51 mijë apartamente të pabanuara në Tiranë, çmimet rriten çdo vit

0

Shkruan Ola Xama

Numri i kontratave të energjisë të lidhura në vitin 2011 mes konsumatorëve dhe kompanisë së shpërndarjes së energjisë Cez ishte 1,047,485. Këtu llogariten bashkë biznese dhe familjarë. Sipas Censusit të Popullsisë të vitit 2011, numri total i banesave të matura në Shqipëri ishte 1,012,400.

Sipas të dhënave të gjeneruara nga CEZ Shpërndarje në atë vit, numri i faturave me lexim 0 ishte mesatarisht 233 mijë klientë në muaj, ose 22.2% e totalit . Në të dhënat përfundimtare të Censit të Popullsisë në të njëjtin vit, përqindja e banesave të zakonshme bosh ishte 21.7% ose 218,514 shtëpi të pabanuara. Diferenca me mesataren e të dhënave të faturimit të energjisë është shumë e ngushtë, afërsisht në intervalin 2 pikë përqindje, marzh normal gabimi në çdo të dhënë për efekt statistikor.

Ditët e fundit kam lexuar, dëgjuar dhe marrë personalisht komente mbi saktësinë që pasqyrojnë të dhënat e 51 mijë apartamenteve të pabanuara në kryeqytet. Për mua, nga pikëpamja e dhënies së një numri real, kjo është shifra më e saktë që mund të dalë në mënyrë të tërthortë përveç matjes fizike të tyre. Madje ndonjëherë është më e saktë dhe se matja fizike, pasi tregon të gjithë kohën kur ambienti është shfrytëzuar dhe jo vetëm ditën kur kanë shkuar përpara derës për të bërë matjen.

Kush flet për fatura referuese që rregullohen muajin e tretë, por dy muaj shkojnë me konsum 0 nuk e ka idenë e sistemit të faturimit të energjisë. Kush flet se ka kontrata që nuk janë aktive, e që rritin fiktivisht shifrën e banesave me 0 konsum, thjesht lëshon një ‘shashkë’ sepse nuk jep asnjë të dhënë tjetër të vlefshme se sa është numri i këtyre kontratave. Por edhe sikur kontrata të rezultonte e prishur, nuk do të thotë që dhe shtëpia do të jetë automatiksht e prishur.

Shumë kanë ironizuar fjalën ‘flluskë’ duke treguar se ky term ka vite që përdoret, por nuk po ndodh gjë, pasi në kryeqytet çmimet çdo vit njohin vetëm rritje. Këtyre të fundit, u them që mjaftojnë të pyesin në google se “Çfarë konsiderohet flluskë në ekonomi?” dhe google do t’u përgjigjet: “Dukuria kur çmimi i një produkti rritet disa herë më shumë se vlera reale e tij”. Flluskën qëllimisht e ngatërrojnë me falimentin. Flluska është një nga indikatorët që mund të shkaktojë faliment, por jo domosdoshmërisht dhe jo direkt.

Të dhënat këto janë. Disa mund të zgjedhin t’i besojnë e të tjerë jo, por për mua më të vëmëndshme duhet të jenë institucionet publike në mënyrë që zgjerimin e banesave ta lejojnë në raport me një kërkesë reale të tregut. Po vazhdoi me këtë ritëm, në momentin që do të pritet zinxhiri i parave të pista, unë jam e bindur që flluska do të nisë të shfryhet!

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu