Kreu Hapësirë Maksima e Confucit dhe anatomia e një përmbysjeje morale

Maksima e Confucit dhe anatomia e një përmbysjeje morale

0

Shkruan Albert Vataj

“Në një vend të qeverisur mirë, varfëria është diçka për t’u turpëruar. Në një vend të qeverisur keq, pasuria është diçka për të cilën duhet të kesh turp.”, ky formulim i prerë i Confucit, nuk është thjesht një sentencë morale, por një diagnozë e rendit shoqëror. Ai nuk flet për turpin si ndjenjë individuale, por si indikator i shëndetit etik të një sistemi, aty ku drejtësia funksionon, varfëria është devijim që kërkon korrigjim, aty ku drejtësia dështon, pasuria bëhet shpesh simptomë e një përfitimi të padrejtë.
Sot, kjo vijë ndarëse duket e mjegulluar. Turpi nuk është më mekanizëm rregullues, por shpesh një relike e pavlerësuar. Ai është zhvendosur nga vendi ku duhet të ishte, te padrejtësia, abuzimi, lakmia, dhe është projektuar mbi ata që përpiqen të mbajnë një standard, që zgjedhin ndershmërinë në një ambient që e relativizon atë. Kjo përmbysje krijon një paradoks të rrezikshëm, ata që duhet të turpërohen, nuk ndjejnë asgjë, ata që nuk kanë arsye për turp, ndihen të ekspozuar dhe të pafuqishëm.
Zëvendësimi i virtytit me vesin nuk ndodh në mënyrë të menjëhershme, ai është proces i ngadalshëm, pothuajse i padukshëm, ku fjalët humbasin kuptimin dhe vlerat zhbëhen në praktikë. Bujaria shndërrohet në dobësi, përulësia në paaftësi, ndershmëria në naivitet. Në të kundërt, babëzia maskohet si ambicie, mungesa e skrupujve si “zgjuarsi”, ndërsa arroganca si vetëbesim. Ky riformatim i gjuhës është edhe riformatim i ndërgjegjes.
Në një klimë të tillë, pendesa bëhet e rrallë, sepse mungon ndjeshmëria ndaj fajit. Nuk kërkohet falje, sepse nuk pranohet gabimi. Krenaria nuk buron më nga veprat e mira, por nga aftësia për të dominuar, për të fituar, për të dalë mbi të tjerët, pa marrë parasysh koston morale. Dhe kur krenaria zë vendin e ndërgjegjes, atëherë shoqëria humbet një nga mekanizmat e saj më thelbësorë të vetërregullimit.
Pyetja që shtrohet nuk është nëse ekziston ende turpi, por nëse dimë ta vendosim atë aty ku duhet. Sepse një shoqëri që nuk turpërohet për padrejtësinë, por turpëron drejtësinë, nuk është thjesht në krizë vlerash, ajo është në një fazë të avancuar të shpërbërjes morale. Dhe rikthimi nuk fillon me ligje apo ndëshkime, por me një akt më të vështirë, rivendosjen e kufirit mes asaj që duhet të na bëjë krenarë dhe asaj që duhet të na bëjë të ulim sytë.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu