Shkruan Zef Ndreka
Pasi kaluan 16 ditë protesta, pamvarësisht lincimeve mediatike, pakënaqësive reale dhe shumë problemeve që artikulohen të drejta, pyes:
A po kërkohet të dëmtohet imazhi i turizmit në Shqipëri? A po kërkohet të bllokohet integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian? A po kërkohet të pengohen investimet strategjike miliardëshe që pritet të sjellin zhvillim dhe vende pune?
Këto janë pyetje që lindin natyrshëm kur shohim një protestë të zgjatur, anonime në organizim dhe me objektiva gjithnjë e më të paqarta.
E drejta për të protestuar është themelore në një demokraci dhe askush nuk duhet ta mohojë atë. Por protesta nuk mund të shndërrohet në ultimatum ndaj shtetit, as në përpjekje për të bllokuar jetën normale të qytetarëve.
Qytetarët kanë të drejtë të dinë se kush janë organizatorët e vërtetë, kush i financon aktivitetet dhe cilat janë synimet reale të kësaj lëvizjeje. Transparenca është detyrim për këdo që pretendon se përfaqëson interesin publik.
Kur thirrjet kalojnë nga protesta te bllokimi i rrugëve, autostradave, aeroportit apo institucioneve, atëherë lindin pyetjet:
Kujt i shërben kjo?
Qytetarëve shqiptarë apo interesave të tjera?
Shteti dhe institucionet ligjzbatuese kanë detyrimin të garantojnë lirinë e protestës, por njëkohësisht të mbrojnë rendin publik, lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe interesat strategjike të vendit.
Shqipëria ka nevojë për debat, për kritikë dhe për llogaridhënie. Por nuk ka nevojë për anarki, për bllokime dhe veprime që mund të dëmtojnë zhvillimin, investimet dhe të ardhmen europiane të saj.






