Nr. 76 i gazetës në print

0
Sharmi i fushatës, tendencat pozitë-opozitë

Nuk mjafton të dalësh në ekrane të TV-ve apo në shtypin e shkruar, por duhet të krihesh, të vishesh shik dhe të kesh sa më shumë prezencë te publiku. Tashmë që jemi edhe në fushatë elektorale duhet ta tërheqësh me sharm elektoratin shqiptar.

Butikët më të famshën në kryeqytet, përveç VIP-ave veshin me shumë shije edhe politikanët tanë. Vera ka hyrë në kohën e saj kulminante me vapën dhe veshjet e holla. Një këmishë e hollë me vija ose kuadrate të ndërthurura mban stampën e “Nino Vitalit” për Gramoz Ruçin, Bamir Topin dhe Edi Palokën, ndërsa “Firence” servir pantallona shik dhe këpucë ultraklasike për Arben Malajn, Spartak Poçin dhe Igli Toskën. Këto janë disa nga informacionet e marra në këta butikë për politikanët tanë që shpenzojnë shumë në butikët  super të shtrenjtë të kryeqytetit, për t’u dukur sa më afër modernes dhe luksit. Por ka edhe nga ata që shooping-u në kryeqytet nuk i tërheq shumë dhe shtrytëzojnë vizitat e tyre jashtë vendit për të bërë një rrugë e dy punë: edhe mbarojnë porositë e qeverisë, edhe vishen bukur. Kastriot Islami, ministri ynë i Jashtëm, vesh kostume të “Versaçes” e të “Valentinos”: klasikë, modernë dhe kryesisht të zinj; ai i gjen ato në butikët e Evropës. Meqenëse e ka pak të vështirë të gjejë një numër të përshtatshëm për trupin e tij tepër të shkurtër, ministri ynë bredh shumë nëpër Evropë për të kapur një masë që i përshtatet, por që e bën dhe ministër.

Këmishat dhe kollaret

Këmishat e kësaj vere për këta politikanët tanë janë të bardha e me kopsa të shkëlqyeshme, por ka dhe nga ata që i kanë origjinale e me kristale zvarovski. Një nga politikanët më me sharm në veshje është ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Blendi Klosi (ky rezultat është dhënë nga femrat që punojnë në kabinetin e tij). Por Blendi ka një të metë, të thonë ato: ai është i gjatë, por ecën shumë keq dhe kjo ia prish disi sharmin e kostumit apo aromën e parfumit. Por atë e sheh edhe sportiv në luk, dhe ashtu duket më këndshëm. Nejse, Blendi është i ri dhe modern, ndërsa Braçe vuan nga shtati i tij i shkurtër dhe, për këtë fakt, nuk e sheh asnjëherë të kombinuar ashtu siç duhet. Erioni i vogël pëlqen shumë bluzat me mëngë të shkurtra, xhinsat e grisuara, këmishat kryesisht me kuadrate; por kollaren e ka bezdi, pasi gjithmonë në Parlament e ka të çrregullt. Në rastet më serioze të vendimmarrjes parlamentare nuk e përdor fare, duke treguar “rebelimin” e tij prej mistrec Berati. Kampioni i kollareve të rregullta është kryetari i PD-së, Berisha, i cili po s’pati kollaren nuk del fare në konferenca shtypi; këtë e kanë vënë re të gjithë. Kollarja për një politikan si ai për atë është shenjë serioziteti dhe burrërie. Ajo që kujdeset për to është bashkëshortja Liria, të cilën ai e ka aq shumë përzemër, saqë e përmend gjithmonë në mitingje elektorale “Rroftë Liria!”. Kryeministri shqiptar Nano imiton shumë në veshjen e tij djemtë adoleshentë dhe trendista. Ai ka filluar të heqë dorë nga kostumet allaberluskon dhe vishet me bluza me ngjyra, syze matrix dhe pantallona të holla. Por dhe këmishat përbëjnë 80% të garderobës së tij: ato janë të gjitha firmato, kryesisht të gjigantëve të modës italiane e franceze. Mos harrojmë këtu se Nano po i ngjan më shumë Bleona Qerretit dhe Alketa Veisiut, për nga operacionet plastike dhe liftingun që e ka ndryshuar shumë në pamje.

Nano nuk do të plaket kurrë, megjithëse e “ka plakur” një popull të tërë me qeverisjen e tij.

Parfumet

Rekordin për parfumet më të shtrenjta dhe më të mira e mban kryetari i PDR-së, Genci Pollo. Genci është i vetmi që përshtatet me lukun e tij në çdo ambient, por ajo që e bën atë më të veçantë është parfumi i tij që ndryshon sipas stinës dhe markave evropiane. Këtë gjë e konfiromojnë dhe disa pjesëtarë të partisë së tij. Kryetari i PDR-së e ka të pamundur të dalë nga shtëpia pa aromën karakteristike të parfumeve franceze dhe spanjolle. Ndërsa ministri i Turizmit dhe Territorit, Bashkim Fino, përveç zyrës së tij ultramoderne dhe sekretares seksi, ka edhe parfume që e lënë aromën e tyre që te roja në katin e parë e deri në korridoret e pafundta të kësaj ministrie. Nga informacionet tona Fino preferon të bëjë shooping për lukun e tij në kryeqytetin helen, Athinë. Një luks i tillë ministrit i shtohet dhe nga një ekran gjigand TV-je, i cili ndahet në katër pjesë, dhe në çdo cep të tij shihet vetëm sport.

Parfumet për të janë më afër aromave karakteristike të tendencave bregdetare: të lehta, por shumë eksplozive, megjithëse Fino nuk evidentohet në veshje të hijshme për fizikun e tij të shkurtër.

E si mund të lëmë pa përmendur këtu kryetarin e Bashkisë së kryeqytetit, Ramën (një nga personazhet më trendi të Portokallisë): çdo gjë në garderobën e tij e ka të lidhur më Francën. Ngjyra, vija pa fund dhe pantallona allasoje e shoqërojnë ngado, duke përfshirë këtu dhe parfumin e tij të firmës “Paris”, me aromën e kopshteve të Luigjit XIV. Ndërsa bukuroshja e tij Magjistari, që e shoqëron shpesh, ia shton atij më shumë alegrinë dhe elegancën.

Femrat e politikës

Nuk janë shumë, por dallohen lehtë për nga luku dhe veshja ultramoderne. Bukuroshen me sy të përgjumur ngjyrë qielli, Arta Dade, e sheh kudo me larmi kostumesh firmato, kryesisht “Donatela Versaçe”, dhe “Nina Richi”, pa harruar të kopsisë lart në jakë karficat e mëdha Madelen Ollbrajt (nuk dimë në ia ka marrë copyright-in zonjës së nderuar amerikane). Kjo politikane ka preferuar të vishet me shijet femërorë të gjigantëve italianë, por nuk përjashton këtu edhe “Guçin”. Për Daden kanë shumë rëndësi flokët dhe këpucët; garderoba e saj ka më shumë këpucë sesa kostume të kushtueshme. Dade është një shembull i mirë për shefen e marrëdhënieve me publikun në PS, Valentina Leskajn, e cila e kopjon në detaje lukun dhe veshjen e Dades. Për të Dade është një idhull; madje ajo merr shpesh edhe informacione për parfumet që përdor Dade, e më pas porositë që t’i ketë edhe ajo. Nga ana tjetër, zv.ministrja e Pushtetit Vendor, Natasha Paço, pret rastin që bashkëshortja e kryeministrit të shfaqet në TV për të matur me të gjatësinë e flokëve të saj të ngjitura, dhe më pas të porosisë menjëherë një kostum të ngjashëm me të Xhoanës. Madje, edhe kraficat e kushtueshme që përdor Xhoana Nano i gjen edhe te Paço (mbase te Pacco janë kallp), të cilat janë identike, por me ngjyra të ndryshme. Te të dyja gratë sheh kustume me ngjyra të forta pjeshke, rozë e të gjelbërta. Seks simboli i PD-së, Jozefina Topalli, është disi e veçantë në luk. Ajo nuk kopjon, por prefron të mbetet vajza “Lolitë” e viteve 60-70: moderne, çapkëne dhe plot sharm. Jozi përdor edhe parfume shumë mbresëlënëse (këtë e konfirmojnë burime të brendshme të kësaj partie). Ajo është e vetmja që preferon t’i kthejë sytë edhe nga ndonjë stilist shqiptar i kohëve të fundit. Megjithëse është një femër mjaft tërheqëse, Jozi nuk ka hequr dorë nga dialekti i saj shkodran, duke e bërë ndonjëherë jo shumë të preferuar, përsa i përket mënyrës se si shprehet. Ministrja e Integrimit, Ermelinda Meksi, është gruaja tradicionale shqiptare në veshje dhe në luk. Preferon kostume klasike që nuk bien shumë në sy: ndonjëherë të stolisura me ndonjë lule në jakat e xhaketave ose krafica të kushtueshme, sigurisht të blera jashtë vendit.

Për Meksin nuk ka shumë rëndësi luku sesa integrimi i Shqipërisë, që nuk shihet gjëkundi. Por nejse, kjo është çështje e tendencave kryeministrore dhe jo e Meksit. Ajo që e mbyll sfilatën e grave të politikës shqiptare është fërst ledi Xhoana Nano. S’ke se si i shan kostumet e saj: të gjitha klas dhe me elegancë, pasi zonja kryeministrore preferon t’i blejë ato në Evropën Perëndimore. Por ajo që e bën atë me të vërtetë një femër të bukur, si te pikturat e Bokaçios, janë bizhuteritë e saj të larmishme, të gjitha me gurë të çmuar dhe diamante shumë karatshe.

Dikur nënat e gratë i vishnin me lesh të palarë dhije, edhe për t’ua hequr ftomat dhe reumatizmin, por sot që janë bërë VIP-a i kanë harruar adetet dhe porositë e tyre, për t’u dukur sa më “evropianë”, të pëlqyeshëm e mendjeprishës.

Sfilatat e fushatës elektorale tashmë kanë filluar  më shumë se kurrë: politikanët pozitarë dhe opozitarë po i shpalosin bukuritë e tyre “marramendëse” në çdo vend, por harrojnë se ky popull po gdhihet e ngryset me idenë se si do ta ngrysi këtë jetë që po ju duket tepër e gjatë.

 

Klodiana Bufi  

Si e dorëzoi librin para pak ditësh ish- Ministri i Punëve të Brendshme tek botuesi Bujar Hudhri. Rrëfimi i detajuar i përkthyesit për librat që përkthente me detyrim në burg

Rrëfen Pjetër Arbnori: Hekuran Isai më ka ruajtur librin në shtëpinë e tij

Si shfrytëzoheshin njohuritë e të burgosurve

Mirash Ivanaj, Kuteli, Gjon Shllaku, Vexhi Buharaja…

Në vitet e burgut, intelektualët shfrytëzoheshin për t´i shërbbyer pushtetit. Udhëheqësit donin të dinin c´ndodh në botë, me historinë, mendimin, letërsinë, ekonominë, politikën, shërbimet sekrete, etj. Për këtë shërbenin njohuritë e shumta të Mirash Ivanajt, Mitrush Kutelit, Gjon Shllakut, dhe shumë eruditëve të tjerë, të cilët ishin të detyruar të përkthenin librat që iu duheshin pushtetarëve, të cilët i mabnin vetëm për vete. Ata libra nuk botoheshin për masën dhe nuk dilnin kurrë jashtë rrethit të ngushtë të udhëheqjes. Njëri nga këto libra “Ngritja dhe rënia e Rajhut të tretë” i publicistit Uilliam Shirer ishte ruajtur deri në këto ditë nga Hekuran Isai, ish-Ministri i Punëve të Brendshme, në shtëpinë e tij. Para pak ditësh, ai, ndërsa dëgjonte përkthyesin e këtij libri Pjetër Arbnori të fliste në televizion për këto përkthime, vendosi ta nxjerrë nga raftet e tij këtë libër dhe e dha për botim. Të gjithë historinë që nis nga ky gjest e deri në vitet e vështira kur punohej në dhomat e përkthimit në burg, Pjetër Arbnori e rrëfen për gazetën “Panorama”, në një material që do të shërbejë edhe si parathënie e librit që pritet të dalë në qarkullim nga shtëpia botuese “Onufri”. a.p.

 

Një mbrëmje më ra telefoni.

– Alo, jam Bujar Hudhri, botues. Zoti Arbnori, a mund të pimë një kafe bashkë diku?

– Me kënaqësi.

– Në cilën kafene?

– Më mirë se në shtëpinë time s’ka vend tjetër.

– Për një çerek ore jam gati. Kam për t’ju bërë edhe një surprizë.

– Po jam me bashkëshorten.

– Edhe unë jam me ba    shkëshorten. Kafen e pjek të mirë, rakinë e kam të zgjedhur.

Për çerek ore erdhi zoti Hudhri me zonjën. Në dorë kishte një torbë të mbushur me diçka.

Filloi biseda. Unë nuk flas kurrë për historitë e burgjeve në sy të njerëzve të mi, aq më pak në sy të fëmijëve, por kur më vijnë shokë, gjuha shkon ku dhemb dhëmbi. Por gjithmonë bisedoj për anën humoristike të problemit. U fol për gjuhët e huaja, si i kisha mësuar, si i ruaja librat, si i kopjoja me dorë, madje edhe fjalorët. Më pyeti për përkthyesit e burgosur që njihja dhe për veprat, të cilave u kisha dalë për zot.

– Pjetër, ju kam dëgjuar një natë në televizor, duke folur për përkthimet e burgut. Ishte interesante. Ju ka dëgjuar edhe dikush tjetër që s’jua merr mendja, Hekuran Isaj, ish-ministri i Punëve të Brendshme. Kur thatë se nuk keni në shtëpi asnjë libër të përkthyer në burg, ai më mori në telefon dhe më tha: Veprën e Uilliam Shirerit “Ngritja dhe Rënia e Rajhut të Tretë” e kam unë në shtëpi të përkthyer nga Pjetër Arbnori. Më vjen zor ta takoj, po do t’jua jap ju, që t’ia dërgoni.

Dhe nga torba e mbushur, Bujar Hudhri nxori një nga vëllimet e vjetra, të zverdhura, të shtypura me makinë shkrimi. E njoha menjëherë dhe u gëzova kur pashë emrin tim si përkthyes. Më kishin ndihmuar për disa kapituj dy shokë të burgut.

– Dua ta botoj se është libër me vlerë. Do të dëshiroja që të bënit juve një parathënie, ku të tregoni se si bëheshin përkthimet në burg.

– Qoftë e bërë – i thashë.

Tani po shkruaj disa faqe me kujtimet e atyre ditëve të vështira. I faleminderit Bujar Hudhrit, i faleminderit edhe Hekuran Isajt. Më 1955, kam qenë ushtar në repartin 9808 në Skelë, Vlorë. Aty erdhi edhe një rreshter me emrin Hekuran Isai, i cili rrinte me këshilltarët sovjetikë se kishte bërë një kurs 6-mujor në Armeni apo Azerbajxhan. Më vonë, atë e ngritën nga tre shkallë, deri sa e zgjodhën Sekretar të Komitetit Qëndror dhe Ministër të Punëve të Brendshme.

Në shtator 1983, bashkë me shumë shokë të mirë, fillova një grevë urie 19 ditëshe, sepse na prenë ushqimet e familjes “me qëllim që t’i lehtësojnë familjet e të burgosurve”. Lejohej vetëm një pako me 2 kg në muaj me biskota, marmelatë, margarinë, sheqer. Asgjë tjetër. Pra, ishte një vdekje e ngadalshme urie.

Ne qëndruam. Presionet e kërcënimet e komandës, ishin të tmerrshme. Një ditë, erdhi një helikopter që zbriti afër burgut. Thanë se erdhi ministri i Brendshëm, Hekuran Isaj. Nuk hyri brenda. Në darkë, na komunikuan se do të kishim të drejtë të blinim një gjysmë kilogram djath në muaj dhe gjysmë kile zarzavate, ose fruta në dyqan. Sigurisht, me paratë tona. Ne e ndërpremë grevën…

Pas tetë vjetësh, në 1991 si Nënkryetar i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, shkova në Burgun e Ri për vizitë. Drejtor burgu gjeta Ismail Mustën, ish-drejtorin tim të burgut të Burrelit, i cili besoj se e mban mend sa herë më ka futur në birucë me çimento, në dimër. Nuk i dhashë të njohur. Vizitova Nexhmije Hoxhën, për të cilën kam shkruar një artikull, vizitova edhe Hekuran Isain në qeli. I pyeta çfarë më takonte, a i rrihte njeri, a i jepnin ushqim, a u bënin takim, a kishin rroba të mjaftueshme fjetjeje. Hekuran Isai sado që nuk i dhashë të njohur, më njohu dhe më tha:”Si unë, si ju, e dimë ç’ka qenë përpara dhe si është tani. Kërkoj vetëm një gjë: Kam mbaruar hetuesinë. Pres të dal sa më parë në gjyq. Nëse mudn ta shpejtoni procedurën do t´ju falenderoja. I thashë se nuk ishte kompetenca ime.

Kaq janë marrëdhëniet e mia me Hekuran Isain, që nga viti 1955. Më erdhi mirë që nuk dha urdhër për të qëlluar demonstruesit, kur u rrëzua busti i diktatorit Enver Hoxha në 20 shkurt 1991.

Më erdhi mirë kur ma dërgoi përkthimin tim të librit të Ë. Shirer: Ngritja e Rënia e Rajhut të Tretë. (Pak kapituj janë përkthyer edhe nga Abdulla Sollaku e Daut Gumeni).

Në pranverë të vitit 1951, ime motër Antonjeta, u burgos për të dytën herë politikisht. Mbasi ndjenji shumë kohë e izoluar dhe pak kohë në burgun e madh të Shkodrës, e dënuar me dhjetë vjet, një ditë na erdhi në shtëpi një zarf i hapur me adresën e saj të re: BURGU I ARMIQVE TE POPULLIT. PUNETORIA QENDRORE E ARTIZANATIT E MINISTRISE SE PUNEVE TE BRENDSHME, TIRANE.

Pritëm sa mori nëna rrogën e pesëmbëdhjetëditëshit dhe u nisa me dy trasta, njëra me ushqime, tjetra me rroba për të takuar motrën time njëzetvjeçare. Si arrita me të pyetur te Medreseja, zbrita poshtë në një fushë të larë, ku më zuri syri një kamp përqendrimi të rrethuar me mure të larta, tela me gjemba dhe korrenti dhe kulla rojash.

– Te ajo dritarja me hekura e katit të dytë, roja vrau kot së koti Kasem Zhupën, diversantin e hedhur me parashutë bashkë me Ethem Çakon, – na shpjegoi një ish i burgosur që kthehej për të marrë vërtetimin e punës.

– Ndërsa në arën aty përballë, te shtëpia përdhese, ku dallohet një pllakë mermeri, qe rrethuar dhe vrarë Qemal Stafa dhe qe arrestuar nga fashizmi e fejuara e tij, Drita Kosturi, komuniste e orëve të para.

– Drita Kosturi – ndërhyra unë për t’u shitur se di edhe unë diçka – tani është dënuar përsëri njëzet vjet nga shteti komunist si “spiune e imperializmit”. Tani ka ardhur këtu nga Shkodra bashkë me motrën time dhe paska çdo ditë përballë vendin ku iu vra i fejuari dhe u arrestua vetë. E dhimbshme shumë!

– E dhimbshme, po sa më pak të flasësh, aq më mirë është për ty!

Te porta e madhe e hekurt, pranë një kanali me ujë të ndenjur, ishin ngulur si kryqe ca dërrasa të shkruara me të zeza: ARMIQTE… ORDINERET… OFICINA… RROBAQEPSIA… MESAGJERIA…

Pranë secilës dërrasë, ishin grumbulluar sopratasa dhe torba me emra të varur që prisnin radhë, për t’u futur brenda portës. MESAGJERIA kishte më pak torba, dhjetë apo pesëmbëdhjetë. Ish i burgosuri më tregoi se në atë sektor, gjendeshin përkthyesit.

Akoma nuk e kam marrë vesh, përse ai sektor quhej “Mesagjer”, sado që kam kontrolluar shumë fjalorë të huaj dhe sado që mbahem se kam përkthyer libra nga katër gjuhë të huaja.

Pas shtatë vjetësh, kur motra kreu dënimin e dytë më shpjegonte nder të tjera: Ishin herë dy, herë tri dhoma përkthyesish. Në to ishin të mbyllur njerëz ndër më të nderuarit e burgjeve, qoftë nga dituria, qoftë nga pozita që kishin pasur. I shikoja nga larg, por e kishim të ndaluar të komunikonim me ta. I pari, ishte Mirash Ivanaj, ish-ministri Reformator i Arsimit i kohës së Zogut. Më 1945, Enver Hoxha e ftoi të vinte nga mërgimi nga… “për të ndihmuar atdheun”. E thirri në zyrë, diskutuan gjatë bashkë, nuk u morën vesh në asgjë dhe diktatori Hoxha e dërgoi të ftuarin në burg, e dënoi, e la të vdiste nga sëmundjet dhe uria. Eshtë proverbiale që te tabela MESAGJERIA, nuk dukej kurrë një torbë apo një sopratas me emrin e Mirash Ivanajt, por është edhe më proverbiale fakti që çdo drekë, idealisti Ivanaj shtronte një mësallë të pastër, një copë bukë, një pjatë me bollgur të neveritshëm, një vezë të zier, kurrë të qëruar, gjithmonë të mbështjellë, me muaj pa u ngrënë, një copë djath të thatë që gjithnjë e çonte te goja, po kurrë nuk e kafshonte, në mënyrë që të mos i jipte njeriu gjë, e as të mos pranonte një ushqim prej të tjerëve. Në këto kushte, përktheu me muaj e vite profesori i nderuar dhe ne, nxënësit e asaj kohe, mësonim dispensa të përgatitura prej tij dhe shokëve të tij, derisa ai dha frymën e fundit. Në Mesagjeri punoi edhe shkrimtari i shkelqyer Mitrush Kuteli alias Dhimitër Pasko, një stilist i përsosur dhe njohës i shquar i gjuhës shqipe dhe gjuhëve të huaja. Aty përkthente edhe Ali Cungu, nxënës i dalluar i shkollës teknike amerikane, Beqir Haçi, Gjon Shllaku, përkthyesi i Homerit, Vexhi Buharaja, e shumë e shumë të tjerë.

Pushteti i ri i “popullit”, e filloi veprimtarinë e vet, duke burgosur dhe pushkatuar intelektualë të njohur, duke dërguar nëpër kampet e vdekjes, në miniera dhe kanale qindra të tjerë, duke u dhënë në vend të penës nga një kazmë e lopatë. Por sapo kaluan tre a katër vjet, nevoja e pazëvendësueshme për njerëzit e ditur, i detyroi xhahilët të grumbullonin një pjesë të atyre që kishin tepruar, t’u hiqnin lopatat dhe kazmat nga duart dhe t’u jepnin nga një laps, fjalor, libër special, makinë daktilografike apo ciklostil.

Nëpër kampe, komisarët u porositën të pyesnin: Cili dinte gjuhë të huaja: anglisht, frengjisht, gjermanisht, italisht, latinisht, greqishte të vjetër apo turqisht. Gjuha e parë për të cilën pyetej, ishte rusishtja, por asnjeri prej të burgosurve të parë, nuk e dinte atë. Shumë autodidaktë, u vunë për ta mësuar atë me ngutje, meqë më 1949 rusishtja u bë gjuhë kryesore përkthimi. Më vonë, u zgjidh problemi thjesht: U arrestuan pas 1961 shumë prosovjetikë, që kur nuk u pushkatuan si spiunë, u vunë të shërbejnë si përkthyes nëpër biruca.

Thirrja për gjuhë të huaja, solli rrëmujë në fillim. Në disa kampe, të dënuarit, duke pasur frikë nga zhdukjet e pabesa të intelektualëve të bëra nga sigurimi fshihnin shkollën e vet, diturinë e vet, biografinë e vet, paraqiteshin si katundarë të trashë. Më vonë, kur u mor vesh që në Burgun e Vjetër, në Burgun e Ri dhe në Punëtorinë Qendrore te Artizanatit, u krijuan dhoma përkthyesish ku zakonisht nuk të rrihte njeri, nuk të dënonin kot me birucë, ku kishte gjellë “sa të duash”, “supë me mish”, bukë të grunjtë sa të ngopeshe, dolën aq shumë përkthyes vullnetarë sa komandat e burgjeve u çoroditën dhe kërkuan seleksionim.

Akademia e Shkencave kishte mbetur pa specialistë, ministria e Arsimit kishte mbetur pa tekste. Ministria e Punëve të Jashtme pa konventa të përkthyera. Partizanët entuziastë mund të vrisnin për një minutë dhjetra njerëz të ditur, por nuk mund të krijonin me “normë” shkollarë të përgatitur.

Kam dëshmitarë Engjëll Çobën, Drita Kosturin, time motër Antonjetën që përkthyesit nuk i rrihnin gjatë punës (mua më kanë futur shpesh në birucë), por që i ushqenin kryesisht me “bollgur” e që kurrë nuk e kanë parë mishin me sy.

U ndërruan brezat. Në fillim të vitit 1961, u arrestova dhe gjeta shumicën e brezit të vjetër të vdekur, të kaluar nga burgu në internim, apo “të lirë” që gjallonin si “mumje”, as shikonin, as dëgjonin, as flisnin për të mos përsëritur burgun që megjithatë u gjindej sebepi për t’iu futur dy herë e tri herë brenda. Pas katër vjetëve izolim dhe dy vjetëve kamp ndërtimi, më transferuan si të pabindur e të pakorigjueshëm në Burgun e Burrelit. Çdo dimër kisha racion dënimin me birucë në çimento, zhveshur, pa batanije, as ditën, as natën, deri në minus pesëmbëdhjetë gradë.

Një ditë, ne që ishim më veshhollë, dëgjuam urdhrin “të gjithë brenda”, zhurmën e nallaneve që shpejtonin me ngut dhe simfoninë e shulave të rëndë që mbylleshin me kyçe. “Mos arrestojnë njeri?” tha njëri që kishte vënë veshin mbrapa portës. Pastaj qetësi… Një derë u hap lehtë dhe një palë nallane ecën drejt derës së jashtme, në komandë. Heshtje, kthim, thirrje e të dytit, të tretit. Takim nuk është. Dera e depos së ushqimeve nuk u hap. Fatlumët! Nuk e mbajtën asnjërin në birucë. Këpucët e rënda të rojes, po afroheshin në korridor. Shikova me bisht të syrit djathtas e majtas. Nxora një palë çorape të leshta nga nënkresa dhe i vesha. Futa dy-tri shami hundësh në xhepa. Pa bërë zë, i mora një shoku një zhile të leshtë. Kërciti dera dhe u thirr emri: Pjetër Arbnori në komandë! Në të ngritur, kapa xhupin e pambuktë mes dyshekëve që ta kisha për çdo rast.

Një numër oficerësh madhorë, përballë meje në zyrë. Në qendër një zëvendësministër i Punëve të Brendshme. Mbi tryezën e ndritshme, një turrë librash të rinj, me kopertina të shkëlqyera botimesh të huaja.

Buzëqeshje. Isha mësuar me buzëqeshjet që mund të dukeshin si parathënie të dyshimta.

– Si jeni? Si shkoni? Si sillet komanda me ju? Nëna, motrat a vijnë t’ju takojnë? A keni libra për të lexuar? Ju dini nja katër a pesë gjuhë të huaja, apo jo?

– I zmadhojnë gjërat, zotëri! Diçka di, po jo aq shumë.

– Hajt, hajt! E dimë që dini shumë. Jeni specialist.

Heshtje.

– Ju kemi sjellë për të përkthyer disa libra që na duhen. Merrini, shikojini.

I mora nëpër dorë. Zemra më trokiste fort në gjoks, po për natyrën time, nuk e tregova veten, madje edhe shtrembërova lehtë, lehtë fare buzët. U habita. Vite të freskëta. Edhe të vitit në vazhdim. London, Neë York, Paris, Roma. Shtëpi të famshme botimi.

Pjetër Arbnori

 

Malësia e Madhe dhe deputeti Pjetër Arbnori, dy simbole antikomuniste që nderojnë demokracinë dhe i duhen ndryshimit

Tashmë zoti Pjetër Arbnori është zyrtarisht kandidati për deputet i Partisë Demokratike në zonën nr.1 të Malësisë së Madhe. Kjo zgjedhje faktikisht është gjetja më koherente e dy simboleve antikomuniste që ndonëse kurrë nuk jetuan bashkë u sakrifikuan gjatë për të njëjtat ideale, të cilat janë ato të lirisë, demokracinë e shqiptarisë. Malësia e Madhe që në janar të 1945 u hodh në kryengritjen e parë kundër djajve të kuq që sapo kishin ardhur në pushtet e premtonin selametin e prunë gazepin. Natyrisht kjo kryengritje për arsyet që dihen dështoi materialisht, por kurrë moralisht, duke shënuar njëkohësisht kryengritjen e parë antikomuniste në tërë Europën Lindore… Ndërsa Pjetër Arbnori kaloi gati tre dekada nëpër burgjet e tmerrshme të komunistëve, por pa u thyer kurrë, madje me shpresë tek Zoti, liria e demokracia… Sakrificat e Malësisë e Pjetër Arbnorit zgjatën jo pak, por gati gjysmë shekulli, por deshi Zoti e komunistët e djallit thyen qafën përkohësisht, e tani në 2005 besojmë përjetësisht.

Një ndihmë e madhe në këtë fitore të demokracisë do të japin patjetër dy simbolet tashmë të bashkuara, Malësia e Madhe dhe Pjetër Arbnori, si deputet i saj.

Kundërshtitë e disa demokratëve nuk janë shenjë e humbjes por e fitores, e demokracisë së brendshme të Partisë Demokratike.

Përkundër kësaj forcat e majta, e veçanërisht Partia Socialiste nuk ka forcën, kurajon apo diçka tjetër të kundërshtojë katapultimin e kandidatëve të saj që as sot e kësaj dite nuk i njohin se nga shkojnë e vijnë nëpër korridoret e errëta të padronit të PS-së me emrin Nano…

Gjithsesi kundërshtia e disa demokratëve tregon se ata janë të lirë, ndërsa bindja e verbër e socialistëve tregon se janë të nënshtruar, e pas kësaj të fundit dihet: Liria (demokratët) do të sjellin bashkimin e fitoren, ndërsa të nënshtruarit do të korrin humbjen e PS-së, që aq shumë e dëshirojnë shqiptarët e veçanërisht Malësorët që në themel të lirisë e demokracisë kanë qindra dëshmorë, martirë, vite të gjata burgu, internimi, shpronësimi, persekutimi, që mjerisht edhe nëse duan t’i harrojnë (për hir të progresit), Malësorëve ka 8 vite që ua kujtojnë e shpesh i zbatojnë mbi shpinën e tyre pasardhësit e komunistëve të 1945-s, por tashmë me emër të ri, Socialistë… Mirëseerdhe zoti Pjetër Arbnori në trevën simbol të antikomunizmit e shqiptarisë, Malësi të Madhe, pasi ju vërtet gjetët këtu një simbol, por simbol i demokracisë, lirisë e antikomunizmit jeni ju, që shpesh ju quajnë Mandela i Shqipërisë, por pa dyshim ju e meritoni të quheni Mandela i Ballkanit e pse jo i krejt Europës. Malësia e Madhe që ndër shekuj ka ditur të nderojë e respektojë miqtë e saj të vërtetë duke u dhënë besën, edhe ju si mik e bashkësimbol Malësia ju mirëpret dhe ju garanton fitoren tuaj duke ju quajtur që tani pa frikë deputeti i Malësisë së Madhe… Duke qenë se ne jemi zona e parë zgjedhore në Shqipëri, pra fillimi, populli thotë: “Fillimi i mbarë gjysma e punës së kryer”, natyrisht nuk ka si ndodhë ndryshe edhe me ne shqiptarët…

Ndue Bacaj

 

Intervistë  me z. Agron Luka, kandidat i Partisë Demokristiane në Zonën Elektorale Nr. 5 të qytetit të Shkodrës

Pyetje: -Z. Agron, pse dhe si u vendos të kandidoni ju për Partinë Demokristiane?

Përgjigje: -Duke e filluar me pak humor shkodran, po them se “fatkeqsisht” nuk mund të ketë aq vende për kandidatë sa ka edhe shqiptarë të gatshëm pretendentë për deputetë…E lëmë me kaq humorin, sepse sipas një trainimi që kemi bërë dje me një ekspert amerikan, në fjalimet dhe intervistat politike nuk lejohet shumë vend për batuta komike, madje as për shkodranët! Shkurt, mua ma propozuan përfaqësuesit e kësaj partie, këtë kandidaturë dhe zonë elektorale. Pra unë vij drejt e direkt nga shoqëria civile e pa punë e drejt e në “thela”.

Si më normalisht, që të tregohem i sinqertë unë jam disi i majtë demokrat, por në shkrimet e mija gjithmonë kam qenë në simpati edhe me linjën moderne demokristiane republikane. Këndej edhe nuk e pata të vështirë ta pranoja këtë si ta them gjysëm kandidature ose kandidaturë gjysmake kompromisi, me një Deklaratë noteriale…

Duke e përjashtuar modestinë, sepse këtu duhet të jem sa më rracional dhe  konçiz, po deklaroj se e ndjej veten mjaft të aftë intelektualisht dhe në parametrat e tjerë për ta kryer këtë detyrë ndaj qytetarëve të mij dhe për t’i sfiduar kandidatët e tjerë rivalë të “partive të mëdha”, të cilat pak gjë kanë bërë për Shkodrën, ndërsa kanë kontribute madhore në rrënimin e Shkodrës, në premtime boshe dhe në atë që quhet “mbushje e xhepit”, për ta mbyllur me kaq si fillim…

Ta them me keqardhje e haptaz Shkodrës qytetare i mungon zëri qytetar dhe më në veçanti qytetarisë katolike i mungon edhe më shumë. Kështu pra mbasi u mendova nja një ditë, në fakt, vetëm gjysëm dite se natën ia kam këputur gjumit për shtatë palë qejfe si “kandidat deputet”, unë edhe për natyrë jam shumë i qetë, kështu pra i dhashë një OK, me “gjuhën moderne” kuptohet dhe ata më dhanë OK-un e tyre me atë bishtin mbrapa.

Aktualisht kemi bërë edhe trainimin në Hotel Dajti, mësuam si të sillemi si politikanë, si të mos na thahet fyti, si t’ia lexojmë tjetrit mendimet në bazën e ngjyrës së syve, se si duhen çorapet pak të gjata etj, mësuam plot gjëra me ta thanë të drejtën, por nuk e ndigjuem kund se si duhen “dorezat” të shkurta a të gjata a me nder pa ato fare, meqenëse rroga asht mjaft e majme, ka edhe viza diplomatike…Kaq.

 

Pyetje: -Po pse thatë “kandidatutë gjysmake”, z. Agron, nuk ju pëlqen edhe aq Partia?

Përgjigje: -Ti ke të drejtë që e bëre pyetjen, në fakt për të sqaruar votuesit e Zonës Nr. 5, por unë mendova se ti si veteran i demokristianeve, kishe dijeni për “kompromisin historik” midis Partisë Demokristiane të vogël që lufton për mbijetesë dhe superfuqisë Partisë Demokratike. Pra, të mos më pëlqente Partia, i kisha thënë një “Jo” shqip dhe aq. Partia më pëlqen, veç të tjerave se edhe me këtë shkon në “Kuvendin Popullor”, Parlamentin, Foltoren siç e quan nganjëherë shtypi ynë, ose “Muhabetoren e Miletbaçes së Republikës”, siç e kam quajtur unë me humor shkencor…

Pra sipas “Marëveshjes”, kandidatët e Partisë Demokristiane nuk kanë emrat e tyre në lista, për ata duhet vetëm vota për Partinë Demokristiane. Në rast fitorjeje të Partisë, për hatrin e kandidatit, atëhere edhe këtij kandidati mund t’i hidhet ndonjë kofshë a copë krahu nga proporcionali. Me një fjalë, kësaj i thonë “kur s’ke pulë origjinale ha (ndërhyn intervistuesi: Ha sorrë.)..a jo jo, ha pulë inkubatori” ose “futboll me porta hungareze”!

Por, prit t’i them edhe nja dy mendime serioze si me shaka, PS-ja me Nanon personalisht dhe me tërë rracën e jeniçerëve enveristë e don Shqipërinë të “Çliruar” si në 44-trën nga Partia Demokristiane, pastaj ti e di se si e ka edhe tel me Nikollën, kur u prishën fill mbas atij koncertit triumfal në Lezhë, në fakt Nanua do edhe t’ia shtojë PS-së një bisht si PSF dmth Partia Socialiste Fetare, me qëllim që të shkojë si i shtëpisë edhe tek Papa edhe tek Patriarkana e Stambollit e pse jo edhe në xhaminë e kryeministrit turk …Nga ana tjetër frika e kolltukofagjisë e ka detyruar profesor Doktorin t’i imponojë një “marëveshje” pak si poshtëruese, duke na hequr emrat…

Një k/deputet korçar më duket, (që kishte ardhur edhe me “staf elektoral” i kërkoi Nikollës edhe dietat, drekën dhe fjetjen në Hotel Dajti…) pasi e mori “mandatën” i bëri një pyetje trainerit amerikan: “A ka të tillë kandidatë pa emër në demokracinë perendimore amerikane dhe evropiane?” Dhe amerikani iu përgjegj: “Sa di unë nuk ka, por ja që paska në Allbenia”! Pastaj na dha falas ca mendje se si veprohet kur Partia nuk ka fonde për fushatën elektorale…E shkreta Parti Demokristiane e Varfër as Zoti nuk e do…

Kur vajtëm të hanim “drekën”, kafe bollëk me kripë, ca biskota dhe ndonjë shishe qumështi, disa k/deputetë qejfprishur që tashti e morën vesh “thembrën e Akilit” ishin tym të mërzitur, filluan të thoshin: “Çfarë fituam nga qo punë?” Unë ndërhyra me pak humor: “Si s’fituam, fituam nga një dosje dhe kafe me kripë për të mos na u tharë fyti”…

Ia dhashë pak zemër si Menipi atyre të mjerëve që udhëtonin në varkën e Karonit në lumin e nëndheshëm në rrugë për në botën e përtejme…

Pyetje: -Agron, a the se nuk lejohet humori në intervistën politike!

Përgjigje: -Thashë, por kjo ishte për trainigun amerikan, sepse ti, megjithse ne jemi shokë e njihemi ka mot, nuk e din se unë kam bërë edhe një “training evropian”, pastaj e harrove Rimëkëmbjen që më ka etiketuar edhe si “Agjent të Vatikanit”!

 

Pyetje: -Pra ka edhe ndonjë mënyrë që me humor të bollshëm mund të fitosh si deputet edhe me kandidim gjysmak?

Përgjigje: -Ka mor ka, ka mënyra gjithfarësh. Por unë kam prap biografinë e keqe… A e din ti se në 97-tën unë e “përmbysa” Berishën dhe jo Nikollë Lesi, me një intervistë që i dhashë senatorit të NATO-s për të drejtat e njeriut, z. Xhanxhakomo Migone te 15 katëshi, kur i thashë se “ne shqiptarët fatkeqsisht jemi mësuar që të zgjedhim midis mutave, mutin më të mirë” dhe ai e kishte kuptuar fillimisht si “erë muti”, por pastaj e kuptoi dhe tha: “Z. Fasino mendon se muti më i mirë është Nano, Berisha duhet të shkojë”. Unë heshta dhe ai trap që na kishte qenë edhe si ish maoist, e mori si aprovim…kot s’i thashë se muti më mirë ishte Berisha, por mu tha fyti, megjithse as njëri e as tjetri nuk më bënë deputet…pa le po më dëmtuan edhe ekonomikisht deri në nivelin zero, bile nuk më japin as borxhet as pronat, pa le se edhe më rrahën në 95-sën sa kam ndenjur tre orë e gjysmë në operacion…dhe s’po e përmendim se sapo më kërcënuan përsëri me vdekje për 9 maj 2005, në prezencë edhe të prefektit që e kam edhe kundërshtar… E sheh se ka edhe humor tragjik…

 

Kërkesë: -Do të dëshironja diçka nga shkrimet tuaja në lidhje me Kushtetutën dhe simbolet nacionale e lokale, pastaj i rikthehemi përsëri humorit.

Përgjigje: -Po, ja po i bie shkurt e po mundohem të jem sa më i përmbledhur, sepse i kam stërshkruar. Shqipëria njëherë ulurinte “E duam Shqipërinë si gjith Evropa”, pastaj erdhi ai sekretari amerikan që ia morëm makinën hopa dhe e futëm edhe në xhaminë e Et’hem Beut, pastaj një vizitë lampo e hajdutçe te “Konferenca Islamike”… “Skemat e Letrave me Vlera”, “Skemat Piramidale Rentjere”,”Trazirat”, “Trupat Paqeruajtëse”,  “UÇK-ja…Y,Z,ZH-ja, Meidani pa “J”, “Kushtetuta e 98-tës” dhe mbi të gjitha ping-pongu Berisha-Nano…

Sipas “Preambulës” shkruhet: “Ne Populli i Shqipërisë…”, pra aktualisht ne duam të shkojmë në antarësimin dhe integrimin evropian, me një biçim kome mileti ku përzihet edhe vatani edhe dini e imani, afërsisht siç ishim në atë kohën e parë “kena nisë me u ba milet”, kur edhe vetë termi i ri gjeografik Shqiperi s’kishte shumë kohë që na ishte prezantuar në atë bejten “Seferi Humajum” të Hasan Zyko Kamberit. Dmth edhe pse kaluam afro një shekull me një drejtim proçesi evropian, (parametrat e parë të këtij proçesi në shek XV u tronditën derisa u ndërprenë e madje u hodhën në regres drejt proçeve orjentale islame) ne nuk ishim bërë tashmë një nacionalitet dhe nacion i dalluar në Evropë! Hajde marshalla kushtetucionalistë Imami me Islamin e kallamkusurin…e Venecias! Nga Kushtetuta përjashtohen edhe emrat tradicionalë të formacionit “Albania, gjuhë albanishte, popull alban”, sepse sipas formulimit zyrtar të kopjuar direkt e dogmatikisht nga Çabej, ata “ishin të zhdukur nga pozicioni nacional”. Ndërsa në realitet, megjithse nën çensurë, ata kanë qenë gjithmonë të gjallë dhe veprues e madje mbas 1912 u shumëfishua përdorimi i tyre. Me çfarë emri vetprezantohemi ne të lutem, në UNO, në Olimpiada e në të gjitha sferat internacionale, po në atë kopje përkthimin për Komisionin e Venecias?! Atëhere, more zotëri siç do të shprehej me indinjatë avokat Ngjela, të bëj punën më paguaj hakun, më fut në Kushtetutë! Por emrat s’kanë gojë që të ulurasin, deputetët jo e jo! Pastaj ne kemi edhe një këngë: “Dua më shumë Shqipërinë”…

Dhe çfarë është edhe më kulmi, si etimologjia e emërtimeve të reja kombëtare, nuk pranohet as shqiponja e as një turrë tjetër etimologjish e me gjithë proçeset e kronologjitë që i shoqërojnë ato, për të arritur deri te pohimi aktual në fuqi i Demirajt “etimologjia mbetet e errët”. Një kulm edhe paradoksi: edhe emra të rinj edhe të pa kuptimtë, të errët. Dhe për të vazhduar me një anomali tendencioze e antishkencore ku në të gjitha dokumentet e përkthimet e materialeve historike “Albania, alban, albanishte”, na përkthehen automatikisht me emrat e rinj, aty ku ka “heroi nacional GJ. K. Skënderbeu” fill me “heroi kombëtar” e deri te përkthimet dorë për dorë Albania-Shqipëria! Ka ardhur koha që kësaj anomalie tendencioze t’i jepet zgjidhja sa më e pranueshme dhe e arsyetushme.

Unë kam demostruar që në flamurin tonë nacional duhet të jetë një nga formë shqiponjat më përfqësuese të shek XV, të heroit nacional Gj.K.Skënderbeut, sepse ai i kishte marrë ato atributet e para si mbarënacional, qysh nga ajo kohë. Kështu ky flamur do të kishte edhe një vlerë origjinaliteti edhe një kronologjike, dhe përmbi të gjitha do të shpëtonim njëherë e mirë nga ajo prodhimtaria shqiponjatare e shek XX, me përmbi 70 copë. Ju i mbani mend ata deputetët e PS-së dhe PD-së me turra formë shqiponjash në kutija bananesh…dhe fundi na lanë me një shqiponjë të re të Rexhepit…Pastaj stema e republikës me përkrenaren me kokë sqapi/dhie është një simbol i kultit të njeriut bir-zoti/perendi dhe një imitim i kultit të autokracisë feudale, gjithsesi një simbol jo republikan. Gjene mirë që “Briri i thyer” i dhisë Amalteze është edhe si “briri i bollëkut” dhe deputetët tonë po ia shohin hajrin mirë.

Kurse për stemën e qytetit Komuna e Shkodrës, ku kombinohej tradita legjendare, ajo antike dhe ajo republikane mesjetare e qytetit tonë, mbi bazën e zbulimit të ri të albanologes L. Nadin dhe të studimeve të mija, ti e di mirë se u bë edhe një Peticion, ku printe firma autoritare e Vili Kamsit, pastaj dr. prof. Mikel Prendushit, dr. prof. David Luka, dr. Ahmed Osja, deputeti Ferid Hoti etj për zëvendësimin e asaj që ishte vendosur e madje edhe ajo e fallsifikuar nga me yll gjashtëcepash në një më të pranueshëm “tetë cepash”..Dhe të pa truve as iu erdhi zëri, sepse ka diçka që i ndalon këta njerëz. Pushtetarë të PS-së dhe PD-së…!? Shiko rregullimi këtyre nuk kushton pothuajse fare vlera monetare. Vazhdo me pyetje me seriozet.

 

Pyetje: Z.Agron, çfarë ju premtoni votuesve të zonës suaj po qe se zgjidheni si deputet?

Përgjigje: – Formulimi juaj po më pëlqen dhe po më duket disi i lehtë, sepse disa e formulojnë se çfarë ju premtoni dhe çfarë do të bëni si paradhënie që t’jua japin votën. Me këtë pyetjen tuaj unë mundem t’i premtoj një turrë gjërash me formulime sa më demagogjike e sofiste, me bllofe e stratagjema, strategji e taktika etj dhe pastaj mbasi ta kem marrë votën as të mos ia var fare. Por, “Marveshja” pa emrat tanë, ne na penalizon që edhe të investojmë.

Unë jetoj në qytet, në Piacë me një dyqan modest, pra nuk kam nga ato fondet madhore të bosave të ndryshëm si blu e si të kuq/rozë e deri te ai “me drapër e çekan” i Angjelit, ku era e portokalleve dhe e qitrove që ndihej deri në KPD, tash ka mbërritur edhe në Shkodër e deri në Vermosh…Nuk kam ndonjë karkalec, fadromë apo eskavator të gërvish ndonjë kilometër rrugë fshati a varrezash dhe ti hedh ca zhavor të nxjerrë nga shtrati i Drinit…

E di çfarë premtoj unë, i ftoj qytetarët e zonës time të hartojmë me ndihmën e një konsulence juridike, një Dosje-CD ku të regjistrojmë të gjitha pronat industriale të pa kthyera, të gjymtuara, të kaluara nën pronësinë e militantëve dhe fajkojve partiakë, pronat tokësore, shtëpitë “Të Zëna” dhe pronësi të tjera të konfiskuara e të pakthyera e të pa shlyera, arin e grabitur. Të hartojmë një lloj Fature sado aproksimative. Unë vetë do jap disa shembulla praktike, se si duhet bërë kjo. Pra të sigurojmë një bazë për zë. Ka edhe mënyra më të thjeshta për ta zënë mat qeverinë me gjith atë tallje kolosale që iu ka bërë e iu bën qytetarëve që i trajton tamam si rajatë e djeshëm. Ja një: Të kjofshin falë dynymët e tokave, më jep vetëm 1 dynym në bregdet!  Ja një tjetër: Mbaje “shtëpinë e zënë”, me jep vilën e këtij “Të Pa Strehut” në Velipojë …Gjithsesi: Qeveri Nano na Faturën, më ke borxh ti, prandaj as ta paguaj as dritën dhe as taksat, hajde të kusurohemi reciprokisht kështu! Këtë le ta mbajë edhe Berisha!

Propozoj të caktohet një Taksë fikse e pranueshme për gjith biznesin e vogël dhe pa ato turrë bidatet burokratike, të përjashtohen zonat e dëmtura dhe të plaçkitura në Shkodër për një farë kohe. Bëhuni realistë: hapni sytë, vini dorë populli nuk i përballon dot edhe sigurimet shoqërore…Po ktheheni si në 46-tën me tatimet e jashtzakonshme, kur më shumë kushtojnë letrat tuaja të “lejes feudale” se sa vetë makina e sjellë nga jashtë!

Duhen më në fund njerëz për kontrollin lokal të fondeve publikë që vidhen e vidhen e s’po ka gja që e ndal këtë hemoragji. Si mor të digjen edhe ato dy qyqe fondesh për shkollën. E din, pa qenë kërkund ky propozimi për “kandidaturë” (po me thonjza) shkova te lagjia për kuriozitet, atje mund të hapej një vend sa për shkollë aty në shkamb me disa shkallë të gjera, ashtu ma mirë me shkollë se sa pa shkollë.

Shiko, deputeti aty te zona e ka detyrën, ato “shkencoret e parimoret” ta thashë janë pa pare, populli pret një përmirësim të dukshëm dhe të rrufeshëm, investime potenciale në Shkodër.

 

Pyetje: Çmendim keni për sloganin që prezantoi z. Nikoll Lesi: “Investime dhe arrestime”, nuk ju duket pak si i egër në kontrastim me natyrën e butë të demokristianes?

Përgjigje: Edhe pse kam fare pak ditë që po dëgjoj e vërej, kam formuluar disa mendime e ide të para, por sigurisht dhe absolutisht nuk më takon mua, aq ma tepër në këtë kohë të jap sëpaku ndonjë mendim konsultues. Për pyetjen që më drejton, sigurisht se sloganin e ka menduar shtabi elektoral i partisë, sepse as mund të mendohet se e improvizoi z. Nikollë Lesi aty për aty. (Me të qeshur) Unë vetë nuk arrestoj njeri.

Shiko investimet potenciale dhe emergjente për Shkodrën edhe unë me idenë time i kisha formuluar pa e ditur fare slloganin e Partisë. Pastaj për “pjesën e egër”, pavarësisht se ndoshta ashtu tingëllon ajo është pjesë e detyrimit ligjor Nr. 1 në një shtet që do të bëhet shtet, duhet madje edhe dënimi mbas arrestimit dhe vërtetimit të fakteve. Kuptimi i madh i brendëshëm, siç më duket mua është “Investime shtetërore, kontroll dhe dënime ligjore për abuzuesit e vjedhësit e fondeve publike”. Besoj se aty nuk flitet vetëm në “kohën e ardhshme të përparme”, por edhe “në të shkruarën retrospektive”, apo jo…

Unë për vete, që të lehtësoj një pyetje, i them votuesve: “Më jepni mundësinë që t’ju përfaqësoj dhe do të bëj maksimumin e mundshëm”, më thjeshtë “VOTONI NË ZONËN NR. 5 PËR PARTINË DEMOKRISTIANE”!

 

Pyetje: Çfarë do të veçonit me pak humor nga parlamentarët e kaluar si më tipike?

Përgjigje: Shiko, po ma bën pyetjen gati si ndonjë ish deputeti a deputeti. Tipikë nga ata  ka aq shumë. Por, ja se ç’po më pjell mendja nja dy tipike. Dy Berishat, njërit që s’ia dimë zërin aspak dhe tjetrit që edhe ujin në gotë e pi sikur po ia vjedh kujt, se i shkon koha, për të folur pa mbarim. Caci me stilograf, me çantën e fakteve dëng e duke iu derdhur edhe faktet edhe pështyma prej goje dhe Tosi, pa çantë e pa stilograf fare…dhe me sa duket tashmë pasurimi KPD-ar ruan nivelin si në enët komunikues.

 

Pyetje: Do të debatonit direkt me Prefektin dhe kandidatët e tjerë?

Përgjigje: Po ta kisha emrin edhe ndoshta do t’i kisha ftuar në debat me paratë e mija, se televizionet janë me para apo jo, por po të më ftojnë ata mua pse jo shkoj të debatojmë për mirë për Shkodrën tonë. Sidoqoftë një emision televiziv do ta bëjmë edhe ne sepse nuk jemi edhe aq fukarenj, pastaj se mos çojnë shumë kandar televizionet e posterat. Nanua nuk gaboi shumë kur tha se ka gabuar Ramizi që më la mua majtas e Berishën djathtas, se duhet të na i kishte ndërruar krahët, dua të them se punët vendosen tjetërkund…

 

Pyetje: Me çfarë do ta mbyllim?

Përgjigje: Me humor mor burrë, se as unë e as ai që do të zgjidhet nga zona Nr. 5 edhe sikur ta nxjerrin në selamet këtë Zonë, nuk e shpëtojmë dot Shqipërinë dhe më veçanërisht Shkodrën nga ky hall i madh që e ka pllakosur dhe e keqia më e madhe është se as nuk ka ndonjë fije shprese për të ardhmen me gjith këtë rrënim që ka aktualisht.

Përgjat trainingut shoku nga Pogradeci, që kisha në krah, më thotë: “A nuk bëhet gjë pa para në këtë vend ore”! Unë i tregova një ndodhi nga “Qeveria e Vlorës”. Ministri i arsimit Petro Poga, propozoi të hapej në Vlorë një Akadhemi. Të nesërmen në kasaba të Vlorës mileti po diskutonte me zjarr këtë haber dhe dikush i thoshte edhe si Hamidie etj, kur ia mbërriti njëri: “Qysh i thonë more asaj të mallkuare fjalë që nxori djethinaj z. Pogë dhe nga sa do të na paguajnë”.

Kur morëm me dalë në pushim, mbasi pas nja dy orë e kusur që grinte amerikani, shoku që kisha në krah më pyeti :

-Hë si tu duk leksion-fjalimi?

-Ka harruar edhe diçka të vogël. Xhoxh Bernard Shou ka shkruar, se edhe fjalimi më serioz në botë mund të kthehet si më komiku e më qesharaku me disa xheste të mimikës e përdredhje të zërit”!

Në realitet na ishte ngjitur paksa gaz, qëkurse njëri na imitoi Arbnorin, i cili sidoqoftë ka edhe emër e proporcional jo si ne demokristianët që s’kemi as emra. Mirë ne që e kthejmë me gaz, po ai rreziku me “staf elektoral” që donte edhe dietat…

Dhe më në fund, sa për të vërtetuar se nga ngjyra e syve nuk kuptohet asgjë, qyshse hyra te ai Hotel Dajti, kisha një ndjenjë humori të brendëshme. Mu kujtua se një gazetar italian kishte shkruar këtë ndodhi: “Shkova në Albani për të intervistuar Presidentin Ramiz Alia. Atje më thanë se ishte shumë i zënë e vetëm mbas nja një jave, mund të lirohej. Më sistemuan te Hotel Dajti, që ata e mbanin për të madh, por në realitet ishte edhe më poshtë se një hotel katundi. Ulem atje në lokal i mërzitur, kur po më vjen një tip me një anglishte të pjerdhur: -A po ma bani nji intervistë mue, se do t’ju qeras unë?  Mbas nja dy orëve i kisha marrë vesh të gjitha punët e Shqipërisë dhe sekretin e madh të saj. Nxora celularin dhe preva biletën e kthimit po atë mbasdite për Itali. Ky njeri ishte Sali Berisha dhe sekreti madh ishte se albanezët/shqiptarët janë shumë mikpritësa se atje një kafe nuk kushtonte me nder as një merda…Hajde ta pimë nga një kafe.

Me humor: ftoj Berishën dhe Nanon, me që jam edhe i rregjistruar, të ma japin një vend deputeti nga proporcionali dhe unë ta mbaj me humor “Kuvendin e Burrave” të Republikës së Shqipërisë! Sa për majtas-djathtas kur e bëjnë tropojanët dhe gjirokastritët si nuk e bën një shkodran…

 

PS-në në opozitë mund ta çojë Meta me Monikë

Kur ndeshen elefantët në stepë, drumiset bari. Dy elefantët e politikës shqiptare, Nano dhe Berisha kanë ngritur feçkat lart dhe janë gati për ndeshjen e tyre të madhe, ndoshta të fundit duel në tapetin e politikës së tyre dramatike, pasi me siguri njëri nga këta dy dragoj dhe natyrisht këmishëgrisuri do largohet nga arena politike 15-vjeçare.

Të gjendesh mes Nanos dhe Berishës siç gjendet LSI-sti Ilir Meta është një fatalizëm rrënqethës, pasi deri më tani askush nuk ka arritur të mbijetojë i vetëm apo aq më tepër të neutralizojë këtë bipolaritet të mëdhenjsh. Bijzat e së djathtës dhe të së majtës kanë mbijetuar si rriqnat në brirët e nënës dhi kanë mbijetuar si mizat që u ngjiten në rrëzë të bishtit pelës apo lopës kush t’i dalë përpara dhe si penetrues të tillë shquhen Zogaj, Pashko, Imami, Ngjela, Pollo, etj., të cilët duke hedhur mënjanë moralin politik kanë zgjedhur të kthehen në të shkuarën e tyre tek nëna që i polli dhe i rriti, dhe tek babai autokrat që i rrahu e i shqelmiti. Ilir Meta sot ndodhet në momentin më të vështirë të aventurës së tij dhe pothuaj ka fare pak zare për të luajtur. Një nga alternativat e tij të hidhura është të mirëpresë ftesën “bujare” të Nanos, pra të kthehet në një aleancë me partinë nga ka dalë, duke harruar tramet që ka ngrënë dhe duke ngrënë të pështyrat e veta që ka hedhur mbi ish-taborrin e vet të “lavdishëm”. Meta ka edhe një alternativë tjetër të dytë, të rreshtohet në anën e Berishës, armikut të tij të kahershëm, gjë të cilën nuk mund ta bëjë dot hapur kurrsesi, në qoftë se në prapaskenë ekziston një aleancë Meta-Berisha socialistëve s’u mbetet alternativë tjetër veç të ngrejë flamurin e bardhë! Deri tani Meta duket se nuk lëkundet që t’i bashkangjitet asnjërit kampion por pozitat e tij janë tërësisht difensive. Sistemi maxhoritar i zgjedhjeve LSI-së nuk i lejon alternativë fitoreje, pavarësisht deklaratave shumë optimiste të ish-kryeministrit. LSI nuk ka ku t’i gjejë votat tjetërkund veç shportës së majtë elektorale dhe rrjedhimisht në mënyrë të paevitueshme u dhuron ato (në sistemin maxhoritar) PD-së. Në qoftë se Meta kërkon me çdo kusht rrëzimin e Nanos, kjo është e vetmja fitore që mund të arrijë, një fitore e hidhur që do provokonte humbjen e së majtës, ku padyshim merita kryesore do t’i atribuohej Metës, jo Berishës, i cili shihet akoma me skepticizëm nga votuesit deri tek të tijtë, të cilët për të mbetur në politikë nuk kanë shans tjetër veç të rrinë gojëkyçur si çiraku para ustait.

Në fakt ekziston edhe një alternativë e tretë ku Meta shpreson të fitojë një numër të mjaftueshëm deputetësh, gjë të cilën edhe do ta arrijë padyshim dhe kështu do të ketë luksin të jetë guri i peshores, të jetë pra në gjendje të përcaktojë kushtet për formimin e një qeverie të re të së majtës. Por ky variant mbetet shumë në pikëpyetje pasi nuk dihet dot a do të jetë në gjendje PS të korrë një fitore të mjaftueshme që do ta detyronte t’i shtrinte dorën Metës, ndërkohë kur Dushku i ri do të vihet në zbatim nga të dyja kampet, fenomen që favorizon aleatët e vegjël PSD, PAD, PA të cilët ndonëse pa elektorat janë në pozita shumë komode dhe nuk mund të rrezikohen asnjëherë siç mund të rrezikojë Meta i cili me përbuzje vuan ndëshkimin e tradhëtarit. Një e panjohur tjetër e këtij viti elektoral është edhe LZHK-ja e cila edhe ajo do t’i heqë vota PD-së, gjysmëhënës së Berishës. LSI dhe LZHK do të zbusin bipolaritetin PS-PD, por kurrsesi nuk kanë shans të dalin si forcë e tretë ekuilibruese. Humbja më fatale për Metën do të ishte një fitore e PS-së pa patur Metën brenda, e njëjta gjë duhet thënë edhe për LZHK-në, një fitore e PD-së  pa LZHK-në brenda do ishte humbja më e keqe e mbretërorëve.

Është vështirë të parashikohet oroskopi i kësaj stine politike ngaqë optimizmi i shqiptarëve është në parametrat më minimal se kurrë, ku protesta e tyre besoj se do të shfaqet me refuzimin për të votuar në një masë më të madhe se kurrë. Por gjithsesi mercenarët dhe militarët do të votojnë pa asnjë mëdyshje dhe në bazë të vullnetit të tyre pasionant do të konfigurohet parlamenti dhe qeverisja e ardhshme. Të gjithë hamendësojnë se kush do të jetë fituesi, një PS e konsumuar që s’meriton dot një mandat të ri tek e cila e vetmja rreze shprese që ka mbetur është zëri i vetmuar i Edi Ramës. Nga ana tjetër një PD e mbushur me mëkatarë që veç qimen kanë ndërruar, shkurt llafi ujqërit e vjetër të dy kampeve vallëzojnë të veshur me lëkurë qengji, të cilët po luten, përgjërohen e kërkojnë falje për të shkuarën 15-vjeçare që na lanë jashtë Evropës të cilën mendonin se do ta arrinin brenda ditës. Janë pikërisht këta ujqër që hiqen si engjëj që i sollën këtij vendi humbje e fatkeqësi më shumë se Lufta e Dytë Botërore, janë pikërisht këto kurva që na sollën vitin kopil të ’97-s, ndërsa sot secila betohet për virgjëri, ndërsa nesër nuk pjerdhin fare për votuesit e tyre por turren si hamshorë të tërbuar për të poseduar monopolet që u servir shteti i tyre privat, rozë apo blu qoftë. Ftesa e Nanos ndaj metistëve difton qartë se anija socialiste po ndjen lëkundje të forta. Ju “trima” socialistë kur dje të dehur nga pushteti i mbyllët shtigjet çdo fraksioni, përse legalizuat tani në mbarim të kulaçit qeverisë? Socialistët ndjehen të trembur, hija e Berishës i tmerron, një rikthim i të cilit do të thotë falimentim i turpshëm i tyre. Nga ana tjetër Berisha ndjehet i pasigurtë për të marrshuar drejt fronit kryeministror, prandaj thërret gjithë të rebeluarit, i përgjërohet LZHK-së dhe është gati të bashkëpunojë edhe me djallin veç të shporrë Nanon nga pushteti, ndërsa një rifitore e Nanos do të thotë vdekje pa nderë e lavdi për kryetrimin Berisha, që pret tash tetë vjet të nusërojë edhe njëherë që ka përdorur të gjitha mjetet e luftës politike që nga rebelimi i 14 shtatorit, gurët, shishet dhe tani më së fundi në rolin e moderatorit të hapur e luajal dhe më afër se kurrë pushtetit pas rrëzimit të tij të trishtuar. Sot për sot dimë që jemi në muajin maj, një muaj para përplasjes së madhe, të presim gjakftohtë se çfarë do të sjellë 4 korriku.

Prelë Milani

 

Fisheku qorr i Kryeministrit

Sa më shumë afrohet dita e zgjedhjeve të 3 korrikut 2005, aq më tepër shtohen drithmat e etheve për pushtet.

S’ka ditë që në emisionet e lajmeve të mos dëgjojmë sharje, fyerje pa doganë e premtime marramendëse për kulla të fildishta e pallate shumëkatëshe, sa po t’i besojë njeri s’të bën zemra ta lësh këtë vend. Premtimet bëhen nga të dy krahët, sa majtas-djathtas, a thua se flasin për njerëz që jetojnë jo në Shqipëri, por diku tjetër.

Të çuditiin ankesat prej kukuvajke të “këpëdarëve” socialistë që vazhdojnë t’i bien fyellit të ndryshkur në të njëjtën vrimë duke përsëritur si papagallë ngjarjet e ’97-ës që erdhën si rezultat i rënies së piramidave mashtruese që ata vetë i ngritën duke i mbledhur paratë popullit fukara nga frika se prite Zot po pasurohet.

Baballarët e socialistëve, që drejtuan institucionet shtetërore e kooperativat bujqësore, qenë ata që mbushën thasët me para dhe u zhdukën pa lënë gjurmë si kripa në ujë. E pastaj, po ata nxitën popullin në revolta për t’i kërkuar qeverisë paratë që vetë ua vodhën. Pa pikë turpi e ndere thërrisnin nëpër rrugë: “Kapeni hajdutin!”.

Cili është ai trutharë që u beson më socialistëve se do të sjellin parajsën e humbur?! A s’ishte vetë lideri i socialistëve që u premtoi shqiptarëve se do t’ua kthente paratë qind përqind?! E tash del Braçja e thotë në Televizionin “Klan” se s’kishin ku t’i merrnin që t’ua kthenin paratë shqiptarëve, sepse vetë huadhënësit ia kishin marrë njëri-tjetrit. Populli thotë: “O fol e mba(je), o p… e mos ha!”.

Mos kujtojnë zotërinjtë pushtetarë socialistë se prapë populli ynë (ai që ka mbetur pa u arratisur) është me mendësitë e viteve të para ’90-s kur drejtonin e mashtronin baballarët e tyre të cilëve populli u “besonte” symbyllur!

Në fshatin Barbullush të Shkodrës, në një tubim ku po i merrej fytyra fshatçe një të riu që nuk dilte në punët e kooperativës bujqësore, mbledhjedrejtuesit ftoi të atin e djalit plangprishës që t’i jepte dënimin e merituar të birit.

-Ta çoni në Amerikë, atje ku njerëzit vdesin për bukën e gojës! – dha dënimin për të birin plakshkreta që u besonte fjalëve të brigadierit.

Sikurse atij plaku, shumë vetëve u qe mbushur mendja se pas “çlirimit” do të hanin me lugë ari, ose në kooperativë bujqësore do të punonin sa të mundnin e të merrnin sa të donin…

S’këndohen këngët e reja me avazin e vjetër, zotërinj pushtetarë.

Me slloganin e ’97-s e bëtë “zgjidhjen” në nëntëdhjetetetën, me anatemimin e ’97-s u përqyrrët në zgjedhjet parlamentare të parlamentit të “Dushkut” në 2001-shin e prap për përrallën e vjetër të ’97-s doni të merrni votat e 2005-ës. Populli do programe të reja: luftë korrupsionit me ndershmëri, se me qeverisjen tuaj janë pasuruar bythëshqyerit që s’kanë ditur të lidhin ushkurët e brekëve të veta, institucione të besueshme shtetërore, frenim i prostitucionit dhe i poshtërsirave të tjera që erdhën nga keqqeverisja, jo vetëm e juaja, por edhe paraardhësve tuaj, pseudodemokratëve që menduan se shteti ishte çiflig për të mbushur xhepat ashtu siç po bëhet sot.

S’është parë e dëgjuar prej ndonjë kryeministri si ky i yni që paradite të shanë, të poshtëron, të përçudnon e ta nxjerr bojën me të parë e të mbramë, ndërsa pasdite “të fton”: “Eja të bashkëqeverisim!”.

Së fundi, Kryeministri nxori nga sepetet e “pajës” së vet fishekun qorr të mauzerrit, “pelegrinin” e “zonave folklorike, bajraktare, arkaike e kanunore” të Veriut, zotin Rama, i cili me gjatësinë e tij do të mund të mbërrijë edhe majat e bjeshkëve tona kryelarta e ta “shpëtojë” nga fundosja barkën e rënduar nga dhjami i këtyre 8 viteve në pushtet.

Fryn era për ndryshime, zotërinj socialistë. Boll zhurmë, shumë zhurmë për asgjë! “Uji i ndenjur qelbet!” – thotë populli. Lëshojeni pushtetin me të mirë, pa sharë, pështyrë e fyer ashtu siç i takon një udhëheqësi të emancipuar që vetëkrahasohet me  Toni Bler, (bashkëmoshatar), por të lindur e rritur njëri ku “lind” e tjetri ku “perëndon”. Lëreni këtë vend të shkojë atje ku dëshiron, në Evropën e Bashkuar, se me rrena, broçkulla mashtruese e mjekrra të parruara, s’ia mbushim mendjen askujt se kemi sy për “Qabe”.

Le të kakarisë kuke e vetme sa të dojë Meksja zonjë, se kemi filluar “negociatat” për “asocim e stabilizim” (fjalë të mëdha për një politikane), por s’bëjnë para në tregun ku duan të shiten.

Është mirë që këtij populli t’i shkulen nga truri vargjet lapidar të Fishtës: “Qe besa burra, nuk kam nga t’mbaj,/mbasi do thirrun sot derri dajë”.

Broz Simoni

 

Jeta është e pasigurtë në Shqipëri

Sundon anarshia në Shqipëri. Jeta e qytetarëve është e kërcënuar. Edhe në mesditë, edhe në mesnatë mund të grabitet tjetri, mund të dhunohet, mund të vritet. Kështu ngjan me shtetasin Stak Mirash Demaj. I moshuar, mbi 60 vjeç, më 20 maj 2005, teksa po shkonte tek vjehrri i vajzës në Bajzë së bashku me gruan e tij, Lajde Demaj, ndalohet në rrugë dhe rrahet barbarisht pa asnjë shkak. Edhe e shoqja qëllohet kafshërisht. Duhna nga persona të paidentifikuar, ka qenë aq e ashpër saqë Stak Demaj mjekohet në Spitalin e Shkodrës.

Ja pra, ndërkohë që fushata elektorale reklamohet si “elegante”, jeta e qytetarëve shqiptarë është e rrezikuar.

Zog Hysenaj

 

TJETËRHERË KUR TË FLISNI PËR EKSTREMISTËT SHQIPTARË, MOS HARRONI PA THEKSUAR EDHE KRIMINELËT SERBË!!

Zotni Oliver Ivanoviç, në rolin e përfaqësuesit të listës të votuesve serbë në Kosovë, tha në TV se janë bërë ca përparime, në krahasim me fillimin e punës në Prlament, kur as komunikonin me shqiptarët; kurse sot edhe komunikojnë…por nuk po dihet se kur do të kuptojnë ekstremistët shqiptarë, nevojën për normaliizimin e situatës? Ata që kanë vra serbë, nesër mund të vrasin edhe shqiptarë?- gajlohet Ivanoviç, as pa i vajtur mendja të theksonte krimet serbe në Bosnjë e në Kosovë etj.!?!

Po atë ditë, Republika Srpska pranoi masakrat serbe në Srebrenicë, kur janë masakruar 8731 myslimanë!!!

Kurse ne shqiptarët mbase nuk i kemi harruar masakrat serbe të tashme dhe të dikurshme: msakrat e Toplicës më 1878; msakrat çetnike në Keqekollë e në Prapshticë më 1921, masakrat çetnike në Gjilan 1945, masakra serbe në Kazermën e Praqinit më 3 shtator 1987, në ora 3 të mëngjesit, kur oficerët kriminelë serbë futen në fjetat nr. 41 e 42 dhe vrasin ushtarët e shënjua paraprakisht, nga çdo Republikë nganjë: për ata bindur Vendin dhe Botën, kinse, “për atentatin e shqiptarëve kundër Jugosllavisë”!!!-dhe masakrat çetnike në Kosovë e në Bosnjë aktualisht, për çfarë disa nga krimnelët serbë gjenden në Hagë e të tjerët duhet të arrestohen.

Me një pikëpyetje të madhe: mos edhe vetë zotni Olivet Ivanoviç ka marrë pjesë në masakra, sikur që është thënë dhe është shkruar!?! Po edhe nëse s`ka marrë pjesë në ato krime, vetë paraqitja e tij në TV, fjalimi i ti është inkriminues dhe i dënueshëm, vepër penale për tentim të fshehjes të krimeve monstruoze serbiane.

Shih-Azem Hadini-Xani:”Tragjedia e Tivarit”-1990.

Në vitin 1989, kur lëvizja social-shoviniste serbe ishte në kulmin e promovimit të saj publik dhe medial dhe mistifikohej si lëvizje unitariste e shpëtimit të Jugosllavisë, në një takim-festë fëmijësh për 8 Marsin në Berlin, ku kishte nxënës të shkollës së MP, atëbotë nga të gjitha gjuhët e popujve të YU-së, e edhe shqiptarë dhe ku unë isha mësues, një kolege nga Beogradi, në një rast, më ankohet shumë nervoze se si nxënësit shqiptarë s’ po e kuptojnë fare dhe s’din se si të merret vesh me ta. I qetë, ia ktheva se fëmijët shqiptarë dijnë shkëqyeshëm gjuhën gjermane / të cilën kolegia ime nuk e dinte fare/ si dhe gjuhën e tyre amtare, gjuhë e cila në shtetin e quajtuar Jugosllavi flitej nga jo më pak se 3 milionë banorë, ndërsa kjo si mësuese nuk e din asnjë fjalë të kësaj gjuhe dhe as të gjuhës gjermane, sado që në Gjermani ka tashmë 3 vjet që jeton, por me megalomaninë e saj mendon se gjithë bota duhet ta dijë serbishten e saj. Thënia “Govori jezik u koji te razume celi svet i bog” (Fol gjuhën në të cilën të merr vesh gjithë bota dhe zoti) ishte një nga marrëzitë serbe, e njohur në ish Jugosllavi, prapa të cilës s’ ka dyshim fshihej edhe aspirata serbe hegjemone, e cila më vonë rezultoi me vdekjen e afro 200.000 njerëzve dhe zhvendosjen e milionave.

Kadri Osmani

 

 

Në Europë nuk shkohet me vese

Për fat të keq, ne shqiptarët, më shumë se asnjë popull tjetër në Ballkan, po “ripërtypim” veset më perverse që na i lanë në “derë” pushtuesit e të gjitha ngjyrave, e në veçanti ato që na lanë pushtuesit osman! Vërtet është për të ardhur keq kur konstaton se edhe sot mabs 93 vjetësh pavarësi, “ushqehemi” nga veset e lartpërmendura dhe më konkretisht trashëgojmë demblellëkun, hatërllëkun, nepotizmin e mbi të gjitha tarafllëkun. Siç e thamë më lart, këto vese dhe fenomene ekzistojnë dhe në vende të tjera, por (për fat të keq) tek ne kanë pushtuar çdo qelizë të jetës qytetare në të gjitha qelizat e shoqërisë dhe ç’është më e keqja edhe pjesën dërrmuese të administratës shtetërore, nga baza deri në kupolë…

Kur flasim për dembel-llëkun i referohemi epitafit mjaft të njohur dhe të përdorur në çdo kohë: “dembel Stambolle”. Kur flasim për hatërllëkun apo rehatllëkun, ky i fundit nënkupton parazitizmin dhe ky “infeksion” na vjen nga i njëjti “virus” i lartpërmendur. Nepotizmi është shfaqja më evidente dhe fenomeni më negativ i cili vë në efiçencë paaftësinë duke e çuar shoqërinë drejt degradimit, ndërsa shtetin drejt greminës. Dhe janë pikërisht këto vese të trashëguara në shekuj që vazhdojnë t’i zënë frymën shoqërisë dhe shtetit shqiptar duke na rradhitur në fundin e “tabelës”, madje jo vetëm në Europë, por dhe në shtetet fqinje të Ballkanit!… E gjithë kjo vetëm sepse kërkohet që njeriut t’i gjendet puna dhe jo punës njeriu…

Duke ndjekur emisionin e lajmeve të orës 2000 të dt.10 maj 2005 në RTV publik Shqiptar, ndër të tjera pashë dhe mbjelljen e tri pemëve para Akademisë së Shkencave. Një pemë i kushtohej Buzukut, një Bogdanit dhe një Papës Gjon Pali II (Vojtilës). Këtij evenimenti sa simbolik aq dhe madhështor i bëri komentin Drejtori i Muzeut Kombëtar, z.Moikom Zeqo me një ligjëratë mjaft bindëse, me fjalë të zgjedhura jo vetëm si retorikë, por me paraqitje faktesh me një kompetencë të lartë shkencore, ku çdo figure i evidentoi vlerat duke shpalosur aftësitë e një studiuesi serioz. Ajo që më ngacmoi (pse jo dhe më emocionoi) ishte krahasimi që autori i bënte Papës Vojtila me Papët e shekullit XV dhe lidhjet e tyre me strategun gjenial të tokës arbërore, Gjergj Kastriotin. Në ato lartësi që ata (papët) patën ngritur Kastriotin duke e quajtur “Atlet i Krishtit”, edhe Papa Vojtila ngriti veprën e Shenjtëreshës së ardhshme, Nënë Terezës. Kjo ligjëratë e shkurtër por mjaft e ngjeshur e Zeqos më riktheu kujtesën tek disa figura pseudohistorianësh dhe pseudopolitikanësh (emrat e të cilëve s’ia vlen t’i citojmë) sa herë janë munduar t’i baltojnë Kastriotin e Bogdanin, madje kanë patur paturpësinë të akuzojnë dhe Krenarinë e Globit, Nënë Terezën, si “agjente e Vatikanit”!?… Jam i bindur se sa më lart të ngrihen këto (tri) pemë të mbjella para Akademisë së Shkencave, aq më shumë do të “zbehen” vlerat e asaj Akademie që ka doktoruar antihistorianin e Skënderbeut, Sabaudin Ferraj dhe ka “graduar” “Profesor” autorin e antihistorisë së Haxhi Qamilit… Në demokraci kushdo mund të shkruajë por jo gjithçka mund të “pjellë” fantazia e mendjeve të sëmura ose të atrofizuara…

Akademia e Shkencave dhe Fakulteti Histori-Filologji para se të testojnë ata që u jep tituj e grada “gratis”, duhet të testojë dhe reformojë vetveten… Duke i qëndruar besnik titullit të shkrimit, gjykoj se puna realisht (mes shumë të tjerëve që nuk i njoh) u është gjetur tre intelektualëve të shquar:

1) Aurel Plasarit – Drejtor i Bibliotekës Kombëtare

2) Moikom Zeqos – Drejtor i Muzeut Kombëtar

3) Edi Ramës – Kryebashkiak i Tiranës.

Këtë mendim e jap thjeshtë me gjykimin e qytetarit, pa asnjëlloj paragjykimi partiak, krahinor apo religjioz.

Dhëntë Zoti që “kombinati” i kulturës shkodrane të na “dhurojë” të tillë intelektualë.

Mark Bregu

 

Filozofia e kurthit

Një kurth i sofistikuar duket ishte përgatitur për ta eliminuar fizikisht këtë familje prej pesë personash. Është Lin Rrusti, gruaja e tij Mimoza, dy djemtë Ervis dhe Elton si dhe vajza Ermelinda që u përballën me kërcënime me eliminim fizik kohët e fundit, deri sa gjetën mundësinë e braktisjes së vendit të tyre. Kërcënime me telefon, me letra, por edhe me breshëri plumbash në drejtim të shtëpisë së tyre. E vetmja shpresë jete, rruga pa rrugë e ikjes. Një plagë kjo që përbën një fenomen në Shqipërinë postkomuniste, ku anarshia e pasiguria janë permanente. Lin Rrusti, vëllai i policit Eduard Rrusti, punonjësit të policisë që falë edhe bashkëpunimit me zbulimin inteligjent amerikan, arriti të zbulojë “celulën” serbo-shqiptare të kontrabandës së lëndëve eksplozive C4, është bërë objekt i vëmendjes së gazetës sonë edhe një herë tjetër. Por sot familja e Lin Rrustit nuk ka fare adresë. Ne e kemi thënë shqetësimin dhe shteti shqiptar ka përgjegjësi për dhunën e ushtruar, siç edhe ka përgjegjësi nëse struktura të po këtij shteti dekonspirojnë ata që bashkëpunojnë me shërbimet perëndimore dhe më pastaj të afërmit e tyre vihen në shënjestër për t’u eliminuar. Nuk mund të themi për hakmarrje bandash apo për ndonjë qëllim që vetë ky shtet fsheh. E vërteta është kokëfortë dhe filozofia e kurtheve për të vrarë njerëz të mirë apo për të përmbushur dëshirat e kontrabandistëve nuk mund të fshihet.

Kjo tregon se pasiguria për jetën, konkretisht e familjes Rrusti, që nuk ka adresë as pas publikimit botërisht të hakmarrjes mbi të, është produkt i vetë shtetit shqiptar që përditë e më shumë po e largon Shqipërinë nga integrimi europian.

Albert Vataj

Intervistë me krijuesin e ri Bruno Mema

Pyetje: Me pak fjalë, kush është Bruno Mema?

Përgjigje: Në fakt e kam të vështirë të flas për veten. Megjithatë mund të them se jam një njeri i thjeshtë. Aktualisht maturant dhe më pëlqen të shkruaj. Përveç kësaj i adhuroj shkencat politike dhe studimet. Adhuroj të udhëtoj nëpër amfiteatre, veçanërisht ato të jugut të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Kam pasur ëndërr të veçantë futbollin, por për një arsye a për një tjetër mund të them se kjo ka mbetur thjesht një ëndërr e imja edhe pse jam munduar ta bëj realitet në të gjitha mënyrat, por…

Pyetje: Fëmijëria juaj?

Përgjigje: Fëmijëri normale, e karakterizuar nga një jetë tepër modeste. Më pas mbarova klasën e tetë, ku një pasion i çmendur për futbollin më detyroi që të konkuroja në shkollën e Mjeshtrisë Sportive “Loro Boriçi”, ku fatkeqësisht nuk fitova. Kjo nuk i erdhi si shkak i mospërgatitjes sime, por për aryse që mendoj se mund të kuptohen pa dashur të bëj komente, megjithatë nuk u dorëzova por u aktivizova me ekipin e të rinjve të Vllaznisë, edhe pse për një kohë relativisht të shkurtër sepse nuk kisha mundësi.

Pyetje: Po adoleshenca juaj?

Përgjigje: Nuk kam patur një adoleshencë normale në jetën time personale. Mosrealizimi i disa gjërave që dikur i kam pasur pasion, më bëri që unë t’i futesha rrugës së letërsisë. Mendoj se është e vetmja gjë që të ndihmon t’i thuash gjërat në atë mënyrën e pakufizuar, ashtu si ti vetë i koncepton. Përfshij këtu edhe zhgënjimet e këtij realiteti monoton. Ky konkluzion më çoi tek poezia nën atë dhunën e verbër të jetës në art.

Pyetje: Krijimi juaj i parë. Në qoftë se kujtoni llojin dhe titullin.

Përgjigje: Krijimi im i parë ka qenë i pafajshëm. Ka qenë prozë. Një prozë e trishtuar, e ndrydhur… Më e bukura është se unë i kam vënë si titull një fjalë që nuk ia dija kuptimin. “Melodrama” është fjala që unë e përvetësova nga një këngë e Andrea Bocellit për të titulluar krijimin tim të parë pa e ditur në të vërtetë kuptimin e kësaj fjale.

Pyetje: Mos ju ka shtyrë dikush tjetër t’i futeni kësaj rruge?

Përgjigje: Si fillim ishin hartimet e shkollës 8-vjeçare. Aty unë fillova ta ndjeja krijimin më pranë vetes. Gjithashtu këtë e vuri re edhe mësuesja ime e letërsisë Migena Corri, e cila më dha shtysë që unë të vazhdoja më tej. Kjo ka ndikuar relativisht shumë tek unë.

Pyetje: Sa e rëndësishme është për ju të krijoni?

Përgjigje: Në kohën që jetojmë mendoj se të krijosh është moment relaksi dhe kënaqësie. Dhe kam arritur në përfundimin se më pëlqen kur njerëzit shijojnë poezitë e mia. Ndoshta po të më pyesnit përpara nuk do ta besoja kurrë se do të arrinte një ditë që unë do të shkruaja poezi për të tjerët por ja që ndodh edhe të ndërrojmë krejtësisht mendim mbi diçka. Është vetë jeta që na ndryshon. Është shumë e lodhshme për të qenë i ndjeshëm. Vjen një kohë kur letërsia të do për vete dhe ti duhet t’i jepesh asaj.

Pyetje: Mos doni të thoni që poezia erdhi tek ju si rastësi?

Përgjigje: Jo, erdhi si për të sfiduar realitetin e padurueshëm.

Pyetje: Tani jeni maturant. Planet tuaja për të ardhmen?

Përgjigje: Së pari shkolla e lartë, ku mendoj të vazhdoj juridik apo shkencat politike. Kam një shije të veçantë edhe për publicistikën. Megjithatë nuk i dihet.

Pyetje: A e shihni të ardhmen tuaj tek poezia?

Përgjigje: Mundohem ta shoh.

Pyetje: Aktiviteti juaj krijues.

Përgjigje: Kam botuar në disa gazeta të ndryshme lokale të Tiranës, në Revistën “Test”. Kam botuar në internet në Mal të Zi. Gjithashtu kam pasur kënaqësinë e veçantë të kontaktoj me anë të telefonit me një nga vartësit që punonte në Vatikan, pasi edhe atje kam botuar diçka. Ishte një telefonatë falënderimi dhe mirënjohjeje.

Pyetje: Si është Brunoja në të përditshmen me shoqërinë, familjen, në rrugë…

Përgjigje: Në të gjitha rastet nuk jam poet, por vëzhgues. Jetoj të përditshmen me normalitet kudo dhe mundohem të integrohem në këtë normalitet edhe pse shpesh herë të krijon përshtypjen sikur është paksa e vrazhdë.

Pyetje: Koncepti juaj mbi jetën, realitetin dhe sa mundësi i ofron ky realitet poetit të ushtrojë aktivitetin e tij?

Përgjigje: Jeta më duket si detyrë, si provë, ose si një letërsi që nuk ia vlen që të krijojmë aq shumë. E, përsa i përket mundësive ato janë të pafundme në dy anë. Në anën negative ku ndodh ai procesi ku pena e ftohtë rroket nga dora e ngrohtë e poetit. Ekziston një çast magjik që poeti shkrihet i tëri në përrallën e absurditetit të kohës. Ndërsa në anë pozitive ku unë gjej edhe frymëzimet e mia, janë galeritë e arteve, koncertet e mirëfillta, gëzimet familjare e shoqërore, ku mundohem të ngjiz vargjet popullore.

Pyetje: Para disa muajsh keni promovuar edhe librin tuaj të parë me titull “Emri apo fryma”. Një titull abstrakt ky, pse?

Përgjigje: Ndoshta një sqarim të mirëfilltë do ta gjeni tek poezia ime e parë, po me këtë titull që hap librin tim. Megjithatë ideja është kjo që njeriu është në dilemë. Nuk arrin ta përcaktojë a ka jetuar me frymën apo me emrin… Dua të shtoj gjithashtu se edhe kopertina e librit tim është vetë një poezi abstrakte.

Pyetje: Libri juaj mban firmën e një poeteje të njohur, Mimoza Ahmeti, dhe në atë libër përveç vlerësimeve shkruhet edhe “Kolana e zërave të rinj”. Si ndjeheni?

Përgjigje: Kolana e zërave të rinj do të thotë bashkimi i zërave të rinj. Kjo është një sigël e Shtëpisë Botuese “Marin Barleti”. Sinqerisht ndjehem krenar që jam pjesë e kësaj kolane dhe ndjehem shumë i vlerësuar nga kritikë të njohur të zonës dhe me ato që kam pasur rastin të rri me ta, por dua të theksoj se nga ana tjetër libri ka pasur vështirësi për t’u kuptuar.

Pyetje: Planet tuaja më të afërta.

Përgjigje: Kam përfunduar një libër të dytë me poezi. Kam provuar të shkruaj në gjuhën Gege edhe pse e di që është shumë e vështirë për t’i dhënë tingullin origjinal të Gegnishtes. Mendoj se brenda këtij viti libri im i dytë do të jetë në duart e lexuesve.

Pyetje: Dhe në fund, një mesazh tuajin për lexuesit e gazetës “Shqipëria Etnike”.

Përgjigje: Duhet të lexoni sa më shumë. Kjo është këshilla ime, sidomos për rininë e sotme. Për shembull emrat e mëdhenj botëror rus dhe francezë. Emrat e mëdhenj shqiptarë që janë baza e zhvillimit të letërsisë. Në këto krijime mund të takojmë personazhe me më tepër njerzillëk se personazhet që takojmë në rrugë. Unë personalisht ndër më të preferuarit e mi nga letërsia shqipe, ose më mirë për të thënë më i veçanti është krijuesi i fjalës artistike Migjeni. “Shqipëria Etnike” më pëlqen shumë. Është një gazetë që inkurajon edhe të rinjtë.

Intervistoi Emiranda Lukaj

 

Iku, s’e lanë apo s’deshën ta linin?!

Ekziston në tërësinë e vet të shkruar në mes të xhentëlmenëve (kuptohet kur merren vesh) një pikë rreziku, p.sh. kur sipërmarrësi bën zgjedhjen e specialistit për biznesin, politikën, artin apo në fusha të ndryshme nevralgjike të jetës, pra që në momentin e përzgjedhjes në këtë rast, pronari hedh zaret në njëfarë mënyre i futet nëse mund ta quajmë kështu biznesit të rrezikshëm i cili edhe mund ta nxjerrë nga bataku ku ka rënë apo në të kundërt merr pikjatën që me rastin më të keq merr përsipër shkatërrimin total e të ngadalshëm nga ndërhyrja vend e pa vend apo e zgjedhjes së gabuar të tij siç edhe ka ndodhur rëndom, në shumicën e rasteve me njerëz të ditur, të cilët kanë rënë shpesh pre e antivlerës së pasur, që gëlon me të gjithë metastazat me kohën e antivlerës që po kalojmë.

E bëmë këtë parantezë sepse shkak për këtë jo vetëm u bë titulli që cituam më lart “Iku, s’e lanë apo s’deshën ta linin”. Por në kompleksitetin e vet problemi i këtij vëzhgimi ia vlen të nënvizohet në gazetën tonë për vetë faktin se personaliteti i padiskutueshëm artistik i objektit të shkrimit tonë, siç është në rastin konkret Aleksandër Ruçi, aktor, regjisor, producent i njohur në nivel lokal, kombëtar, e pse jo edhe ndërkombëtar nga diaspora e cila e mban si relike krijimtarinë e tij, u nëpërkëmb si duket pikërisht nga trysnia e antivlerës që na rrethon.

Sepse s’ka si të jetë ndryshe mbasi kohët e fundit Sandri fillon dhe fiton për 60 ditë një tjetër betejë artistike, këtë radhë si drejtor i një televizioni lokal me zë në qytetin tonë. Për 60 ditë televizioni fiton një audiencë të jashtëzakonshme falë aftësisë, organizimit, talentit artistik dhe inteligjencës bashkëkohore të Sandrit, tashmë edhe gazetar me kualitet (fushë kjo e panjohur nga ne deri në ditën e transmetimit direkt në studio të ceremonisë së varrimit të Papa Vojtilës), pikë për të cilën do të flasim më poshtë. Me zhanret, format, siglat, folësat, emisionet e rinj, kualitetin artistik dhe ekipin me perspektivë për një variete brenda përbrenda institucionit, ky televizion për 60 ditë rriti kualitetin 60%. Jo pak, përqindje që e kanë zili ndoshta edhe televizionet më prestigjioze në rang kombëtar (përshtypje kjo e shumicës së komunitetit).

Për të arritur kulmin e vet në pasqyrimin e saktë plot performancë, e kompetencë, vërtetësi e profesionalitet të ditëve kur Papa Vojtila u nda nga jeta. Këtu duket se antivlera, regresivja, mllefi e fondamentalizmi, paaftësia e dashakeqi dikë trembi apo u tremb nga realiteti i madhështisë befasuese të Sandrit, tashmë edhe si gazetar, kur për tri orë direkt në studio, përballë mijëra shikuesve komentoi me nivel të lartë funeralin e Papës, duke kontribuar sadopak për këtë figurë madhështore siç ishte Papa, që në fund të fundit si gjithë botës së qytetëruar, i përkiste edhe qytetit tonë, si për vizitën, bekimin, shugurimin e meshtarëve dhe dashurinë për martirët e kishës katolike. Ishte direkt merita e Sandrit që i dha vendin, kohën dhe vlerësimin e duhur kësaj figure madhështore që ndoshta ndonjë televizion tjetër në të njëjtën kohë dha emisione 360 gradë në krah të kundërt (e drejtë e tij).

Pra, pas gjithë këtyre meritave të arritura në një kohë kaq të shkurtër na befasoi fakti i dorëheqjes, largimit, përzënies apo eliminimit (në thonjëza) të këtij talenti që ka dhënë kaq shumë për Shkodrën, të këtij idealisti që gjithçka e ka vënë në shërbim të artit. Dhëntë Zoti që antivlera të mos jetë krenare për fitoren e radhës. Dhëntë Zoti që Vojtila i madh të mos jetë shkaku, gjë që s’mund ta besojmë, sepse njëmend Sandri iku nga televizioni, por me vete mori lavdinë e hirin e Zotit, bekimin e tij e të Papës së madh, sepse Sandri pati privilegjin e madh se ishte në vendin e duhur si drejtues pikërisht në një ditë historike të lamtumirës së Papës në tokë e ngjitjes së tij drejt jetës qiellore. Kjo është vlera e Sandrit që qëndron madhështore mbi antivlerën. Ky është realiteti ynë, kjo është Shkodra jonë, ku i paafti ka aftësi të jashtëzakonshme të mbulojë paaftësinë e vet. Pra iku, s’e lanë, apo s’deshën ta linin?

Edlira Kuka

 

Haberet e akshamit në gazetën “Shqipëria Etnike”

Përse u vendos 5 Maji dita e dëshmorëve?

Prej rreth 60 vjetësh në Shqipëri është vendosur që data 5 maj të jetë dita e dëshmorëve, që në fakt është 5 maji i vitit 1942 kur u vra Qemal Stafa. Pas një hetimi këmbëngulës të gazetës sonë, se përse u vendos kjo datë kaq e vonë si dita e dëshmorëve, ku në fakt kemi qindra mijëra dëshmorë të rënë në vite e data më të hershme në luftë për mbrojtjen e trojeve tona nga pushtues të ndryshëm. Në redaksinë tonë papritur vjen një letër me nënshkrimin “Veterani”, ku thotë në ndihmë të investiguesve të 5 majit. Ne menduam të botojmë atë pjesë të letrës që “mbyll” hetimin tonë. Pa koment:

-Së pari ishte propozuar që dita e dëshmorëve të jetë 6 prilli i vitit 1911, kur ishte ngritur flamuri në Deçiq pas 450 vjetë robëri otomane, por ky propozim ishte hedhur poshtë se kjo luftë ishte bërë kundër Turqisë e sulltanit të saj, që heroi model i Enver Hoxhës, Haxhi Qamili kishte luftuar në vitin 1914 për t’i rikthyer në Shqipëri.

-Së dyti ishte propozuar që si ditë përkujtimore për dëshmorët të përzgjidhet një datë nga vitet 1912, 1913, 1914, kur shqiptarët kishin luftuar në Veri me forcat shovene serbo-malazeze, ndërsa në Jug me Andartët e shovenët grekë. Sa e kishte dëgjuar këtë, i dërguari i Titos në Tiranë kishte thënë se ata shovenët në Veri jemi ne sllavët që ju kemi krijuar Partinë Komuniste dhe ju kemi pru në pushtet, ndërsa grekët janë miqtë tanë ortodoksë të cilët me urdhërin tonë as nuk do të përmenden për luftërat kundër Shqipërisë së Jugut. E ndërsa fliste kështu Velimir Stojniç, vitin 1920 që kishte pasur një luftë të tmerrshme mes shqiptarëve e serbo-malazezëve nuk e përmendi Byroja Politike. Në vazhdim, për të caktuar ditën e dëshmorëve Stojniçi u dha edhe një porosi që as nga luftërat me gjermanët nuk do të zgjidhej një datë e tillë, pasi gjermanët (Gjermania Lindore) do të jetë pjesë e kampit tonë socialisto-komunist. Atëherë Enveri e kuptoi situatën dhe tha ditën e dëshmorëve do ta caktojmë nga lufta me italianët që nuk kemi asnjë lidhje, madje për ta bërë këtë sa më sinjifikative unë mendoj që si datë të merret 5 maji, kur fashistët e “Vatikanit” vranë heroin tonë komunist, birin e “Allahut” Stalin, Qemal Stafën… Pas kësaj kishte një duartrokitje të gjatë që e shoqëroi edhe i dërguari i Titos… i cili duke qeshur tha: “Rroftë 5 Maji!”.

 

Rrahësit e socialistëve në 1996, mbrojtësit e unitetit të PS-së në 2005!

Në shumë zona zgjedhore në Shqipëri, Partia Socialiste ka kandiduar për deputetë të saj ish-“Policë të Berishës”, ku veçanërisht në maj të vitit 1996 ishin treguar aktivë në rrahjen e masakrimin e protestuesve socialistë në sheshin “Skënderbej” e tjerë.

“Fatin” e këtyre rrahjeve e kishin provuar jo vetëm socialistët e thjeshtë, por edhe kuadro e drejtues të PS-së të Shqipërisë. Kur Fatos Nano kandidoi disa nga këta rrahës për partinë e tij, disa nga drejtuesit e rrahur prej kandidatëve për deputetë patën guximin dhe i thanë shefit të tyre se këta janë policët që i kishin rrahur në 1996, e si mund të bëhen nga “Çomangë të Berishës” në deputetët tanë?! Nano sapo i dëgjoi qeshi në mënyrën e tij të njohur dhe pa vonuar u përgjigj: “Shokë socialistë, këta vërtet ju rrahën, por ju rrahën në emër të Berishës, dhe ju pas kësaj rrahjeje krijuar atë urrejtje na mban të gjithëve të bashkuar me një ideal, që ne të luftojmë me të gjitha mjetet për të penguar PD-në e Berishën të vijnë në pushtet, se po erdhi do të na rrahë me këta policë që ne po i bëjmë deputetë apo të tjerë.

Gjithashtu ju kujtoj se ata që nuk u rrahën nga “Berisha” kanë ikur nga partia jonë dhe formuan LSI-në, ndërsa ju të rrahurit jeni besnikët e mi e të PS-së… Gjithsesi, vazhdoi Nano, këta rrahësit tuaj në PS do t’ju mbajnë gjallë ato kohëra kur rrahja ishte në modë, madje po të jetë nevoja këta rrahës do t’ju rrahin edhe sot, por tashmë me urdhërin tim, dhe kjo rrahje do të quhet e Partisë që ju e thirrni Nënë, e rrahja e nënës kujtdo i bën mirë…” Socialistët që bënë këtë pyetje ulën kokën të kënaqur dhe thanë nën zë: “Rrofshin rrahësit tanë të 1996, që mbajtën unitetin tonë deri sot në 2005”…

 

Shoqja e PS prej Beratit infekton Malësinë e Madhe

Që nga ajo ditë kur një socialiste prej Beratit deklaronte se nuk kërkon asgjë nga Partia Socialiste e qeveria e saj përveç unitetit të partisë, kanë kaluar disa kohë dhe nga shumëkush mendohej se kjo shoqe e sakrificës po harrohej së bashku me inisiativën që PS boll ia propagandoi. Por pikërisht kur ky mendim “ogurzi” për PS po kristalizohej në Malësinë e Madhe shpërthen fuqishëm përkrahja e inisiativës së shoqes nga Berati. Tashmë kjo inisiativë jo vetëm përkrahet siç e thoshte beratsja, por pasurohet me elementë të rinj. PS-së nuk i kërkohet as punë, as bukë, as ujë, as drita, vetëm të rrijë në pushtet e unitet, ndërsa thuhet se më mirë pa asgjë me PS-në se ministër i pasur me PD-në… Kjo inisiativë menjëherë u regjistrua nga Partia Socialiste si inisiativë me vlerë, madje nga partia lokale u kërkua që të mos quhet kopje e shoqes nga Berati, por inisiativë e socialistëve malësorë… Siç merret vesh këtë inisiativë ia përcollën shef Fatosit, i cili kur e pa u gëzua. Mirëpo kur pa në fund të letrës se kërkohej të jetë inisiativë origjinale e socialistëve veriorë, shefi ngrysi vetullat dhe tha: “Mos e miratoni si inisiativë të malokëve, se ata nuk dinë të bëjnë kësi novatorizmash, por shënojeni si përkrahje të inisiativës sonë, d.m.th. të ne jugorëve, që jemi truri i Shqipërisë…” Ne si gazetë nuk kemi marrë vesh asgjë më shumë për fatin e kësaj inisiative, që me thanë të drejtën na “gëzoi” edhe ne si bashkëbanorëve të trevave të Veriut…

 

Gazeta “Shqipëria Etnike” “acaron” marrëdhëniet e veteranëve me kandidatët socialistë për deputetë

Pasi numri i parafundit i gazetës sonë botoi disa curriculume të kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste, ku Tomë Dashin e Paulin Sterkën i quajti se vinin nga familje e fise të persekutuara nga shteti komunist, e si rezultat ishin pinjollë të antikomunizmës së hershme në Shqipëri, por që ishin bashkuar me PS-në e rinovuar. Pas kësaj në redaksinë tonë kanë ardhur e vazhdojnë të vijnë dhjetra letra proteste, të cilët bashkohen në një pikë duke na akuzuar se kemi mashtruar me curriculumet e kandidatëve për deputetë të PS-së. Pasi siç shkruajnë ata, këta kandidatë jo vetëm nuk vijnë nga shtresa të persekutuara nga regjimi komunist, por janë nga familjet, fiset dhe disa nga ata vetë ndër më të privilegjuarit e sistemit komunist, të cilit i kanë shërbyer me ndërgjegje të plotë siç shërben një komunist apo Çekist i vërtetë. Madje, siç thuhet është lidhja e pazgjidhshme e këtyre kandidatëve me komunizmin e socializmin kriteri bazë me të cilin u besuam dhe i kandiduam, ndonëse edhe e kanë dredhur pak bishtin në kohën e Salës… Duke përfunduar këto letra veteranësh të gjitha në fund na kërkojën që sa më parë t’u kthejmë përgjigje, se a janë të vërteta ato që ne shkruajmë, apo ato që thonë veteranët, ku nëse qëndron vërtet persekutimi ata shprehen se do t’i braktisin kandidatët antikomunistë e të persekutuar… Ne si gazetë nuk kemi qëllime të prishim marrëdhëniet e askujt, përkundrazi mundohemi t’i rregullojmë, prandaj veteranëve që na shkruajnë u japim haberin se me shkrimet e gazetës sonë të parafundit kemi sjellë curriculumet që shihen dhe jo ato që fshihen. Shqip, ju keni të drejtë e ne kemi të drejtë. Më 3 korrik s’meritojnë të votohen.

 

Kandidatët e majtë për deputetë kopjojnë Fatos Nanon

Kandidatët e majtë për deputetë kanë filluar fushatën më shpejt se ata të djathtët. Në takimet e tyre me anëtarësinë apo elektoratin vihet re se të gjithë flasin dhe premtojnë parajsën nëse ata bëhen deputetë. Madje për këtë kërkojnë që vetëm të flasin zgjedhësit dhe sa hap e mbyll sytë (si në ëndërr) do të zgjohen në parajsën socialiste që ka 60 vjet që shqiptarët e shijojnë (e disa gojëligj thonë akoma nuk u ngopëm). Nëse do të vazhdonte kështu pa u vënë re gjithçka do të shkonte mirë për këta kandidatë, por disa zgjedhës kanë filluar të shqetësohen se premtimet apo fjalimet e kandidatëve të gjitha bëhen pa letër e laps, pra nuk janë të shkruara e nuk shkruhen askund, ku siç thotë populli, këto janë fjalë që i merr era. Një ditë të bukur zgjedhësit ua thonë kandidatëve këtë fenomen që i bën të dyshojnë… Gjithsesi kandidatët për këtë vërejtje të zgjedhësve (apo të popullit) u justifikuan se kjo është metoda e shokut Fatos Nano, ku siç e patë ju në kongresin elektoral foli një orë e njëzet minuta pa letër, pa laps dhe këtë e bën pasi nuk ka nevojë t’i shkruajë premtimet dhe objektivat në letër se i ka të shkruara në zemër e shpirt për ju që i jepni votën e i siguroni karrigen… Natyrisht, thanë kandidatët, edhe ne si Fatosi jemi… Zgjedhësit nga këto përgjigje gjithkund po mbesin me gojë hapur, mirëpo tash së voni kanë filluar të kujtohen se jo vetëm premtimet, por edhe përgjigjet nuk shkruhen në letër, por thuhen vetëm me gojë… në erë.

I mblodhi këto habere me ndihmën e një komunisti shkodran prej Puke, Ndue Bacaj

 

Burri nga Fierza

Fierza ndodhet në Rrethin e Pukës. Në këtë fshat është ndërtuar hidrocentrali i Fierzës ku kemi punuar e jetuar disa vjet me radhë e kemi ndërtuar këtë vepër të madhe. Shumë herë të ka zënë syri në këtë vepër një burrë të madh, i veshur me rroba malësorësh, me kësulë të bardhë që vinte nga fshati në hidrocentral, por nuk punonte këtu. Ai ishte Mark Dedosh Jaku. Kishte lezet të flisje me të. Fjalët e tij të urta kishin lezetin e tyre. Të dëgjoje urtësinë e tij të bënte përshtypje por ky burrë malësor vinte rrallë në vepër sepse një hije e zezë e ndiqte prapa disa vite me rradhë.

Mark Dedosh Jaku kishte disa vjet që kishte kaluar në burgjet e diktaturës komuniste. Ai ishte djalë i ri, i pashëm dhe trim, kishte përcjellë, kishte ushqyer me bukë dhe ushqime nacionalistët e kësaj treve, kishte përcjellë nëpër rrugë e shtigje kalime duke iu shmangur Sigurimit famëkeq, kishte ndihmuar e punuar me nacionalistët vite me rradhë, por Sigurimi dhe spiunët e tyre Markun e ndoqën këmba-këmbës dhe në fund, një ditë pranvere, kur dielli ndriçonte tokën e lagur nga shiu pranveror, lulet, bari dhe gjethi i gjelbër hijeshonte toknë që po avullonte nga nxehtësia diellore, Marku filloi të punonte punët bujqësoer të stinës së pranverës. Sigurimi i shtetit diktator erdhi në fshatin Fierzë dhe morën këtë djalë bukurosh, e vunë në pranga dhe për shumë kohë e lanë në birucat e Degës së Brendshme të Pukës. Ai akuzohej për gjithçka, për Pal Bibën, për luftën e Gojanit, për strehim e përcjellje nacionalistësh e shumë e shumë akuza nga më të ndryshmet. Populli i fshatit Fierzë u mërzit për këtë djalë të bukur dhe fisnik, bujar dhe trim. Sigurimi e lodhi nga torturat, por ai nuk e hapi gojën se me kë kishte punuar, kë kishte përcjellë dhe kështu i vuajti vetë torturat. Ai u lirua mbas disa kohësh, por përsëri hijet e zeza i vinin prapa. Ata e sulmonin shumë haptas dhe fshehtas, por ai nuk u dorëzua kurrë. Kur erdhi puna në hidrocentralin e Fierzës, Markun nuk e lejuan të punonte sepse ishte njeri në shënjestër të Sigurimit, por qëndroi burrë i mirë, fisnik dhe trim. Populli kishte, edhe sot ka nevojë për urtësinë e tij. Atë e marrin për të pajtuar gjaqe e ngatërresa në fshatrat përreth. Fëmijët dhe familja e tij janë shembull i mirë i fshatit Fierzë. Ai ka miq në të gjithë këto fshatra përreth. Në këtë trevë malësie emri dhe figura e tij është e nderuar. I shkruajmë këta rreshta në gazetën “Shqipëria Etnike” për të kujtuar emrin e burrit të mençur, të urtë, Mark Dedoshi. Fierza ka një figurë burrërore në fshat dhe krahinë.

Shan Sokoli

 

Një mirditas në Vatikan

Para disa vitesh pashë një poster elektoral me titullin joshës “Kush është ky burrë”. Flitej për zotin Gjon Gjomarkaj, për jetën dhe veprimet e tij. Aty njoha pak a shumë figurën e një intelektuali të mirëfilltë. Më vonë rastet dashamire më dhanë të tjera informacione për zotin Gjon Gjomarkaj. Por libri që kemi sot në duar me titullin e bukur “Një mirditas në Vatikan” plotëson në maksimumin e mundshëm portretin e zotit Gjon Gjomarkaj.

Autori i këtij libri, Nikoll Toma me sa kuptoj unë nuk e ka pasë të lehtë formimin struktural të librit. Në përgjithësi librat biografikë janë disi të lehtë, merren disa dokumenta, disa të thëna dhe hidhet jeta dhe veprimet e personazhit në libër. Nikoll Toma ka realizuar një libër të veçantë që mbështjell në brendësi biografinë, monografinë dhe theksin e vazhdueshëm shkencor. Është kjo mbështjellje që e bën librin tërheqës dhe të lexueshëm përnjëherë.

Pikërisht në këta tre përbërës të librit dëshiroj të analizoj disa veçori.

 

Biografia

Shkurtimësia që jep autori në këtë libër, korigjohet me vlerat që ai jep në pak faqe. Duke dhënë pak tregues personal të Gjon Gjomarkajt, autori na jep shumë informacion të fisit të tij. Me këtë fis janë marrë autorë të huaj, si H.H.Lamb dhe Artur Moor. Tabela gjenealogjike e hartuar prej studiuesit H.H.Lamb është studiuar vazhdimisht po nga të huajt dhe ka krijuar ide dhe mundësi të ndryshme interpretimi. P.sh. i dërguari i gazetës londineze “Time” Artur Moor shkruan që në 1904 se “Ajo (tabela gjenealogjike) më dha të përdor edhe shumë informata të tjera mbi subjektin e mirditasve. Prej kësaj do të shihet që një vijë direkte është përmbajtur prej familjes sunduese ç’prej të 17-tit shekull e deri në vdekje të Bib Dod Pashës në 1868”.

Tamam për këto mendime, Nikoll Toma shkruan në librin e tij të ri se:

“Janë pikërisht këto tradita të Mirditës dhe aftësia e prijësve të saj, Gjomarkajve që kanë bërë këtë krahinë të jetë e njohur dhe e afirmuar jo vetëm në Mirditë e Shqipëri, por edhe në Stamboll, Vjenë, Cetinje, Beograd, Romë e Paris…”

Prandaj autori i librit, Nikolla, na mëson se duke analizuar jetën e një personi, analizon automatikisht jetën e një familjeje, pastaj të një fisi, të një krahine e në fund edhe të vetë Shqipërisë. Edhe ky përcaktim nuk vlen vetëm për fisin e gjomarkajve, por edhe për fise të tjera.

Janë të gjitha mundësitë e analizave të pastra të historisë sonë të kaluar. Më parë të huajt shkruanin për ne, më vonë komunizmi nuk i lejoi këto studime, e tani është koha për veprim. Sot, me sa di unë, Mirdita ka shumë studiues të nderuar dhe të zotë, që shkruajnë të lirë, pa peshën e ideologjisë, kushdo qoftë ajo. Krijimi i një “shpirti skuadre” është krejt i mundur që të ndërmerren studime me tema nga më interesantet, të cilat do na tregojnë ne shqiptarëve dhe pastaj të huajve historinë origjinale të të parëve tanë.

Shembuj konkretë ekzistojnë siç është rasti i studimit të italianit Carlo Padiglione, që ka studiuar pasardhësit e Skënderbeut të migruar në Itali mbas Motit të Madh.

Kështu mund të vazhdojmë me argumentimin e mundshëm shkencor të kalimit të Dukagjinëve në Gjomarkaj. Pra këto na thotë zoti Nikollë në këtë libër të vogël si vëllim por të gjerë në ide.

 

Monografia

Duke e lënë pak mënjanë anën biografike, autori analizon një seri vetish të Gjon Gjomarkajt. E vetija e parë është atdhedashuria e parë në kuptimin më të sinqertë të kësaj fjale. Nikolla për Gjonin shkruan: “Në çetat antikomuniste në vitet 1944-1945 u përfshi dhe Gjon Pjetër Gjomarkaj, si një nacionalist besnik i idealeve të tij”.

Dhe kur ai i besoi amnistisë së shpallur dhe ata e futën në burg, Gjoni pyet veten: “Si asht e mundur, më asht premtuar liria dhe si shpërblim po marr torturën?”.

Për të përforcuar këto vuajtje, autori Nikollë jep një pasazh shumë letrar dhe të gjetur: “Edhe koha në burg për të burgosurit ishte e arrestuar”.

Nacionalizmi i Gjon Gjomarkajt ndeshet në krejt librin dhe ndeshet patjetër gjatë gjithë jetës së tij, edhe sot. Kjo vërteton vetitë e shqiptarëve të vërtetë por dhe të një intelektuali origjinal. Harry Lamb që para 100 vjetëve shkruante: “Shqiptarët janë e vetmja racë në Ballkan që dëshmon të vërtetën”.

Brenda monografisë, në libër del tema e madhe e Kanunit të Lekë Dukagjinit, dhe kjo e ndërthurur me çështjet e religjionit. Në mënyrë sistematike autori na shpjegon këto dy tema që u përgojuan për të keq në sistemin komunist. Janë dy tema ku figura e Gjon Gjomarkajt kalon si nëpër kuadrot e një filmi. Lufta e tij parimore prej politikani inteligjent e mbrujtur me besimin te Zoti dhe përulësia ndaj Tij, ndeshet në çdo faqe të librit jo vetëm për periudhën e jetës në Itali, por edhe mbas vitit 1990 në atdheun mëmë e sidomos në Mirditë. Veprimtaria intelektuale e realizuar për një kohë të gjatë në Radio Vatikan zbulohet krejt natyrshëm në penën e Nikollë Tomës. Aty nuk është thjesht puna teknike e radios, më tepër është mpleksje e disa problemeve shqetësuese që kalonte populli shqiptar në periudhën e komunizmit. Dhe pastaj flitet për shkollat shqipe. Libri si një studim i mirëfilltë prek një nga problemet më delikate të historiografisë së sotme shqiptare. Roli i fesë katolike, ka qenë vendimtar në hapjen e shkollave shqipe jo vetëm në Veri të Shqipërisë, por edhe deri në Himarë, nga i çuditshmi prift Nil Katalani, figurë e madhe e kulturës, që vdiq dhe u varros në Himarë në 1694. Këto preokupime për shkollat shqipe nuk i bënte as Patriarkana e Stambollit dhe as Dhespoti i Janinës.

 

Theksi shkencor

Libri me 101 faqe i Nikollë Tomës ka brenda shumë fotografi që janë si të thuash “shkrime ndryshe”. Ato plotësojnë vërtetësinë e librit dhe jetës së personazhit Gjon. Duke lëvizur lehtshëm midis biografisë dhe monografisë, Nikolla cek disa tema shkencore që Gjon Gjomarkaj i ka ndërmarrë në jetën e tij. Studimi i tij “Kisha shqiptare dhe martirët e saj dje e sot” është përpjekje e domosdoshme për gjithë studiuesit tanë, sepse historia e Shqipërisë, popullit të saj është e pandarë nga ngjarjet e kishës, nga vlerat e klerit. Me pak fjalë, në libër Nikolla e ka përshkruar krejt studimin e bërë nga Gjon Gjomarkaj.

Po kështu punimet për Zojën e Këshillit të mirë, emisionet në Radio Vatikan dhe të tjera punime me bazë shkencore janë trajtuar nga Nikolla me durim dhe saktësi. Kjo mënyrë trajtimi ka kompetencën e një studiuesi por edhe një shkrimtari. Kjo gjë vihet re sidomos në trajtimin që i bën veprës më të fundit të Gjon Gjomarkajt “Lumnimi i Nanë Terezës, kush ishte kjo grua?”. E njëjta gjë vihet re në bashkëpunimin me italianin Sisto Capra për “Kanunin e Lekë Dukagjinit”. Analiza që bën Nikoll Toma për këto studime të zotit Gjomarkaj, është e këndshme sepse lexohet dhe kuptohet lehtë, pothuaj nga kushdo.

Duke menduar se diçka kam dhënë për librin e Nikollë Tomës, dëshiroj të lexoj thjesht fjalët e cituara në libër nga Gjon Gjomarkaj:

“Përshtypje më e fortë e më e fuqishme është se në brendësi të njerëzve është ende e gjallë vlera shpirtërore si njeri, si besimtar, si pjesëtar i shoqërisë shqiptare.”

Fatmir Minguli – Durrës

 

Gjakmarrja nuk luftohet me “besëlidhje”

Këto ditë u mbajt në Malësinë e Madhe një kuvend, “Besëlidhja e Malësisë”, kuvend që synonte frenimin e gjakmarrjes, duke vendosur që ritualin e detyruar të marrjes së gjakut ta kufizonte vetëm tek vrasësi (dorasi) dhe jo tek të gjithë pjestarët e familjes apo të fisit, siç e përcakton Kanuni që nga zanafilla e deri më sot. Në kuvend morën pjesë edhe autoritete zyrtare nga ekzekutivi, gjyqësori, presidenca dhe nga organizata të ndryshme jo-qeveritare. Ky kuvend, për mendimin tim, tregoi qartë falimentimin e shtetit ligjor në raport me të drejtën zakonore të ngulitur thellë në ndërgjegjen e shqiptarit, si “domosdoshmëri” jetike e së drejtës në kushtet e një shoqërie pa shtet. Sot nuk mund të ketë gjëmë më të madhe për shtetin tonë se sa vetëdalja jashtë orbitës ligjore dhe shkarja në vetëgjyqësi makabre e shtetasve shqiptarë. Në aspektin njerëzor, social dhe human është për t’u përshëndetur iniciativa e misionarëve malësorë, që synon ndalimin e ndëshkimit kolektiv në gjirin e familjes që vret. Si nismë është fisnike dhe mbetet e tillë përderisa kërkon që zbusë dhimbjet e një plage të vjetër që kullon akoma gjak. Si alternativë është utopike dhe praktikisht e pamundur të zbatohet, ky “reformim” i vonuar i Kanunit është vështirë të kapërdihet në kushtet e sotme të një shoqërie në anarkizëm të thellë mendimi e veprimi. Termi Besëlidhje e Malësisë sikur na sjell edhe një herë në skenë tribute, fiset, bajraqet që sot nuk mund të konceptohen më si njësi funksionale në kushtet e një shoqërie të hapur, por vetëm si atavizma të mesjetës. Natyrshëm lind pyetja: A kanë mundësi këta misionarë të amendojnë Kanunin, a kanë mundësi të bindin të pabindurit, a kanë forcë dhe a ua lejojnë ligjet ekzistuese këtyre misionarëve të ndëshkojnë shkelësit e Besëlidhjes? Ta pranojmë sikur kjo Besëlidhje zbatohet në Malësinë e Madhe ashtu siç duan misionarët, çfarë vlere do të ketë kur nuk do të zbatohet kurrkund në trevat simotra të veriut? Në qoftë se një kelmendas vret një dukagjinas, mos vallë vëllezërit e këtij vrasësi janë të garantuar nga kjo Besëlidhje, se dukagjinasi që i beson Kanunit klasik nuk do t’i vrasë për të marrë gjak? Në Shqipëri fenomeni i ngujimit dhe i gjakmarrjes po manipulohet qëllimisht nga shtypi për sensacione dhe shoqatat për qëllime përfitimi. Raporti i vrasjeve të zakonshme me vrasjet për gjakmarrje është një me njëmbëdhjetë apo dymbëdhjetë. Gjakmarrja nuk luftohet me Besëlidhje, por me ligje të rrepta, të zbatuara me përpikmëri, duke dënuar maksimalisht vrasësit, gjë të cilën nuk na e garanton dot gjyqësori jonë i korruptuar. Nga ana tjetër, është mjaft e vonuar mbajtja e një referendumi popullor që t’i linte shteg miratimit të një ligji fiks të Kodit të Procedurës Penale, ku çdo vrasje për motive gjakmarrjeje të dënohej me burgim të përjetshëm, kjo është rruga e vetme e frenimit të këtij fenomeni të trishtë, rrugë e cila është e gjatë dhe do kohën e domosdoshme të evoluimit si koncept që përbën një neurozë për shoqërinë e sotme shqiptare, pa kufi të qartë ndarës. Imitacionet e tipit “Anton Çeta”, apo të shqiptarëve të Malit të Zi për kushtet konkrete të vendit tonë janë më tepër utopizma dhe shartime dështake, se alternativa të zbatueshme. Sot, fatmirësisht kemi dhjetra e qindra kisha, xhami, teqe, mijëra shoqata, si kërpudhat pas shiut, që të gjitha në unison predikojnë “mos vra!”, “mos vidh!”, “të integrohemi!” etj., ndërsa këtu ngjet krejt e kundërta. Ka ardhur koha të bindemi dhe të zbatojmë atë që vetë populli e ka nënvizuar në frazeologjinë e tij se “Perëndia i vërtetë” përtokë është ligji dhe shteti.

Prelë Milani

Kryeredaktor i gazetës “Dukagjini”, Shkodër

 

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu