Zgjedhjet e 11 majit, nis prodhimi i fletëve të votimit për zgjedhësit jashtë vendit

0

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur prodhimin e fletëve të votimit për zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit.

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se procesi po vijon sipas planit dhe se janë marrë masa për të garantuar mbarëvajtjen e votimit nga diaspora.

“Kemi filluar me printimin e fletëve të votimit për jashtë vendit dhe besoj që midis datave 7 dhe 8 prill do t’i kemi këtu fletët e votimit për votimin nga jashtë,” deklaroi z. Celibashi.

Mesi i prillit pritet të jetë afati kur KQZ-ja do të nisë drejt diasporës materialet zgjedhore.

“Midis datës 8, 9 dhe 10 do të fillojmë përgatitjen e zarfeve dhe të gjithë dokumentacionit tjetër, që do u dërgohet votuesve jashtë vendit, duke shpresuar që i gjithë ky proces të realizohet brenda datës 15 prill,” u shpreh kryekomisioneri i KQZ-së.

Fletët e votimit do të shpërndahen përmes shërbimit postar DHL, që do t’i dorëzojë personalisht zarfet votuesve jashtë Shqipërisë.

“Do të duhet që operatori i shërbimit postar, dhe kjo është e panegociueshme, t’ia dorëzojë individit në dorë fletën e votimit. Janë tre tentativa, të cilat operatori do t’i bëjë në orë të ndryshme,” sqaroi z. Celibashi.

KQZ-ja ka ngritur një sistem këshillimi për të gjithë votuesit që hasin vështirësi.

Ndërkohë, sipas KQZ-së, 245,935 votues nga diaspora janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 majit.

Ata do të mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës përpara kësaj date, ndërsa numërimi i votave do të bëhet në të njëjtën kohë me votat e zgjedhësve brenda Shqipërisë.

Kjo është hera e parë që shqiptarët jashtë vendit votojnë në një proces zgjedhor, një hap i rëndësishëm për përfshirjen e diasporës në vendimmarrjen politike të Shqipërisë.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu