Shkruan Qamil Gjyrezi
Para disa ditësh kam promovuar në sallën e Akademisë së shkencave në Tiranë, librin tim: ‘Studim për psikanalizën e muzikës’. Krahas shumë pjesmarrësve në këtë promovim, ishte edhe piktori dhe profesori i njohur i artve vizive Gazmend Leka. Në fillim të referimit tim falenderova për mbështetjen në studimin tim Profesor Vaso Tole, Profesor Stefan Capaliku dhe Profesor Edmond Buharaja që nuk jeton më. Në këtë kontekst falenderova edhe Profesor Gazmend Leka, që më ka mbështetur në studimin tim, për shenjën vizuale, shenjat gjuhësore dhe psikoanalizën e muzikës. Para disa vitesh më ka ftuar në leksionet e tija, në Universitetin e arteve në Tiranë, për të bashkëpunuar në disa leksione të semiotikës së pikturës. Shenja muzikore, kërkon njohjen edhe të shenjave vizuale. Semiotika e pikturës është studimi i veprave të shenjave dhe simboleve të artit, individualisht ose të grupuar në sisteme shenjash që mund të na japin më shumë njohuri nga burimi dhe kuptimi i punës. Ekziston një ngjashmëri e madhe midis krijimit të imazhit piktorik dhe krijimit të gjuhës së shkruar, studimi i kësaj natyre të asaj që përbëhet dhe përbërësit individualë të gjuhës pikturore dhe të shkruar njihet si semiotikë. Semiotika mund të përkthejë një pikturë nga një imazh në fjalë.
Piktori dhe profesori ‘mitik’ Gazmend Leka, përfaqëson artistin ‘tredimensional’ semiotik, semantik dhe arketipial. Figura artistike e piktorit Gazmend Leka mund të lexohet në disa shtresa njëkohësisht: si gjuhë vizuale (semiotikë), si prodhim kuptimor (semantikë) dhe si rikthim i strukturave të thella universale (arketipe).
Profesor Gazmend Leka, përfaqëson piktorin e madh shqiptar, me formim të nivelit të lartë kulturor dhe gjuhësor. Krahas historisë, letërsisë, gjuhës, piktori Gazmend Leka zotëron dije dhe shije të larta të semiotikës, ose shkencës së studimit të shenjave.
1. Portreti semiotik, në punët e piktorit Gazmend Leka.
Semiotika e pikturës shkon përtej pamjes vizuale për të deshifruar kuptimin e fshehur ose të pavetëdijshëm të një vepre arti. Në planin semiotik, vepra e tij ndërton një sistem shenjash ku figura njerëzore shpesh fragmentarizohet, deformohet apo vendoset në hapësira të ‘paqarta’. Këto nuk janë thjesht zgjedhje estetike, por shenja të një ‘tensioni’ mes reales dhe imagjinares. Ngjyrat e zbehta, gri apo të thyera krijojnë një ‘kod të heshtjes’ ndërsa vijat e forta dhe konturet e theksuara funksionojnë si kufij mes botëve: ndërgjegjes, ‘vetëdijes’ dhe nënndërgjegjes, ‘pavetëdijes’. Figura bëhet shenjë e një gjendjeje ekzistenciale, jo vetëm portret fizik.
2. Dimensioni semantik
Semantika e pikturës i referohet studimit të kuptimit, simboleve dhe mesazheve që përcillen përmes elementeve vizuale në një vepër arti. Në nivel semantik, pikturat e Gazmend Lekës prodhojnë kuptime që lidhen me vetminë, kujtesën dhe ‘absurditetin e përditshmërisë’. Objektet e zakonshme (karrige, dritare, hapësira të mbyllura) marrin një funksion metaforik: ato nuk janë më objekte, por bartëse të një ‘mungese’ apo ‘pritjeje’. Kuptimi nuk është i drejtpërdrejtë; ai shtyhet drejt interpretimit, duke e bërë shikuesin bashkëautor të veprës. Kjo e afron punën e tij me një diskurs ‘poetik vizual’. Punët tija, përngjajnë me një ‘poezi vizuale’, falë imagjinatës së lartë.
3. Arketipet në veprën e Gazmend Lekës.
Në një lexim arketipal, te Gazmend Leka shfaqen disa figura themelore:
-Njeriu i vetmuar – arketipi i ‘individit modern’, i shkëputur nga komuniteti, që kërkon identitetin.
-Hapësira e mbyllur – një variant i arketipit të “labirintit”, ku subjekti endet në kërkim të daljes, por edhe të vetes.
-Figura e heshtur – një arketip i “dëshmitarit”, që sheh botën pa mundur ta ndryshojë.
-Objekti i braktisur – arketipi i kujtesës së ngrirë, që ruan gjurmë të një kohe të kaluar.
4. Sintetizim i punëve të Gazmend Lekës.
Sintetizimi i pikturës është proçesi i bashkimit të elementeve të ndryshme përbërëse, si ngjyra, linja, forma, toni, hapësira dhe cilësia, për të krijuar një imazh koherent dhe shprehës në një sipërfaqe të sheshtë. Gazmend Leka krijon një univers ku ‘shenja vizuale’ nuk është kurrë neutrale: ajo është e ngarkuar me kuptim dhe e lidhur me një strukturë të thellë simbolike. Piktura e tij nuk kërkon të tregojë botën siç është, por të zbulojë atë që fshihet pas saj, një realitet psikik, shpesh i heshtur dhe i trazuar. Në këtë kuptim, arti i tij qëndron në kufirin mes ‘figuratives’ dhe ‘metafizikes’, duke e bërë çdo vepër një tekst të hapur për lexim semiotik dhe reflektim ekzistencial.
Gazmend Leka, piktori i cikleve dhe ekspozitave.
Gazmend Leka nuk ka gjithmonë një kanon të vetëm “vepre ikonike” të konsoliduar si në rastin e autorëve klasikë botërorë. Ai njihet më shumë për cikle dhe ekspozita sesa për një tablo të vetme universalisht të identifikuar me titull të vetëm. Megjithatë, një nga punët më të cituara dhe të ekspozuara në diskursin kritik është cikli i tij i figurave të vetmuara në interier (shpesh i referuar në katalogë ekspozitash dhe kritika si kompozime me figura në hapësira të mbyllura).
Si përfundim, piktori dhe pedagogu Gazmend Leka eshte artisti tipik i shenjave dhe kodeve, ‘Shenjë e gjallë’, me personalitet te shquar artistik.







