Militantët mobilizohen që nesër në orën 09.30 të protestojnë para SPAK…
Nga bllokimi rrugëve dhe molotovët drejt Kryeministrisë, PD duket se tani ka zhvendosur protestat para Prokurorisë së Posaçme. Si ai, ashtu dhe Meta po tentojnë të mbajnë nën presion organin e akuzës, me shpresën se petku politik do t’i shpëtojë nga ndëshkimi, duke kërkuar edhe arrestimin e Erion Veliajt, Olsi dhe Edi Ramës dhe ministrave që SPAK ende nuk ka prekur asnjë.
Nesër Sali Berisha do të duhet të shkojë sërish në SPAK. Gjykata vendosi që ai të paritet të hënë e parë dhe të tretë të çdo muaji dhe ai nesër ka radhën për të firmosur te oficeri i policisë gjyqësore.
Por ashtu si të hënën e parë të muajit, edhe nesër Berisha ka mobilizuar demokratët të mblidhen poshtë zyrës së Dumanit.
“Të dashur miq. Ditën e hënë është data e radhës, e përcaktuar për t’u paraqitur kryetari i PD, Prof Dr. Sali Berisha në SKAP. Ndaj në orën 9:30 përsëri të gjithë në protestë përpara SKAP-it si vegël në duart e Ramës për të përndjekur kundërshtarët politikë”, thuhet në një mesazh që u është dërguar strukturave të PD.
Në muajin dhjetor, SPAK apeloi në Apelin e Posaçëm lirimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga arresti shtëpiak dhe kërkoi rikthimin e masës. Berisha u lirua në 27 nëntor 2024 pas qëndrimit për rreth 1 vit në arrest shtëpiak, pasi akuzohej si i përfshirë në dosjen “Partizani”.
Sali Berisha u mor i pandehur për korrupsion pasiv pasi akuzohet nga SPAK se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për t’i përshtatur sipas nevojave të pesë familjeve pronare në kompleksin sportiv Partizani, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.