Kreu Blog Faqe 162

Qeveri pa legjitimitet, opozitë pa bosht.

0

Shkruan Nard Ndoka

Në këtë vend nuk ka më një përballje politike – ka një boshllëk legjitimiteti në njërën anë, dhe një boshllëk morali në tjetrën.
Qeveria e Ramës qeveris pa votë reale, pa standarde, pa garë. Pret me frikë bubullimat nga SHBA e Europa, ndërsa mbulon me propagandë një të vërtetë të thjeshtë: ajo nuk përfaqëson më shumicën, por një regjim të menaxhuar me klientë, presione dhe krim elektoral.
Sa herë që SHBA lëshon një mesazh, qeveria ul kokën. Sa herë që Europa ngre zërin, Rama kthen sytë nga Brukseli si nxënësi që s’ka bërë detyrat. Kjo nuk është qeverisje – është mbijetesë.
Opozita nga ana tjetër ka humbur rrugën, moralin dhe besimin e njerëzve. Nuk është se s’ka kauzë – është se nuk ka më frymë. S’e kupton se populli nuk i beson më as partive, as emrave që flasin për ndryshim nga karriget që i kanë përdorur si trampolina personale.
A duhet të largohet Berisha? Pyetje që qarkullon kudo, me zhurmë, por jo domosdoshmërisht me drejtësi.
Unë them:
Jo. Sali Berisha nuk duhet të largohet – por duhet të transformohet.
Të udhëheqë me një axhendë të re, me transparencë dhe drejtim përtej egove.
Zgjidhjet që duhen sot:
1. Denoncimi me prova i krimit zgjedhor dhe përfshirja e ndërkombëtarëve në këtë proces, me forcën e fakteve dhe jo thirrjeve emocionale.
2. Riformatim i opozitës, jo si pronë partie, por si front kombëtar i përfaqësimit opozitar në Kuvend.
3. Hapje reale e PD-së, me figura të reja, profesionistë, personalitete nga fusha të ndryshme. Pa “galloshet e vjetra”, pa nostaligjikë të karriges.
4. Krijimi i një Lëvizjeje të re politike, që tejkalon emrat dhe siglat, që ngjall shpresë dhe prodhon lidership të vërtetë.
Koha kërkon guxim – por edhe vetëdije se pa një opozitë të reformuar nuk ka as rotacion, as demokraci, as ndryshim.
Sot, opozita ka nevojë për Berishën – por për një Berishë që sheh nga e ardhmja, jo nga pasqyra. Dhe më shumë se për gjithçka tjetër, ka nevojë për besimin e humbur të njerëzve. Pa të, s’mund të fitohet asgjë.

Bashkia e Tiranës dha leje për ndërtime me vlerë 1.8 miliardë euro në vitin 2024

0

Shtimi i lejeve të ndërtimit dhe të detyrimit për taksën e ndikimit në infrastrukturë pas referencave, vijojnë t’i sigurojnë nga kjo taksë arkëtime rekord bashkisë së Tiranës.

Në total, për 2024, nga taksa e ndikimit në infrastrukturë rezultojnë se janë arkëtuar 14,3 miliardë lekë apo rreth 147 milionë euro të ardhura, sipas burimeve zyrtare nga bashkia. Krahasuar me planin fillestar prej 6,3 miliardë lekë të planifikuar, arkëtimet janë rritur 226%.

Për Tiranën, taksa e ndikikimit në infrastrukturë është në nivelin 8% dhe llogaritet për metër katror mbi çmimet e referencës të cilat prej muajt korrik 2023 (zbatimi nis nga muaji gusht) u rritën nga 5 deri 76% për 32 zonat kadastrale të Tiranës.

Arkëtimi prej 14.3 miliardë lekë për këtë taksë prej 8% do të thotë që bashkia e Tiranës ka dhënë leje ndërtimi për një vlerë totale prej 179 miliardë lekë, ose rreth 1.8 miliardë euro, një rekord historik ky.

Të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë zunë rreth 54% të totalit të të ardhurave tatimore dhe jotatimore të realizuara për 2024. Në total të ardhurat tatimore dhe jotatimore të arkëtuara për 2024 ishin 26,6 miliardë lekë apo 146% më shumë se plani.

Rritja e arkëtimeve vijon të ndikohet prej shtimit të detyrimeve prej taksës së ndikimit në infrastrukturë pas rritjes së çmimeve të referencës nga muaji gushti 2023, si dhe rritja e sipërfaqes së lejeve të ndërtimit.

Taksës së ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja i nënshtrohen të gjitha subjektet që kërkojnë të pajisen me leje zhvillimore dhe leje ndërtimi për objekte banimi, administrative, prodhimi, shërbimi e tjera. Taksa paguhet nga ndërtuesit para zbardhjes së lejes së ndërtimit.

Në muajin shtator 2024 Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë depozitoi në Gjykatën Kushtetuese padinë për shfuqizim të pjesshëm të VKM që rriti çmimet e referencës për apartamentet, pasi ishte joproporcional, cenonte lirinë ekonomike, të drejtën e pronës private, parimin e sigurisë juridike.
Nga konkluzionet e prezantuara në Gjykatën Kushtetuese prej përfaqësuesve të Shoqatës së Ndërtuesve, pohuan se mbështetur në analizat konkrete për lejet e miratuara të ndërtimit, llogaritja e taksës së ndikimit në infrastrukturë me çmimet e reja të referencës rrit 80% barrën fiskale te ndërtuesit.

Sipas tyre kjo do të rrisë çmimet e apartamenteve 200 deri 300 euro për metër katror.

Pas shqyrtimit të padisë Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Shoqatës së Ndërtuesve për shfuqizimin e vendimit, duke e cilësuar pretendimin e tyre të pabazuar.

Në 2024-n, sipërfaqja e lejeve të ndërtimi arriti një nivel rekord prej mbi 1.9 milionë metra katror. Kjo është sipërfaqja më e lartë e dhënë ndonjëherë për ndërtim për kryeqytetin, të paktën që nga viti 2005, kur INSTAT raporton të dhënat për Tiranën.

Në krahasim me vitin e mëparshëm, sipërfaqja e dhënë për ndërtimin në 2024-n u rrit me rreth 36%, ndërkohë që është dhe rreth 7% më e lartë se në 2022, kur shënohej rekordi i deritanishëm me 1.8 milionë metra katror./ Monitor

Pse ka individë që adhurojnë mafiozin dhe kryetarin e mafies?

0
Spartak Ngjela

Shkruan Spartak Ngjela

Gjithçka ndryshon; asgjë nuk humbet; gjithçka transformohet në kohën; kurse ne njerëzit kemi një specifikë të veçantë me kalimin  e viteve:

Për ne, më e rëndësishme nga gjithçka është mendimi.

Prandaj pyetja që ngrihet për një individ është kjo: a ka mendimin e tij ky njeri; apo përsërit mendimet e të tjerëve?

Dhe këtu ndahet realisht e përgjithshmja nga individualia.

Por individualiteti në shkëlqim i një individi nuk pranohet nga të gjithë. Kurse kjo nuk ka rëndësi, sepse e rëndësishme është që ti të kesh individualitetin tënd; dhe ky individualitet të ketë lidhje me dijen, me të vlrtetën apo me profesionin.

Je shkencëtar

Je filozof

Je shkrimtar i famshëm

Je profesor  në shkencë

Je piktor i famshëm

Je muzikant i famshëm

Je sportist i famshëm

Të gjithë këta janë njerëz të njohur dhe me famë. Por këtu duhet të jemi të qartë se edhe një hajdut i famshëm është i njohur; dhe jo të gjithë e urrejnë.

Edhe një diktator i përgjakshëm është i njohur, por jo të gjithë e urrejnë; se ka nga ata që me vullnet japin dhe jetën për diktatorin.

E pra, mos e mendoni gjithmonë famën si një fenomen pozitiv; sepse fama e një individi të njohur mund të ketë edhe sens kriminal; dhe sigurisht që njeriu i ndershëm nuk e pranon; por ja që ka individë që adhurojnë edhe mafiozin; edhe kryetarin e mafies.

Por pse ndodh kjo?

Është e thjeshtë, sepse sot si shkrimtari i famshëm; si sportisti i famshëm; si filozofi i njohur dhe artisti apo muzikanti i famshëm – të gjithë formojnë famën; pavarësisht nëse kjo, në lidhje me moralin, është ose nuk është e moralshme.

Dhe ky është një realitet.

Por pse shoqëria njerëzore ndodhet përballë këtij realiteti ku, si shpikja shkencore; si letërsia e madhe; si arti i madh dhe si krimi shtetëror ose dhe krimi i përbotshëm, kanë famë??

Ja kjo ende nuk ka një aksiomë logjike që t’i përgjigjet së vërtetës.

Por nuk duhet të harrojmë se vetëm e vërteta ka vlerë reale. Dhe e vërteta që të ekzistojë realisht duhet të jetë e vërtetë.

Por deri tani, në historinë njerëzore, gënjeshtra e ka dominuar të vërtetën; me përjashtim të shkencës.

Jo, në shkencë e vërteta është absolutja e madhe që e dominon me shumë forcë të gënjeshtërtën

E pra, prandaj koha jonë moderne u shkput nga të gjitha kohërat e tjera:

Sepse në kohën tonë e vërteta lind dhe ecën në zhvillim nga shkenca.

Prandaj koha jonë është koha e shkencës; dhe prandaj personaliteti i njeriut është aq lart në Botën Perëndimore; sepse edhe shkenca në Perëndim është në Apogje.

Autoritetet serbe ndalojnë një ish-pjesëtar të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës

0

Arbnor Spahiu, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative (NjSO) të Policisë së Kosovës, është ndaluar më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare Horgosh dhe është dërguar në qendrën e ndalimit në Kanjizë, ka bërë të ditur avokati i tij, Arianit Koci.

Përmes një postimi në Facebook, Koci ka thënë se ndonëse Spahiu ka tre vjet që nuk është pjesë e Policisë së Kosovës dhe jeton në Gjermani, ai është marrë në pyetje për rastin Banjska – që ka të bëjë me sulmin e një grupi të armatosur serb kundër Policisë së Kosovës në këtë fshat të Zveçanit, në shtator të vitit 2023.

Kosova e konsideron këtë sulm terrorist dhe akuzon shtetin e Serbisë për organizimin dhe kryerjen e tij.

“Ky rast është serioz dhe nuk është i izoluar”, ka thënë Koci.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës për të marrë më shumë informacione për këtë rast, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Avokati Koci ka pretenduar se ndalimi i Arbnorit është reagim i drejtpërdrejtë i zbulimit të Aleksandar Vllajiqit, i cili është dënuar me pesë vjet burgim nga autoritetet e Kosovës, ditë më parë, pasi e ka pranuar ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA).

Sipas Kocit, pranimi i fajësisë nga Vllajiq ka vërtetuar se “BIA serbe ka vepruar brenda territorit të Kosovës dhe brenda strukturave të saj të sigurisë”.

Autoritetet serbe kanë ndaluar disa herë shtetas të Kosovës në territorin serb, nën dyshimet për krime lufte. Autoritetet e Kosovës i kanë konsideruar gjithmonë këto arrestime si arbitrare dhe kanë kërkuar lirimin e tyre.

Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur thuajse fare.

Trump zbarkon Gardën Kombëtare pas ditës së dytë të protestave për emigracionin në Los Angeles

0

Presidenti Donald Trump ka nënshkruar një memorandum presidencial që vendos 2,000 ushtarë të Gardës Kombëtare në Los Angeles për të shpërndarë protestat që filluan në përgjigje të bastisjeve ndaj emigracionit, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë të shtunën në mbrëmje.

Autoritetet e emigracionit dhe demonstruesit janë përleshur për dy ditë në zonën e Los Angeles, me trazirat që filluan të premten pasi dhjetëra njerëz u ndaluan nga agjentët federalë të emigracionit në vende të ndryshme. Arrestimet vijnë mes masave të ashpra të Trump ndaj emigracionit, të cilat kanë përfshirë valë bastisjesh dhe deportimesh në të gjithë vendin.
Zbatuesit e ligjit me pajisje për trazira përdorën gaz lotsjellës dhe shkrepëse për të shpërndarë turmat në qendër të Los Angeles dhe qytetin e Paramount gjatë dy ditëve, me autoritetet që raportuan arrestime të shumta të shtunën.
“Këto operacione janë thelbësore për të ndaluar dhe përmbysur pushtimin e kriminelëve të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara. Pas kësaj dhune, udhëheqësit demokratë të paepur të Kalifornisë kanë hequr dorë plotësisht nga përgjegjësia e tyre për të mbrojtur qytetarët e tyre”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, në një deklaratë.
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, e quajti vendosjen e trupave “qëllimisht nxitëse” dhe paralajmëroi se kjo vetëm sa do të përshkallëzonte tensionet.

Kandidati presidencial i Kolumbisë qëllohet në kokë gjatë një tubimi

0

Kandidati presidencial kolumbian, Miguel Uribe Turbay, është qëlluar tre herë, dy herë në kokë, gjatë një aktiviteti zgjedhor në kryeqytetin Bogota. Sulmi ndodhi ndërsa ai po fliste në një park përpara një grupi të vogël mbështetësish.
Një i dyshuar 15-vjeçar u arrestua në vendngjarje. Uribe, 39 vjeç, u transportua me helikopter në klinikën Sante Fe dhe ndodhet në gjendje kritike. Bashkëshortja e tij u bëri thirrje qytetarëve të luten për jetën e tij.

Partia e tij, Centro Democrático, e dënoi sulmin si një kërcënim serioz ndaj demokracisë, ndërsa qeveria e presidentit Gustavo Petro dhe zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, përfshirë Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Marco Rubio, shprehën dënimin e tyre të fortë.

Uribe vjen nga një familje e njohur politike. Nëna e tij, gazetarja Diana Turbay, u vra më 1991 gjatë një përpjekjeje për ta shpëtuar nga rrëmbimi nga karteli i Medellín. Uribe shpalli kandidaturën e tij presidenciale për zgjedhjet e 2026-ës në tetor.

Pas akuzave publike se favorizoi Mafian e drogës, Altin Dumani i përgjigjet fort Sali Berishës

0

Akuzave të kryetarit të PD Sali Berisha se ka favorizuar PS duke arrestuar anëtarët e organizatës Troplini pas zgjedhjeve, kreu i SPAK Altin Dumani iu përgjigj në konferencën ku ishte së bashku me homologët e Finlandës.

I pyetur nga gazetarët zbuloi etapat e masave të kërkuara nga antimafia italiane duke rrëzuar çdo aludim.

Organizata Troplini u hetua në një operacion të përbashkët shqipëri Itali, ku rol dha dhe dëshmia e të penduarit Nuredin Dumani, bisedat në SKY ECC por edhe përgjimet në terren në të dy shtetet!

Akuzat për abuzime nga Anduela Ristani, Shabani kërkon interpelancë urgjente me Kryetaren e deleguar të Bashkisë

0

Kryetari i Nismës Thurje, Endrit Shabani, ka kërkuar sot zyrtarisht zhvillimin e një interpelance urgjente me Kryetaren e deleguar të Bashkisë, Anduela Ristani.

Kërkesa vjen pas raportimeve të bëra publike në emisionin investigativ “Piranja”, ku pretendohet se një automjet zyrtar i Bashkisë së Tiranës është përdorur për transportin e familjarëve të Ristanit, në kundërshtim me ligjin dhe me etikën e funksionit publik.

Në dokumentin zyrtar drejtuar Këshillit Bashkiak, Shabani thekson se “Bashkia nuk është pronë private dhe mjetet publike nuk janë për shërbimin e familjarëve të pushtetarëve.”

Ai shton se transparenca nuk është zgjedhje, por detyrim ligjor, ndërsa shpërdorimi i detyrës përbën vepër penale të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Krahas interpelancës, Shabani ka kërkuar gjithashtu që Bashkia të vërë në dispozicion të Këshillit një listë të plotë të automjeteve në pronësi të saj, informacion mbi personat që i përdorin këto mjete, si dhe regjistrat zyrtarë të lëvizjeve dhe itinerareve, siç e kërkon legjislacioni në fuqi.

Shabani kërkon që Këshilli Bashkiak të marrë përgjegjësinë që i takon dhe të thërrasë seancën dëgjimore dhe të ushtrojë funksionin e tij kushtetues për kontroll dhe transparencë.

Kryetarja e Bashkisë Tiranë i vë burrit në dispozicion makinën dhe shoferin e institucionit që drejton! ‘Shpërthen’ para kamerave: Legena, maniakë…

0

Drejtuesit e institucioneve tona, të cilëve iu vihen në dispozicion automjete bashkë me shofer, e nganjëherë edhe me badigard, e kanë kthyer në normalitet shfrytëzimin e tyre për nevoja të familjes.

Në disa raste ne kemi denoncuar abuzimin që bëhet me makinat, karburantin dhe burimet njerëzore që paguhen nga taksat tona. Protagonistët e temave tona janë drejtues të rangjeve të ndryshme, që nga ish-ministrja e jashtme Olta Xhaçka, e cila kishte vënë në dispozicion të nënës së saj notere një makinë të ministrisë, apo ish-drejtorja e Illyrian Gard, e cila përcillte fëmijët për në shkollë me makinën e institucionit.
Raste të ngjashme ka patur me shumicë, kur drejtorë, kryetarë të bashkive apo edhe ministra, e nisin ditën duke përcjellë fëmijët në kopësht apo në shkollë, në mos vetë, përmes shoqëruesve të tyre me rrogë shteti. Kjo tendencë e abuzimit me pushtetin kishte zënë rrënjë edhe në bashkinë e Tiranës, kur vetë kryetari Erjon Veliaj çonte çdo ditë në kopësht djalin e tij.

Por ndoshta ky përdorim i aseteve shtetërore në dispozicion të fëmijëve, nuk përbën ndonjë çudi në këtë vend, kur shkelja e ligjit bëhet çdo ditë hapur.

Problemi është se nganjëherë abuzimi kthehet në ves, dhe nuk mjafton aq sa thamë më sipër, por zullumi duhet të kapërcejë çdo nivel dhe ai mjeti që shteti të ka vënë në dispozicion, duket se i rri ngushtë familjes.

Prandaj duhet një tjetër mjet shtetëror, në dispozicion. Por tani le të bëhemi konkretë.

Është e hënë, data 2 Qershor 2025, dhe kjo autoveturë e bardhë me targë AB649LD, që po del nga një garazh në Kodrën e Diellit, është pronë e bashkisë Tiranë. Shoferi në timon quhet Ladimir Kapaj, edhe ai punonjës i këtij institucioni….

Ku qëndron problemi këtu? Për ta mësuar këtë, na duhet të bëjmë 3 km deri në hyrjen e presidencës, kur nga mjeti zbret ky zotëri, i cili në realitet nuk ka aspak lidhje as me shoferin dhe as me makinën e bardhë nga e cila zbriti. Zotëria në fjalë quhet Bledi Cikopana, punonjës i kabinetit të presidentit të republikës.

Me sa duket, bashkia e Tiranës, duke parë mungesën e mjeteve për stafin e presidencës, paska vendosur të kontribuojë, me autovetura elektrike dhe me shoferë në dispozicion të punonjësve të presidencës.

Në fakt jo. Sepse përtej ironiës, zoti Cikopana është bashkëshorti i kryetares aktuale të Bashkisë së Tiranës, zonjës Anuela Ristani, dhe kjo që sapo patë nuk është diçka që ndodhi vetëm një ditë. Mjeti në fjalë është tërësisht në dispozicion të familjes së zonjës kryetare.

Në garazhin në Kodrën e Diellit dita nis herët. Shoferit personal të zonjës Ristani i bashkohet edhe kolegu i tij, i cili ka një detyrë tepër të rëndësishme, të shoqërojë familjarët.

Dy vartësit presin rreth 15 minuta deri kur secili prej tyre niset në destinacionin e paracaktuar. Njëri me makinën ngjyrë gri me targë AB338OA në dispozicion të zonjës Ristani që lëviz drejt një destinacioni të cilin do ta zbulojmë pak më vonë, dhe tjetri, që më përpara përcjell vajzën e saj në shkollë, dhe më pas kthehet dhe merr bashkëshortin… zotin Cikopana.

E gjitha kjo vajtje-ardhje e mjetit të bardhë, zgjat rreth një orë. Më pas makina parkohet tek bashkia në pritje të ndonjë pune të shpejtë për llogari të bashkisë… Por jo për shumë kohë, sepse dreka vjen dhe familjarët e kryetares duhen dërguar në shtëpi.

Është e martë, data 3 Qershor 2025… Makina e bardhë niset nga Kodra e Diellit duke kryer me përpikmëri itinerarin e paracaktuar drejt presidencës. Zoti Cikopana zbret nga makina dhe shkon drejt zyrës. Në të njëjtën kohë, shoferi i bashkisë që ai ka në dispozicion, largohet për të bërë ndonjë punë për të cilën paguhet nga taksat tona.

Tani le të kthehemi pak tek mjeti ngjyrë gri me të cilin lëviz kryetarja Ristani. Këtu nuk do të kishim diçka të pazakontë nëse çdo ditë në orën 8 të mëngjesit, qytetarja e parë e Tiranës të shkonte në zyrën e saj, me makinën e vënë në dispozicion sipas protokollit. Në realitet, itinerari është krejt i ndryshëm….

Sepse dita për zonjën Ristani nis jo në punë, por në palestër. Fundja, shëndeti mbi të gjitha. Punët në bashkinë e Tiranës po shkojnë aq mirë së fundmi, sa edhe mund të presin.

Ora shënon 9:10 minuta dhe kryetarja e bashkisë sapo ka dalë nga palestra. Tashmë me veshjen zyrtare, ajo drejtohet për në zyrë…. atje ku e presin hallet e qytetarëve.

Është dita e tretë e vëzhgimit tonë. Mjeti i bardhë është i saktë si një orë zvicerane. Në të njëjtin vend merr bashkëshortin e kryetares, për ta çuar në punë… Thuajse në të njëjtën kohë, mjeti ngjyrë gri i kryetares mbërrin përpara palestrës. Duket se zonja Ristani po ndjek një program shumë të ngjeshur me ushtrime.

Por le të kthehemi tek hyrja e presidencës, atje ku makina e bardhë sapo ka mbërritur. Në përballjen me ne, bashkëshorti i kryetares ka preferuar heshtjen, ndërkohë që mjeti i bardhë i drejtuar nga punonjësi i bashkisë, Ladimir Kapaj, është larguar menjëherë.

Por ndoshta zonja kryetare mund të ketë mirësinë që të na sqarojë se pse një makinë e bashkisë së Tiranës vihet tërësisht në dispozicion të burrit të saj, dhe pse ajo çdo ditë shkon me një orë vonesë në zyrë, pa ndonjë shkak që lidhet me punën që bën.

Në fakt, për këtë na u desh të presim edhe një orë tjetër, deri sa ajo të dilte nga palestra. Ndërkohë, zonja Ristani e humbet toruan duke folur gjëra që nuk kishin aspak lidhje me pyetjen e thjeshtë: Pse ka vendosur një makinë të bashkisë në dispozicion të burrit, i cili punon në Presidencë?!

Meqë pas daljes nga palestra, zonja Ristani nuk na dha asnjë përgjigje, përkundrazi nisi një lumë fyerjesh, kërkuam të flasim edhe njëherë me të, kësaj radhe në dyert e bashkisë, ku me sa duket të njoftuar më parë, e prisnin një skuadër e tërë policësh.

Por sërish pa rezultatin që prisnim! Në kulmin e zemërimit, zonja Ristani na akuzon se po përndjekim fëmijën e saj, ndërkohë që për hir të etikës, kemi hequr çdo pamje që tregon përcjelljen në shkollë të vajzës së saj me makinën e bashkisë. Sidoqoftë, ky është halli i saj dhe jo i yni.

Kur argumentet përplasen me mungesën e arsyes dhe të normave të edukatës, vazhdimi i këtij diskutimi me zonjën kryetare duket një mision tërësisht i pamundur…. Por sidoqoftë, shpresojmë që kjo që sapo patë, të shërbejë për dy gjëra.

E para, që makina e bashkisë me targë xxxxxx, dhe shoferi i saj, të rikthehen në punët e përditshme të këtij institucioni, pa u detyruar të vihen çdo ditë në shërbim të bashkëshortit të kryetares.

Dhe e dyta, që kjo e fundit, ta shtyjë orarin e palestrës për më vonë, dhe të rikthejë prioritetet që ka kryeqyteti…. sepse banorët e Tiranës nuk i kanë asnjë borxh kësaj zonje… përkundrazi…

POSTIMET E FUNDIT