Kreu Blog Faqe 149

SHBA: Gjykata Supreme në favor të prindërve, ndalon mësimin e librave me tema LGBT

0

Gjykata Supreme e SHBA-së ka marrë anën e prindërve të shtetit të Merilendit, duke u dhënë atyre mundësinë për të hequr fëmijët e tyre nga programet shkollore që përfshijnë libra me tema LGBTQ.

Vendimi, i marrë me një shumicë 6-3, ka shpërndarë mendimet brenda gjykatës dhe ka sjellë debate të ashpra mbi lirinë fetare dhe arsimin publik.

Prindërit argumentuan se një kurrikulë e miratuar në vitin 2022 nga Shkollat Publike të Qarkut Montgomery, e cila përfshin libra dhe materiale që trajtojnë çështje të identitetit gjinor dhe orientimit seksual, shkelte të drejtat e tyre fetare. Ata kërkuan një urdhër ndalimi, duke argumentuar se edukimi i fëmijëve të tyre mbi këto tema ishte në kundërshtim me besimet e tyre fetare.

Shumica e gjykatës e mbështeti këtë kërkesë, duke dhënë një lehtësim paraprak për prindërit. Gjyqtari Samuel Alito, në mendimin e shumicës, shkroi se prezantimi i librave pa mundësinë e përjashtimit krijon një “barrë jokushtetuese mbi të drejtat e prindërve për ushtrimin e lirë të fesë së tyre”. Ai argumentoi gjithashtu se prindërit kishin të drejtë të mbroheshin nga një dëm i pariparueshëm që mund të ndodhte nëse urdhri nuk miratohej.

Nga ana tjetër, gjyqtarët liberalë shprehën mospajtim. Gjyqtarja Sonia Sotomayor e quajti vendimin “kaos për shkollat publike të këtij kombi”. Ajo shtoi se, duke pasur parasysh diversitetin e madh të besimeve fetare në SHBA, ndalimi i librave me tema LGBTQ mund të ekspozonte fëmijët ndaj “mesazheve që bien ndesh me bindjet e prindërve”.

Prindërit që ngritën këtë çështje përfaqësojnë besime të ndryshme fetare, por të gjithë kundërshtojnë mësimin e temave LGBTQ në shkolla. Ata argumentojnë se Amendamenti i Parë i Kushtetutës së SHBA-së, që mbron lirinë e besimit fetar, u jep atyre të drejtën të përjashtojnë fëmijët e tyre nga materialet që ata e konsiderojnë të papranueshëm për bindjet e tyre.

Ky vendim i Gjykatës Supreme ka krijuar një tension të ri në diskutimet mbi lirinë fetare, të drejtat e prindërve dhe programet edukative publike, duke e bërë këtë çështje një nga më të diskutuarat në SHBA.

Partia e të përndjekurve, kundër kandidatit të Berishës për Avokatin e Popullit: Ka qenë i lidhur me diktaturën!

0

Një nga partitë politike të së djathtës, që përfaqëson të drejtat e ish-të përndjekurve politikë të diktaturës komuniste, është shprehur kundër kandidatit të Sali Berishës për postin e Avokatit të Popullit.

Në një deklaratë publike, Ilir Vata, kryetar i Partisë për Të Drejtat e Mohura, thekson se Besim Ndregjoni, kandidati i propozuar nga Berisha, fyen të përndjekurit, pasi ka qenë i lidhur me strukturat e diktaturës në kohën e Enver Hoxhës.

Deklarata e plotë

Berisha kërkon të vendosë në krye të Avokatit të Popullit një ish-zyrtar të diktaturës – një akt që fyen demokracinë dhe viktimat e saj.

Partia e të Drejtave të Mohuara (PDM) dënon me forcë përpjekjen e Sali Berishës për të vendosur në krye të institucionit të Avokatit të Popullit një figurë që ka qenë drejtues i Bashkimeve Profesionale të PPSH-së – një strukturë e lidhur drejtpërdrejt me shtypjen dhe shtetin diktatorial.

Ky është një veprim i papranueshëm dhe një tjetër tregues se Berisha nuk ka reflektuar asnjëherë për rolin e tij në regjimin e kaluar, as për dëmet që ka shkaktuar ndaj të përndjekurve politikë dhe ndaj vetë themeleve të demokracisë.

Fatkeqësisht, sot kemi individë që, të veshur me mantelin e viktimës, shtiren si të përndjekur, ndërkohë që në të vërtetë kanë qenë bashkëpunëtorë të regjimit. Këta individë janë një fatkeqësi për demokracinë shqiptare, sepse e përdorin dhimbjen dhe historinë e të përndjekurve për përfitime personale dhe politike.

PD ka figura me integritet dhe kapacitet intelektual të lartë që mund ta përfaqësojnë me dinjitet popullin në këtë institucion të pavarur. Por zgjedhja e një të shtiruri si “i përndjekur” është një përpjekje për të bërë pis procesin.

Ne i bëjmë thirrje Kryeministrit Edi Rama që të mos votojë një mëkatar në krye të Avokatit të Popullit.

Sali Berisha e la të digjej në flakë Lirak Bejkon. Ai nuk i ndihmoi kurrë të përndjekurit politikë, i la pa dëmshpërblim, pa integrim dhe në mjerim. Dhe sot, guxon të tallet sërish me ta.

Kryeministri Rama, ndonëse jo i përsosur, ka bërë hapa të rëndësishëm për të njohur dhe për të dëmshpërblyer të përndjekurit. Ne kemi bindje që ai nuk do të lejojë që në krye të një institucioni kaq të rëndësishëm dhe të ndjeshëm si Avokati i Popullit, të vendoset një figurë me të kaluar të errët.

Avokati i Popullit duhet të jetë zëri i qytetarëve, jo zgjatimi i një diktature të rikthyer me maskë demokratike.

Kryetari i PDM, Ilir Vata

Shqiptarët 1465 vite të Krishterë, Islami në Shqipëri erdhi mbas pushtimit Osman. 560 vite bashkjetesë fetare e shqiptareve të Krishterë dhe Mysliman

0

Shkruan Zef Bushati

Shumë pak flitet rreth rrënjëve të origjinës së besimit të shqiptarëve. Apostulli Shën Pali besohet se ka kaluar dhe predikuar në territorin e Shqipërisë së sotme gjatë misioneve të tij Apostolike në shekullin I pas Krishtit, pra rreth viteve 58–60 pas Krishtit. Dëshmia biblike: Në Letren drejtuar Romakëve, kapitulli 15, vargu 19, Shën Pali shkruan: “Nga Jerusalemi dhe përreth deri në Iliri, e kam përhapur plotësisht Ungjillin e Krishtit.” (Romakëve 15:19) Iliria ishte një krahinë e madhe që përfshinte edhe një pjesë të Shqipërisë së sotme. Kjo është dëshmia më e hershme historike që lidhet me praninë e Shën Palit në rajonin tonë. Ku saktësisht mund të ketë shkelur ? Historikisht besohet se ai mund të ketë kaluar ose predikuar në: Dyrrah (Durrës) – një port i rëndësishëm në rrugën Egnatia, lidhje midis Romës dhe Lindjes. Apolloni (afër Fierit) – një qendër kulturore dhe fetare e madhe. Zona të tjera në Ilirinë e Jugut. Pra viti 58- 60 pas Krishtit është fillimi i përhapjes së Krishterimit në trojet shqiptare, që më pas u organizua në struktura kishtare dhe dioqeza gjatë shekujve të mëvonshëm.

Ne Europe të Krishterët u ndanë zyrtarisht në Katolikë dhe Ortodoksë në vitin 1054, në një ngjarje që njihet si Shkëputja e Madhe (Great Schism ose Schisma e Lindjes dhe Perëndimit). Shkaqet kryesore ishin çështje Doktrinare dhe Teologjike (si për shembull formulimi i kredos “Filioque”). Shkak ishin dhe mosmarrëveshjet për autoritetin e Papës në Romë. Perëndimi e njihte si udhëheqës të gjithë Kishës, ndërsa Lindja nuk e pranonte autoritetin e tij absolut. Një arsye tjeter ishte edhe Kultura dhe Gjuha. Perëndimi përdorte latinishten, Lindja greqishten. Edhe çështjet politike dhe gjeopolitike, që pasqyronin ndarjen midis Perandorisë Romake të Perëndimit dhe asaj të Lindjes (Bizantit) u bënë shkak për ndarje në vitin 1054. Përfaqësuesit e Papës dhe të Patriarkut të Kostandinopojës anatemuan njëri-tjetrin, duke zyrtarizuar ndarjen midis Kishës Katolike Romake Perëndimore dhe Kishës Ortodokse Lindore. Kjo ndarje mbetet ende në fuqi sot, megjithëse ka pasur përpjekje për dialog dhe afrime ndërmjet dy palëve, sidomos në shekujt e fundit.
Shqiptarët Europianë nuk u ndanë në Katolikë dhe Ortodoksë si pasojë e një konflikti të brendshëm kombëtar, por si pasojë e Ndarjes së Madhe të Krishtërimit në vitin 1054 dhe ndarjes politike të trojeve shqiptare nën ndikimin e Perandorisë Bizantine në lindje dhe asaj Romake / në Perëndim.
Si ndodhi kjo ndarje ndër shqiptarë ? Përpara vitit 1054, shqiptarët ishin të Krishterë të Bashkuar kudo ku ata jetonin në Trojet e tyre në Shqipëri, Kosove, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi e Greqi dhe ishin pjesë e Kishës së Hershme. Mbas Shkëputjes së Madhe, ndarja fetare filloi të pasqyrohej edhe ndër shqiptarë, në varësi të zonave ku jetonin. Katolikët shqiptarë, kryesisht në veri dhe perëndim, në zonat (Shkodër, Vlorë, Durrës, Shkup, Lezhë, Dukagjin, Malësi, Gjakovë, etj.), ishin nën ndikimin e Perëndimit (Kisha e Romës). Mbështeteshin shpesh nga Venediku, më vonë edhe nga Austria. Ortodoksët shqiptarë, kryesisht në jug dhe lindje (Korçë, Gjirokastër, Elbasan, Përmet, Voskopojë), nën ndikimin e Patriarkanës së Kostandinopojës, (përmes Kishës Ortodokse Greke ). Por kjo për Shqiptarët nuk ishte ndarje e një konflikti. Shqiptarët ruajtën Identitetin Kombëtar mbi Identitetin Fetar, sidomos në periudhën e Rilindjes Kombëtare. Gjergj Kastrioti Skënderbeu i bashkoi shqiptarët përtej fesë. Patriotët shqiptarë në shek. XIX-XX si Pashko Vasa theksuan: “Feja e shqiptarit është shqiptaria.”

Shqiptarët filluan të ndryshonin besimin nga të Krishterë në Mysliman pas Pushtimit Osman, që filloi në fund të shekullit XIV dhe u konsolidua në shekullin XV. Periudhat kryesore të islamizimit nisën në Shekullin e XV–XVI. Fillimi i konvertimeve nisi pas vdekjes së Skënderbeut (1468) dhe rënies përfundimtare të Kështjellës së Krujës (1478), Pushtimi Osman u bë i plotë. Fillimisht, islamizimi ishte i kufizuar dhe i përqendruar kryesisht në elitat lokale, që kërkonin privilegje politike dhe ekonomike. Konvertimi në islam siguronte Shmangien e taksave të rënda që paguanin të Krishterët (si xhizja), Qasje më të lehtë në administratën Osmane dhe mbrojtje ligjore më të favorshme. Shekulli XVII–XVIII nisi Islamizimi në masë. Ky është kulmi i konvertimeve në Islam, sidomos në zonat urbane dhe fshatare të ulëta ( Shkodër, Kosove, Diber, Shkup, Elbasan, Kavaje, Berat, Gjirokastër etj.) Perandoria Osmane shtypi disa kryengritje me karakter fetar dhe kombëtar (si ato të Malësisë apo të Epirit) dhe përforcoi kontrollin përmes institucioneve fetare islame. Megjithate mund te thuhet se ndryshimi i fesë te shqiptarët ishte një proces i gjatë, kompleks dhe shpesh pragmatik, jo domosdoshmërisht thellësisht fetar, por i favorizuar përmes kushteve ekonomike dhe sociale. Kishat Katolike dhe ajo Ortodokse u përndoqën, u varfëruan ose u vendosën nën kontrollin osman. Shekulli XIX ishte përfundimi i procesit. Në këtë kohë, shumica e shqiptarëve ishin kthyer tashmë myslimanë (sipas statistikave osmane dhe të huaja). Madje shfaqën dallime të brendshme brenda islamit, Sunitë dhe Bektashinj. Megjithate shume zona, si Shkodra, Malësia e Madhe, Mirdita, Puka, Zadrima, Lezha Korça, Permeti, Gjirokastra, Himara etj., e ruajtën Krishterimin, shpesh për shkak të traditës por edhe ndikimeve të jashtme (Italia, Venediku, Austro-Hungaria, Spanja, Greqia, etj.)

Sazani, aferë korruptive, në dëm të interesit të Shqipërisë!

0

Drejtuesja e Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja, e ftuar në në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV u shpreh kundër investimit të miratuar nga qeveria shqiptare në Sazan nga familjarë të Trump. Kalaja u shpreh se kemi të bëjmë me një aferë korruptive, në dëm të interesave të Shqipërisë dhe shtoi se nuk ka transperëcë se çfarë fiton Shqipëria.

“Unë mendoj se është problem i transparencës dhe llogaridhënies. Unë problemin e kam me qeverinë e kryeministrit Rama siç po bën me Sazanin. Çfarë informacioni kemi me këtë investim përveç propagandës 1.4 miliardë euro, si ajo me 2.4 miliardë euro të Portit të Durrësit dhe sot nuk kemi transparencë dhe llogaridhënie?

Nëse flasim për përfitime nga Shqipëia duhet të flasim. Se nga port jahtesh është kthyer në apartamente banimi. Në portin e Durrësit kemi humbje 8 miliardë euro. Të njëjtën situatë kemi me Sazanin. Ky është mendimi im personal dhe kam një licensë për eksperte kontabël.

Unë mendoj se kjo është aferë e gabuar, e korruptuar, në dëm të interesave të Shqipërisë që nuk kemi transperëcë se çfarë fiton Shqipëria. Mund të hapej një garë mund të kishin 10 kompani dhe të fitonte ajo që do të fitonte edhe Shqipëria. Dhe jo kush ka marrëdhëniet me presidentin amerikan. Në mendimin tim, ne nuk i kemi marrëdhëniet as me Trumpin, as me dhëndrin e Trumpit, por me SHBA-të. SHBA-të janë mik i Shqipërië, partner strategjik i Shqipërisë, por siç kam thënë edhe dje, ambasada amerikane duhet të mbajë pozicionin e saj vendin e saj në Shqipërinë tonë të mjerë, ashtu siç e parashikojnë marrëdhëniet ndërkombëtare dhe Konventa e Vjenës.

Sepse nuk mund ta pranojmë ne kur na shan ambasada e Biden ne hidhemi kundër, kur na shan ambasada e Trumpit kjo qenka e mirë.

Shqipëria është e jona, nuk është as e dhëndrit. Meqë e tha zoti Qori se mund t’i falë atë shtëpinë në Surrel, fatkeqësisht as atë nuk e fal dot, sepse ajo është e grabitur dhe unë në prill dhe maj, kam fituar të dyja gjyqet për tokën”- tha Kalaja.

Putin thur lavde për Trumpin: Kam respekt për të, është njeri i guximshëm!

0

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi për mediat ruse se lufta ndaj Ukrainës erdhi si shkak i zgjerimit të paprecedent të NATO-së në kufi me Rusinë, duke shkelut të gjitha marrëveshjet e mëparshme. Ai theksoi se Perëndimi nuk iu përgjigj shqetësimeve të Moskës dhe për këtë arsye ata u detyruan ta merrnin vetë në dorë situatën. Ai theksoi se Rusi e përcakton vetë kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare dhe se deklaratat e perëndimit se zgjerimi i NATO-s nuk sjell rrezik për Moskën nuk qëndrojnë.

“Në fund të fundit, për çfarë po diskutonim gjatë gjithë kohës? Ne theksuam se siguria e një kombi ose e një grupi kombesh nuk mund të vijë në kurriz të sigurisë së një tjetri. Ky parim është i sanksionuar në marrëveshjet ndërkombëtare që të gjitha palët i kanë ratifikuar. Megjithatë, në praktikë, çfarë ndodhi? Një zgjerim i NATO-s pas tjetrit. Na siguruan vazhdimisht: ‘Nuk ka asgjë për t’u frikësuar; nuk përbën kërcënim për ju’. Kur shprehëm shqetësimet tona, duke pohuar se besonim se na kërcënonte, cila ishte përgjigja? Asgjë.

Na u tha thjesht, pa asnjë dyshim, se ku të shkonim me mendimet tona. Askush nuk u shqetësua të dëgjonte ose të merrte në konsideratë perspektivën tonë. Ne e dimë më mirë se çfarë na kërcënon dhe çfarë jo. Është e drejta jonë të përcaktojmë shkallën e sigurisë sonë dhe nivelin e kërcënimeve që mund të na afrohen nga njëra anë ose nga tjetra”, tha Putin.

Më tej ai foli edhe sa i takon marrëdhënies me SHBA-në dhe presidentin Donald Trump, për të cilin tha se ka shumë respekt. Putin theksoi se Trump ka bërë një rrugë të gjatë dhe të rrezikshme për t’u rikthyer në pushtet, teksa kujtoi se i kishte mbijetuar dy atentateve.

“Kam respekt të madh për presidentin aktual të SHBA-së. Ai ka bërë një rrugë shumë të gjatë, të vështirë dhe të rrezikshme për t’u rikthyer në pushtet dhe në Shtëpinë e Bardhë. Ne të gjithë e dimë mirë këtë. Ai është një njeri i guximshëm, kjo është e qartë”, tha Putin.

Falsifikatori i Kombit

0

Shkruan Luçiano Boçi

Kur Edi Rama tha se “jemi një komb në dy shtete me Italinë”, nuk po bënte një deklaratë historike, apo një “lajthitje” me qëllim për vëmendje.
Ai po bënte një autoportret psiko-politik të përkufizuar me ato idiotizmat e tij tashmë të zakonshme që tingëllojnë si frymëzim europian, por që në thelb janë shkallmim me qëllim i dinjitetit kombëtar.

Autoportret i një antikombëtari në formën e një rrëfimi cinik, sipas të cilit, Shqipëria nuk është më komb, por një protektorat i krimit dhe vasal i interesave personale.

Kur një Kryeministër e shpall atdheun e vet jo si komb më vete, por si zgjatim folklorik i një kombi tjetër, aq më tepër duke refuzuar Kosovën e shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të Preshevës e Bujanocit, ai nuk është më udhëheqës, por zhdukës e varrmihës i identitetit e sovranitetit dhe i të vertetës historike.

Mos u habisni megjithatë!Sorosianët nuk kanë atdhe!
Dikur Hoxha na bëri vëllezër e motra me serbët, rusët, kinezët e ç’ti dilte përpara vetëm për pushtetin e tij.
Sot ky ka kapërcyer çdo imagjinatë.

Kemi parë e ndeshur Kryeministra fallsidikatorë të historisë por jo fallsidikatorë të kombit.
Rama sot është i tillë – Falsifikator i kombit.

Por shqiptarët nuk kanë nevojë për flamurin italian mbi supe.
Kemi tonin që dallon mbi të gjithë.

Shqiptarët kanë nevojë për dinjitet, identitet dhe krenari historike e shpirtërore, kanë nevojë per drejtësi shqiptare mbi kriminelët shqiptarë.
Jo për lëpirje e gjunjëzime të neveritshme për hir të pushtetit politik.

Ne, megjithë respektin për kombet e tjerë, nuk jemi as italianë, as amerikanë e as turq a grekë.

Ne jemi qartë dhe thjesht shqiptar-një komb me historinë e lavdinë e vet krenare.
Po, është e vërtetë që Shqipëria e Ramës ka shumë ngjashmëri me Italinë, por jo me Italinë e kulturës, të ligjit, apo të demokracisë.
Jo!

Ka po ngjashmëri të thellë me Italinë e Cosa Nostra-s, Ndraghetës, Omertà-s dhe të marrëveshjeve në bodrum.
Pavarësisht emrave ne kemi të njejtën mafie e nuk jemi i njëjti komb.

A e di ky njeriu shkombëtarizues e shpopullues i vendit se ç’është një komb?!
Kombi është gjuha, konstitucioni shpirtëror, territori, historia…

Kombi nuk është kryeministri e aq më tepër nje i tillë-Çubrilloviç.
Kombi as nuk mund të përfaqësohet nga një Kryeministër drejtues i koorparatês së krimit dhe avokat i trafikantëve dhe ndëshkues i gazetarëve.

Nga një Kryeministër që e ndërsen drejtësinë e kapur dhe SPAK-un të vrapojë pas opozitës, ndërsa mbyll dosjet e klientelës së qeverisë.

Nga një Kryeministër që blen vota me para, drogë dhe presion administrativ.
Nga një Kryeministër që e përsor Policinë si bodyguard të krimit të organizuar dhe realizuese e gardiane e grabitjeve të zgjedhjeve.

Në këtë republikë me emër Shqipëria, sot nuk jeton thjesht një komb, por mbahet peng një popull.

Dhe pengmarrësi sorosian, me kostum, atlete dhe vizatime në letër, i flet Italisë si i njënjti komb, ndërkohë që vendin e vet e ka shndërruar në një laborator të kanabizimit institucional.

Në Itali, mafia luftohet nga shteti. Ndërsa në Shqipëri, mafia është vetë shteti.
Prandaj ne nuk jemi një komb në dy shtete.

Kjo qeverisje pa atdhe është një mafie që kërkon të fshihet pas flamurit të një kombi tjetër – se me të vetin nuk guxon më të përballet.

Hetimet mbi skandalin me subvencionet e BE-së, dorëhiqen 5 zyrtarë të lartë në Greqi

0

Pesë zyrtarë të lartë të qeverisë greke, përfshirë një ministër dhe tre zëvendësministra, dhanë dorëheqjen të premten pas akuzave për përfshirje në një skandal korrupsioni që lidhet me keqmenaxhimin e subvencioneve bujqësore të Bashkimit Evropian.

Rasti lidhet me keqadministrimin e dyshuar të fondeve të BE-së për bujqësinë në periudhën 2019–2022 nga agjencia shtetërore OPEKEPE, e ngarkuar me shpërndarjen e subvencioneve.

Sipas Zyrës së Prokurorit Publik Evropian, një numër i madh individësh përfituan padrejtësisht subvencione bazuar në deklarata të rreme, duke pretenduar se zotëronin ose kishin marrë me qira kullota që në të vërtetë ishin tokë publike. Deklarata të rreme mbi numrin e bagëtive janë dorëzuar deri në vitin 2024, duke lejuar vazhdimin e pagesave.

Prokuroria i dorëzoi parlamentit grek një dosje të plotë këtë javë, që përfshin dyshime për përfshirjen e ministrave të qeverisë në një skemë të organizuar mashtrimi. Për shkak të imunitetit parlamentar, një hetim penal mund të zhvillohet vetëm pas miratimit të parlamentit.

Ministri i Migracionit dhe Azilit, Makis Voridis – i cili më parë ka shërbyer si ministër i Bujqësisë në vitet 2019–2021 – dha dorëheqjen përmes një letre drejtuar kryeministrit, duke deklaruar pafajësinë dhe synimin për të pastruar emrin e tij.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis pranoi dorëheqjet e Voridisit dhe të zëvendësministrave të Punëve të Jashtme, Bujqësisë dhe Ushqimit, Qeverisjes Dixhitale, si dhe të Sekretarit të Përgjithshëm të Bujqësisë dhe Ushqimit.

Sipas zëdhënësit të qeverisë, Pavlos Marinakis, zëvendësimet për postet bosh do të shpallen në ditët në vijim.

Ndërkohë, Komisioni Evropian ka njoftuar se do të ulë me 5% fondet bujqësore për Greqinë, në një total prej 392 milionë eurosh.

Lakmitar…

0

Shkruan Veronike Shkreli Pepushaj

Lakmitar…

Mister, brenda misterit, në jetë
E mërzitem me ty, deri në agoni.
Dhe pa zë, lëshon e ikën skajeve
Kurr s’pyt, nëse mund të t’mbrrij.

Tradhtare me vese, veten e sajdis
Folen e lë bosh, arratisesh dhe ik.
Ti prek, ti sheh, krejt je e pa besë
Bota dhe unë fjet ti punon si bletë.

Atë çka unë ndiej dhe kam dëshirë
Xhelozoj, mbas teje të mund të vij.
Por ti fluturimthi, si e marrë vrapon
Të të ndal, gjithçka mua m’mungon.

Pëveçse kur zbret, në ndonje’gosti
Jetoj pak çaste duke u kënaq me ty.
Duke e shijuar, aty mashtrimit tënd
Ti vrap humbesh, ik e ndërron vend.

Mandej i kthehem, botës së përdalë
Me ftyra të ngrysura, në faj e pa faj.
Mashtrimi i rritur, kalon deri n’banal
Pëlqimi i s’keqes, i kthyer n’skandal.

Kyrse ti i perkëdhel e ulesh gjunjazi
Edhe urren, falënderon e përmallesh.
E çfar sheh, i shmang e i qet caqeve
Buzëqeshë, e largimin jep peshqesh.

Magjistare e bukur, o tradhti e shpejt
Ti të mban gjallë edhe të jep shpresë.
Lozonjare e mirë, qeshë e ç’përqeshë
Lakmitar n’ty mbes e je përmbi mbret.

Mbyllet rinumërimi i votave të numëruara për Tiranën – Ja rezultati i ri

0

Procesi i rinumërimit të votave të numëruara në qarkun e Tiranës, i cili përfshinte votat për subjektet politike dhe kandidatët individualë, nuk ka sjellë asnjë ndryshim në shpërndarjen e mandateve të deputetëve. Lajmi është konfirmuar nga anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Anëtari i Kolegjit Administrativ të Shqyrtimeve (KAS), Ledio Braho, deklaroi për mediat se procesi i rinumërimit ka përfunduar pa asnjë modifikim të rezultatit fillestar. Ai e cilësoi procesin si transparent për të gjitha partitë politike të interesuara, si dhe për publikun e gjerë. Lidhur me disa raste të keqnumërimit të votave të konstatuara gjatë procesit, Braho sugjeroi se ato mund të kenë qenë rezultat i gabimeve njerëzore të kryera gjatë numërimit fillestar.

Sipas Brahos, rinumërimi i votave në qarkun e Tiranës i ka shërbyer në tërësi procesit zgjedhor për të rritur transparencën, veçanërisht pas akuzave të ngritura për manipulim apo tjetërsim të votave. “Unë mendoj se për aq kohë sa jemi në demokraci, transparenca gjithmonë i shërben demokracisë. Qëllimi i kërkesës sonë ky ka qenë, pra, të bëhet transparencë. Pavarësisht se, siç kam thënë e herë të tjera, nuk ka pasur lëvizje të konsiderueshme votash, që të bëjnë pis procesin, është e rëndësishme që po të shohim qëndrimet e disa prej kandidatëve, që kanë ndryshuar tashmë që pas hapjes së kutive, tregon që kjo i ka shërbyer procesit,” tha Braho. Ai shtoi se rinumërimi ka eliminuar akuzat për trafikim votash, si brenda subjekteve politike ashtu edhe mes tyre, duke i konsideruar lëvizjet e vogla të votave si çështje gabimi njerëzor gjatë numërimit në Qendrat e Numërimit të Votave (QNV) ose si çështje të fletëve të votimit me vlefshmëri të diskutueshme.

Një tjetër anëtar i KAS-it, Koli Bele, gjithashtu theksoi rëndësinë e kujdesit para se të hidhen akuza për trafikim votash ndaj komisionerëve. Ai vuri në dukje se presioni dhe lodhja kanë qenë të konsiderueshme gjatë procesit të numërimit dhe se gabimet e mundshme mund të jenë rezultat i faktorëve njerëzorë. “Duhet të kuptoni që këtu ky proces ka dy filtra të tjerë. Në qendrën e numërimit është thjesht grupi që numëron që e hedh edhe në sistem. Ndërkohë këtu ka një kontroll, pra është tjetër operatori nga grupi i numërimit dhe ka një person i cili e konfirmon dhe përsëri në mungesë presioni edhe këtu kemi pasur gabime. Mendoni në qendrën e numërimit në orën 2 të natës kur hidhen procesverbalet. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm para se të deklarojmë se komisionerët kanë trafikuar apo kanë vjedhur vota sepse këto kanë qenë gabime të cilat kur ndodhin në këtë situatë pa presion me dy turne, mendoni në situatën e një qendre numërimi,” u shpreh Bele.

Në përfundim, rinumërimi i votave në qarkun e Tiranës nuk ka sjellë ndryshime në mandate, por sipas anëtarëve të KAS-it, ka shërbyer për të rritur transparencën e procesit zgjedhor pas akuzave të ndryshme.

Vërtet kaq idiotë i dini shqiptarët, që të votojnë një Qeveri të korruptuar si kjo e Ramës?

0

Fatos Lubonja komentoi në emisionin “Log.” në News 24 rinumërimin e votave pas zgjedhjeve të 11 majit, duke e cilësuar procesin si “shumë zhurmë për asgjë”.

Sipas tij, manipulimi zgjedhor është bërë përpara datës së zgjedhjeve, në kushtet e një partie-shtet që kontrollon çdo pushtet.

Lubonja theksoi se Shqipëria nuk ka arritur ende të ndërtojë një sistem zgjedhor të pakontestueshëm.

Ai u shpreh se vendi po shkon drejt stabilizimit të një regjimi, që nuk lëshon pushtetin nëpërmjet zgjedhjeve.

“Hapja e kutive më duket si shumë zhurmë për asgjë. Kjo, sepse manipulimi i zgjedhjeve është bërë para 11 majit. Kemi një lloj partie-shtet, që kontrollon gjithçka.

Një parti që fiton në çdo zgjedhje më shumë vota, ka shpjegim që kontrolli i pushtetit nga PS është rritur.

Nuk është sukses qeverisjeje, sepse ka pasur skandale plot në këto vite, e ky popull kaq idiot nuk është për të mos e ndëshkuar qeverisjen.

Ka dy narrativa. Një narrativë është që probleme kemi, por hapa kemi bërë përpara. Narrativa tjetër është se nuk bëhet fjalë për ecje përpara, por për stabilizimin e një regjimi, që kontrollon gjithmonë e më shumë e më me ankth votat.

Besoj se kjo e dyta është më e besueshme si narrativë.

Zgjedhjet vazhdojnë që kontestohen e Shqipëria nuk ka ndërtuar dot një sistem zgjedhor të pakontestueshëm dhe është një vend, që nuk kalon testin e demokracisë. Këtu është instaluar një regjim, që nuk e lëshon pushtetin me proces zgjedhor.

Edhe opozita ka thënë se nuk ka zgjedhje të lira dhe pastaj thotë që do hyj në zgjedhje e do fitoj, edhe kjo është kontradiktore” – tha Lubonja.

POSTIMET E FUNDIT