Kreu Blog Faqe 125

Ti dhe 3 peshqit

0

Shkruan Jani Malo

Përpara teje janë tre peshq. Njëri në akuarium, i gjallë. Tjetri në pjatë, i pjekur. I treti në imagjinatën tënde. Dy të parët realë. I treti jo.
Realët duket se bisedojnë. I treti hesht.
Peshku i kuq trupvogël tregon akuariumin, ku jetohet me nostalgjinë e lirisë së harruar. Ai i pjatës rrëfen thellësitë, ku vetëm harresa noton në liri.
Ndjek dialogët. Teksa sheh dy gardianë të frikshëm – thika dhe piruni – të ruajnë peshkun e pjatës, të frikësuar se mos u arratiset edhe i pjekur, je gati ta quash të zgjuar zgjedhjen që e mban gjithmonë të ngopur pendëkuqin e akuariumit. Ky duhet të ketë vërtet tru, mendon dhe e krahason me Xhorxhin, peshkun australian, që e operuan në tru për ta shpëtuar nga një tumor.
Pastaj në trurin tënd zë e merr formë peshku i tretë. Ai i imagjinatës. E përfytyron në errësirën e oqeanit, teksa kafshon broçkulla plastike, ardhur nga një botë që s’di më të hajë. As të mendojë. Përlan ç’i del përpara: Një pankartë “Save the Ocean”, një top të çarë plazhi, një libër të lagur motivues për larva që duan të bëhen peshkaqenë, broshura që flasin për dashuri dhe shpresë. Gëlltit filozofinë e botës njerëzore, të kondensuar në mbetje, pa ditur se ajo, si plastika, nuk tretet kollaj. Mbijeton.
Diku ndesh një kanoçe Red Bull. Truri i tij kafshon karremin e marketingut pashije. E përpin me idenë se shpëtimi vjen me krahë plastikë. Pushtohet nga halucinacione kozmike. Kanoçja bëhet raketë me krahë alumini të ricikluar dhe ai astronauti i parë pa skafandër. I dalin krahë. Me ëndrrën lunare fluturon drejt Hënës, ku plastika akoma nuk ka arritur.
Kupton se pendëkuqi në akuariumi nuk e kënaq më egon tënde dhe peshku në pjatës të duket me 333 hala që nuk nxirren as me pincë. Të pëlqen të besosh se imagjinata e njeriut është vendi më i pastër që ka mbetur, por sepse të dhimbset peshku i tretë, të ngjason me njeriun që u beson reklamave.
Nga libri në proces “33×333 dhe ushtrime të tjera për idiotë”.

Donald Trump dakord; 3 qytetet më të pasura të Ukrainës që Putin kërkon në këmbim të paqes (Harta)

0

Donald Trump ka mbështetur kërkesën e Vladimir Putinit që Ukraina t’ia dorëzojë rajonin e saj më të vlefshëm Rusisë në mënyrë që t’i japë fund luftës.

Udhëheqësi rus dëshiron kontroll të plotë të Donetskut, rajonit lindor të pasur me minerale, duke përfshirë pjesë që aktualisht mbahen nga Ukraina brenda rajonit më të gjerë të Donbasit.

Në këmbim, Putin tha se do të ngrinte vijën e frontit dhe premtoi të mos merrte më territor.

Putin i përcolli kërkesat e tij në një takim të nivelit të lartë në Alaska me zotin Trump, i cili do të takohet me Volodymyr Zelenskyn nesër  në Uashington për të diskutuar ofertën.

Trump do t’i thotë Zelenskyt se heqja dorë nga toka është pjesë e çmimit për paqen dhe mënyra më e shpejtë për t’i dhënë fund luftës.

Trump ra dakort; cilat janë tre qytetet më të pasura të

Putini ka kërkuar kontroll të plotë të Donbasit

Një burim me njohuri mbi çështjen tha se Putini “de facto kërkon që Ukraina të largohet nga Donbasi”, i cili përbëhet nga rajonet e Donetskut dhe Luhanskut në Ukrainën lindore. “Trump është i prirur ta mbështesë këtë”, tha burimi për The Telegraph.

Në këmbim, presidenti i Shteteve të Bashkuara i ka ofruar garanci sigurie Ukrainës nëse sigurohet një marrëveshje paqeje. Ashtu si me klauzolën e mbrojtjes së ndërsjellë të Nenit 5 të NATO-s, garanci të tilla do të thoshin se aleatët evropianë të SHBA-së dhe Ukrainës do të ishin të detyruar të reagonin ndaj një sulmi të ardhshëm rus.

Ndërsa mbrojtjet e propozuara nuk e bëjnë Ukrainën anëtare të NATO-s, kjo shënon herën e parë që zoti Trump ka lënë të kuptohet se do të bashkohet me Koalicionin e të Gatishmëve, të udhëhequr nga Britania, Franca dhe Gjermania.

Ndërsa Rusia mban shumicën e Donetskut, Ukraina është ende nën kontroll të pjesëve të mëdha të rajonit, i cili përbën vijën e saj kryesore të mbrojtjes në lindje.

Kiev ngriti mbrojtjet e saj kryesore, të njohura si “brezi i fortesës”, rreth katër qyteteve pranë kufijve të rajonit në vitin 2014.

Dorëzimi i Donetskut pa luftë do t’i jepte Rusisë një pikënisje për sulme të ardhshme në rajonet e Zaporizhzhisë dhe Dnipropetrovskut në drejtim të Kievit.

Në këmbim të cedimit të këtij territori, Putin i tha zotit Trump se do të ishte i gatshëm t’i ofronte lëshimet e tij territoriale Kievit, por nuk dha hollësi.

Moska më parë pretendoi se aneksoi rajonet jugore, së bashku me dy rajonet që përbëjnë Donbasin, pavarësisht se i pushtoi vetëm pjesërisht.

Nuk ka gjasa të dëshirojë të heqë dorë nga kontrolli i saj mbi territoret jugore sepse, së bashku me Donetskun dhe Luhanskun, ato i ofrojnë Rusisë një urë tokësore për në Krime, gadishullin që Putini e aneksoi ilegalisht në vitin 2014.

Një burim republikan pranë zotit Trump i tha The Telegraph: “Presidenti dëshiron të ndalojë vrasjet dhe t’i japë fund luftës. Ky është qëllimi. Negociatat për territorin janë pjesë e këtij procesi. Topi është në fushën e Zelenskyt.”

Keir Starmer dhe udhëheqës të tjerë të koalicionit do të takohen të dielën përpara samitit të Uashingtonit.

Kuptohet se udhëheqësit evropianë janë të shqetësuar se zoti Zelensky do të refuzojë çdo ofertë që përfshin lëshimin e tokës dhe do të provokojë një reagim të zemëruar nga zoti Trump, me të cilin u përplas në Zyrën Ovale më parë këtë vit.

Mbetet e mundshme që Ukraina do t’i refuzojë kushtet e Putinit. Zelensky e ka bërë të qartë se nuk është i gatshëm të diskutojë për heqjen dorë nga territori ukrainas, dhe qeveritë evropiane kanë thënë se çdo vendim në lidhje me shkëmbimet e tokës duhet të merret vetëm nga Kievi.

Sipas mediave të huaja, Putin i ka kërkuar të gjitha zonat e Donbasit, përfshirë territoret që ushtria uuse nuk i ka pushtuar ende. Trump e mbështet planin, “sepse Rusia është një fuqi e madhe, Ukraina jo”.

Shqetësuese, shqetësimet e atyre që shqetësohen nga ChatGPT?

0

Shkruan Albert Vataj

Gajle hiç s’po kam, pse dikush çohet nadje me alarmin se hajnat kanë hy në kopshtin e tij natën dhe ka kërdis të mbjellat. Krejt njashtu, trazimtarë e të shqetësuar, pas netëve gjumëkeq e ëndrrave të makthshme, do mëndje të ndritura po përpiqen ta trajtojnë ardhjen në përditshmërinë e një bashkëjetese me prurjet e begatshme të inteligjencës artificiale.
Çdo ditë e më intensivisht, përdoruesit e mjeteve inteligjente të komunikimit, po e përdorin ChatGPT, për t’u informuar, për të komunikuar, për të gjetur një komfort më të dëshirueshëm në marrëdhënie me miqtë.
Në këtë stinë të begatë të teknologjisë dhe pasurimit të veprimtarisë sonë, nuk kanë munguar ata që shohin si një kërcënim ardhjen e ChatGPT, Copilot, DeepSeek, etj, platforma inteligjente që nuk kanë për qëllim të eklipsojnë diellin e kurrkujt, e për më pak të shtyjnë drejt abdikimit nga froni i ligjërimit, ata që ia lejojnë vetes të janë zotër të fjalës së shkruar, mendimit të stolisur dhe informimit.
ChatGPT, jo vetëm po i mëson njerëzit se si të kthejnë një mesazh, apo të bëjnë një koment, të shqipërojnë një material apo të zgjidhin një rebus, kjo platformë, pse të shqetësohemi se vjen t’u ofrojë njerëzve të jenë më të zgjuar, më të pashqetësuar kur duan të shpërfaqen dinjitetshëm në një komunikim online, pavarësisht mangësi në formim.
Pse, si mendoni ju zotërinjë që shqetësoheni nga ChatGPT? Të mos lejojmë që ata që duan të jenë ndryshe, të munden. Që ata, që duan të çlirohet nga kompleksi i inferioritetit, te besojnë se kjo është një mënyrë që duhet shfrytëzuar, pavarësisht se dikush do që ata të jenë ende të ngujuar në burgun e të pamundurave, dëshirimeve për shpërfaqje dhe ledhatimeve të sedrës.
Zonja dhe zotërinjë, ju që sëmbimet e aparatit tretës, mëlçisë, shpretkës, hipertensionit, dhe çrregullimeve glukozike, kush ju ka akredituar të drejtën ju të mbroni këto “përfitues” nga dembelizmi i trurit, nga mpirja e shqisave të perceptimit përjetues, nga aftësia për të gjykuar, zhdërvjedhtësia ligjëruese për t’u shpërfaqur, dhe nga e drejta për t’ia lejuar vetes të jetë si të tjerët, jo një qenie inferiore e ndëshkuar nga fati dhe i nëpërkëmbur nga pamundësia për të guxuar më shumë, se sa thjeshtë të jetë përdorues i ritualit mizor të rutinës.
Jo, ju zonja dhe zotërinj me çekanët e kritizerit në duar, që ju duhet me sezbën të gjeni gozhdë për të ngulur, ndoshta e vetmja gjë që ju mbetet janë ndjekësit, jo kauza që duhet të keni, që bota së cilës ju i përkisni, të jetë me sa më pak njerëz që vuajnë, qoftë edhe të shkruajnë një urim për ditëlinjde, të sajojnë një koment për një që e adhurojnë.
Fatbardhësi është ardhja e gjithçkaje, përfshi edhe ChatGPT, që vjen ta pasurojë dhe të ndikojë në përmirësimin cilësorë të jetës dhe marrëdhënies së gjithkujt, ndoshta pa dakordësimin tuaj unanim.
Për juve që ju duhet të jetoni gjithnjë të shqetësuar, të rrethuar nga muret e trasha të papërshkueshmërisë së të mirës, ChatGPT mund të ketë ardhur si një mallkim, t’u cenojë mbretërimet apo t’u zbresë nga froni i kapardisjes. Vegjetoni në oazet tuaja të gjithçkadakordësisë, duke shijuar ato përfitime e privilegje.
Ju të podiumeve, projekte, televizioneve, ju që keni gjithnjë një përgjigje për gjithçka, ishit, jeni dhe do të mbete, pa edhe me ChatGPT, siç u lind e drejta të kenë legjitimitetin e privilegjit të asaj që nuk mund të jenë edhe pse duan, ata të cilëve më në fund u buzëqesh fati.
Mua nuk më mësoi ChatGPT se si të mendoj dhe të shkruaj, se si të përjetoj dhe të përcjell një tablo apo rrëzimin e gjethes së fundit të një peme në fjeshtë, se si shpirtjen time për një zelltar të përkushtuar ta nxjerr nga shkëmbi i ftohtë i mosmirënjohjes për ta ngjitur atje lart, ku atë më parë e ka hyjnuar shërbesa, se si familjes sime dhe vetëm asaj i mbetet të paguaj varësinë time nga leximi dhe shkrimtaria, se si t’i dua njerëzit si veten, se pse çdo gjë e bukur dhe kureshtje, të jetë edhe e tyre jo vetëm e imja.
ChatGPT-n e dua se më ndihmon për të mbërritur kohën e humbur në përmbushjen e qëllimeve të mia, sot në një vërshim të uturishëm të kohës dhe gjithçkandodhjes.

Sali Berisha dhe dhëndri Jamarbër paguhen nga bosi i bordellove në Gjermani Gani Dreshaj

0

Sali Berisha, i shoqëruar nga dhëndri i tij, kanë vizituar Istogun të ftuar nga një biznesmen që drejton shtëpi publike në Hamburg, Gani Dreshaj.
Ai, së bashku me anëtarë të familjes, janë pronarë të “Dollhouse”, një shtëpi seksi në Hamburg të Gjermanisë që vizitohet shpesh edhe nga politikanë të Kosovës. Shikoni faqen e ektij biznesi ne internet: (https://www.dollhouse.de/impressum.html).

Kjo nuk është një punë ilegale, por një punë shumë fitimprurëse dhe legale në Gjermani. Nuk kemi ndonjë rezervë pse ai është një lloj biznesmeni seksi në Gjermani.

E panjohura është se çfarë e lidh Sali Berishën dhe dhëndrin e tij me një biznesmen që ka shtëpi publike në Hamburg?

Të thuash që dhëndri i Berishës është qejfli bordellosh, është teprim, edhe pse nuk është ndonjë mëkat i madh. Por përkushtimi i tij ndaj gruas shihet te përkushtimi që ka ndaj vjehrrit dhe kuptohet që as i shkon në mendje.

Berisha, po ashtu, të vetmin aset “moral” që ka kur sulmon kundërshtarët kryesisht për çështje seksuale dhe “çështje nderi”, siç i quan ai, është pretendimi se s’ka tradhtuar kurrë gruan.

Tani, të dy këta burra, që s’i tradhtojnë kurrë gratë, kanë marrë rrugën nga Tirana, duke kërkuar leje edhe në gjykata e prokurori, për të shkuar në Kosovë pasi një biznesmen seksi mbush 60 vjeç. Duke e parë nga jashtë, duket pak si tepër. Fakti që ky biznesmen tani është afër Ramush Haradinajt nuk është ndonjë arsye e fortë, pasi Berisha është më afër me Albin Kurtin sesa me LDK-në apo Ramush Haradinajn.

Arsyeja është më e thellë.
Gani Dreshaj është sponsori i Sali Berishës. Është sponsor i aktiviteteve të tij politike, por edhe i sponsorizimeve të artikujve kundër Shqipërisë në shtypin gjerman.

Peter Tiede, korespondent i gazetës së njohur gjermane “Bild”, është shfaqur në Tiranë nga 17 deri më 21 shkurt, për të ndjekur protestën e opozitës dhe ka qenë gjatë gjithë kohës nën shoqërinë e Gani Dreshajt dhe një familjari të Sali Berishës, Shkëlqim Berisha.
Dhoma ku qëndroi gazetari (dhoma nr. 1904) rezultonte e rezervuar nga Gani Dreshaj, hyrja e të cilit në Tiranë nuk provohet nga sistemi TIMS, çka do të thotë se ka hyrë nga Kosova pa u deklaruar.

Foto. Në foto Gani Dreshaj, Peter Tiede dhe Shkelqim Berisha, familjar I Sali Berishës.

Kjo shpjegon pse këta dy burra kaq të “ndershëm”, që kurrë nuk kanë shkuar tek bordelloja e Dreshajt në Hamburg për punë seksi, kanë trokitur në shtëpinë e tij për lekë të fituara nga bordellot, dhe me ato lekë kanë sponsorizuar gazetarë dhe artikuj të pistë për Shqipërinë. Më tej, kur dihet që dhëndri i Berishës ka blerë edhe një apartament shumë të shtrenjtë për vajzën në Hamburg, sipas dosjes së SPAK, kuptohet që lidhja e tyre është edhe më e fortë — vetëm se është e pahetuar.

Sidoqoftë, fakti që të dy, vjehrri dhe dhëndri, udhëtojnë deri në Istog për të festuar ditëlindjen e tij, flet për detyrime të mëdha.

Dhe për ta mbuluar qëllimin e udhëtimit dhe për t’u dukur burra me nam, e shpallën sot si udhëtim turistik. Nuk ishte turistik. Ishte taksa që i kanë paguar dy burra “të ndershëm” një biznesmeni të shtëpive të seksit në Hamburg, për të cilin mund të dëgjoni edhe plot histori të tjera.

Më vjen mirë që Jamarbëri, edhe pse ka ndërtuar xhami, nuk i quan haram këto para të bordellove.

https://www.botasot.info/lajme/790745/ky-eshte-klubi-i-striptizit-i-gani-dreshajt-ne-hamburg-ku-argetohen-edhe-politikanet-e-kosoves.

Një fshat i vogël me shpirt të madh

0

Shkruan Zef Ndreka

– Gurët dhe valët e liqenit flasin për një të kaluar të lashtë dhe bukuri të përjetshme!

Fshati Lin në Pogradec është një nga thesaret më të lashta e më të bukura të Shqipërisë. Vendosur mbi një gadishull të vogël në liqenin e Ohrit, ai është një ndër banimet më të hershme të trevave tona, me gjurmë që shkojnë deri në periudhën ilire dhe romake.


Në kodrën mbi fshat ndodhen rrënojat e bazilikës paleokristiane të shek. VI, e cila ruan ende mozaikë të mrekullueshëm me motive biblike e gjeometrike, një pasuri kjo unike e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Bukuria e Lin-it është e shumëfishtë:


Natyra e qetë, gjelbërimi që zbret deri në ujë, liqeni i kaltër që rrethon fshatin nga tri anët, rrugicat me kalldrëm dhe shtëpitë me çati të kuqe që i japin pamjes një hijeshi të veçantë. Nga maja e kodrës ku ndodhen rrënojat e bazilikës, hapet një panoramë e mahnitshme mbi gjithë liqenin e Ohrit, që të bën të ndjesh përjetësinë e këtij vendi.
Lin-i është një ndër ato fshatra ku historia, besimi dhe natyra bashkohen në një harmoni të rrallë, në një fshat të vogël por me shpirt të madh, ku çdo gur dhe çdo valë e liqenit flet për një të kaluar të lashtë dhe për një bukuri që mbetet e përjetshme.

Progres, por jo marrëveshje: Çfarë ndodhi në takimin mes Trump dhe Putin?

0

Me avionë luftarakë, një qilim të kuq dhe një slogan shpresëdhënës – “Në kërkim të Paqes” – të ngjitur në mur, Presidenti Donald Trump mirëpriti homologun e tij rus Vladimir Putin në një samit në Alaska të premten, rezultatet e të cilit mbetën krejtësisht të paqarta pasi përfundoi papritur.

Pas një takimi gati tre orësh, të dy dolën për të shpallur përparimin. Por ata dolën nga konferenca e tyre e planifikuar për shtyp pa shpjeguar se çfarë saktësisht kishin arritur.

Një gjë ishte e qartë: Nuk u arrit asnjë marrëveshje. Dhe armëpushimi që Trump tha se donte të zbatohej kur të mbaronte samiti ishte larg të bëhej realitet, pasi ai gjithnjë e më shumë ia vuri barrën Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për të “arritur një marrëveshje”.

“Kishte shumë, shumë pika për të cilat ramë dakord – shumicën e tyre, do të thoja”, tha Trump në konferencën për shtyp, duke folur pas Putinit. “Disa pika të rëndësishme që nuk i kemi zgjidhur ende, por kemi bërë disa përparime.”

“Nuk ka marrëveshje derisa të ketë një të tillë”, deklaroi Trump. Ai dhe Putini u larguan nga skena pa iu përgjigjur pyetjeve.

Ishte një fund i papërfunduar i një samiti të dukshëm që – pavarësisht të gjitha të panjohurave të tij – dukej se e mirëpriti vendosmërisht Putinin përsëri në radhët diplomatike.

Megjithatë, pavarësisht gjithë pompozitetit dhe protokollit, indikacionet se sa e vështirë do të jetë detyra e Trump ishin të dukshme që nga momenti që filloi takimi.

Pikërisht ndërsa presidentët po përshëndeteshin me njëri-tjetrin në pistën e Bazës Ajrore Elmendorf, në Ukrainë u dhanë alarme për dronë dhe avionë luftarakë rusë që po vinin – një shenjë e qëllimit të Putinit për të vazhduar luftën e tij, edhe pse Trump po e zbukuronte me shenja respekti në tokën amerikane.

Progres, por jo marrëveshje

Si Trump ashtu edhe Putin ofruan një përshkrim të paqartë të një takimi që zgjati me orë të tëra.

“Patëm një takim jashtëzakonisht produktiv dhe u ra dakord për shumë pika”, u tha Trump gazetarëve. “Kanë mbetur vetëm disa. Disa nuk janë aq të rëndësishme. Njëra është ndoshta më e rëndësishmja, por kemi një shans shumë të mirë për të arritur atje. Nuk arritëm atje, por kemi një shans shumë të mirë për të arritur atje.”

Në një intervistë menjëherë pas samitit, Trump u pyet nga Sean Hannity i Fox News rreth lëshimeve territoriale që do t’i jepnin Rusisë tokë që nuk e kishte më parë dhe rreth garancive të mundshme të sigurisë nga SHBA-ja për Ukrainën.

“Epo, mendoj se këto janë pika që i kemi negociuar dhe këto janë pika për të cilat kemi rënë dakord kryesisht”, tha Trump pa dhënë hollësi.

Ai theksoi se Ukraina “duhet të bjerë dakord me këtë”. I pyetur se cila ishte këshilla e tij për Zelenskyn, Trump u përgjigj: “Duhet të bëhet një marrëveshje”.

Në prag të bisedimeve, ishte gjithmonë më e qartë se si do të dukej një rezultat i pasuksesshëm sesa një i suksesshëm. Trump ishte zotuar të “largohej” nëse nuk i pëlqente ajo që po thoshte Putini, kërcënoi se do ta ulte rangun e konferencës së përbashkët për shtyp në një paraqitje solo dhe tha se pasojat “e rënda” do të vinin për Moskën nëse lufta nuk do të mbaronte.

Por, ndërsa fluturonte për në Anchorage, Trump tha se nuk e dinte se si do të dukej suksesi – duke sugjeruar se do ta njihte atë kur ta shihte. Rezulton se suksesi ishte po aq i vështirë për t’u identifikuar pas samitit sa ishte kur ai filloi.

Trump thotë se do të jetë i pranishëm në takimin e mundshëm Putin-Zelensky

Në intervistën e tij për Fox, Trump tha se si Putini ashtu edhe Zelensky e duan atë në një takim të dytë të mundshëm — të cilin ai e kishte thënë para samitit se do të ishte objektivi i tij përfundimtar. “Të dy më duan atje, dhe unë do të jem atje”, i tha ai Hannity-t.

Trump nuk tha asgjë në lidhje me perspektivën e një takimi trepalësh në konferencën për shtyp, duke lënë të kuptohet vetëm se do të telefononte me “njerëzit e ndryshëm që mendoj se janë të përshtatshëm” – përfshirë Zelenskyn – për t’i përditësuar ata mbi bisedimet.

Por i vetmi takim i ardhshëm i përmendur gjatë paraqitjes së përbashkët të Trump dhe Putin ishte një vazhdim i mundshëm i tij me udhëheqësin rus. “Do të flasim me ju shumë shpejt dhe ndoshta do të shihemi përsëri shumë shpejt”, tha Trump.

“Herën tjetër në Moskë”, u përgjigj Putini në anglisht — një sugjerim që duket se e përjashton Zelenskyn nga diskutimi.

Putini rikthehet nga i ftohti

Menjëherë pas mbërritjes së tij në SHBA, buzëqeshja e Putinit, ndërsa shikonte nga dritarja e limuzinës së Trumpit, thoshte gjithçka: pas vitesh izolimi perëndimor, ai ishte kthyer në kombin më të fuqishëm në tokë.

Kishin kaluar 10 vjet që kur Putini ishte për herë të fundit në Amerikë dhe disa të tjerë që kur u mirëprit në vend për një samit të madh presidencial. Pasi pushtoi Ukrainën në vitin 2022, udhëheqësi rus u bë i përjashtuar nga shumë udhëheqës, i padëshiruar në shumicën e vendeve perëndimore dhe madje u kërcënua me një urdhër arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale. (Alaska ishte një vend i dëshirueshëm për samitin, pjesërisht, sepse SHBA-të nuk janë anëtare të GJPN-së.)

Izolimi i Putinit mori fund kur avioni i tij u ul në Anchorage. Me një pritje të shtruar me qilim të kuq, një fluturim mbi tokë të avionëve luftarakë dhe një duartrokitje nga vetë presidenti i SHBA-së, mesazhi nga Trump ishte i qartë: Putini ishte kthyer nga i ftohti. Përshëndetja e tyre me buzëqeshje u përshëndet në televizionin shtetëror rus si një “shtrëngim duarsh historik”.

Edhe pse Putini ende nuk është i mirëpritur në shumë vende në Evropë, vendimi për ta pritur atë nga Trump – i cili mbikëqyr ekonominë më të madhe në botë dhe ushtrinë e saj më të fuqishme – i dëmton më shumë përpjekjet për shmangie diplomatike sesa çdo udhëheqës tjetër.

Kjo u bë më e qartë kur Putin hipi në automjetin e blinduar të Trump, një gjest i pazakontë që dukej se kapte në një çast rikthimin e udhëheqësit rus në diplomacinë globale. Edhe pa ndonjë përparim të madh, për të kjo ishte një fitore.

Ndihmësit iu shtuan asaj që ishte cilësuar si një takim kokë më kokë

Surpriza erdhi pikërisht kur Trump po zbriste: Ai nuk do të takohej më me Putinin kokë më kokë, vetëm me praninë e përkthyesve të tyre. Në vend të kësaj, dy ndihmës do t’i bashkoheshin secilit udhëheqës në bisedimet e tyre dypalëshe.

Kjo ishte ndryshe nga më herët gjatë javës, kur Shtëpia e Bardhë tha se samiti do të përfshinte një komponent kokë më kokë. Një zyrtar amerikan tha se ishte një ndryshim i vonë, por nuk ofroi asnjë shpjegim pse formati ndryshoi.

Takimet kokë më kokë të Trump me Putinin gjatë mandatit të tij të parë u mbuluan nga një shkallë misteri. Me vetëm një përkthyes brenda dhomës, shpesh nuk ishte e qartë se çfarë diskutohej saktësisht. Ndihmësit ndonjëherë e kishin të vështirë të përcaktonin nëse të dy burrat kishin arritur ndonjë marrëveshje. Pas një takimi të tillë, në Gjermani, Trump i kërkoi përkthyesit të tij të hidhte shënimet e tij.

Shtimi i dy ndihmësve në seancën e së premtes — Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari special i SHBA-së Steve Witkoff — mund të lejojë një qartësi më të madhe në ditët në vijim, veçanërisht nëse Rusia ofron një shpjegim të ngjarjeve që ndryshon nga perspektiva e SHBA-së.

Megjithatë, pati një moment që vetëm Trump dhe Putin do të jenë në gjendje ta rrëfejnë: udhëtimin e tyre të shkurtër me limuzinën presidenciale nga pista e pistës deri në dhomën ku u zhvillua takimi. Askush tjetër nuk ishte në makinë me ta përveç agjentëve të Shërbimit Sekret – asnjë këshilltar apo përkthyes.

Një sinjal i ri i pozicionimit global

0

Shkruan Zef Ndreka

Takimi Tramp-Putin, pavarësisht pamjes së thjeshtë, përmban shumë mesazhe politike dhe gjeostrategjike. Për të hyrë direkt në çështjet themelore, analizojmë si më poshtë:
* Kush del i fituar dhe kush i mundur nga ky takim?
Putini shfaqet i fituar në planin diplomatik, sepse një takim me një president amerikan i jep legjitimitet ndërkombëtar dhe i forcon pozitat e tij brenda dhe jashtë Rusisë.
Trumpi gjithashtu fiton në perceptim, sepse shfaqet si “negociatori i madh për paqen”, një imazh që i shërben politikisht në SHBA.
Por në thelb, përmbajtja e bisedimeve dhe marrëveshjet konkrete do të jenë ato që do të përcaktojnë kush fiton realisht.
Në këtë fazë, Putini ka më shumë për të fituar sepse është ai që është nën sanksione dhe izolim ndërkombëtar.
Vetë prania në këtë tryezë është një fitore për të.
* Europa, dobësim apo forcim nga ky takim dhe nga një marrëveshje e mundshme?
Europa del e dobësuar nëse ky proces zhvillohet jashtë saj, mes SHBA-së dhe Rusisë, duke u anashkaluar Brukseli, Berlini dhe Parisi.
Një Europë e përçarë është më e lehtë për t’u manipuluar nga fuqitë e mëdha.
Vetëm një Europë e bashkuar pa kufinj, me politikë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, mund të ruajë rolin e saj si faktor botëror.
* A ruhet paqja pa një Europë të fortë?
Paqja globale është e brishtë nëse Europa mbetet e dobët. SHBA-ja dhe Rusia mund të arrijnë marrëveshje të përkohshme, por stabiliteti afatgjatë varet nga një Europë e fuqishme, që balancon interesat dhe ofron një model alternativ të zhvillimit demokratik.
Historia na ka treguar se kur Europa ka qënë e përçarë, pasojat kanë qenë të rënda për paqen botërore.
* Sjellja e Kinës, Indisë dhe vendeve të tjera të mëdha
Kina pondjekë me kujdes këtë afrimitet të supërfuqive.
Nëse Rusia afrohet shumë me SHBA-në, Pekini mund të ndiejë rrezikun e izolimit dhe të përpiqet të forcojë më tej ndikimin e vet në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine.
Ndërsa India ka interes të luajë rolin e balancuesit mes fuqive.
Nëse SHBA-Rusi afrohen, India mund të përfitojë ekonomikisht dhe diplomatikisht, por gjithmonë do të ruajë një vijë të pavarur për të mos u lidhur vetëm me një kamp.
Vendet e tjera të BRICS (Brazili, Afrika e Jugut, etj.) do të përpiqen ta përdorin këtë rivalitet për të marrë më shumë hapësirë në arenën ndërkombëtare.
Siç u pa, ky takim është më shumë një sinjal i ri pozicionimi global sesa një marrëveshje e plotë. Fituesi më i madh në afat të shkurtër është Putini, por nëse Europa nuk arrin të forcohet dhe të veprojë si një bllok i vetëm, ajo rrezikon të mbetet spektatore në lojën e fuqive të mëdha.
* Cilët janë parashikimet apo skenarët e mundshëm që vijnë si pasojë pas takimit
Trump–Putin, duke marrë parasysh edhe rolin e Europës, Kinës, Indisë dhe fuqive të tjera?!
1. Marrëveshje e kufizuar dhe stabilizim i përkohshëm
Çfarë ndodh?
Trump dhe Putin bien dakord për hapa të kufizuar (p.sh. armëpushime të pjesshme, ulje tensioni në Ukrainë, marrëveshje për armët bërthamore).
Kush fiton?
Putini del i fituar pasi i thyhet izolimi, Trump prezantohet si njeriu i paqes.
Po Europa?
Europa mbetet spektatore, ndoshta e përçarë, por përfiton nga ulja e tensioneve ushtarake.
Po Kina dhe India?
Kina bëhet më dyshuese ndaj Rusisë, ndërsa India përfiton duke u pozicionuar si partner i barabartë me të dy kampet.
Me këtë skenarë, i përhershëm mbetët rreziku: Marrëveshja mbetet e përkohshme, pa adresuar shkaqet reale të konfliktit.
2- Aleancë më e fortë SHBA–Rusi dhe anashkalim i Europës
Çfarë ndodh?
Trump afrohet me Putinin duke parë Rusinë si aleat kundër Kinës. Kështu fillon një proces afrimi strategjik mes Washingtonit dhe Moskës.
Kush fiton?
Rusia fiton shumë sepse i hiqen sanksionet dhe merr rol global. Trump përfiton politikisht në SHBA.
Po Europa?
Europa është humbësja më e madhe dhe del nga ekuacioni i madh, dobësohet ekonomikisht e politikisht, bëhet gjithnjë e më e varur nga SHBA.
Po Kina?
Kina humbet, sepse Rusia largohet nga orbita e saj. Pekini shton agresivitetin në Azi dhe rrit presionin mbi Tajvanin.
Po India?
India përfiton maksimalisht dhe bëhet ura mes SHBA dhe Rusisë, duke fituar peshë globale.
Me këtë skenar shtohet rreziku.
Krijohet një botë me dy blloqe të forta: SHBA–Rusi nga njëra anë, dhe Kina nga ana tjetër.
3. Marrëveshje dështuar dhe rritje e tensioneve
Çfarë ndodh?
Takimi shihet si “fotografi politike” pa përmbajtje reale. Marrëveshjet nuk zbatohen dhe tensionet rriten.
Kush futon?
Askush nuk fiton realisht, por Putini sërish del me një fitore simbolike që u takua në nivel të lartë.
Po Europa?
Europa kupton rrezikun dhe forcon unitetin e brendshëm (sidomos Gjermania, Franca, Polonia dhe shtetet e Baltikut).
Po Kina?
Kina përfiton sepse Rusia detyrohet t’i qëndrojë më afër Pekinit.
Po India?
India vazhdon politikën e balancës, duke fituar hapësirë në tregjet globale.
Cili është rreziku nga ky skenar?
Vetëm sa rriten garat ushtarake, paqja globale bëhet më e brishtë, dhe Europa vihet nën presion të dyfishtë.
Pra, gjithçka varet nga vullneti i SHBA-së dhe i Rusisë për të hyrë në marrëveshje të thella apo vetëm simbolike, si dhe nga aftësia e Europës për të mos mbetur prapa.

Takimi Putin-Trump, Air Force One ulet në Alaskë

0

Donald Trump sapo ka zbarkuar në bazën ushtarake Elmendorf-Richardson në Alaska me aeroplanin Air Force One.

Presidenti amerikan ka mbërritur në bazën ushtarake përpara Vladimir Putinit.

Siç raportuam më parë, ai nuk ishte i qartë se çfarë do ta konsideronte sukses në takimin e tij me Putinin. Por ai tha se dëshiron një armëpushim “sot”.

POSTIMET E FUNDIT