Prokuroria e Posaçme po heton Rakip Sulin si person që ka dijeni, por është i akuzuar drejtpërdrejtë për shkak se dyshohet që ka lidhje me abuzime në tenderë dhe shpërdorimi i fondeve të tërmetit.
Sipas të dhënave, ai dyshohet se i ka konsumuar këto dy vepra penale në të paktën dy episode, ndërsa Rakip Suli bëhet i katërti kryebashkiak socialist që është nën hetim nga SPAK. Pas atij të Rrogozhinës që u vendos zyrtarisht nën hetim, mësohet se në SPAK po hetohen edhe disa padi ndaj Jorgo Goros, kryetarit të Bashkisë së Himarës, i cili në fakt nuk e fitoi dot mandatin e vijimit të detyrës, po për shkak se u arrestua kandidati që rezultoi fitues, atëherë Goro vijon të ushtrojë detyrën.
Sipas burimeve zyrtare, bëhet me dije se hetimet në Bashkinë e Kamzës po kryhen për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera për dy episode, shkelje e barazisë në tendera për pastrimin dhe fondet e tërmetit.
Aktualisht hetime po kryhen dhe tri bashki të tjera, të Vlorës, Rrogozhinës dhe Himarës. I Rrogozhinës ka dhe një akuzë tjetër për korrupsion në zgjedhje, ndërsa Jorgo Goro i Himarës është kallëzuar nga kryetari i votuar i të njëjtës bashki, Fredi Beleri, i cili gjendet në burg për zgjedhjet lokale.
HETIMET PËR RAKIP SULIN
Hetimet për Bashkinë e Kamzës kanë vënë në lëvizje me veprime konkrete Prokurorinë e Posaçme duke i dërguar fletëthirrje Rakip Sulit. Thirrja për t’u marrë në pyetje në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, kryebashkiakun e Kamzës Rakip Suli, është shtyrë për më datën 6 nëntor. Shkak është bërë mbërritja me vonesë e fletë-thirrjes nga shërbimet e policisë.
Pas kallëzimit për veprat penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, SPAK regjistroi procedim penal për bashkinë e drejtuar nga Suli. Bëhet me dije se nga hetimet ka rezultuar se ka disa raste të abuzimeve me kompensimet e fondit të rindërtimit. Deri tani nga 10 kallëzues janë thirrur 4 prej tyre, ndërsa 6 të tjerë do pyeten këtë javë.
Banorët e Kamzës u paraqitën të martën e kaluar në ambientet e Prokurorisë së Posaçme për të dhënë deklarimet e tyre për kallëzimin e depozituar në SPAK pak javë më parë ndaj kryebashkiakut. Në emër të banorëve të Kamzës, më 11 shtator Partia e Lirisë dhe këshilltarët e koalicionit Bashkë Fitojmë në Kamëz, kallëzuan penalisht në SPAK, kryebashkiakun e Kamzës Rakip Suli.
Duke iu referuar raportit të KLSH-së pas kontrollit në këtë bashki, por edhe njoftimit dhe zhvillimit të mbledhjeve të këshillit ‘online’, ata kërkuan ndjekje penale për të zgjedhurin socialist për disa akuza si shpërdorim detyre, korrupsion dhe shkelje e barazisë në tendera.