Skjruan Zef Ndreka
Lodhet duke pritur, lodhet duke shpresuar. Por mbi të gjitha, lodhet duke parë të njëjtët njerëz që ndërrojnë vetëm flamurin, partitë dhe kostumin.
Personalisht, prej vitesh nuk kam pasur shumë pritshmëri nga ky sistem politik. Sepse, në thelb, PPSH-ja nuk u zhduk. Ajo u nda, u transformua dhe një pjesë e madhe e elitës së saj u riciklua në dy krahët kryesorë të politikës shqiptare, PD dhe PS.
Ky është për mendimin tim, paradoksi i pluralizmit shqiptar, ku ndryshuan emrat, siglat dhe sjelljet, por vazhdimësia e njerëzve, e lidhjeve dhe mentaliteve mbeti shumë më e fortë sesa ndryshimi që na u premtua.
Sot mezi dallon më se kush është socialist, kush demokrat e kush ish-LSI-st. Në administratë e në drejtim shikon pafund njerëz që dje ishin me Berishën e Bashën, pardje me Metën dhe sot janë bërë më socialistë se socialistët!
Ndërsa në “epokën” e Saliut ishte e kundërta, shumë prej atyre që u paraqitën si kalorës të antikomunizmit kishin ardhur drejtpërdrejt nga strukturat, biografitë dhe mendësia e sistemit të vjetër.
Pra, çfarë ndryshoi realisht?
Shqipëria ndërroi partitë në pushtet, por shumë më pak elitën politike dhe kulturën e pushtetit.
Pikërisht nga kjo, ka lindur lodhja e elektoratit.
Sepse pas 35 vjetësh nuk mjafton më të thuash se ne jemi ndryshe nga ata.
Qytetari sot kërkon të shohë:
Ku janë njerëzit e rinj?
Ku janë idetë e reja?
Ku është shteti që nuk funksionon sipas konvertimit politik të radhës?
Nqs përgjigja vazhdon të jetë riciklimi i të njëjtëve njerëz, atëherë një ditë elektorati nuk ndryshon vetëm votën, por humbet besimin tek vetë ofertat politike.
Kjo është shumë më e rrezikshme për një shtet që pretendon të ketë demokraci, sesa humbja e zgjedhjeve nga njëra apo tjetra parti politike.







