SPAK-u në arkivol, Guri Lekloti e qan me lot!

0

Shkruan Sokol Pepushaj

Tre milion euro pasuri të bllokuara një prokurori provincial në Fier, është një lajm i zakonshëm që tenton të mbërthejë në arkivol, jo vetëm transparencën, por edhe identitetin e prokurorit.

Institucionet e drejtësisë, në lojën me hile, kërcejnë mbi trampolinën e inicialeve L.B., për të ruajtur kolegun moralisht dhe për të ngulur gozhdët në tërheqje vëmendjeje, sikur po punohet.

Shpërqendrimi është krijesë e vjetër.

Shtrihet gjerë e gjatë, sa tek SPAK-u, media, diplomacia, e deri tek interpretimi se në vend të luftohet korrupsioni, trenit të mafies i mirëmbahen shinat.

Pasuritë tre milionë euroshe, janë thjeshtë bereqeti i vjelë në oborrin e shtëpisë së prokurorit, por për më tej, vetë drejtësia krasit degët e hetimit.

Edhe kjo punë e vogël, vjen nga presioni i amerikanëve dhe shtypit idealist, që mban shënime, si në hyrje, edhe në exit të tunelit ku kalojnë ca peshq të vegjël.

Zakoni, vesi dhe interesi, e duan patjetër një këngë rreth arkivolit.

Ju e patë, si ua thuri me gërma shkëlqimi Guri Lekloti trimëritë në hajdutëri, dy prokuroreve Merita Selimi dhe Brunilda Bekteshi, sa lajmi mori dhenë.

Bursa e lajmit dhe drejtësisë, luhatet sipas rrokullisjes së Gurit. Iluminimi, si rrymë propagandistike mesjetare, ngjyros situatat me një lustër boje.

Guri Lekloti, e qan me lot çdo përkrahje mafiozi, sa herë Edi Ramës i intereson të gërvishtë pak imazhin e mafies e të largojë mjergullën nga Dosja McGonigal, tymin nga koshat e plehrave të Erion Veliajt, shigjetat mbi strategjitë e investitorëve strategjik, apo t’u trembë mizat Olta Xhaçkës, Ilr Beqjas, Sali Berishës, Ilir Metës, Frida Krifcës, Fatmir Mediut, Olsit e Zenit, e deri prokurorëve të SPAK-ut, që secili, do ishte jashtë logjikës, të jetë më i varfër se një prokuror province me identitet L.B.

Kontradiktat orientojnë koordinatat.

Kështu përfitojnë të gjithë. Veset u prijnë gjesteve, për të mbushur ekranet me lajme farsë dhe për të përkulur degët të pritshmërive, aq sa patronazhistët të vjelin frutat e t’u japin ca, ato të kalburat, për sevap, viktimave.

Buka është nga ky brumë.

Në rrugë të gjatë, fshatarët marrin bukë me vete. Atyre nuk ju falë askush qindra mijëra dollarë si gati gjithë zyrtarëve apo diplomatëve që bëjnë edhe biznese me rroga mesatare, të papërfillshme për shumicën e njerëzve që janë dikushi.

Diku, më saktë, deri diku, efektet janë infektuar.

Vrimave ku plagët e korrupsionit rrjedhin, shtegtimi shtrëngon për fyti hajdutët. Duhet me patjetër ADN-ja e pasurive kolosale për kolosët e mafies me prapavijë pushteti.

Mafia, edhe nga shtrati i vdekjes, sillet sa në një krah në tjetrin, të ruajë status quo-n.

Balada përthithet vetëm nga fiset e 4 Klaneve Mafioze.

Është përtej komikes ajo që dinë dhe do të mësojnë në vazhdimësi gjithë shqiptarët. Sa kohë do të jetë SPAK-u- në arkivol, Guri Lekloti e qan me lot!/ Pamfleti

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu