Baldaçi bën një paraqitje historiko-etnografike dhe gjuhësore, në të cilin përmbledh dhe kumton rezultatet e kërkimeve të bëra gjer atëherë. Në kapitujt e tjerë paraqet udhëtimet e ndryshme që ai ka bërë në vende të ndryshme të Shqipërisë duke tërhequr vëmendjen e lexuesit me përshkrimet tërheqëse të rrugëve, të vendeve, të popullsisë gati e të gjithë Shqipërisë. Veprës i bashkohen hartata e rrugëve të ndryshme, një hartë e rrugëve të komunikacionit dhe harta e përgjithshme e Shqipërisë. Në hyrje të veprës Baldaçi shkruante: “Në vendin e vëzhguar i detyrohem shumë blegtorëve, njerëzve të thjeshtë të popullit, me të cilët kam jetuar për një kohë të gjatë, kam vërejtur cilësi të rralla morale të shqiptarëve dhe për këtë e kam për detyrë të vlerësoj dhe të çmoj thjeshtësinë spartane të atyre njerëzve. Të detyron që ta admirosh një popull si populli shqiptar, ku pasioni e dëshira e zjarrtë për pavarësi dhe lavdi mbetet e pandryshuar në kohë, dhe kjo dëshirë është shenjë zotëruese e karakterit etnik dhe burim heroizmi”. Në parathënien e librit, shkruar nga Presidenca e Shqipërisë Mbretërore të Gjeografëve italianë shkruhet: “Në mes autorëve që kanë ndihmuar gjërësisht për njohjen e këtij vendi ende plot me të panjohura dhe poezi është padyshim Prof. Antonio Baldaçi, bashkëpunëtor i zellshëm për botime me karakter shoqëror dhe shkencor, veteran shumë i çmuar, ndër zbuluesit, kërkuesit e Shqipërisë, mbrojtës i palodhur i të drejtave të popullit shqiptar, për një vlerësim më të mirë dhe pa interes nga ana e shteteve të mëdha europiane. Ai nuk ka reshtur për ta hulumtuar Shqipërinë nga çdo pikpamje, por duke i dhënë në përgjithësi përparësi atij etnografik dhe natyror”. Në të vërtetë në artikujt e gazetave dhe të revistave dhe në çdo lloj veprimtarie nuk ka reshtur për të mbrojtur çështjen e kombit shqiptar, të cilit i ka kushtuar pjesën më të madhe të veprimtarisë së tij. Ndër botimet e panumërta rreth krahinave dhe popullit shqiptar, kujtojmë disa të karakterit politik: “Shqiptarët në Mal të Zi” (1898), “Italia dhe çështja shqiptare” (1899), frëngjisht “Çështja shqiptare” (1911), “Shqipëria ekonomike dhe politika në vigjilje të luftës” (1912), “Kufijtë e Shqipërisë së re” (1913), “Shteti i ri i Shqipërisë” (1913), “Ballkani i ri” (1914), “Rumunët e Shqipërisë” (1914). Në vitin 1930 në kujdesin e Institutit për Europën Lindore botoi veprën “Albania” prej 464 faqesh. Në parathënien e kësaj vepre shkruante: “Unë shpresoj se punimi im nuk do të jetë i padobishëm dhe se do të lehtësojë ato që duan të formojnë një mendim të drejtë mbi Shqipërinë dhe të ardhmen e saj dhe mund të shërbejë në vazhdim si një dokument retrospektiv (me vështrim nga e kaluara) dhe nxjerrë nga një njeri i besës që ka kërkuar që t’i shërbejë vetëm së vërtetës”. Në hyrje të veprës jep të dhëna mbi Shqipërinë dhe mbi emrat të ngjashëm me të dhe njohuri mbi Shqipërinë e ditëvetona dhe të Ilirisë së vjetër. Vepra ndahet në tri pjesë: I- Gjeografia fizike; II- Shënime historike; III- Antropologjia (shkenca që studjonte veçoritë biologjike të njeriut si qenie e gjallë e natyrës). Baldaçi përshkruan gjendjen shoqërore, doket dhe zakonet e popullit shqiptar, flet për gjuhën dhe letërsinë, për arsimin dhe për fenë, për gjendjen shëndetësore, për industrinë, tregtinë dhe për rrugët e komunikacionit në lashtësi dhe në mesjetë. Prof. A. Baldaçi jetoi për shumë kohë pranë popullit të thjeshtë të Shqipërisë, me malësorin dhe qytetarin, ai hyri në psikologjinë e këtij populli, arrin të karakterizojë atë duke vënë në dukje anët e mira dhe të këqija. Shqiptari, thekson ai, zotëron shumë cilësi të rralla, që i vlejn për suksesin, për t’ia arritur qëllimit. Ai është guximtar, bujar, i pavarur, i ndershëm, i zgjuar, punëtor, njeri i besës. Nëqoftë se nganjëherë është i paditur, supersticioz, prapanik dhe nëse nganjëherë nuk e zotëron veten, këto janë të meta që i detyrohen veçanërisht mjedisit historik, gjeografik e shoqëror në të cilin është formuar. Në artikullin me titull “Mendime mbi Shqipërinë”, të botuar në gazetën “Kuvendi” nr. 40, dt. 30. 11. 1919, A. Baldaçi shkruan: “Hipokrizia e Europës që ka trumbetuar aq shumë parimin “Ballkani, popujve të Ballkanit” ka arritur në një shkallë që e kalon vrasjen ndaj Shqipërisë. Nuk ka popull në botë që ka qenë tradhëtuar se sa shqiptari, megjithëse ka ruajtur që në kohët më të largëta të historisë, një veçori etnike e mrekullueshme. Në gjuhë, në përbërjen politike dhe shoqërore, në psikologji, doke dhe zakone, shqiptari i sotëm është i njëjtë me ilirët e njëmijë vjetëve të shkuara. Shpirti për liri gjithnjë e ka ushqyer këtë popull me flakën e gjallë të një drite të ndritshme. Pas Traktatit të Berlinit, që qe i pandershëm ndaj shqiptarëve, Shqipëria ka vazhduar t’i tregojë botës qëndresën e saj të vendosur në luftën për pavarësi dhe ka luftuar e vetme pa ndihmën e askujt, duke çimentuar dora-dorës shpirtin arkaik të fiesve në ato të gjithë popullit. Nuk kanë mundur të ndalonin zhvillimin e ndjenjës kombëtare të bashkimit të shqiptarëve as shtypja dhe krimet e sulltanëve, as masakrat e Qeverisve, as ushtritë, as emigracioni i dhunshëm, as propaganda e jashtme e grekëve (A. Baldaçi në “Udhëtimet shqiptare” shkruan: “Ortodoksët e Leskovikut, Përmetit, Kolonjës dhe të Korçës, mbajtën gjallë fenë e prindërve kundër çdo parrugësije, padrejtësie”), ky popull prej 2 milionë banorësh, në një sipërfaqe prej 30 mijë km2, i rrethuar nga çdo anë nga armiq të tmerrshëm jeton dhe qëndron gati pa asnjë mbrojtje, si një lis i vjetër, duke pritur një drejtësi që nuk vjen kurrë dhe që sot, megjithë premtimet e Italisë, duket të vetëtijë as nga horizontet e Jugosllavisë, as nga ai i Greqisë. Un nuk dua këtë tokë, që e kam studjuar i vetëm për shumë vite, gati kundër vullnetit të qeverive dhe kam ndjerë kënaqësitë më të mëdha dhe të pashlyeshme, unë që kam jetuar gjithmonë me popullin, duke mësuar ta nderoj në mjerimin e tij dhenë fëmijërinë e saj të fuqishme, shpresoj se Italia së fundi do të vendosë vullnetin e saj dhe të kërkojë nga Europa, që Shqipëria të jetë e lirë përgjithmonë…” Shqipërisë kurrë nuk i kanë munguar miq të vërtetë dhe të sinqertë, një ndër këto ka qenë edhe Prof. Antonio Baldaçi. Paulin Kamsi
Kur bandat e Bajram Currit, Hasan Prishtinës e Fan Nolit digjnin e pritnin, forconin lidhjet me Musolinin, Ahmet Zogu mendonte për Shqipëri. Qershori i vitit 1924 dhe marsi i vitit 1997 kanë gjithë-gjithë 73 dimra ndërmjet, por kjo nuk i pengon këta dy vite të njelmët të ngjajnë mesevedi, është pak të thuhet si dy shtatanikë. Ngarendja e këtyre dy viteve të mbrapshtë shoqërohet me një galop makabër që ka vetëm një kahje, atë që të çon në mort. Me mijëra janë viktimat e pafaj në të dy motet e përbindshëm. Një grusht janë inatçorët që po u ikëte zari për të shpërndarë vis më vis mantelin rozë të politikës ultra të majtë. Lypën grada, ofiqe, emblema e këngë në të dy rastet. Shtresa më e epërme e shoqërisë të çmend me asnjëanësinë e vet lebetitëse. I shmanget rrjedhës prej vrapi hashorësh. Ka njëqind vjet që e lë në baltë gjindjen që përfaqëson kjo shtresë që lyp pa kurrfarë takti kryet e vendit. Në harkun e njëqindvjetëshit të mbramë, burra shteti me themel e shumëdegësh të formatit të Ahmet Zogut, Mehdi Frashërit e Sali Berishës, ndërmenden për ta vënë në bashin e vendit atë klasë të shoqërisë së civilizuar, eka po kaq kohë që u shkon hurrç inkursioni i tyre marramendës deri në hutim e shpresë të vakët. E kur historia përsëritet në vaun e mbrapshtë të saj, kemi të drejtën tonë sublime për ta përqasur në kujtesën e nacionalitetit të cilit i përkasim, e ta njatjetojmë të thënën solide, sipas të cilës “këmbanat bien për gjindjen që nuk i kanë veshët me pambuk”.
1. Nuk them asgjë të re në se ua sjell në kujtesë lexuesve të mi faktin se Bajram Curri ka një qytet në emër të tijin, ka më tepër se një shtatore, ka nën komandë rrugë, shkolla e sheshe, se ka distinktivin më të lartë në gjoks, atë të “Heroit të Popullit” dhe se për të, janë krijuar këngë e marrshe. Binjaku i tij Fan Noli i sajon një pod ku e sajdis bukur shumë. Nuk them asgjë të re gjithashtu kur shprehem se, Skënder Gjinushi ka një post, një a diç më tepër gradaçelë (gojët e liga thonë se ëndërronte një qielgërvishtës tip kule të Nju Jorkut të para 11 shtatorit 2001). Siamezi i tij Frrok Çupi, përbri me të e pa i bërë syri tërt, bash në Sheshin e Flamurit hakërrohet për revansh përkundër djemve të sollën fjalën e dritën të munguar teepakta në gjysëmshekullin e fundmë të mileniumit të dytë, nuk i vë ballë për ballë protogonistët që nuk janë të vetmit në trezirat rrënqethëse të dy moteve që patën diell me tepri, jo rastësisht. Asgjëmangut nuk lë po të vë në kandar zullumin mjeran të protogonistëve. Kur është në sfond murtaja e 1924-ës, them me plot gojën se një kolonel në rezervë që merrte një pension të majmë nga taksapaguesit e epokës ahmetzogiste, që pati për mision të mbronte konturet e shtetit, e mos o Zot t’i gërvishte deri në përgjakje ato, sak “divi i Dragobisë” e “tribuni i vegjëlisë”, të sulmonte distriktin fqinj Krumën, të fytafytej me baronin e burrërisë nacionale, Muharrem Bajraktarin, e teembarmja, të sulmonte me ushtën e zjarrit, t’i digjte deri në shkrumbim Sarajet e Xhemal Zogut. Bajram Curri duke vepruar në mënyrë të kësisojtë, bëhe prijës i instinkteve primitive, pasioneve që gjenerojnë lëngatë, nervozizmit cinik e për të mos shkuar më larg, vesh petkun e një aventurieri halabak, të cilit i vret sytë liria e tepërt e asaj kohe përnjimend të dielltë në dimensionin real të saj.
2. Natyrshëm e ka hak njëfarësoj petku sfondi i ngjarjeve kur “divi” e “tribuni”, rrebelohen kundër profilit të atij burri dheu që do të mbretëronte gjithkah ëndërronte Gjergj Kastrioti. Asohere vendin e sundon një kuvend pluralist e një shumicë të djathtë. Është koha kur supet e dikujt vihen në lëvizje. Kriza është ashiqare. Këshilli i Regjencës reformon qeverinë. Dy muaj e shtyn Shefqet Verlaci, anipse i jep poste ministrore opozitës, e ngulmon të ndalë katastrofën. Vritet nga Jusuf Reçi një deputet, i cili qe ngritur në këmbë e nderuar allashqiptarshe lajmortin e Leninit. Në hundët e bujtinës së Ahmet Zogut protestohet kinse për rënjen e Verlacit. Për ironi të fatit në motin e dytë lypet rënja në pikiadë e Leka Meksit nga neritancekët e dehur nga çlirimi prej prangave të çmoskushit. Le të integrohemi edhe një herë në motin 1924. Ahmet Zogu më 1923 është një kryeministër për tu pirë në kupë. I varfër por i zgjuar, fisnik, trimaloç, i zgjuar deri aty ku peri këputet, serioz, bindës, me karizmë të asaj race që të imponon respekt e nderim. Sa kohë rezaton mirësi, epërsi e dinjitet shembullor, opozita e Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Fan Nolit, këtij peshkopi të kuq, dhe e ndonjë tjetri, tërbohet, marrohet, shpërthen si fontanë. Opozita mpreh kosoret e zbret në Vlorë. Bash siç u turrën më 1997 neritancekët e skëndergjinushët. Lyp gjakun e Avni Rrustemit. Në teh të kosës vihet Ahmet Zogu, shih ç’ngjet më vonë, shuvonë. Bie Leka Meksi siç bie Shefqet Verlaci. Lypet të shkohet në hell Sali Berisha, ky tribun klasik e rezatues si fosfori. Qeverinë e merr Isuf Vrioni. Ky qeveris urtebutë, shmang gjakderdhjen e vatrave të ndezura flakë siç janë Vlora e Shkodra, falë edhe përkushtimit atdhetar të Ahmet Zogut, i cili ka nën komandë trupat qeveritare.
3. Dhunshëm pushteti spostohet majtas, më 1924 në duart e Fan Nolit, esi, me çiftaatek kur pretendentë janë edhe Qazim Koculi e Suljeman Delvina. Nëntëmbëdhjetë pika ka programi fannolist. Zbatohet dhunshëm. Si pushteti i Bashkim Finos 73 vjet më vonë. E në se, Fan Noli i hip kalit të Regjencës, Bashkim Fino nuk e lyp poltronën e Berishës se nuk ka bythë të të hip sipër tij. Noli zbret kuartetin brilant nga rezidenca e Regjencës. Nuk pyet askënd. Bëhet Zot e shkop. Demokratët shtrojnë qilimin e diktaturës e pshurrin përmbi të. Me emocion të thegjakoj ta ketë përjetuar Rexhep Qosja, intrigant po aq sa Rexhep Mejdani i mëvonshëm, këtë kohë të nocrrokëve pa të ketë projektuar platformën e zezë të “revolucionit të vonuar”, amalgamën e të cilit e cilit e inskenuan 73 vjet më vonë udbashët qosistë me bujtina në Tiranë e përanash saj. Mishmashit të motit 1924 i vihet notë pakaluese mbarëpopullore. Tjetërkund e hedh vështrimin çdo banor i komunitetit. Prajshëm tek Ahmet Zogu, i cili në synorin e tij nuk i lë asgjëmangut Yllit të Karvanit. Ani pse në ekzil, thërritet me ngut. Ejo nga komunitarë dosido. Nga ajka e shoqërisë së asaj kohe, e aftë për të inspiruar progres e qytetërim safi. Në bregun e këndejmë të kohës më të vonë, Sali Berisha mban ekuilibër. Ndëshkon krimin e damkos kriminelët. Nuk bëhet palë me ta. Joshja është një term që i rri bukur larg. E përzë siç i ka hije atij e pakkujt tjetër. Nën presionin e sharlatanëve të diplomacisë me emra Prodi, Vranicki, Mariza Lino e ndonjë shantazhisti tjetër, nuk e humb drejtimin. Mesazhi i shpresës formësohet ngutshëm. Përgatit melhem për varrët e kthim prapa s’ka. E themi të vërtetën açik ta dëgjojë familja mbretërore, pasi konservojmë bindjen se i është servirur ndryshe. Nuk ngurrojmë të bëjmë edhe radiografinë e kohës më të vonë, pasi vendi ka nevojë më fort se kurrë për qeverisjen e qëndrestarëve të Sali Berishës.
4. Jemi ende në valë se ç’ndodh kur qeveris Fan Noli për pasojë edhe të mesmjes mbi Krumë të Bajram Currit. E po e po të shkrumbimit të Sarajeve të Xhemal Zogut. Hiena të Internacionales zbarkojnë në Tiranë. Komiteti i Kosovës një pykë ashkëlimin e situatës. Hysni Curri, vëllai i Bajram Currit, vetë i tretë rreket të formojë një parti komuniste. Lidhje diplomatike me Kremlinin lypin me ngulm Bajram Curri e Hasan Prishtina. Ky i fundit krijon lidhje me Benito Musolinin. Nuk është e rëndësishme para apo pas pagëzimit nga ana e Gjergj Fishtës si apostuj të qytetërimit, të Benito Musolinit e Adolf Hitlerit. Njihet kabineti i Nolit nga Federata Komuniste Ballkanike, Partia Komuniste Italiane, simotra e saj Jugosllave, e po e po nga Moska e car Leninit. Ndërkohë “Peshkopi i Kuq” përçmohet nga fqinjët e mirë e europanët e civilizuar deri në asht. E megjithatë Noli insiston për proces zgjedhor. Nxit anarkinë. Dështon inkursioni i tij për të zhvilluar zgjedhje të imponuara. Është koha e ndërrimit të pushteteve. Është Britania e Madhe, Franca, Italia e Greqia për të mos rënduar listën me emra shtetesh të tjerë, që i gjinden në krah Ahmet Zogut. E inkurajojnë dhe e mbështesin për një zbarkim të butë të qeverisë së Iljaz Vrionit, e cila i ka zët raprezaljet e ndëshkimet. Makina e ngjarjeve vrullon. Me plebishit ngjitet në skenë Ahmet Zogu. Në nisje si kryeministër, e punë ditësh, si kryetar reformator e gjenerator vlerash i shtetit të mëkëmbur zorile. Më 21 janar 1925 vendi shpallet Republikë. E ne i bëjmë hije të keqes. Festojmë 11 janarin e vitit 1913 kur ka gjasa të mos ketë ekzistuar kurrfarë skeleti shtetformues. Në një labirinth rreptësisht të sofistikuar kjo historia ndëretnike e jona! Kryeulët e me një vello turpi ikin ikanakët e përjetshëm, Vranicki, Mariza Lino, Romano Prodi, fut kryet në rërën e lagësht Rexhep Qosja e pëlcasin nga inati skëndergjinushët, neritancekët, frrokçupët e ndocrrokër të tjerë. Vendi i shqipeve zgjohet rrëmbimshëm.
Mbledh mbetjet në Vlorë e ikën Fan Noli. Në ekzil sejmenët e peshkopit të kuq organizojnë tubime proteste për qetësinë e vënë nga Ahmet Zogu. Organizojnë e sponsorizojnë shoqata në zemër të Europës e deri në mbretërinë e bardhë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kundër vendit të tyre. Noli gjen kohë e ngre në një pod sipëran atë që dogji kullat e Xhemal Zogut. Këto lavde Bajram Curri do t’i ketë edhe nga Enver Hoxha. Le t’i mbajë në gjoks këto medalionë që të trembin. E rëndësishme është njohja me të vërtetën, anipse të hidhur si lëngu i hithrave. Perdja e helmimit të azilantëve të kahershëm sa vjen e griset. Vezët e gjarpërinjve të dikurshëm vjen një kohë e ftohen. Por paralele me meridiane të grisur ka gjasa të shkruhen e të rishkruhen në të ardhmen e afërt e të largët. Kanë nevojë brezat për to, teefundit sa për zgjerim horizonti. Dashamir Cacaj
Prekë Gjeloshi i Dushmanit, kapiteni legjendar i Vllaznisë Tifozlleku është ndjenjë si dashuria, dashuria e tifozlleku të dehin si rakia. Skuadra e zemrës është si gruaja dashnore e vërtetë, sportistët idhuj janë si fëmijët që i ke sjellë vetë në jetë, dhe sa më shumë kalojnë vitet aq më tepër rritet nostalgjia për të shkuarën që i përket historisë, prandaj historia është libri më interesant i jetës, prandaj vetë jeta është histori. Në historinë e futbollit shkodran e shqiptar një emër që të ngjallë respekt e nostalgji është emri i Prekë Gjeloshit si një individualitet shumë i spikatur si një talent i veçantë në kolorin e asaj breznie inkandeshente të viteve 40-50 ku Shkodra pati më shumë yje se asnjë herë tjetër në gjirin e në këtë mozaik shum ngjyrësh fenomeni Gjeloshi mbetet gjithnjë origjinal e i pa imitueshëm. Prekë Gjeloshi ishte një sportist i kompletuar me të dhëna fizike, teknike shumë të mira për kohën, kishte një trup mesatar të tjerrur hijshëm me një fibracjon muskulor shumë të fuqishëm, rezistent që rekuperohej shpejt nga dëmtimet dhe që i garantonte qëndrueshmëri e freski konstante dhe jetëgjatësi aktive në sport duke i kaluar kufijtë e 20 viteve karriere sportive tek Vllaznia e Shkodrës. Në sajë të talentit dhe stërvitjes së përkushtuar, Preka arriti të zotëronte një teknikë të lartë të përdorimit të topit qa sa mund t’ia kishte zili çdo sulmues, pavarësisht se ky ishte mbrojtës që luajti në çdo pozicion të mbrojtjes, por teknika e lartë e përpunimit të topit e bënte të ndihej shumë komod në fushë, duke i dhënë tiparet e një mbrojtësi sulmues, i cili në sajë të hapit të shpejtë i sprintit të fuqishëm ishte gjithmonë befasues, nuhatës e dinak që dinte të shënonte, po aq mirë sa një sulmues tipik. Luante shumë mirë rolin e stoperit pavarësisht se nuk isht trupgjatë, nuk ndihej asnjëherë inferior përpara çdo sulmuesi vigan, pasi Preka kishte kërcyeshmëri të lartë në luftën në ajër. Gjithmonë i vëmendshëm në mbylljen e korridoreve, i rreptë në markimin individual të kundërshtarit, i saktë në ndërhyrjet në çdo moment dublues i shkathët dhe i pagabueshëm me sparkatat e tija deçizive alla Gjeloshi, i vendosur në luftën për top, fitimtar në duelet këmbë për këmbë, i pakalueshëm dhe i qëndrueshëm si tankjer në hyrje të zonës Preka ishte kyçi dhe llozi i mbrojtjes, këmbë çeliktë dhe gurrç ilidhur nyje me të cilin kishin frikë të mateshin gjithë sulmuesit më të mirë të kohës duke filluar nga Riza Lushta, Naim Kryeziu, A. Parapani, H. Bakalli,L. Boriçi, V. Biçaku, K. Kraja etj., të cilët nuk gjetën vrimë ku të futeshin në mbrojtjen e skuadrës shkodrane ku Preka ishte gjithnjë violinë e parë. Preka sulmuesit i çarmatoste gjithë teknikë dhe nisej nga zona e vet turr e vrap duke i rënë fushës cep më cep kur ishte nevoja niste njëherë topin e gjatë me pas të përpikët vertikalisht, apo si me katapultë dërgonte topa pas shpinës së kundërshtarit direkt e në zonën e rreptësisë. Pas inkursioneve të gjata nga krahët e stadiumit gumëzhinte si kosherja e bletës vinte ose një harkim i rrezikshëm ose një pas i dhënë që përfundonte në gol, ose një goditje drithëruese që i shkaktonte kundërshtarit nokaut. Prekë Gjeloshi ishte frymëzues e virtuoz në fushën e lojës, fisnik, ashtu siç ishte në jetë, nuk ishte aspak në natyrën e tij loja e rëndë që aplikonin shpesh herë mbrojtësit. Ai mbrojtës që terrorizonte sulmuesit me faulla nuk është i denjë të luajë futboll, thoshte Prekë Gjeloshi, i cili nuk e dinte ç’ishte kartoni. Sa herë Preka i drejtohej zonës së 16-metërshit apo godiste goditje dënimi, britmat në stadium shpërthenin Preka, Preka, pasi me siguri pas goditjeve fatale sportdashësi priste të thërriste gol, gol. Në gjuajtjet standarte ishte mjaft i saktë madje kishte përqindje të lartë golash të realizuar nga këto goditje për të cilat ishte i specializuar më së miri dhe kishte një përvojë të gjatë. Ishte vazhdimisht lider në fushë, nuhaste mirë e me shpejtësi synimet e skuadrës kundërshtarenë sulm, duke marrë kundra masat e duhura, kishte një qetësi të admirueshme olimpike për përballimin e momenteve të vështira psikologjike, kurajoz, që u jepte kurajo edhe shokëve, këshillues i mirë e qortues i rreptë me qëllim që pësimi të bëhej mësim, punëtor e fjalpak me një lojë korrekte, triumfues mbi të gjithë kundërshtarët, dhe që nuk mbahet mend që të jetë ngatërruar as me shokët as me kundërshtarët, as me arbitrat. Prekës i dëgjohej fjala me respekt, fjala e tij, pas fjalës së trajnerit, zinte peshën kryesore në ekip. Në vitet e fundit të karrierës kur kishte lënë edhe mustaqet aimori një pamje edhe më serioze e më burrërore, aq sa edhe shokët i thërrisnin babushi, duke i shtuar edhe një epitet epiteteve që kishte, si këmbë çelikti, gurrçi, topuzi, teli me gjemba, kapedani, besniku, etj. Preka ishte e mbeti idhulli i tifozerisë së zjarrtë shkodrane për faktin se asnjëherë nuk u largua nga Vllaznia, as në ditët më të mira, as në ditët më të vështira që pasuan pas vitit 1946, ku shumica e shkodranëve u rekrutuan nga Dinamo e Partizani. Në konstelacionin e yjeve shkodranë Preka rrezatoi dukshëm si njeriu që sakrifikoi e u dashurua vetëm me Vllazninë, të cilën e konsideronte pjesë të zemrës së tij. Preka refuzoi me këmbëngulje çdo ofertë të ekipeve të kryeqytetit, ishte anti-partizanas e anti-dinamovit i deklaruar, bile me ironi shumë shokëve të viteve 45-46 u thoshte “tradhëtarë”, të cilët edhe pse kryen shërbimin ushtarak, të joshur nga kryeqyteti nuk u kthyen më kurrë tek Vllaznia. Pal Mirashi, në kujtimet e veta thoshte, me Prekën ishim miq të vjetër, kur vija në Shkodër takoheshim e çmalleshim bashkë, por ama në fushën e lojës, kur luaja në sulm me Dinamon më konsideronte kundërshtar të betuar, armik të Vllaznisë, prandaj si mua si Boriçin e Partizanit, Preka nuk na ka lënë me ba hajër kurrë, kur jemi ndeshur me Vllazninë e tij as në Shkodër as në Tiranë, duke njohur shumë mirë stilin tonë të lojës dhe me një ego tepër sportive më duhet ta pranoj se na ka bërë zap shum mirë. Ndërsa Loro Boriçi është shprehur se unë i kam ndier shumë pasojat e mbulimit të këmbë-çeliktit Prekë Gjeloshi. Në vitet 50 u organizua një kupë në Tiranë, mes ekipeve të kryeqytetit dhe Vllaznisë, ishte një koinçidencë interesante që qëlloi katër kapitenët e skuadrave ishin shkodranë, Loro Boriç i Partizanit, Xhevdet Shaqiri i Dinamos, Isuf Pelingu i Tiranës dhe Prekë Gjeloshi kapiteni autokton i Vllaznisë, asaj fabrike futbolli që nxirrte kampionë dhe kapitena kampionësh. Djali i Prekës, Gjovalini riprodhon me saktësi bisedën e të atit me shkodranët e natyralizuar në Tiranë. Tek pinin kafe te Dajti, u tha, Shkodra e ndien mungesën tuaj, titujt që po u jepni ekipeve të kryeqytetit ato po i mbajnë për vete, dhe me thumb shtoi, ma mirë shegertë me ekipin tuaj shkodran se kapedana në Tiranë. Prekë Gjeloshi ishte shpirti i ekipit, truri dhe mendja e mbrojtjes, ishte emblema e Vllaznisë, 13 vjet rradhazi kapiten legjendar i saj, rast unikal në historinë e ndritur të këtij ekipi. Shoku dhe trajneri i tij Rifat Rusi pohon: Për skuadrën dhe mbrojtjen shkodrane Preka ishte pika më e fortë, stërvitej maksimalisht, mbante regjim të rregullt sportiv, vullneti për të luajtur mirë dhe dëshira për fitore kanë qenë pjesë e karakterit të tij sportiv. Ndëra Muc Koxhaj, duke plotësuar portretin e tij, sqaron: Preka ishte kapiteni historik i Vllaznisë, trajnerët e kanë vlerësuar jo vetëm për klasin e tij të spikatur, por edhe për cilësitë e larta fizike, për lojën e fortë e burrërore, por edhe për aftësitë e veçanta taktike. Për prekën nuk kishte ndeshje të pa rëndësishme, ai luante me përgjegjësi maksimale si në Shkodër, Tiranë, Durrës, Kavajë, Korçë, Vlorë, Elbasan, etj. Preka, ndonëse i varfër ekonomikisht ishte vërtet bujar e zemërbardhë, njeri që nuk ankohej kurrë, antikonformist i vërtetë, me një thjeshtësi që ia rriste vlerat dhe e bënte sportistin më popullor të qytetit tonë. Në çdo prag ndeshje që zhvillonim në Shkodër, kujton Muc Koxhaj, të shtunave në darkë mblidheshim te njëri-tjetri dhe ia shtronim shumë shoqërisht dhe shumë thjeshtë njëkohësisht me ato që kishim, bukë e krypë e qejf. Shkonim tek Muhamet Dibra, tek Meta Vasija, tek Loroja,Bimoja, Adem Smajli etj., por tek Preka shkonim më shpesh se të gjithë të tjerët për të bujtur. Nëna e Prekës, një grua malësore, e kishte në gjak bujarinë me pak gjëra na bënte qejfin dhe ndiheshim lirshëm sikur të ishin në shtëpinë tonë e ajo të ishte nëna e jonë, e të gjithëve. Na thoshte gjithë dashuri, bujrum djema, hani he ju pastë nana, dhe duke bërë shaka shtonte, sonte do t’u jap edhe nga një saragë më tepër vetëm fitoni nesër. Preka ftonte në shtëpinë e tij edhe sportistët e ekipeve mike që vinin në Shkodër, aso kohe ishte dhe traditë e bukur shkëmbimi i vizitave të ndërsjellta shprehje shoqërie serioze sportive. Vetëm një herë Preka e ndjeu veten tepër të fyer kur pas një humbje poshtëruese të Partizanit me Punën e Shkodrës më 4 korrik 1952, dikush nga stafi i Partizanit, për t’u justifikuar, aludoi hipokrizisht se shkodranët gjoja u paskan hedhë diçka në pije, se nuk kishte mundësi të humbiste ashtu 4:1 Partizani. Preka tha, miku nuk pritet në bukë, por ai që të ha bukën e të përmbysë kupën nuk është mik, kam frikë e partizanëve u ka ba keq grosha e ushtrisë prandaj u ka thimë barku.
Rinia e hershme dhe karriera sportive e Gjeloshit Për koinçidencë Prekë Gjeloshi është bashkëmoshatar me Vllazninë. Vllaznia u krijua në vitin 1919, kurse Prekë Gjeloshi lindi më 27 tetor të po këtij viti, lindi në lagjen Kllogjen të Dushmanit në Dukagjin. Në moshë fare të mitur mbetet jetim se i vdes i ati, dhe që nga ajo kohë kur Preka nuk i kishte mbushur akoma 4 vjeç, së bashku me ungjin e tij dhe të jëmën, vendosen në lagjen e vjetër Badra të Shkodrës. Si jetim që ishte me ndihmën e misionarëve të kishës regjistrohet në kolegjin e jezuitëve françeskanë, ku dhe mori mësimet e para, për të cilat ishte shumë inteligjent dhe i pasjonuar, ndërsa nga ana tjetër që herët në fëmijëri, si shumë bashkëmoshatarë, filloi të luante me topin e leckës e të llastikut rrugicave të lagjes së tij dhe pa vonuar topi do të bëhej pasioni numër një i jetës së tij në të ardhmen. Futbollin do ta fillonte me vëllezërit Mark e Loro Boriçi, Kin Bushatin, Latif Alibalin, Muhamet Ademin, Resaht Rusin etj. Ndeshjet pasonin njëra-tjetrën në rrugicat e qytetit dhe fushën e lagjes Gjuhadol, Rus të Vogël, Lamijej, Dudas, në Fushën e vjetër të zallit të Kirit, duke luajtur Prekë Gjeloshi do të shpaloste mes shokëve cilësitë më të mira teknike e fizike, prandaj edhe zë vend në shoqëritë sportive të qytetit, si me “Juventusin” dhe “Djelmninë shkodrane”, ose si thirrej fillimisht “Malet tona”. Gjeloshi duket tek Vllaznia që në vitin 1936 por vetëm në vitin 1937 mundi të zërë vend stabël në formacionin e të rriturve të Vllaznisë e cila këtë sezon futbollistik shpallet nënkampione e vendit pas Tiranës, me një golavarazh mjaft pozitiv 55 me 15, ndërsa Prekë Gjeloshi do të militonte vazhdimisht në radhët e kësaj viganeje të futbollit tonë në harkun kohor 1937-1957, kur do të varte me nostalgji këpucët në gozhdë. Gjatë viteve të okupacionit aktivizohet me shoqëritë sportive të qytetit, sidomos në radhët e Tigrit, ku së bashku me shoqëritë e tjera nuk e lanë të shuhet jeta sportive futbollistike në Shkodër. Në vitet e LNÇl, Preka nuk qëndroi indiferent, as duar kryq, ai mori pjesë aktive në LNÇl, ashtu si dhe shoku i tij i luftës dhe i sportit Dodë Tahiri. Akoma pa hequr rrobat e luftës prej shtatit, Prekë Gjeloshi rikthehet në fushën e futbollit në kampionatin që rinis në vitin 1945. Tashmë Prekë Gjeloshi ishte jo vetëm lojtar i pjekur e titullar i ekipit, por edhe kapiten i Vllaznisë të cilën e udhëhoqi në luftën e vështirë drejt titullit në dy sezone të njëpasnjëshme në vitet 1945.1946, ku Vllaznia kurorëzohet pas 15 vitesh që e kërkonte këtë titull. Besnik Dizdari, tek libri “Historia e kampionateve kombëtare” thekson se 11-shja shkodrane e 1945 kishte jo pak emra të spikatur të viteve 30: Prekë Gjeloshi, Muc Koxhaj, Adem Smajli, Bimo Fakja, Ernest Halepjani, Loro Boriçi, Met Vasija, Latif Alibali, plot tetë nuk ishin pak, shto këtu edhe Dodë Tahirin që vinte nga kampionati i Malit të Zi. Vllaznia me 10 fitore, 1 humbje, edhe atë me aforfajt, vetëm me dy gola të pësuar nga SK 17 Nëntori, ishte bilanci i rezultateve të kësaj Vllaznie e cila kishte marrë atë që mendonte se i përkiste prej kohësh. Gazeta “Sporti” në gazmoren e vitit të ri 1946, kupërshëndeste kampionët e rinj të Shqipërisë, shkruante: Prekë Gjeloshi populluer / lojtar i muejit kallnuer. Do të vinte kampionati 46-të dhe përsëri Vllaznia do të shpallej kampione. Skuadra e kapedan Prekës ishte shumë e kompletuar, kompakte si kurrë ndonjëherë tjetër, me një mbrojtje të çeliktë, me një portjer shumë në formë të mirë, me një sulm të papërmbajtshëm, aq sa Vllaznia kishte tërësisht profil sulmues, duke shënuar 12 fitore radhazi me mesatare 3 gola për ndeshje, pa pësuar asnjë humbje dhe asnjë barazim dhe duke pësuar vetëm 3 gola, njërin prej të cilëve me penallti. Gjeloshi, si ndeshjen më mbresëlënëse kujton takimin me 17 Nëntorin në Tiranë, ku Vllaznia fitoi 5:1. për shkodranët 45 minutat e para qenë gjithë tension, ku pësuan një gol të pa evitueshëm dhe mbrojtja e portjeri Tahiri u gjendën për 44 minuta në shtetrrethim të plotë. Goli i barazimit i Adem Smajlit na dha frymë, ndërsa pjesa e dytë qe një rremoerë golash, plot 4 të tjerë për ne, kujtonte Gjeloshi, i cili duke bërë shaka me portjerin Tahiri, i thoshte bjeri fyellit se nuk të trazon më njeri për këtë ditë. Shtypi i kohës për Vllazninë e 46-ës shprehej: Tahiri, Gjeloshi, Dibra, Fakja, Osmani, Koxhaj ishin një gjashtëshe të cilën ashtu monolite nuk e kishin pa kampionatet e Shqipnisë. Prekë Gjeloshi është një nga themeluesit e nacionales shqiptare, pjestar i atij njëmbëdhjetëshi historik që luajti më 22 shtator 1946 të parën ndeshje zyrtare ndërkombëtareme përfaqësuesen e Malit të Zi, ndeshje që filloi me një start shumë të mbarë 5:0. Në Ballkaniadën e vitit 1946, Prekë Gjeloshi ishte në 22-en selektive të trajnerit jugosllav të Shqipërisë Broçiç, por Gjeloshi ballkaniadën e ndoqi nga stoli, ndonëse sot e kësaj dite mbetet disi enigmatike lënia jashtë formacionit e Prekë Gjeloshit, Jankut, Bizhutës e Xhelal Jukës. Trajneri këtë qëndrim e mbajti në çastet e fundit, para fillimit të ndeshjes së parë, duke skualifikuar Gjeloshin, që nuk ishte aspak më poshtë se të tjerët që luajtën, por duke qenë lojtar me temperament të qetë, i ndërgjegjësuar përpara unit të trajnerit, ndoshta Gjeloshi e Juka u sakrifikuan për të ruajtur frymën kompaktive në ekip, gjithsesi këto janë ligjet e futbollit dhe Gjeloshi nuk ishte as i pari, as i fundit që sakrifikohet nga trajnerët në futboll. Preka do të përballej në sfidat e rëndësishme ndërkombëtare me Vllazninë duke mbajtur plot dinjitet shiritin e kapitenit, si me Buduçnostin 2:2, me Tivarin 7:0, me Kotorrin 3:0, me Prishtinën 6:0, Hajdukun e Splitit 2:1 e 0:3, Spartak i Moskës 0:3, me SK Llovcën 3:1, me Titogradin 1:1, me Prizrenin 3:2, me Divizionin 46 Jugosllav 4:0 e 2:0.
Kapiteni që nuk kishte as një biçikletë I rritur jetim, i detyruar të braktisë shkollën vetëm për të fituar bukën e gojës, i pasionuar i tëri pas futbollit, Gjeloshi e kishte shumë të vështirë të përballonte nga njëra anë kërkesat rigoroze të një sportisti në formim e sipër, të sfidonte konkurencën mes një mori talentesh të spikatur të futbollit të kohës, dhe nga ana tjetër të ushqente gruan e fëmijët, t’i rriste e mirë edukonte ata. Është e paimagjinueshme për sot të thuhet se kapiteni i skuadrës kampione e lojtar i përfaqësueses, nuk kishte një biçikletë dhe rrugën për në stadium e bënte në këmbë nga fabrika e çimentos në rrëzë të Taraboshit e deri tek stadiumi. A ishte fyese, për të mos thënë diskriminuese, që një mjeshtër, një kampion me të cilin mburrej i gjithë qyteti, të punote në rolin e hamallit në fabrikën e çimentos dhe ashtu gjithë pluhur në mushkëri, punonte si motor diezel në fushën e lojës për të kënaq publikun e qytetit të tij çdo të diel ku stadiumi mbushej plot e përplot. A mund ta besojnë të rinjtë e sotëm për atë kohë kur sporti quhej pronë e masave, ndërsa përgjegjësi i turnit i jepte leje kapitenit të ekipit vetëm një orë përpara se të fillonte ndeshja. Ose pengohej qëllimisht kur kishte ndeshje me skuadrat e Tiranës, pasi i vini shumë makina në radhë nga Tirana të cialt duheshin ngarkuar detyrimisht. Preka në shumë ndeshje ka mbërritur në stadium vetëm në sajë të zemërgjerësisë së karrocierëve, të cilët donin ta kishin detyrimisht në kohë në krye të ekipit të tyre të zemrës. Burokratët e administratës së kuqe e përbuznin kapitenin Gjeloshi, e përçmonin si malësor, nuk ka si të shpjegohet ndryshe, këtë e tregonte edhe puna e rëndomtë që bënte, dhe ai nuk përulej as nuk e jepte veten, nuk dinte ç’është servilizmi, spiunllëku, hilet as ryshfeti. Nga ana tjetër me dyfytyrësi kuadrot e partisë u bënin moral të tjerëve, shikojeni Prekë Gjeloshin, shiheni si punon ai po ju mos jeni burra më të mirë. Prekë Gjeloshi ashtu i heshtur digjej përbrenda shpirtit të tij fisnik, vuante e përvëlohej por familja duhej mbajtur e duhej kujdesur pasi e konsideronte gjënë më të shtrenjtë. Fisnik, i dashur, i qeshur, i thjeshtë, zemër bardhë mbeti gjatë gjithë jetës. Kur isha gjimnazist e njoha Prekën personalisht pasi ai punonte si ambulator përpara Gjimnazit “29 Nëntori”. Aty gjatë orëve të lira mësova shumë gjëra për futbollin e Vllaznisë së viteve 40-50, duke i ndier nga vetë goja e një protagonisti, që në atë kohë përmendej shumë pak nga gazetarët sportivë. Prandaj ndoshta sikur të mos kisha patur fatin të njihesha personalisht me Prekë Gjeloshin, sot do të isha i papërgatitur të shkruaja qoftë edhe për Prekën, Mucin, Dodën, Muhametin, Palin, etj., yje të asaj periudhe. Prandaj shkrimi im dua të jetë një homazh modest për mjeshtrin e futbollit shkodran e shqiptar, për qytetarin e nderit të Shkodrës, Prekë Gjeloshi e shokët e tij të paharruar, që i dhanë emër futbollit shqiptar pas Luftës së Dytë. Prelë Milani
Rajoni Tiranë-Durrës, shumë shpejt pjesë e partner i Europës Duke patur parasysh se rajoni Tiranë-Durrës karakterizohet nga një numër anvantazhesh e dobësish, vizioni dhe synimi i përgjithshëm i rajonit është rritja e matur dhe zhvillimi i qëndrueshëm. Kjo ndihmon rajonin Tiranë-Durrës të bëhet një rajon urban në qendër të Shqipërisë, si dhe pjesë e partner i Europës. Më hollësisht kjo do të thotë që: · Rritja e rajonit Tiranë-Durrës duhet të vazhdojë. Megjithatë, kjo duhet të administrohet në mënyrë të matur në të ardhmen. · Në rajonin Tiranë-Durrës, zhvillimi i qëndrueshëm do të jetë udhëzuesi kryesor për zhvillim. Kjo kërkon që konsideratat ekonomike, shoqërore, e ekologjike të ekuilibrohen mirë në zhvillimin rajonal dhe që çdo zhvillim të sigurojë që brezat e së ardhmes të kenë të njëjtat alternativa zhvillimi si brezat që jetojnë sot. · Rajoni Tiranë-Durrës do të përbëjë një rajon të integruar urban. Kjo kërkon nj bashkëpunim të ngushtë midis pushtetit qëndror dhe ograneve lokale, si dhe bashkive e komunave në rajon, bazuar në respektin e përbashkët. Gjithashtu, duhet të nxiten edhe partneriteti midis sektorëve publikë e privat. · Rajoni Tiranë-Durrës, jo vetëm që ndodhetnë zemër të Shqipërisë, por luan gjithashtu një rol përcaktues për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik e shoqëror të gjithë vendit. Si rrjedhim, zhvillimi i rajonit është i ndërlidhur ngushtë me zhvillimin e të gjithë shoqërisë dhe ekonomisë dhe kërkon vëmendjen e mëtejshme të qeverisë. · Rajoni Tiranë-Durrës është porta e Shqipërisë në lidhje me Bashkimin Evropian. Integrimi i rajonit në zhvillimin e përgjithshëm Evropian do të nxitej më tej. · Rajoni Tiranë-Durrës do të vazhdojë të jetë një partner i besueshëm në Evropë. Si rrjedhim, do të zbatohen sa më gjerë të jetë e mundur standartet dhe proçedurat Evropiane në zhvillimin rajonal.
Synimet e zhvillimit Vizioni dhe parimi i përgjithshëm udhëheqës për zhvillim, përcaktohen nëpërmjet synimeve të mëposhtme: · Do t’i jepet përparësi përmirësimeve social-ekonomike dhe zhvillimit më të ekuilibruar rajonal. · Do të përmirësohen dhe nxiten më tej kushtet për zhvillimin ekonomik dhe për të konkurruar në planin ndërkombëtar, si dhe për një zhvillim, që mbështetet kryesisht në potencialet dhe njohuritë teknike lokale. · Do të rishikohet kuadri ligjor e institucional për planifikimin dhe zhvillimin. Administrimi i tokës dhe planifikimi i përdorimit të saj do të përmirësohet duke nxitur një rritje të strukturuar mirë dhe integrimit e koordinimit e nevojave ekonomike, sociale dhe ekologjike. · Do të ndërtohen dhe përmirësohen infrastruktura e transportit dhe një rrjet i integruar transporti, që lehtëson lidhjet e duhura ndërkombëtare e ndër-rajonale, si dhe sistemet e përshtatshme të komunikimit ndër-rajonal. · Shërbimet në bazë të infrastrukturës teknike e komunale do të sigurohen në një nivel të pranueshëm në të gjitha pjesët e rajonit. · Do të ndërtohet ose përmirësohet infrastruktura bazë shoqërore, duke i kushtuar vëmendje të veçantë objekteve të arsimit dhe shëndetësisë. · Cilësia e mjedisit do të përmirësohet në mënyrë që të plotësohen standartet ndërkombëtare mjedisore, zonat e kontaminuara do të rehabilitohen, burimet ujore do të mbrohen, cilësia e ujit do të përmirësohet ku të jetë e nevojshme dhe do të sigurohet cilësia e duhur e jetesës. · Do të nxitet zhvillimi i integruar rural bazë në lidhjet e përmirësuara midis zonave urbane e rurale të rajonit të cilat nxisin projekte lokale dhe aktivizimin e nismave lokale. · Do të organizohen dhe përmirësohen kapacitetet administrative dhe planifikuese në nivel komunal. · Do të vendoset dhe sigurohet pjesëmarrja e komunave në vendim-marrje rreth programeve dhe projekteve, që ndodhen ose orientohen drejt zhvillimit të rajonit Tiranë-Durrës. · Do të nxitet partneriteti midis komunave dhe qyteteve në rajon. · Do të përmirësohet informacioni rreth projekteve të zhvillimit dhe do të vendoset një koordinim më i mirë midis agjensive të zbatimit, duke i kushtuar vëmendje të veçantë donatorëve.
Përshkrimi, Qëllimi i Konceptit të Zhvillimit, Metodologjia Sipas Konceptit të Zhvillimit Rajonal, zona Tiranë-Durrës trajtohet si një zonë e vetme e bashkuar urbane që ndodhet në qendër të Shqipërisë. Zona e studimit nuk është në përputhje me rajonet administrative apo politike, pasi ajo mbulon pjesë të dy qaraeve të ndryshme – rrethin e Tiranës dhe rrethin e Durrësit. Koncepti i Zhvillimit Rajonal është një dokument jozyrtar që mbështet mbi analizën e avantazheve dhe dobësive kryesore të rajonit, përcakton qëllimet dhe përparësitë e zhvillimit dhe siguron një bazë për masa të mëtejshme brenda një kuadri të gjithanshëm zhvillimi. Koncepti është përpunuar nëpërmjet një mënyre bashkëpunimi nga poshtë-lart. Formulimi i këtij koncepti u nis nga Qeveria Shqiptare në bashkëpunim me Korporatën Gjermane të Bashkëpunimit Teknik (GTZ), dhe përpunimi i tij është mbështetur gjërësisht nga isntitucionet e Qeverisë Shqiptare. Megjithatë, duhet thënë se edhe Komunat e zonës Tiranë-Durrës kanë marrë pjesë aktivisht qysh nga fillimi. Gjithashtu, janë përfshirë sektori privat dhe donatorë të huaj. Koncepti i Zhvillimit Rajonal për zonën Tiranë-Durrës konsiderohet si një kontribut për Studimin e Zhvillimit Rajonal për zonën Tiranë-Durrës, i cili kryhet në mbikqyrjen e Ministrisë së Punëve Publike. Në funksion të përpunimit të këtij koncepti është ngritur një strukturë pune e bashkëpunimi, e cila përmban një grup pune (komitet drejtues) me tre nën-grupe (zhvillimi social-ekonomik, inrfastruktura, mjedisi dhe zhvillimi rural). Gjithashtu, komunat, sektori privat dhe donatorët e huaj janë konsideruar si partnerë këshillimorë. Përmbajtja e Konceptit të Zhvillimit Rajonal të zonës Tiranë-Durrës është rezultat i studimeve tematike të kryera nga specialistë shqiptarë dhe një numër seminaresh. Si hap i parë, u përgatitën rreth 20 studime të specialistëve shqiptarë, të cilët trajtojnë një gamë të gjerë temash qysh nga demografia, zhvillimi ekonomik dhe infrastruktura, deri tek problemet mjesidore dhe rreziqet sizmike.
Struktura hapsinore e rajonit Tiranë-Durrës Sipërfaqja e studimit të Konceptit të Zhvillimit Rajonal për rajonin Tiranë-Durrës shtrihet përgjatë korridorit rreth 35 km ndërmjet dy rrugëve kryesore që lidhin Tiranën me Durrësin. Në këtë zonë ndodhen 35 përqind e ndërmarrjeve shqiptare dhe 60 përqind e investimeve të huaja. Vendndodhja e zonës në qendër të Shqipërisë është shumë e favorshme për zhvillim. Tirana e Durrësi përbëjnë tregjet më të mëdha të vendit. Durrësi është porti detar më i madh në Shqipëri, i cili trajton 85 përqind të tregtisë detare. Rrugët kryesore, që lidhin Tiranën me Durrësin si dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, ndodhen në këtë zonë. Që nga fillimi i viteve ’90, Tirana e Durrësi kanë përjetuar një lëvizje të fuqishme të popullsisë. Gjatë viteve të fundit, popullsia është dyfishuar në 1.2 milion. Megjithatë, shumë të rinj largohen nga kjo zonë për shkak të papunësisë dhe problemeve sociale e ekonomike. Ndonëse përgjatë rrugëve kryesore e në mbarë zonën po bëhen shumë ndërtime dhe megjithë shtrirjen masive urbane rreth qyteteve të Tiranës dhe Durrësit, ende ka mundësi për rritje të mëtejshme, po të merret në konsideratë toka që disponohet në shumë zona. Megjithatë, pjesa më e madhe e ndërtimeve raportohen si jo të ligjshme. Shumë ndërtime janë bërë pengesë për zhvillimin e infrastrukturës dhe ato zënë tokën bujqësore, e cila në zonat afër rrugëve kryesore është reduktuar me shpejtësi. Një problem tjetër i kësaj rritje kaotike është se, numri i vendeve të mundshme për ndërtimin e objekteve të mëdha të zhvillimit ekonomik, që kërkojnë hapësira të gjëra, po pakësohet. Mbërritja e komunave në rajon nuk është e mirë, për shkak të mungesës së transportit publik. Përgjithësisht rrugët janë në kushte të këqija, pasi ndërtimi i rrugëve të reja është i kufizuar, ndërkohë që mirëmbajtja e rrugëve ekzistuese bëhet shumë rrallë ose fare. Pjesa më e madhe e rrjeteve të tjera të infrastrukturës teknike është në kushte të këqija.
Rajoni Tiranë-Durrës, në një kontekst Evropian Shqipëria është pjesë integrale e Evropës, një partnere serioze e Bashkimit Evropian dhe në perspektivën afat-mesme dhe afat-gjatë synon të bëhet një nga shtetet kandidate për antarësim. Kjo kërkon që, rajonet e Shqipërisë t’i kushtojnë vëmendje të veçantë kuadrit Evropian gjatë nxitjes së zhvillimit të tyre. Ndërmjet objektivave kryesore të Bashkimit Evropian janë kohezioni social, si dhe harmonizimi dhe përmirësimi i kushteve të jetës në të gjithë shtetet anëtare. Për të arritur këtë qëllim, Bashkimi Evropian ka krijuar instrumenta të ndryshëm, midis të cilëve fondet strukturore luajnë një rol të veçantë. Shpërndarja e fondeve zakonisht mbështetet në konceptet e zhvillimit rajonal, të cilët duhet të përgatiten në bashkëpunim me autoritetet dhe institucionet lokale e rajonale. Ato duhet të përfshijnë një analizë, si dhe një përkufizim të qëllimeve, strategjive dhe përparësive. Shqipëria preket gjithashtu nga korridoret pan-evropiane të transportit, korridori Nr. 8 kalon nga Durrësi nëpërmjet Shkupit, në Sofie dhe Varna. Një instrument tjetër i rëndësishëm i cili mbështetet jo vetëm nga Bashkimi Evropian, por gjithashtu nga disa vende të tjera e ogranizata ndërkombëtare, është Pakti i Stabilitetit për Evropën Jug-Lindore. Ky ka për qëllim të nxisë paqen, demokracinë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe begatinë ekonomike, në mënyrë që të arrihet stabiliteti në të gjithë rajonin, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.
Avantazhet dhe dobësitë e rajonit Tiranë-Durrës Zona Tiranë-Durrës karakterizohet nga një numër avantazhesh e dobësish. Në lidhje me përpunimin e Konceptit të Zhvillimit Rajonal, mund të dallohen nëntë aspektet e mëposhtëm tematik e institucional: 1 Demografia dhe situata shoqërore 2 Struktura ekonomike dhe zhvillimi 3 Zhvillimi hapsinor dhe shfrytëzimi i tokës 4 Transporti 5 Infrastruktura komunale teknike 6 Infrastruktura shoqërore 7 Kushtet natyrore dhe mjedisi 8 Zhvillimi rural 9 Kuadri i përgjithshëm dhe institucionet Analiza mbështetet kryesisht në studimet nga specialistët shqiptarë, të cilët nuk mbulojnë gjithmonë të njëjtën zonë. Për shembull, disa studime përfshijnë Tiranën dhe Durrësin ndërsa të tjerë përqëndrohen në komunitetet rurale ndëmjet tyre. Kjo e bën të vështirë ndërlidhjen e rezultateve.
Demografia dhe Situtata Shoqërore Që nga vitet ’90 situata e përgjithshme demografike karakterizohet nga një migrim i pakontrolluar i brendshëm, që ka çuar në rritjen e menjëhershme të popullsisë në zonën e kryeqytetit të Shqipërisë. Për shembull, popullsia në zonën e studimit brenda rrethit të Tiranës është rritur gjatë periudhës 1992 deri 1999 me 87 përqind në zonat urbane dhe me 83 përqind në zonat rurale. Në të njëjtën periudhë, popullsia urbane në zonën e studimit brenda Rrethit të Durrësit është rritur, resektivisht, me 39 përqind dhe 28 përqind. Megjithatë, në të gjitha komunat dhe fshatrat e zonës së studimit, rritja e popullsisë po zbret në mënyrë të ndjeshme që nga mesi i viteve ’90. Sipas parashikimeve të fundit, popullsia në zonën e studimit parashikohet të rritet deri në vitin 2015 në 1,298,000 banorë, prej të cilëve 966,000 do të jetojnë në rrethin e Tiranës dhe 332,000 banorë në rrethin e Durrësit. Përqindja e popullsisë nën moshën e punës (15-60 vjeç) ka rënë në zonën e studimit gjatë dekadës së fundit, ndonëse ajo ende është relativisht e lartë. Sipas vëzhgimeve të fundit, rreth 29 përqind e banorëve i përkasin këtij grupi në rrethin e Tiranës dhe 30.7 përqind në rrethin e Durrësit. Rënia e numrit të të rinjve lidhet me tendencën përgjithësisht në rënie të lindjeve, që ka sjellë një rritje të peshës specifike të popullsisë, që është e aftë të punojë. Madhësia mesatare e familjeve është rreth 4 persona, me një numër pak më të lartë në zonat rurale. Rreth 70 përqind e familjeve përbëhen nga më shumë se 2 anëtarë, ku familjet me 4-5 persona përfaqësojnë 45 përqind. Ky është rezultat i ndryshimeve në mënyrën e jetesës, reduktimit të numrit të lindjeve, rritjes së kërkesave familjare dhe emancipimit të tyre dhe të numrit në rritje të divorceve. Shprehje të dukshme të këtij proçesi janë, në njërën anë, shtrirja masive urbane në zonën Tiranë-Durrës, numri i madh i ndërtimeve ilegale, zhvillimi i pakontrolluar e tepër kaotik si dhe rritja e numrit të banorëve (kryesisht të ardhur) pa një punë të rregullt dhe të ardhura të mjaftueshme. Nga ana tjetër, situata e përgjithshme ekonomike e shoqërore në Shqipëri ka çuar në një emigracion të lartë, me largimet më të mëdha gjatë vitit 1997, kur në një vit, një në çdo pesë banorë (735,500 persona) u larguan nga vendi. Megjithatë, struktura e qëndrueshme e familjes, që karakterizohet nga marrëdhënie të fuqishme midis anëtarëve të saj, si dhe madhësia mesatare e familjeve, që lehtëson furnizimin efektiv të tyre, janë avantazhe kryesore në planin tematik “Demografia dhe Situata Shoqërore”. Dobësitë kryesore janë migrimi i brendshëm dhe emigrimi i një force punonjësish krijues e fleksibël.
Struktura ekonomike dhe zhvillimi Rajoni Tiranë-Durrës po përjeton një zhvillim të shpejtë, ndonëse sipas standarteve ndërkombëtare, ky është ende tepër i dobët. Përsa i përket strukturës ekonomike, qendrat ekzistuese industriale në pjesën veriore të rajonit Tiranë-Durrës, si p.sh. ndërmarrjet e prodhimit të ushqimeve e të ndërtimit dhe sektori dinamik i shërbimeve, ku më dukshëm përfshihen gastronomia, tregtia dhe repartet e riparimeve, përbëjnë avantazhet kryesore. Sektorët më të rëndësishëm ekonomikë, përsa i përket punësimit, janë tregtia dhe industria. Në kontrast me nivelin kombëtar të PBB, ku bujqësia përfaqëson mbi 50 përqind të tij, ndërtimi dhe bujqësia janë sektorët më pak të rëndësishëm të punësimit në rajon. Sidoqoftë duhet patur parasysh që, sektori i pazyrtarizuar, ndonëse pa shumë ndryshime, nuk është marrë në konsideratë për shkak të mungesës së të dhënave. Qendrat më të rëndësishme ekonomike të rajonit midis Tiranës dhe Durrësit – vetë qytetet nuk janë përfshirë – janë Vora me 920 punonjës, Kamza me 830 punonjës dhe Sukth i Ri me 260 punonjës. Gjithashtu, aktiviteti industrial e tregtar janë përqëndruar midis Tiranës, Vorës dhe Vaqarrit, si dhe midis Durrësit dhe Sukthit të Ri, pa përmendur rrethinat e Tiranës dhe Durrësit. Përveç sa më lart, rajoni ka potencial për turizmin ndërkombëtar, veçanërisht përgjatë vijës bregdetare. Megjithatë, turizmi nuk është konkurrues në tregjet ndërkombëtare, për shkak të gjendjes së dobët të mjedisit në rajon, cilësisë së dobët të ujërave detare dhe shtrirjes së pakontrolluar urbane. Nga një vëzhgim i kohëve të fundit i aktivitetit tregtar të ndërmarrjeve të rajonit, aspektet e mëposhtme u identifikuan si pengesat kryesore për zhvillimin ekonomik: · 60 përqind e ndërmarrjeve ushtrojnë aktivitetin me makineri të përdorura dhe 20 përqind me makineri të vjetra; · mungesa e njohurive mbi marketingun dhe aftësive administrative; · deri tani, vetëm një pjesë e vogël e kompanive ka marrë kredi; · mungesa e tregut të aksioneve dhe e tregut të kapitaleve; · përqindje shumë të ulëta të eksportit për shkak të konkurrencës së dobët.
Zhvillimi hapësinor dhe shfrytëzimi i tokës Zhvillimi hapësinor dhe shfrytëzimi i tokës në zonën Tiranë-Durrës është shumë problematike. Nga njëra anë ka disa avantazhe, më i rëndësishmi prej të cilëve është prania e tokave të zhvilluara dhe gati për ndërtime. Duke përfshirë ish-zonat industriale dhe tokat që përdoreshin nga ushtria. Nga ana tjetër, shtrirja e pakontrolluar urbane, ndërtimet e shkëputura në tokat arë, konfliktet e pazgjidhura të pronësisë, mungesa e srtukturave institucionale dhe proçedurave për përpunimin dhe koordinimin e planeve të shfrytëzimit të tokës, janë identifikuar si dobësi serioze. Një studim rreth përdorimit të tokës në disa zona të zgjedhura në rrethinat e Tiranës dhe Durrësit çoi në rezultatet e mëposhtme: · Shumë ndërtesa janë ndërtuar gjatë periudhës midis 1991 dhe 1999 (afërsisht 70 përqind e godinave). · Më shumë se 80 përqind e pëdoruesve deklarojnë veten pronarë të pronës, por vetëm afërsisht 30 përqind kanë vërtetim pronësie. Ka shumë zona ku ka vendosje të pakontrolluara e kaotike, p.sh. në Kamëz ose Rrashbull. Zona më kritike është veriu i Durrësit, sepse ndodhet në një zonë aktive sizmike dhe pjesërisht në kënetë me kushte të pafavorshme hidraulike.
Transporti Zona Tiranë-Durrës është e lidhur mirë me linjat kombëtare e ndërkombëtare të komunikimit, në sajë të vendndodhjes së saj në qendër të Shqipërisë. Në total, ka dhjetë korridore pan-evropiane të transportit, të cilët janë identifikuar nga ministrat evropianë të transportit gjatë konferencës së tyre në Helsinkinë vitin 1997, bazuar në rezultatet e një konference të mëparshme, që u zhvillua në Kretë në vitin 1994. korridoret kanë për qëllim të përmirësojnë tregtinë dhe lëvizjen brenda Evropës. Në dokumentin “Vizioni Planetit”, është propozuar një korridor tjetër evropian transporti nga kufiri grek nëpërmjet Tiranës dhe Podgoricës, në Beograd. Ekziston një potencial i konsiderueshëm për krijimin e nyjeve të trafikut intermodal, duke lidhur trafikun rrugor me transportin hekurudhor, detar e ajror. Lidhur me dobësitë kryesore duhet thënë se, njëra është arritja e pamjaftueshme e fshatarëve më të vegjël, veçanërisht në zonat malore, për shkak të kushteve të këqija të rrugëve. Probleme të tjera janë rritja e shpejtë e trafikut të makinave dhe numri i madh i makinave të vjetra, me përqindje të lartë ndotjeje. Në zonën e studimit ka rreth 170 km rrugë kombëtare, 211 km rrugë lokale dhe 172 km rrugë urbane. Ndërkohë, rreth 34 km rrugë është në ndërtim e sipër. Aktualisht, numri i automjeteve është 50,000 dhe rreth 17,000 automjete përdoren për transportimin e mallrave. Rritja vjetore e numrit të automjeteve në rajon është 2.6 herë më e madhe se mesatarja kombëtare, me një normë vjetore rritje prej 62.6 përqind në vitin 1999. Rrjeti hekurudhor rajonal përbëhet nga 97 km trase me gjashtë stacione pasagjerësh. Aeroporti ndërkombëtar i Rinasit ka një pistë me një gjatësi prej 2.7 km. Kompania kombëtare Shqiptare e Aviacionit zotëron katër aeroplanë.
Infrastruktura komunale teknike dhe ajo sociale Infrastruktura komunale teknike në zonën Tiranë-Durrës ndodhet në kushte të dobëta. Në rajon ekziston një sistem i pamjaftueshëm pusesh, rezervuaresh dhe tubacionesh. Problemet dalin nga fakti se: · të gjithë banorët përfitojnë nga furnizimi i ujit, por ndërmarrjet e ujit faturojnë më pak se sa konsumohet, · vetëm pak shtëpi/familje kanë mjete matëse të konsumit të ujit, · sasi të konsiderueshme të ujit të pijshëm humbin në rrjet, për shkak të lidhjeve të paligjshme. Vëllimi i mbeturinave/frymë dhe në vit është shumë më i mahd në bashkitë e rajonit se në komunat rurale. Mbeturinat urbane hidhen në fusha të hapura, pa ndonjë sistem kullimi apo mbulesë të rregullt. Përsa i përket sigurimit të objekteve të infrastrukturës sociale, ekziston një kontrast imprehtë midis Tiranës dhe pjesërisht Durrësit, në njërën anë dhe pjesës tjetër të rajonit, në anën tjetër. Sigurimi i arsimit 8-vjeçar falas dhe disponueshmëria e objekteve për trajtimin bazë mjekësor në disa zona rurale përgjithësisht duhen konsideruar si avantazhe. Megjithatë, ndërkohë që në Tiranë ekzistojnë objekte kulturore, arsimore e mjekësore tepër të ndryshme të shpërndara gjerë e të sofistikuara, jashtë Tiranës, sidomos në komunat rurale, ka vetëm një infrastrukturë sociale bazë.
Kushtet natyrore dhe mjedisi Kushtet e shëndosha natyrore, si dhe mjedisi i sigurtë e i pastër, kanë një efekt të fuqishëm mbi kushtet e jetesës së popullsisë dhe janë elemente bazë për krijimin e një klime të favorshme ekonomike në një zonë, si dhe për zhvillimin e turizmit. Në këtë këndvështrim, Plani Kombëtar i Veprimit për Mjedisin, që është përfunduar kohët e fundit, siguron një kuadrë të përgjithshëm për zhvillim. Avantazhe të tjera në këtë fushë janë disponueshmëria e burimeve ujore, numri i madh i rezervuareve ujorë, pjelloria e tokave, klima e favorshme dhe disa projekte të rëndësishme që po zbatohen. Nga ana tjetër, ekzistojnë shumë dobësi që lidhen me mjedisin si: mungesa e objekteve për përpunimin e ujërave të zeza, gërryerja e tokës përgjatë brigjeve të lumenjve e plazheve dhe ndotja, që shkaktohet nga depozitimi i pakontrolluar i mbetjeve toksike kimike. Përveç këtyre, në disa zona të rajonit ka rreziqe të mëdah sizmike, të cilave duhet t’u kushtohet një vëmendje më e madhe në të ardhmen. Një nga avantazhet kryesore të rajonit është ekzistenca e hapësirave të hapura të mbuluara me drurë p.sh. në veri të Durrësit, përgjatë lumenjve, në qendër të rajonit dhe rreth Malit të Dajtit. Cilësia e ujit të lumit Erzen, që rrjedh përmes pjesës jugore, është shumë e mirë. Përsa i përket lumit të Lanës, situata është krejt ndryshe. Sipas një studimi të fundit, ky lumë është kaq i ndotur nga qyteti i Tiranës, sa ka një kërkesë biologjike për oksigjen në masën 200 mg/l, që e barazon atë me cilësinë e ujërave të zeza. Rajoni ka një klimë Mesdhetare me rreshje vjetore prej 950 mm. Numri i ditëve në vit me rreshje më shumë se 1mm, luhatet nga 80 deri në 100. Temperatura vjetore luhatet në nivelin 15°-16°C. Periudha e vegjetacionit fillon në ditët e para të Marsit dhe përfundon në ditët e para të Dhjetorit. Cilësia e ajrit në rajon është përgjithësisht shumë e mirë, për shkak të rënies së aktivitetit industrial. Në qytete, ajri është i ndotur nga trafiku, por standartet sanitare tejkalohen vetëm përgjatë rrugëve kryesore. Përsa i përket potencialit të tërmeteve, nuk është e mundur të përshkruhen saktësisht rreziqet sizmike për të gjithë zonën e studimit. Vendet më të rrezikshme janë këneta dhe shpatet e kodrave në lindje dhe veri të Durrësit. Gjithashtu, ekziston një rrezik relativisht i laretë në zonën midis Tiranës dhe Prezës. Një problem serioz është nxjerrja e zhavorrit përgjatë lumit Erzen, pasi kjo çon në degradimin e shtratit të lumit dhe të pjesëve të caktuar të bregdetit. Sedimentimi i vazhdueshëm (1.8 milion metër kubik në vit) po rezulton në një përparim konstant të deltës së lumit drejt litoralit. Në të njëjtën kohë, plazhi në veri të deltës së lumit po pëson një erozion të konsiderueshëm dhe deti ka avancuar rreth 1,200 metra drejt tokës. Gjithashtu, nyjat e përpunimit të zhavorrit në Romanat dhe në vendet të tjera kanë shkaktuar rritjen e gërryerjes së brigjeve të lumit midis digës së Ndroqit dhe zonës së Hardhishtës.
Zhvillimi Rural Disa prej avantazheve mjedisore, si klima apo pjelloria e tokave, lidhen gjithashtu dhe me zhvillimin rural. Aspekte të mëtejshme pozitive në këtë fushë janë rëndësia e madhe e bujqësisë për ekonominë shqiptare, numri i madh i të rinjve dhe afërsia me tregjet. Dobësitë më serioze janë humbja e tokës bujqësore, për shkak të ndërtimeve në shkallë të gjerë, niveli i ulët i investimeve në teknologjinë bujqësore dhe mangësitë në marketingun bujqësor. Tokat më të mira gjenden në Nikël, Sukth dhe Xhafzotaj. Nga ana tjetër, erozioni paraqitet në nivele shumë të larta me një mesatare prej 53 t/ha/a. Në rajon gjenden rreth 21 rezervuare me një potencial ujitës prej 15,000 hektarë, ndërkohë që ujiten vetëm 9,000 ha. Si rrjedhim, Banka Botërore ka nisur financimin e një projekti për rehabilitimin e sitemit të ujitjes. Nga një vëzhgim i kryer në vitin 2000, vetëm rreth 60 përqind e familjeve blejnë fara dhe vetëm 48 përqind përdorin plehëra kimikë. Si rezultat i proçesit të privatizimit, fermat janë shumë të vogla, me një madhësi mesatare prej 1.1 ha për familje. Pengesa më të rëndësishme, në përpjekje për të rritur prodhimtarinë, janë mungesa e kapitalit dhe gjendja e dobët e sistemeve të ujitjes. Përpunimi dhe tregtimi i produkteve bujqësore mbetet i ulët dhe përpunimi kryhet kryesisht në fabrika e reparte të vogla. Në eksportimin e mallrave bujqësore, ekziston një potencial i madh. Momentalisht, importi i artikujve ushqimorë është dhjetë herë më i madh se eksporti i tyre. vëllimi i eksporteve është i ulët, kryesisht për shkak të standarteve të ulëta të cilësisë dhe marketingut të dobët. Në zonën e studimit, aktualisht mbahen 40.000 krerë lopë, 18.000 krerë dele dhe 216.600 pula. Gjithashtu, fermerët zotërjojnë 23.000 traktorë. Tre të katërtat e tokës punohet nëpërmjet makinerisë. Prodhimet kryesore janë gruri, patatja, fasulja dhe perimet. Pjesa më e madhe e prodhimeve bujqësore shiten direkt nga fermeri.
Kuadri i përgjithshëm dhe institucional Kuadri i përgjithshëm politik e institucional është një nga faktorët më të rëndësishëm të një ekonomie në zhvillim, që kërkon investitorë nga jashtë dhe që është e gatshme të integrohet më afër me ekonominë botërore. Përsa i përket kuadrit të përgjithshëm, një nga aspektet më pozitive të Shqipërisë, është niveli relativisht i lartë i integrimit të kulturave e besimeve të ndryshme. Shqipëria karakterizohet nga një shoqëri tepër e larmishme, me kultura të ndryshme. Në të njëjtën kohë ka dhe shumë dobësi si: çmimi i papërshtatshëm për burimet natyrore, niveli i ulët i të ardhurave të komunave në marrëdhënie me funksionet e tyre dhe gjendja e vështirë e pronës së pushtetit lokal. Një problem specifik i rajonit është fakti që, kjo zonë nuk është një rajon me kuptimin e plotë, pasi ai i përket dy rretheve të ndryshme (Qarkut të Tiranës dhe Qarkut të Durrësit). Për pasojë, nuk ekziston një institucion politik ose administrativ për të përfaqësuar rajonin e për të mbrojtur interesat e tij. Kjo e bën edhe më të vështirë gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për çështje të rëndësisë rajonale.
Demografia dhe situata shoqërore Lidhur me demografinë dhe situatën shoqërore, janë identifikuar dy synime kryesore, bashkë me masat përkatëse: krijimi i mundësive për punësimin e të rinjve dhe përmirësimi i cilësisë së jetesës. Rinia është një nga potencialet më vendimtare të zhvillimit të vendit. Arsimimi, kualifikimi dhe aftësitë e saj përcaktojnë të ardhmen e vendit dhe aftësinë e tij për të përshpejtuar zhvillimin. Si rrjedhim, pushteti qendror duhet të sigurojë një kuadër mbështetës për të krijuar më shumë mundësi punësimi për ta mbajtur rininë në vend. Kjo duhet të shqërohet nga masa për rritjen e cilësisë së jetesës në rajon, veçanërisht në zonat rurale dhe për të reduktuar varfërinë. Nevojiten më shumë aktivitete të orientuara drejt studimit dhe hartimit të propozimeve specifike, lidhur me rritjen e të ardhurave dhe reduktimin e varfërisë p.sh. projektet e infrastrukturës. Përveç sa më lart, duhet të organizohen më shumë aktivitete, që kanë të bëjnë me industrinë lokale, bujqësinë dhe produktet blegtorale, si dhe përmirësimin e objekteve të infrastrukturës sociale. Donatorët ndërkombëtarë, si dhe Bashkimi Evropian, duhet të bëhen më të ndërgjegjshme për ngutshmërinë e zgjidhjeve në këto fusha. Projektet respektive në rajonin Tiranë-Durrës duhet të propozohen, diskutohen dhe nxiten më intensivisht.
Struktura ekonomike dhe zhvillimi Në fushën e ekonomisë, synimi kryesor drejtohet në përmirësimin e kuadrit ekonomik dhe, në mënyrë indirekte, në pakësimin e varfërisë në rajonin Tiranë-Durrës. Ky mund të arrihet duke siguruar objekte e programe kualifikimi, kushte të favorshme infrastrukture dhe specializimi në sektorët ekonomikë të cilët kanë avantazhe krahasues. Kualifikimi dhe infrastruktura janë faktorë përcaktues në zhvillimin ekonomik dhe për suksesin e një rajoni në planin e konkurencës ndërkombëtare për investime. Investimet e huaja mund të mobilizohen vetëm nëse sigurohet një fuqi punëtore e duhur dhe mjete/objekte të besueshme të infrastrukturës. Ndërmarrjet lokale kanë nevojë për këshilla e mbështetje më specifike.
Zhvillimi hapësinor dhe shfrytëzimi i tokës Përsa i përket zhvillimit hapësinor dhe shfrytëzimit të tokës, zona Tiranë-Durrës ka nevojë urgjente për metoda e mjete më të mira planifikuese. Nevojitet të identifikohen zonat prioritare për shtrirjen e banesave në të ardhmen. Zonat në zhvillim, që janë ndërtuar në mënyrë të paplanifikuarm do të integrohen në kuarin urban sa më shumë të jetë e mundur. Qartësimi i rasteve të pazgjidhura, që lidhen me pronësinë e tokës, janë një parakusht i rëndësishëm për përshpejtimin e zhvillimit. Komunat do të forcohen nga pikpamja administrative e teknike, sepse vetëm nëse bëhen partnerë realë në zhvillim, komunat do të jenë të afta të marrin përsipër përgjegjësitë për të ardhmen e tyre. Aktivitetet decentralizuese, që vazhdojnë të realizohen nga Qeveria Shqiptare dhe donatorët ndërkombëtarë, duhet të forcohen dhe të shtrihen në komunat e rajonit Tiranë-Durrës. Përveç aktiviteteve në vazhdim për regjistrimin e tokës, duhet të nxitet planifikimi i përdorimit të tokës dhe qeverisja rajonale dhe komunat duhet të ndihmohen aktivisht për zhvillimin e aftësive për përmbushjen e detyrave të tyre. gjithashtu, aktivitetet në kuadrin e bashkëpunimit ndërkombëtar, lidhur me zhvillimin e Tiranës dhe rrethinave të saj, duhet të lidhen ngushtë me përpjekjet për zhvillim, që lidhen me të gjithë rajonin. Aktivitetet në nivel sektori duhet të vendosen dhe shikohen në dritën e një kuadri zhvillimi më të integruar.
Transporti Lidhur me transportin, mbërritja në të gjitha pjesët e rajonit ka një prioritet të lartë për zhvillimin e përgjithshëm të rajonit Tiranë-Durrës dhe për integrimin e tij fizik e funksional. Transporti publik ka një rëndësi të jashtëzakonshme në këtë drejtim. Linja ekzistuese herkurudhore, si dhe sistemi ekzistues rrugor, mund të ketë një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim, nëse ato modernizohen dhe përmirësohen. Arritja e zonave rurale në tokat bujqësore, pyje e kullota është e rëndësishme për të siguruar infrastrukturë efektive dhe për të intensifikuar mundësitë e tregtimit të fermerëve në këto zona. Duke qenë se, realizimi i projekteve kërkon fonde të konsiderueshme, për këtë sektor propozohen një numër studimesh.
Infrastruktura komunale dhe ajo sociale Infrastruktura teknike në rajon ka nevojë urgjente për rehabilitimin bazë për zhvillim të mëtejshëm. Veçanërisht komunat kanë nevojë për një strategji e nismë të përgjithshme. Megjithatë, atyre u mungojnë burimet e nevojshme financiare për të realizuar vetë masat përkatëse. Kështu, ato varen tërësisht nga investimet në nivel kombëtar ose ndërkombëtar. Në lidhje me infrastrukturën komunale, ka nevoja të mëdha në pothuaj çdo drejtim, gjë që e bën të vështirë përcaktimin në përgjithësi të prioriteteve. Ato mund të përcaktohen vetëm pas një shqyrtimi të kujdesshëm, duke marrë në konsideratë rrethanat për çdo rast të veçantë. Furnizimi me energji elektrike ka nevoja urgjente për përmirësim. Megjithatë, kjo mbetet kryesisht një detyrë kombëtare dhe nuk mund të realizohet në nivel rajonal. Infrastruktura sociale ka nevojë të modernizohet dhe zhvillohet më tej në shumë pjesë të rajonit Tiranë-Durrës. Qendrat rurale kërkojnë veçanërisht më shumë vëmendje në lidhje me përmirësimin e objekteve bazë të arsimimit dhe shëndetësisë. Për këtë duhet të mbështetet dhe realizohet një hetim më i hollësishëm. Kjo mund të shërbejë gjithashtu si bazë për përmirësimin e mbarështimit në këtë fushë.
Kushtet natyrore dhe mjedisi Përmirësimi i kushteve natyrore dhe mjedisit kërkojnë një kuadër të gjerë aktivitetesh. Disa synojnë drejt projekteve krejtësisht të detajuar, ndërsa të tjerët priren të stimulojnë studime të mëtejshme, që mund të bëhen pikënisje për projekte. Për shembull, për zonat, që janë të pasigurta në drejtim të rreziqeve natyrore, për sistemin e trajtimit të ujërave të zeza të Durrësit dhe rrethinave të tij dhe për mënyrat tradicionale dhe efektive të ndërtimit, nevojitet të përgatiten studime. Gama e gjerë e synimeve dhe propozimeve për projekte në lidhje me kushtet natyrore dhe mjedisin, mund të bëhet një ngarkesë e madhe për Qeverinë Shqiptare, pasi kërkojnë fonde të konsiderueshme, një kuadër të duhur planifikues, personel efektiv dhe aftësi institucionale, si dhe një pushtet të fuqishëm ekzekutiv të institucioneve përgjegjëse. Gjithashtu, problemet në lidhje me kushtet natyrore dhe mjedisin mund të vazhdojnë, jo vetëm të jenë pengesë për zhvillimin e turizmit dhe nxitjen e ekonomisë, por gjithashtu bëhen pengesë për antarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Si rrjedhim, ky sektor duhet të bëhet një nga shqetësimet kryesore për bashkëpunimin në zhvillimin ndërkombëtar në vitet e ardhshme.
Zhvillimi rural Zhvillimi rural do të vazhdojë të jetë një alternativë e rëndësishme zhvillimi dhe një aktivitet plotësues rajonal në zonën Tiranë-Durrës. Megjithatë, ende mungon informacioni për potencialin e vërtetë të rajonit dhe presionin nga zhvillimi dhe zgjerimi urban. Si rrjedhim, janë propozuar disa studime, si p.sh. për marketingun bujqësor, skemat e kreditit të vogël për fermerët dhe nxitja e industrisë së përpunimit ushqimor. Propozimet për masat synojnë në krijimin e një sistemi këshillimor bujqësor, në tregtimin kolektiv të prodhimeve bujqësore dhe në futjen e rregulloreve më strikte në drejtim të shfrytëzimit të tokës.
Kuadri i përgjithshëm dhe institucional Aspektet ligjore dhe aspektet që lidhen me kuadrin institucional, ku realizohet zhvillimi rajonal në Shqipëri, kanë një rëndësi të madhe për zhvillimin e përgjithshëm të rajonit Tiranë-Durrës. Dy nga propozimet më të rëndësishme janë rishikimi i ligjit shqiptar të planifikimit dhe formimi i një shoqate të komunave në rajonin Tiranë-Durrës. Të dy propozimet u referohen fuqimisht zbatimit të studimit Tiranë-Durrës në afat të mesëm dhe në afat të gjatë. Duke ditur se komunat do të luajnë një rol shumë më tepër specifik në zhvillimin e Shqipërisë dhe rajonit Tiranë-Durrës, sesa deri tani, forcimi i komunave dhe kapacitetit të tyre administrativ e politik, është një nga prioritetet numër një. Gjithashtu, ato mund të jenë përcaktuese për suksesin e zbatimit të Konceptit të Zhvillimit Rajonal Tiranë-Durrës. Ing. Ismail Beka Koordinator i shoqërisë gjermane për bashkëpunim teknik (GTZ) në Shqipëri
A duhet të ndërtohet hidrocentrali i Bushatit në Shkodër? Që në fillim duhet të them se, asnjë individ i vetëm sado njohës i mirë i problemeve energjitike, nuk mund t’i japë përgjigje të saktë, të argumentuar dhe bindëse kësaj pyetjeje. Kjo është një çështje që as mund të shtrohet e, aq më pak të zgjidhet e vendoset në një prononcim e votim plebishitar të një numri intelektualësh, sado të shquar e të kulturuar të jenë, në qofë se nuk janë specialistë të ndërtimeve hidroenergjitike, veçanërisht të fushave dhe aspekteve të veçanta të ndërtimit të një vepre të tillë. Elementet tekniko-ekonomikë të projektit të veprës hidroenergjitike, kërkojnë studim të plotë fisibiliteti të mundësisë, domosdoshmërisë dhe leverdisë ekonomike të investimit përkatës. Mbështetur në sa përmendëm, nuk mund t’i jap përgjigje pyetjes së mësipërme, por do të parashtroj disa fakte dhe konsiderata për aspekte të veçanta të çështjes, që dalin nga studimet e projekteve të mëparshme për ndërtimin e veprës në fjalë. Studime e projekte të nevojshme për ndërtimin e kësaj vepre, për elemente të veçanta dhe tërësore, janë kryer prej kohësh nga specialistë dhe institute studimore e projektuese të vendit tonë, por edhe të Republikës së Malit të Zi. Kështu, ideja e parë për ndërtimin e këtij hidrocentrali është hedhur nga i ndjeri Porf. Petrit Radovicka, me studimin dhe projekt-idenë e hartuar në fillim të viteve 60, për shfrytëzimin hidroenergjitik të lumit Drin. Për këtë janë dhënë 4 variante të kaskatës së hidrocentraleve që mund të ndërtoheshin në Drin. Në të gjitha këto variante përfshihej hidrocentrali i Bushatit, si hidrocentrali i fundit apo i pjesës së poshtme të Drinit. Treguesit paraprakë tekniko-ekonomikë të këtij studimi nxirrnin, si më të leverdisshëm, më të përshtatshëm e më të mundshëm për t’u ndërtuar, variantin e tretë që do të kishte si ujëmbledhës bazë, atë të formuar nga diga e dheut në Fierzë. Ky variant u miratua nga instancat vendimmarrëse të kohës dhe u vu në jetë me ndërtimin e hidrocentraleve të Vaut të Dejës, Fierzës e Komanit. Në vitet 1980-1982 është ngritur dhe ka punuar një komision i përbashkët shqiptaro-malazez, të cilit iu vu për detyrë, kryerja e studimeve dhe projektit të një vepre që u quajt “Rregullimi i tërësisë ujore të Drinit, Bunës dhe Liqenit të Shkodrës”. Në këtë projekt përfshihej edhe shfrytëzimi i ujërave të Drinit, për ndërtimin e një hidrocentrali afër Bushatit. Për hartimin e projektit u kryen, kryesisht nga pala jonë, një sërë studimesh hidrologjike, hidrotenkike, gjeodezike, bonifikuese, agroteknike, etj. Kjo ishte një vepër hidroteknike komplekse, me destinacion kryesor bonifikues, mbasi nëpërmjet rregullimit të vërshimeve të lumit Drin dhe masave të tjera, do të siguronte sipërfaqe të reja toke bujqësore dhe përmirësim të atyre ekzistuese – rreth 15 mijë hektarë në Mal të Zi (kryesisht nga tharja e pjesëshme e Liqenit të Shkodrës) dhe 1500 hektarë në vedin tonë. Krahas destinacionit kryesor bonifikues, në kompleksin e objekteve të kësaj vepre, përfshihej dhe ndërtimi i një hidrocentrali, duke marrë e shfrytëzuar një pjesë të ujit të lumit të Drinit. Por, projekti i kësaj vepre, megjithëse i rakorduar plotësisht në aspektet teknike midis specialistëve dhe anëtarëve të komisionit të përbashkët, nuk u arrit të përfundohej me të gjithë dokumentat e projektit të zbatimit. Nuk u arrit, veçanërisht përfundimi i një marrëveshjeje për kryerjen e objektit. Punimet e komisionit u ndërprenë për shkak të ngjarjeve të njohura politike në Republikën Federale të Jugosllavisë; sepse ajo (RFJ) nuk ishte dakord të financonte pjesën e investimeve që i takonin Malit të Zi, edhe sepse në komision nuk u arrit një marrëveshje për ndarjen e shpenzimeve (për kriteret e ndarjes). Pala jonë shtroi se, nuk mund të përballonte një kosto investimesh për kilovatorë më të larta se sa do t’i kushtonte në hidrocentralin e Komanit në ndërtim, ose në atë që do të ndërtonte me përparësi në të ardhmen (hidrocentrali Skavicës). Sipas këtij kriteri, palës tonë do t’i takonte të përballonte afërsisht, vetëm shpenzimet për ndërtesën e hidrocentralit, me gjithë makineritë. Pjesa tjetër e investimeve të nevojshme, do të ndahej në raport me vlerën e sipërfaqeve të përfituara nga secila palë (kriter i pranuar nga të dy palët). Vetëm me këtë kriter dhe këtë kusht hidrocentrali i Bushatit do të kishte përparësi për t’u ndërtuar. Ky hidrocentral, i projektuar si vepër e shkëputur, apo e veçantë, me të gjitha objektet e nevojshme, nuk paraqitej me leverdi për t’u ndërtuar, para hidrocentraleve në burime të tjera hidroenergjitike. Nga mesi i viteve 80 është kryer nga institutet dhe specialistët tanë kompetentë (të profileve të ndryshme) një studim tekniko-ekonomik, mbi mundësinë dhe leverdinë e ndërtimit të hidrocentraleve, ku ishin përfshirë hidrocentrale të radhës së parë, si ato të Skavicës, Bunës, Poçemit dhe Bushatit. Studimi për hidrocentralin e Skavicës ishte i plotë, me të gjitha kërkesat e një studimi fisibiliteti, ku mbaheshin parasysh e llogariteshin të gjitha anët negative dhe humbjet nga ndërtimi i tij (humbjet e rreth 10 mijë hektarë tokë bujqësore në fushën e Peshkopisë, zhvendosja e qendrave të banuara, rindërtimi i urave dhe gjithë rrjetit të infrastrukturës, hapja e fronteve të punës për popullsinë e zhvendosur, kompensimi i dëmeve dhe humbjeve të palës maqedonase). Megjithatë, ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës, që rriste kapacitetin vjetor të prodhimit të energjisë me 2 miliard kilovatorë në vit, paraqitej më me leverdi se gjithë hidrocentralet e tjerë. Kohët e fundit janë dhënë mendime negative për ndërtimin e hidrocentralit të Bushatit, duke u nisur nga aspektete ekologjike dhe përkeqësimin e tyre me ndërtimin e objekteve të veçanta të tij. Ndër të tjera theksohet, likuidimi dhe dëmtimi i shtratit të vjetër, natural të Drinit. Megjithëse nuk jam kompetent i kësaj fushe, duhet të kujtoj se, shtrati vjetër i Drinit, që figuronte në hartat fizike të disa dekadave më parë, nuk ekziston më, se lumi Drin ka çarë vetë një shtrat të ri që derdh një pjesë të mirë të ujit të tij në Bunë, se ky shtrat i vjetër është kthyer tashmë në një “lumë të vdekur”. Në çdo rast, nuk mendoj se ky është argumenti i vetëm i mjaftueshëm për të vendosur që hidrocentrali i Bushatit nuk duhet të ndërtohet. Për të dhënë mendim dhe për të vendosur përfundimisht nëse hidrocentrali i Bushatit duhet të ndërtohet ose jo, duhet kryer dhe njohur një studim i plotë tekniko-ekonomik fisibiliteti (i domosdoshmërisë dhe leverdisë ekonomike), i hartuar në disa variante. Secili variant duhet të ketë preventivat përkatës, treguesit tekniko-ekonomik e të leverdisë ekonomike, duke bërë krahasimin e tyre me treguesit e përfitimit të energjisë nga TEC-et. Islam Kokona Specialist i energjitikës Emigrimi: Marksizmi e strukturalizmi si teori kanë sfond ekonomik – 70-80 përqind e të rinjve kërkojnë emigrim – Pasojat e emigrimit mund të shikohen në shumë plane; ekonomike, sociale e psikologjike Gjatë regjimit totalitar ishte e ndaluar lëvizja e lirë jashtë vendit (emigrimi), ndërsa lëvizja brenda vendit ishte tepër e kontrolluar. Më e kontrolluar ishte lëvizja sidomos nga zonat rurale në zonat urbane. Popullimi i fshatit ishte në strategjinë e zhvillimit social-ekonomik të vendit. Në fund të viteve 80 shumë shqiptarë thyen frikën për të lëvizur në drejtim të vendeve të perëndimit, për të cilat ishte krijuar imazhi i një shoqërie të begatë e një jete të lirë. Vendet kryesore ishin Italia, Gjermania, etj. Migrimi i mëvonshëm ishte i përmasave të paimagjinueshme, më shumë se shpërthyes. Tashmë vendet kryesore të paracaktuara u bënë Greqia dhe Italia. Në bazë të vrojtimeve tona, pa pretenduar se kemi zbuluar diçka të re, mendojmë se, kur njerëzit përballen seriozisht me një kufizim të punës së institucioneve dhe praktikave për zgjidhjen e problemeve, emigrimi intensifikohet. Këtë mund ta argumentojmë me dy eksperienca të mëdha, me të cilat u përball vendi ynë: Së pari, kolapsi i ekonomisë socialiste dhe tranzicioni i vështirë i transformimit social-ekonomik dhe, së dyti shembja e skemave piramidale dhe ngjarjet që shoqëruan këtë fenomen. Këta dy faktorë kanë formuar opinione te shumë njerëz për të ardhmen e vendit, duke ndikuar seriozisht dhe në zgjedhjen e vendbanimit të tyre në të ardhmen. Lëvizjet brenda dhe jashtë vendit kanë krijuar çrregullime serioze demografike dhe impakte të shumanshme ekonomike, sociale, të mjedisit, etj. Edhe rrethi i Korçës nuk i ka shpëtuar këtij fenomeni, që gjithmonë ka qenë i përhapur. Gjatë viteve të tranzicionit, kur të gjithë prisnin që qyteti i Korçës të numëronte mbi 80 mijë banorë, sipas regjistrimit të fundit, ai ka jo më shumë se 55 mijë banorë, ose rreth 8.500 banorë më pak se regjistrimi i vitit 1989. Pakësime të ndjeshme popullsie ka patur edhe në zonën rurale, sidomos në zonat malore. Lëvizjet e popullsisë nga kjo zonë do të jenë edhe objekt i këtij artikulli.
Aspekte metodologjike Sikurse theksuam në fillim, ky prezantim përqendrohet në migrimin nga zonat rurale të rrethit të Korçës, veçanërisht nga pjesët më të thella të territorit. Kjo shtrirje në aspektin hapësinor, midis të tjerash, është marrë edhe për këto arsye: · Nga pikpamja teorike, lëvizja nga zonat rurale është marrë si fenomen, ku janë mbështetur modele të veçanta, sikurse është ai që shpjegon migrimin si funksion të ndryshimit të të ardhurave midis rajoneve. Kjo, në hapsirën e një vendi si i yni, pasqyrohet më fuqishëm. · Për shkak të strukturës së popullsisë në vendin tonë, lëvizjet brenda zonës rurale edhe për jashtë saj, janë me përmasa relativisht të mëdha. · Impaktet e kësaj lëvizjeje janë të një gjërësie të madhe (në aspektin ekonomik, social, etj.), si afatshkurtra, ashtu dhe afatgjata. · Në këtë hapësirë, integrimi i faktorëve që nxisin apo frenojnë migrimin, si në aspektin individual ashtu dhe strukturor, mund të analizohen më dukshëm. Në përgatitjen e artikullit jemi përqëndruar në të dhëna cilësore, ashtu dhe sasiore. Kjo, për faktin e njohur se, me të dhënat sasiore, edhe kur janë të mundshme për t’u grumbulluar, nëpërmjet burimeve parësore apo dytësore, është vështirë të krijosh një pamje të qartë për fenomenin, jashtë informacionit cilësor. E veçanta e analizës së këtij fenomeni qëndron edhe në faktin se, ajo mbështetet kryesisht në njerëzit që jetojnë dhe zhvillojnë aktivitetin e tyre në zonon rurale dhe jo te ata që kanë lëvizur nga fshati, sidomos jashtë vendit. Për të analizuar fenomenin edhe në perspektivë, vrojtimet tona janë shtrirë në tre grupmosha: fillimet e adoleshencës, fundi i adoleshencës dhe kryefamiljarët. Në çdo rast janë mbajtur parasysh aspektet ekonomike, sociale, psikologjike etj. Megjithëse e kuptojmë se, analiza e fenomenit të migrimit është e vështirë, le të bëjmë diçka të gjithë së bashku, në emër dhe të së ardhmes tonë, duke marrë parasysh edhe kufizimet e shumta që kemi hasur, sa herë që trajtojmë fenomene të debatueshme.
Teoritë rreth migrimit Ka një literaturë të gjerë rreth migrimit dhe proçesit të tij. Për të shkruajnë ekonomistët, sociologët, gjeografët dhe politikanët. Për pasojë, migrimi nuk është pronë e një disipline, por e disa prej tyre, ku kërkimet nga secila disiplinë janë të nevojshme. Kjo ka sjellë atë që çdo disiplinë të ketë kontributet e saj në bazat teorike, që kur migrimi është shfaqur si fenomen. Megjithatë, duhet të pranojmë se shumë teori të migrimit kanë kuptim ekonomik. Në literaturë, një dukuri e përgjithshme është se, të gjitha disiplinat shtrojnë pyetjen: “Pse njerëzit emigrojnë?” dhe pak shtrojnë pyetjen: “Pse njerëzit nuk emigrojnë?” Po ashtu, një aspekt që merret disi parasysh është: “Pse njerëzit kthehen nga destinacione të ndryshme kur kanë migruar?” Përfundimisht, mund të themi se, teoritë në dispozicion mund të shpjegojnë situatën e tanishme. Ato japin disa përgjigje, pse njerëzit migrojnë dhe pse kthehen, por trajtojnë shumë pak pyetjen: “Pse njerëzit nuk migrojnë?” Gjatë më shumë se 50 viteve janë përdorur metoda të ndryshme për të përshkruar, duke e trajtuar problemin në mikro dhe makronivele. Megjithatë, duhet thënë se, vitet e fundit janë dëgjuar zëra për zhvillimin e një metode të integruar. Mendojmë se, çdo diskutim lidhur me trendet dhe të ardhmen e migrimit, duhet të bëhet njëherazi në nivelet globale, të kushteve kombëtare, komunitare, të familjes dhe të sjelljes individuale. Nëse lëvizjet e mallrave dhe shërbimeve nxiten prej aktorëve të tregut, që mobilizojnë volume të mëdha, zhvendosjet e njerëzve përfshijnë jo vetëm tregjet dhe qeveritë, por dhe vendimet e milionave të famlijeve dhe individëve. Në këtë mënyrë, pyetja kryesore që shtrohet për këtë problem është: “Si të veprojmë njëherazi me këto nivele të ndryshme, d.m.th., nga vendimmarrja individuale, te ekonomia politike në makronivel”? Në këtë aspekt, ajo që shfaqet më shumë është prezantimi skematik dhe i thjeshtëzuar i theksimeve thelbësore në metodat e ndryshme. Kështu, nga njëra anë, janë metodat me theksime mbi individin si njësi e analizave (neo-klasikët dhe ekonomia e re e migrimit) dhe, nga ana tjetër, janë teoritë me theksimet e tyre në natyrën strukturore të migrimit (marksizmi dhe strukturalizmi). Shpesh, këto teori kanë një sfond ekonomik. Në qoftë se metodat e grupit të parë theksojnë zgjedhjen racionale të migrantit si individ, teoritë në shkollat marksiste dhe strukturaliste, që historikisht janë më të vonshme, e shikojnë migrimin e punëtorit si të pamënjanueshëm në tranzicion drejt kapitalizmit. Migrimi, sipas tyre, nuk është një zgjedhje për njerëzit e varfër, por vetëm një opsion për mbijetesë, mbas largimit nga toka. Theksi vihet në rioorganizimin e prodhimit, gjatë të cilit migrimi rezulton nga shpërndarja hapësinore (dhe rishpërndarja) e kërkesave për fuqi punëtore, midis sektorëve të ndryshëm të ekonomive kombëtare dhe ndërkombëtare. Çdo theksim i faktorëve strukturorë të çon në gjykimin që, individët janë pak më shumë se automatë, që reagojnë kundrejt stimujve të jashtëm, veprimet e të cilëve përcaktohen nga strukturat ekonomike dhe sociale. Kërkime të ndryshme kanë argumentuar që, modelet individualiste, Marksiste dhe ato të traditës strukturore e kanë parë problemin të njëanshëm. Ato priren të izolojnë vendimmarrjen ekonomike dhe, për pasojë, nuk analizojnë kontekstet politiko-sociale, në të cilat merren vendimet (modelet individualiste), ose analizat mbitheksojnë kontekstet politiko-ekonomike që ndikojnë vendimin e migrimit. Për të tejkaluar këto polarizime, studjuesit e viteve të fundit kanë theksuar që, analizat duhet të përfshijnë si motivet individuale, ashtu dhe ato strukturore, në të cilat migrantët veprojnë. Mbasi trajtuam shkurtimisht teoritë lidhur me migrimin, natyrshëm shtrohet pyetje: deri në çfarë shkalle mund të zbatohen teoritë e mësipërme mbi migrimin dhe ekonominë në tranzicion, në rastin e vendit tonë?, ose, janë të dobishme pranimet teorike në një situatë të karakterizuar nga: · një gjendje e institucioneve në ngritje dhe që nuk kanë fuqinë e duhur; · një popullsi, ku një pjesë e konsiderueshme nuk është e ngulitur në hapësirën ku jeton; · një shkallë relativisht e lartë mosbesimi; · një shkallë sigurie në përmirësim; · një proçes përmbledhës të ngjarjeve tronditëse, në të cilin pa u mbaruar një ngjarje fillon tjetra? Për t’i dhënë përgjigje pyetjes së shtruar më sipër kërkohen hulumtime më të thella, që mbase do të jenë objekt i një pune tjetër. Mendoj se, vendi ynë mund të përbëjë një rast specifik në Evropën ish-socialiste Qëndrore dhe Lindore, por, pavarësisht nga kjo, ajo që ka rëndësi është që, çdo teori duhet të mbajë parasysh si motivet individuale, ashtu dhe sa më shumë faktorë strukturorë, që lejojnë ose frenojnë migrimin. Po ashtu, në rastin tonë faktorët strukture, duhet pranuar se kanë ndikim mbase më të madh se në ndonjë vend tjetër. Për këtë arsye në trajtimin e mëtejshëm të këtij prezantimi do të mbahen parasysh si motivet personale të njerëzve, ashtu dhe universaliteti i fenomenit.
Sfondi social-ekonomik ku është studiuar fenomeni Rrethi i Korçës është një ndër qytetet kryesore të vendit tonë. Ai shtrihet në një territor prej 1752 km katrorë, duke përbërë 6.1 përqind të territorit të vendit. Popullsia rurale në rrethin e Korçës përbën 58.9 përqind të popullsisë që ka ky rreth ose 1 përqind më shumë se mesatarja e Republikës për zonat rurale. Numri i pjestarëve të familjes në zonat rurale është 4.38, nga 4.50 në shkallë vendi, çka tregon për një zhvillim cilësor të familjes në aspektin shoqëror. Popullsia rurale është vendosur në 152 fshatra, nga të cilët 69 shtrihen në zonën malore. Popullsia merret kryesisht me aktivitet bujqësor. Tani numërohen mbi 25 mijë njësi ekonomike bujqësore (nj.e.b.), që ushtrojnë aktivitetin e tyre në më se 30 mijë ha tokë të privatizuar. Qendrat e komunave janë larg nga qyteti i Korçës, 4 km (Drenova) deir 50 km (Moglica). Në këtë zonë funksionojnë mbi 15 qendra shëndetësore, 120 ambulanca, punojnë mbi 50 mjekë dhembi 220 personel ndihmësmjek. Po ashtu, funksionojnë 146 shkolla, nga të cilat: të mesme 10, cikli i ulët dhe cikli tetëvjeçar 136.
Shtimi i migrimit të popullsisë rurale: fenomen i 10 viteve të fundit Migrimi i popullsisë nga zonat rurale në zonat urbane është fenomen normal për vendet që futen në rrugën e industrializimit të vendit në tërësi dhe të zonës rurale, në veçanti. Industrializimi në zonën rurale nënkupton, midis të tjerash, dhe një integrim më të madh të prodhimit bujqësor, pakësim të numrit të njësive ekonomike bujqësore, rritje të rolit të integratorit në proçesin e prodhimit. Zhvillimi industrial në tërësi do të kërkonte fuqi punëtore, e cila, në një pjesë të madhe, do të sigurohej nga fshati. Nëse zhvillimi dhe migrimi nga zonat rurale do të ndodhnin paralelisht, atëherë proçesi do të konsiderohej fenomen i përparimit. Ajo që do të përbënte shqetësim dhe do të ishte objekt studimesh, ka lidhje me kufijtë e pranueshëm të pakësimit të popullsisë rurale dhe të popullsisë të zënë me aktivitetin bujqësor. Duke analizuar fenomenin në vitet e tranzicionit, konkluzioni i parë dhe i përgjithshëm qëmund të nxirret është se, lëvizja e popullsisë nga fshati ka qenë e “pakontrolluar”, shkaktuar nga faktorë të ndryshëm dhe jo si rezultat i vendosjes së ekuilibrave midis zhvillimit dhe nevojave për fuqi punëtore që kërkon vetë zhvillimi. Kjo përbën një nga shkaqet kryesore të rritjes së tensioneve sociale në zonat urbane dhe prishjen e raporteve të ekosistemeve, duke vështirësuar më shumë zgjidhjen e problemeve jo të pakta të tranzicionit, që çdo ditë e më shumë bien në sy, sidomos në disa zona, si: Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë dhe, më pak, në zonat e tjera të vendit. Mbi bazën e të dhënave të regjistrimit të vitit 2001 popullsia sipas komunavenë rrethin e Korçës rezulton si më poshtë: · Së pari: Popullsia nga zonat rurale është pakësuar rreth 25 përqind. Duke marrë parasysh edhe diferencën midis koefiçientit bruto të lindjeve dhe vdekjeve (9.0 gjatë këtyre viteve) nënkuptohet që lëvizja absolute ka qenë më e madhe. · Së dyti: Pakësim të popullsisë ka patur në të gjitha komunat, por më i theksuar ka qenë në zonat malore. Për disa fshatra të këtyre zonave mund të flitet për braktisje totale nga banorët dhe në të ardhmen më shumë do të flitet për fshatra që kanë ekzistuar dikur. Kështu p.sh. mund të përmendim fshatrat Brozdovec, Opar, Lavdar etj., që para tranzicionit kanë patur përkatësisht 36, 14 dhe 18 familje dhe tani kanë 1 deri 4 familje. · Së treti: Pakësimi i popullsisë edhe në zonën urbane të rrethit të Korçës nënkupton që, prirja kryesore e lëvizjes ka qenë jashtë rrethit (në zonat e tjera të vendit dhe jashtë vendit). Në këtë aspekt nevojiten kërkime më të detajuara. · Së katërti: Nga një vrojtim i përgjithshëm rezulton se, më pak lëvizje kanë patur sidomos nga fshatrat Boboshticë, Drenovë, Mborje. Migrimi në përmasa kaq të mëdha nga zonat rurale është njëra anë e problemit dhe ka të bëjë me ata që kanë ikur. Problemin e studiuam dhe nga ana tjetër: çfarë mendojnë ata që aktualisht jetojnë në këto zona? Këtë problem e pamë në tre grup-mosha dhe konkretisht: 14-15 vjeç, 16-18 vjeç dhe kryefamiljarët. Duke parë të dhënat e mësipërme do të themi se, kryefamiljarët janë më të rezervuar në marrjen e vendimit për t’u larguar nga fshati në krahasim me moshat e reja. Sigurisht, në këtë rast duhet të merren parasysh edhe mosha, motivet, etj. Pavarësisht sa të qëndrueshme janë mendimet e moshave të reja për të jetuar ose jo në fshat, shoqërisë sonë i duhet t’i tërheqë vëmendjen qoftë edhe mendimi që ekziston në 70-80% të moshave të reja për t’u larguar nga fshati. Kjo do të jetë me pasoja mjaft të rënda në zhvillimet demokratike, shoqërore dhe ekonomike. Me sa duket, ne do të vuajmë më shpejt plakjen e popullsisë fshatare, gjë që do të kërcënojë edhe zhvillimin ekonomik të zonës. Shkaqet e migrimit Tashmë janë shumë shkrime e studime që flasin për historinë e migrimit në vendin tonë, pas Luftës së Dytë Botërore. Flitete për tre etapa: Etapa e parë: 1945-1960, shquhet për shpërngulje me ritme të larta të popullsisë fshatare në drejtim të qyteteve, si rezultat i zhvillimit të industrisë, ndërtimit, transportit etj. Rrethi i Korçës ka qenë ndër rrethet që shkalla e migrimit ishte më e lartë. Migrimi i brendshëm ishte i liberalizuar, ndërsa emigracioni i jashtëm i ndaluar. Etapa e dytë: përfshin periudhën 1961-1990, karakterizohet nga amullia dhe frenimi administrativ i proçesit të urbanizimit. Largimi nga fshati pengohej me shumë mënyra, sepse burimet e zhvillimit po pakësoheshin edhe nga pakësimi i vazhdueshëm i ndihmave nga jashtë. Mbajtja e popullsisë në zonën rurale në përqindje të larta, argumentohej si një domosdoshmëri. Etapa e tretë: fillon mbas vitit 1990, karakterizohet nga lëvizje masive, çka rezultoi me një pakësim të ndjeshëm të popullsisë rurale edhe në rrethin e Korçës. Motivet e lëvizjes të popullsisë fshatare në drejtim të zonave të urbanizuara (ose nga zonat rurale malore në zonat rurale fushore) ose edhe jashtë vendit, nga një periudhë në tjetrën, mund të ndryshojnë. Duke patur parasysh edhe periudhën e tretë të këtij proçesi themi se tre janë grup motivet: · Motivet ekonomike: Kanë të bëjnë me dëshirën për të patur një vend të rehatshëm për të jetuar, për të patur një punë, për të fituar para etj. · Motivet sociale: Shkaktohen kur pjesëtarët e familjes ose miqtë lëvizin nga fshati, ose nga shpërbërja e organizimit klanor të familjes (kjo është më e dobët në rrethin e Korçës), etj. · Motive psikologjike: Lidhen me lirinë për ta ndërtuar jetën me vendimmarrje personale, faktorët e sigurisë së jetës dhe pasurisë, etj. Të gjitha këto grupmotive paqyrohen tek përgjigja që merr kur pyet, si të migruarit ashtu dhe ata që dëshirojnë të migrojnë ose emigrojnë. Ata që emigrojnë përgjigjen me pak fjalë: “Situata e pashpresë në të cilën ndodhet tani Shqipëria”. Ata që largohen nga fshati, sidomos nga zona malore, përgjigjen: “Atje nuk ka as ushqim, as punë, as shkollë për fëmijët”. Këto, si nga pikpamja sasiore ashtu dhe cilësore. I parë në tërësi, proçesi i migrimit është rezultat i veprimit të forcave shtytëse dhe tërheqëse. Në faktorët shtytës përmendim humbjen e punës dhe mundësisë profesionale, kushtet klimaterike, mungesën e burimeve për një jetë më të mirë, faktorët e zhvillimit shoqëror etj. Atraksionet e supozuara pozitive, të destinacionit të migrimit, që njihen si faktorë tërheqës, përfshijnë kërkesa për një punë, për më shumë të ardhura, më shumë arsimim dhe zhvillim shoqëror etj. Vrojtimet tona tregojnë se, është i rëndësishëm perceptimi i modelit jo real i mundësive dhe kënaqësive të dëshiruara, pavarësisht se ky perceptim mbështetet ose jo nga realiteti objektiv. Kështu, mijëra migrantë nga Shqipëria Veri-Lindore, që u vendosën në Tiranë dhe rrethina, nuk e dinin me siguri që do të përballeshin me mungesën e strehimit, punës, ujit, shkollës për fëmijët etj. Në këtë pikpamje, koncepti i dobësisë së vendit, që është shkalla e kënaqësisë dhe e pakënaqësisë që ekziston ose parandjehet tek një individ, lidhur me një vend, na ndihmon për të kuptuar proçesin e vendimmarrjes, që kalojnë migrantët potencialë. Anketat e realizuara na çojnë në pohimin që, vendimi për të migruar është një pasqyrim i vlerësimit nga një migrant i vendndodhjes faktike, si i kundërt i një vendndodhjeje tjetër. Për vendin që pretendohet, informacioni është mediatik ose gojor. Se kush ka epërsi në këtë vlerësim shpjegohet me atë, nëse personi do të marrë vendim për të migruar ose jo. Informacioni gojor midis miqve, të afërmve, etj., ka sjellë krijimin e zinxhirëve të migrimit. Kështu, janë krijuar zinxhirë të tillë, p.sh. nga fshati Mazrekë në Fier, nga fshati Lekas në Tiranë, Brozodveci në Lushnje etj. Nëse zinxhirët vazhdojnë, atëherë krijohen kanale. Tani mund të flitet për kanale të emigrimit Shqipëri-Greqi, Shqipëri-Itali, etj. Aktualisht faktorët ekonomikë janëmë kryesorët. Ekzistojnë modele që pranojnë se, migrimi nga zonat rurale në ato urbane varet: së pari, nga diferenca në pagë midis zonave urbane dhe zonave rurale; së dyti, nga mangësia për të gjetur një punë. Të dy këta faktorë mund të kombinohen në konceptin e pagës urbane të pritur. Në Prefekturën e Korçës 42.3 përqind dhe 23.7 përqind e popullsisë rurale janë përkatësisht, të varfër dhe shumë të varfër. Theksojmë se kjo varfëri është më shumë për mungesë mundësish, sesa për mungesë aftësish. Mungesë kryesore konsiderohet sipërfaqja e vogël e tokës për çdo njësi ekonomike bujqësore dhe copëzimi i saj. Sipërfaqja e njësive ekonomike bujqësore është shoqëruar me mungesa të inputeve të tjerë, si: plehëra kimike, kimikate, farëra të zgjedhura etj. Numri relativisht i madh i krahëve të punës në do njësi ekonomike bujqësore (1.78 krahë/ha), sjell rendiment të ulët të punës dhe përdorim të pakët të krahëve të punës. Për pasojë, prodhimi i përgjithshëm bujqësor sipas njësive ekonomike bujqësore del relativisht i ulët. Meqenëse të ardhurat e siguruara nga njësitë ekonomike bujqësore janë të ulëta, shumë punonjës të tyre detyrohen të punojnë jashtë këtyre njësive, ku sigurojnë dhe pjesë të konsiderueshme të të ardhurave. Është kjo situatë ekonomike që motivon largimin jashtë vendit të të rinjve 16-18 vjeç të zonës rurale. Sipas të dhënave, 88.1 përqind e të anketuarve kanë si motiv kryesor për emigrim motivin ekonomik, që shprehet në mënyrë të përmbledhur, por me kuptim përgjithësues: “Për një jetë më të mirë”. Me këtë nënkupton mungesën e infrastrukturës rrugore, atë komunikuese, shëndetësore, arsimore, pse jo dhe vendin tonë. Në zonën rurale ka mungesa të theksuara në infrastrukturën komunikuese. Nga 152 fshatra kan lidhje të vazhdueshme telefonike vetëm 15 fshatra. Jo më pak të rëndësishëm janë dhe motivet psiko-sociale. Kjo, sidomos, në aspektin e transmetimit të motiveve migruese dhe emigruese. Rasti i krijimit të zinxhirëve apo kanaleve të migrimit vërteton këtë. Kjo është më e përhapur sidomos te moshat më të reja. Sipas anketave rezulton se, 55-56 përqind e të anketuarve të moshës 14-15 vjeç, largimin jashtë vendit e lidhin me ekzistencën e prindërve, apo të afërmve tëtjerë.
Disa nga pasojat e migrimit Pasojat e migrimit mund të shikohen në shumë plane: ekonomike, sociale dhe psikologjike. Lëvizja e popullsisë në vendin tonë motivohet në shkallë të konsiderueshme nga faktorët ekonomikë dhe socialë, por edhe pasojat e këtij fenomeni ndjehen në mënyrë të drejtpërdrejtë, jo vetëm në ngadalësimin e zhvillimit ekonomik, por edhe të zhvillimit njerëzor. Në këtë mënyrë, nga një tregues i emancipimit ekonomik dhe shoqëror që është, kur kjo lëvizje e popullsisë rurale për në zonat urbane, bëhet si proçes logjik i zhvillimit, kthehet në të kundërtën, kur lëvizja bëhet për shkaqe të tjera. Është e trishtueshme të shohësh në fshatrat e Oparit, Gorës, Panaritit etj., shtëpi të braktisura, që mund të shemben në një të ardhme; të shohësh sipërfaqe toke që gërryhen, ose që nuk mbillen; pemë frutote që nuk iu shërbehet, pra nuk prodhojnë; kapacitete kulluese, që nuk shfrytëzohen etj. Të gjitha këto mund të konvertohen në humbje vlerash të të mirave materiale. Një shpërpjestim i vendosur vërehet midis njeriut dhe natyrës, midis njeriut dhe vlerave të krijuara më parë. Kur flasim kështu kemi parasysh zonën malore. Nga ana tjetër, duhet thënë se, emigrimi ka sjellë një ndikim të ndjehsëm në përmirësimin e kushteve të jetesës sidomos në zonën fushore. Aktualisht nuk bëhet më fjalë për ndërtime të reja të banesave, por për ndërtime dhe paisje komode. Tani nuk është më e rastit që fshatarët të mendojnë jo vetëm për kalin, por edhe për makina etj. Tronditje serioze kanë patur aspekte të veçanta të jetës dhe që e përmirësojnë atë, sikurse janë arsimi, shëndetësia etj. Ndikimet në arsim janë si në aspektin sasior ashtu dhe cilësor. Vetëm në zonat rurale janë pakësuar 19 shkolla fillore dhe tetëvjeçare, si dhe tre shkolla të mesme. Është pakësuar numri i nxënësve në shkollat tetëvjeçare me 4,800 nxënës. Tani nxënës u duhet të udhëtojnë edhe disa km më shumë për të vajtur në fshatin ku është shkolla. Ka braktisje relativisht të madhe të shkollës. Vitin e kaluar u regjistruan 346 braktisje të shkollës. Analfabetizmi kërcënon realisht. Në komunën e Lekasit janë mbyllur 4 shkolla; në komunën e Moglicës është pakësuar me rreth 600 numri i nxënësve etj. Pakësimi i numrit të nxënësve, largimi i mësuesve të kualifikuar vendas ka prekur rëndë nivelin e mësimdhënies. Tani shumë mësues janë pa arsimin përkatës. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sektorin e shëndetësisë. Në zonat e thella malore ka mungesë të ndjeshme të shërbimeve shëndetësore. Argumenti më i mirë është fakti që, dikur rrallë ndonjë grua mund të lindte fëmijën në shtëpi, por minimalisht në shtëpinë e lindjes së fshatit. Ndërsa, tani kjo dukuri nuk është më rastësi.
Disa përfundime kryesore Problemet e lëvizjes së popullsisë në tërësi dhe asaj rurale në veçanti, në aspektin e ndryshimit të vendbanimit, kërkojnë analizë shumë më të thellë dhe të shumanshme. Në të duhet të marrin pjesë jo vetëm ekonomistë por edhe psikologë, sociologë, demografë, gjeografë etj. Ai është problem ekonomik, por jo vetëm i tillë. Të gjithë ne pranojmë se, po të ishin në nivelin e dëshiruar të gjithë treguesit e cilësisë së jetës, do të kishte më pak motive për të lënë vendbanimin, edhe kur nuk është oportune për ta bërë këtë. Varfëria dhe mënjanimi i saj në aspektin ekonomik, arsimor, shëndetësor etj., është jo vetëm shkak, por edhe çelësi i rregullimit të lëvizjes migratore, nga zonat rurale në ato urbane. Ka ardhur koha për hartimin e politikave favorizuese për ata që kthehen dhe dëshirojnë të investojnë në bujqësi. Favorizimet mund të jenë në lehtësimin e proçedurave, kredi të buta etj. Në këtë aspekt, është e rëndësishme të ogranizohen struktura përgjegjëse, që të merren më shumë me lëvizjen migratore (largim-kthim). Migrimi është problem edukimi. Ne duhet të shqetësohemi edhe për mentalitetin e moshave të reja, që të ardhmen e shikojnë në largimin nga vendi. Dëshirat e adoleshentëve dhe sidomos të atyre të zonave rurale njihen tashmë, prandaj nuk mund të mënjanohet shoqëria dhe shkolla, në veçanti, për punë më të programuar në shpjegimin e problemeve, për një qëndrim pozitiv ndaj vendlindjes. Yllson Manoku, dekan i Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Fan Noli”, Korçë Thoma Nasto Avni Spaholli Lektorë të Fakultetit Ekonomik të po këtij universiteti
A ishte gjetja më e mirë zgjedhja e Presidentit konsensual? Unë si qytetar me prirje dhe parime demokristiane, zgjedhjen e Presidentit me vullnetin e mirë të të dyja “superfuqive” të politikës shqiptare, e quaj si një akt të vërtetë qytetarie e mirëkuptimi. Gjithnjë (sipas mendjes sime) këtu shoh për të parën herë në historinë e pluralizmit shqiptar, një tendencë mjaft pozitive për të vijuar mendimin dhe veprimin e rilindasve tanë të shquar të cilët në të gjithë veprimtarinë e tyre politike dhe patriotike, synuan në gjetjen e rrugëve të mesme. Përveç zgjedhjes me konsensus të Presidentit, unë do të quaja tepër të rëndësishëm mendimin unikal të të dy “të mëdhenjve” në një moment mjaft delikat kur Shqipëria mund të shkonte drejt izolimit. Nuk jam kompetent të hyj në thellësitë e “labirinteve” të politikës, por thjeshtë, me syrin e një vrojtuesi amator (në politikë) mund të konstatoj se, po të kishte ekzistuar një konsensus i tillë para gjashtë vjetësh, kurrë nuk do të kishim patur një vit sa të turpshëm, aq edhe të trishtuar si ai i 1997-ës, që veshi me të “zeza” me qindra nëna, gra e motra shqiptare. Mendoj, se kur bëhet fjalë për çështje madhore, të gjitha forcat politike duhet të “privojnë” diçka nga dëshirat e “vockëla” e meskine, duke “zbutur” pasionet e ideologjive për t’i shërbyer “ideologjisë” që qëndron mbi të gjitha – shqiptarizmës. Në rast se nuk do të ishte gjetur kjo “formulë”, jam i bindur se pasojar nuk do të kishin qenë aspak të këndëshme dhe do të kishim një dështim total, qoftë në politikën e brendshme, qoftë në atë të jashtme. Parë në këtë këndvështrim, mendoi se Nano e Berisha bënë atë që mund të quhet më e mira në kushtet tona specifike që trajtuam më lart. Muaji që lamë pas, përveç temperaturave të larta atmosferike, pati dhe temperatura tepër të zjarrta politike me një polarizim të theksuar. Në Kongresin e 13-të të PKSH, pamë Hysni Milloshin tepër të revoltuar ku sipas tij, dhe lëvizjeve plot nervozizëm, Shqipëria gjendej mes flakëve të revolucionit. Zgjedhja e Presidentit të ri, për të ishte një “katastrofë” dhe (duke humbur fillin e logjikës) bënte analogji mes Presidentit Mejdani dhe presidentëve të SHBA dhe Francës, Bush dhe Shirak. Duke i quajtur nën nivelin e Mejdanit. Kam mendimin e pa mohuar aspak vlerat intelektuale dhe shkencore të Mejdanit, për të drejtuar një shtet, në radhë të parë duhet të jesh politikan i madh, dhe natyrshëm logjika të thotë: po të kishte patur Shqipëria politikanë të mëdhenj, a do të ishim në këto nivele ekonomike? Do ta quaja çmenduri të krahasosh vendin e parë të botës, me njërin nga vendet më të varfëra dhe më të pazhvilluara të botës! Mendoj se Poeti Milloshi duhet të jetë më objektiv në slloganet dhe superlativat që i jep në mënyrë të papërgjegjshme. Duhet t’i kujtojmë shokut Milloshi se “fitoret” e Partisë së tij janë të shkruara me të “arta” në “tallonat” të cilët vetëm mendja e “ndritur” e paraardhësve të tij i ka “shpikur”. Ujanë mbi 80 000 prostituta që “shesin” trupin rrugëve dhe kazinove të Europës, që dëshmojnë për “sukseset” që pati arritur “socializmi” shqiptar. Retorikat absurde të Milloshit ngjasojnë me përrallat e Nastradinit, ose me përrallat për fëmijë, “Liza në botën e çudirave”. Me sa duket, Milloshin e kishte ekzaltuar ardhja e familjes mbretërore e cila do të realizohej më 28 qershor. Kam mendimin se, si Milloshi, ashtu dhe Leka Zogu, përveç se janë përfaqësues autentikë të dy diktaturave, jan dhe dy “skajet” e të njëjtit “litar”, bashkë krahinorë dhe bashkë diktatorë. Fakti që Leka Zogu zbriti në Rinas me 11 arka me armë e municion, të lë shije jo të mirë. Kam lexuar diku një thënie të intelektualit dhe publiçistit të njohur Zef Pali, një citim ku thuhet: “Zjarri me zjarr nuk shuhet”. Kam mendimin që të dy matjanët të ulin “armët”, se kufijtë e tokës shqiptare nuk fillojnë as nuk mbarojnë në Mat. Familja e ish-Mbretit Zog është e mirëpritur me “statusin” e qytetarit, jashtë çdo pretendimi të mëtejshëm. Shqiptarët janë “veshur” me kostumin “Europian” dhe me kapelen “Republikë”. Kostumin dhe mentalitetin feudal mesjetar do t’i varim në ndonjë muzeum. Ato i përkasin të shkuarës. Jemi tepër të vonuar, “treni ikohës” ecën me shpejtësi dhe ne (si gjithmonë), nuk duhet të qëndrojmë në “vagonin” e fundit. Vetëm me një vullnet të mirë, me një dëshirrë dhe qëllim të lartë mund t’i “zbusim” ekstremet (të cilat janë pjesë e qenies tonë), dhe të gjithë dora-dorës të harrojmë të kaluarën e largët dhe të afërt dhe të ecim drejt të ardhmes. Europa dhe bota e qytetëruar nuk na don me armë dhe të militarizuar, ku (për fat të keq) kemi provuar se këto armë më shumë i përdorim kundër njëri-tjetrit. Dy fjalë për Presidentin e ri dhe për perspektivën presidenciale. Mendoj se Presidenti Misiu ishte gjetja më e pranueshme, për arsye se vjen nga një familje me tradita të shquara, qytetare, kulturore dhe patriotike. Është pinjoll i familjes famëmadhe Moisiu, ku shkëlqen me të gjithë madhështinë “Portreti” i Artistit me famë botëtore Aleksandër Moisiu. Nuk vjen nga familjet feudalo-kolaboracioniste. Ekziston edhe një fakt i cili nuk mund të neglizhohet: është i pari President kristian që pas vdekjes së Gjergj Kastriotit. Ndoshta, ndokush do t’më “taksojë” për “komplekse” por kjo që them është një e vërtetë e hidhur dhe një padrejtësi që duhet korigjuar dhe në të ardhmen, (asnjëherë nuk është vonë për të ndrequr gabimet ose fajet). Kemi afro 90 vjet që kemi fituar Pavarësinë dhe gjatë gjithë kësaj periudhe, për çudinë e të gjithëve, në Shqipëri kanë funksionuar në mënyrë të pandërprerë “skemat” e Divanit Perandorak Osman! Fakti është kokfortë, shembujt që do të citoj më poshtë janë realë dhe të pakontestueshëm, (fjala është vetëm për Presidentët pas pavarësisë). Ahmet Zogu, Omer Nishani, Haxhi Lleshi, Ramiz Alia, Sali Berisha, Rexhep Mejdani. Cilido mund të pyesë, a ka kristianë në tokën e Kastriotit. Në kushtet aktuale, kur mbarë një popull aspiron oksidentalizimin real të Shqipërisë dhe shqiptarëve, emri i Presidentit të ri, Alfred, merr një tingull më “komod”, më bashkëkohor dhe më Europian. Ne, si pjesë e pashkëputur e “argjinaturave” të Kontinentit, padyshim duhet të bëhemi edhe pjesë e kulturës dhe mentalitetit qytetar europian. Askush nuk duhet të ndjejë keqardhje apo “xhelozi”, në qoftë se mbas mandatit të suksesshëm të zotit Moisiu, në krye të shtetit shqiptar do të kemi një Gjon apo Gjergj, si vijimësi e ligjshme e krye Prijësit Legjendar, Gjergj Kastrioti, dhe respekt ndaj “Nënë Terezës”. Duke i uruar shëndet dhe jetë të gjatë Presidentit të ri, Alfred Moisiu, do ta mbyll shkrimin me katër vargje të thjeshta: “Jo monarkë, as diktatorë, Kohë e tyre tash ka ikë, Rrofsh për jetë Atdheu Arbërorë, Me “emblemën” Republikë.” Mark Bregu
E vërteta historike mbi Marrëveshjen e Mukjes (gusht 1943) (Sipas deklarimeve të z. M. Araniti, “Kuq e Zi”, Nëntor 2001, Bruksel) Sipas autorit të lartpërmendur, historiografia e Luftës Nacionalçlirimtare e ka keqinterpretuar dhe politizuar me mënyrën më skajore “Marrveshjen e Mukjes”, e cila u zhvillua në Mukje të Tiranës me dt. 1-2 Gusht 1943. Kam mendimin se është detyrë morale dhe qytetare me ndriçue çdo “skutë” të ndërgjegjes kombëtare, mbi ato ngjarje tragjike të atyre viteve të stuhishme të luftës për lirinë e Shqipërisë, e cila në momente dhe faza të caktuara, mori karakterin e një lufte të vërtetë civile. Ndonëse tash mbas afro 59 vjetësh nuk mund të “penalizojmë” fajtorët, gjithsesi e vërteta historike duhet ndriçuar si obligim moral dhe si kujtesë historike, për brezat dhe për të “moshuarit” e deritanishëm. Konferenca e Mukjes dhe ajo e Bujanit janë dy pika kulmore që mund të shpjegojnë e ndriçojnë një nga periudhat më tragjike të kombit shqiptar. Mbas viteve 1930, në skenën politike e shoqërore shqiptare shfaqet një brez i ri intelektualësh, një inteligjencë e arsimuar në shkollat e perëndimit, dhe padyshim e brumosur me ide demokratike. Lufta e Parë Botërore solli ndryshime të theksuara në mendësitë e popujve. Rrymat e mendimit si dhe lëvizja punëtore nën ndikimin e revolucionit bolshevik, sidomos gjatë viteve 1930 me krijimin e fronteve popullore, ngacmuan me mashtrime dëshirat e njerëzve për një shoqëri më të drejtë e më humane. Në Shqipëri, ku nuk ekzistontenjë veprimtari e mirëfilltë politike, këto mendime e ndjenja arritën të joshin një pjesë të mirë të intelektualëve të rinj, e sidomos rininë studentore, qët ë gënjyer me entuziazmin, çiltërsinë e mirëbesimin e tyre, i përqafuan e i përhapën me dëshirë, duke rënë “si miza në qull”. Kështu kemi rryma ideopolitike të ndryshme, që për rrjedhojë sollën grupime, të cilave koha do t’u jepte një fizionomi më të përcaktuar në ngjarjet e mëvonëshme duke i vënë përballë njëra-tjetrës. E ky ballafaqim nuk vonoi. Pushkët e para, vetmohimi i Mujo Ulqinakut më 7 Prill 1939 në Durrës, ato në Shkodër, Shëngjin e Sarandë, demostratat, manifestimet e mbarë një populli në të katër anët e vendit të frymëzuara nga një ndjenjë e thellë kombëtare dhanë kushtrimin e asaj që do të ndodhte më vonë në Shqipëri. Për të ruajtur karakterin, etnitetin, virtytet dhe moralin e popullit shqiptar, në përputhje me traditat e vjetra nacionaliste për pavarësi e bashkim kombëtar, me një organizim të jetës ekonomike e shoqërore, siç e kërkonte koha, që në javët e para të Prillit 1939, me nismën e Th. Orollogait, M. Frashërit, H. Dostit e F. Dibrës u formua një “Komitet i Rezistencës”. Një ndër veprimet kryesore të këtij Komiteti qenë bisedimet me grekët (tashmë në luftë me Italinë fashiste), për të organizuar një kryengritje në Shqipëri kundër armikut të përbashkët, mjaft që qeveria greke të grantonte kufijtë e 1913-ës. Për fat të keq, pala greke e refuzoi këtë kërkesë. Me kohë, ky Komitet u kthye në një organizatë nacionaliste, ku bënin pjesë grupe me tendenca të ndryshme politike-shoqërore, të cilët i bashkonte lufta për një Shqipëri të lirë, etnike e demokratike dhe çështja e regjimit politik të vendit që të zgjidhej me vota të lira pas çlirimit. Nga ana tjetër, lëvizja komuniste në Shqipëri, në periudhën e parë të pushtimit italian dhe të Luftës së Dytë Botërore, e hutuar nga pakti Molotov-Ribentrop, përleshjen për jetë a vdekje të demokracive perëndimore me sistemet totalitare e konsideronte si një grindje borgjeze e luftë imperialiste. Në një raport të M. Popoviçit, dt. 21 Maj 1942, drejtuar Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste Jugosllave, thuhet: “Kemi gjetur një kaos të vërtetë. Ndodheshin grupe dhe grupëthe. Secili tërhiqte nga ana e tij. Shpeshherë bënin bashkime ose marrveshje,për paditur njëri-tjetrin”. Dhe në një vend tjetër: “Komunistët shqiptarë që nga pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste dhe deri në Nëntor të vitit 1941, s’kanë luajtur asnjë rol në lëvizjen e mbrendëshme të popullit shqiptar (shih: “Gjaku i Tradhëtuar”, libër i bardhë i Ministrisë së Jashtme Jugosllave). Vetëm pas hyrjes në luftë të Bashkimit Sovjetik, kjo lëvizje e ndihmuar nga dy emisarë sllavë (Popoviç e Mugosha), arriti të formojë më 28 Nëntor 1941 partinë e saj, PKSH. Tani e ogranizuar, e drejtuar nga njerëz me eksperiencë të gjatë në kësi punësh e ushqyer nga entuziazmi i një rinie të pastër edealiste, hidhet në një veprimtari të vrullshme e të hapët për të marrë fuqinë në dorë. Duke luajtur me ndjenjat patriotike të popullit, kjo Parti në shtator të vitit 1942, konvokon mbledhjen e Pezës, nga do të dalë FNÇl. Në këtë front, për një arsye apo tjetrën, për këtë apo atë rrethanë, u ftuan edhe intelektualë e nacionalistë të ndershëm e patriotë të shqetësuar sinqerisht e seriozisht për fatet e kombit. Por nuk do të kalonte shumë kohë dhe një pjesë syresh ose do të largohej, ose do të mënjanohej, ose do të zhdukej fizikisht gjatë luftës. Le të kujtojmë gjyqin e S. Qeribashit, Gj. Kokoshit, S. Asllanit dhe të grupit të deputetëve (opozita e parë shqiptare). Megjithëse kështu të konceptuara, të dyja këto ogranizata mbanin kontakte dhe të drejtpërdrejta, sidomos nëpërmjet H. Dostit, M. Gjinishit, Y. Dishnicës. Bënin veprime ushtarake të përbashkëta: luftërat e Gjormit, Selenicës, Greshicës, Vershezës në Skrapar, Mallakastrës etj., janë disa shembuj. Me rënien e Musolinit më 25 Korrik 1943, kapitullimi i Italisë pritej dita-ditës. Para një situate të tillë dhe të papriturave që mund të ndodhnin, të dyja organizatat e ndjenin nevojën urgjente për të koordinuar veprimet e tyre. kështu më 26 korrik në fshatin Topozë afër Tiranës, u mblodhën për të biseduar përfaqësues nga këto dy organizata. Palën nacionaliste e përfaqësonin: Mitat Frashëri, Hasan Dosti, Vasil Andoni, F. Quku. Dhe palën tjetër (komuniste): M. Gjinishi, Y. Dishnica, A.Kupi, M. Peza. Pas bisedimesh të gjata e të mundimshme, sidomos nga M. Frashëri e H. Dosti, aty në Pezë u bë siglimi i pikave kryesore të cilat do të debatoheshin në një mbledhje tjetër. Parimisht këtu u ra dakord për këto pika: luftë imediate kundër okupatorit; luftë për një Shqipëri të lirë e demokratike. Pra, nga të dyja organizatat pranohet ideja e formimit të një komiteti të përbashkët me emrin Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, i cili në programin e vet kishte edhe çlirimin e Shqipërisë (duke përmbysur klauzolat e kufijve të vitit 1913), d.m.th. bashkimin e Shqipërisë etnike, por që për të gjitha viset tjera të banuara prej shqiptarësh, reklamonte të drejtën universale të vetvendosjes së popujve, të garantuar nga “Karta e Atlantikut”. Kështu më 1 Gusht 1943 në Mukje, në një lëndinë e nën hijen e ullinjve, me një ndjenjë të thellë përgjegjësie e me fantazmën e luftës vllavrasëse në prag të derës, zënë vendin ulur për tokë në formë rrethi, të deleguarit e të dyja palëve: Th. Orollogai, M. Frashëri, H. Dosti, H. Lepenica, S. Muço, M. Araniti, I. Luzaj, H. Meniku, K. Cakrani, N. Peshkëpia. I. Petrela, H. Maçi për njërën palë (nacionaliste), dhe për palën tjetër (komuniste), M. Gjinishi, V. Nathanaili, G. Nushi, A. Kupi, Y. Dishnica, M. Peza, H. Stërmilli, S. Bogdo, Malo Frashëri, S. Plumbi, Padër Lekë Luli. Me mirëkuptim, përfaqësuesit e Kosovës: R. Krasniqi. R. Mitrovica dhe A. Cami, megjithëse ndodheshin në Mukje, nuk marrin pjesë në bisedime. Për të drejtuar bisedimet u caktua Th. Orollogai-Kryetar, N. Peshkëpia-sekretar dhe M. Gjinishi-anëtar. Në prani të qindra luftëtarësh, fshatarësh, intelektualësh, ushtarakësh që prisnin tërë ankth e shpresë zhvillimin e bisedimeve, mbledhjen e hapi Hysni Lepenica. Pasi paraqiti natyrën e dy organizatave, ai shtron për diskutim çështjen delikate që duhej të zgjidhte kjo mbledhje, siç ishte çështja e Shqipërisë etnike. Të dyja palët ishin tepër të vetëdijshëm se suksesi apo dështimi i kësaj çështjeje vuloste suksesin apo dështimin e bashkimit të Kombit. Gjatë luftës Partia Komuniste Shqiptare, duke ndjekur direktivat e PKJ (Partisë Komuniste Jugosllave), problemin e Kosovës jo vetëm që nuk e ngrinte, por e konsideronte si diçka të servirur nga fashizmi, për të përçarë popullin shqiptar. Të ngresh problemin e Shqipërisë Etnike, për komunistët ishte njësoj si të çosh ujë në mullirin e okupatorit. Ja ç’thuhej në një letër të shkruar në Nëntor 1943: “Partia Komuniste Shqiptare, s’duhet të shikonte veçse luftën kundër okupatorit, e cila do të sillte demokracinë në Shqipëri e në Jugosllavi, dhe atëherë problemi i Kosovës nuk paraqitej, mbasi ajo do të jetonte në vllazëri të plotë me popujt e Jugosllavisë…, sepse Jugosllavia e re që do të krijohej do të ishte një vend i lirë ku nuk do të kishte shtypje kombësish as dhe për pakicat shqiptare, (“Gjaku i Tradhëtuar”, botim italisht). Pala nacionaliste kërkoi gjithashtu që pika ku bëhej fjalë për luftë imediate kundër armikut okupator, të plotësohej: kundër armikut okupator e çdo armiku tjetër eventual që mund të sulmonte Shqipërinë dhe çdo pëllëmbë të tokës së saj. Shikoni të dashur lexues, sa e lartë është shkalla e ndërgjegjes dhe e botkuptimit patriotik të nacionalistëve në atë periudhë aq të ndërlikuar dhe deçizive për fatet e kombit (M.B.). Dhe ja si do të vijojnë ngjarjet: Me insistim të Hasan Dostit dhe anëtarëve të tjerë nacionalistë u kërkua shpallja e pavarësisë së Shqipërisë dhe anullimi i vendimit të 12 Prillit 1939 të Asamblesë fashiste, e cila kishte shpallur bashkimin e Italisë me Shqipërinë dhe Viktor Emanuelin III, mbret të Italisë dhe mbret të Shqipërisë. Marrëveshja e Mukjes u prit me gëzim në të katër anët e vendit. Shqipëria u çlirua nga ankthi që i zinte frymën prej kaq kohe. Populli kujtoi se gjaku që po derdhte nuk po shkonte kot. Gëzim i përgjithshëm, por gëzim i shkurtër. Më 3 Gusht, Mitat Frashëri i propozoi përfaqësuesve të FNÇl që me forca të përbashkëta të cilat ishin aty të gatshme, të sulmonin Krujën e të formonin një qeveri provizore. Përfaqësuesit e FNÇl refuzuan me pretekstin se nuk ishin të autorizuar për një veprim të tillë. Më 8 Gusht 1943, PKSH-ja lëshon një qarkore drejtuar komiteteve të saj në qarqe: “Të dashur shokë, lajmëroheni se ju është dërguar nga Tirana një trakt për t’u shpërndarë i firmosur prej Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë, ku flitet për bashkimin e plotë të arritur në mes të FNÇl dhe BK (Ballit Kombëtar). Ky trakt është në kundërshtim me vijën Nacional Çlirimtare dhe disaprovohet nga Komiteti Qëndror i Partisë”. (E.H. v.1)… Menjëherë pas Konferencës së Mukjes, u thirr në Labinot, Konferenca e Dytë e Këshillit të “Nacional Çlirimtares” ku u mor një vendim i prerë kundër vendimeve të Konferencës së Mukjes e kundër Ballit Kombëtar, (“Gjaku i Tradhëtuar”). Politika sllave ia arriti qëllimit. Vllavrasja po fillonte. Kështu nga fundi i Shtatorit bëhet mbledhja e KNÇl të rrethit të Vlorës në Hysoverdhë në shtëpinë e K. Hazbiut. Me dy vota kundra të A. Agollit e A. Halitit për të goditur forcat nacionaliste në Libohovë. Në Tetor 1943 Mehmet Shehu pushkaton 69 fshatarë luftëtarë të forcave nacionaliste në Shegas të Lushnjes. Në Tragjas, forcat e A. Çamit priten me armë nga forcat komuniste. Kështu ndodh në Gjorm. Në Gjirokastër vritet Tare Kodra me të jatin, Mustafa Shehu me të birin, Sefedin Haderi, Emin Kokalari, Tajar Çarçani etj. Në Korçë, në Teqenë e Melçanit vriten Baba Zylfua, Sabri Panariti. Në Kavajë, Besnik Çana, Qeramudin Sela. Në Shopër të Zagorisë, vritet Sabaudin Dino. Tek përroi i Shipkës (Korçë) në Janar 1944 u gjetën 185 kufoma të masakruara. Në një shkresë tepër sekrete të nënshkruar nga vetë “Shpati” (Enver Hoxha), drejtuar qarkoreve të Partisë të rretheve, tregohen hapur qëllimet antikombëtare të Enver Hoxhës, (ky dokument ra në duart e N. Meqemesë, F. Gurit. R. Toxharit, N. Fuga, anëtarë aktivë të rinisë komuniste, të cilët pas kësaj distancohen). Në Devoll vritet doktor Kasimati e Zija Gashi me shokë. Shqiptari po vriste vëllezërit e vet shqiptarë! Kush dhe përse e mashtroi këtë popull në luftën e tij për të kërkuar e siguruar të drejtat e veta të ligjshme? Kush dhe përse e mbolli atë urrejtje që pllakosi mbi një popull mbarë për një gjysëm shekulli? Kemi të drejtë të mendojmë se po të ishte respektuar Marrëveshja e Mukjes, do të kishim arritur 50 vjet më parë atë që me aq mundime pa vuajtjes së llahtarshme të luftës së klasave duam të arrijmë sot. Me sa mund të konstatojmë: janë pikërisht ata që shkaktuan vllavrasjen autorët identikë që zhvilluan luftën e klasave. “Urojmë që kjo histori e trishtueshme të mos përsëritet kurrë”. Mark Bregu
Shqipëri Atdhe i dashur si ti nuk ka në Botë. Zemrat tona duan me të pasur më e mira në Evropë. Shqipëri Atdhe i dashur si ti nuk ka në Botë. Jemi një ndër kombet më të qytetëruara të botës me histori të lashtë dhe kulturë të shkëlqyer. Edhe ne shqiptarët i kemi përjetuar të gjithë sistemet ekonomiko-shoqërore që ka kaluar njerëzimi, por për shkak të pozicionit gjeografik, madhësisë së territorit dhe karakterit të fortë të “natyrës” sonë jemi detyruar të përballojmë fortuna, dallgë dhe stuhi të mëdha me disa veçori rënduese më të theksuara se shumë të tjerë. Ishte fatkeqësi e madhe kombëtare pushtimi shekullor 450 vjeçar otoman, i cili edhe feudalizmin e zhvilluar të gjysmës së dytë të shekullit 15-të, d.m.th. strukturën dhe superstrukturën ekonomiko-shoqërore shqiptare të kohës, e cila njësohej pothuajse me vendet më të zhvilluara të Evropës mesjetare e detyroi të kthehej shumë shekuj mbrapa në histori. Natyrisht jo për fajin tonë, por për gjynahet e të “Sëmurit të Bosforit” dhe të Evropës plakë, e cila për hir të interesave të saj, pabesisht na la nën mëshirën e dhunës të lindjes aziatiko-evropiane. Në pjesën më të madhe të vendit u vendos ideologjia dhe një pjesë e kulturës së pushtuesit, ndërsa në zonat e thella, atje ku nuk shkelte dot këmba e tij populli trim e fisnik i Arbërit vazhdoi të udhëhiqej dhe të drejtohej nga rregullat, normat dhe ligjet zakonore, të cilat në krahinat e Shqipërisë veriore e verilindore u përmblodhën në një kod të vetëm që u quajt “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Një ndër shtyllat më të fuqishme të ligjeve shqiptare që nga lashtësia dhe deri më sot janë nderi dhe krenaria kombëtare që jemi shqiptarë, atdhedashuria deri në flijim, ndjenja e bukur fisnike e lirisë, e dashurisë, e besës, mikpritjes dhe e bashkimit për të mbrojtur trojet tona, familjen, gjuhën shqipe, tokën etj. Ky është një thesar i paçmuar, burim i forcës tonë dhe i përjetshëm. Nga ana tjetër qëndron edhe përçmimi, urrejtja dhe dënimi për veset e këqija si tradhëtia, besa e shkelur, armiqësia etj. Vetitë dhe cilësitë e një populli veçanërisht kur jeton për një periudhë të gjatë kohore në kushte të veçanta ekonomiko-shoqërore, në çfarëdo lloj përmbajtje, forme dhe drejtimi që të zhvillohen ato, në mënyrë të natyrshme bëhen nevojë jetike shpirtërore dhe morale e njerëzve duke marrë në disa rrethana e momente të caktuara përmbajtjen dhe tiparet e tabuve, si të themi të disa normave të hyjnizuara dhe të paprekshme. Reformimi, riklasifikimi ose ndryshimi në drejtim progresist të ndonjërit prej tyre është shumë i vështirë dhe delikat, sepse kërkon bindje të thella e ndërgjegjësim të gjerë dhe një kohë jo të pakët. Besa është një ndër cilësitë më të vyera dhe të shkëlqyera të shqiptarit. Por edhe ajo po të hiperbolizohet duke i vënë vetëm një limit për të gjithë kohërat njëlloj mund të kthehet në tabu. Dikush më tha një ditë: “Skënderbeu ka qenë tradhëtar”. Natyrisht në moment e kuptova këndvështrimin dhe pozicionin e tij dhe i thashë: “Po zotni. Keni të drejtë. Në analizë të fundit Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, i cili mori nga Stambolli shkollat e larta, gradat dhe ofiqet ushtarake si dhe bëri betimin ushtarak të pushtuesit… është tradhëtar për Sulltanin, sepse kishte një detyrim ndaj tij, i cili kur e thirri Ora e Arbërit e “shkeli” për të mbajtur Besën e Madhe të Qumështit të Nënës dhe të lirisë që një ditë të vinte në Atdhe për t’i dalë zot vatanit. Në histori është folur dhe vazhdohet të flitet shumë në lidhje me kuptimet e ndryshme që merr emri “tradhëtar”. Shtrohet një pyetje e thjeshtë. Kundër kujt mund të jetë një njeri ose grup njerëzish tradhëtar? Natyrisht ata mund të bëhen ndaj Atdheut, popullit, njëri-tjetrit, klasave, grupeve dhe shtresave shoqërore, partive dhe organizmave të tjera politike e sociale që drejtojnë shtetin dhe gjithë jetën ekonomiko-politike, administrative, kulturore, arsimore, të mbrojtjes së vendit etj. Meqenëse të gjitha këto organizma shoqërorë e politikë janë kurdoherë në lëvizje dhe ndryshim të përhershëm atëherë për rrjedhojë edhe perceptimi i kuptimit të konceptit të “tradhëtisë” ndryshon vazhdimisht. Ai nuk mund të qëndrojë i paprekshëm si tabu. Për fat të keq edhe sot vazhdohet, sidomos për interesa të ngushta egoiste-politike për pozitë, para dhe pushtet, të konsiderohet tradhëtia si djalli, diçka e paprekshme si flakët e ferrit, për ta pasur mjet dhe armë të fuqishme për etiketimin, goditjen dhe mposhtjen e kundërshtarit. Është e vërtetë, si çdo popull, edhe ne kemi pasë krahas miqve të shumtë edhe armiq e tradhtarë, të cilët jo rradhë kanë dëmtuar interesat e kombit, për të cilët historia kurdoherë do ta thotë fjalën e saj. Por mjerisht edhe sot merremi më tepër me pasojat se sa me shkaktarët e vërtetë të tyre. Para disa viteve kush kërkonte dhe vepronte për pluralizmin politik partiak, cilësohej dhe dënohej: “armik i partisë dhe i popullit, i atdheut dhe i flamurit”. Kurse sot, ky njeri, i cili vuajti për shumë vite purgatorin e burgjeve është demokrat i vërtetë dhe pishtar i madh i demokracisë. Gjithashtu kush kalonte kufirin e priste plumbi ose burgimi shumëvjeçar dhe familjen e tij internimi i gjatë dhe plot vuajtje. Ai cilësohej tradhëtar i Atdheut sepse kishte tentuar të largohej nga lufta e madhe heroike për ndërtimin e socializmit ngadhnjimtar, për t’u vënë në shërbim të Imperializmit Amerikan dhe armiqve të tjerë të brendshëm e të jashtëm. Ndërsa tani ky njeri quhet patriot i madh dhe kalimi i kufirit sido që të bëhet si rregull nuk është i dënueshëm me burgime të rënda nga Kodi Penal. Një vajzë e vogël, duke luajtur me shoqet e saj në trotuarin afër apartamentit të saj mbas goditjes në kokë nga një plumb qorr prej dhimbjes e tmerrit thirri “Oh babi”. Kaq foli vajza e shkretë pa shkuar në spital mbylli sytë përgjithmonë duke copëtuar zemrat e prindërve të saj, të shoqeve e shokëve të shkollës, të gjithëve. Një ditë shpirti i saj prej shenjtores na la një amanet: “Pse kështu o njerëz, ju baballarët tanë me ose pa thinja, a ju dhemb sadopak shpirti dhe zemra për ne?! Pse nuk imbroni më shumë fëmijët tuaj nga armët mizore dhe plumbat e tyre, të cilët na morën jetën pa u rritë e mjera unë?! A e ndjeni plotësisht se ne jemi gjaku, jeta, shpresa, e ardhmja dhe lumturia e juaj, e kombit dhe e atdheut?! Po ju pyet dhe ju lutet shpirti im nga “Parajsa” pa ne fëmijët, pa brezin e ri, ç’kuptim e vlerë mund të kenë të gjitha këto. Prandaj na mbroni me të gjitha forcat tuaja. E shkreta unë fatkeqe shkova në dhe të zi si një engjëll pa faj, si një lule pa çilë”. Në pozicion gjykimi, pendimi e reflektimi dhe orientimi, që çdo shqiptar duhet t’i shtrojë vetes për të projektuar synime e angazhime të reja në dobi të kombit e atdheut, lind nevoja e konsolidimit të burimeve e rezervave tona shpirtërore, fizike e financiare në kuadrin e bashkimit të të gjithë shqiptarëve rreth Flamurit tonë Kombëtar në rrugën Euro-Atlantike të progresit të përjetshëm. Kurdoherë në çdo kohë dhe vend, pavarësisht nga situatat dhe rrethanat çdo shqiptar i ndershëm dhe patriot ka gjetur forma dhe mënyra të ndryshme për të vënë qoftë edhe një gur të vogël ose guralec në Panteonin e Lavdisë të Kombit Shqiptar. Një erë e re po fryn mbi trualllin tonë. Urojmë që ajo të mos pushojë kurrë. Me rastin e miratimit të buxhetit të mbrojtjes së SHBA, Presidenti Bush, mes të tjerave tha: “Ne do të vazhdojmë pa ndërprerje dhe deri në fund luftën kundër terrorizmit. Do të luftojmë deri sa të sigurohemi që fëmijët, nipërit dhe stërnipërit tonë nuk do ju vijë asnjë e keqe, që ata të jenë kurdoherë të siguruar”. Shërbimi më i madh për fëmijët tonë është të gjejmë dhe të rrisim pa pushim forca e mundësi të reja për fuqizimin dhe shumëfishimin e frymës, të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit midis të gjithë shqiptarëve pa dallim në çdo vend të globit. Për arritjen e këtij objektivi të madh faktor vendimtar është dhe mbetet forcimi i sistemit politik pluralist partiak dhe i shtetit. Në këtë kuadër një rol vendimtar ushtron demokracia si forma më e përparuar dhe progresiste e drejtimit të shoqërive moderne. O fjalë e shtrenjtë, sa shumë tingëllon në zemrat tona zjarr i dashurisë, të gjithëve kudo ku jemi atë e shton, për njëri-tjetrin si bijt e Shqipërisë. Ti po rritesh si fëmijë bashkë me çdo njeri, si dy binjakë, si vllezër të një nëne, të cilët nuk rrojnë dot pa punë e liri, pa ajrin dhe ujin, pa Diellin dhe Hënën. Je forcë e pashuar, burim i përparimit, në udhën tonë të rritjes pambarim, po ikin retë vend i lëshojnë qiellit, ma e bukur dita do lind çdo agim. Krahët të përveshim, duart të shtrëngojmë në punë, me dialog, durim e tolerancë, anëtarë të çdo partie shqiptar të qëndrojmë që edhe idetë të kenë më shumë avancë. Të varfër jemi, por kështu nuk do mbesim, vullnetet tona me djersë do t’i endim, na duhet mirëqenie, më shpejt të ecim, pemës së demokracisë fruta t’i vjelim. Përpara o burra hapin të shpejtojmë, koha na thërret, është Ora e Shqipërisë, pranë njëri-tjetrit në krah të qëndrojmë për të mirën e Kombit e të Demokracisë. Ata që na bashkojnë përjetë së bashku janë Nëna jonë e Madhe Shqipëri dhe simboli ynë i shenjtë Flamuri Kombëtar. Që nga shekujt e kaluar dhe deri sot shumë poetë dhe këngëtarë kanë shkruar dhe kënduar me të gjitha forcat e mendjes dhe të shpirtit për flamurin. Edhe unë me zërintim të vogël, i kushtova disa vargje simbolit kombëtar. Po i kthej në prozë. Titulli: “Flamuri ynë” Larg në shekuj në histori përmes luftës burrërore, Yll Polar të patëm ty dhe do të kemi n’çdo fitore. Ke shqiponjën e Kastriotit kur t’i shpalos në at nëntor, pas errësirës qielli ndriti lum dire solle në Vlorë. Je burim i përparimit të gjithë kombin e bashkon, nderi yt besa e shqiptarit porsi Dielli kur agon. O Flamuri i Shqipërisë zemrat tona i gëzon të valvit flladi i lirisë drejt progresit na frymëzon. Kjo poezi për flamurin tonë e përkthyer në gjuhën italiane dhe e përshtatur për kushtet e kontinentit tonë mori emrin “Europë Alleluja”, e cila u cilësua nga shenjtëria e tij Papa Gjon Pali i dytë: “il testo dell’inno all’Europa”, teksti i himnit të Evropës. Nei secoli e nella storia nella guerra di libertà eri stella di nostra gloria e sarai eternita.
Con il mondo saraà unita quel novembre ti sveglierò, a Roma la luce nacque dopo il buio il cielo splende.
Lei simbolo del progresso tutti i popoli attorno a te, nostra fede il tuo onore come il sole sulle nuvole.
Europa Alleluja porti gioia al nostro cuore, tu ci dai libertà ed armonia in speranza in amore. Po e përfundoj shkrimin tim duke e lidhë aty ku e fillova me disa vargje të kthyera në prozë për Nanën tonë të shtrenjtë Shqipëri, duke shpresuar që shumëkush mund të gjejë një “gjenerator” sado të vogël force, shprese e besimi në veprimtarinë e tij të përditëshme. Shqipëri Atdhe i dashur si ti nuk ka në Botë, zemrat tona duan me të pasur ma e mira në Evropë. Bijtë e tu jemi të gjithë, në ball kemi një flamur, përpara së bashku vëllezër dhemiq, fatin tonë e kemi në duer. Të bashkohemi pa dallim, forca jonë është liria, kemi shpresë, kemi besim, shpejt do bëhet Shqipëria. Kush guxon çdo rrethim e çan, me punë dhe dije arrin planetet, besën e burrave kem dhënë, mos të kursejmë asgjë tanë jetën. Luigj Temali
Gjuha jonë letrare, pjellë e Enverizmit dhe e krahinarizmit. Vërtetë lënda që po paraqes me këtë shkrim nuk është e profilit tim, por me qenë se e drejta nuk nevojitë mjeshtri për ta pohuar, mbasi ajo pohon vetveten, po e kujtoj sa veç për të mos harrue detyrën që nxitë ta kryejmë me shpresën se sensibilizimi i lanun kaq shumë pas dore, po nisë të merret si shumë të tjea të vendoset ku duhet nga ata që e dinë si unë e ma mirë ku e ka vendin, duke e respektuar proverbin: “Ma mirë vonë se kurrë”. Megjithatë nuk duhet harruar se edhe vonesat ndahen në ato që presin e në ato që pritja i damton si pakujdesia të sëmurin rëndë. Heshtja është jetëgjatësia e vendimeve të padrejta. Heshtja i ushqen këto vendime si natyra trungun, që sa më i trashë të bëhet, aq më vështirë pritet. Prandaj lënja e kohës në dispozicion të sajë, është mëkat i pafalshëm për gjuhtarët që lypset ta ndryshojnë qëndrimin kaq indiferent, aq sa na detyrojnë ne të merremi me problemet që u përkasin gjuhtarëve, duke na e lënë gjithnjë prestigjin e tyre nën këmbët e Enverizmit. Dihet se nismëtarët e këtij revolucioni të mbrapshtë gjuhësor, i mbrapshtë si çdo revolucion komunist në të gjitha fushat e jetës shqiptare janë Enver Hoxha e përkrahësit e tij politikë e krahinaristë. Kushtet e kësaj goditje me shpatën e kuqe nisën t’i krijojnë që kur hipën në postet komuniste duke asgjësuar ajkën e inteligjencës që komunizmi e konsideron armikja më e pamposhtur e tiranisë së tij. Kështu me ekzekutimin e qëndrestarëve të pa lëkundur ekzekutoi edhe qëndresën e gjuhtarëve të lënë gjallë Parullën “Kur flet Enveri e vendosë partia”, gjuhtarëve tonë u desht ta banin Moto pune, që i shtrëngonte ta quanin teken e tiranit: Mendim gjenial. Argumentave u futen grushtin në gojë e u vunë kush e kush ta përkëdhelte më ëmbël dëshirën e diktatorit, për hartimin e një gjuhe që e fliste Enveri e prandaj, s’kishte si të mos quhej letrare, e një arritje e suksesshme si heqja e privatizimit e nxjerrja e feve jashtë ligjit, sipas parimit komunist që çdo gjë të ligjshme me e nxjerrë jashtë ligjit e anasjelltas. Ajo që na çudit në mënyrë të paspjegueshme është nënshkrimi i vendimit për vendosjen e kësaj “gjuhe letrare”, i gjuhëtarëve të shqipes jashtë Shqipërisë. Injorimit të argumentave aq bindës u vjen erë e pa këndëshme. Firmat e tyre miratuese tregojnë se këta gjuhëtarë qenë përzgjedhja e kujdesit më të pagabueshëm të Enver Hoxhës. Si për t’u tallurme gegnishte, që këtë gjuhë e futën si milimetrin që plotëson metrin e quajtën “Gjuhë e njësuar”. Angazhimi i Enver Hoxhës për këtë “gjuhë letrare” tregon qartë se po të ishte tirani gegë toskërishtes në gjuhën letrare do t’i jepej vendi që ka sot gegnishtja. Zgjedhja që Enver Hoxha e të tijët i bënë gjuhës model për t’u ndjekë i shembull greqishtes, tregon se tirani megjithë armiqësinë ideologjike ndaj Greqisë, ishte gati të bënte gjithçka veç si e si të varroste vlerat e gegnishtes si armiq të tij. Ai donte t’i zhyste vlerat e gegnishtes në lumenjtë e harresës, ashtu si zhyti në lumin Dri eshtrat e përfaqësuesit më të madh të kësaj gjuhe. Kjo urrjetje e bëri të përkthehej në shqip gramatikë greke e t’ua servirë shqiptarëve Verioret e Shqipërisë edhe më këtë të keqe të injektuar si të gjitha të këqijat e tjera Enveriste do të mësoheshin me të, aq sa shumë prej nesh do t’u bëhej e zakonshme kjo “gjuhë letrare” përmasat e dëmit të së cilës i dinë vetëm ata të kësaj zanate. Megjithëkëtë, ata vazhdojnë në heshtje, si ta kishin frikë ende fantazmën e Enver Hoxhës. Gjuhës sonë nuk ia hoqën paskajoren të ndikuar nga greqishtja, por nga se greqishten e konsideruan një pikëmbështetje të justifikimit, që po mos ta kishin gjetur kaq afër do ta kërkonin edhe në fund të botës si shkak për të sakatuar gegnishten e Visareve të kombit dhe e mrekullive folklorike të veprave më madhore e të përkthimeve të Iliadës e të Komedisë Hyjnore e të shumë të tjerave që tregojnë më së miri pasurinë kolosale gjuhësore plotësuese të kërkesave maksimale të një letërsie që bën krenar edhe popullin më të qytetëruar. E vërteta është e ngjashme me diellin, edhe kur e pengojnë retë se po të ngrihesh mbi to e sheh të plotë e na duhet patjetër të ngrihemi mbi to. Pyetjen pse po rrimë ende nën këto re, na duket sikur e kemi gjithnjë në vesh e gojës i mungon përgjigja. Gjuhëtarët shtihen memecë si të mos kishin gjuhë fare ose gjejnë justifikime më të papranueshmet e çdoi arsyetimi. Këtë e vura re edhe në një bisedë që më rastisë të bëj me një gjuhëtar tonin rreth kësaj çështjeje, megjithëse zotëria mungesën e paskajores e konsideroi mungesë drejtësije, e tha se paskajorja është themeli gramatikës së gjuhëve të përparuara, si edhe vendosjen e gjuhës letrare çështje për t’u rishqyrtuar, kur erdhi fjala për kapitullimin e gjuhëtarëve tonë përpara tiranit, nisi të thurë justifikime dështake që në embrion. Kështu faji u bë i ngjashëm me atë njollën që duke u përpjekur ta shlyesh përhapet edhe më shumë. Në gjuhë tha gjuhëtari gjendet gjithmonë vend për korigjime. Ne ishim firmat e një vule që natyrisht nuk duhej të ishte e tillë, mbasi revolucioni gjuhësor është i përjetshëm. Po, ia prita unë, po ju i ndryshuat rrjedhën revolucionit prandaj më parë e më dalë duhet kthyer ajo rrjedhë në shtratin e saj origjinal e mandej me u ndjekë ecja e saj e natyrshme e gegnishtja e toskërishtja të trajtohen si dy motra të një pasurie të përbashkët e si një të vetme të shfrytëzohet nga të gjithë shqiptarët, e sidomos njerëzit e letrave që këtë pasuri e kanë më të shtrenjtë se të tjerët. Unë dëshiroj, tha gjuhëtari, që përvoja e së kaluarës e kushtet e tashme të sjellin në gjuhën tonë, përmirësime rrënjësore. Ne nuk e patëm fatin të kishim një gjeni, që t’i vinte gjuhës letrare vulën e vet të përhershme, gjinitë, ia ktheva unë, numërohen me gishtat e njërës dorë, ndërsa gjuhët e njerëzimit janë me qindra. E në mos paçim gjeni, figura madhore të letërsisë kemi më shumë se shumica e popujve të botës. Mandej gjeni nuk qe as hartuesi i gjuhës Esperanto. Pastaj edhe sikur ti kishim të gjithë gjenitë e botës, teket e tiranit nuk pyesin për gjeni. Unë çuditem pse tirania e paska jetën shumë më të gjatë se tirani. Kam dëgjuar të thuhet se ka çështje më të ngutshme për t’u zgjidhur. Unë mendoj se kur të padrejtat nuk zgjidhen në mënyrë paralele, rradha e padrejtësive në vend të shkurtohet, zgjatet. Çështja e gjuhës letrare është çështje kombëtare prandaj rëndësia e saj e ka peshën sa kombi. Do të ishte turp sikur e tashmja t’ia linte së ardhmes ndarjen e vlerave prej anti vlerave. E ardhmja duhet të krenohet me të tashmen, jo t’i vijë turp si të tashmes për të kaluarën. Ne kemi shumë nevojë të kemi sa më parë një gjuhë që të na mundësojë shijimin e të gjitha veprave madhore e përkthimet e famshme nga Homeri, Dante e të tjerë. Janë krijimet e përkthimet në këtë gjuhë që e tregojnë plotësimin e kërkesave artistike. Unë, tha bashkëbiseduesi, mendoj se një pjesë të fajit e kanë edhe botuesit që sot nuk i pengon kush më të botojnë çdo gjë që i shkruan gegnisht. Jo, zotni, gegnishtja nuk duhet të trajtohet si një gjuhë e vdekur si greqishtja e vjetër, apo latinishtja që të mbahet gjallë vetëm me botime për të lehtësuar hulumtimet e kërkuesve, por të gëzojë bashkekzistencën e bashkë vendin në gjuhën letrare me toskërishten. Një mik i imi kur e lexoi këtë shkrim para se të botohej, sado që arsyetimet e deri këtushme të këtij shkrimi i konsideroi bindëse, kundërshtarët e këtyre mendimeve do të përpiqeshin me gjetë “halën në perpeq”, po të mos ishin shembujt sa më konkret që ua presin rrugën justifikimeve të kundërshtarëve të gegnishtes. Unë ia prita, mendoj se një studiues i zellshëm prej gjuhëtari me çka i mungon gjuhës letrare do të mbushte një vëllim. Un si jo i këtij zanati po citoj disa shembuj për të treguar se edhe vetëm kaq pak pasqyrojnë më së miri mjeshtërinë e lavdërimt të gegnishtes. Zëri, zani, zanore. Hëna, hana, hanore. Rëra, rana, ranishte. Syri, syni, synoj. I varfër, i vorfën, strehë vorfnore. Hapësirë, hapsinë, hapsinore. Dashuri, dashuni ose dashtni, dashnore. Vëllezër, vllazri, vllazen, vllazni. Barëra, barna, barnatore. Përsa i përket foljes, ajo tashmë në gjuhën letrare shqipe nuk ekziston, mbasi folja me qenë nuk ka si të quhet jam nga se jam asht veta e parë e foljes e ky rol do të mund t’i ngarkohet cilësdo vetë, prandaj heqja paskajores heqë detyrimisht edhe foljen ngase fjala folje mbetet pa kuptimet. Lypset bërë çmos që gjuha shqipe të ketë ato tipare që Fishta ia pikturoi në poezinë “Gjuha shqipe”, e motori i kësaj nisme duhet të jetë media si mjeti më i fuqishëm i sensibilizimit e gjuhëtarët duhet t’ia paguajnë këtë borxh popullit e zanatit të tyre që ndërgjegja thotë papushim: Laje e ti mund të mos e paguash nëse ke vendosur të mos i përgjigjesh ndërgjegjes. Gjokë Vata
Jam artiste vetëm në skenë, në shtëpi jam një skllave Arti nuk vlerësohet, dhe nuk investohet nga shteti shqiptar. Atë që s’e bën politika, duhet ta bëjnë artistët. (Intervistë me artisten e skenës dhe kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa) Pyetje: Zonja Margaritë! Jeni grua, nënë dhe artiste. Si i keni përballuar për të qenë një e vetme? Përgjigje: Jam një grua, si të gjitha gratë shqiptare, me problemet e mbingarkesat që të afron jeta e përditëshme. Pasi gruaja jonë është e ngarkuar, e lodhur që harron veten e saj, për të plotësuar të gjitha kërkesat e familjes së saj. Sepse gruaja shqiptare është gruaja e sakrificës, padyshim është më e lodhura, më e vuajtura në familje dhe shoqëri. Si nënë jam e lumtur. Kam rritur tre fëmijë, me shumë mundim, për nga vetë profesioni im. Sepse të rritësh, të edukosh dhe të shkollosh tre fëmijë është një stërmundim. Por tashti jam e kënaqur, pasi fëmijët e mij janë bërë të zotë për veten dhe shoqërinë, unë lumturohem, sepse nuk më shkoi mundi dhe sakrifica dëm. Dhe kjo është dhurata më e madhe që i bëhet nënës, kur i sheh fëmijët e saj, të rritur, të edukuar, të zotë në profesionet e tyre duke qenë vetvetja e tyre. Kurse si artiste, me keqardhje e deklaroj: Jam artiste vetëm në skenë, në shtëpi jam një skllave, e mbërthyer me vështirësitë e jetës, të së përditëshmes që përjetojnë në përgjithësi njerëzit e ndershëm të shoqërisë shqiptare, dhe artistët në përgjithësi. Pyetje: Të ndalemi te arti. Si e përballon ekzistencën e të ekzistuarit artiste? Përgjigje: Ashtu siç kam qenë e mbingarkuar në familje, po kështu kam qenë shumë e mbingarkuar edhe në punë. Më aktivizojnë rregullisht në shumë komedi, të huaja dhe shqiptare. Dhe kur spektatori më pret shumë ngrohtë me duartokitjet e tij, unë rilind sërish. Gjithashtu besimi i regjisorëve ndaj meje, më rrit përgjegjësinë e përkushtimin, në dashurinë e madhe për profesionin tim si aktore, mundohem ta justifikoj veten me korrektësi. Sepse unë s’kam profesion tjetër, veç artit që më rriti, më formoi dhemë bëri të jem, kjo që jam sot. Pasi arti ka kënaqësi të jashtëzakonshme që të ngjit në majë, dhe lum kush punon për t’i ngjitur këto maja. Duke u marrë me art gjatë gjithë jetës sime në skenë më ka mbushur shpirtin, më ka lumturuar, më kanë bërë të njohur. Dhe shumë njerëz në rrugë më respektojnë, më kërkojnë që unë të luaj në skenë, apo të xhiroj nëpër filma sërish. Dhe unë vazhdoj sërish të punoj, se më mbajnë gjallë përshëndetjet e tyre, mirënjohja e tyre dhe duartrokitjet e zjarrta, që si vullkan mposhtin hallet e problemet e mija, pasi edhe unë jam njeri i gjallë si ata. Pyetje: Përveç kënaqësisë dhe respektit që të jep skena, spektatori, a ta japin këtë kënaqësi apo vlerësim institucionet e kulturës të shtetit shqiptar? Dhe si vlerësohet artisti në Shqipëri? Përgjigje: Shteti na ka dhënë nga një dekoratë a titull si artistë të merituar, por këto dekorata e fletënderi kanë zënë myk në sirtaret tona. Shteti s’ka hyrë kurrë tek hallet e problemet tona! Të pyesin, si jetojmë ne? Sa shtëpi kemi ne? Sa pension kemi ne. Por kur kanë nevojë për autoritetin politik, na ftojnë për të ilustruar fasadën e personalitetit të pushtetit serioz. Sepse ata s’e dinë mirë, që fytyra e vërtetë e një kombi është arti dhe kultura. Por kur arti nuk vlerësohet dhe investohet nga shteti, karriget e tyre do të digjen si kashtë e thatë. Sepse s’ka art. Sepse artistët tanë në Shqipëri janë kontigjenti më i persekutuar nga vetë shteti shqiptar, me rrogat dhe pensionet qesharake që s’na dalin as për kafetë që pimë në pushim të provave. Dhe kjo, është varfëria profesionale e një shteti të pakonsoliduar kurrë, që s’mendon jo vetëm për artistët, por edhe në shumë fusha të tjera të rëndësishme të vendit të tij, si p.sh. në shëndetësi, në arsim, duke i krijuar mundësinë e korrupsionit të llahtarshëm. Është shumë e dhimbshme, se këtu tek ne (si në asnjë vend të botës) ka artistë që nuk kanë një shtëpi të fusin kokën, kurse politikanët tanë kanë nga 2-3 vila luksoze. Megjithatë edhe pse ne artistët mbijetojmë mbi xhunglat e padrejtësive, në nëpërkëmbjen e injorancës të shtetit të djeshëm dhe të sotëm, që na diskrediton me ndarje dhe fshirje personalitetesh, ne kemi punuar me pasion dhe kemi fisnikëruar portretin e artistit, e të shoqërisë shqiptare. Gjithë jetën e shkrinë rininë e tyre me vetmohimin e sakrificës për të bërë art të vërtetë. Pyetje: Ju shohim shpesh nëpër aktivitete letrare, ku interpretoni. A ju paguajnë? Pasi edhe arti me reformimin e tij, duket se ka hyrë në rrugën e biznesit, ose më troç, të tregut kapitalist. Përgjigje: Kurrë nuk e trajtoj artin e interpretimit, biznes (dhe Margarita ngrys vetullat). I kam rënë Shqipërisë pash më pash. Kam respektuar çdo poet qëmë ka ftuar nëpër promovime librash, për t’ia lartësuar poezinë e tij. Jam munduar që artit, t’i jap shpirt nga shpirti im. Dhe më kujtohet një takim letrar në qytezën e Ulzës (ku isha e ftuar nga kryetari i komunës Simon Kaça). Ku nxënësit e shkollës së mesme dhe 8-vjeçare më kanë duartokitur e respektuar aq shumë saqë u mallëngjeva dhe s’kisha ç’t’ju jepja. Në Ulzë ishte një vend shumë i varfër, saqë banorët atje diskutonin bukën e gojës. Kurrë s’jam ndjerë më e ligsht, kur një nxënës zhytet në liqen dhe zuri një peshk, për të ma dhuruar mua për respekt. Nuk do ta harroj kurrë atë moment emocionant. Dhe me të mbërritur në Tiranë kërkova ndihmë në shoqata bamirëse si Kryqi i Kuq, për të ndihmuar ata fëmijë në Ulzë, me ato probleme sociale, që për shtetin shqiptar, ndoshta s’ekzistojnë fare. Kudo që ka shkelur këmba ime, (nëpër shkollat e qyetit, në reparte ushtarake, në takime letrare) kam punuar falas. Biznesin në art, le ta bëjnë menaxherët e shoqërive të ndryshme private, artistike. Artistat e brezit tim, nuk mund ta bëjnë kurrë këtë turp. Të fitojmë para nga njerëzit e varfër. Por Arti në Shqipëri kështu u katandis, përderisa emërohen në Ministri të Kulturës, ministrat politikë, që i shkatërruan kultet e artit dhe të kulturës, në të gjithë vendin. Dashamir Cacaj
Kosova, tragjedia e ngjethur Kosovarët, më shumë se çdo popull në botë, kanë patur dhe kanë mbi kurriz një kompleksitet rolesh në ekzistencën e tyre. Në Hoqe-Mhallë të Komunës së Prizrenit, ku ishim me shërbim nga gazeta “Shqipëria Etnike”, bindesh për një përkufizim të tillë. Ndjen dhimbje, shumë dhimbje për problemet atje, ku mbi gjithçka është jeta e rrezikuar, janë konfliktet që e bëjnë jetën e njeriut të pavlefshme. Dhe Kosova ka dhënë shumë jetë për të jetuar e lirë. Ja, rasti i Adrian Hasanit është një tragjedi që të ngjeth mishin e shtatit dhe kur ti e hedh në rreshtat e një shkrimi për ta publikuar në tërë botën si shembull të një realiteti shumë të hidhur, si shembull të një modeli antinjeri. Këtë person, ashtu si edhe shumë të tjerë, forcat serbe e kanë dhunuar e shumë herë. Si i ri, meqë e shihte se serbët edhe mund ta vrasin, vendos të largohet nga Kosova në kërkim të një jetimi të jetës që ashtu siç ta ka falë Zoti, duhet ta marrë vetëm Zoti. Dhe çuditërisht, një natë para largimit nga Kosova me dhunë të pashpjeguar serbët i kontrollojnë shtëpinë, gjoja për armëmbajtje. Por ajo që është më shqetësuese është se në atë kontroll kishin lidhje edhe forca të UÇK-së, të cilat edhe e kanë rrahur atë dhe pjesëtarët e familjes. Edhe fraktura në fytyrë iu shkaktuan këtij kosovari të mirë që edhe sot na flasin me respekt për të. Vëllain gati sa nuk ia vranë nga të rrahurat. Anëtarë të UÇK-së, u kanë thënë serbëve në fakt që të mos plaçkitet asgjë në shtëpi, pasi do vinin sërish të nesërmen, ku edhe do i merrnin. Po ku do i çonin, cili ishte shkaku?! Këto janë ende enigmë, si shumë gjëra të tjera në Kosovën martire. Kësisoj, ashtu me fraktura, me shpirt në dhëmbë Adrian Hasani ikën nga Kosova dhe pas një udhëtimi të vështirë dy ditor në këmbë arrin në Maqedoni. Pasi nuk arriti kurrsesi të lidhet me familjen, aty nga gjysma e dhjetorit 1999, mori rrugën për në Anglinë e largët, ku kishte pak shpresa për të jetuar. Është e çuditshme se edhe sot në Prizren, siç na thonë burime tona të rezervuara por të besueshme, Adrian Hasani kërkohet të pushkatohet, ndërsa edhe familja e tij është larguar prej kohësh diku në Perëndim. Ajo kullë sot është bosh, është rrënojë, pa njerëz, pa jetë. Eh, kjo familje është viktimë jo vetëm e serbëve, por mbase edhe e një rrjeti mafioz në radhët e shqiptarëve. Flori Slatina
Shqipëria, vendi i konflikteve të pashoqe Përgjithësisht shqiptarëve nuk iu pëlqejnë konfliktet, zënkat, e aq më tepër vrasjet. Në shekuj, po të shfletosh historinë, ata edhe kur kanë patur konflikte serioze kanë arritur t’i sheshojnë. Nisma e fundit e misionarëve të Pajtimit të Paqes, ku rrethi më verior i Shqipërisë, Malësia e Madhe është shpallur Zonë Pilot, ku po synohet që gjakmarrja të ngushtohet deri tek vrasësi, duhet përshëndetur. Një “adoptim” i tillë me këtë fenomen tashti duket i vështirë, por shumica e njerëzve edhe pse nuk e shprehin, e përkrahin. Veriu shqiptar për vetë karakterin e fortë e krenar, është shumë më problemor se Jugu u Shqipërisë, që është diçka më tolerant. Vetëm në Shkodër, sot janë të ngujuar për gjakmarrje mbi 530 familje. Shumë gra të pafajshme, shumë fëmijë që duhet të shkonin në shkollë, në kopësht apo në lojëra si moshatarët e tyre, janë të privuar nga çdo e drejtë njerëzore. Fotografia që ne po shoqërojmë këtë shkrim, tregon një femër shqiptare me tre fëmijë, që prej shumë vitesh është viktimë e hakmarrjes. Po, kjo grua që shihni, e quajnë Luke Zefi nuk ka as edhe një faj, megjithatë, një telefonatë në redaksinë tonë mbrëmë na njofton se shtëpia e saj, ku ajo ishte e ngujuar, u plaçkit dhe u dogj. Mendimi është se veprimi u krye për motive gjakmarrjeje të disa viteve më parë. I shoqi i saj Bernard Zef nga fshati Beltojë, komuna Berdicë e Qarkut Shkodër, i datëlindjes 1965, kishte konflikt gjakmërie që para shumë viteve dhe për të shpëtuar jetën, pasi shteti është inkopetent, pasi ka qëndruar i ngujuar disa kohë, para rreth dy viteve ishte larguar nga Shqipëria, duke lënë në mëshirë të fatit gruan dhe tre fëmijët, që mbrëmë vetëm falë fatit e Zotit nuk u dogjën në banesën e vet. Pra, pas problemit shumë serioz të gjakmarrjes në Shqipëri, qëndron një jetë sakrificash, një jetë vuajtjesh, një jetë gjaku. Misionarët e Pajtimit të Paqes kanë ndërmjetësuar për pajtim familjen e Bernard Zefit, por pa sukses. Por për këtë kategori njerëzish nuk ke menduar fare ti i ashtuquajturi shtet, ti shtet që sa herë vijnë votimet, kërkon edhe votën e të ngujuarve për gjakmarrje, ti shtet që përditë menaxhon që konfliktet, hasmëritë të përmasohen. Themi kështu, pasi në tërë botën, kur tjetri vret, sheti i jep dënim kapital, kurse këtu në Shqipëri, jo vetëm që nuk ka dënim me vdekje edhe nëse tjetri pushkaton njëqind vetë, por edhe nuk bëhen as përpjekjet më të vogla për të prangosur kriminelët. Policia gjithmonë mbërthen të vrarin, jo vrasësin. Këto janë fakte kokëforta që e rendisin Shqipërinë si vendin e parë në botë si mbartës i konflikteve të gjakmarrjes. Sokol Pepushaj
Lufta në Kosovë ka sjellë shkatërrime në familjet shqiptare Gazeta jonë është e interesuar për familjet të cilat u shkatërruan nga lufta e Kosovës, e cila ishte e përgjakshme, ku ndau prindërit nga fëmijët, burrat nga gratë, vëllain nga vëllai. Duke u nisur nga një reportazh nga Gjakova i gazetarit italian Luciano Berri, i cili kishte kontaktuar me nënën Dila Kroni, në intervistën e saj ka thënë se kishte tre fëmijë, një në Amerikë dhe dy të tjetër janë nisur për në Gjermani dhe njëri prej tyre mendon se është në Angli, i quajtur Tonin Nik Kroni, i datëlindjes 05. 04. 1968. Ajo ruan me fanatizëm fotografinë e djalit të saj e cila kujton që fëmijët janë nisur me fëmijët e kojshive. Meqenëse ne prindërit e tyre ishim të vjetër në moshë dhe nuk mund të iknim me ta, këta u nisën me familjet e kojshive si Kol duka, Pjetër Kola e disa të tjerë. Kola u kthye dhe e vranë. Komunikim nuk ka patur me djalin por sipas disa informacioneve jo të sigurta ajo mendon se ndodhet në Angli, djali Tonin me nusen Edlira e djalin Romario. Gjendja e kësaj nëne, e cila ende nuk di për fëmijët e saj të shpërndarë në Amerikë, Gjermani dhe Angli, shpreson që të jenë shëndosh e mirë dhe të bashkohet sa më parë me fëmijët e vet. Me sy të përlotur dheme fotografitë e djalit që i ka mbetur, endet nëpër shtëpinë e shkatërruar nga lufta, ku tashmë është e vetme dhe pa përkrahjen e askujt. Ende gjendja në Kosovë është e zymtë ku askush nuk kujdeset për të, kështu që kjo nënë e shkretë dhe e vetmuar ka mbetur në duart e fatit. Vrasjet në Kosovë vazhdojnë ende, ku para një viti u vra Gjergj Kroni dhe të tilla vrasje janë të vazhdueshme nga elementet terroristë të cilët duan të eleminojnë rininë dhe të krijojnë situata konfliktesh etnike e fetare në mes shqiptarëve. Kështu kjo nënë çdo ditë pret që fëmijët e saj t’i shohë dhe të bashkohet sa më parë me ta. Zef Nika
Mbreti Zog: Shkodra do 12 xhandarë të vendoset rendi, Fieri një xhandar dhe ky t’i hedhë një sy edhe Lushnjes Teksa po dilnim një pasdreke nga Parlamenti, dy gazetarë të “Shqipëria Etnike”, një i gazetës “55”, një i “Korrieri” dhe dy të “RD”, pamë një skenë shumë qesharake. Tre civilë, po rrahnin kafshërisht një polic. Askush nuk ndërhynte. Kalimtarët gajaseshin dhe bërtisnin: “Mbyteni qenin, mbyteni qenin”. Por pas rreth shtatë minutave edhe civilëve u dolën pistoletat nga përleshja dhe dikush tha se edhe ata janë “qenër”, janë të SHISH-it. Pra po rrahej shteti mes vetes. Kështu ngjau edhe ditët e fundit me politikën shqiptare. Mbreti Zog i Parë i nxorri të palarat në shesh. U pa se sa shumë është shthurur dinjiteti i pushtetarëve. Pra, gati njëlloj si policët me policë, patën vepruar deri sa erdhi Mbreti politikanët me politikanë. Edhe policët që natyrisht duhet të kenë pirë kafe së bashku pas rrahjes publike për të mos humbur përfitimet, janë pamje e ekstremeve të politikës së deritanishme. Nëse deri tani në Shqipëri ne kemi thënë hajt se përralla me mbret kemi dëgjuar mjaft, tani Mbreti erdhi dhe duket ka ndryshuar shumë mentaliteti. Janë vetëm shtetarët ata që ia kanë frikën Mbretit. Ia kanë frikën, pasi ardhja e Familjes Mbretërore në vendin e vet çel shtigje e hapësira për një Shqipëri ndryshe. Ndryshe do të thotë pa klane, pa njerëz të paaftë e të korruptuar në drejtim e administrim, pa kontrabanda e krime të rënda, pa korrupsion e disnivele, pa diferencime e përralla, por me ligje, rregulla, perspektivë. Më 1997 iu vodh haptas vota Monarkisë. Këtë e di çdo shqiptar, madje edhe më profani, megjithatë nuk e “dinë” qeveritarët. Ata në fakt nuk “dinë” edhe se nuk don t’i shohë me sy elektorati i tyre, as se populli është fukara, i pambrojtur e pa asnjë perspektivë, as se për veten e tyre janë miliarderë, më të pasur se edhe vetë familjet fisnike e të pasura të Amerikës. A e dinë këta politikanë të pafytyrë se edhe nëse marrim si njësi matjeje rezultatin e pranuar të monarkisë së vitit 1997, pasi u përgjysmua, pra fiks 37 përqindëshin, kushtetuta aktuale shqiptare që pat marrë në votime fiks 13 përqind të 25 përqindëshit të votuesve, është shumë shkallë më e paligjshme? Dhe të mos harrojmë 37 përqindëshi është pranuar në një pjesëmarrje në votime 72 përqind të shqiptarëve, apo jo? Ingranazhet e këtij shteti, sado të rigjenerohen, nuk bëhen më. Edhe këta deputetë që ka sot Shqipëria e mos i pastë gjatë, nuk mund të fitojnë tjetër, paçka se parlamenti, duke parë frikën e mbretërisë, ka ndërruar edhe ligjin, ku deputetët do të dalin nga proporcionali, pra nga hija e rëndë e partisë. Ja, Nikollë Lesi, para do kohësh dha i pari shembullin, siç e dha në pranverën e 97-ës duke organizuar me “Koha Jonë” revolucionin evgjito-fshatar për rrëzimin me dhunë të pushtetit demokratik. Pra, Nikolla, njëlloj si deputetët komunistë, e pa rrezikun shpejt, si dhelpra pulën. Ky e provoi në votimet e fundit parlamentare, ku megjithëse elektoratit në Lezhë i nxorri si qerasje drekë e muzikë në Stadium, nuk mori votat e nevojshme, por me një rrokadë gjyqësore vajti në parlament. Veçse, edhe kësaj iu gjet ilaçi. Një grup intelektualësh shqiptarë, juristë, shkencëtarë, gazetarë, ekonomistë, njerëz publikë dhe me reputacion mbarëshqiptar, krijuan Partinë Kristiandemokrate dhe ka të gatshme shumë struktura të Demokristianes. Mbase këto janë vetëm fenomene shqiptare, por ingranim gjithsesi. Në kohën e diktatorit Enver Hoxha, populli për të mbijetuar dhe të mos harrojmë se ishim mbi 70 përqind fshatarë, kur thyente ndonjë karabush misri në kooperativë për bukën e fëmijës dhe brigadieri, përgjegjësi apo spiuni i merrte jo vetëm fytyrën, po edhe e dënonte me burg, pat rifilluar t’i shkulte me rrënjë misrat, madje edhe parcela të tëra, siç edhe pat zgjidhur problemin e kanaleve televizive që diktatura u kish vënë zhurmues, duke “ndërtuar” ca “antena” me kanaçe në dhomë. Pra, me pak fjalë, edhe sot po “eksplorohen” rrugë për t’i bërë fre të keqes. E keqe apo e mirë, e kohës apo jo, Mbretëria në fund të fundit nuk është as komunizëm, as fashizëm, as hajdutëri. Nostalgjikët e Enverit, apo njerëzit me komplekse të rrugës, nuk mund të vërtetojnë se dekalogu i kushtetutës së Ahmet Zogut, nuk është tepër më i kohës e i përparuar se kushtetuta aktuale shqiptare, megjithëse sot jetohet koha e internetit. Ka patur vrasje, do thonë disa the kaq. Po, është natyrshmëri, edhe në Amerikë ligji “vret”, shteti ka rregull, jo anarshi. Mos vallë Azem Hajdarin e vrau Ahmet Zogu, mos vallë ai vrau qindra figura të politikës e shkencës shqiptare tash 12 vjet dhe mbi 4500 shqiptarë tash pesë vjet?! Vetëm policë të vrarë janë 203 apo jo? Pra e keqja është aq e madhe sa ç’është e vogël dëshira e qëllimi i këtij shteti për të bërë shtet, siç ishte e mira aq e dukshme në kohën e mbretërisë sa edhe ç’është aq e dukshme dëshira e qëllimi i familjeve të fisme për të bërë shtet të fisëm. Gjatë 15 viteve të mbretërisë, prefektura e Shkodrës kishte fiks 12 xhandarë, ku janë regjistruar vetëm dy raste të thyerjes së ligjit. Dokumentacioni ishte i gjallë. Duhen fakte? Dakord, plotësisht dakord. Kolë Prela pat bërë një grabitje dhe qe varur në mes të qytetit të Shkodrës, kurse Luigj Petari pasi dështoi në një tentativë grabitjeje, u dënua me burgim të gjatë, më shumë se një kriminel që vret sot njerëz kot së koti. Mbretëria është diktaturë thoni ju shtetarë e rrugaçë që keni frikë ligjin? Të bisedojmë; Të argumentojmë: Megjithëse para 70 e ca viteve, kolosi i letrave shqipe At Gjergj Fishta pat ngritur padi në Hagë kundër Mbretit Zog i Parë. Dhe për çfarë pa? Mbreti Zog, duke gjykuar se meqë Shqipëria është laike, pat menduar të heqë mësimin e fesë nga tekstet shkollore. Gjergj Fishta fitoi, Ahmet Zogu e përgëzoi, madje poeti ynë edhe i thuri vargje masandej atij. Ky fakt reflektoi filozofi. Ahmet Zogu ishte aq perfekt, aq i pagabueshëm, aq njerëzor, aq tolerant, saqë opozita e asaj kohe kapte probleme të tilla e i dukeshin hata e madhe. Ne mendojmë se pushtetarët tanë po vetëdiskreditohen edhe në aspektin e politikës së bashkimit të shqiptarëve, të pakën shpirtërisht, pasi në këto momente na kujtohet në postulat i akademikut Rexhep Qosja që thotë: “Pa Shqipëri të bashkuar nuk ka Evropë të bashkuar”. Në pamje të parë bëjnë sikur duan Shqipëri Entike, por e vërteta është krejt e kundërt. Duan dy qeveri, dy presidentë, dy kryeministra, dy palë ministra, dy parlamente, gjithçka në dy kopje, si fytyrën e zemrën e vet. Mbretëria o shqiptarë, ka të tjera forma, të cilat ne do i zbërthejmë në numrat e ardhshëm deri sa të zbërthejmë e shpartallojmë krizat politike e ekonomike. Meqë sollëm më lart një rast për Shkodrën, Fieri ka patur vetëm një xhandar, madje atij i ishte ngarkuar të ketë kujdes edhe për Lushnjen. Për atë Lushnje që në pranverën e 1997-ës ndezi revolucionin që kushtoi mijëra jetë të pafajshme. Mbretëria nuk mund të jetë për revolucione, por për evolucione, të cilat fillojnë tek vota dhe tek përkrahja e monarkisë. Keni për të parë, kjo formë do i bashkojë tepër më fort komunistët kundër mbretit e popullit. Editorial nga Sokol Pepushaj
Kryebashkiaku i Shkodrës, Ormir Rusi, paditet në Gjykatë: ka tentuar të qëllojë me armë zjarri një gazetar të “Shqipërisë Etnike”
Çështja ka trokitur në dyert e Gjykatës së Shkodrës. Ka qenë një kërcënim dhe dhunim publik që kryebashkiaku i shkodrës, krimineli e banditi Ormir Rusi, ka ushtruar mbi redaktorin e gazetës sonë, Vasel Gilaj, afër godinës së TV ANTENA NORD. Si një vagabobd rrugash, si një kriminel ka goditur gazetarin me 7 qershor 2002, rreth orës 10.00 të paradites. Qytetarë të shumtë janë lëshuar për të rrahur vagabondin Rusi, i cili, sipas dëshmive, është futur në veturë me pistoletë të mbushur, ku edhe kapelja i ka rënë në baltë. Policia nuk ka vepruar fare, por në të njëjtën orë është ndezur një grumbull mbeturinash afër Kafes së Madhe dhe zjarrëfikëset e mikrobuzat janë turrur për atje. Ky fakt komprometon edhe policinë, e cila, nëse nuk i heq të drejtën e armës kriminelit në fjalë, do të kishte përgjegjësira të rënda me pasojë jetën. Nuk është e para herë që fashistët e kriminelët godasin shtypin e lirë, fjalën e lirë, atë që tërë Bota e konsideron të shenjtë. Prokuroria e Shkodrës duhet të vendosë urgjentisht masën e arrestit, për ndryshe ne do i drejtohemi tërë organizmave ndërkombëtare, përfshi Ambasadën Amerikane dhe Gjygjin e Hagës. Këtë do e bëjmë në emër të lirisë e demëkracisë shqiptare, e cila po pengohet nga njerëz të papërgjegjshëm, nga hajdutë të deklaruar, nga kriminelë të njerëzimit. Kryebashkiaku i Shkodrës, që si pikë kulminantë të intelektualizmit të tij ka riparimin a prodhimin e çadrave apo samarëve të gomerëve, nuk arriti të kuptojë se një Kryebashkiak është person publik dhe nuk i përket më meskinitetit të tij. Mirëpo, zotni Ormiri, nuk e kupton se çdo episod i punës a veprimtarisë së tij duhet të jetë transparent, pasi për këtë iu dha vota, përndryshe, është media ajo që “gërmon”. Nëse Ormir Rusi po vepron si rrugaç, nëse ka humbur besimin e tërë popullit të Shkodrës, nëse e di se nuk merr më as 30 vota, nuk është faji i mediave por i vetë atij që po bëhet gjithnjë e më publik me veprime të tilla. Pra, nëse s’do të ishte Kryebashkiak, këto veprime do të të paditnin për atentator, apo “killer” të paguar… Zotni Ormir, ju po çnderoni postin e Kryebashkiakut të një prej qyteteve më të nderuara të Shqipërisaë… Kriminelë të tillë s’duhet të fshihen pas pushtetit. Është turp për çdo parti t’i ketë dhe për çdo popull që i voton… Banditë të tillë janë joshës për shtypin që ka një punë fisnike: edukimin tuaj… I bëjmë thirrje prokurorisë së Shkodrës të zbatojë ligjin, Kryeministrit Pandeli Majko të garantojë jetën e gazetarëve dhe presidentit të Republikës të ndërhyjë me kompetencat që i jep Kushtetuta!
“Shqipëria Etnike” Tiranë, më 9 korrik 2002 |