Anëtarët e opozitës në Komisionin e Ankimimit dhe Sanksioneve, KAS kanë rrëzuar ankimimin e 4 kandidatëve të PD, Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj, Lisandër Hoxha dhe Ilirjana Kuçana, për kërkesat për rinumërimin e votave të tyre.
Vetëm anëtari Ilir Rusmali votoi pro, që kandidatët të kishin të drejtën për të kërkuar rinumërimin e votave të tyre, gjë që mund të ndikonte në rezultatin e renditjes së tyre në listat e hapura.
Përfaqësuesit Koli Bele e Elvin Lako nga PS dhe Ledio Braho e Elvis Çefa nga PD ishin kundër, duke argumentuar se sipas Kodit Zgjedhor ankimin mund ta bëjë vetëm subjekti politik dhe jo kandidati.
Vendimin për mos kalimin për shqyrtim të kërkesave e konfirmoi edhe KQZ pas seancës paraprake me dyer të mbyllura, ndërsa ankimi për rinumërimin e votave të Aulon Kalasë do të shqyrtohet të martën.
“KAS shqyrtoi elementet e formes dhe te permbajtjes se kerkesave ankimore te kandidateve: Mimoza Hajdarmataj, Ilir Alimehmeti, Lisander Hoxha, Ilirjana Kucana. KAS vendosi rrezimin e kerkesave/mos kalimin per shqyrtim”, njoftoi KQZ.
Kandidatët demokratë thonë se vendimi hedh hije dyshimi se është marrë për të mos bërë transparencë për trafikimin e votave të tyre drejt kandidatëve të tjerë.
“Kam kuti të identifikuar që është tjetërsuar vota ime dhe i është kaluar kandidatëve të tjerë”, tha Ilirja Kuçana në një intervistë në media.
Ndërsa kandidati i PD në qarkun e Tiranës, Ilir Alimehmeti e ka quajtur artificë ligjore pasi nuk u parasysh provat e paraqitura.