SHBA tjetër mesazh përvëlues: Krimi transacional, rrezik për të gjithë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë një tjetër mesazh të fortë sa i takon luftës kundër krimit të organizuar.
Drejtori i Zyrës për Europën dhe Azinë i Byrosë së Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit të Departamentit të Shtetit ka zbarkuar ditët e fundit në Tiranë, ku ka pasur një sërë takimesh të rëndësishme.
Ai ka zhvilluar takime në SPAK e GJKKO, ku është takuar me kreun e SPAK, Klodjan Braho, kreun e BKH-së, Joni Keta, dhe kreun e GJKKO-së, Erjon Bani. Po ashtu, ai ka zhvilluar takime me presidentin Bajram Begaj, ministrat Lamallari dhe Koçiu, si dhe përfaqësues të policisë.
“Duke shfaqur forcën e partneritetit në fushën e zbatimit të ligjit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe luftën e palodhur të Administratës Trump kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe trafikimit të narkotikëve, Drejtori i Zyrës për Europën dhe Azinë i Byrosë së Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit të Departamentit të Shtetit, Mark Tervakoski, u takua me përfaqësues të zbatimit të ligjit, drejtësisë, shoqërisë civile dhe misioneve ndërkombëtare në Shqipëri. Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara në ofrimin e aftësive, mjeteve dhe bashkëpunimit në Shqipëri dhe në rang global për partnerët që ndajnë angazhimin tonë për të luftuar kriminelët që dëmtojnë qytetarët e vendeve tona, kërcënojnë kufijtë tanë dhe cenojnë sigurinë tonë kombëtare”, njofton Ambasada e SHBA-së.
Ajo që bie në sy është se, nga fotot që ka publikuar Ambasada e SHBA-së, sërish zyrtarët e lartë të DASH-it që vijnë në Tiranë e shmangin kryeministrin. Që kur Trump ka marrë detyrën, Rama nuk ka takuar asnjë funksionar të DASH-it. Ka pasur disa figura të larta që kanë ardhur në Tiranë dhe e kanë shmangur. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Mark Tervakoski.
Pasi Trump u bë president, pati një ftohje të raporteve me qeverinë e Ramës. Por kryeministrit i erdhi “lepuri në derë”, pasi Trump e ftoi në Bordin e Paqes dhe Rama e pranoi menjëherë. Siç duket, kryeministri do të tentojë të qetësojë ujërat me republikanët. /Pamfleti








