Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka emëruar tre klerikë të lartë si kandidatë të mundshëm për ta pasuar në rast se ai vritet.
The New York Times raporton se sipas kushtetutës së Iranit, në rast vdekjeje të udhëheqësit suprem, Asambleja e Ekspertëve, një organ me 88 anëtarë klerikë, ka për detyrë të zgjedhë pasardhësin.
Ky proces është përdorur vetëm një herë që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, kur vetë Khamenei u zgjodh në vitin 1989.
Burimet e cituara nga Times thonë se Khamenei dëshiron të sigurojë një tranzicion të shpejtë dhe të rregullt nëse ai vdes papritur.
Deklaratat e fundit nga liderët amerikanë dhe izraelitë kanë ngritur shqetësime për sigurinë e udhëheqësit suprem iranian. Presidenti amerikan Donald Trump, pasi kishte refuzuar një plan izraelit për të eliminuar Khamenein, tha këtë javë se ai është një “objektiv i lehtë”.
“Ne e dimë saktësisht ku fshihet ‘Udhëheqësi Suprem’,” shkroi Trump në një postim në Truth Social. “Ai është një objektiv i lehtë, por i sigurt aty ku është, nuk do ta heqim qafe (nuk do ta vrasim!), të paktën jo tani.”
Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk e përjashtoi mundësinë e eliminimit të Khameneit, duke deklaruar se një veprim i tillë nuk do ta përshkallëzonte luftën, por “do ta përfundonte atë.”
Ndërsa ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, shkoi edhe më tej, duke thënë se Khamenei “nuk mund të lejohet të vazhdojë të ekzistojë” pas një sulmi me raketë iraniane që goditi një spital në Izrael.
Sipas Times, zyrtarët iranianë po bëjnë përgatitje për skenarë të ndryshëm nëse konflikti në rajon përshkallëzohet dhe ndërkohë që Trump po shqyrton ndërhyrjen e mundshme.
Edhe pse zinxhiri komandues i regjimit iranian është goditur rëndë nga sulmet izraelite, ai vazhdon të funksionojë, sipas burimeve.