Shkruan Zef Ndreka
“Logu apo Fusha e Zanave”, ndodhet në zonën mes Velipojes dhe vargut të malit të Rrencit.
Po ashtu edhe “Pylli i Zanave” është në të njëjtin ambient gjeografik.
Më interesante është “Kodra e Nuseve”, në afërsi me qytetin dhe Portin e Shëngjinit.
Gojëdhënat fantastike që lidhën me mitologjinë e një bote të lashtë të kësaj zone, kanë mbetur ende si trashëgim i botkuptimit të vjetër në kujtesën e banorëve të vjetër e të rinjë të këtyre anëve.
Po tregojmë njërën prej këtyre gojdhënave që lidhën me këtë subjekt, pra me Shëngjinin, e cila na çon në një periudhë shumë të lashtë kur kjo zonë e “Kodres së Nuseve” apo “Fusha e Zanave” nuk ishte akoma e banuar nga asnjëri.
Kjo zonë, sipas gojdhanës, ishte e pushtuar nga 600 zana.
300 prej tyre ishin të reja dhe të veshura me guna të bardha.
Ndërsa 300 të tjerat, natyrisht më të shkuara në moshë, mbanin guna të zeza.
Banorët e rretheve përqark kur kishin nevojë të qarkullonin në vendet e sipërthëna të pushtuara nga zanat, vënde këto që konsideroheshin gjithnjë të rrezikshme për jetën e njeriut, për tu ruajtur nga fuqia shituese e këtyre qënieve të padukshme, hanin hudhra.
Kalimtarët, vetëm kështu mendonin se i largonin ato me aromën e tyre.
Zanat e Shëngjin kishin edhe vendin e tyre të dëfrimit në “Kodrën e Nuseve”. Aty, çdo mbrëmje në perëndim të diellit ato hidhnin valle dhe këndonin deri sa të vinte nata.
Këto zana, i mbajtën të pushtuara për shumë kohë këto anë. Por në fund i braktisën, kur një ditë prej ditësh nën hijen e një peme panë dy barinj duke fjetur kokë më kokë.
Zanat, duke mos i dalluar mirë menduan se ishte një njeri me dy kokë.
Kështu, nga frika dhe paniku, kjo çetë e madhe e zanave u larguan dhe i lëshuan këto vende, të cilat më në fund filluan të banoheshin nga njerzit.
Kjo është njëra nga gojdhënat më interesante që lidhet me toponimet konservuese të kësaj shtrirjeje gjeografike, që rrethon Shëngjiin.