Kreu Blog Faqe 121

Zgjidhet Kryetari, pa qeveri funksionale…

0

Shkruan Zef Ndreka

Zgjedhja e Dimal Bashës si kryetar i ri i Kuvendit të Kosovës është një zhvillim i rëndësishëm politik, sidomos pas ngërçit disa javor për konstituimin e institucioneve.
Ky hap tregon se partitë politike kanë arritur një kompromis minimal për të mos lënë vendin në vakuum institucional, gjë që do të dëmtonte stabilitetin e brendshëm dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës.
Dimal Basha njihet si politikan i ri, i qetë dhe me profil më pak konfliktual krahasuar me figurat tradicionale.
Zgjedhja e tij shihet si një sinjal për të ulur tensionet politike dhe për t’i hapur rrugë funksionimit të Kuvendit. Për më tepër, fakti që ai mori mbështetjen e mjaftueshme do të thotë se ka pasur lëvizje të brendshme mes partive për të mos bllokuar procesin.
Çfarë pritet më tej?
1. Formimi i qeverisë.
Hapi i radhës është dhënia e mandatit dhe votimi i qeverisë së re. Me Kuvendin tashmë funksional, presioni për krijimin e kabinetit do të rritet.
2. Koalicionet.
Vendimmarrëse do të jetë marrëveshja mes partive kryesore. Nëse nuk arrihet kompromis, ekziston rreziku i zvarritjes ose i zgjedhjeve të reja.
3. Stabiliteti.
Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit i jep sinjal të qartë partnerëve ndërkombëtarë se Kosova nuk është në bllokadë të plotë, por stabiliteti politik mbetet i brishtë.
4. Sfida kryesore.
Dialogu me Serbinë dhe menaxhimi i krizave të brendshme ekonomike, sociale, do të jenë testi i parë i qeverisë së re.
Pra, ky është vetëm hapi i parë i zhbllokimit institucional; rruga e vështirë për krijimin e qeverisë ende qëndron përpara.
Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është një hap i madh përpara, por pa qeveri funksionale, Kosova rrezikon të ngecë në vendnumëro.
Në planin e brendshëm, qytetarët duan stabilitet dhe zgjidhje praktike; në planin ndërkombëtar, Kosova do të përballet me presion të madh për dialog, ku një qeveri e brishtë mund të bëhet më e ekspozuar ndaj kërkesave të jashtme.

Dimal Basha kryekuvendar i Kosovës, i pari nga Shqipëria e uron Presidenti Begaj

0

Urimi i parë për Dimal Bashën pas zgjedhjes së tij në krye të Kuvendit të Kosovës është Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kreu i Shtetit shprehet se bashkëpunimi politik që u shpërfaq sot me 73 votat pro Bashës, duhet të intensifikohet dhe të vijojë ti sjellë benefite Kosovës.

“Urime, z. Dimal Basha, për zgjedhjen në krye të Kuvendit të Kosovës! Bashkëpunimi politik dhe institucional është një domosdoshmëri që uroj dhe shpresoj të vijojë në të mirë të Kosovës e qytetarëve të saj”, shkruan Begaj.

Shenjtorja Nënë Tereza, Engjëlli unik që Zoti ia dhuroi njerëzimit

0

Shkruan Azgan Haklaj

Lapsi në dorën e Zotit
Më 16-të tetor 1979, kur bota u lajmërua, jo pa sensacion, se një misionare në Kalkutë do të merrte çmimin Nobel që u konkretizua me 10 dhjetor të atij viti, biografë e gazetarë u turrën të rrëmonin në biografinë e kësaj gruaje të brishtë e të çuditshme.
Fjalëpak, por e saktë dhe e vendosur në atë që thoshte, ajo iu përgjigj medias botërore:
“Nga gjaku dhe prejardhja jam shqiptare.
Kam shtetësi indiane.
Jam murgeshë katolike.
Nga prirja i përkas gjithë botës…
“Me zemër i përkas plotësisht zemrës së Jezusit”.
Ishte Nënë Tereza, që si rrufe në qiell shendriti mbi errësirën që asokohe kishte kapluar Shqipërinë, vendin e izoluar e të harruar të shqiponjave.
Dhe ja, kjo grua e vogël na e rikthen edhe njëherë si komb atë emër të madh që patëm latuar në shekuj me perandorët Dioklician, Kostandin, Justinian apo me Skënderbeun.
“Një grua vertet e vogël me trup, por që “s’ka asgjë të vogël në qenien e saj”, do ta përshkruante Indira Gandi.
Nga madhështia e dashuria e saj ajo do t’i jepte gjithë globit nga Kalkuta në Irlandë, nga Venezuela në SHBA, por dhe vendit tonë do t’i dhuronte më shumë nga të gjithë:
Qenien e gjakut që i rridhte në damarë, atë shqiptar.
Ne ishim kombi i braktisur nga njerëzia, liria dhe nga Zoti.
Ishim kombi i dënuar të përjetonim copëtimin e robnimin kush prej sistemeve ekstratotalitare e kush prej dhunës shovene.
Dhe ja, një fat në buzëvarr, një qiri shkëlqimtar që ndriçonte fundin e tunelit të destinit fatal shqiptar:
Nënë Tereza, me dy fjalë për origjinën e saj arbënore e me një foto të vitit 1925, kur s’i kishte mbushur të pesëmbëdhjetat, veshur me rrobën tradicionale kombëtare shqiptare, po i thoshte botës se shqiptarët jo vetëm ekzistojnë, por janë në vëmendjen e vetë Zotit.
Një befasi e mrekullueshme që bëri papët, mbretërit, presidentët e fuqishëm të globit të kujtoheshin një çast, se aty buzë Adriatikut, rrethuar me tela e të izoluar prej perëndimit, që prej lashtësisë jetojnë shqiptarët e Nënë Terezës e të Gjergj Kastriotit.
Prej asaj kohe kanë kaluar dekada e kombi ynë ka galopuar drejt së mirës e fatit më shumë se çdo komb në fundshekullin që lamë pas e në këtë që po jetojmë.
Nene Tereza lindi me dt (26 gusht 1910), u nderua me Çmimin Nobel (10 dhjetor 1979), u lumturua me dt ( 19 tetor 2003), u shenjtërua me dt (5 shtator 2016).
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu i dhuroi njerëzimit pafundësisht mirësi, e shqiptarëve në veçanti dhe u lut pambarimisht për ta gjer në frymëmarrjen e fundit të saj.
Ky vit shenon 28 vjetorin e kalimit në amëshim ( 5 shtator 1997) të simbolit të paqes, persenofikimit të dashurisë njerëzore e filantropes së papërsëritëshme, emblemes së Kombit Shqiptar.
Askush, pavarësisht besimit të tij, apo të saj nuk mund ta mohohojë se pa zë e me modesti, pa zhurmë, por me shumë përkushtim e dashuri ne kishim me vete si melhem e hajmali, si bekim e afrim te Zoti, dorën dhe mendjen e Nënë Terezës.
Se vetë Nënë Tereza ishte një laps në dorën e Zotit, me të cilën duket se Perëndia nënshkroi për të na e ndërruar fatin e larguar, për të na i zbuar më në fund ndëshkimet dhe mallkimet shekullore.
Edhe sot kur ne shkojmë në Bruksel apo Washington për të konsultuar obligimet tona integruese më shumë se gjithçka ajo që na lidh me perëndimin, me Zotin e qytetërimin është natyrisht edhe vegimi e emri i madh i Nënë Terezës.
Kjo grua gjeni, jo vetëm e besimit e bamirësisë është dhe esenca e një filozofie të re, e cila u kyç jo pa rëndësi e pa efekt në epokën e globalizmit.
Kur paraja po synonte të konkurronte vetë Zotin, Nënë Tereza këshillonte të pasurit të mos gëzoheshin dhe aq, kur në botë miliona njerëz vuajnë urinë, sëmundjen, luftën.
Ajo i kërkoi botës humane jo lëmoshë e mëshirë, por besim e afrim te Zoti, mirësjellje e dashuri njerëzore.
“Më mirë të bëni gabime me mirësjellje, sesa mrekulli me vrazhdësi.”
Kjo thënie biblike e Nënë Terezës është kthyer në sloganin e të gjithë shpirtërave njerëzorë që besojnë te Krijuesi i plotëfuqishëm e gjithë pushtetshëm.
Gjenia e Nënë Terezës, mrekullia e saj, nuk qëndron vetëm në shërbimet e saj e të Urdhrit të vet shpërndarë në të gjithë botën, në të mirë të të sëmurëve, të të varfërve e të uriturve.
Është shumë më gjeniale dhe hyjnore.
Ajo i argumentoi njerëzimit se vuajtja për dashuri dhe uria për të është më e rëndë se uria për bukë.
“Po të kishte të uritur në Hënë, unë do të shkoja dhe atje…” thoshte Nëna e botës, balsami i lehtësimit të vuajtjeve të njerëzimit.
Kështu e përshkruan përkushtimin një ftesë për këdo dhe kurdoherë drejt një qëllimi të mirë, human e fisnik”, sepse fisnike ishte vetë Nënë Tereza, gjaku e geni i saj shqiptar.
Në çdo përvjetor të ditëlindjes, të nderimit me Çmimin Nobel, të lumturimit e shenjtërimit, bota feston dhe e kujton këtë engjëll të brishtë që e lindi dhe e rriti nëna e toka shqiptare, për t’ua falur qiejve, nga ku ajo të mund të vijojë përjetësisht misionin e saj hyjnor.
Ajo qëndron lart mbi ne, e mbështjellë me rrobën ngjyrë qielli e të reve të bardha, duke na vëzhguar e duke u lutur për ne.
Duke u lutur për të gjithë, pa na ndarë as në fe, as në ide.
Ajo vazhdimisht u lut për Kombin Shqiptar.
Ju lut Bill Klintonit për Dardaninë Antike’ “Kosovën”,
“Bëni diçka për Kombin tim”.
Edhe në ditët e fundit të jetës së saj në vitin e mbrapshtë 1997-të u lut për Shqipërinë.
Le ti dëgjojmë këto lutje engjëllore, se aty mëshirohet dhe shqip, se shqiptare qëlloi jo rastësisht, të ishte aty ky engjëll unik që Zoti ia dhuroi njerëzimit…!
“O Zot me jep fuqi të jap paqen .
Të jap dashuri atje ku ka urrejtje.
Të sjell frymën e pajtimit atje ku ka gabime.
Të sjellë harmoninë atje ku ka mosmarveshje.
Të sjell të vertetën atje ku ka gabime.
Të sjell besimin atje ku ka dyshime.
Te sjell shpresë atje ku ka deshpërim.
Të sjell dritë atje ku ka terr.
Të sjell gezim atje ku ka dhimbje e deshpërim”.

Vdekja që vjen për të na treguar se si duhet jetuar

0

Shkruan Albert Vataj

POSTMORTUM PER ARTUR ZHEJIN

Një zemër pushoi, por jo një zë, një prej atyre zërave të gjëmimshëm, mëtimeve të përkora dhe mendimeve të shuguruara në dritën e dijes. Një trup u nda nga fryma. Një mendim që s’u këput nga kafshimi i terratisës i Amokut. Një jetë u mbyll, por jo jehona e saj, ajo që kaploi krejtkund mendimi i shpirtit të bukur bëhet qiell për krahët e çdo fluturimi, buzë për këngët e çdo gazmimi, shpresë për ëndrrat e çdo ngulmimi.
Vdekja erdhi befas, siç zgjedh gjithnjë të vijë një e paftuar, në një ditë feste, në një tryezë të ngrohtë familjare, sikur të donte të kujtonte se ajo nuk ka kalendar, nuk njeh orë gëzimi, as ditë zie. Ajo hyn, me të vetmen madhështi që i pranohet: absolutja e saj, korrektësia e pamëshirshme e ligjësisë së jetës.
Dhe megjithatë, nuk ishte një vdekje e thjeshtë, por një akt i fundit artistik, një skenë e fundme e jetës së një njeriu që gjithçka e ktheu në lartësinë e një lajmi të mirë. Sipari që bie, skena që mbyllet, dhe heshtja që pason pas stuhisë frenetike të spektaklit që resht, dhe… të gjithë që ikin duke marrë nga pak jetë, për të mos i lënë vdekjes çfarë ai e mbrujti për ne.
Artur Zheji vetë e kishte përshkruar një vit më parë: “Vdekja është Zonja Madhështore, e pakorruptueshmja absolute, e cila nuk fal dhe nuk bëhet peng i askujt.” Sikur ta kishte ftuar për kafe, sikur ta kishte një nga të ftuarit e tij, sikur ta kishte pranuar si bashkëbiseduese, e jo si formë mizore largimi.
Në këtë bashkëbisedim të fundit mes tij dhe Vdekjes, nuk është fundi ai që flet më zëshëm, por jeta e tij që kumton mesazhin e një apostulli të thirrjes në besim dhe zgjim.
Një jetë e kaluar mes fjalës së lëmuar, mendimit të ngjizur dhe artit të lartësuar në qëllim, mes pasionit dhe mendimit, mes guximit dhe dyshimit, mes ngjizjes së asaj magme që çliroi zjarrin përtëritës të një shpirti. Vdekja, duke ardhur për të ndarë nga ne të gjithë Artur Zhejin, na rikujton se si jetoi ai, me intensitet, me mendim të lirë, me një shpirt që nuk e trembi as politika, as konformizmi, as vetmia e mendimit, sikurse as çfarë hijet sjellin në thellësinë e dritës që shpon.
Në ikjen e tij, Zheji na lë një mësim të heshtur dhe një amanet për të mvajtur. Për të nuk kishte rëndësi sa kohë jeton, por si e jetoi atë, duke e mbushur pareshtur me lëndën qëllimmirë. Siç nuk pati rëndësi numri i ditëve, por pesha e tyre, që i rëndoi dhe e mbajti, duke risjellë në tashmëri mitin e Sizifit.
Nuk ka rëndësi se kur të vjen Vdekja, por çfarë gjen ajo tek ti, çfarë ajo vjen të marrë nga ty, urdhrat mizorë që ajo jep, për të ndaluar, për të mos lejuar as edhe një fjalë më shumë, as edhe një hap më tej, as edhe një çast të frymshëm që të lë pa frymë.
Erdhi “Zonja Madhështore” për ta ndaluar të shkonte më tej në gjurmët e përmbushjes që u ishte vënë nga pas. Për t’i thënë, kaq ishte, kaq munde, vetëm kaq, asgjë më shumë.
Gjithëpoaq vdekja, nuk e zhbën jetën e tij. Përkundrazi, e bën të dukshme, si një pikturë që fitoi konturet vetëm kur u vendos korniza. Tani e shohim të plotë: Zhejin analist dhe gazetar, Zhejin artist e dramaturg, Zhejin filozof të fjalës dhe poet të ideve.
Sepse “Një lis, vetëm kur rrëzohet, atëherë e dimë se sa i lartë që ishte.”
Në këtë PostMortum, Vdekja nuk është një pikë fundore, por një pasqyrë, ku ai shpërfaq veten dhe ne arrijmë të shquajmë reflektimin tonë. Ajo vjen për të na treguar se Zheji jetoi siç duhej, e pse edhe siç amaneti i ADN-së ia vu si barrë dhe si krenari, i pakompromis, i lirë, i lidhur me fjalën e tij dhe me besimin se e vërteta nuk negociohet. Dhe mbi të gjitha, ajo, vdekja vjen për të na kujtuar se jeta nuk duhet humbur në heshtje, por duhet shkrirë në fjalë, në ide, në art, në dashuri.
Artur Zheji u shua shpejt, por nuk iu lejua të ikte në tinëzisht: sqimatari i fjalës dhe i dritshmi i mendimit. Ai që mbeti një “dramaturg i ekranit”, një “poet i politikës”, një “trazues i shpirtrave”, i cili nuk e pranoi kurrë të kërkonte një qoshk për të strukur heshtjen.
Në një kohë kur fjala shpesh shndërrohet në shërbestari për bukën e gojës, Zheji e ngriti në rang të artit dhe të nderit, si një shprehje e një integriteti intelektual të kalibrit.
Në fund, ikja e tij na rikthen tek shkrimi i vetë Zhejit për vdekjen. Ai e quante “Zonja Madhështore”, të pashmangshme, të pathyeshme, të barabartë për të gjithë. Sot, fjalët e tij bëhen epitaf i vetë jetës së tij: një jetë që nuk e kurseu mendimin, që nuk bëri kompromis me të vërtetën, që mbeti e palodhur në kërkim të lirisë dhe mëkimit të dritës së dijes dhe mendimit.
Artur Zheji iku papritur, por jo në heshtje. Ai iku duke na lënë një testament moral dhe estetik: të flasësh lirshëm, të mendosh thellë, të mos pranosh kurrë robërinë e konformizmit.
Një jetë e shkruar mes artit, gazetarisë dhe filozofisë u mbyll me një akt të madh skenik,një shkrim mbi Vdekjen që, paradoksalisht, shërbeu si parathënie e ikjes së tij.
Arturi nuk ishte thjesht drejtues i emisionit “360 Gradë”. Ai ishte një kurator i mendimit publik, një njeri që zotëronte virtuozitetin e një oratori, por edhe urtësinë e një dëgjuesi. Dinte të provokonte, të sfidonte dhe të promovonte një qasje të epërme komunikimi.
Jo të gjithë ndajnë të njëjtin mendim për Artur Zhejin, por vlerat që ai mëtoi në shkrimtari dhe publicistikë, në opinionet dhe qëndrimet e tij, në ndërtimin e një imazhi intelektual, janë ajo që duhet të besojmë, më shumë se ligjërimet dhe retorika përjetuese e një ndarjeje.
Mundet që jo gjithçka që tha dhe gjithçka që bëri, ishin siç do të donim ne. Por ai, në përpjekje të vazhdueshme për të qenë vetvetja, qëndroi besnik asaj që ai mendonte se ishte e drejtë, edhe pse ishte i bindur se jo të gjithë do të mendonin si ai dhe të dakordësoheshin me të. Gjithsesi, kjo nuk e zbret atë nga Panteoni i nderit dhe vlerësimet që i meritoi, për atë që ishte, për atë çfarë bëri, për çfarë mbeti në homazh dhe në kujtesë.

Edison Ypi pas vdekjes së Artur Zhejit: “Më mirë të kishte vdekur Fevziu”

0

Shkruan Ermal Peçi

Vdekja është e vetmja e vërtetë absolute që na bashkon të gjithëve. Ajo nuk pyet për tituj, për ide apo për konflikte. Ajo i fshin të gjitha dhe na lë vetëm si njerëz — të zhveshur nga egoja, krenaria apo pushteti. Është ky çast, kur një njeri ndahet nga jeta, që shoqëritë e qytetëruara heshtin, përulen dhe reflektojnë. Jo vetëm për atë që iku, por për veten e tyre.

Në një vend si yni, ku debati publik shpesh është i ashpër dhe i tejkaluar nga emocionet, prapëseprapë ka një vijë që nuk duhet kaluar kurrë. Është ajo vijë që ndan kriticizmin nga urrejtja, ironinë nga ligësia, dhe fjalën e lirë nga barbaria.

Statusi i Edison Ypit, i publikuar pas lajmit për vdekjen e gazetarit Artur Zheji, ku shkruhej se “më mirë të kishte vdekur Fevziu”, nuk është thjesht një mendim personal. Është një plagë në ndërgjegjen tonë kolektive. Një thikë e ftohtë në shpirtin e një shoqërie që po mësohet të normalizojë urrejtjen.

Cinizmi është bërë pjesë e përditshme e komunikimit në Shqipëri. E hasim në humor, në politikë, në rrjetet sociale, por gjithmonë ka pasur një vijë ndarëse. Kur kjo vijë thyhet, fjala nuk është më një instrument i mendimit, bëhet armë e shkatërrimit moral.

Edison Ypi nuk është një zë anonim. Është një autor i njohur, me ndikim në opinionin publik. Dhe kur një figurë me këtë peshë shpreh publikisht se do të kishte qenë më mirë të vdiste dikush tjetër, kjo nuk është më satirë. Është një fyerje ndaj jetës, një akt dehumanizimi që helmon mendjen dhe nxit shpërbërjen e çdo norme etike.

Po, Blendi Fevziu është një figurë publike me polemika. Është legjitime të kesh kritika për të, të mos pajtohesh me linjën editoriale apo me mënyrën e tij të intervistimit. Por është diçka krejt tjetër të shpresosh për vdekjen e tij. Kjo nuk është më gazetari, as opinion, është çnjerëzim.

Kur arrijmë në këtë pikë, nuk kemi më një problem me të tjerët. Kemi një problem me veten.

Në një vend ku gjithçka është ndezur, ku çdo debat përçohet me ulërimë dhe fjalët humbasin kuptimin, duhet të kujtojmë fuqinë që ka fjala. Ajo mund të ngjallë shpresë ose të krijojë terror emocional. Mund të frymëzojë ose të shkatërrojë, e sidomos kur përdoret për të uruar vdekjen, nuk është më liri shprehjeje, është dhunë verbale.

Artur Zheji u nda nga kjo jetë. Me të, u mbyll një kapitull i debatit publik shqiptar. Një zë që, pavarësisht se çfarë mendonte kushdo për të, kontribuoi me praninë dhe idetë e tij. Ajo që mbetet tani, është mënyra se si ne e përballojmë këtë ndarje. Ajo që tregon më shumë për ne, është mënyra se si reagojmë.

Nëse ka diçka që i mungon sot Shqipërisë, nuk është më shumë guxim për të thënë të vërtetën. Kemi mjaft zëra që flasin. Ajo që na mungon është zemra për ta thënë si njerëz. Me maturi, me etikë, me përkujdesje për tjetrin.

Ne mund të jemi kritikë, mund të jemi të ashpër, mund të jemi të papajtueshëm. Por nëse kemi arritur të urojmë vdekjen e dikujt, atëherë kemi humbur çdo kod njerëzor. Kjo është humbja më e rëndë: ajo e një shoqërie që ka harruar si të jetojë me dinjitet.

Zjarr në Zharrëz, rrezikohen puset e naftës

0

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë pasditen e sotme një sipërfaqe me shkurre në fshatin Zharrëz të Fierit, duke vënë në rrezik serioz një nga puset e naftës që ndodhen në këtë zonë, shkruan A2 CNN. Flakët, të përhapura me shpejtësi nga era e fortë, kanë shkaktuar panik te banorët, pasi afërsia me pusin e naftës paraqiste rrezik të madh.

Menjëherë pas sinjalizimit, dy mjete zjarrfikëse të Albpetrolit kanë ndërhyrë duke arritur të izolojnë vatrën e zjarrit dhe të parandalojnë përhapjen e tij në territorin përreth. Për shkak të natyrës së rrezikshme të zonës, operacioni ka qenë mjaft delikat.

Ndërkohë, në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat e policisë, të cilat po kryejnë hetime për të përcaktuar shkaqet e zjarrit. Ende nuk ka të dhëna nëse bëhet fjalë për një incident aksidental apo për zjarrvënie të qëllimshme. Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar apo dëme materiale të tjera përveç sipërfaqes së djegur me shkurre.

U kap me kokainë, Gjykata e Tiranës e “butë” me vajzën e Eli Farës

0

Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë për vajzën e këngëtares së njohur Eli Fara, e cila u arrestua një ditë më parë, pasi u kap me lëndë narkotike të dyshuar si kokainë.

Trupi gjykues mësohet se ka vendosur që Marina Fara, të qëndrojë në “arrest shtëpie”.

39-vjeçarja, e cila në dokumente mban emrin Roxhensa Kapurani, u kap në Vorë me 4.4 gram kokainë, që e kishte fshehur në portofol.

Para uniformave blu, ajo ka deklaruar se lëndën narkotike e kishte për përdorim personal.

Kujtojmë që Marina Fara edhe më herët ka qene e përfshirë në skena të ngjashme.

5 vite me pare Marina Fara, u përfshi në përgjimet e policisë, në operacionin “Mezhgorani” ku u arrestuan më shumë se 30 persona ne ate periudhe.

Në atë kohë, dyshimet për Marina Farën ishin se kishte ndihmuar dy të dyshuar për trafik të lëndëve narkotike të arratiseshin.

POSTIMET E FUNDIT