Kreu Politikë Vjosa Osmani dhe faktorët që dobësojnë Albin Kurtin

Vjosa Osmani dhe faktorët që dobësojnë Albin Kurtin

0
2

Shkruan Zef Ndreka

Vjosa Osmani për 5 vite si Presidente e Kosovës, tregoi se ishte një përsonalitet që i ka dhënë shumë Kosovës, veçanërisht në arenën ndërkombëtare.
Ajo me qëndrimet dhe punën e saj konkrete në politikën e jashtme dhe diplomatike, tregoi qartë se është një politikane e sprovuar dhe përvoja e saj disa vjeçare do të ishte më tej siguri më frytdhënëse në të mirë të Kosovës.
E pakuptimtë dhe surprizuese sjellja e Albin Kurtit për ta nxjerrë jashtë liste si kandidate për presidente, gjë që jo vetëm ka çuar dëm një obsion të gatshëm që parapëlqehej nga aleatët strategjikë, por nga kokëfortësia dhe pangopshmëria e pushtetit për ti patur të gjitha, shkuan në zgjedhje të parakohëshme.
Por kështu e ka politika. Pavarësisht kontributit, mbështetjeve reciproke të liderëve, e herë herë edhe ndasive.
Por të kalojmë tek Presidentja.
Vjosa Osmani, gjatë mandatit të saj pesëvjeçar si Presidente e Kosovës, arriti të ndërtojë profilin e një figure shtetërore që tejkaloi kufijtë ceremonialë të postit. Ajo u shfaq për 5 vite si një zë aktiv në diplomacinë ndërkombëtare, sidomos në raportet me NATO-n, me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke mbrojtur në mënyrë të vazhdueshme subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
Pothuaj në të gjitha rastet, Osmani krijoi përshtypjen e një gruaje më të pranueshme në politikë për partnerët perëndimorë sesa vetë kryeministri Albin Kurti. Kjo ka ndodhur sepse ajo ka përdorur një gjuhë më diplomatike, më institucionale dhe më pak konfliktuale në raport me aleatët strategjikë.
Në kohë tensionesh në veri të Kosovës, kur qeveria Kurti u kritikua nga partnerët ndërkombëtarë për të ashpër dhe të njëanshme, Vjosa Osmani u perceptua si një urë komunikimi me Perëndimin.
Pikërisht këtu ka lindur edhe paradoksi politik. Në vend që kjo dyshe institucionale të funksiononte si një kombinim i forcës politike të qeverisë me kredibilitetin diplomatik të presidencës, raportet mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit nisën gradualisht të ftohen.
Brenda Lëvizjes Vetëvendosje është bërë gjithnjë e më e dukshme tendenca për centralizimin e pushtetit rreth figurës së Kurtit, ku çdo figurë me profil të fortë publik shihet potencialisht si rivalitet politik i së ardhmes.
Kjo është arsyeja e pakuptimtë e mos mbështetjes së Vjosa Osmanit për një mandat të ri presidencial.
Ajo është tashmë një figurë e konsoliduar, me legjitimitet të brendshëm dhe me mbështetje të konsiderueshme ndërkombëtare. Në vend të ruajtjes së këtij stabiliteti institucional, Kosova hyri në një krizë të re politike që çoi drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Përplasja Osmani-Kurti është përplasja klasike mes dy modeleve politike, të një modeli institucional dhe më bashkëpunues që përfaqësonte Osmani dhe një modeli më të centralizuar, ideologjik dhe kontrollues që identifikohet me Albin Kurtin.
Sjellja e Kurtit mund të shihet si pjesë e llogjikës së tij politike për të mos lënë hapësirë për figura autonome brenda kampit të pushtetit. Por politikisht kjo do të mund ti kushtojë shtrenjtë, sepse elektorati kosovar po jep shenja lodhjeje nga polarizimi i vazhdueshëm dhe tensionet me aleatët perëndimorë.
Sa i përket zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë parashikimi është më kompleks sesa në zgjedhjet e kaluara. Lëvizja Vetëvendosje shihet si forca më e madhe politike dhe Albin Kurti po vazhdon të mbajë një bazë elektorale në dukje solide, për shkak të retorikës së fortë nacionaliste dhe perceptimit si figurë anti-establishment. Por ka shumë faktorë që do të mund ta dobësojnë, si konsumimi i pushtetit pas disa vitesh qeverisjeje, mos zhvillim ekonomik dhe largimi i të rinjve,
tensionet me SHBA-në dhe BE-në,
mungesen e rezultateve konkrete në njohjet ndërkombëtare, lodhja qytetare nga konfliktualiteti permanent.
Nga ana tjetër, shihet një opozitë që po luan për të krijojuar një alternativë të fuqishme dhe të bashkuar. Lidhja Demokratike e Kosovës ka rikuperuar shumë terren, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ruan ende strukturë dhe elektorat tradicional. Shpallja kandidate e Vjosa Osmanit po shihet si një figurë dominante që krijon frymë fituese.
Gjithsesi, Lëvizja Vetëvendosje mund të dalë sërish partia e parë, por vështirë se arrin e vetme shumicën komode. Kështu, Kosova do të mund të hyjë në një fazë negociatash të gjata për koalicione dhe për herë të parë pas shumë vitesh, do të shohim se pushteti i Kurtit do të varet nga aleanca të detyruara politike.
Gjithsesi, po ndodhi kështu, atëherë figura e Vjosa Osmanit do të mund të rikthehet sërish si element stabilizues dhe unifikues në politikën kosovare, sepse ajo vazhdon të gëzojë një profil që tejkalon kufijtë partiakë dhe shihet më shumë si figurë shtetërore sesa thjesht politike.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu