Beso në Zot!
Mesazh falenderimi i papa Leone XIV drejtuar kryepeshkop Joanit
Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit e gjithë Shqipërisë, Joani, ka marrë një mesazh falenderimi nga papa Leone XIV.
“Po ju shkruaj për t’ju shprehur mirënjohjen e thellë për afërsinë tuaj vëllazërore dhe për dashurinë që treguat kur morët pjesë, bashkë me delegacionin tuaj të nderuar, në Liturgjinë solemne në Vatikan, më 18 maj. Pjesëmarrja juaj më preku thellë, sepse është shenjë treguese e vëllazërisë së krishterë dhe e unitetit të besimit”, shkruan papa Leone XIV.
Më tej, Peshkopi i Romës dhe Pasardhësi i Pjetrit, i kërkon Kryepeshkop Joanit, të vazhdojë ta mbështesë përmes lutjeve, që Perëndia i Plotfuqishëm ta forcojë për t’i shërbyer atij dhe popullit të tij të shenjtë.
“Le ta ripërtërijmë përkushtimin tonë për të nxitur unitetin ndërmjet të gjithë të krishterëve, duke iu bindur vullnetit të Zotit Jisu (Jn. 17:21), dhe të punojmë së bashku në mënyrë më të frytshme për pajtim dhe harmoni në botën tonë të përçarë”, shkruan Papa në letrën drejtuar Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.
Thethi shembet, Tirana zhbëhet! Kur shteti ndëshkon të dobëtin dhe shpërblen klientin!
Shkruan Alba Kepi
Shteti që shemb një shtëpi prej guri në Alpe nuk guxon të prekë një kullë prej çeliku në Tiranë!
Në një nga perlat e Alpeve shqiptare, Thethin, këtë të mërkurë u regjistrua një tjetër përplasje mes banorëve dhe shtetit. Policia u përplas me qytetarët për të zbatuar urdhrin e shembjes së disa ndërtimeve pa leje në një zonë me potencial të lartë turistik. Banorët, në të shumtën e rasteve vendas që prej brezash jetojnë e mbijetojnë në këtë territor të vështirë, po akuzohen për “cenim të territorit”, ndërkohë që kërkojnë të mbajnë frymën gjallë të turizmit malor dhe ekonomisë familjare.
Ndërsa në Theth ndërhyrjet ndodhin me brutalitet dhe pa një strategji sociale apo mbështetje alternative, në Tiranë ndodh e kundërta: jo vetëm që nuk shembet asgjë, por ndërtohet pa kriter, shpesh në shkelje flagrante të ligjit, mbi prona publike, zona historike e trashëgimi kulturore, me një shpejtësi dhe arrogancë që flet qartë për kapjen e qytetit nga interesat e klientelës dhe oligarkisë urbane.
Ky kontrast midis ashpërsisë në Theth dhe heshtjes në Tiranë është më shumë se një padrejtësi: është një model pushteti që e përdor ligjin si mjet kontrolli mbi të dobëtit, ndërsa i lejon të fortët të bëjnë ç’të duan.
Shteti që shemb një shtëpi prej guri në Alpe nuk guxon të prekë një kullë prej çeliku në Tiranë, ndonëse e ndërtuar mbi abuzim pronësie apo me burime të dyshimta financiare. Në një vend ku shteti ngrihet me gjithë fuqinë kundër banorëve të një fshati, por hesht përballë ndërtuesve të lidhur me politikën, nuk kemi më as shtet ligjor, as drejtësi sociale, as zhvillim të drejtë.
Ky është realiteti i sotëm: shteti shqiptar ndëshkon atë që ndërtues nuk ka tjetër përveç tokës dhe shpresës, ndërsa shpërblen me heshtje ata që ndërtojnë me para, pushtet dhe ndikim politik. Shkatërrimi i Thethit është brutal; shkatërrimi i Tiranës është genovid urban: i heshtur, por sistematik.
Në fund, të dyja janë forma të së njëjtës padrejtësi. Dhe historia do të kujtojë se kur Shqipëria kishte mundësi të zgjedhë midis mbrojtjes së trashëgimisë dhe pasurimit të pushtetit, ajo zgjodhi këtë të fundit.
Sipas të dhënave nga organizatat për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe urbanistike, mbi 60% e godinave me vlerë arkitektonike në Tiranë janë shembur ose zëvendësuar që nga viti 2015, ndërkohë që çdo vit miratohen dhjetëra leje ndërtimi në zona që më parë ishin të mbrojtura. Komiteti Shqiptar i ICOMOS ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur për rrezikun e shkatërrimit të ADN-së urbane të kryeqytetit, por askush nuk dëgjon. Kur zëri i qytetarëve heshtet nga betoni, historia shuhet pa gjurmë.
Emigrantët, Gjykata e Kasacionit ngre dyshime për kushtetutshmërinë e protokollit Itali-Shqipëri
ROMË – Protokolli mes Italisë dhe Shqipërisë për menaxhimin e emigrantëve është vënë nën lupën e Gjykatës së Kasacionit, e cila në një relacion voluminoz të përgatitur nga zyra e përmbledhjes dhe praktikës gjyqësore, evidenton shkelje të rënda të kushtetutshmërisë, si dhe mospërputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me të drejtën e Bashkimit Evropian. Dokumenti, i cituar nga il Manifesto, thekson se doktrina juridike ka shprehur tashmë shumë dyshime për pajtueshmërinë e marrëveshjes me parimet themelore të rendit juridik italian.
Të drejtat themelore në rrezik
Në paragrafin që i kushtohet raportit mes protokollit dhe Kushtetutës, Gjykata evidenton shkelje të mundshme të të drejtave themelore, veçanërisht:
të drejtën për shëndetësi (neni 32 i Kushtetutës);
të drejtën për mbrojtje ligjore (neni 24);
të drejtën për lirinë personale (neni 13).
Një nga kritikat kryesore është pasaktësia e protokollit, i cili i përmend subjektet e përfshira thjesht si “emigrantë”, pa përcaktuar kategori të qarta juridike, duke krijuar pabarazi në trajtim mes shtetasve të huaj që mbahen në Itali dhe atyre që dërgohen në qendrat në territorin shqiptar.
Pengesë për të drejtën e azilit
Sipas Gjykatës së Kasacionit, marrëveshja mungon në një disiplinë të detajuar procedurale që do të garantonte trajtim të drejtë për emigrantët e dërguar në qendrat shqiptare. Kjo pabarazi juridike për shkak të ekstraterritorialitetit mund të përbëjë një pengesë reale për ushtrimin e së drejtës për azil, e cila duhet të sigurojë të njëjtat garanci si për kërkuesit e azilit në tokën italiane.
Ndalesa si zgjidhja e vetme: shkelje e normave të BE-së
Një tjetër pikë kritike është fakti që, sipas protokollit, ndalimi i emigrantëve nuk është më një zgjidhje ekstreme, siç parashikohet nga legjislacioni evropian, por shndërrohet në të vetmen masë të zbatueshme. Kjo qasje shkel garancitë themelore për lirinë personale, duke rrezikuar ndalime arbitrare dhe të zgjatura.
Gjykata thekson gjithashtu se, pasi të kenë pushuar arsyet për ndalimin, emigrantët nuk mund të lirohen në territorin shqiptar, dhe se rikthimi i tyre në Itali kërkon kohë teknike për transportin detar apo ajror, gjë që mund të shkaktojë ndalime të padrejta për orë apo edhe ditë, në kundërshtim me parimet e të drejtës kushtetuese dhe ndërkombëtare.
Qasje e pamjaftueshme në mbrojtje dhe kujdes shëndetësor
Lidhur me të drejtën për mbrojtje, Gjykata vëren se mënyrat e ushtrimit të kësaj të drejte për personat e ndaluar në Shqipëri nuk janë të rregulluara me ligj, por i lihen në dorë përgjegjësit italian të qendrës.
Edhe e drejta për shëndetësi është në rrezik: protokolli parashikon që, në rast nevoje të rëndë shëndetësore, autoritetet shqiptare të bashkëpunojnë me ato italiane, por – sipas Gjykatës – niveli i kujdesit shëndetësor në Shqipëri nuk është i krahasueshëm me atë në Itali, duke ekspozuar emigrantët ndaj rreziqeve serioze për shëndetin.
Relacioni i Gjykatës së Kasacionit përbën një paralajmërim të fuqishëm ligjor dhe institucional për një marrëveshje dypalëshe që – sipas gjykatës më të lartë italiane – rrezikon të cenojë të drejta themelore të mbrojtura nga Kushtetuta italiane, e drejta e BE-së dhe e drejta ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Një dokument që pritet të ngrejë debate të forta politike dhe juridike mbi ligjshmërinë dhe qëndrueshmërinë e modelit të jashtëm të menaxhimit të migracionit.
Një histori e rrallë dashurie!
Shkruan Zef Ndreka
Një dry me flokë bionde mbyllur në një taek.
Është një relike?
Jo, është një histori dashurie!
Një histori, një histori dashurie po aq e bukur sa e ndaluar, mes një doktrine humaniste dhe një vajze të fuqishme dhe të torturuar.
Ngjarja në Ferrara, në vitin 1502, ndodhi në gjykatën e Dukës Alfonso d’Este, padron i jashtëzakonshëm i artit dhe kulturës, i cili si zakonisht, priste ardhjen e poetëve dhe shkrimtarëve të rinj të talentuar për tu takuar në oborrin e tij.
Dhe ishte pikërisht aty, mes kaq shumë poezive dhe madhështisë, kur dy të rinj u panë për herë të parë.
Poeti i ri e njihte dukeshën vetëm me dëgjim dhe i kishin treguar disa herë për sharmin që ajo ushtronte, e megjithatë sapo e pa, ai u përflak nga bukuria e saj.
Flokët e saj bionde të gjatë dhe të shkëlqyeshëm, të ndriçuara nga rrezet e diellit, reflektonin dritën që vinte nga dritaret e mëdha të pallatit, duke i dhënë një aurë pothuajse qiellore.
Si mund të harrohet një pamje e tillë?
Me justifikimin e përkushtimit të një pune, filloi një marrëveshje platonike si pak kush dhe shumë pasionante, që i lidhi për vite me radhë.
Historia nga platonike u bë epistolare për shkak të murtajes që I ndau.
Letra dashurie intensive, të cilat deri më sot, konsiderohen si më të bukurat e mbledhura ndonjëherë.
Së bashku me njërin prej tyre, dukesha e re, dërgoi një dry të flokëve të saj të dashurit, të njejtat flokë që ai donte ti përkëdhelte në takimet e tyre sekrete dhe që tani, pothuajse si një premtim dashurie që tejkalon kohën dhe sidomos distancën, ai mund ta mbaje atë duke u tundur për ta ndjerë afër duke pritur përqafimin e tyre të radhës.
Fati i keq nuk i bëri të takohen përsëri.
Dukesha e quajtur Lukrezia Borgia, gjithashtu vajza ilegjitime e Papës Aleksandri Vl, vdiq shumë e re, por duke lënë pas një fame që e bëri të pa vdekshme dhe që do ta bëjë gjithmonë të kujtohet si një grua me fuqi legjendare dhe kontraverse.
Ai, nga ana tjetër pas vdekjes së saj, u bë kardinal, duke e përshkruar vetën në një kohë shumë të shkurtër jo vetëm si një figurë e shquar e humanizmit italian, por edhe si një njëri i madh i Kishës, i njohur si Pjetër Bembo.
Bukuria dhe sharmi i kësaj relikeje, ndoshta, qëndron në misterin e saj që e bëri atë një thesar të madh ende të pa prekur. Deri në fund, ishte dashuria e madhe që jetoi.
Ruhet në Pinacoteca Ambrosiana në Milano, mbyllja e flokëve brënda një tenere të vogël e të zbukuruar me kristale, perla, rubinë dhe smeraldë.
Kukulla ime!
Gjykata e Lartë lë në burg Erion Veliajn
Shqyrtimi i rekursit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj po mbahet sot në Gjykatën e Lartë.
Në orën 12:00, trupa e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, me relatore gjyqtaren Albana Boksi është mbledhur për të dëgjuar argumentet, pjesë e ankimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe 6 biznesmenëve, kundër masave të sigurisë të vendosura nga Gjykata e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohen nga SPAK se ndërtuan një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive.
Përveç kryebashkiakut dhe bashkëshortes së tij, GJKKO ka vendosur masën “arrest në shtëpi” për biznesmenin Elman Abule dhe masën ‘detyrim paraqitje’ për pesë biznesmenë të tjerë, mes tyre Gentian Sula, Shkëlqim Fusha dhe Fatmir Bektashi, kompanitë e të cilëve janë përfituese të fondeve të bashkisë ose lejeve të ndërtimit në Tiranë.

















