Kreu Aktualitet Revolucionin gjithnjë e bëjnë bijtë

Revolucionin gjithnjë e bëjnë bijtë

0
19

Shkruan Zef Ndreka

Shqipëria nuk ka më nevojë vetëm për një rotacion tjetër politik. Ajo ka nevojë të çlirohet nga mbetjet e fundit të një kulture politike të tokës së djegur dhe mbi të gjitha, nga sistemi që u konsolidua me marrëveshjen kushtetuese të vitit 2008 ndërmjet Sali Berishës dhe Edi Ramës.
Problemi shqiptar prej kohësh nuk është vetëm qeverisja. Problemi më i madh është si është ndërtuar pushteti.
Ndryshimet e vitit 2008 e përqendruan edhe më shumë jetën politike rreth kryetarëve të partive politike. Deputetët u dobësuan përballë liderëve të tyre. Po ashtu edhe individët përballë partive dhe institucionet përballë logjikës së kontrollit politik.
Shqipëria ndër vite, hyri gradualisht në një sistem ku ndryshonin qeveritë, por pushteti politik mbeti gjithnjë e më shumë i personalizuar.
Prandaj ajo që po ndodh në vitin 2026 mund të lexohet edhe përtej një proteste studentore.
Unë shoh një sjellje shumë më të fortë sot, ku studentët e vitit 2026 jamë përballë me ish-studentët e vitit 1990.
Nuk duket, por historia këtu bëhet paradoksale.
Brezi, që në dhjetorin e vitit 1990 doli kundër një sistemi të mbyllur, pas më shumë se tri dekadash pushteti dhe tranzicioni, shikohet nga bijtë e vet si pjesë e establishmentit që duhet ndryshuar.
Në fakt, kjo është ironi e madhe e historisë politike shqiptare, ku revolucionet rrallë përfundojnë aty ku fillojnë. Një brez rrëzon etërit politikë dhe pas shumë vitesh, vjen një brez tjetër që kërkon të rrëzojë mitet e krijuara, privilegjet dhe strukturat e krijuara nga pararendësit.
Pra, revolucionin gjithnjë e bëjnë bijtë!
Ky është kuptimi i asaj që po ndodh sot, që ka elementet e një revolte brezash dhe të një revolucioni politik, nëse me revolucion nuk kuptojmë dhunën, zjarrin apo shkatërrimin, por kërkesën për të ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si funksionon sistemi.
Sepse revolucioni demokratik nuk duhet të djegë Shqipërinë për ta ndryshuar atë, por duhet të rrëzojë mekanizmat që prodhojnë pushtet të pakontrolluar.
Revolucioni demokratik duhet të rrëzojë idenë e kryetarit të përjetshëm, të rikthejë deputetin tek qytetari dhe jo tek lista e kryetarit, duke krijuar konkurrencë të vërtetë brenda partive, për ti dhënë institucioneve më shumë fuqi se sa individëve.
Mbi të gjitha, duhet të mbyllë tranzicionin politik që Shqipëria e ka zvarritur për më shumë se tri dekada.
Kam pasur gjithnjë vështirësi ti konsideroj Edi Ramën dhe Sali Berishën burra shteti në kuptimin klasik të fjalës. Të dy janë politikanë që kanë dominuar epokat e tyre, por madhësia e pushtetit nuk është patjetër madhësi shtetari.
Burri i shtetit mendon edhe për ditën kur nuk do të jetë më në pushtet, sepse ndërton institucione që funksionojnë pa të.
Burri i shtetit përgatit pasardhës, pranon kufijtë e pushtetit dhe kur koha politike i mbaron, të dijë edhe të largohet.
Pikërisht këtu qëndron një nga dramat më të mëdha të tranzicionit shqiptar, ku politika jonë ka prodhuar shumë liderë të fortë, por shumë pak institucione më të forta se liderët.
Rama dhe Berisha, megjithëse kundërshtarë të egër publikë, përfaqësojnë dy pole të një epoke politike që ka jetuar gjatë pikërisht nëpërmjet kësaj përplasjeje. Njëri ka pasur nevojë për tjetrin edhe si kundërshtar. Përplasja e tyre ka polarizuar vendin, ka mobilizuar elektoratet dhe ka lënë shumë pak hapësirë për një alternativë të tretë.
Prandaj fundi i njërës figurë, pa ndryshimin e sistemit, nuk mjafton, por as fundi i të dyve nuk mjafton. Nëse mekanizmi mbetet i njëjtë, sistemi do të prodhojë dy emra të rinj që do të luajnë të njëjtën dramë.
Vërej edhe një paradoks tjetër që për mendimin tim është domethënës. Partia Socialiste është në pushtet, por qeverisja e sotme vështirë se mund të shpjegohet me socializmin tradicional. Ideologjitë janë zbehur, partitë shqiptare janë shndërruar gjithnjë e më shumë në organizata elektorale të përqendruara rreth liderëve, ndërkohë, kufijtë klasikë mes së majtës dhe së djathtës janë bërë të paqartë.
Kështu që beteja e re mund të mos jetë më vetëm e majta kundër së djathtës dhe anasjelltas, por sistemi kundër qytetarit, politika e vjetër kundër brezit të ri, pushteti i përqendruar kundër institucioneve demokratike.
Nqs studentët e vitit 2026 arrijnë ta artikulojnë këtë kërkesë pa u kapur nga partitë, pa u përdorur nga politikanët që kërkojnë rikthimin e tyre dhe pa e kthyer revoltën në dhunë, atëherë lëvizja e tyre mund të marrë një rëndësi historike.
Kjo është edhe prova e saj më e madhe, sepse nuk mjafton të rrëzosh të vjetrën pa ditur çfarë duhet ndërtuar pas saj.
Shqipërisë nuk i duhet një revolucion që lë pas tokë të djegur, por një revolucion demokratik që lë pas institucione.
Nëse brezi i vitit 1990 kishte misionin të rrëzonte komunizmin, brezi i vitit 2026 mund të ketë një mision tjetër historik, të mbyllë tranzicionin që brezi i parë nuk arriti ta përfundonte. Këtu gjendet kuptimi më i thellë i asaj që po shohim, ku etërit rrëzuan sistemin e vjetër, ndërsa bijtë kërkojnë të rrëzojnë sistemin që ndërtuan etërit.
Ky do të ishte revolucioni i vërtetë, për një Shqipëri që më në fund të jetë më e fortë se liderët e saj.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu