Konflikt interesi në Kushtetuese/ Alibeaj votoi arrestimin e Berishës, Xhaferllari do ta vlerësojë

0

Në 18 dhjetor të vitit 2023, Enkelejd Alibeaj, i vetmi përfaqësues i opozitës në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve, bashkoi votat me kolegët e tij socialistë, duke i hapur rrugën arrestimit të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Alibeaj në atë kohë ishte ndarë politikisht me Berishën, pas vendimit të ish-kreut demokrat, Lulzim Basha, për përjashtimin e ish-drejtuesit historik nga Partia Demokratike.Por, ndarja mes tyre nuk ishte thjeshtë politike, por edhe emocionale deri në urrejtje personale, të paktën nga ana e Alibeajt.

Dikur ish-ministër i Drejtësisë në qeverisjen e Berishës, Alibeaj nuk e pati aspak problem që, me firmën e tij, të nënshkruante pro-arrestimit të ish-kryeministrit të tij, një veprim që habiti jo pak njerëz, mbështetës apo kundërshtarë të Berishës.

Image

Bazuar në Raportin e Këshillit të Mandateve, në 21 dhjetor të vitit të kaluar, parlamenti, në shumicë socialiste, vendosi t’i jepte Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) dhe Gjykatës së Posaçme, autorizimin për “arrestimin e Sali Berishës”.

Berisha u vendos në arrest shtëpie në 30 dhjetor dhe, prej asaj kohe, po zhvillon betejat e tij gjyqësore për shfuqizimin e masës së sigurimit. Pas një kalvari në tre shkallët e gjyqësorit, tashmë kërkesa e tij është dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo e fundit ka vendosur që të shqyrtojë kërkesën në 19 nëntor të këtij viti. Kërkesa do të shqyrtohet nga trupa prej 8 anëtarësh e Kushtetueses, pjesë e së cilës është edhe gjyqtarja Marsida Xhaferllari, bashkëjetuese e Enkelejd Alibeaj, një fakt ky i njohur botërisht.

Image

Kjo situatë përbën një rast konflikti të hapur interesi, ku bashkëshorti firmos për arrestimin e subjektit, ndërsa bashkëshortja do të vlerësojë kushtetutshmërinë e arrestit.

Në rastet e konfliktit të interesit, ligji parashikon që gjyqtari të japë dorëheqjen nga shqyrtimi gjyqësor. Gjithashtu, parashikohet se gjyqtari mban përgjegjësi për shkelje të rënda disiplinore, nëse nuk njofton për konfliktin e interesit dhe nuk heq dorë nga pjesëmarrja në trupë gjyqësore.

Por, në rastin e Xhaferllarit, të paktën deri më tani nuk duket se ka një iniciativë të tillë.

Redaksia Dosja.al konfirmoi zyrtarisht pranë Gjykatës Kushtetuese se trupa që do të shqyrtojë kërkesën e Berishës do të jetë e plotë, gjë që tregon se gjyqtarja Xhaferllari nuk ka dhënë dorëheqjen, duke krijuar premisa për ngritjen e dyshime mbi anshmërinë e saj, përsa kohë do të duhet të vlerësojë qëndrimin e bashkëshortit të saj në raport me Kushtetutën.

Rasti “Berisha” nuk është i vetmi që e vendos gjyqtaren Marsida Xhaferllari në kushtet e dyshimta të konfliktit të interesave. Redaksia identifikoi të paktën 3 të tjera të ngjashme.

Kodi Zgjedhor

Në 29 gusht 2024, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, e drejtuar nga Dashamir Shehi, dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese një padi për shpalljen anti-kushtetuese të disa neneve të Kodit Zgjedhor.

Një ditë më parë, në 28 gusht, deputetit Enkelejd Alibeaj shprehu publikisht mbështetjen e tij për këtë padi. Alibeaj, i mbetur pa parti dhe me numra të pamjaftueshëm deputetësh në parlament, nuk mund të legjitimohej vetë për të ngritur një padi të tillë.

Ndaj, ai shfrytëzoi padinë e Shehit për të shprehur qëndrimin e tij pro padisë në Gjykatën Kushtetuese.

Image

Edhe në këtë rast, padia e Dashamir Shehit, por që është e qartë se përfaqëson qëndrimin e Alibeajt, do të shqyrtohet nga trupa gjyqësore e Kushtetueses, ku pjesë është edhe bashkëjetuesja e tij, Marsida Xhaferllari.

Marrëveshja për emigrantët

Një nga rastet, kur konflikti i interesit Alibeaj-Xhaferllari merr trajtën e flagrancës, është shqyrtimi që Gjykata Kushtetuese i bëri kërkesës së grupimit Lulzim Basha-Enkelejd Alibeaj për Marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për çështjen e emigrantëve.

Në 6 dhjetor 2023, Partia Demokratike, e cila në atë kohë drejtohej ende nga dyshja Basha-Alibeaj, dorëzoi një padi në Kushtetuese, ku kërkohej shfuqizimi i ligjit ratifikues për miratimin e “Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Italisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”.

Image

Në atë rast, në përputhje me ligjin për konfliktin e interesave, gjyqtarja Xhaferllari duhet të jepte dorëheqjen, për të shuar çdo dyshim të ligjshëm mbi konfliktin e interesave. Por, ndodhi tërësisht e kundërta.

Gjyqtarja Marsida Xhaferllari shortohet si relatore për shqyrtimin e padisë së grupit Basha-Alibeaj, një pozicion shumë thelbësor në trajtimin e rastit.

Gjykata Kushtetuese vendosi të mos kalojë për shqyrtim në seancë plenare kërkesën e Partisë Demokratike të “Basha-Alibeaj” me objekt shfuqizimin e marrëveshjes Shqipëri-Itali. Ky vendim u mor me shumicë votash, 5-4.

Image

Në vendimin e zbardhur vërehet se gjyqtarja Xhaferllari është pjesë e gjyqtarëve të pakicës, të cilët kanë votuar pro kalimit për shqyrtim në seancë të kërkesë së bashkëjetuesit të saj dhe grupimit politik që ai përfaqësonte.

Bordi i naftës

Një situatë e ngjashme konflikti interesi mes bashkëjetuesve Alibeaj-Xhaferllari shfaqet edhe në një tjetër vendim të Gjykatës Kushtetuese, atë që lidhej me Bordin e Naftës.

Në mars të vitit 2023, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi padinë e Partisë Demokratike, e cila në atë kohë përfaqësohej nga Basha-Alibeaj, për shfuqizimin e akteve normative të Këshillit të Ministrave, të cilat krijuan atë që u konsiderua si “Bordi i Naftës”, një mekanizëm qeveritar, me qëllimin e shprehur, që të mbante nën kontroll çmimin e hidrokarbureve pas agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës.

Gjykata Kushtetuese, sërish me një votim të brishtë 5-4, vendosi të pranojë pjesërisht kërkesën e Partisë Demokratike të grupimit “Basha-Alibeaj”, por pa prekur thelbin e funksionimit të të ashtëquajturit, “Bordi i Naftës”.

Pa i hyrë në analizë vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ajo që bie në sy edhe në këtë rast, është fakti se vota e gjyqtares Marsida Xhaferllari ka qenë në favor të kërkesës së depozituar nga bashkëjetuesi i saj, Enkelejd Alibeaj dhe grupimi politik që ai përfaqësonte.

Image

Gjyqtarja Xhaferllari ka dalë në pakinë në atë vendim, duke mbajtur qëndrimin se Akti Normativ nuk duhej shfuqizuar pjesërish, por i plotë.

“Në përfundim, … vlerësoj se aktet normative me fuqinë e ligjit nr. 5/2022 dhe nr. 8/2022 nuk provohet të jenë nxjerrë në kushtet e nevojës dhe urgjencës, ndaj këto akte dhe ligjet miratuese të tyre nuk janë në përputhje me parashikimet e nenit 101 të Kushtetutës dhe, si të tilla, duheshin shfuqizuar”, shprehet Xhaferllari në mendimin e saj të pakicës për atë vendim të Kushtetueses.

Shkelje disiplinore?

Rastet e mësipërme krijojnë dyshime të forta për vendimmarrje në konflikt interesi të gjyqtares kushtetuese, Marsida Xhafarllari. Një sjellje e tillë, nëse konfirmohet, parashikohet si shkelje e rëndë disiplinore në Kushtetutë dhe në ligjin organik të Gjykatës, me pasojë humbjen e mandatit.

Neni 128 i Kushtetutës parashikon se “gjyqtari kushtetues mban përgjegjësi disiplinore sipas ligjit. Procedimi disiplinor ndaj gjyqtarit zhvillohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila vendos për shkarkimin kur; (a)…konstaton shkelje të rënda profesionale ose etike që diskretitojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të mandatit…”.

Më tej, në ligjin organik që rregullon veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese, konkretisht në ligjin 8577/2000 (të ndryshuar), në nenin 10, thuhet se: “Gjyqtari mban përgjegjësi disiplinore, veçanërisht për shkaqe të…ekzistencës e dyshimit të arsyeshëm të rasteve të papajtueshmërisë për ushtrimin e funksionit të tij”.

Gjithashtu, më poshtë në të njëjtin nen, thuhet se gjyqtari mban përgjegjësi disiplinore edhe kur ka “përfitim të padrejtë, në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë, të dhuratave, premtimeve ose trajtimeve preferenciale të çdo lloji, të cilat, qoftë edhe me veprime të ligjshme, i jepen për shkak të funksionit që ushtron ose si rrjedhojë e përdorimit të tij të pozicionit të magjistratit…”.

Në rastin e gjyqtares Marsida Xhaferllari, ekzistojnë dyshime konkrete se ajo ka kryer shkelje disiplinore “për përfitime në mënyrë të tërthortë”, si “rrjedhojë e përdorimit të pozicionit të magjistratit”, pasi qëndrimet dhe vendimmarrja e saj në rastet e cituara më lart, janë në interes të bashkëjetuesit të saj, Enkelejd Alibeaj.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse Gjykata Kushtetuese do të ndërmarrë iniciativën për nisjen e një procedimi disiplinor ndaj gjyqtares Marsida Xhaferllari, për vendime të dyshuara si në konflikt të hapur interesi./Dosja.al

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu