Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) në seancën e parë të gjyqit në themel, SPAK ka urdhëruar Byronë Kombëtare të Hetimit që t’i dërgojë në qeli kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, të gjitha aktet hetimore të dosjes ndaj tij.
Sipas informacioneve, pasditen e së martës materialet hetimore, të përbëra nga 72 fashikuj me rreth 28 mijë faqe, janë transportuar me një furgon drejt burgut të Durrësit, ku Veliaj po mbahet në arrest.
Gjykata e Posaçme vendosi më 9 shkurt kalimin për gjykim të dosjes që përfshin Erion Veliajn, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe 28 persona të tjerë, përfshirë edhe disa shoqëri tregtare.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa Prokuroria e Posaçme kishte dërguar kërkesën për kalimin e dosjes për gjykim rreth pesë muaj më parë.
Ndaj Veliajt janë ngritur disa akuza, përfshirë korrupsion pasiv në nëntë raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Sipas prokurorisë, për rastet e dyshuara të korrupsionit ai ka përfituar në mënyrë të paligjshme shuma monetare dhe pasuri të paluajtshme nga kompani që kanë marrë leje ndërtimi ose kanë përfituar fonde publike nga Bashkia e Tiranës.
Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion pasiv në nëntë raste, si dhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave.
Ndërkohë, biznesmenët e përfshirë në dosje akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, si dhe për fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, ndërsa ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.








