Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka bërë një reagim në rrjetet sociale në lidhje me një përgjim të bërë në burg ndaj Erion Veliajt.
Këtë përgjim SPAK e paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Apelit si provë të rrezikut se kryebashkiaku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarë. Në ato biseda thuhet se Veliaj flet me vëllain e tij për një sulm të organizuar mediatik ndaj magjistratëve Ols Dado dhe Erion Bani.
Berisha shprehet se këto përgjime u urdhëruan nga kryeministri Edi Rama dhe u zbatuan nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja përmes Drejtorisë së Burgjeve.
Sipas liderit demokrat, ishte vetë Ulsi Manja i cili u investua personalisht, duke e tërhequr Veliajn në një vendqendrim tjetër për të liruar dhomën për vendosjen e çimkave, si dhe i lejoi telefonin, në mënyrë që ai të fliste me ata që ata donin.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, nuk fitoi dot lirinë në Apelin e Posaçëm. Gjyqtari Engert Pëllumbi la të pandryshuar vendimin e Gjykatës së Posaçme arrest me burg, miratuar më 12 shkurt. Vendimi u shpall pas një seance maratonë që zgjati 2 ditë.
Për avokatin e Veliajt Maks Haxhia, njëherësh dhe kryetar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, masa e arrestit për vepra me karakter administrative që nuk paraqesin shkallë rrezikshmërie, është e gabuar, sidomos nga një institucion i rëndësishëm si SPAK, siç theksoi ai – që për të kërkuar burg duhet të ketë një material të plotë hetimor. Avokati paralajmëroi se do t’i drejtohen Gjykatës së Lartë, kur tha se “Presim që të ndodhë ndonjë çudi në Gjykatën e Lartë për ndryshimin e masës së sigurisë sepse nuk mund të mbahet në burg kryuebashkiaku me këto rrethana”.