Kreu Blog Faqe 137

Pas humbjes së zgjedhjeve Berishën e pret burgu

0

Analisti Frrok Çupi, i ftuar në “Tirana Live” në ABC News, ka krahasuar situatën e dy figurave të njohura të politikës shqiptare: Erion Veliaj dhe Sali Berisha.

Ai theksoi kontrastin mes qëndrimit të secilit ndaj drejtësisë, duke nënvizuar se ndërsa Veliaj përballet me hetime pa reaguar publikisht, Berisha sipas tij sulmon vazhdimisht institucionet si SPAK dhe drejtësinë në tërësi.

Çupi paralajmëron se pas humbjes së zgjedhjeve, Berisha mund të përballet me pasoja të rënda ligjore, për shkak të një sërë dosjesh të hapura ndaj tij.

“Kemi dy personalitet politike ballë-përballë, Erion Veliaj dhe Sali Berisha. Veliaj u thirr para disa muajsh, kurse Berisha vjet. Ndërkohë që Veliaj është i burgosur, Berisha është i lirë. Veliajt nuk i është mbyllur hetimi. Veliaj nuk ka bërë asnjë revoltë kundër drejtësisë, kurse Berisha bën grushte të fuqishme kundër SPAK dhe drejtësisë. Berisha në kundërshtim me ligjin i ka bërë të gjitha. Jemi në kohën kur krimin i madh po bëhet prezumor në çështje të tjera. Duket sikur Veliaj dhe çdo njeri tjetër i mazhorancës është si kukull në dorë në Berishës. Pas humbjes së zgjedhjeve Berishën e pret burgu, dosjet e tij janë njëra pa tjetrës. Patjetër që duhet të japë edhe dorëheqjen. Duhet zgjuar ndërgjegjja dhe vetëdija”, tha analisti.

Stimulues dhe fshehës të mëdhenj

0

Shkruan Zef Ndreka

Sigurisht, këto nofka, më së shumti i shkojnë për shtat përsonave publik, që prodhojnë histori mashtrimesh, duke u trembur prej tyre e duke u përpjekur më pas ti fshehin gjurmët.

Në historinë tonë politike shqiptare, kanë ndodhur ngjarje të cilat kanë patur protagonista, kryesisht Ahmet Zohun, Enver Hoxhën, Sali Berishën, Fatos Nanon, Ilir Metaj etj.
Të gjithë këto pa përjashtim, sigurisht që do të kenë patur si busull orientuese teoritë e Macchiavellit, njëlloj si shumë prijës të tjerë në vënde të ndryshme.
Ndoshta me shumë të drejtë, Niccolò Macchiavelli, i lindur në Firenze me 3 maj 1469, pra pak vite pas Skëndërbeut tonë historik, është konsideruar si babai i shkencave politike moderne!
Në fakt, siç shkruan Macchiavelli në ato vite, prijësi i përsosur duhet të jetë gjithashtu një “simulues dhe fshehës i madh” në gjëndje të maskojë natyrën e tij të vërtetë, pikërisht sepse ai që mashtron do të gjejë gjithmonë se kush do të mashtrohet.
Ky mbetët thelbi!
Ky është një përcaktim i hidhur që daton rreth 500 e kusur vite më parë, por që është aktual edhe në ditët e sotme, duke e konfirmuar sa e pa ndryshueshme është natyra njerëzore!
A nuk ka ndodhur kështu edhe në vendin tonë në 100 e kusur vite shtet?!
A nuk ka ndodhur kështu me të gjithë udhëheqësit shqiptarë duke filluar me:
– Zogun kur “gjeti” zogistët?!
– Me Enverin kur gjeti dhe mashtroi “enveristët”!
– Me Sali Berishën kur super madhtroi “salikratët” dhe vazhdon ende sot me foltoristët e më gjërë?!
-Me Metën e Nanon që skishin teori e praktikë tjetër, gjithashtu simulime mashtrimesh dhe fshehjesh?!
Gjjykojeni vetë!
Mjerë shqiptarët për stimuluesit tanë historik, fshehës të misioneve…

Buk e bes ka gjithmon Thethi

0

Shkruan Veronike Shkreli Pepushaj

Buk e bes ka gjithmon Thethi

Sot po knoj për urtin tuj
se ja dhatë hakun gjithkuj,
sa her hasmi na ka djeg kullat
ma të fortë i kem rrit burrat,
çonju çika e nisni vallen
kanga e gzimi ktu nuk nalen,
çonju çika e nisni vallen
kanga e gzimi ktu nuk nalen.

N’luft me turk e në luft me shkja
kem knue kang e kurr s’kem kja,
tan çka lyp ka gjet i keqi
buk e bes ka gjithmon Thethi,
tan çka lyp ka gjet i keqi
buk e bes ka gjithmon Thethi.

Bajraktar merre lahuten
për tan miqt e kem shtrue buken,
nise kangën neper tel
thuaj Gjakovës çou e del,
çou e del se duam me gzua
trojet tona s’kem me i lshua,
çou e del se duam me gzua
trojet tona s’kem me i lshua.

N’luft me turk e në luft me shkja
kem knue kang e kurr s’kem kja,
tan çka lyp ka gjet i keqi
buk e bes ka gjithmon Thethi,
tan çka lyp ka gjet i keqi
buk e bes ka gjithmon Thethi.

Sa her ktej ka msy lugati
veç me kang e ka tremb frati,
ka than Fishta, i urti s’ngutet,
prej trimniet jo prej tutet,
ka than Fishta, i urti s’ngutet,
prej trimniet jo prej tutet.

N’luft me turk e në luft me shkja
kem knue kang e kurr s’kem kja,
tan çka lyp ka gjet i keqi
buk e bes ka gjithmon Thethi,
tan çka lyp ka gjet i keqi
buk e bes ka gjithmon Thethi.

Tirana nuk është pronë e Pashallarëve dhe e Agallarëve!

0

Shkruan Zef Bushati

Tirana është Kryeqyteti i qytetarëve të saj dhe i të gjithë qytetarëve të Shqipërisë. Prej 35 vitesh, Kryetarë Bashkie dhe Pashallarë Politikë e kanë sunduar Tiranën duke e trajtuar si Pronë Private.

Asnjëherë nuk është bërë transparencë për vendimet që Pashallarët kanë marrë. Asnjëherë nuk është shpjeguar se ku kanë shkuar miliardat që i a morën qytetarëve të Tiranës përmes taksave. Asnjëherë nuk është kërkuar mendimi i qytetarëve për ndërtimet, shëmbjet apo ndryshimet që janë bërë. Asnjë qytetar nuk është pyetur. Asnjë vendim nuk është shpjeguar. Asnjë përgjegjësi nuk është mbajtur nga Pashallarët.

A ka mbetur ndonjë metër tokë në Tiranë që nuk është kthyer në kullë e ndërtim? A e dinë qytetaret e Tiranës se sa para janë harxhuar ? A e dinë qytetarët e Tiranës se sa miliona euro janë vjedhur ? Pyetja është: A i kuptojnë qytetarët e Tiranës këto gjëra ? Deri kur Tirana do jetë pronë e Pashallarëve? A e dinë Qytetarët e Tiranës se sa miliona harxhohen nga prishjet ? Harxhohen Milionat nga Taksat e Bashkisë që ata vetë i kanë paguar ? Miliona për të ndertuar e miliona për te prishur. Skandal 35 vjeçar. Deri kur do të mungojë transparenca ? Deri kur do sundojnë Pashallarët e Bashkive ? 35 vite e njëjta histori.

Vasil Tole Simfonia “Albanoi” Koha III-të: “Prechorus Dance”, ‘ritual përgatitor kolektiv’

0

Shkruan Qamil Gjyrezi

Në kohën e III-të të simfonisë ‘Prechorus Dance’, ritmi ka një rëndësi të veçantë dhe Tole e sjell me një puls të papritur dhe tension dinamik që krijon një ‘valle trance’. Koha I-rë, Epos e Simfonisë ‘Albanoi’ ka karakter narrativ, heroik dhe solemn. Tole në këtë kohë fillon ‘udhëtimin’ e tij simfonik nëpërmjet narracionit, heroikes dhe solemnes, elementë që janë të rëndësishëm në kohën e I-rë. Koha II-të, Iso është strukturë meditative dhe introspektive, e mbështetur në pedal. Ndërsa koha III-të e simfonisë ‘Albanoi’, ‘Prechorus Dance’ është pika kulmore ritmike dhe emocionale, me lëvizshmëri dhe energji të fuqishme vallëzuese. Këta elementë realizohen nëpërmjet orkestracionit, ritmikës dhe polifonisë. Në Kohën e I-rë Epos, ritmet e ngadalta, të ‘rënda’ dhe modale (me “pedal” të theksuar) krijojnë një ndjesi kujtese historike. Këtu ritmi lidhet me memorien kolektive e heroizmit, si një pavetëdije historike që shfaqet në formë ‘sonoriteti solemn’. Koha II-të Iso: Ritmi statik, i pandryshueshëm i pedalit (iso) përfaqëson vazhdimësinë arkaike të ekzistencës. Sipas Imberty, kjo është një kohë e ngjizjes emocionale, ku pavetëdija nuk lëviz është e përhershme, sikurse ‘kujtesa para-gjuhësore. Koha III-të ‘Prechorus Dance’, Tole fut ritme të thyera 7/8, 9/8, me një puls të papritur dhe tension dinamik që krijon një ‘valle trance’. Ky ritëm aktivizon një gjendje pavetëdijshme të ‘ekstazës kolektive’. Sipas Imberty, është momenti i daljes nga vetja, që përshkohet nga trupi dhe ndjenja e bashkësisë (si në ritualet pagane apo religjioze). Koha e tretë e simfonisë ‘Albanoi’ nga Vasil Tole, me titull “Prechorus Dance”, përfaqëson një kulm estetik dhe ritmik të veprës. Ajo është ndërtuar mbi një gërshetim të thellë të ritmeve dhe motiveve tradicionale shqiptare, në veçanti atyre që i referohen strukturave para-korale të këngëve folklorike (pra, para hyrjes së korit ose të refrenit), duke i dhënë kësaj pjese një karakter ritual, energjik dhe dinamik. Një ‘para-refren’ në muzikë është një pjesë e shkurtër që vjen para refrenit, duke vepruar si një urë lidhëse midis vargut dhe refrenit. Para refreni ndihmon në ndërtimin e pritjes për refrenin dhe mund të prezantojë elementë të rinj muzikorë ose lirikë.

Karakteristikat muzikore të “Prechorus Dance”

Pjesa ndërtohet në një formë të hapur, ku motivet folklorike ndërthuren dhe zhvillohen në mënyrë ciklike. Elementet ritmike të valleve tradicionale shqiptare (si ato të Shqipërisë së Jugut, kryesisht me metër të thyer 7/8, 9/8 ose 5/8) janë thelbësore në ndërtimin e frazave muzikore. “Prechorus” i referohet një momenti prag-refrain, që në muzikën tradicionale korrespondon me një gjendje përgatitore drejt një kulmi emocional apo kore të fuqishme. Në këtë kohë përdoren modele ritmike që imitojnë vallet epike dhe rituale, me sinkopa të theksuara. Poliritmet krijojnë tension dhe një lloj trance muzikor që përkujton strukturat e muzikës rituale. Muzika trance është një zhanër i muzikës elektronike i njohur për cilësitë e tij melodike, hipnotike dhe tempon energjike. Pjesa shquhet për polifoni ritmike dhe harmonike, duke evokuar parime të polifonisë iso-polifonike shqiptare. Orkestra përdoret me intensitet të plotë, sidomos në seksionin e perkusionit, që bart energjinë e vallëzimit. Përdorimi i instrumenteve si oboe, klarineta dhe violina të shoqëruara nga baset dhe timpanët krijon një përzierje të ngjashme me daullet dhe surlat folklorike. Përfshihen efekte si pizzicato, tremolo dhe staccato që ngjallin ndjesinë e një valle të gjallë dhe spontane. Inspiruar nga këngët dhe vallet e trevave të ndryshme shqiptare, pjesa bart një ndjeshmëri etnike të thellë. “Prechorus” në këtë kontekst është një valle para-nisjeje, e cila përgatit emocionalisht dhe fizikisht komunitetin për një rit të përbashkët. Tole e interpreton këtë jo thjesht si element folklorik, por si një strukturë arketipale në ndërgjegjen muzikore shqiptare. Sipas qasjes së Vasil Toles dhe ndikimeve nga psikoanaliza muzikore e Imberty, kjo pjesë përfaqëson një “ritual përgatitor kolektiv”, ku trupi, shpirti dhe komuniteti bashkohen përmes ritmit. Ajo mund të shihet si një strukturë e pavetëdijshme kolektive, ku vallja e përbashkët shërben si një formë e transformimit shpirtëror.

Po përshkruaj pjesë të orkestracionit në kohën e III-të, që ndikon në transmetimin e mesazhit nga kompozitori. Në kohën e III-të fillojnë harqet, përgjigjet fiati dhe trombonët me nota poshtë, në kanon. Violinat e para lozin temën, që kalon tek fagoti, korni, oboe, timpani që rrit ndikimet ritmike. Pastaj me një formë ‘pyetje përgjigje’ harqet dhe fiati. Tema me klarinetë me tamburë, valle të jugut, harqet, ritmi, triangola, tambura, trombonët, rritet tensioni, harqet picikato, solo oboe, kornot, harqet, trombonët tromba. Klarineta lot teknikisht bukur. Pastaj korni, tromba, harqet picikato, tromba me sodrinë, kornot, tema trombat, harqet me picikato, trombonat përgjigjen me temën e valles. Tunxhi, me harqe, timpan, dizonanca, tema trombonat, tunxhi, trombonat lozin me glisando. Harqet, tunxhi ‘pyetje përgjigje’, valle e jugut, rritet tensioni trombat, tunxhi, orkestra unison ritmi, trombonat glisando dhe mbyllet koha e III-të me akord tunxhi.

Interpretimi vizual dhe skenik i pjesës “Prechorus Dance”

Koha III-të e simfonisë, “Prechorus Dance”, është një shpërthim i energjisë ritmike dhe rituale, dhe për këtë arsye ajo ka një potencial të fuqishëm për interpretim skenik dhe vizual, ku muzika nuk është vetëm për t’u dëgjuar, por për t’u ndjerë fizikisht dhe përjetuar në mënyrë multisensoriale. Skena si hapësirë rrethore ose rituale, në formë rrethi, që i referohet praktikave të vjetra të vallëzimit rreth zjarrit apo në ritualet pagane/etnike. Elemente vizuale si figura etnografike të stilizuara, maska tradicionale apo tekstile popullore të përdorura në mënyrë moderne mund të krijojnë një ambjent “metafizik” ballkanik. Një vallëzim kolektiv i strukturës përgatitore, ku trupat e valltarëve imitojnë përgatitjen e një riti-gjunjëzim, përplasja e duarve, ngritje progresive drejt një kulmi ritmik. Lëvizjet e thyer ritmikisht, të sinkopuara, me kombinime të vallëzimeve të maleve dhe të fushave, për të reflektuar shumësinë kulturore shqiptare. Koreografia mund të imitojë elementë të vallëve tradicionale por të dekonstruktuara, që i afrohen një stili modern të teatrit fizik (à la Pina Bausch apo Akram Khan). Fraza “à la Pina Bausch apo Akram Khan” i referohet një stili vallëzimi ose koreografie që merr frymëzim nga veprat e Pina Bausch dhe Akram Khan. Sugjeron një përzierje elementësh që gjenden në stilet e tyre përkatëse, duke përfshirë potencialisht teatralitetin, thellësinë emocionale dhe një bashkim të formave të vallëzimit.
Qamil
Psikoanaliza muzikore sipas Imberty dhe ndikimi tek publiku.

Imberty flet për strukturat e pavetëdijshme që mishërohen në format muzikore, veçanërisht ato të lidhura me kohën, ritmin dhe ritualin. Sipas tij, muzika rituale (siç është “Prechorus Dance”) ndërton një kohë simbolike, e cila nuk është lineare por ciklike dhe ky cikël gjeneron siguri psikologjike tek dëgjuesi. Ritmi është për Imberty një strukturë arkaike e përjetimit, që lidh trupin me pavetëdijen. Në këtë pjesë, ritmi ritual i ‘Prechorus Dance’ sjell një ndjesi:

Tensioni → përmes përsëritjeve dhe sinkopave,

Katarsis kolektiv → kur lëshohet energjia ritmike,

Publiku, edhe në mënyrë të pandërgjegjshme, përgjigjet në mënyrë fizike ndaj kësaj pjese: troket këmbët, lëviz kokën, përfshihet emocionalisht në ritmin e vallëzimit. Ndjenja e bashkësisë dhe identitetit kulturor aktivizohet përmes ritmit të përbashkët është një rit psiko-kulturor që shpërthen nga skena në trupin e dëgjuesit. Pjesa mund të ndërtohet skenikisht si një ritual i lashtë ballkanik, ku pjesëmarrësit kalojnë nga përgatitja drejt ‘ekstazës’ kolektive. Një “pre-rit” që përgatit ardhjen e korit ose të një mesazhi hyjnor pra, është pjesa e nxitjes së pavetëdijes kolektive shqiptare drejt shprehjes së saj të pastër. Michel Imberty, psikoanalist dhe muzikolog francez, ka zhvilluar një teori origjinale mbi pavetëdijen muzikore, duke theksuar se muzika, dhe veçanërisht ritmi, lidhet me strukturat e hershme të përjetimit njerëzor: emocionet arketipale, koha trupore, kujtesa kolektive dhe rrënjët e gjuhës para-fjalësore. Në këtë kontekst, muzika e Vasil Toles, dhe në veçanti veprat e tija si Simfonia “Albanoi”, mund të interpretohen si strukturime muzikore të pavetëdijes kolektive shqiptare, ku ritmi shërben si mjeti kryesor i aktivizimit të kësaj pavetëdije. Imberty ndan dy dimensione të kohës në muzikë:

Koha semantike / lineare – ajo që shohim në narrativë, histori.

Koha arketipale / ciklike – ajo që përjetohet në rituale, përsëritje, në pulsimin trupor (si rrahja e zemrës, frymëmarrja, vallëzimi).

Sipas Imberty, ritmi ritual rikthen dëgjuesin në gjendje pre-gjuhësore, ku muzika nuk dëgjohet thjesht, por përjetohet me trupin dhe pavetëdijen. Ky është mekanizmi kryesor për të krijuar bashkësi emocionale. Muzika e Toles është përkthimi i ritmit në strukturë pavetëdijshme shqiptare. Vasil Tole, përmes strukturave të tij ritmike dhe modale, rikthen në skenë strukturat rituale të folklorit shqiptar, të cilat nuk janë thjesht “etnografi muzikore”, por mbartin përvojën kolektive të një populli. Në frymën e Imberty, struktura rituale e muzikës shqiptare si eposi, iso-ja, kënga vajtuese, dhe vallja ciklike është forma arketipale e ndërgjegjes kolektive shqiptare, dhe Tole e përkthen këtë në muzikë simfonike moderne. Këto janë “njolla të pavetëdijshme kulturore” që Tole i ruan jo si folklor, por si aroma të thella shpirtërore, të integruara në një gjuhë universale muzikore.

Si përfundim nëse e dëgjojmë simfoninë e Vasil Tole, kohën e III-të “Prechorus Dance”, përmes teorive të Imberty:
-Ai kompozon pavetëdijen kolektive shqiptare, jo vetëm me nota, por me strukturat e përjetimit të përbashkët.
-Ritmi nuk është vetëm një element muzikor është gjuhë trupi, kujtese, besimi dhe bashkimi.
-Tole shkon përtej transkriptimit folklorik ai kompozon pavetëdijen e popullit të tij, dhe e përçon përmes një gjuhe moderne, që flet si për shqiptarët ashtu edhe për të huajt në mënyrë emocionale.
Bibliografia:
Imberty, Michel. “Music and the Development of the Unconscious.” International Review of the Aesthetics and Sociology of Music, Vol. 27, No. 2, (1996).
Imberty, Michel, La musique et les formes de l’inconscient (2003).

Ndaleni shokun Baton, shpifës dhe përfitues i parave të pista!

0

Shkruan Arben Malaj

Baton, paraja e pistë nga burime edhe kriminale, tek disa analistë të parapaguar – edhe nga shërbimet sekrete të vendeve jo miqësore me Shqipërinë, SHBA-në dhe BE-në – ku shpesh në media përmendet edhe emri juaj, klasifikohet si aktivitet kriminal i dënueshëm deri me burg.

Ndaleni, shokun Baton, këtë “zjarrvënës” përçarës në kohezionin krahinor dhe në kulturën shqiptare. Para pak ditësh, ky shpifës jo i paqëllimshëm ndoshta Veton Surroi e di më mirë se kushdo pse e paguajnë shtrenjtë, nxiti përçarje krahinore, kur deklaronte se e majta nuk e kthen dot kokën nga Veriu për keqtrajtimin që i ka bërë gjatë kohës së komunizmit.

Një gjë është e vërtetë: në varfërinë tonë materiale ishim të barabartë, njësoj siç theksonte Churchill: “Kapitalizmi ndan në mënyrë të pabarabartë pasurinë, ndërsa socialistët ndajnë në mënyrë të barabartë varfërinë.”

Të gjitha institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore kishin të njëjtën pagë si në Tiranë, në Tropojë dhe në Sarandë.

Mësuesit, mjekët, ndihmës -mjekët, drejtuesit dhe punëtorët në çdo institucion dhe ndërmarrje homologe kishin një sistem pagash të barabartë, nga Veriu në Jug.

Një pjesë e mirë e minierave dhe industrisë përpunuese ishte në Veri, ku pagat ishin të mira dhe zbutnin varfërinë.

Në shkollat e mesme dhe universitete ne ishim njësoj dhe respektonim maksimalisht njëri-tjetrin, madje edhe duke u martuar pa asnjë dallim krahinor, etnik apo fetar.

I vetmi moment kritik ishte pas vitit 1990, kur me të drejtë shumë banorë të zonave veriore zbritën, edhe duke zaptuar toka në rrethinat e Tiranë dhe qyteteve të tjera të mëdha. Atëherë pati fodullë dhe shpirtzinj, edhe si ju, Baton, që i quajtën padrejtësisht “çeçenë”.
Por ata u integruan shumë mirë, punojnë në institucione dhe ndërmarrje publike, kanë bizneset e tyre, sakrifikuan për mirëarsimimin e fëmijëve dhe përmirësuan kujdesin shëndetësor dhe mundësitë për punësim.

Edhe në SHBA, brenda shteteve ka diferenca të ndjeshme në të ardhurat për frymë.

Baton, paraja e pistë nga burime edhe kriminale, tek disa analistë të parapaguar – edhe nga shërbimet sekrete të vendeve jo miqësore me Shqipërinë, SHBA-në dhe BE-në – ku shpesh në media përmendet edhe emri juaj, klasifikohet si aktivitet kriminal i dënueshëm deri me burg.

Provoi Berisha në vitin 1997 të keqpërdorte vëllezërit tanë fisnikë të Veriut si mercenarë kundër Jugut, dhe dështoi turpshëm.

Një provë e qartë, Baton, është edhe fakti që konkurrimi politik në këto 33 vite nuk ka nxitur dhe as ka krijuar ndasi krahinore.

Të majtët dhe të djathtët kanë bastionet e tyre, por kurrë nuk kanë nxitur urrejtje krahinore.

Vëllezërit tanë nga Veriu e gëzojnë bregdetin e vendit të tyre deri në Ksamil si në shtëpinë e tyre.

Po ashtu, sikurse ne ndjehemi të respektuar dhe si në shtëpinë tonë në çdo pjesë të Veriut tonë fisnik – për nga shpirti i tyre dhe nga magjia e mrekullive natyrore.

Në fillim të viteve 2000, Banka Botërore nuk deshi të investonte asnjë dollarë në Bathore, ku ishin zhvendosur me të drejtë dhjetëra-mijëra bashkëkombës tanë nga Veriu. Kjo sepse BB nuk investon asnjëherë në toka me konflikte pronësore në asnjë vend të botës.
Ishte qeverisja socialiste deri në vitin 2005 që garantoj Bankën Botërore se zgjidhja e çdo konflikti pronësor mbetej përgjegjësi e qeverisë shqiptare.

Bathorja pas viteve 2000 kishte shumë vështirësi për drita, ujë dhe kanalizime.

Pas një diskutimi të brendshëm, përballë një zhvendosjeje të mijëra familjeve nga Veriu, ne përzgjodhëm opsionin e legalizimit për të zhvendosurit nga Veriu, përpara urbanizimit.

Nëse do të kishim përzgjedhur urbanizimin si hapin e parë, do të kishte më pak kosto financiare, por shumë më shumë kosto shpirtërore, të papërballueshme.

Do të nxitej ndarja Veri–Jug.

Vendi do të shkiste në instabilitet shoqëror dhe politik, nga ku do të përfitonin dhe do të fërkonin duart vendet jo miqësore dhe emisarët e tyre mediatikë të mirë-parapaguar.

Qeverisja nuk është numra, por vlera njerëzore, që nuk të lejojnë të braktisësh shtresat në nevojë dhe klasën e mesme.

Vetëm qeveritë e numrave varfërojnë qytetarët e tyre për të pasuruar oligarkët e tyre.

Tani ti hedh helmin e dytë:

Kërkon publikisht shkatërrimin e RTSH-së, pasurisë më të madhe të identitetit tonë kombëtar!

Çdo njeri i kulturuar do të ofronte opsione ristrukturimi, jo shkatërrimi.

Mos të kanë detyruar oligarkët, Baton, të ndezësh këtë flakë shkatërruese në RTSH?

Sepse mbi truallin e RTSH-së po përflitet ngritja e kullave të oligarkëve, për të cilët ti je shërbyesi më i babëzitur dhe pa asnjë limit moral?

Ndal, bre Veton, se Shqipëria ka shumë më shumë se ty – personalitete të kulturës shqiptare, që e duan këtë vend dhe nuk vetë-shiten për para të pista.

Ndal, bre Baton, se personalitetet e kulturës shqiptare kanë rrënjë atdhedashurie shekullore, ndërsa ju jeni një bar i keq që mbin dhe lulëzon kudo ku ushqehet me para të pista, dhe vetëvetiu ofrohet për shërbime të pista.

Kostumi i grave të Mirditës, një simfoni e trashëgimisë, një këngë e rrënjëve që vazhdon të kumbojë në pentagramin e kohës

0

Shkruan Albert Vataj

(Shkas nga një bisedë me miku, Gjergj Marku)
Në pentagramin e gjatë të kohës, ku fijet e kujtesës dhe të shpirtit kombëtar ndërthuren si një melodi e lashtë që ende kumbon, veshja e grave të Mirditës është një simfoni e gjallë e etnosit tonë. Ajo nuk është thjesht një kostum; ajo është një testament i fisnikërisë, një dorëshkrim i endur me fillin e hollë të shekujve, një poezi vizuale që bart gjurmën e gjakut dhe të rrënjës.
Në këtë ansambël të veçantë, ku çdo element bart një kuptim, spikasin tre komponentët kryesorë që e mbajnë gjallë traditën: xhupi i grave, mangorja – këmisha, dhe brezi me tufat e tij. Në to është derdhur mjeshtëria e nënave dhe e gjysheve, një përkushtim i heshtur që i ka mbijetuar kohës, duke ardhur deri tek ne si një psalmodi e trashëgimisë. Brezi dhe stravecja – kjo përparëse e vogël që lidhet me artin e lashtë të punimit me dorë – janë elementët më të vjetër, të cilët e përcaktojnë identitetin e gruas mirditore me një fisnikëri të pashoqe.
Etnografja e mirënjohur Afërdita Jonuzi kujton se rrënjët e këtyre elementeve shtrihen në shekujt XIV-XV, në kohën kur Shqipëria ishte një mozaik principatash, kur përmes feudalizmit u formësua edhe një identitet i ri krahinor. Mirdita, në këtë përballje me kohën, gdhendi një fytyrë të vetën, një identitet që u shpalos në petkun e grave, në qepjet e tyre të hollësishme, në dekorin që i dha gjoksit të veshjes një madhështi që të mahnit edhe sot.
Në fillesat më të hershme, këmisha e gjatë – njësoj për burra e gra – dhe dollamja, ajo pallto e hapur me mëngë dekorative, ishin pjesë e përditshmërisë. Këmisha e rrudhur krijonte efektin e fustanellës, një përqasje që dëshmon një estetikë të thellë dhe një gjuhë të tërë simbolesh të koduara në veshje. Tek gratë, kjo gjuhë merrte formën e llahengës, ose xhupit të qëndisur, që rrëfen përkujdesjen e artizanëve të kohës për ta bërë gruan bartëse të bukurisë dhe të dinjitetit.
Veçanërisht pjesa e gjoksit në këtë kostum është një pasuri më vete – një “minierë” siç thotë Jonuzi – ku eleganca dhe mjeshtëria ndërthuren në qëndisje të holla, me një fill që shkëlqen dhe flet për një fisnikëri të përhershme. Brezi me rrëmat që varet nga prapa dhe stravecja përpara e plotësojnë këtë portret, duke krijuar një unitet formash dhe ngjyrash që sot shihet si një vlerë e çmuar e trashëgimisë sonë shpirtërore.
Në fotografinë e Valin Qorrit, ky ansambël nuk është thjesht dokumentim; është një dëshmi e gjallë, një përthyerje drite mbi një kujtesë kolektive. Është si të shohësh një partiturë të lashtë të luajtur në një skenë moderne: tre elemente të vjetra, të përpunuara me elegancë, të cilat edhe sot i japin kuptim përkatësisë sonë. Kjo veshje nuk mbetet peng i muzeut, por merr frymë mes nesh, duke na kujtuar se pasuria shpirtërore nuk humbet kurrë, kur ne zgjedhim ta mbajmë si një amanet të shenjtë.

POSTIMET E FUNDIT