Një nga rrëfimet e tim eti për ngjarjet nga lufta: Si u pushkatua partizani për një kokërr mollë

0
Shkruan Albert Vataj
Si u pushkatua partizani për një kokërr mollë.
Ishte dimër, ftohtë, shumë ftohtë. Po ecnim nëpër një terren kodrinor-fushor të juglindjes së vendit, diku në territorin e Korçës. Kishim marrë detyrë për të përforcuar një skalion të formacioneve partizane në atë zonë. Tre ditë kishim që nuk kishim future gjë në gojë. Po kalonim në një plantacion mollësh. Dimri kishte zhveshur gjithçka. Tek-tuk ndonjë mollë vjeshtake kishte marrë jetë, por për ne do të ishte “mollë e ndaluar”.
Duhej vetëm të ecnim për të mbërritur sa më parë në destinacionin e parashikuar. Ishte rreptësishtë e ndaluar të përvetësohej asgjë, qoftë edhe një mollë vjeshtore e harruar diku në degët e kësaj panorama surreale që shpërfaqej para nesh si një pikturë shpirti të trazuar.
Teksa ecnim në heshtje si somnambul, duke dëgjuar vetëm hapat tanë mbi brymën që kërciste, të lodhur e të rraskapitur, të pangrënë e të pafjetur, mbathur e zbathur, një nga partizanët diku shumë përpara meje arriti të kapte rrufeshëm një mollë dhe ta rrufiste me dy kafshatë. Por dikush që do t’i bënte gjëmën ishte pas tij. Ndoshta ngase shoku i të njëjtave halle e mundime, mendonte se i kishte ngrënë rriskun që ishte i tiji, apo se duhej të ishte syri dhe veshi i komandës. Ai shpejtoi hapat mbërriti personin e duhur dhe denoncoi rastin.
Në fund të atij plantacioni, në një shesh me baltë e brym, u bë gjyqi i dy kafshatave mollë. Ishte thyer disiplina. Partizani mori dënim shembullorë, me vdekje.
Menjëherë rreshtohet skuadra e pushkatimit, dhe partizani i shushatur dhe i tmerruar, nuk po e merrte vesh se çfarë po ndodhte. Vetëm kur u dëgjua komanda zjarr, ai u shemb përtokë. Në këtë rrëmujë dhe shastisje, një tjetër shok i tij, duke përfituar nga rrethana, arriti t’i merrte rripin e mesit të të vrarit, të cilit i ishte këputur nga një prej plumbave që e sharruan.
Sërish do të ishte dikush tjetër që në mbrojtje të disiplinës së hekurt partizane, të bënte syrin e komandës. Dhe, kur ende skuadra e pushkatimit nuk ishte shpërndarë, gjyqi i rripit të përvetësuar nga i sapovrari do ta çonte atë në pushkatim. Fati i tij, dikush prej atyre që u kishte peshë fjala, doli në mbrojtje, duke ngritur pretendimin se ai ishte nga fshati i partizanit të pushkatuar, dhe se do ta merrte rripin si kujtim për prindërit.
Kaq tha im at, nga ato shumë histori dhe bëma të luftës, dhe heshti. Nuk foli më, por edhe unë nuk guxoja ta pyesja për emrat e personave, atyre që ishin vrarë e atyre që kishin spiunuar, të cilët natyrisht që i njihte, të cilët asokohe mund të ishin gjallë, madje edhe në ndonjë post apo privilegj pushteti.
Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu