Ish-presidenti Donald Trump dhe kryeministri i Hungarisë Viktor Orbán do të takohen të enjten pas samitit të NATO-s në Uashington, vetëm një javë pasi Orbán u takua me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, transmeton Politico.
Lajmi për takimin u raportua fillimisht nga Bloomberg. Takimi do të zhvillohet në klubin privat të ish-presidentit dhe shtëpinë në Mar-a-lago në Palm Beach, Florida.
Takimi me Trump është i fundit në një seri takimesh që kreu hungarez filloi menjëherë pasi Hungaria mori përsipër presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian në një mision të vetëshpallur për të sjellë “paqe” në Ukrainë.
Trump dhe Orbán kanë mbajtur një marrëdhënie të ngushtë për vite me rradhë pasi kryeministri hungarez ka qenë një lider i huaj i preferuar mes konservatorëve. Orbán vizitoi Trumpin në Mar-a-Lago këtë pranverë, pak pasi ai miratoi ofertën e ish-presidentit amerikan për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë. Kryeministri hungarez ka folur gjithashtu në CPAC dhe në Fondacionin Heritage, dhe ai ka vizituar Trump në klubin e tij tjetër në Bedminster, New Jersey.
Ambasadori i SHBA-së në Hungari, David Pressman, sulmoi Orbanin kohët e fundit, duke thënë se asnjë aleat tjetër i SHBA-së nuk ka bërë fushatë kaq “të hapur dhe të palodhur” për kandidatin republikan.
Këtë javë, Orbán vlerësoi Trump në një intervistë me mediat Axel Springer si “njeriun e paqes” dhegjithashtu ai tha se ekziston një mundësi shumë e madhe që Biden të mos fitojë zgjedhjet në SHBA.