Kreu Blog Faqe 124

Kthimi i Donald Trump, një perspektivë mbi lirinë, demokracinë dhe prosperitetin global

0

Shkruan Halil Teodori

Që nga momenti kur Donald Trump u ul në karrigen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bota politike hyri në një fazë të re të pasigurt, por edhe të ngarkuar me pritshmëri. Me një retorikë të drejtpërdrejtë dhe një vizion të qartë për “Amerikën të Parën”, Trump synoi jo thjesht të udhëheqë vendin e tij, por ta ripozicionojë SHBA-në në pozita të palëkundura të superfuqisë globale, si lider botëror dhe si rregullator i ekuilibrave ndërkombëtare.

Kalimi i kohës që nga ai moment ka sjellë një sërë ndryshimesh në rendin botëror:
– nga marrëveshjet tregtare e deri te ripozicionimi strategjik në arenën gjeopolitike, nga sfidat ndaj organizatave ndërkombëtare e deri te përpjekjet për të rishkruar rregullat e lojës globale. Ne, përkrahësit e tij e shohin këtë si një rikthim të fuqisë amerikane, një përpjekje për të rivendosur autoritetin e humbur dhe për të garantuar një rend botëror ku SHBA-ja është jo vetëm pjesëmarrëse, por udhëheqëse.
Në këtë kontekst, rikthimi i Trump në krye të shtetit shihet si një moment i dytë themelor, një përpjekje për të përmbushur misionin e tij të papërfunduar:
– të rikthejë Amerikën në majat e ndikimit global, duke e bërë atë simbol të lirisë, demokracisë dhe prosperitetit. Kjo ese synon të shqyrtojë këtë pikëpamje, duke analizuar ndikimin e politikave të tij në ekuilibrat botërorë dhe në vetë konceptin e lidershipit ndërkombëtar.


Në historinë moderne të politikës globale, pak figura kanë ngjallur aq shumë debat sa Donald Trump. Rikthimi i tij në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është përshkruar nga përkrahësit si një moment kthese, një rikthim i vlerave të harruara të lirisë, demokracisë dhe prosperitetit.
Por a mund të konsiderohet ky kthim si një katalizator për ndryshime pozitive në rendin botëror?
Kjo ese synon të analizojë këtë ide, duke e trajtuar si një pikëpamje që meriton shqyrtim të thelluar.
Trump ka promovuar një vizion politik që shpesh e ka vendosur individin në qendër të vendimmarrjes. Retorika e tij për lirinë e fjalës, kundërshtimi ndaj censurës dhe mbështetja për sovranitetin kombëtar janë parë si shenja të një qasjeje që sfidon globalizmin dhe burokracinë ndërkombëtare. Përkrahësit e tij argumentojnë se kjo filozofi ka frymëzuar lëvizje të ngjashme në vende të tjera, ku qytetarët kërkojnë më shumë kontroll mbi jetën e tyre dhe më pak ndërhyrje nga elitat politike.
Demokracia, në kontekstin e Trump, është interpretuar si një sfidë ndaj status quo-së. Ai ka vënë në pikëpyetje integritetin e institucioneve tradicionale, duke kërkuar transparencë dhe llogaridhënie.
Për disa, kjo është një formë e re e pjesëmarrjes demokratike, ku qytetari i zakonshëm ndjehet më i përfaqësuar. Për të tjerë, kjo qasje ka sjellë polarizim dhe ka dobësuar besimin në sistemin demokratik. Megjithatë, nuk mund të mohohet fakti se ndikimi i tij ka qenë i thellë dhe ka nxitur debat mbi vetë natyrën e demokracisë.
Gjatë mandatit të tij të parë, ekonomia amerikane përjetoi rritje të ndjeshme, veçanërisht në tregun e punës dhe bursë. Politikat proteksioniste, ulja e taksave dhe nxitja e prodhimit vendas u panë si përpjekje për të rikthyer prosperitetin ekonomik. Përkrahësit e tij e shohin këtë si një model që mund të frymëzojë vende të tjera drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe të pavarur ekonomik.


Ndërsa këto argumente përfaqësojnë një pikëpamje të caktuar, është e rëndësishme të theksohet se ndikimi i një lideri në lirinë, demokracinë dhe prosperitetin global është kompleks. Kritikët e Trump kanë ngritur shqetësime për retorikën përjashtuese, tensionet ndërkombëtare dhe qasjen ndaj institucioneve demokratike. Prandaj, çdo vlerësim duhet të jetë i balancuar, duke marrë parasysh si arritjet ashtu edhe sfidat.
Kthimi i Donald Trump si president i SHBA-ve mund të shihet si një moment me ndikim të madh në politikën globale. Për disa, ai përfaqëson rikthimin e vlerave të lirisë, demokracisë dhe prosperitetit. Për të tjerë, ai është simbol i ndarjes dhe pasigurisë. Kjo ese nuk synon të japë një verdikt përfundimtar, por të nxisë reflektim mbi rolin e liderëve në formësimin e botës moderne dhe mbi mënyrën se si ne, si qytetarë globalë, e kuptojmë lirinë, demokracinë dhe prosperitetin.
Skeptikëve u mbetet thjeshtë të vështrojnë zhvillimet dhe të arrijnë të kuptojnë ndryshimin që solli në botën globale një lider si Trump, një vizion si ai, një kurajë për të ndryshuar gjithçka që duhej ndryshuar dhe për të rivlerësuar çdo marrëveshje dhe çdo akord diplomatik dhe ekonomik.
Syçelësia e një lideri si Donald Trump është një vështrim i ri me të cilin, Evropa dhe Bota po vështron vetveten në realitetin e sotëm, duke konstatuar ripozicionimin e të gjitha kapaciteteve si potenciale për progres, si shanse për risi.
Trump erdhi për t’i thënë Botës se ka shumë gjëra që duhet ndryshuar, dhe kjo bëhet e mundur duke filluar këtë ndryshim nga vetja. Evropa plakë reagoi me hezitim, por ndërsa koha kalon, ajo po e sheh veten si vlerë e një ndryshimi pozitiv, Amerika gjithashtu.

Biznesi i qeverisë me armët!

0

Shkruan Jorida Tabaku

Qeveria shqiptare ka ndërtuar një model të çuditshëm dhe kontradiktor të funksionimit të shtetit. Kur bëhet fjalë për shërbimet publike thelbësore – spitale, shkolla, rrugë – përgjigjja është gjithmonë e njëjtë: “shteti nuk ka kapacitete”. Për këtë arsye, shëndetësia iu dorëzua koncesioneve, ndërtimi i shkollave iu la privatit, dhe çdo segment rrugor i rëndësishëm është bërë pjesë e një PPP-je.

Por kur vjen puna për të bërë biznes, shteti papritur bëhet sipërmarrës i madh. Në vend që të ofrojë shërbimet për të cilat qytetarët paguajnë taksa, qeveria vendos të ndërhyjë në tregje ku konkurrenca duhet të jetë e lirë dhe transparente. Kështu, shteti që nuk arrin të blejë avionë zjarrfikës për të përballuar emergjencat civile, futet i papërgatitur në industrinë e armëve.

Në vitin 2024, shumica qeverisëse miratoi krijimin e KAYO sh.a., një kompani shtetërore që trashëgoi disa nga uzinat e vjetra të prodhimit të armatimeve. Në teori, ideja nuk është e paarsyeshme. Shqipëria ka pasur një industri të tillë para viteve ’90 dhe si vend anëtar i NATO-s mund të kishte interes të rikthente një sektor strategjik. Një industri e mbrojtjes mund të krijojë vende pune, të gjenerojë të ardhura dhe të rrisë peshën gjeopolitike të vendit.

Por si gjithmonë me këtë qeveri, problemi nuk është ideja në letër, por mënyra e zbatimit. Që në Komisionin e Ekonomisë, u ngritën shqetësime për mungesën e transparencës, për mënyrën e përfshirjes së sektorit privat dhe për rrezikun që prona publike të përdorej për interesa klienteliste. Sot, një vit më vonë, ato shqetësime janë bërë realitet.

KAYO, me kapital fillestar vetëm 150 milionë lekë, ka krijuar tre kompani bija në ortakëri me subjekte private që nuk kanë as licenca dhe as ekspertizë në prodhimin e armëve. Nuk kemi të bëjmë me një industri serioze, por me një tjetër shembull të përdorimit të pronës publike dhe të fondeve shtetërore për interesa të ngushta.

Ky është një rrezik i dyfishtë.

Së pari, për sigurinë kombëtare. Industria e mbrojtjes është një sektor ku kërkohet kontroll i plotë shtetëror dhe ekspertizë e specializuar. Përfshirja e kompanive pa kredenciale rrezikon standardet, sigurinë dhe besueshmërinë e Shqipërisë në NATO.

Së dyti, për financat publike. Me një kapital qesharak prej 150 milionë lekësh, është e qartë se nuk mund të ringrihet një industri armatimi. Ky investim është i destinuar të shpërndahet në tendera dhe kontrata të vogla pa impakt real, ndërkohë që qeveria ka dhënë qindra milionë euro për inceneratorët dhe koncesione të tjera të dyshimta.

Në fakt, kjo nuk është një histori e re. Është e njëjta recetë që kemi parë me dhjetëra herë gjatë 12 viteve të fundit. Në vend që të fokusohet tek detyrat bazë, qeveria shpik projekte madhore, i shet si “vizion 2030” dhe në fund i kthen në platforma për klientelë. Në shëndetësi, në infrastrukturë dhe tani në mbrojtje, rezultati është i njëjtë: shteti merr rolin e tregtarit, ndërsa qytetarët mbeten pa shërbime cilësore.

KAYO është vetëm shembulli më i fundit i këtij modeli. Një shtet që nuk financon dot spitale, por hap kompani armësh; që nuk ndërton dot shkolla, por shpik shoqëri aksionare me ortakë pa eksperiencë; që nuk garanton dot zjarrfikës për të mbrojtur pyjet, por shpall veten prodhues armatimesh.

Pyetja që lind është e thjeshtë: çfarë shteti po ndërtojmë?

Një shtet që i lë shërbimet publike në duart e privatit, ndërsa biznesin e mban për vete, nuk është një shtet modern dhe demokratik. Është një shtet klientelist, që i shërben vetes dhe klientëve të pushtetit.

Shqipëria ka nevojë për një industri moderne të mbrojtjes, por jo për kompani fasadë e partnerë të rastësishëm. Siguria kombëtare nuk është biznes privat i qeverisë – është interes kombëtar që nuk mund të përdoret si monedhë për tendera dhe marrëveshje të errëta.

Ftesë për konflikte të reja

0

Shkruan Zef Ndreka

-Marrëveshja e Mynihut (1938) dhe paralelizmat me Ukrainën sot.
Çfarë ndodhi atëherë?
Hitleri kërkoi nga Çekosllovakia t’i dorëzonte Gjermanisë rajonin e Sudeteve, duke thënë se aty jetonin gjermanë etnikë.
Britania dhe Franca, për të shmangur luftën, e detyruan Çekosllovakinë të pranojë.
Neville Chamberlain (kryeministri britanik) shpalli se kishte sjellë “paqen për kohën tonë”.
Vetëm disa muaj më vonë, Hitleri pushtoi gjithë Çekosllovakinë dhe më pas filloi Luftën e Dytë Botërore.
Paralelizmat janë të ngjashëm me thirrjen e Trump-it për Ukrainën:
– Territore të marra me forcë.
Sudetet (atëherë) dhe Krimea (sot) janë marrë me presion ushtarak.
Në të dy rastet, agresori kërkon legjitimim ndërkombëtar.
Franca dhe Britania në 1938 menduan se duke i bërë lëshime Hitlerit do të shmangnin luftën.
Trump sot propozon të njëjtën gjë, duke i bërë lëshime Putinit (Krimea + NATO), mendohet se shmanget përshkallëzimi.
– Ja p3asojat e lëshimeve
Në 1938, lëshimi nuk solli paqe, por vetëm i dha kurajë agresorit të kërkojë më shumë.
Nëse Ukraina detyrohet të heqë dorë nga Krimea e NATO, ekziston rreziku real që Rusia të mos ndalet vetëm aty, por të kërkojë edhe Donbasin e më tej.
Çekosllovakia atëherë nuk u pyet fare në vendimin e madh që prekte ekzistencën e saj.
Sot, Ukraina po rrezikon të shtyhet drejt një marrëveshjeje që bie ndesh me vullnetin e saj.
A marrin mësim nga historia?
Qetësimi i agresorit nuk sjell paqe afatgjatë. Përkundrazi, e bind se forca shpërblen dhe e shtyn drejt aventurave të reja.
Nëse në 1938, Britania dhe Franca do të kishin qëndruar më fort, ndoshta Lufta e Dytë Botërore do të ishte shmangur ose të paktën më e kufizuar.
Sot, një kompromis i ngjashëm për Ukrainën mund të hapë rrugën për një epokë të re destabiliteti global.
Kështu, thirrja e Trump-it i ngjan shumë Marrëveshjes së Mynihut, e cila është një paqe e përkohshme, por që në thelb mbart rrezikun e një konflikti më të madh e më të rrezikshëm në të ardhmen.
Qetësimi i agresorit nuk sjell paqe afatgjatë. Përkundrazi, e bind se forca shpërblen dhe e shtyn drejt aventurave të reja.
Nëse në 1938, Britania dhe Franca do të kishin qëndruar më fort, ndoshta Lufta e Dytë Botërore do të ishte shmangur ose të paktën më e kufizuar.
Sot, një kompromis i ngjashëm për Ukrainën mund të hapë rrugën për një epokë të re destabiliteti global.
Historia na mëson se lëshimet ndaj agresorit nuk sjellin paqe, por vetëm e ushqejnë etjen e tij për më shumë.
Në Mynih, më 1938, Europa i dha Hitlerit Sudetet duke besuar se do të shpëtonte paqen, por pas pak muajsh shpërtheu Lufta e Dytë Botërore.
Sot, thirrja që Ukraina të heqë dorë nga Krimea dhe nga rruga drejt NATO-s duket si një kompromis i shpejtë, por në të vërtetë është një përsëritje e së njëjtës gabim. Një paqe e ndërtuar mbi dorëheqjen e viktimës dhe shpërblimin e agresorit nuk është paqe e qëndrueshme, por një ftesë për konflikte të reja.

Këlliçi: Në shtator forumet e PD do vendosin nëse rikthehemi ose jo në Kuvend

0

Deputeti i PD Belind Këlliçi u shpreh se rikthimi në kuvend në sezonin e ri parlamentar të opozitës do të vendoset nga forumet e larta të PD.

“Çdo ditë në mënyrë permanente, Berisha vijon të denoncojë të gjitha faktet që kanë vërtetuar se 11 maji ka qenë një farsë e madhe elektorale.

Duhet të shohim vendimarrjen e PD për rikthimin apo jo në parlament të opozitës, duhet të shprehen organet e larta të PD, këshilli e forumeve të PD, do të vendosin ata agjendën politike. E rëndësishme është të reflektojmë interesin e qytetarëve shqiptarë”, tha Këlliçi.

Këlliçi nuk është as i pari as i fundit që ka dhënë këtë përgjigje lidhur me zhvillimin normal të jetës parlamentare në shtator, mirëpo duhet parë se çfarë rruge do ndjek opozita, duke qenë se ajo e djegies së mandateve i rezultoi një herë fatale.

Apel për respektimin e figurës së poetit Gjok Beci

0

Shkruan Zef Ndreka

Është e pafalshme që edhe sot, pas vendimit të Këshillit Bashkiak të Mirditës më 24.11.2021, ende nuk është zbatuar akti ligjor që e emëron Pallatin e Kulturës në Rrëshen me emrin “Pallati i Kulturës Gjok Beci”.
Gjok Beci nuk është thjesht poet i Mirditës, por një monument i shpirtit shqiptar, vargjet e të cilit kanë ngjallur krenari, ndjenja atdhedashurie e forcë frymëzimi për gjenerata të tëra. Ai është nder për gjithë shqiptarët, dhe respektimi i kujtimit të tij është një borxh moral e kombëtar.
Moszbatimi i këtij vendimi është jo vetëm shkelje ligjore, por edhe një mungesë respekti e turpshme ndaj figurës së një poeti që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën shqiptare. Vendimet e këshillit bashkiak kanë fuqi detyruese dhe askush nuk ka të drejtë t’i lërë në sirtar.
Ne, qytetarë, artistë, dashamirës të kulturës dhe trashëgimisë sonë shpirtërore, kërkojmë:
Zbatim të menjëhershëm të vendimit ligjor.
Vendosjen e emrit “Pallati i Kulturës Gjok Beci” si shenjë respekti dhe mirënjohjeje, që institucionet vendore të tregojnë seriozitet dhe përgjegjësi ndaj figurave që nderojnë kombin.
Gjok Beci meriton vendin e tij të përjetshëm në zemrën e Mirditës dhe të gjithë Shqipërisë.
Çdo vonesë është një fyerje ndaj kujtesës së tij dhe ndaj kulturës sonë kombëtare.

Tre kompani të reja të industrisë së armëve me hije korrupsioni

0

Në ditët e para të muajit gusht 2025, janë krijuar tre kompani të reja në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë: TIMAK DEFENCE, M.K.D dhe GUNA TACTICAL. Të tria këto shoqëri kanë për “mëmë” kompaninë shtetërore KAYO sh.a, e cila u ngrit në vitin 2024 për të administruar kapacitetet e mbetura të industrisë së dikurshme ushtarake shqiptare: Uzina e Lëndëve Plasëse Mjekës, Uzina Mekanike Gramsh dhe Kombinati Mekanik Poliçan.

KAYO drejtohet nga Ardi Veliu, ish-drejtori i Policisë së Shtetit, një figurë e përfolur shpesh për lidhje me tenderë dhe menaxhim klientelist. Kapitali fillestar i kompanisë është 150 milionë lekë, ndërsa bordin drejtues e përbëjnë shtatë anëtarë me lidhje të forta politike dhe administrative: Ida Malile, Gjergji Methoxha, Ermal Nufi, Aleks Marku, Ervin Feti dhe Grestian Poçi.

TIMAK DEFENCE  nga makina tek armatimi

Shoqëria TIMAK DEFENCE u krijua më 1 gusht 2025 dhe zotërohet 80% nga Arjeta Puca dhe 20% nga KAYO. Objekti i saj është prodhimi dhe përshtatja e mjeteve motorike të posaçme, me arkitekturë të hapur për instalimin e armëve automatike, sistemeve të artilerisë, pajisjeve antidron dhe mbrojtjes aktive.

Praktikisht, kjo kompani po merr ekskluzivitetin për të prodhuar automjete të blinduara për ushtrinë dhe strukturat e sigurisë, duke hapur një treg të ri me fonde të mëdha publike. Dyshimi i parë është se përzgjedhja e ortakut privat, Arjeta Puca, është bërë pa transparencë dhe me lidhje të drejtpërdrejta politike.

M.K.D  municionet në duart e një emri të përfolur

Shoqëria M.K.D është krijuar në të njëjtën datë dhe zotërohet 80% nga kompania MSSC e Emiljano Dusha dhe 20% nga KAYO. Objekti i saj është prodhimi dhe tregtimi i municioneve të kalibrave të vegjël dhe të mesëm.

Emiljano Dusha është një emër i lakuar në disa tendera të dyshimtë të mbrojtjes dhe sigurisë, me akuza për lidhje klienteliste me zyrtarë të qeverisë. Duke marrë kontroll mbi prodhimin e municioneve, ai përfiton një nga sektorët më të ndjeshëm të industrisë ushtarake shqiptare. Kjo përkon me skemat klasike të transferimit të pasurisë shtetërore drejt interesave private nën petkun e “partneriteteve strategjike”.

GUNA TACTICAL, uniformat ushtarake nën një ortakëri të dyshimtë

E treta në listë, GUNA TACTICAL, zotërohet 51% nga KAYO dhe 49% nga kompania MSSC e Emiljano Dusha. Objekti i saj është projektimi, prodhimi dhe tregtimi i uniformave dhe aksesorëve ushtarakë për forcat e armatosura dhe strukturat e sigurisë.

Edhe në këtë rast, MSSC e Dusha merr kontrollin praktik të sektorit të uniformave, një fushë që ka pasur historikisht tendera me skandale për çmime të fryra dhe produkte me cilësi të ulët. Përqindja 51% që i mbetet shtetit është vetëm formale: vendimmarrja reale dhe përfitimi ekonomik pritet të dominohet nga ortakët privatë.

Modeli i privatizimit të fshehur: nga uzinat e shtetit tek kompanitë klienteliste

Tre kompanitë e krijuara brenda 72 orëve në fillim të gushtit 2025 tregojnë një model të qartë të privatizimit të fshehur: shteti (në këtë rast KAYO) mban një pjesë minoritare të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër u kalon individëve ose kompanive private me të shkuar të dyshimtë.

Kjo skemë, sipas ekspertëve të industrisë së mbrojtjes, rrezikon të kthejë sektorin strategjik të armëve në një çerdhe korrupsioni dhe monopoli, ku kontratat publike do të përfundojnë në xhepat e të njëjtëve individë që kanë fituar tenderë të dyshimtë në të kaluarën.

Nëse këto zhvillime nuk hetohen nga SPAK dhe institucionet e kontrollit, Shqipëria rrezikon të përsërisë historinë e dështuar të uzinave të armëve, por këtë herë me pasoja edhe më të rënda: kapjen e mbrojtjes kombëtare nga klientelizmi dhe korrupsioni.

Publik.al do të ndjekë me vëmendje këtë çështje, duke monitoruar çdo kontratë dhe transaksion që do të lidhet me TIMAK DEFENCE, M.K.D dhe GUNA TACTICAL. Publik Media

Guvernatorja Whitmer nënshkruan 3 projektligje që hyjnë në fuqi

0
Shkruan Steven Bohner
Guvernatorja Whitmer nënshkruan 3 projektligje që hyjnë në fuqi
LANSING, Mich. — Guvernatorja e Michiganit, Gretchen Whitmer, nënshkroi të premten tre projektligje në ligj, mes një prej seancave më të ngadalta legjislative në historinë e Michiganit.
Këto tre projektligje shënojnë vetëm legjislacionin e shtatë, të tetë dhe të nëntë të miratuar në ligj në vitin 2025, shumë larg dhjetëra, nëse jo qindra, ligjeve të reja të nënshkruara deri në këtë fillim të vitit.
Tre projektligjet synojnë të ulin kostot për bizneset e vogla dhe të nderojnë dy anëtarë të shërbimit që vdiqën në krye të detyrës.
Projektligji 4403 i Dhomës së Përfaqësuesve zgjeron një rregull pronësie alternative që gëzojnë prodhuesit e verës dhe prodhuesit e birrës, deri te distiluesit për prodhimin e pijeve alkoolike dhe pijeve alkoolike të përziera. Projektligji ndryshon Kodin e Kontrollit të Pijeve Alkoolike për të lejuar dy ose më shumë distilues të përdorin me radhë të njëjtën hapësirë dhe pajisje për të prodhuar pije alkoolike dhe pije alkoolike të përziera.
Ligji i ri synon të heqë burokracinë për bizneset e vogla që prodhojnë pije alkoolike dhe të zvogëlojë barrën e investimeve të shtrenjta kapitale.
Bizneset e vogla të Miçiganit duhet të jenë në gjendje të punojnë së bashku për të mbajtur kostot e ulëta dhe për të rritur bizneset e tyre”, tha Guvernatorja Whitmer. “Këto projektligje dypartiake do t’i ndihmojnë prodhuesit tanë të distilimit dhe pijeve alkoolike të përziera ta bëjnë pikërisht këtë duke ulur burokracinë e panevojshme. Kjo do të ulë kostot për këto biznese dhe do të nxisë ekonominë tonë duke e bërë më të lehtë për më shumë njerëz që të jetojnë në Miçigan. Do të vazhdoj të punoj me këdo për të ulur kostot dhe për të mbështetur banorët e Miçiganit në të gjithë shtetin.”
Projektligji u miratua me mbështetje dypartiake në të dyja dhomat, pa asnjë senator ose përfaqësues shtetëror që votoi kundër tij. Gjashtë përfaqësues shtetërorë nuk votuan për projektligjin dhe pesë senatorë shtetërorë u liruan nga votimi.
Projektligji u sponsorizua nga përfaqësuesja shtetërore Pauline Wendzel (R-Watervliet).
“Ky projektligj është një dëshmi e asaj që mund të arrijmë kur punojmë së bashku”, tha përfaqësuesi Wendzel. “Mbështetja unanime që mori në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat tregon se ndihma ndaj bizneseve tona të vogla dhe krijuesve të vendeve të punës në nivel lokal është një përparësi e përbashkët. Duke sqaruar ligjin rreth alternimit të pronësisë, ne nuk po mbështesim vetëm distiluesit; ne po nxisim inovacionin dhe po sigurojmë që industria e pijeve artizanale në Michigan të mund të vazhdojë të rritet dhe të lulëzojë.”
Projektligji 4003 i Dhomës së Përfaqësuesve nderon rreshterin Matthew Webber të Qarkut Mecosta, i cili vdiq nga plagët e marra pasi një eksploziv shpërtheu pranë automjetit të tij në Irak në vitin 2005.
Legjislacioni përcakton një pjesë të autostradës US-131 në Qarkun Mecosta si “Autostrada Memoriale e Rreshterit Matthew Webber”. Seksioni i autostradës përfshin pjesën midis kryqëzimit të autostradave US-131 dhe 11 Mile Road, dhe kryqëzimit të US-131 dhe Old State Road.
“Ndihem thellësisht i nderuar që luaj një rol të vogël në nderimin e rreshterit Matthew Webber dhe sakrificës përfundimtare që ai bëri në shërbim të vendit tonë”, tha përfaqësuesi shtetëror Tom Kunse (R-Clare), sponsori i projektligjit.
Projektligji u miratua me mbështetje dypartiake në të dyja dhomat, pa asnjë senator ose përfaqësues shtetëror që votoi kundër tij. Dy përfaqësues shtetërorë nuk votuan për projektligjin dhe katër senatorë shtetërorë u liruan nga votimi.
Projektligji 4046 i Dhomës së Përfaqësuesve nderon oficerin e Policisë së Shtetit të Miçiganit, James E. Boland, i cili u vra nga një shofer i dehur ndërsa ishte në detyrë.
Legjislacioni përcakton një pjesë të autostradës US-31 në Qarkun Grand Traverse si “Autostrada Memoriale e Trooper James E. Boland”. Seksioni i autostradës përfshin pjesën midis kryqëzimit të US-31 dhe Rrugës Three Mile, dhe kryqëzimit të US-31 dhe Rrugës Bunker Hill.
Projektligji u miratua me mbështetje dypartiake në të dyja dhomat, pa asnjë senator ose përfaqësues shtetëror që votoi kundër tij. Dy përfaqësues shtetërorë nuk votuan për projektligjin dhe katër senatorë shtetërorë u liruan nga votimi.

Toka e “Xanun” e Edi Ramës/ Vila pa leje në Ksamil, korrupsion i mbrojtur nga policia dhe IMT

0

Shkruan Arben Llangozi

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar me bujë programin e tij të quajtur “Toka e Xanun”, duke paralajmëruar masa të rrepta ndaj drejtuesve të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) që kanë lejuar ndërtime pa leje.
Por rasti që po ju paraqesim tregon se ky program mbetet vetëm retorikë, pasi realiteti në terren dëshmon një tjetër histori, ndërtime të paligjshme në bregdetin e Ksamilit, të mbrojtura dhe të favorizuara nga vetë strukturat shtetërore por edhe nga vet kryeministri.

Në zonën e njohur si Kep Merli, aty ku është ngritur edhe vila e shumëpërfolur pa leje që i atribuohet familjes së këngëtares Dua Lipa, janë ndërtuar disa vila të tjera pa leje. Ndertuesi i tyre është Agim Shëndiela, i cili akuzohet se ka zaptuar pasuri publike dhe e ka kthyer në biznes privat në shkelje flagrante të ligjit me tokën publike.

Video që po ju prezantojmë është realizuar në vitin 2023 dhe tregon objektin gjatë fazës së ndërtimit, i cili ka përfunduar në vitin 2024, pra akoma kishte kohë për ndërhyrje dhe ndëshkim të paligjshmërisë. Pra ne vitin 2023 dhe 2024 jane ndertuar vila te tera pa leje, policia dhe imt e kane bekuar.

Ndërkohë, në fotot e shfaqura me rreth të kuq duken qartë parcela të tjera ndërtimore ku aktualisht janë bërë gërrmime për ndërtim pa leje, duke treguar se shkeljet vazhdojnë edhe pas ndërtimeve të para.

Këto vila janë ngritur hapur dhe në sy të të gjithëve, në një zonë turistike me interes të lartë, por çuditërisht pa asnjë ndërhyrje të institucioneve që duhej të mbronin territorin. Në këtë kompleks pushon edhe vetë Edi Rama.
Përgjegjësit kryesorë të lejes faktike për këto ndërtime janë drejtues të njohur të institucioneve vendore. Nasip Hoxha, ish-drejtues i IMT-së, është përfshirë në disa afera korruptive të denoncuara ndër vite dhe konsiderohet si njeriu që ka mbyllur sytë për ndërtimet pa leje në Ksamil dhe ka lejuar ditën me diell ndërtimin.

Nga ana tjetër, Policia e Sarandës, në kohën kur shef komisariati ishte Geraldo Toska dhe shef krimesh Sentiliano Ndreu, jo vetëm që nuk ndërhyri për të ndalur ndërtimet, por dyshohet se ka qenë pjesë e marrëveshjes së korruptuar që i lejoi ato.

Burime lokale flasin për një pakt korruptiv mes ndërtuesit Shëndiela dhe drejtuesve të policisë, ku nëpërmjet ryshfeteve dhe ndikimit politik, ndërtimet pa leje u bënë realitet pa asnjë pengesë.

Megjithëse për këta tre emra, Nasip Hoxha, Geraldo Toska dhe Sentiliano Ndreu, është hapur procedim penal në Prokurorinë e Sarandës, dosjet e tyre kanë mbetur në sirtar. Denoncuesit thonë se kjo ndodhi për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë të partisë në pushtet, e cila ka mbrojtur funksionarët e vet dhe klientët e tyre të ndërtimit.

Kjo tregon edhe një herë se sistemi i drejtësisë nuk vepron mbi bazën e ligjit, por në bazë të lidhjeve politike dhe interesave ekonomike.

Edi Rama flet për “Toka e Xanun” dhe premton ndëshkime ndaj atyre që kanë lejuar ndërtimet pa leje. Por faktet në Ksamil e Sarandë tregojnë se ndërtime të paligjshme janë bërë me bekimin e administratës shtetërore, me mbrojtjen e policisë dhe me heshtjen e drejtësisë.

Nëse kryeministri kërkon vërtet të tregojë se nuk toleron shkatërrimin e bregdetit dhe zaptimin e pronës publike, ai duhet të nisë nga këto raste konkrete, vilat e Kep Merlit, ndërtimet e Agim Shëndielës dhe përgjegjësia penale e Nasip Hoxhës, Geraldo Toskës dhe Sentiliano Ndreut.

Pa hetim të këtyre aferave, çdo program i qeverisë mbetet thjesht propagandë, ndërsa realiteti i bregdetit shqiptar do të jetë gjithmonë një histori korrupsioni, zaptimesh dhe pasurimi të paligjshëm në kurriz të interesit publik.

Ndërtuesi Agim Shëndiela, i cili ka ngritur vila pa leje në Kep Merli duke zaptuar pasuri publike, nuk është hetuar asnjëherë nga organet e drejtësisë, pasi ka qenë i mbrojtur nga policia e Sarandës dhe drejtuesit e përfshirë në aferë, duke treguar se ligji vepron vetëm ndaj qytetarëve të thjeshtë, ndërsa klientela e pushtetit mbetet e paprekur.

Shpresojmë që strukturat e reja të IMT-së dhe policia aktuale të mos ndjekin gjurmët e korrupsionit të paraardhësve të tyre, por të veprojnë me integritet dhe të marrin masat e duhura ndaj ndërtimeve pa leje dhe zaptimit të pasurisë publike.

Me këtë veprim, Agim Shëndiela padyshim duhet të arrestohet, pasi ka kryer vepra të përsëritura dhe të rënda kundër mjedisit, duke zaptuar tokë publike dhe duke ndërtuar vila pa leje në zonë turistike.

Putinit i dridhen këmbët gjatë takimit me Trumpin, dyshime për shëndetin e tij (Video)

0

Një moment i pazakontë ka ndodhur gjatë takimit të Vladimir Putinit me Donald Trump në Alaska.

Këmba e presidentit rus u pa duke u dridhur në mënyrë të dyshimtë, teksa përshëndetej me Donald Trump.

Pamjet e Kremlinit kapën gjurin e udhëheqësit rus duke u dridhur vazhdimisht ndërsa ai qëndronte pranë homologut të tij amerikan në fund të bisedës së tyre të shkurtër pas një konference të përbashkët për shtyp në samitin në Alaska.

Dyshja, e shoqëruar nga ekipet e sigurisë dhe ndihmësit, foli për një kohë të shkurtër, me një përkthyes që ndërhyri për të ndihmuar bisedën e tyre.

Por lëvizjet e pazakonta u kapën nga ukrainasit, të cilët tallën lëvizjen e 72-vjeçarit dhe spekuluan për gjendjen e tij shëndetësore.

Ata madje pretenduan se ai mbante një “ekzoskelet të lehtë”, si dhe këpucë me platformë të trashë për të kapërcyer “kompleksin e Napoleonit” dhe për të minimizuar ndryshimin e gjatësisë me presidentin amerikan.

Një ekzoskelet është një pajisje robotike e projektuar për të ndihmuar ose përmirësuar qëndrimin e personit që e vesh atë.

Vëzhguesit vunë re gjithashtu ndryshimin e habitshëm në shtat, me trupin e Trumpit 1.88 m të gjatë që ngrihej mbi udhëheqësin rus 1.78 m të gjatë, pavarësisht këpucëve të ngritura dukshëm të Putinit.

POSTIMET E FUNDIT