Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka sulmuar ashpër rrjetin televiziv CBS dhe emisionin investigativ “60 Minutes”, duke i akuzuar për “mashtrim të publikut” dhe manipulim të intervistave për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale.
Në një postim në platformën e tij, Truth Social, Trump pretendoi se CBS ka redaktuar intervistën me zv/presidenten Kamala Harris, duke ndryshuar përgjigjet e saj me versione më të favorshme.
Sipas tij, ky është një akt i qartë i “ndërhyrjes në zgjedhje” dhe “mashtrimit elektoral”.
“CBS dhe ’60 Minutes’ mashtruan publikun si kurrë më parë. Ata hoqën 100% përgjigjet e tmerrshme të Kamala Harris që mund të ndryshonin zgjedhjet dhe i zëvendësuan me përgjigje krejtësisht të ndryshme dhe shumë më të mira,” shkroi Trump.
“Kjo ishte ndërhyrje në zgjedhje dhe mashtrim elektoral në një nivel të paparë. CBS duhet të humbasë licencën e saj!” – shtoi ai.
Ai kërkoi gjithashtu që “mashtruesit në ’60 Minutes’ të pushohen menjëherë dhe ky emision i pabesueshëm, të mbyllet menjëherë.”
Në të njëjtin postim, Trump e lidhi këtë çështje me një tjetër skandal të pretenduar që përfshin USAID, duke sugjeruar se agjencia qeveritare amerikane ka financuar në mënyrë të paligjshme Politico dhe media të tjera për qëllime politike.
“A është paguar CBS për ta kryer këtë MASHtrim??? Shumë pyetje të tjera do të dalin në dritë!”, theksoi ai.
Akuzat e Trump vijnë në një moment kur ai është i angazhuar në fushatën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, ndërsa tensionet me mediat kryesore amerikane mbeten të larta.
CBS ende nuk ka reaguar ndaj këtyre pretendimeve.