Koncert i përbashkët Shkollës së muzikës “Prenk Jakova” Gjakovë dhe Shkollës Artistike “Prenk Jakova” Shkodër në nder të 26-vjetorit të Çlirimit të Gjakovës

0

Shkruan Qamil Gjyrezi

Më datë 13. Qershor. 2025, u zhvillua një koncert i përbashkët mes Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” Gjakovë dhe Shkollës Artistike “Prenk Jakova” Shkodër, ku muzika bashkoi traditën, talentin dhe respektin për historinë tonë të përbashkët. Koncerti u zhvillua në vigjilje të kësaj date të rëndësishme, 26-vjetorit të Çlirimit të Gjakovës. Ky bashkëpunim filloi në muajin Maj 2025 në sallën ‘Prenk Jakova’ të shkollës artistike ‘Prenkë Jakova’ Shkodër, me koncertin koral të shkollës “Prenkë Jakova” Gjakovë.
Në koncertin e datës 13. Qershor. 2025 në Gjakovë u paraqiten: Kori i Shkollës së Mesme të Lartë të Muzikës”Prenk Jakova”, Gjakovë, nën dirigjimin e Kastriot Sada, korepetitor Gent Kumnova, dhe Orkestra e Harqeve të Shkolla Artistike Prenkë Jakova në dirigjimin e Anton Kaftalli dhe Admir Lekaj. Koncerti në Gjakovë prezantoi vlera shumë të mira artistike, tradicionale dhe kombëtare.


Nxënësit e të dy shkollave prezantuan talentin e tyre në fushën e muzikës, në të kënduar dhe luajtur në instrumente. Në një gjest i veçantë dhe i paharrueshëm, ishte kur drejtori i Shkollës Artistike “Prenkë Jakova” Shkodër z. Anton Kaftalli i dhuroi shkollës “Prenkë Jakova” Gjakovë, dorëshkrimin origjinal të veprës “Kanga e Brigadës XVII” nga mjeshtri Prenkë Jakova.

Kjo ishte një dhuratë shumë e çmueshme që i është bërë ndonjëherë shkollës”Prenkë Jakova” Gjakovë. Dorëshkrimet origjinale të kompozitorëve të njohur botëror dhe kombëtar marrin vlera të mëdha kulturore dhe historike, për një shkollë ose institucion që mban emrin e kompozitorit, siç është “Prenk Jakova”.


Drejtuesit nga Gjakova dhe mësuesit e shkollës ”Prenk Jakova” falënderuan nga zemra kolegët nga Shkodra për këtë vlerësim dhe për bashkëpunimin frymëzues. Të gjithë sëbashku duhet të vazhdojmë ta ruajmë e ta kultivojmë trashëgiminë tonë muzikore me përkushtim dhe dashuri, në këtë koncert emocionues që na kujtoi fuqinë e artit në ditë festash. Muzika ka ndikim të madh për të krijuar emocione të veçanta që ngelen në mendjen e gjithësejcilit në ditë të rëndësishme, për një qytet ose komb.

Orkestra e harqeve e Shkollës artistike “Prenk Jakova” në drejtimin e Admir Lekaj dhe Anton Kaftalli dhe kori i Shkollës së Mesme të Lartë të Muzikës “Prenk Jakova”, Gjakovë, nën dirigjimin e Kastriot Sada, korepetitor Gent Kumnova prezantuan në këtë koncert disa pjesë që u luajtën dhe u kënduan me nivel shumë të mirë artistik nga artsitët e shkollave përkatëse.

Në program ishin përzgjedhura kompozitorë të huaj dhe kompozitor të njohur nga Kosova dhe Shqipëria. Pjesët ishin përzgjedhur me shumë shije dhe të mendura shumë mirë për aftësitë interpretuese të nxënësve artistë nga Shkodra dhe Gjakova edhe në planin emocional dhe edukues.


Kori i Shkollës së Mesme të Lartë të Muzikës”Prenk Jakova këndoi me shumë pasion dhe nivel shumë të mirë vokal pjesët: 1.“Les miserable”-arranxhuar nga Ed Lojeski. 2.”N’mjedis ballit”- Esat Rizvanolli. 3.”Pranvera filloi me ardhë” Tonin Harapi (soliste: Bademe Krasniqi) 4.“Une biri yt Kosovë” – Feim Ibrahimi, arranxhuar nga Hajrullah Syla. (soliste: Bademe Krasniqi). 5.Himni i Lec Kurtit, 6.“Baresha”, R.Mulliqi/arranxhuar nga Selami Kolonja dhe u drejtuan nga Dirigjenti Kastriot Sada dhe Korepetitor Gent Kumnova. Pjesa “Les miserable” dhe pjesët e autorëve nga Kosova dhe Shqipëria si, Harapi, Ibrahimi, Lec Kurti, Rexho Mulliqi prezantuan vlerat më të mira të muzikës shqiptare. Muzika shqiptare është shumë e bukur, por duhet luajtur më shumë jo vetëm aty ku ka shqipfolës por edhe në Ballkan dhe Europë.


Programi i orkestrës së harqeve të shkollës “Prenk Jakova” Shkodër dhe nxënësve solistë, ishte përzgjedhur me shumë profesionalizëm dhe dashuri nga drejtuesit Kaftalli dhe Lekaj.
Në këtë koncert u luajtën: 1.Prenk Jakova: ‘Suitë nga opera Mrika’, punuar nga Gjon Simoni. 2. Jozef Hayden: Allegreto Koha e II-të luajtur nga orkestra e harqeve. 3. Albert Paparisto: ‘Këngë e lashtë’, solist në klarinetë Esred Unaza, shoqëruar nga ansambli i harqeve. 4. Maria Luisa-Julius Sagreras, luajtur në kitarrë nga Mariana Demaj, nën shoqërimin e ansmbalit të harqeve. 5. Eugen Doga: ‘Gramafon Waltz’, luajtur nga ansambli i harqeve. 6. George Gerzhwin-‘Summer time’, luajtur në Trombon nga Emanuel Ndoci dhe ansamboli i harqeve. 7. Tonin Harapi: ‘Vallja e xhuxhave’ luajtur në piano nga Ben Dreshaj dhe orkestra e harqeve. 8. Cesk Zadeja: ‘ E ju male’, kënduar nga Gabriel Rraposhi dhe orkestra e harqeve. 9. Antonio Vivaldi: ‘Dimri’ luajtur në violin shumë bukur nga Elena Babani dhe orkestra e harqeve.

Instrumentët Orff në shkollën “Prenk Jakova” Gjakovë.

Mbas koncertit dhe pritjes shumë miqësore në Gjakovë, viztuam shkollën “Prenk Jakova” Gjakovë. Krahas të mësuarit të instrumentëve tradicional, si violinë, piano, instrumenta fryme e perkusion, në këtë shkollë artistike, fëmijët ushtroheshin edhe në isntrumentët Orff. Instrumentet Orff janë një koleksion instrumentesh perkusioni të akorduara dhe të paakorduara që përdoren zakonisht në edukimin muzikor, veçanërisht brenda qasjes ‘Orff Schulëerk’. Këto instrumente karakterizohen nga aksesueshmëria dhe përshtatshmëria e tyre për të gjitha moshat dhe aftësitë, duke nxitur eksplorimin dhe kreativitetin muzikor.


Këta instrumentë i ndihmojnë shumë fëmijët fillestarë në mësimin e muzikës dhe lëndëve të përgjithshme dhe ata fëmijë që kanë probleme të caktuara , si memorie kujtesë etj.
Si përfundim duhet faleminderuar kori i shkollës së muzikës “Prenk Jakova” – Gjakovë dhe Orkestra e harqeve të shkollës artistike “Prenk Jakova” – Shkodër, që sollën muzikën si dhuratë për Ditën e Çlirimit në qytetin e Gjakovës.
Nën drejtimin shumë të mirë të Anton Kaftalli, Admir Lekaj dhe Kastriot Sada, ky koncert besoj se do të mbetet në zemrat dhe mendjet e publikut nga Gjakova.
Kam një propozim që ky koncert i përbashkët të zhvillohet në qytete të tjera të Kosovës, Shqipërisë dhe qytete të Ballkanit.
Po e mbylli artikullin me një thënie të John Denver: “Muzika i bashkon njerëzit. Na lejon të përjetojmë të njëjtat emocione. Njerëzit kudo janë të njëjtë në zemër dhe shpirt.”

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu